ATV

Author: K.B.

  • “Për një grusht vota”, Mustafa thotë se ligji që e miratuan VV dhe Lista Srpska u mundëson nënshtetësi edhe kolonëve serbë

    “Për një grusht vota”, Mustafa thotë se ligji që e miratuan VV dhe Lista Srpska u mundëson nënshtetësi edhe kolonëve serbë

    Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar me hyrjen në fuqi të ligjit për nënshtetësinë, duke theksuar se, tash, të drejtë për nënshtetësinë dhe pasaportën e Kosovës, kanë edhe serbët që kanë qenë banorë para datës 1 janar të 1998.

    Mustafa ka thënë edhe se, ‘’popullizmi e shkatërron të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen’’.

    ‘’Sot ka hy në fuqi Ligji për nënshtetësinë, ky ligj i miratuar nga LVV’ja bashkë me Listën Serbe. Sipas këtij ligji të gjithë ata që kanë qenë banorë të Kosovës, deri me 1 janar 1998, u takon nënshtetësia dhe pasaporta e Republikës së Kosovës. Pra kjo përfshinë edhe gjithë ata serbë që kanë qenë edhe refugjatë nga Kroacia e Bosnja që i kanë sjell regjimi i atëhershëm në Kosovë, atyre dhe gjithë pasardhësve të tyre, pavarësisht se ku janë lind ata, që të gjithë atyre u takon nënshtetësia dhe pasaporta e Republikës së Kosovës. Për një grusht vota, popullizimi e shkatërron të kaluarën dhe tashmen dhe të ardhmen dhe vetë shtetësinë e Kosovës’’, ka thënë Mustafa.

  • Alarm për hantavirusin: OBSH konfirmon rastin e 12-të, holandezi rezulton pozitiv

    Alarm për hantavirusin: OBSH konfirmon rastin e 12-të, holandezi rezulton pozitiv

    Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për vigjilencë të shtuar pas konfirmimit të rastit të 12-të me Hantavirus në Holandë, i lidhur me shpërthimin e virusit në anijen turistike holandeze MV Hondius.
    Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë një konference për media në Gjenevë, u bëri thirrje të gjitha shteteve që të vazhdojnë monitorimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit që kanë qenë në bordin e anijes, si dhe të zbatojnë me rigorozitet masat e karantinës dhe kontrollit shëndetësor.

    Sipas të dhënave të publikuara nga OBSH-ja, rasti më i fundit është konfirmuar tek një anëtar holandez i ekuipazhit, i cili aktualisht ndodhet në izolim. Me këtë rast, numri total i personave të infektuar ka shkuar në 12, ndërsa deri tani janë regjistruar tre viktima.

    Ndërsa mediat e huaja bënë të ditur se nuk është raportuar asnjë viktimë e re që nga 2 maji, periudhë kur shpërthimi i virusit ishte raportuar për herë të parë në OBSH. Ai shtoi se mbi 600 kontakte në afro 30 vende të ndryshme vazhdojnë të jenë nën monitorim nga autoritetet shëndetësore.

    Anija turistike MV Hondius kishte nisur udhëtimin më 1 prill nga Ushuaia, përpara se të vazhdonte itinerarin drejt Kepi Verde dhe Tenerife në Ishujt Kanarie.

    Autoritetet ndërkombëtare shëndetësore po vazhdojnë hetimet për mënyrën e përhapjes së virusit në bord, ndërsa OBSH-ja ka apeluar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të infektimit.

  • Vdes humorisiti njohur, Fadil Gashi

    Vdes humorisiti njohur, Fadil Gashi

    Ka vdekur humoristi i njohur shqiptar Fadil Gashi, duke lënë pas pikëllim të madh te familjarët, miqtë dhe ndjekësit e tij.

    Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku kanë shprehur dhimbjen për humbjen e më të dashurit të tyre.

    Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai është rikthimi. Të dashur miq, sot na la vëllau ynë Fadil Gashi. Për detajet e varrimit ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e familjes.

  • Miftaraj: Kurti, politikan mesatar ballkanik – Gjatë qeverisjes së tij rreth 300 mijë qytetarë ikën nga Kosova

    Miftaraj: Kurti, politikan mesatar ballkanik – Gjatë qeverisjes së tij rreth 300 mijë qytetarë ikën nga Kosova

    Ehat Miftaraj, e ka cilësuar si ‘’politikan mesatar ballkanik’’, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në postimin e tij, Miftaraj, ka thënë se, Kurti, s’është lider që do mbahet mend për vepra të mëdha apo të mira.

    Miftaraj, ka thënë edhe se, vetëm gjatë qeverisjes së Kurtit, nga viti 2020 deri në 2026, ‘’afërsisht 300 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova’’.

    Postimi:

    Albin Kurti – politikan mesatar ballkanik që mund t’i fitojë zgjedhjet edhe për 20 vjet radhazi, duke e blerë votën e një qytetari të varfër me 100 euro.

    Por kurrë lider që do të mbahet mend në librat e historisë për vepra të mëdha apo të mira.

    Albini është një politikan mesatar ballkanik që, sapo del jashtë territorit të Republikës së Kosovës, trajtohet si kryeministër i një vendi të botës së tretë dhe i vendit më të varfër në Evropë, ku populli i tij daljen nga varfëria e gjen përmes një vize pune në Gjermani.

    Vetëm gjatë qeverisjes së tij, nga viti 2020 deri më 2026, afërsisht 300 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova për të gjetur një vend pune në një shtet tjetër evropian.

    I pari në katund pa dyshim, por i zgjebosur dhe i fundit sapo të dal jashtë katunit të tij

  • Ramush Haradinaj: Ardian Gjini është politikan elitar dhe rast i veçantë në politikën botërore

    Ramush Haradinaj: Ardian Gjini është politikan elitar dhe rast i veçantë në politikën botërore

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka zyrtarizuar kalimin e timonit të partisë tek Ardian Gjini, duke e konfirmuar atë si udhëheqësin e ri që do të çojë përpara projektin dhe doktrinën politike të Aleancës.

    Haradinaj ka bërë të qartë se ky tranzicion vjen si rezultat i një pjekurie institucionale, ku AAK tashmë ka kaluar përtej personalizimit të liderit dhe është shndërruar në një strukturë me memorie e qëndrueshmëri afatgjatë.

    “Ardian Gjini është krijues i Aleancës. Aleanca është kthyer në doktrinë, nuk është Aleanca vetëm individi, është doktrinë politike, ka një jetëgjatësi, ka një qëndrueshmëri, ka një memorie.

    Mund t’ju them që Ardiani është i krijuar aq mirë, sa që është rast i rrallë i politikanit i krijuar aq mirë,” ka deklaruar Haradinaj.

    Më tej, Haradinaj ka thënë se përgatitja dhe profili i kryetarit të ri të AAK-së i kalojnë kufijtë lokalë e rajonalë, duke garantuar një udhëheqje të nivelit më të lartë elitar.

    “Një rast i veçantë në politikën shqiptare, në Ballkan gjithsesi, po mendoj një rast i veçantë edhe në politikën botërore. Kemi të bëjmë me një nivel të politikanit që në të gjitha parametrat prinë. Një politikan elitar,” u shpreh ai.

    Haradinaj ka shprehur bindjen e tij të palëkundur se nën drejtimin e Ardian Gjinit, Aleanca do të jetë adresa kryesore për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballet Republika e Kosovës.

    “Jo veç që i besoj Ardianit, po shpresoj e besoj që do të jetë zgjidhja për shumë probleme të Kosovës,” përfundoi Haradinaj.

  • Edicioni i 4 i Rock & Blues Fest Prizren 2026

    Edicioni i 4 i Rock & Blues Fest Prizren 2026

    Prizreni këtë verë do të shndërrohet në qendrën më të madhe të muzikës rock dhe blues në rajon. Më 3, 4 dhe 5 korrik 2026, “Rock & Blues Fest Prizren” sjell tri net të mbushura me energji, emocione dhe performanca spektakolare nga artistë dhe bende të njohura shqiptare e ndërkombëtare. Në një atmosferë unike, mes tingujve klasikë të rock-ut dhe ritmeve të fuqishme blues, festivali premton të bashkojë mijëra adhurues të muzikës në zemër të Prizrenit historik.

    Line-up-i i festivalit përfshin emra legjendarë dhe artistë të dashur të skenës alternative: Led Zeppelin 2, Telex, Kolpa, Dire Straits Legacy, TNT, Attitude GNR Band, 3 Musketeret, BB Poqi, Zwada, Hawolf, Dhjetori, Rool, Urban Band, Flavia Zere, Beska & All Stars Band dhe Doludizgin.

    Led Zeppelin 2
Një nga tributet më të famshme të grupit legjendar Led Zeppelin. Banda rikthen atmosferën autentike të viteve të arta të rock-ut klasik me performanca energjike dhe interpretim besnik të hiteve ikonike si “Whole Lotta Love” dhe “Stairway to Heaven”.

    Telex
Një nga grupet më të dashura të rock-ut shqiptar ndër vite. Telex ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare me stilin e tyre melodik dhe tekstet që kanë prekur breza të tërë.

    Dire Straits Legacy
I formuar nga ish-anëtarë të Dire Straits, ky projekt muzikor sjell magjinë e një prej grupeve më të mëdha rock në histori. Publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë live klasikët si “Sultans of Swing”, “Money for Nothing” dhe “Brothers in Arms”.

    BB Poqi
Artist i njohur shqiptar me stil unik dhe energji të veçantë në skenë. BB Poqi sjell kombinim të rock-ut urban dhe elementeve alternative që e bëjnë performancën e tij gjithmonë të paharrueshme.

    Dhjetori
Grup alternativ shqiptar që ka fituar popullaritet me tingullin modern dhe atmosferik. Muzika e tyre kombinon emocione introspektive me elemente indie dhe alternative rock.

    Beska & All Stars Band
Një projekt muzikor që bashkon muzikantë të talentuar në një performancë dinamike me influenca rock, blues dhe funk, duke krijuar atmosferë festive për publikun.

    Këto janë vetem disa nga bendet në mesin e shumë te tjerave qe do të performojnë këtë vit.

    Përgatituni për tri net të paharrueshme me muzikë live, atmosferë elektrizuese dhe emocione që vetëm rock-u mund t’i sjellë. “Rock & Blues Fest Prizren 2026” premton të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit në Kosovë dhe rajon!

  • Bajrami: Mbrëmë paralajmërova, sot Kurti po tenton t’i blejë votat me para të shtetit

    Bajrami: Mbrëmë paralajmërova, sot Kurti po tenton t’i blejë votat me para të shtetit

    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka hedhur kritika të forta ndaj vendimit të qeverisë në detyrë për shpërndarjen e mjeteve monetare te qytetarët, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

    Në një postim në Facebook, Bajrami tha se këtë e kishte paralajmëruar mbrëmë dhe theksoi se kjo është tentativë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të blerë vota me para të buxhetit të shtetit.

    “Që 6 vjet: çmimet janë dyfishuar, arsimi është lënë pas dore, spitalet janë pa barna e me lista të gjata të pritjes për trajtim, të gjitha rrugët janë pa përfunduar dhe asnjë investim i madh nuk ka ndodhë. Tash 100 euro/votë”, shkroi Bajrami.

    Ajo ua rikujtoi qytetarëve që “këto janë paratë e juaja që ua ka marrë përmes inflacionit dhe meqë nuk i ka investu as në arsim, as në shëndetësi, as në infrastrukturë dhe as në ekonomi po u a kthen në këmbim të votës”.

    “Kjo nuk është ndihmë. Kjo është skemë e korrupsionit publik”, deklaroi kandidatja për deputete, Hykmete Bajrami.

    Qeveria në detyrë e Kosovës, paraditen e së premtes mori vendim për rritjen e shtesave për lehona, si dhe për ndarjen e shtesave nga 100 euro për studentët, pensionistët, punëtorët e sektorit jopublik dhe fëmijët.

  • Gjini pret në takim ambasadorin italian: Në këtë udhëkryq politik, mbështetja e aleatëve tanë perëndimorë është jetike

    Gjini pret në takim ambasadorin italian: Në këtë udhëkryq politik, mbështetja e aleatëve tanë perëndimorë është jetike

    Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka pritur sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

    Aleanca tha se gjatë këtij takimi “u bashkëbisedua hapur për zhvillimet e fundit politike dhe sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë”.

    “Shteti mik italian ndër vite ka treguar kujdes e mbështetje të veçantë për Republikën e Kosovës. Italia mbetet një ndër kontribuuesit kryesorë për paqen dhe sigurinë në vend përmes misionit të KFOR-it, por edhe një partner strategjik përmes projekteve të shumta në fushën e zhvillimit ekonomik”.

    AAK tha se ky takim “miqësor dhe me rëndësi të veçantë” zhvillohet në prag të zgjedhjeve, një periudhë vendimtare ku përcaktohet drejtimi i ardhshëm i Kosovës.

    “Në këtë udhëkryq politik, mbështetja e aleatëve tanë perëndimorë është jetike për të garantuar procese demokratike, stabilitet dhe një rrugëtim të sigurt drejt integrimeve euroatlantike. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për rolin e paluajtshëm të Italisë, si në të kaluarën, ashtu edhe në këtë moment dinamik dhe të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë”.

  • Rama fton kryeministren e Japonisë në Shqipëri për Samitin e NATO-s

    Rama fton kryeministren e Japonisë në Shqipëri për Samitin e NATO-s

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka ftuar kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Shqipëri.

    Vitin e ardhshëm, Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri dhe si vend organizator kam kënaqësinë t’iu ftoj të merrni pjesë në të”, i tha Rama homologes japoneze gjatë takimit në Tokio. Do të jeni gjithashtu kryeministri apo kryeministrja e parë e Japonisë që viziton vendin tonë”, thai ai, shkruan A2.

    Vizita në Japoni vjen pas asaj në Korenë e Jugut, ku mori pjesë në Samitin e Lidershipit Aziatik.

    Kryeministri Rama u prit me ceremoni të lartë shtetërore në Tokio.

  • BE-ja u njoftua nga mediat për krijimin e xhandarmërisë në Kosovë, thonë se kërkuan informata shtesë nga MPB-ja

    BE-ja u njoftua nga mediat për krijimin e xhandarmërisë në Kosovë, thonë se kërkuan informata shtesë nga MPB-ja

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës.

    Ky paralajmërim i Sveçlës erdhi një ditë pasi kryeministri në detyrë, shefi i tij, Albin Kurti e tha këtë në një intervistë televizive.

    E duke mos pritur gjatë, Sveçla të nesërmen veçse shkroi në rrjetet sociale se ka nënshkruar themelimin e grupit punues, që sipas tij, do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteteve për funksionimin e Xhandarmërisë, si Agjencion i MPB-së.

    “Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, shkroi ai në Facebook.

    Sipas Sveçlës, krijimi i Xhandarmërisë do të forcojë kapacitetet shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve “që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë.

    E në dijeni për këtë çështje tanimë janë edhe nga Bashkimi Evropian. Por të njëjtit në dijeni mbi këtë zhvillim janë përmes raportimit në media.

    Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, nga Zyra e BE-së në Kosovë është thënë se “jemi në dijeni të raportimeve të mediave në lidhje me këtë çështje”.

    Përpos kësaj, zëdhënësja për media e kësaj zyre, Nikola Gaon, deklaroi se tanimë e kanë kontaktuar ministrinë e Punëve të Brendshme të drejtuar nga Xhelal Sveçla për të marrë më tepër informacione në lidhje me këtë zhvillim.

    “I kemi kontaktuar Ministrisë së Brendshme për të marrë më shumë informacion.”

    Por në lidhje me krijimin e Xhandarmërisë në Kosovë, kanë folur edhe nga KFOR-i.

    Nga KFOR-i u tha se po i ndjekin nga afër deklaratat e vazhdueshme nga institucionet në Kosovë në lidhje me këtë temë, ndërsa për detaje kanë thënë se u takon institucioneve në Kosovë të japin.

    “NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontributin e vet për siguri të qëndrueshme në Kosovë, në dobi të të gjithëve. Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i siguron një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), sipas roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile, përmes ngritjes së kapaciteteve, arsimit dhe koordinimit të trajnimeve”, kanë thënë nga KFOR-i

    Gjithashtu u tha se presin nga organizatat e sigurisë në Kosovë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të koordinohen me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

    Për themelimin e Xhandarmërisë, fillimisht ka folur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Pasi fillimisht e përfoli si ide, dje u rezervua të jepte detaje pasi i pranishëm nuk ishte edhe Sveçla. Ai tha se Xhandarmëria parashihet të jetë mes policisë e ushtrisë.

    “Sa i përket koncept-dokumentit dhe grupit punues dhe hollësive për Xhandarmërinë do t’iu njoftojmë shumë shpejtë bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme. Ka kohë që ne e kemi menduar këtë gjë sepse një aspekt tjetër i sigurisë së Kosovës ka të bëj me një zonë e cila është më shumë se Policia e më pak se Ushtria, prej ruajtjes së kufirit, te luftimi i terrorizmit, te mbyllja e çfarë do shtegu të kontrabandës e deri te mbrojtja e infrastrukturës jetike. Të gjitha detajet lidhur me këtë idetë tonë që tani po bëhet edhe koncept-dokument do t’i trajtojmë me ministrin e Punëve të Brendshme”, ka thënë Kurti.

    Xhandarmëria është një forcë e sigurisë me karakter ushtarak që kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura.

    Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.

    Xhandarmëri kanë edhe shtete të tjera, sikurse Franca, shtet anëtar i NATO-s. Zakonisht xhandarmëria merret me sigurinë e kufijve dhe luftimin e terrorizmit.

    Shembull, Xhandarmëria e Francës është forcë ushtarake që ka për detyrë sundimin e ligjit, ka juridiksion të plotë mbi popullatën civile dhe është përgjegjëse për sigurinë publike, rendit publik dhe ndërvepron me forcat policore dhe ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Ajo luan rol në menaxhimin e krizave dhe merr pjesë edhe në misione paqësore jashtë vendit, por edhe në operacione luftarake.

    Në NATO, forcat e llojit të xhandarmërisë përmenden në kuadër të asaj që njihet si policia për stabilitet.