ATV

Author: K.B.

  • Përçarja brenda LDK’së, reagojnë edhe nga VV

    Përçarja brenda LDK’së, reagojnë edhe nga VV

    Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas përplasjes brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku degët e kësaj partie në Pejë dhe Lipjan kanë kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut si Kryetar i partisë.

    Abdixhiku në reagimin ndaj këtyre kërkesave, ndër të tjera shkroi “si nuk u ngopën kurrë”.

    Ka qenë deputeti i zgjedhur i VV’së, Ilir Kërçeli, ai që ka ironizuar me këtë deklaratë.

    “Të njëjtën pyetje e kisha edhe unë gjatë fushatës për lidershipin e LDK-së. Si nuk u ngopët kurrë? 🙂”, thuhet në postimin e Kërçelit.

  • Pushteti i Kurtit tenton t’i fusë duart edhe tek avokatët, reagon Oda e Avokatëve

    Pushteti i Kurtit tenton t’i fusë duart edhe tek avokatët, reagon Oda e Avokatëve

    Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj, siç i quan ajo, përpjekjeve të fundit të Qeveria e Republikës së Kosovës për të pezulluar dy rregullore të brendshme të saj: rregulloren për shpenzimet e regjistrimit dhe rregulloren për trajtimin e thirrjeve në sistemin e avokatëve sipas detyrës zyrtare (ex officio).

    Në reagim, OAK thekson se këto akte janë miratuar nga organet e saj kompetente në përputhje me Ligjin për Avokatinë dhe Statutin e saj, dhe se ndërhyrja në to përbën, sipas saj, cenim të autonomisë institucionale dhe të vetëqeverisjes së profesionit të avokatit.

    “Oda e Avokatëve të Kosovës nuk është organ i pushtetit ekzekutiv, nuk është departament i Ministrisë së Drejtësisë, nuk është institucion që vepron sipas orientimeve të qeverive të radhës. Ajo është institucion i pavarur, i themeluar me ligj, me kompetenca të garantuara për vetërregullim dhe vetëqeverisje profesionale”, thuhet në reagim.

    Oda e Avokatëve shton se çdo tentim për pezullimin e tyre krijon një precedent të rrezikshëm ku ekzekutivi mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura, duke cenuar parimet e ndarjes së pushteteve, sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit.

    Po ashtu, Oda paralajmëron se do të përdorë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur pavarësinë e saj dhe kompetencat e garantuara me ligj.

  • Në Holandë kryhet për herë të parë eutanazia e një fëmije nën 12 vjeç

    Në Holandë kryhet për herë të parë eutanazia e një fëmije nën 12 vjeç

    Në Holandë është kryer për herë të parë eutanazia e një fëmije të sëmurë rëndë nën moshën 12-vjeçare.

    Kjo është bërë e ditur përmes një letre të ministres holandeze të Shëndetësisë, Sophie Hermans, drejtuar parlamentit. Eutanazia është kryer në fund të vitit të kaluar, raporton The Telegraph.

    Prej dy vitesh në Holandë është e ligjshme eutanazia për fëmijët e pashërueshëm nga mosha 1 deri në 12 vjeç. Para kësaj, eutanazia ishte e mundur vetëm për të sapolindurit dhe personat mbi 12 vjeç.

    Sipas ligjit holandez, për kryerjen e eutanazisë duhet të konsultohen prindërit, vuajtja e fëmijës duhet të jetë e padurueshme dhe nuk duhet të ketë asnjë mundësi shërimi.

    Ministrja Hermans në letrën e saj tha se një komitet rishikimi, i krijuar për të monitoruar nga afër ligjin e ri, ka shqyrtuar rastin e fëmijës së paidentifikuar dhe ka biseduar me mjekun e përfshirë në proces.

    Komiteti i ka përcjellë gjetjet e tij prokurorisë, e cila do të vendosë nëse mjeku ka vepruar në përputhje me ligjin. Raporti i komitetit pritet të publikohet së shpejti.

    Kur ligji hyri në fuqi dy vjet më parë në Holandë, pritej që çdo vit të kishte rreth 5 deri në 10 raste eutanazie të fëmijëve.

    Holanda në vitin 2002 u bë vendi i parë në botë që legalizoi eutanazinë për personat me sëmundje të pashërueshme që shkaktojnë vuajtje të padurueshme fizike ose psikike.

  • Abdixhiku iu kundërpërgjigjet menjëherë Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit: Sabotues, pres dorëheqjet tuaja

    Abdixhiku iu kundërpërgjigjet menjëherë Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit: Sabotues, pres dorëheqjet tuaja

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi dy degë të partisë ia kërkuan dorëheqjen, dega në Pejë në krye me Gazmend Muhaxherin dhe ajo në Lipjan e udhëhequr nga Imri Ahmeti. Fillimisht, Abdixhiku, thotë se do kishte qenë më korrekte që dorëheqjen t’ia kërkonin ballë për ballë, për shkak të “bashkëpunimit të gjatë”, më pas konfirmon se nuk do dorëhiqet sepse thotë se çështja është trajtuar në Kuvendin e 31 janarit.

    Dy kryetarët, Abdixhiku i quan sabotues, duke ua kërkuar dorëheqjet atyre.

    Reagimi i plotë i Abdixhikut:

    Si nuk u ngopën kurrë?!

    I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë.

    Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.

    Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.

    E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha oengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-se të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe me pas shuarjen e LDK-së.

    Fundja, LDK nuk është konfederatë e interesave lokale. As platforme e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër; sidmos e asnje partie tjetër.

    Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne.

    Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!

  • Pas disa ditësh kërkimesh, gjendet trupi i pajetë i 5-vjeçarit shqiptar në lumin Reuss në Zvicër

    Pas disa ditësh kërkimesh, gjendet trupi i pajetë i 5-vjeçarit shqiptar në lumin Reuss në Zvicër

    Pas disa ditësh kërkimesh intensive në lumin Reuss, është gjetur trupi i pajetë i 5-vjeçarit Tian Rahimi, që ishte zhdukur pas aksidentit me varkë në kantonin Aargau.

    Trupi i pajetë i fëmijës është gjetur të martën pasdite në komunën Merenschwand nga persona të tretë.

    Policia kantonale e Aargaut ka konfirmuar se është gjetur trupi i një fëmije të pajetë, ndërsa të gjitha shenjat tregojnë se bëhet fjalë për 5 vjeçarin.

    Zëdhënësi i Policisë Kantonale të Aargaut, Dominic Zimmerli, tha se: “Sipas të dhënave të para, duket se bëhet fjalë për djalin 5-vjeçar të zhdukur që nga e shtuna. Megjithatë, identifikimi zyrtar ende nuk është kryer.”

    Sipas raportimeve të mediave zvicerane “20 Minuten” dhe “Blick”, fëmija u zhduk të shtunën pasdite, kur një varkë gome me një familje prej katër anëtarësh u përmbys pas përplasjes me një pemë të rënë në ujë.

    Të dy prindërit dhe vajza 7-vjeçare arritën të shpëtonin dhe dolën në breg, ndërsa 5-vjeçari u zhduk në ujërat e lumit Reuss.

    Operacioni i kërkimit ishte zhvilluar përgjatë gjithë segmentit të lumit Reuss në zonën e Mühlau.

    Sipas një dëshmitari, policia dhe ekipet emergjente kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe zona është rrethuar.

    Autoritetet zvicerane po vazhdojnë procedurat zyrtare të identifikimit dhe hetimet për rrethanat e sakta të aksidentit.

  • Defekt me skaf në Velipojë, shpëtohet 46-vjeçari nga Kosova

    Defekt me skaf në Velipojë, shpëtohet 46-vjeçari nga Kosova

    Policia Kufitare në Velipojë ka ndërhyrë me sukses për të ndihmuar një shtetas që kishte mbetur në det të hapur dhe rrezikonte mbytjen, pas një defekti në mjetin lundrues.

    Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pas marrjes së sinjalizimit për një skaf që kishte pësuar defekt në hapësirën ujore, janë organizuar menjëherë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

    “Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një mjet lundrues që kishte pësuar defekt dhe ndodhej në vështirësi në hapësirën ujore, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan dhe zhvilluan operacionin për lokalizimin dhe dhënien e ndihmës”, thuhet në njoftim.

    Në operacion janë angazhuar mjetet lundruese të Policisë Kufitare, si dhe operatorë turistikë të zonës, të cilët kanë ndihmuar në kërkim, pasi fillimisht nuk dihej vendndodhja e saktë e mjetit.

    Pas kërkimeve, mjeti lundrues është lokalizuar në thellësi të lumit Buna, rreth 17 milje nga grykëderdhja.

    Nga verifikimet rezultoi se skafi tip “Morea” drejtohej nga shtetasi A. B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në det si pasojë e një defekti në motor.

    “Shërbimet e Policisë Kufitare i dhanë ndihmën e nevojshme shtetasit dhe bënë të mundur shoqërimin e sigurt të tij dhe të mjetit lundrues drejt vendstacionimit të mjeteve lundruese në Pulaj, Velipojë”, thuhet më tej në njoftim.

    Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke u bërë thirrje që në raste emergjente të kontaktojnë numrin 112.

  • Edhe Imri Ahmeti dhe dega e LDK në Lipjan ia kërkojnë dorëheqjen Abdixhikut nga kreu i partisë

    Edhe Imri Ahmeti dhe dega e LDK në Lipjan ia kërkojnë dorëheqjen Abdixhikut nga kreu i partisë

    Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, kërkon dorëheqjen e Kryetarit Lumir Abdixhiku, “si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thekson LDK në Lipjan pas analizës së bërë rezultateve zgjedhore.

    Në reagim thuhet se “rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet”.

    “Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në reagim.

    Dorëheqjen ia kërkoi Abdixhikut edhe Dega e LDK-së në Pejë.

    Reagimi i plotë:

    Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, në mbledhjen e mbajtur së bashku me kryetarët e nëndegëve, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë për të gjitha strukturat e degës, aktivistët dhe anëtarësinë për angazhimin, përkushtimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, falënderojmë qytetarët e Komunës së Lipjanit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e një procesi zgjedhor demokratik, të qetë dhe dinjitoz.

    Në vazhdim të mbledhjes, Kryesia e Degës, së bashku me kryetarët e nëndegëve, ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit në degën tonë.

    Ndonëse vota për LDK-në në degën tonë është pothuajse e përsëritur në raport me zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke kaluar nga 6,338 vota apo 19.40% në zgjedhjet e dhjetorit në 6,455 vota apo 23.60% në zgjedhjet e qershorit 2026, Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan vlerëson se ky rezultat mbetet larg pritjeve dhe angazhimit të madh të strukturave të degës.

    Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Ai paraqet edhe një reflektim të gjendjes, organizimit, funksionimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror; prandaj, përgjegjësia për rezultatin duhet të shihet në mënyrë të balancuar në të gjitha nivelet e organizimit partiak.

    Rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet.

    Vetëm përmes reflektimit të sinqertë, debatit të hapur dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet mund të rikthehen besimi dhe energjia.

    Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre.

    LDK në Lipjan mbetet një degë e konsoliduar, e cila ka shënuar fitore në katër palë zgjedhje lokale radhazi, ndërsa tri herë ka fituar pa balotazh dhe pa pasur nevojë për koalicione. Kjo dëshmon mbështetjen e qëndrueshme qytetare dhe kapacitetin organizativ të degës.

    Vetëm përmes debatit të hapur, llogaridhënies dhe reformimit të brendshëm, LDK-ja mund të rikthejë besimin dhe ambicien për të qenë forcë udhëheqëse në vend.

  • Zyrtarizohet përçarja mes Gazmend Muhaxherit dhe Lumir Abdixhikut – Dega e Pejës kërkon dorëheqje

    Zyrtarizohet përçarja mes Gazmend Muhaxherit dhe Lumir Abdixhikut – Dega e Pejës kërkon dorëheqje

    Dega e LDK-së në Pejë, njofton se pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, “me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”.

    “Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në njoftimin e degës.

    “Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, përfundon njoftimi.

    Ky është rasti i parë kur një degë e rëndësishme e LDK’së kërkon dorëheqjen e Kryetarit Abdixhiku për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur Kuvendin zgjedhor në fund të muajit janar ku në krye të partisë ishte konfirmuar Lumir Abdixhiku. Pas Kuvendit ishte spekuluar se Muhaxheri dhe Abdixhiku kanë prishur raportet, por zgjedhjet e parakohshme si duket e kanë mbajtur nën tepih problemin, por komunikata e degës në Pejë tani po e nxjerr në pah atë.

    Njoftimi i plotë:

  • Reagon ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Turp i madh të flitet në emër të UÇK-së për përfitime politike

    Reagon ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Turp i madh të flitet në emër të UÇK-së për përfitime politike

    Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i është bashkuar reagimeve ndaj Dritan Goxhajt, i cili ka dalë në krye të artikulimit të kërkesave të protestës të së hënës. Në një reagim publik, ministri i Mbrojtjes shprehet se nuk mund të përdoret emri i UÇK-së për interesa personale apo politike.

    Ministri shpërndau postimin e Ramës dhe e shoqëroi me një koment ku vë në kontrast ata që morën pjesë në luftë me ata që, sipas tij, e mbështesin atë vetëm në fjalë.

    Më tej, Nufi ka kritikuar gjithashtu protestën, duke pretenduar se ajo nuk ka një drejtim apo objektiva të qarta.

    “Sa e lehtë është të mbështesësh luftën nga divani dhe të refuzosh të shkosh me shokët në fushëbetejë, njejtë si sot të marrësh “pëlqime” nga sheshi i një proteste, e cila nuk dihet nga ata që e përkrahin as se kush e drejton apo çfarë realisht kërkon të arrijë! Nuk ka turp më të madh se sa të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së – luftës më të lavdishme të popullit shqiptar për liri në trojet e veta duke e lidhur atë me sharlatanë që guxojnë të flasin në emër të heronjve të vërtetë. Turp vërtet i madh që dikush pretendon të flasë në emër të tyre apo në emër të patriotizmit duke dëmtuar drejtpërsëdrejti interesat kombëtare shqiptare! Ky lloj njeriu vetëm me iranianët dhe/apo gjakprishurit ka lidhje, sepse me UÇK-në asnjë lloj lidhje nuk ka”, ka shkruar Nufi.

    Ministri ka shtuar se komandanti i vërtetë i UÇK-së është në Hagë, i mbajtur padrejtësisht.

    “Ndërsa arkitekti i vërtetë i revolucionit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt familjes së vlerave evropiane, duke bërë një transformim të jashtëzakonshëm për vendin është Edi Rama dhe këtë e kanë treguar më së miri shqiptarët me votën e tyre duke përkrahur atë masivisht dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë!” shkroi Nufi.

  • Ymeri: VV nuk po lejon asnjë projekt energjetik shkaku i borxhit ndaj mafisë energjetike

    Ymeri: VV nuk po lejon asnjë projekt energjetik shkaku i borxhit ndaj mafisë energjetike

    Deputetja e zgjedhur nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me kundërshtimin e projektit të gazit amerikan, duke thënë se përmes propagandës dhe blerjes së opinionit fillon edhe refuzimi i projekti nga pushteti aktual.

    Ajo ka shtuar se pushteti nuk ka njohuri për projektin amerikan të gazit dhe se, njëjtë si kur doli Vuk Hamoviq dhe u përmend manipulimi me tregtinë e energjisë elektrike, “piunët e pushtetit po kacavirren e çirren”.

    Tutje, ajo ka theksuar se është e drejtë e secilit të kërkojë informata të detajuara për projektin nacional të gazit amerikan, por sipas saj, arsyetimi i pushtetit nuk ka asnjë peshë.

    Ajo ka ngritur shqetësimin se Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të borxhit ndaj mafisë energjetike, nuk po lejon asnjë projekt energjetik dhe rrjedhimisht as projketin e gazit amerikan.

    “Shkaku i borxhit të Vetëvendosjes ndaj mafisë energjetike që po kthehet me tregti elektrike, nuk lejohet asnjë projekt energjetik. E kemi kuptuar marrëveshjen e 6 viteve pushtet: mafia energjetike – tregtia elektrike. Qëllimi është të mos dalim kaq naivë para ndërkombëtarëve edhe më tutje”, ka shkruar ndër të tjera Ymeri.

    Reagimi i plotë i Ymerit:

    Propaganda e pushtetit edhe blerja e opinionit nis kur refuzon një projekt për të cilin nuk ke njohuri, kjo vlen për piunat e pushtetit që po kacavirren e çirren njejtë sikur kur doli Vuk Hamovic e manipulimi me tregti elektrike. Kjo aferë korruptive shtetërore nuk ka përfundu por ende vazhdon me palë tjera të përfshira.
    Për momentin është e drejtë e secilit nga ne të kërkohen informata detajizuese për një projekt nacional si gazi amerikan edhe arsyet e juaja nuk po kanë asnjë peshë.
    Linja e interkoneksionit 400Kv, bateritë, gazifikimi i thëngjillit, Vlora, këto nuk ecin, kur nuk ja keni shtu as 1MW këtij shteti e as studime fizibiliteti nuk keni për të ardhmen.

    Më mirë thirrni një zëdhënës të Mafisë Energjetike edhe le t’na tregon shkurt:

    Shkaku i borxhit të Vetvendosjes ndaj mafisë energjetike që po kthehet me tregti elektrike, nuk lejohet asnjë projekt energjetik.

    E kemi kuptu marrëveshjen e 6 viteve pushtet, mafia energjetike – tregtia elektrike.

    Qëllimi është mos me dal kaq naiv para ndërkombëtarëve edhe më tutje.