ATV

Author: K.B.

  • Raporti i Auditimit për OSHP-në: 54 raste me vonesa në vendimmarrje dhe probleme në menaxhimin e të hyrave

    Raporti i Auditimit për OSHP-në: 54 raste me vonesa në vendimmarrje dhe probleme në menaxhimin e të hyrave

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për vitin 2025, ku janë identifikuar një sërë mangësish financiare dhe procedurale që kanë ndikuar në opinionin e auditimit dhe në përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi.

    Sipas raportit, auditori ka konstatuar mbivlerësime dhe nënvlerësime të të hyrave, si dhe mangësi në regjistrimin e pasurive dhe stoqeve.

    ” Konkretisht, janë evidentuar mbivlerësime të të hyrave prej 16,308 eurosh, nënvlerësime prej 4,864 eurosh, si dhe nënvlerësim i pasurive dhe stoqeve në vlerë totale prej mbi 2,700 euro.”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Një nga gjetjet kryesore lidhet me tarifat e ankesave. ZKA ka konstatuar se në 13 raste pagesat e tarifave të ankesës ishin më të ulëta sesa niveli i përcaktuar me rregullore, duke bërë që të hyrat të nënvlerësohen për 4,864 euro. Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve efektive dhe aplikimit të dispozitave të rregulloreve të shfuqizuara në disa raste.

    Raporti evidenton gjithashtu mangësi në regjistrimin e pasurive. Dy pagesa për inventar dhe pajisje në vlerë prej 3 eurosh nuk ishin regjistruar në sistemin “e-Pasuria”, ndërsa materiale shpenzuese në vlerë prej 2,704 eurosh nuk figuronin në sistemin për evidentimin e hyrje-daljeve të stoqeve. Sipas auditorëve, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së koordinimit ndërmjet zyrtarëve përgjegjës dhe problemeve teknike në sistem.

    Në aspektin e përputhshmërisë ligjore, auditimi ka konstatuar se në 12 raste ekspertët shqyrtues kanë vonuar përgatitjen e raporteve nga 1 deri në 26 ditë përtej afateve të parapara ligjore. Auditori vlerëson se këto vonesa mund të ndikojnë në shtyrjen e realizimit të projekteve publike dhe të rrisin rrezikun e kontestimeve ligjore ndaj vendimeve të OSHP-së.

    Po ashtu, në 54 raste janë evidentuar vonesa në nxjerrjen e vendimeve nga panelet shqyrtuese të OSHP-së. Sipas ZKA-së, vonesat bien ndesh me parimet e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik, ndikojnë negativisht në realizimin e projekteve publike dhe mund të shkaktojnë kosto shtesë ligjore.

    Raporti thekson se auditimi ka rezultuar me tetë rekomandime, prej të cilave pesë janë të reja dhe tre të përsëritura nga vitet paraprake.

    ZKA ka kërkuar nga drejtuesit e OSHP-së forcimin e kontrolleve të brendshme, respektimin e afateve ligjore në trajtimin e ankesave dhe përmirësimin e menaxhimit të pasurive dhe të hyrave.

  • Mungon Erion Veliaj, shtyhet seanca gjyqësore

    Mungon Erion Veliaj, shtyhet seanca gjyqësore

    Mungesa në sallë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por edhe të avokatit të tij mbrojtës, u bë shkak për shtyrjen e seancës të së martës ndaj tij dhe të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme.

    Avokati Ndreca e kishte justifikuar mungesën, përmes një raporti mjekësor, shkruan A2 CNN.

    Gjykata vendosi të shtyjë seancën për më 7 korrik dhe njëkohësisht të pezullojë afatin e paraburgimit ndaj Veliajt.

  • Kurti: Pas certifikimit të rezultateve do të fillojmë komunikimet menjëherë me partitë politike

    Kurti: Pas certifikimit të rezultateve do të fillojmë komunikimet menjëherë me partitë politike

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do të nis komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve të Kosovës.

    “Përbesë porsa të certifikohen rezultatet fillojmë komunikimet menjëherë”, tha shkurt Kurti para gazetarëve.

    Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë të hënën për Gazetën Online Reporteri.net se do të presin 48 orë pas dy vendimeve të fundit të PZAP, ku u rrëzuan dy kërkesat e dy kandidatëve për deputet të PDK-së, dhe pastaj të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i zgjedhjeve.

    Sipas KQZ-së, pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për institucionin, para se të procedohet me shpalljen e rezultateve përfundimtare.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Mund t’iu konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAP-it lidhur me 2 ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formën e prerë.

    Pas plotëfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, tha të hënën zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

  • Policia kanadeze u drejtohet kroatëve: Nuk lejohet përdorimi i cigareve elektronike në tribuna, marihuana lejohet në qytet

    Policia kanadeze u drejtohet kroatëve: Nuk lejohet përdorimi i cigareve elektronike në tribuna, marihuana lejohet në qytet

    Kroacia luan kundër Panamasë në raundin e dytë të grupit të Kupës së Botës sonte pas mesnate, në orën 1:00 të mëngjesit të së mërkurës sipas kohës lokale.

    Në ndeshjen e parë, Kroacia humbi ndaj Anglisë 4-2 në Dallas, ndërsa Panamaja u mposht nga Gana 1-0 në raundin e parë.

    Përpara ndeshjes kundër Panamasë, policia kanadeze lëshoi rekomandime të posaçme për tifozët kroatë se si të sillen në vendet publike gjatë qëndrimit në Toronto para dhe pas ndeshjes, njoftoi Federata Kroate e Futbollit.

    Konsumi i alkoolit

    – Konsumi i alkoolit në vende publike është i ndaluar – pijet alkoolike në shishet e tyre origjinale nuk duhet të jenë të dukshme gjatë konsumimit

    – Alkooli mund të konsumohet në një vend publik vetëm nëse pija alkoolike është në një shishe pa etiketë dhe të errët (p.sh. një shishe plastike ose alumini të errët pa etiketë)

    – Alkooli mund të konsumohet në lokalet e hotelerisë dhe në tarracat e tyre, si dhe në zonat e tifozëve dhe përreth stadiumit dhe brenda vetë stadiumit, si dhe në tribuna nëse pija alkoolike është blerë në zonën e zonës së tifozëve dhe stadiumit,

    – Alkooli lejohet të konsumohet vetëm jashtë në Trinity Bellwoods Park, ku tifozët janë planifikuar të mblidhen para se të shkojnë në stadium.

    Konsumi i cigareve, cigareve elektronike dhe marihuanës

    – Konsumi i marihuanës lejohet në hapësirat publike në qytet, ndërsa nuk lejohet në stadium,

    – Konsumi i cigareve dhe cigareve elektronike nuk lejohet në tribunat e stadiumit. Do të ketë dhoma të veçanta në stadium ku do të lejohet pirja e duhanit dhe cigareve elektronike.

    Përdorimi i piroteknikës

    – Nuk lejohet përdorimi i mjeteve piroteknike (fishekzjarrë, raketa, petardë etj.). Nëse policia vepron ndaj një personi që përdor mjete piroteknike, ata mund të jenë penalisht përgjegjës,

    – Për përdorimin e piroteknikës në stadium, autori i veprës penale do të arrestohet, ndalohet, gjobitet dhe ndoshta do të dëbohet nga vendi.

  • “I dërgoi 300 dronë”, Soni Malaj zbulon nëse është takuar me Florin pas Ferma VIP

    “I dërgoi 300 dronë”, Soni Malaj zbulon nëse është takuar me Florin pas Ferma VIP

    Marrëdhënia mes Soni Malajt dhe Flor Mumajesit ka qenë një nga temat më të diskutuara gjatë spektaklit Ferma VIP 3.

    Në emisionin Post Ferma VIP, ish-fermerja u pyet nga moderatori Florian Agalliu nëse kishte pasur komunikim me këngëtarin pas përfundimit të reality shout.

    Soni u përgjigj shkurt dhe me buzëqeshje: “Jo”.Kjo përgjigje u shoqërua menjëherë me batuta në studio.

    Sara ndërhyri me humor duke e pyetur: “Jo po, apo jo jo?”, ndërsa Einxhel Shkira komentoi se ndoshta ata nuk kishin folur sepse ishin takuar.

    Më tej, moderatori u shpreh se kishte kuptuar përgjigjen e vërtetë në momentin kur Sara bëri pyetjen dhe Soni nuk e kishte vëmendjen te kamera.

    Gjatë bisedës u pyet edhe për eksperiencën në Ferma VIP, të cilën Soni e vlerësoi si shumë të veçantë dhe krejt ndryshe nga mënyra si perceptohet nga jashtë.

    Kujtojmë se gjatë qëndrimit në spektakël, Flori e kishte surprizuar Soni Malajn me 300 dronë.

  • Rama publikon letrën e UÇK’së që thotë se Goxhaj refuzoi t’i bashkohet luftës në Kosovë, i bindur që Irani ka dorë në protestë

    Rama publikon letrën e UÇK’së që thotë se Goxhaj refuzoi t’i bashkohet luftës në Kosovë, i bindur që Irani ka dorë në protestë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se sot në mëngjes dikush ia ka dërguar një letër lidhur me Driton Goxhajn, i cili ka marrë edhe rol organizatori në protestën që po mbahet në Tiranë.

    Rama thotë se personi që ia ka nisur letrën ka disa të vrarë në familje dhe në mesazh ka kontestuar veprimtarinë e Goxhajt në UÇK.

    ““Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah!”, ka shkruar Rama.

    “Ndërsa këto janë fjalët e mia: Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, ka shtuar Rama.

    Në letrën që ka publikuar kryeministri shqiptar, të nënshkruar nga “komandant plaku”, që daton si letër e datës 21 prill 1999, thuhet se Driton Goxhaj pasi kishte çuar me makinë disa persona për t’iu bashkuar UÇK’së, vet më pas është larguar duke thënë se “nuk i ka marrë koka erë” për të qëndruar ne luftë, siç po bënte babai i tij.

    Edi Rama dje ka shkruar rreth Goxhajt duke e cilësuar si person të lidhur me Iranin.

  • Dy motrat që humbën jetën në aksidentin e rëndë, do të varrosen në Kosovë

    Dy motrat që humbën jetën në aksidentin e rëndë, do të varrosen në Kosovë

    Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe) humbën jetën në një aksident tragjik në Gjermani.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën e kaluar, gjatë kohës kur dy motrat po udhëtonin drejt Gjermanisë për të vizituar të afërmit e tyre. Sipas raporteve të policisë gjermane dhe mediave zvicerane, në aksidentin zinxhiror u përfshinë pesë automjete.

    Mediat zvicerane dhe gjermane njoftojnë mbi një aksident të rëndë komunikacioni në Gjermani: Dy motra të moshës së re, Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe), të cilat jetonin në Olten të Zvicrës dhe kishin prejardhje nga Kosova, kanë humbur jetën në një aksident tragjik komunikacioni në autostradën gjermane A5.

    Babai i vajzave ka rrëfyer mes lotësh se vajzat e tij u detyruan të frenonin në autostradë për shkak të një aksidenti që kishte ndodhur më përpara, por një makinë që vinte pas tyre nuk arriti të ndalonte me kohë dhe u përplas me forcë të madhe pas automjetit të motrave. Përplasja rezultoi fatale dhe dy të rejat ndërruan jetë në vendngjarje.

    Familja dhe mbarë rrethi i tyre në Olten janë tronditur nga kjo tragjedi. I ati i tyre u shpreh se vajzat ishin në lulen e rinisë dhe se ato e donin shumë jetën. 23-vjeçarja Erza sapo kishte përfunduar shkollimin e lartë profesional dhe punonte në Olten, ndërsa motra e saj më e vogël, Aulona, ishte në vitin e dytë të përgatitjes profesionale. Familja e pikëlluar ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur përgatitjet për t’i dërguar trupat e dy motrave në Kosovë, ku edhe do të bëhet varrimi i tyre.

  • Detaje tronditëse për vrasjen e Eglant Koçit, zbulohet biseda e autorit me familjarët

    Detaje tronditëse për vrasjen e Eglant Koçit, zbulohet biseda e autorit me familjarët

    Janë zbuluar detaje tronditës mbi vrasjen e Eglant Koçit nga shoku i tij, Armand Shakaj, një krim që sipas hetuesve u pasua nga përpjekje për të fshehur gjurmët duke zhdukur trupin në majën e Korrës.

    Gazetari Igli Çelmeta ka treguar se menjëherë pasi kishte dalë nga komisariati, Shakaj ishte përballur me miq dhe familjarë të viktimës, të cilët e kishin pyetur për praninë e tij në polici.

    Sipas gazetarit, autori i dyshuar u kishte thënë se ishte marrë në pyetje vetëm si person që kishte dijeni për ngjarjen, pasi kishte komunikuar me Eglant Koçin ditën e zhdukjes.

    Madje, sipas Çelmetës, Shakaj kishte shkuar edhe më tej, duke u kërkuar familjarëve që ta njoftonin nëse Koçi kthehej në shtëpi, duke u shtirur si i shqetësuar për të.

    “Sapo ka dalë nga komisariati është ndeshur me miq, të afërm, familjarë të Eglant Koçit, autori i krimit, dhe e kanë pyetur po ti çfarë do në komisariat. U ka thënë se e kanë pyetur si person në dijeni, pasi atë ditë kishte folur në telefon me Eglantin. Madje u ka thënë të afërmve, kur të kthehet Eglanti në shtëpi i thoni të më telefonojë pasi jam shumë i shqetësuar dhe kam humbur kontaktet. Pra autori i krimit u kishte thënë këto fjali të afërmve të Eglantit. Policia sekuestroi kamerat e sigurisë dhe brenda 24 orësh zbuloi që Armand Shakaj ishte autori i dyshuar. Ai kishte nuhatur që policia po e zbulonte krimin, edhe pse në kokën e tij djallëzore, mënyra se si e kishte fshehur trupin, kishte menduar se nuk do gjendej kurrë. Ai e çoi në lartësinë më të madhe, në majën e Korrës, për ta zhdukur. Policia ka pajisje të sofistikuara për sinjalizimin e telefonit celular. Janë zbuluar fshatrat ku ka pulsuar celulari dhe janë pyetur banorë të zonës dhe një bari që kishte parë automjetin e Shakajt”, deklaroi ai, raporton A2 CNN.

  • Kosova e 55-ta në kategorinë e militarizimit, sipas Indeksit Global të Paqes

    Kosova e 55-ta në kategorinë e militarizimit, sipas Indeksit Global të Paqes

    Kosova renditet e 55-ta në botë në kategorinë e militarizimit në Indeksin Global të Paqes, i cili mat nivelin e militarizimit përmes shtatë treguesve kryesorë, përfshirë shpenzimet ushtarake në raport me Bruto Prodhimin e Brendshëm (BPB), numrin e personelit ushtarak për 100 mijë banorë, si dhe importet dhe eksportet e armëve konvencionale.

    Sipas këtij indeksi, Kosova ka grumbulluar gjithsej 1.696 pikë, duke u renditur menjëherë pas Marokut që mban vendin e 54-të. Në rajon, Mali i Zi renditet më lart se Kosova, në vendin e 53-të.

    Bosnja dhe Hercegovina renditet dukshëm më lart në këtë kategori, në vendin e 20-të, ndërsa Serbia pozicionohet në vendin e 86-të dhe Shqipëria në vendin e 88-të.

    Në krye të listës së vendeve me shkallën më të lartë të militarizimit janë Izraeli, Koreja e Veriut, Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina. Në anën tjetër, vendet me nivelin më të ulët të militarizimit përfshijnë Islandën, Malajzinë, Butanin, Moldavinë dhe Slloveninë.

  • Inspektorati vazhdon me gjoba në Prishtinë, për hedhjen e mbeturinave

    Inspektorati vazhdon me gjoba në Prishtinë, për hedhjen e mbeturinave

    Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar dy gjoba në vlerë prej 200 euro secila për hedhjen e parregullt të mbeturinave.

    “200 euro gjobë për hedhjen e mbeturinave vëllimore në lagjen Lakrishtë;

    200 euro gjobë ndaj një biznesi për hedhjen e mbeturinave biznesore në kontejnerët e destinuar për amvisëri.

    Apelojmë te qytetarët dhe bizneset që t’i respektojnë rregullat për menaxhimin e mbeturinave dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së Kryeqytetit.
    Inspektimet dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë” thuhet në njoftim.