ATV

Author: K.B.

  • Ish-shefi i OSBE-së: Gjykata Speciale është turp i drejtësisë, themelet e këtij tribunali janë të dyshimta

    Ish-shefi i OSBE-së: Gjykata Speciale është turp i drejtësisë, themelet e këtij tribunali janë të dyshimta

    Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Daan Everts, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale.

    Ai ka bërë me dije se kjo gjykatë është turpi i drejtësisë.

    Në konferencën “Urat e kujtimeve” organizuar nga “Liria ka emër” dhe KIPRED, ish-diplomati holandez ka thënë se themeli e këtij tribunali janë tejet të dyshimta.
    “Ky tribunal është një turp i drejtësisë. Themeli i tij është tejet i dyshimtë, mandati i tij shumë selektiv, mënyra e veprimit e diskutueshme dhe akuzat të sforcuara. Nëse këto procese përfundojnë me dënime, pasojat do të jenë të rënda, jo vetëm për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por edhe për perceptimin e aktorëve ndërkombëtarë dhe për praktikën e së drejtës penale ndërkombëtare.”, ka thënë ai.

    Ai ka vlerësuar se kjo gjykatë është duke e penguar edhe normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Fatkeqësisht, 25 vjet më vonë, nuk jemi më afër një marrëdhënieje të normalizuar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ndër shumë faktorët që e pengojnë këtë është edhe e ashtuquajtura Dhomë e Specializuar e Kosovës, e cila po gjykon katër ish-udhëheqës të shquar të UÇK-së, të cilët më pas u bënë figura të rëndësishme politike në Kosovën e pasluftës, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.”, është shprehur ai.

  • ‘‘S’kam mendu kurrë që kam me varrosë Sahir Jasharin’’ Sami Lushtaku përlotet derisa flet për vdekjen e shokut të luftës

    ‘‘S’kam mendu kurrë që kam me varrosë Sahir Jasharin’’ Sami Lushtaku përlotet derisa flet për vdekjen e shokut të luftës

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është deklaruar lidhur me vdekjen e ish-komandantit të UÇK’së, Sahit Jasharit.

    Lushtaku, në lidhje direkte në Frontal në T7, ka thënë se ai, asnjëherë s’e ka menduar se do ta varroste Sahitin Jasharin.

    ‘’Ka pas momente të vështira, edhe para luftës edhe gjatë luftës, asnjëherë nuk e kam mëndu që unë kam me varros Sahitin, asnjëherë, por ja që vdekja është padrejtë shumë herë. Ajo që kemi kalu me Sahitin, vërtetë, sa është vështirë e dhimbshme, por është edhe krenare’’, ka thënë Lushtaku

  • Qytetarja gjen portofolin me para dhe dokumente në Viti, e dorëzon në polici

    Qytetarja gjen portofolin me para dhe dokumente në Viti, e dorëzon në polici

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se në Viti, një qytetare ka dorëzuar në stacionin e PK’së, një portofol me dokumente dhe para.

    Në njoftimin e PK’së, shtohet se, policia ka dërmarrë veprimet e nevojshme operative, ku pas verifikimit të dokumentacionit në bazë të procedurave të rregullta ligjore, është arritur të identifikohet dhe të kontaktohet pronari legjitim, të cilit i janë kthyer të gjitha gjërat e humbura.

    Postimi:

    Dorëzohet në polici portofoli me dokumente dhe para të gjetura

    Gjilan, 12 qershor 2026

    Më datë 12.06.2026 në Stacionin Policor në Viti është paraqitur një qytetare e ndërgjegjshëm, e cili ka njoftuar se kishte gjetur një portofol. Brenda portofolit ndodheshin dokumente personale, karta bankare si dhe një sasi e parave të gatshme.

    Pas pranimit të portofolit, zyrtarët policorë nga Njësiti i Sektorit të Stacionit Policor në Viti menjëherë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative, ku pas verifikimit të dokumentacionit në bazë të procedurave të rregullta ligjore, është arritur të identifikohet dhe të kontaktohet pronari legjitim, të cilit i janë kthyer të gjitha gjërat e humbura.

    Drejtori Rajonale e Policisë në Gjilan shpreh falënderimin për qytetaren në fjalë. Ky rast dëshmon edhe një herë se bashkëpunimi i ngushtë dhe besimi i ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës është shtylla kryesore e sigurisë dhe mirëqenies në komunitet.

  • Murati njofton se të hënën ekzekutohen shtesat për sektorin privat: Për studentët do t’ju njoftojmë sapo listat të jenë gati

    Murati njofton se të hënën ekzekutohen shtesat për sektorin privat: Për studentët do t’ju njoftojmë sapo listat të jenë gati

    Hekuran Murati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ekzekutimi i 100 eurove për punëtorët e sektorit privat do të bëhet të hënën e javës së ardhshme.

    Murati, ka shkruar edhe se, komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar.

    Postimi:

    Që në fillim të kësaj jave, komisionet vlerësuese kanë filluar punën për shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, konkretisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat, dhe studentët.

    Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit, dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën.

    Kurse komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim.

    Qeveria për të gjithë!

  • Kanosi gazetarin Berat Buzhala, dënohet me 4 mijë euro gjobë

    Kanosi gazetarin Berat Buzhala, dënohet me 4 mijë euro gjobë

    Hilmi Ibishi, i akuzuar për kanosje ndaj gazetarit Berat Buzhala, është dënuar me 4 mijë euro gjobë.

    Vendimi u dha sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    “Dënohet me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh, ky dënim me pëlqimin edhe të të akuzuarit i kthehet në gjobë në vlerë prej 4 mijë eurosh”, ka njoftuar gjyqtarja Donika Shala.

    I akuzuari, Hilmi Ibishi, në mënyrë të pavarur dhe në bashkëpunim me avokatin e tij, Skender Musa, kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

  • Nëntë rekordet që mund të thyhen në Kampionatin Botëror 2026

    Nëntë rekordet që mund të thyhen në Kampionatin Botëror 2026

    Me Kampionatin Botëror që është duke u zhvilluar, kemi parë disa nga rekordet e vjetra që mund të thyhen në turneun e kësaj vere në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

    Të enjten në mbrëmje, Afrika e Jugut theu një rekord 20-vjeçar në Kupën e Botës në humbjen 2-0 ndaj Meksikës.

    Skuadra e Hugo Broos u bë skuadra e parë që mori dy kartonë të kuq në një ndeshje të Kupës së Botës që nga viti 2006, pasi gjyqtari Wilton Pereira Sampaio, i ndëshkoi Yaya Sithole dhe Themba Zëane me karton të kuq para kohe.

    Ishte një ndeshje hapëse plot ngjarje në Estadio Azteca, përpara asaj që pritet të jetë një turne plot aksion në Amerikën e Veriut.

    Në fakt, me 104 ndeshje që luhen në të gjithë garën me 48 ekipe, rekordi për më shumë gola në një turne të Kupës së Botës, i cili aktualisht është 172, ka shumë të ngjarë të thyhet në javët në vijim.

    Cilat janë tetë rekordet e tjera që mund të rrëzohen këtë verë?

    Siç pritej, fituesit serik Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë mundësinë të thyejnë një numër rekordesh këtë verë së bashku me disa lojtarë të tjerë me përvojë, përfshirë portierin e Meksikës, Guillermo Ochoa.

    A ku janë ato rekorde. A do të thyhen në javët në vijim?

    – Numri më i madh i golave të shënuar në Kupën e Botës nga një lojtar, i mbajtur nga Miroslav Klose i Gjermanisë me 16, është në rrezik serioz. Kylian Mbappe dhe Lionel Messi aktualisht kanë përkatësisht 12 dhe 13 gola.

    – Nëse Cristiano Ronaldo shënon, gjë që, sipas të gjitha gjasave, do të ndodhë, ai do ta thyejë rekordin e tij për numrin më të madh të golave të shënuar në turne. Ai ka shënuar në të pesë Kupat e Botës në të cilat ka luajtur deri më tani (2006, 2010, 2014, 2018, 2022), duke çuar numrin në gjashtë Kupa Bote.

    – Për sa i përket lojtarëve që kanë fituar më shumë ndeshje, rekordi aktual mbahet nga Klose i përmendur më parë, i cili ka 17 fitore për Gjermaninë. Messi, megjithatë, është menjëherë pas tij me 16.

    – Pepe është aktualisht golashënuesi më i vjetër në historinë e Kupës së Botës me 39 vjeç e 283 ditë, por ky rekord mund të thyhet në vitin 2026. Ronaldo, i cili mbushi 41 vjeç këtë vit, është një pretendentë përkrah Edin Dzekos dhe Luka Modricit.

    – Për sa i përket moshës, rekordi për numrin e lojtarëve mbi 40 vjeç në një turne të vetëm është vetëm një, kështu që ky rekord do të bjerë këtë verë. Tetë lojtarë janë mbi moshën 40 vjeçare, përfshirë Ronaldon, Dzekon, Modricin, Guillermo Ochoan, Fernando Muslerën, Manuel Neurin dhe Vozinhan e Kepit të Gjelbër.

    – Asnjë lojtar në historinë e Kupës së Botës nuk e ka fituar Këpucën e Artë dy herë. Kylian Mbappe, James Rodriguez dhe Harry Kane kanë mundësinë ta ndryshojnë këtë.

    – Mbappe shpesh luan në mënyrë të shkëlqyer kur rreziqet janë të larta dhe këtë verë, francezi mund të bëhet lojtari i parë që shënon në tre finale të ndryshme të Kupës së Botës, pas golave të shënuar në edicionet e viteve 2018 dhe 2022.

    – Nëse Anglia ose Uruguai fitojnë Kupën e Botës 2026, ato do të tejkalojnë rekordin e Italisë prej 44 vitesh midis titujve të Kupës së Botës.

    Për ata që nuk janë në dijeni, një total prej 72 ndeshjesh janë planifikuar për më shumë se dy javë nga 11 qershori deri më 27 qershor, kështu që prisni që të paktën një nga këto rekorde të thyhet gjatë asaj periudhe.

  • Franca zbulon skandal ndërkombëtar – Izraeli dyshohet se ka ndikuar në zgjedhjet e disa shteteve

    Franca zbulon skandal ndërkombëtar – Izraeli dyshohet se ka ndikuar në zgjedhjet e disa shteteve

    Kompania izraelite, BlackCore, e cila dyshohet për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Francë, tani po përballet me akuza serioze për ndërhyrje edhe në proceset zgjedhore në New York dhe Skoci, si dhe për operacione në Angola dhe Togo, njoftoi shërbimi francez për zbulimin e dezinformatave, Viginum.

    Muajin e kaluar, agjencia Reuters raportoi se autoritetet franceze dyshojnë se BlackCore qëndron pas një fushate online shpifjesh të drejtuar kundër tre kandidatëve për kryetar bashkie nga partia radikale e majtë dhe pro-palestineze La France Insoumise (LFI) gjatë zgjedhjeve lokale.

    Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, së bashku me kryeministrin francez, Sebastien Lecornu, drejtori i Viginumit, Marc-Antoine Brillant, deklaroi se puna teknike e hetuesve i ka çuar drejtpërdrejt te kjo kompani izraelite. Më pas, Viginum publikoi një raport të detajuar mbi veprimtaritë e dyshuara të BlackCore në mbarë botën, raporton reuters.

    “Ky model operimi nuk ishte i kufizuar vetëm në zgjedhjet komunale në Francë. Duket se është përdorur edhe për operacione të jashtme të ndërhyrjes digjitale në vende dhe rajone të tjera, si Angola, Togo, zgjedhjet në Skoci dhe zgjedhjet komunale në Nju Jork në vitin 2025”, tha Brillant.

    Megjithatë, Brillant theksoi se ende nuk është e qartë se kush e ka angazhuar BlackCore për ndërhyrjen në Francë, pasi hetimi nuk ka arritur të identifikojë porositësit e fushatës.

    Franca kërkon sqarime nga Izraeli

    Kryeministri Lecornu deklaroi se qeveria franceze ka kërkuar zyrtarisht shpjegime nga Izraeli lidhur me aktivitetet e BlackCore, si dhe ndihmë për të zbuluar se kush qëndron pas fushatës së shpifjeve.

    “Nuk kam asnjë dyshim se, nëse një grup privat francez do të kishte kryer një ndërhyrje të jashtme digjitale në Izrael nga territori francez, ata do të vepronin njësoj ndaj ambasadorit tonë atje”, tha Lecornu.

    Ambasada e Izrael në Paris konfirmoi se Franca ka kontaktuar me të dhe se po pret detajet e hetimit francez për të zhvilluar një hetim të vetin.

    “Izraeli, natyrisht, nuk ka asnjë synim të ndërhyjë në procesin politik francez, qoftë në nivel kombëtar apo lokal”, thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës.

    Në shënjestër politikanë pro-palestinezë në New York dhe Skoci

    Brillant nuk specifikoi qartë se kush ishte objektivi i zgjedhjeve të vitit të kaluar në New York, në të cilat fitoi Zohran Mamdani. Megjithatë, fitorja e Mamdanit u mirëprit nga shumë hebrenj të rinj progresistë, por shkaktoi shqetësim te qarqet më tradicionale pro-izraelite për shkak të mbështetjes së tij të hapur për çështjen palestineze.

    Ekipi i Mamdanit, zyrtarët e New Yorkut, Federal Bureau of Investigation (FBI) dhe Cybersecurity and Infrastructure Security Agency (CISA) nuk kanë komentuar ose nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për deklarata.

    Në një raport pasues, Viginum tha se janë zbuluar llogari të lidhura me BlackCore që kishin në shënjestër drejtpërdrejt John Swinney, kryeministrin e Skocisë.

    Swinney më herët e kishte përshkruar situatën në Gaza si një “katastrofë humanitare të shkaktuar nga njeriu”, duke deklaruar se atje mund të jetë duke ndodhur gjenocid, duke iu referuar numrit të madh të viktimave civile, shkatërrimeve të gjera dhe deklaratave të zyrtarëve izraelitë. As ai dhe as partia e tij, Scottish National Party (SNP), nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Edhe qeveritë e Angola dhe Togo nuk kanë reaguar ende lidhur me këtë çështje.

    Para se të fshinte plotësisht praninë e saj në internet pas pyetjeve të gazetarëve të Reutersit, BlackCore e përshkruante veten si një “kompani elitare e ndikimit, sigurisë kibernetike dhe teknologjisë, e ndërtuar për epokën moderne të luftës informative”.

    Në materialet e saj promovuese, kompania pretendonte se u ofronte qeverive dhe fushatave politike “strategji të nivelit të lartë, mjete të avancuara dhe siguri të fuqishme për të formësuar narrativat publike”.

    Deri më tani, BlackCore nuk u është përgjigjur kërkesave të përsëritura të mediave për koment.

  • Alarm në veri të Evropës: Rusia po ndërton me shpejtësi baza ushtarake, pamjet satelitore zbulojnë planin strategjik

    Alarm në veri të Evropës: Rusia po ndërton me shpejtësi baza ushtarake, pamjet satelitore zbulojnë planin strategjik

    Pamjet e reja satelitore kanë ngritur shqetësime në vendet e Evropës Veriore, pasi tregojnë se Rusia po zgjeron dhe rindërton infrastrukturën e saj ushtarake pranë kufirit me Finlandën, anëtare e NATO-s. Analistët vlerësojnë se këto lëvizje mund të jenë pjesë e një strategjie afatgjatë të Moskës për forcimin e pranisë ushtarake në rajon.

    Sipas raportimeve të mediave finlandeze, Rusia ka nisur punime intensive në disa baza ushtarake që prej dekadash kishin qenë të braktisura ose të përdorura në mënyrë minimale. Një nga lokacionet kryesore është zona e Kandalakshës, rreth 110 kilometra larg kufirit finlandez, ku po ndërtohet një kompleks i ri për vendosjen e brigadave të artilerisë dhe inxhinierisë ushtarake.

    Fotografitë satelitore tregojnë pastrim masiv të pyjeve, gërmime të mëdha dhe ngritjen e objekteve të reja ushtarake. Sipas ekspertëve, në këtë zonë planifikohet stacionimi i mijëra ushtarëve, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme strategjike në veri të Rusisë.

    Aktivitete të ngjashme janë vërejtur edhe në Kareli dhe Petrozavodsk, ku po rinovohen baza të vjetra sovjetike dhe po ndërtohen rrugë, magazina dhe struktura të tjera mbështetëse ushtarake. Ekspertët perëndimorë besojnë se këto investime nuk lidhen drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë, por me përgatitjet e Rusisë për një prani më të madhe ushtarake përgjatë kufijve me NATO-n në vitet e ardhshme.

    Autoritetet finlandeze dhe NATO-ja po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa vlerësojnë se aktualisht nuk ka shenja të një kërcënimi të menjëhershëm. Megjithatë, zgjerimi i bazave dhe grumbullimi gradual i kapaciteteve ushtarake konsiderohen sinjale të rëndësishme për sigurinë në rajon.

    Sipas analistëve të sigurisë, këto lëvizje tregojnë se Kremlini po përgatitet për një periudhë të re rivaliteti strategjik me Perëndimin, veçanërisht pas anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO. /Index.hr

  • Raporti i OEK: Kosova me pagat më të ulëta në Ballkan, qytetarët vazhdojnë ta ndjejnë shtrenjtimin

    Raporti i OEK: Kosova me pagat më të ulëta në Ballkan, qytetarët vazhdojnë ta ndjejnë shtrenjtimin

    Një analizë e publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës tregon se pagat mesatare në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve 2019–2025, por qytetarët vazhdojnë të përballen me rritjen e kostos së jetesës dhe inflacionin.

    Pagat në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit, por qytetarët vazhdojnë të përballen me kosto gjithnjë e më të lartë të jetesës.

    Analiza e publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës tregon se, megjithëse paga mesatare ka arritur në 713 euro në vitin 2025, fuqia reale blerëse mbetet nën presion nga inflacioni dhe shtrenjtimi i produkteve bazë.

    Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova vazhdon të mbetet me nivelin më të ulët të pagave në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas të dhënave të bazuara në statistikat zyrtare të Agjencia e Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në Kosovë është rritur nga 477 euro në vitin 2019 në 713 euro në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej afro 49.5 për qind.

    Megjithatë, analiza thekson se pjesa më e madhe e kësaj rritjeje është “ngrënë” nga shtrenjtimi i jetesës.

    Sipas statistikave të prezantuara në raport, Serbia prin me pagën mesatare prej 1,286 eurosh, pasuar nga Bosnja e Hercegovina me 1,245 euro dhe Mali i Zi me 1,206 euro.

    Edhe Shqipëria ka kaluar Kosovën me një pagë mesatare prej 860 eurosh, ndërsa Maqedonia e Veriut ka arritur në 1,111 euro.

    Sipas raportit, mbi dy të tretat e rritjes së pagave janë absorbuar nga inflacioni, çka nënkupton se fuqia reale blerëse e qytetarëve është rritur shumë më pak sesa shifrat nominale të pagave.

    “Gjatë kësaj periudhe, pagat mesatare kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vlerë nominale. Megjithatë, analiza tregon se kjo rritje ka qenë kryesisht reagim ndaj inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës, më shumë sesa rezultat i një përmirësimi të ndjeshëm të mirëqenies ekonomike.

    Të dhënat tregojnë se fuqia reale blerëse e qytetarëve është rritur dukshëm më pak se pagat nominale, pasi mbi dy të tretat e rritjes së pagave janë absorbuar nga rritja e çmimeve”, ka treguar OEK.

    Të dhënat tregojnë po ashtu dallime të mëdha mes sektorëve.

    Sektori publik dhe ndërmarrjet publike vazhdojnë të ofrojnë paga dukshëm më të larta krahasuar me sektorin privat.

    Në vitin 2025, paga mesatare bruto në sektorin publik arrin në 840 euro, ndërsa në sektorin privat 666 euro, duke krijuar një diferencë prej 174 eurosh në favor të sektorit publik.

    “Krahasimi ndërmjet sektorëve evidenton se sektori publik dhe ndërmarrjet publike vazhdojnë të ofrojnë paga mesatare më të larta sesa sektori privat.

    Në aspektin rajonal, Kosova mbetet vendi me nivelin më të ulët të pagave mesatare në Ballkanin Perëndimor Analiza synon të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi trendet e pagave, ndikimin e inflacionit dhe sfidat që lidhen me fuqinë blerëse dhe konkurrueshmërinë e tregut të punës në Kosovë”.

    Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova mbetet me pagat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas analizës, Shqipëria ka shënuar rritjen më të madhe të pagave gjatë kësaj periudhe, duke i dyfishuar ato me mbi 102 për qind, ndërsa Kosova ka mbetur ndër vendet me ritmin më të ulët të rritjes.

    Raporti vlerëson se rritja e pagave në vitet e fundit lidhet kryesisht me inflacionin global, mungesën e fuqisë punëtore dhe presionin për rritjen e pagave minimale në rajon

    Lidhur me rritjen e çmimeve dhe inflacionin, ditë me parë edhe Agjencia e Statistikave ka treguar se qytetarët po vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë.

    Të dhënat e fundit të Çmimeve të Konsumit tregojnë se inflacioni vjetor në maj 2026 ka arritur në 6,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke konfirmuar vazhdimin e valës së shtrenjtimit që po godet pothuajse çdo familje.

    Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te transporti, me plot 14,1 për qind më shumë se një vit më parë.

    “Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6,8% krahasuar me muajin maj 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (14,1%), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (13,2%), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,6%), restorante dhe shërbime akomodimi (5,3%), ushqime dhe pije joalkoolike (5,1%), shëndetësi (4,1%), mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,6%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,0%), rekreacion, sport dhe kulturë (2,7%), veshje dhe këpucë (2,4%) dhe informacion dhe komunikim (0,2%).”.

  • “Bodrum gjysmë i mbushur me ujë”, ambasadori britanik dhe ai gjerman komentojnë deklaratën e Kurtit

    “Bodrum gjysmë i mbushur me ujë”, ambasadori britanik dhe ai gjerman komentojnë deklaratën e Kurtit

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ai gjerman, Rainer Rudolph, në një intervistë ekskluzive të dhënë për KosovaPress e kanë komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se kur e mori pushtetin, e gjeti Kosovën si një bodrum gjysmë të mbushur me ujë, në kuptimin se gjendja ishte shumë keq.

    Hargreaves tha se historia e Kosovës gjatë 25 apo 27 viteve të fundit është e jashtëzakonshme, teksa e cilësoi si mrekulli të vogël që Kosova ka arritur të ecë kaq larg dhe kaq shpejtë gjatë kësaj periudhe.

    “Historia e Kosovës gjatë 25 apo 27 viteve të fundit është e jashtëzakonshme. Nesër do të shënojmë përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për t’i dhënë fund një situate të tmerrshme humanitare. Mendoj se është pothuajse një mrekulli e vogël që Kosova ka arritur të ecë kaq larg dhe kaq shpejt gjatë kësaj periudhe. Shpresa ime e vetme është që ky zhvillim të vazhdojë në të njëjtën trajektore. Dhe ne jemi këtu si miq për ta mbështetur këtë”, tha Hargreaves për KosovaPress.

    Ndërkaq, ambasadori gjerman e përdori një shprehje nga vendi ku ai vjen, duke thënë se “unë do të thosha se gota e Kosovës është 4/5 e mbushur.

    “Në gjermanisht themi se gota është gjysmë e mbushur. Unë do të thosha se gota e Kosovës është katër të pestat e mbushur”, tha Rudolph.

    Të dy ambasadorët folën edhe për “golin” dhe “autogolin” më të madh të Kosovës në vitet e fundit, ku ambasadori britanik u shpreh se fakti që Kosova mbetet një demokraci e re dhe funksionale, është një arritje e jashtëzakonshme, duke thënë se kanë nevojë për Kosovën si pjesë të grupit të tyre të aleatëve.

    “Unë erdha për herë të parë këtu në vitin 2001 dhe vendi është krejtësisht ndryshe nga ai që pashë atëherë. Njerëzit që e kanë jetuar gjithë këtë periudhë ndoshta nuk e kuptojnë gjithmonë sa larg ka arritur Kosova dhe sa shumë ka përparuar. Kjo është një arritje e madhe. Ne jemi këtu si miq të Kosovës për të punuar së bashku që ky ritëm dhe ky momentum të vazhdojnë. Ne kemi nevojë për Kosovën si pjesë të grupit tonë të aleatëve dhe miqve në arenën ndërkombëtare dhe kjo është ajo që po përpiqemi të mbështesim.”

    E, për ambasadorin gjerman është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe diçka për të cilën Kosova mund të jetë krenare se askush nuk e kontestoi rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht se disa mund të kenë qenë më të lumtur me rezultatin e disa më të zhgënjyer.

    “Pajtohem për golin. Është vërtet mbresëlënëse të shohësh një demokraci kaq dinamike dhe funksionale. Edhe pse mund të kemi pasur shumë zgjedhje kohët e fundit, është e rëndësishme të mos harrojmë sa domethënëse është që sistemi funksionoi normalisht të hënën pas zgjedhjeve. Disa njerëz mund të kenë qenë më të lumtur se të tjerët me rezultatin, disa mund të kenë qenë të zhgënjyer, por askush nuk e kontestoi rezultatin e zgjedhjeve. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe është diçka për të cilën Kosova mund të jetë krenare. Siç thashë edhe më herët, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në këtë rrugë”, tha Rudolph.