ATV

Author: K.B.

  • Kapet krapi gjigant në Vërmicë, peshon 18.5 kilogramë

    Kapet krapi gjigant në Vërmicë, peshon 18.5 kilogramë

    Është kapur një peshk i llojit krap në ujërat e Drinit të Bardhë, në Vërmicë, i cili peshon 18.5 kilogramë.

    Për këtë njoftoi faqja “’Aktivistë Peshkimi” në Facebook, duke e konsideruar si një nga krapët më të mëdhenj të kapur deri më tani në Kosovë.

  • Hapet konkurs për 39 inspektorë, Inspektorati Qendror i Punës jep detaje

    Hapet konkurs për 39 inspektorë, Inspektorati Qendror i Punës jep detaje

    Inspektorati Qendror i Punës, ka njoftuar është konkurs për plotësimin e 39 pozitave të lira të punës për pozitat si Inspektor për Siguri dhe Shëndet në Punë – 24 vende, dhe, Inspektor për Marrëdhënie Pune – 15 vende.

    IQP ka ftuar të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet, që të aplikojnë për këto pozita.

    Postimi:

    Inspektorati Qendror i Punës njofton se është hapur konkursi për plotësimin e 39 (tridhjetë e nëntë) pozitave të lira të punës për këto pozita:

    Inspektor për Siguri dhe Shëndet në Punë – 24 pozita

    Inspektor për Marrëdhënie Pune – 15 pozita

    Ftohen të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara në konkurs të aplikojnë brenda afatit të paraparë. Detajet lidhur me kushtet e aplikimit, kriteret e përzgjedhjes, dokumentacionin e nevojshëm dhe afatet për aplikim i gjeni në shpalljen zyrtare të konkursit:

    Për të parë detajet, klikoni KËTU:

    Ftojmë profesionistët e interesuar që përmes aplikimit të bëhen pjesë e Inspektoratit Qendror të Punës.

  • KRU “Prishtina” paralajmëron qytetarët për një tentativë të dyshuar mashtrimi përmes SMS-ve

    KRU “Prishtina” paralajmëron qytetarët për një tentativë të dyshuar mashtrimi përmes SMS-ve

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar konsumatorët që të jenë të kujdesshëm ndaj mesazheve të dyshuara mashtruese që po dërgohen nga një numër i panjohur telefonik.

    Përmes një njoftimi publik, kompania ka bërë të ditur se mesazhet që vijnë nga numri +639605610623 nuk janë komunikime zyrtare të KRU “Prishtina” dhe nuk kanë asnjë lidhje me kompaninë.

    “ Ju njoftojmë se nëse pranoni një mesazh (SMS) nga numri +639605610623, ju lutemi ta injoroni dhe të mos i përgjigjeni”, thuhet në njoftim.

    Sipas kompanisë, ekzistojnë dyshime se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi ndaj qytetarëve.

    “Ky numër nuk i përket KRU ‘Prishtina’ dhe mesazhet e dërguara prej tij nuk janë komunikime zyrtare të kompanisë sonë. Dyshohet se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi”, ka njoftuar KRU “Prishtina”.

    Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që të mos ndajnë të dhëna personale, informata bankare apo informacione të tjera të ndjeshme përmes mesazheve të tilla.

    “Ju lutemi të mos ndani të dhëna personale, informata bankare apo informacione të tjera të ndjeshme përmes mesazheve të tilla”, theksohet në njoftim.

    KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se për çdo informatë zyrtare, qytetarët duhet t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të komunikimit të kompanisë.

  • Berisha komenton deklaratat e Ramës në Financial Times: Urrejtje ndaj shqiptarëve

    Berisha komenton deklaratat e Ramës në Financial Times: Urrejtje ndaj shqiptarëve

    Kreu i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për “Financial Times”, duke e cilësuar si një gjuhe të papranueshme në një media ndërkombëtare.

    Duke folur për gazetarët, Berisha theksoi se dënon sharjet e pakualifikueshme që Rama ka përdorur ndaj shqiptarëve gjatë intervistës. Sipas tij, reagimi i Ramës ka qenë “shokues” për gazetaren dhe publikun ndërkombëtar të pranishëm në intervistë.

    “Së dyti, përsëri përshëndes dhjetëra mijëra qytetarë, të cilët në kushte të jashtëzakonshme të një vape të paparë, mbushën përsëri dje rrugët dhe bulevardet e Tiranës gjer në orët e para të mëngjesit, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të narkodiktatorit. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, i madh dhe i vogël, t’i bashkohen kësaj proteste në çdo kohë dhe në çdo rast. Kësaj proteste madhështore që mbjell shpresë në çdo zemër shqiptare. I bëj thirrje diasporës të mbetet si gjer sot, e angazhuar në këtë mision të madh të shpëtimit të Shqipërisë nga një regjim që në shumë aspekte e ka dëmtuar në ekzistencën e vet kombin shqiptar më shumë se çdo regjim tjetër para tij.

    Dënoj me forcën më të madhe sharjet e pakualifikueshme që Edi Rama u bën shqiptarëve në mediat më të mëdha ndërkombëtare. U garantoj se as Gadafi, as Sadami, as Maduro nuk i kanë lejuar vetes gjuhën që Edi Rama ka përdorur në Financial Times ndaj shqiptarëve.

    Ky ka dëshmuar urrejtjen e pakufishme që ka ndaj qytetarëve shqiptarë. Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën e pranishme. Edi Rama nuk sillet si padrino, shumë më keq se padrino i Shqipërisë.

    Edi Rama konsideron Shqipërinë një sulltanat të kohërave të shkuara, në të cilin vetë ai bën sulltanin, gjykatësin, policin dhe çdo funksion tjetër. Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë. Edhe prapa diellit të shkojë, shkon si një hajdut i pashoq i kombit të tij. Shkon si njeriu që ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë. Shkoi si një tradhtari i një kombi që bëri gjithçka, kreu gjenocid të kalkuluar ndaj tij për t’i përzënë shqiptarët nga Shqipëria, një armik i egër i shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në botë”, tha Berisha. /Euronews.al/

  • Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

    Veteranët e UÇK-së iu bëjnë thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur publikisht shqetësimin e saj për përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestën disaditore në Tiranë.

    Kryetari i saj, Hysni Gucati, e ka cilësuar si të papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës që në emër të UÇK-së në Tiranë, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare.

    “OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake”, ka thënë ai.

    OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së.

    Kreu i veteranëve ka thënë se UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike.

  • Turqia arreston mbi 200 persona para samitit të NATO-s

    Turqia arreston mbi 200 persona para samitit të NATO-s

    Forcat turke kanë arrestuar më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me organizatën e vetëshpallur terroriste ISIS dhe grupe të tjera që Ankaraja i konsideron organizata terroriste, njoftuan të martën prokurorët turq.

    Operacioni vjen në prag të Samitit të NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, ku pritet të marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare të aleancës, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, raporton DW.

    Sipas Prokurorisë së Ankarasë, janë lëshuar 241 urdhër-arreste, ndërsa deri më tani janë ndaluar 209 persona. Operacionet policore për kapjen e të dyshuarve të tjerë po vazhdojnë.

    Autoritetet bëjnë të ditur se 56 nga të arrestuarit dyshohen se janë anëtarë të ISIS-it, ndërsa 35 të tjerë lidhen me organizatën komuniste Fronti/Partia Revolucionare për Çlirimin e Popullit (DHKP-C), e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia dhe ka marrë përgjegjësinë për disa sulme në të kaluarën.

    Mediat turke raportojnë gjithashtu për një operacion të veçantë të koordinuar nga prokurorët në Stamboll kundër DHKP-C-së, ku janë arrestuar 24 persona në tetë provinca të ndryshme të vendit.

    Turqia ka intensifikuar masat e sigurisë para samitit të NATO-s. Autoritetet kanë paralajmëruar ndalimin e të gjitha protestave dhe tubimeve publike duke filluar nga 28 qershori deri në përfundim të samitit.

    Po ashtu, transmeton klankosova.tv, do të kufizohet qarkullimi në rrugët që çojnë drejt aeroporteve, ndërsa zonat përreth vendit ku do të mbahet samiti dhe hotelet ku do të qëndrojnë delegacionet ndërkombëtare do të jenë nën masa të rrepta sigurie.

    Vetëm muajin e kaluar, autoritetet turke zhvilluan një tjetër operacion në shkallë kombëtare kundër personave të dyshuar për lidhje me ISIS-in, duke arrestuar 324 persona në mbarë vendin.

    Qeveria e presidentit Erdogan vazhdon të zhvillojë operacione të shpeshta kundër grupeve që i konsideron kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa përgatitjet për Samitin e NATO-s po hyjnë në fazën përfundimtare.

  • Nis procesi i votimit për dy anëtarë të KGJK-së nga radhët e gjykatave themelore

    Nis procesi i votimit për dy anëtarë të KGJK-së nga radhët e gjykatave themelore

    Pas paraqitjes së vizioneve të kandidatëve për dy pozita për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e gjykatave themelore, ka nisur procesi i votimt.

    Ndryshe, para fillimit të procesit të votimit, u bë e ditur se numri i gjyqtarëve me të drejtë vote në sallë është 354.

    Ndërkaq, në fillim të procedurës së votimit, prezent ishin 290 gjyqtarë, ndërkohë që në sallë hynë edhe disa të tjerë- të cilët do të votojnë në fund të procesit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në garë janë katër kandidatë: Agron Maxhuni, Diora Bajrami, Ilir Bytyqi dhe Valentina Sopjani.

  • Shi i rrëmbyeshëm në Klinë, rrugët mbulohen nga uji

    Shi i rrëmbyeshëm në Klinë, rrugët mbulohen nga uji

    Pas disa ditësh me temperatura të larta dhe mot përvëlues që ka përfshirë pjesën më të madhe të Kosovës, komuna e Klinës është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë sjellë një freskim të ndjeshëm të motit.

    Pamjet Meteo Ballkan nga vendi i ngjarjes tregojnë reshje intensive që kanë përfshirë qytetin brenda një kohe të shkurtër, duke krijuar grumbullime të ujit në rrugë dhe duke vështirësuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.

    Derisa në shumë komuna të vendit temperaturat e larta dhe vapa vazhdojnë të jenë të pranishme, në Klinë reshjet e shiut kanë ndikuar në uljen e temperaturave dhe freskimin e ajrit, duke sjellë lehtësim për qytetarët pas ditëve me mot të nxehtë.

    Shiu i rrëmbyeshëm u shoqërua edhe me erë dhe intensitet të lartë të reshjeve, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për dëme të shkaktuara nga moti.

    Reshjet e së martës në Klinë kanë sjellë një ndryshim të përkohshëm të kushteve atmosferike, duke ndërprerë valën e të nxehtit që po mbizotëron në pjesën më të madhe të vendit.

  • Hoti kërkon reagim qytetarë ndaj qeverisë për gazin amerikan: Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu

    Hoti kërkon reagim qytetarë ndaj qeverisë për gazin amerikan: Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu

    Deputeti i zgjedhur nga lista e LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë një postim në lidhje për çështjen e gazit amerikan.

    Hoti po kërkon reagim qytetarë ndaj qeverisë që po e refuzon këtë projekt.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë dhe miq,

    Çështja e projektit të gazit është shumë më e madhe dhe më serioze sesa po paraqitet sot. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie është një provë e qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin tonë me aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në një kohë kur qeveria po e kundërshton këtë projekt, heshtja nuk është opsion. Reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se populli i Kosovës mbetet fuqishëm i rreshtuar krah aleancës me SHBA-në dhe vlerave euroatlantike.

    Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu. Ky është moment për zërin e qytetarëve.

  • Dita Olimpike, Osmani lavdëron sportistët: Flamuri i Kosovës të valojë krenar në skenat e botës

    Dita Olimpike, Osmani lavdëron sportistët: Flamuri i Kosovës të valojë krenar në skenat e botës

    Ish-presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se Dita Olimpike përbën një mundësi të veçantë për të nderuar sportistët dhe punëtorët sportivë që me talentin, përkushtimin dhe sakrificën e tyre kanë nderuar Kosovën dhe kanë lartësuar flamurin e saj në arenën ndërkombëtare.

    Osmani, me rastin e kësaj dite, ka vlerësuar kontributin historik të sportistëve kosovarë, duke kujtuar rrugëtimin që nga pionierët e sportit deri te kampionët olimpikë të ditëve të sotme.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo theksoi se historia sportive e Kosovës është e shënuar nga emra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, duke filluar nga boksieri Aziz Salihu, fitues i medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të vitit 1984, e deri te Majlinda Kelmendi, e cila shkroi historinë si kampione e parë olimpike për Kosovën në Rio 2016.

    Osmani përmend gjithashtu sukseset e Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, të cilat kanë vazhduar të pasurojnë krenarinë olimpike të vendit me medaljet e tyre në Lojërat Olimpike.

    “Përmes këtyre kampionëve, bota njohu jo vetëm talentin sportiv të Kosovës, por edhe historinë e një populli që me këmbëngulje, dinjitet dhe vullnet të pathyeshëm ka arritur të tejkalojë çdo sfidë. Ata dëshmuan se madhështia nuk matet me përmasat e një vendi, por me zemrën, punën dhe vlerat e njerëzve të tij”, theksoi Osmani.

    Ish-presidentja vlerësoi gjithashtu rolin e Komitetit Olimpik të Kosovës, federatave sportive, trajnerëve dhe të gjithë punëtorëve sportivë që kontribuojnë në zhvillimin e sportit dhe ruajtjen e frymës olimpike.

    “Urojmë që flamuri i Kosovës të vazhdojë të valojë krenar në skenat më të mëdha sportive të botës”.