ATV

Author: K.B.

  • Ndërron jetë njëri nga të akuzuarit për rastin tragjik në Koçan

    Ndërron jetë njëri nga të akuzuarit për rastin tragjik në Koçan

    Edhe një person tjetër i akuzuar për tragjedinë e Koçanit ka vdekur. Ky është Ljupço Grnçishtanov, i cili ishte 54 vjeç dhe ishte ndër të akuzuarit në rastin që lidhet me aksidentin, përcjell “TV21”.

    Grnçishtanov shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm, ose Shef i Shërbimit të Inspektimit, në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim nga 15 janari 2013 deri më 16 mars 2025.

    Si pjesë e rastit të tragjedisë së Koçanit, ai u akuzua për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”.

    Sipas informacionit në dispozicion, Grnçishtanov kaloi 77 ditë në paraburgim efektiv, pas të cilave ai ishte nën arrest shtëpiak për gati 14 muaj.

  • Hamza takon ambasadorin gjerman: PDK e përkushtuar për formimin sa më të shpejtë të institucioneve

    Hamza takon ambasadorin gjerman: PDK e përkushtuar për formimin sa më të shpejtë të institucioneve

    Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në selinë qendrore të partisë ambasadorin e Gjermania në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend pas zgjedhjeve dhe nevojën për ruajtjen e stabilitetit institucional.

    Sipas një njoftimi të PDK-së, gjatë takimit është diskutuar për situatën politike pas zgjedhjeve dhe hapat që duhet të ndërmerren për krijimin e institucioneve të reja.

    “Kryetari Hamza rikonfirmoi përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për formimin sa më të shpejtë të institucioneve qeverisëse dhe për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe avancimin e proceseve që i shërbejnë interesit të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e partisë.

    Hamza, po ashtu, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar partneritetin ndërmjet dy vendeve.

    “E falënderoi ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, si dhe për partneritetin e ngushtë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve”, thuhet më tej në komunikatën e PDK-së.

  • VV i mban sivjet zgjedhjet e brendshme, Kurti i mbledh kryetarët e degëve në takim

    VV i mban sivjet zgjedhjet e brendshme, Kurti i mbledh kryetarët e degëve në takim

    Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë zgjedhjet e brendshme gjatë këtij viti.

    Kreu i VV’së, Albin Kurti, ka mbajtur sot mbledhje me qendrat e VV’së, ku është folur edhe për këtë pjesë.

    “Kryeministri Albin Kurti i falënderoi qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për angazhimin dhe punën e palodhshme gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve. Energjia, përgjegjësia dhe puna e treguar nga qendrat e Lëvizjes, kanë qenë vendimtare për fitoren tonë të madhe e të përsëritur. Në këtë mbledhje, ndër të tjera, u diskutua për çështje të përgjithshme organizative dhe për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes, të cilat do të mbahen gjatë këtij viti”, thuhet në njoftim.

    Zgjedhje të brendshme do të mbajë sivjet edhe PDK, në tetor.

    Ndërkohë, figura të LDK’së kanë kërkuar që edhe në këtë parti të mbahen zgjedhjet e brendshme, pas rezultatit të 7 qershorit.

  • Haradinaj në Gjakovë dhe Junik, shpreh ngushëllime për familjet Salihu dhe Shehu

    Haradinaj në Gjakovë dhe Junik, shpreh ngushëllime për familjet Salihu dhe Shehu

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremonitë e ngushëllimit për dy familje në Gjakovë dhe Junik, pas ndarjes nga jeta të dy personave.

    Fillimisht, Haradinaj ka vizituar familjen Salihu në Batushë të Gjakovës, ku ka ngushëlluar për ndarjen e parakohshme nga jeta të Blerimit, djalit të Jashar Salihut.

    “Ndarja e parakohshme e Blerimit, djalit të Heroit të Kombit dhe bashkëluftëtarit Jashar Salihu, na preku të gjithëve. Blerimi ishte një djalë i edukuar, i cili edhe pa praninë fizike të babait të tij hero, u rrit me vlerat dhe lavdinë që la pas Jashari. Sot ndamë dhimbjen me familjen Salihu, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe”, ka shkruar Haradinaj.

    Më pas, ai ka vizituar edhe familjen Shehu në Junik, pas ndarjes nga jeta të mësimdhënësit Sinan Shehu.

    Haradinaj ka vlerësuar kontributin e tij në arsim, duke thënë se ai ka edukuar breza të tërë me dije, atdhedashuri dhe vlera njerëzore.

    “Në Junik, ndamë dhimbjen me familjen Shehu, pas ndarjes nga jeta të mësimdhënësit Sinan Shehu. Si një mësues i përkushtuar, ai edukoi breza të tërë me atdhedashuri, dije dhe vlera të larta njerëzore, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në shërbim të arsimit dhe atdheut. Ngushëllime të sinqerta familjeve Salihu dhe Shehu, të afërmve dhe miqve!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Braha: I bëj thirrje Qeverisë që ta ndalë bllokadën për Komunën e Prishtinës

    Braha: I bëj thirrje Qeverisë që ta ndalë bllokadën për Komunën e Prishtinës

    Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion, në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha ka folur mbi zhvillimet e fundit për furnizimin me autobusët elektrikë.

    Braha në një deklarim për media u shpreh se ky projekt është transformim i tërë Trafikut Urban.

    “Kjo ngjarje e ditëve të fundit ka treguar një interesim edhe një ngazëllim jashtëzakonisht të madh të qytetarëve të Prishtinës. Ne e kemi për obligim me ju treguar të gjithëve që ky nuk është një proces i veçuar edhe i veçantë, por është një program i tërë i transformimit të transportit publik urban, i cili ka filluar që në vitet e para të qeverisjes, mandatin e parë të kryetarit Rama dhe është duke vazhduar. Në fazat në vazhdim është modernizimi i flotës, është riformatimi i linjave dhe rritja e frekuencës në të gjitha linjat kryesore të qytetit”, ka thënë ai.

    “Te modernizimi i flotës, edhe Trafiku Urban, edhe operatorët privatë kanë obligim kontraktual me Komunën e Prishtinës me e modernizuar flotën. Komuna e Prishtinës bën një rol shumë aktiv në këtë pjesë, në këtë objektiv, për me arrit këtë objektiv. Ka filluar procesi, momentalisht janë modernizuar 26 autobusë të operatorëve privatë, janë nëpër qytet, janë duke operuar. Ka autobusë elektrikë, ka autobusë hibridë, ka autobusë dizel të standardit Euro 6, por autobusë të rinj. Janë duke u modernizuar e duke ardhë, këta 15 i kemi në modernizim e sipër. Edhe Trafiku Urban me 30 autobusë të tjerë, prej të cilëve 6 janë elektrikë dhe 24 me dizel. Është një proces që nuk mund të ndalet. Ka pengesa, ka bllokada. Bllokadat janë të qëllimshme, por procesi si proces do të vazhdojë”, tha Braha.

    Braha tha se nuk kanë ardhë akoma autobusët elektrikë, por pret që brenda dy muajve të jenë në terren.

    “Jo, priten me ardhë, kanë kohën e vet të liferimit. Këto makineri industriale, nuk janë makineri komerciale që mundesh me hy në një dyqan edhe me i ble. Zakonisht porositen, bëhen me porosi edhe merr kohë pjesa e porosisë e të gjitha, por besoj që brenda tetë jave mund të jenë në terren”, tha Braha.

    Ndërsa, ka bërë thirrje që ministri në detyrë Hekuran Murati të ndalë bllokadën, raporton Ekonomia Online.

    “Ministri Murati ka bërë një thirrje, një postim publik. Është në të drejtën e tij me bë postime publike çfarëdo edhe me pasë bindje çfarëdo. Ne i bëjmë thirrje me ndal bllokadën. Na i ka ndal 2 milionë euro të blerjes së autobusëve për Trafikun Urban. Janë të bllokuara pa asnjë të drejtë ligjore. Janë mjetet e çuara në rezervë, edhe pse kanë kaluar në buxhetin e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës. Momentin që kalojnë në buxhetin e Kuvendit Komunal, nuk ka të drejtë askush me i prekë ato linja buxhetore e me marrë vendim tjetër. Ata kanë marrë vendim të tillë në mënyrë arbitrare dhe i kanë qitë në rezervë. Po na bëjnë pengesë në blerjen e autobusëve, por ne nuk do të ndalemi edhe atë pjesë të bllokadës do ta zhbllokojmë. Sa herë kemi bë veprime, sa herë kemi pasë përparime, sa herë kemi pasë projekte, kemi hasë në pengesa të tilla”, tha Braha.

    Braha theksoi se për pjesën e reformës në Trafikun Urban janë marrë të gjitha masat dhe ekspertizat edhe me ekspertë ndërkombëtar.

    “E mira është që ky vend është demokratik, i ka institucionet e veta, janë institucionet e pavarura, secili institucion e ka për detyrë me kry punën e vet. Ne vazhdojmë me tonën, e dimë që jemi në rregull. Për pjesën e reformës së transportit publik urban nuk kemi punuar të vetëm, nuk kemi punuar kokë më vete. Kemi pasë ekspertizë jashtëzakonisht të BERZH-it, prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Është një ekspertizë që është dhënë në krejt Evropën edhe në shumë vende të tjera të botës. Janë praktika që janë përcjellë në të gjitha vendet e botës, nuk janë të shpikura prej neve. Janë edhe direktiva të Komisionit Evropian se si duhet me shku.

    Për më tepër, kjo qeveri në nivel qendror, sot është duke tentu me repliku zgjidhjen që e kemi bë ne në Prishtinë. Janë duke e krijuar Autoritetin Qendror të Transportit Publik, duke e krijuar me të njëjtat këshilla që i kemi marrë ne prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe prej të njëjtëve konsulentë që i kemi marrë ne këto këshilla. Kështu që nuk po besoj që mund të ketë diçka të tillë. Bllokadat vazhdojnë, edhe puna jonë vazhdon”, tha Braha para gazetarëve.

    Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi ndaj këtij projekti, duke e cilësuar në kundërshtim me ligjin. Ai ka thënë se ofrimi i shërbimeve të transportit publik përmes operatorëve privatë duhet të bëhet sipas procedurave të parapara me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat.

    Sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat ligjore të kërkuara për një projekt të tillë.

    “Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nënshkruar në lidhje me këtë çështje, ajo është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko Privat. Organet e rendit do duhej të vepronin sa më parë në lidhje me këtë rast në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike”, ka shkruar Murati në Facebook.

  • Sot nis edicioni i dytë i “Valley Film Festival” në Bujanoc

    Sot nis edicioni i dytë i “Valley Film Festival” në Bujanoc

    Bujanoci do të jetë sërish qendra e artit kinematografik me rikthimin e Valley Film Festival, i cili këtë vit vjen me edicionin e tij të dytë.

    Festivali do të mbahet nga 19 deri më 21 qershor në Shtëpinë e Kulturës, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një program të pasur me projeksione filmike dhe aktivitete kreative.

    Gjatë festivalit do të prezantohen filma të gjatë, filma të shkurtër dhe dokumentarë nga autorë të ndryshëm, ndërsa në kuadër të programit do të organizohen edhe workshope kreative për të rinjtë dhe të apasionuarit pas filmit.

    Me një kombinim të artit, kulturës dhe kreativitetit, Valley Film Festival synon të sjellë një përvojë të veçantë për publikun dhe të kontribuojë në promovimin e kinematografisë në Luginën e Preshevës.

  • Spanja përfshihet nga vala e parë e madhe e të nxehtit, temperatura deri në 45°C

    Spanja përfshihet nga vala e parë e madhe e të nxehtit, temperatura deri në 45°C

    Një masë ajri të ngrohtë nga Afrika do të godasë Spanjën dhe Francën nga kjo e shtunë deri të martën, 23 qershor, me temperatura në disa zona që mund të kalojnë 40°C.

    Vera ende nuk ka filluar zyrtarisht, por pjesa më e madhe e Spanjës ka qenë e nxehtë prej javësh . Kjo situatë vetëm sa do të intensifikohet gjatë ditëve në vijim : pikërisht kur fillon sezoni i ri, këtë të diel, më 21 qershor, vendi do të hyjë në një valë të nxehti që ekspertët e përshkruajnë si intensive dhe që mund t’i çojë temperaturat mbi 40°C.

    Sipas Kopernikut, i nxehti do të fillojë të godasë këtë fundjavë në qendër dhe perëndim të kontinentit përpara se të përhapet në pjesën tjetër, me Spanjën midis territoreve më të prekura. Franca do të ndajë skenën qendrore : të dy vendet mund të shohin temperatura afër 40°C deri në 45°C në zonat e tyre më të nxehta.

    Shkaktari i këtij episodi do të jetë një kreshtë ajri e ngrohtë dhe e thatë që lëviz lart nga Afrika.

    Temperaturat do të fillojnë të rriten të shtunën, dhe të dielën temperaturat maksimale do të arrijnë 38°C në Galicia dhe përgjatë bregdetit të Kantabrisë, ndërsa në pellgjet e Ebro, Tagus, Guadiana dhe Guadalquivir ato mund të arrijnë 40°C.

  • Identifikohet trupi i Eglant Koçit – dyshohet se u vra me plumb pas koke nga shoku i tij

    Identifikohet trupi i Eglant Koçit – dyshohet se u vra me plumb pas koke nga shoku i tij

    Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me zhdukjen misterioze të Eglant Koçit në Shqipëri, i cili dyshohet se u ekzekutua nga shoku i tij, shtetasi Armand Shaka.

    Sipas raportimeve të Top Channel, Shakaj e qëlloi me plumb pas koke Eglant Koçin, para se ta hidhte trupin e tij në një humnerë pranë fshatit Cerrujë.

    Trupi i 34-vjeçarit u gjet në proces dekompozimi, pas dy javësh kërkime nga forcat e policisë, të ndihmuar edhe nga forcat e sigurisë së Kosovës si edhe me dronë.

    Familjarët e kanë identifikuar identifikuar në morgun e Tiranës dhe kanë hapur dyert e mortit.

    Sakaq, autori i dyshuar Armand Shakaj mbetet në arrati.

  • Legjislatura e re me 101 deputetë të vjetër

    Legjislatura e re me 101 deputetë të vjetër

    Saktësisht 101 deputetë të legjislaturës së kaluar që punuan vetëm dy muaj e gjysmë, do të jenë edhe në të radhës.

    Bazuar në rezultatin, pas numërimit të të gjitha fletëvotimet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 48 deputetë të Lëvizje Vetëvendosje nga përbërja e kaluar kanë fituar mandat për të qenë sërish ligjvënës.

    Nga Partia Demokratike (PDK) mandatet i kanë rifituar 19 deputetë, nga Lidhja Demokratike (LDK) 15 e nga Aleanca 6.

    Në këtë legjislaturë për herë të parë do të hyjnë 9 deputetë, prej tyre 5 nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 4 nga Lista Serbe.

    Nga LVV-ja në Kuvend për herë të parë do të jetë Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci.

    E 10 deputetë nga legjislaturat e mëhershme, por që nuk ishin në të fundit, do t’i kthehen Kuvendit. Nga PDK-ja janë kthyer Jakup Nura, Altin Krasniqi e Rrustem Mustafa.

    Përmes LDK-së në Kuvend sërish do të ketë ulëse ish-presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, pastaj Arben Gashi e Paris Guri, kurse përmes Aleancës, Ardian Gjini e Teuta Haxhiu.

    Nga minoritetet, Kuvendit do t’i kthehen edhe Fikrim Damka e Albert Kinolli.

    Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7 ulëse.

    Nga këto rezultate, 31 deputetë të legjislaturës së kaluar që garuan edhe në zgjedhjet e 7 qershorit kanë mbetur jashtë Kuvendit.

    Nga LVV-ja jashtë mbetën Rozeta Hajdari, Arjeta Rexhepi, Arsim Demi, Avdullah Klinaku, Bajram Mavriqi, Bylbyl Sokoli, Egzon Azemi, Ejup Ahmeti, Fahrush Rexhepi, Fatos Geci, Fitim Haziri, Ilir Qeriqi, Luan Aliu, Mimoza Shala, Mytaher Haskuka, Naim Bardiqi dhe Shqipe Isufi.

    Por, nëse LVV-ja formon e vetme Qeverinë, atëherë shumica e tyre pritet të kthehen në Kuvend pas lirimit të vendeve nga deputetët që do të zgjedhën ministra.

    Nga PDK-ja jashtë Kuvendit ka mbetur Arbnore Saliuhu, Nait Hasani e Xhavit Haliti.

    Nga LDK-ja vetëm ish-deputetja Adelina Thaçi-Meta nuk arriti të sigurojë ulëse, megjithëse kjo parti rriti numrin e mandateve për 3 sosh.

    Nga Aleanca jashtë ka mbetur Bekë Berisha. Por, nëse kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini dhe deputeti Daut Haradinaj heqin dorë nga posti i deputetit, gjë që e kanë paralajmëruar, atëherë ulëse do të ketë edhe për Berishën dhe për Burim Ramadanin.

    Nga komuniteti serb dhe grupi multietnik nuk do të jenë 9 deputetë.

    Nga numërimi i të gjitha votave, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është deputeti më i votuar me mbi 324 mijë vota. Pas tij, radhitet Gauk Konjufca me mbi 264 mijë vota dhe Albulena Haxhiu me 165 mijë vota.

    Në PDK prin Bedri Hamza me 126 mijë vota e pasohet nga Përparim Gruda me mbi 78 mijë dhe Arian Tahiri me 68 mijë.

    Në LDK, Vjosa Osmani si bartëse e listës ka siguruar mbi 92 mijë vota, pasuar nga lideri i partisë, Lumir Abdixhiku, me mbi 83 mijë dhe Doarsa Kica-Xhelili me mbi 66 mijë.

    Treshen më të votuar të Aleancës e përbëjnë kryetari Ardian Gjini me mbi 44 mijë vota, Ramush Haradinaj me mbi 40 mijë dhe Daut Haradinaj me mbi 31 mijë vota. /Koha

  • Zelensky paralajmëron ukrainasit: Putini po dobësohet, ju lutem përdorni strehimoret

    Zelensky paralajmëron ukrainasit: Putini po dobësohet, ju lutem përdorni strehimoret

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka paralajmëruar qytetarët se Rusia mund të rrisë sulmet e saj me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës në periudhën e ardhshme.
    Duke folur me gazetarët, Zelensky pohoi se presidenti rus Vladimir Putin po dobësohet në disa nivele dhe se pikërisht për shkak të kësaj, ai mund të përdorë sulme edhe më të ashpra.

    “Putini po dobësohet. I dobët politikisht, i dobët në fushën e betejës dhe fizikisht. Kjo është arsyeja pse ai mund të rrisë sulmet ndaj nesh, ndaj popullit tonë, me raketa dhe dronë. Përdorni strehimore. Ju lutem, me të vërtetë ju lutem”, tha Zelenski.

    Presidenti përmblodhi rezultatet e takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i njohur si formati Ramstein, duke vënë në dukje se Ukraina, nëpërmjet programit PURL, mori konfirmime mbështetjeje nga nëntë vende për prokurimin e raketave për sistemin Patriot me vlerë më shumë se një miliard dollarë amerikanë.

    “Pavarësisht gjithçkaje, Ukraina është e gatshme të negociojë me Putinin”

    Ai shtoi se Bashkimi Evropian do të shtrëngojë më tej sanksionet kundër Rusisë. Sipas tij, partnerët ukrainas e kuptojnë gjithnjë e më qartë se udhëheqësi rus nuk ka ndërmend të ndalojë luftën dhe se deklaratat e tij për dëshirën për paqe janë të pavërteta.

    “Partnerët e kuptojnë se Putini nuk dëshiron të ndalet dhe se të gjitha bisedimet e tij për paqen janë gënjeshtra”, tha Zelensky. Megjithatë, ai theksoi se Ukraina mbetet e gatshme për negociata për të arritur paqen. “Putini dëshiron që gjithçka të digjet këtu dhe po vepron në mënyrë të pamatur. Partnerët tanë e shohin këtë. Pavarësisht kësaj, Ukraina është e gatshme të negociojë me të”, tha ai.

    Zelensky u bëri thirrje aleatëve evropianë të mbajnë një qëndrim edhe më vendimtar ndaj Rusisë, në mënyrë që Ukraina të ketë pozicionin më të fortë të mundshëm në çdo negociatë.

    “Evropa duhet të jetë plotësisht e përfshirë në mënyrë që ne të kemi një pozicion të fortë. Në sanksione, pa përjashtime. Në konfiskimin e aseteve ruse, pa përjashtime. Dhe në financimin e Ukrainës gjithashtu”, pohoi ai.