ATV

Author: K.B.

  • Tahiri: Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit janë shkelur

    Tahiri: Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit janë shkelur

    Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar si alarmante mungesën e transparencës dhe qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Tahiri ka thënë se shqetësues është edhe informacioni se mediat nuk janë lejuar të hyjnë brenda në Kuvend për ta përcjellë seancën.

    “Besoj që aktiviteti është publik dhe besoj që dikush edhe nga mediat…”, ka deklaruar Tahiri.

    Ai ka akuzuar pushtetin se ka shkelur kushtetutën, duke iu referuar nenit 66 të Kushtetutës, aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit.

    “Sot, dikush që di shkrim e lexim e ka të qartë që neni 66 i Kushtetutës është shkelur, flet për 30 ditë. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, respektivisht neni 140 që flet për këtë çështje, thotë se nuk trajtohet vetëm nisja si proces, por duhet të ndodhë konstituimi për 30 ditë”, ka thënë ai.

    Tahiri ka shtuar se është dashur të respektohej edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit, që seanca të ftohej brenda 48 orësh.

    “Këta e kanë shkelur rendin kushtetues me dy këmbët. Krejt kjo është me ble kohë. Po për çka po ju vlen koha, unë nuk e di”, është shprehur Tahiri.

    Ai ka paralajmëruar se situata politike mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar këtë si shqetësim serioz për funksionimin institucional të Kosovës.

  • Senatorja Ernst në Kosovë, Ambasada e SHBA: U potencua rëndësia për “marrëdhënie konstruktive SHBA-Kosovë”

    Senatorja Ernst në Kosovë, Ambasada e SHBA: U potencua rëndësia për “marrëdhënie konstruktive SHBA-Kosovë”

    Ambasada amerikane ka përmbledhur vizitën e senatores amerikane Joni Ernst në Kosovë, duke thënë se kjo i shërbeu për të kuptuar zhvillimet aktuale në vend.

    “Senatorja Joni Ernst përmbylli vizitën e saj në Kosovë pas takimeve me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, përshëndetjes së trupave nga Iowa në Kampin Film City, si dhe vizitës në Kampin Bondsteel dhe takimit me pjesëtarët e përkushtuar të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it dhe Grupit të Mbështetjes së Zonës – Ballkan”.

    Ambasada përmendi po ashtu edhe nderimin me Medaljen Presidenciale të Meritave që iu bë senatores.

    “Takimet produktive të senatores i ofruan asaj një pasqyrë të vlefshme dhe të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe theksuan rëndësinë e një marrëdhënieje konstruktive mes SHBA-së dhe Kosovës”.

  • Deputetët e PDK-së shkojnë në Kuvend, Behrami publikon fotografi: Jemi këtu

    Deputetët e PDK-së shkojnë në Kuvend, Behrami publikon fotografi: Jemi këtu

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar nga Kuvendi i Kosovës, duke akuzuar pushtetin për, siç tha ai, “tradhti ndaj shtetit” dhe për kontroll të institucioneve.

    “Ne jemi këtu, në Kuvend. Lërini instalacionet në hollin e Kuvendit, sepse nuk mundeni ta mbuloni tradhtinë që po ia bëni këtij shteti”, tha Behrami.

    Ai pretendoi gjithashtu se dyert e Kuvendit janë të mbyllura dhe se gazetarët nuk po lejohen të hyjnë brenda.

    “Këta i kanë okupuar të gjitha institucionet. Ka mbetur vetëm logon e Republikës ta zëvendësojnë me logon e VV-së. Por, ne nuk do ta lejojmë”, deklaroi deputeti i PDK-së.

  • Apple Watch i ri sjell ndryshime të mëdha

    Apple Watch i ri sjell ndryshime të mëdha

    Apple planifikon një riorganizim tërësor të linjës së orëve të saj inteligjente, por ende nuk e ka vendosur se në cilin drejtim do të shkojë, sipas Mark Gurman nga Bloomberg.

    Edhe pse nuk priten ndryshime të mëdha te modelet e ardhshme Apple Watch Series 12 dhe Ultra 4, kompania thuhet se po shqyrton disa mundësi për ridizajnimin e ardhshëm të orës së saj inteligjente.

    Për të mbetur konkurruese në tregun e pajisjeve të veshshme, ku po rritet popullariteti i pajisjeve pa ekran, si ato të kompanisë Whoop dhe markave të tjera, Gurman thotë se Apple “po shqyrton pajisje të reja pa ekran, si dhe lloje të ndryshme ekranesh dhe madhësish”.

    Sipas Gurmanit, Apple mund ta zgjerojë gamën e orëve inteligjente me modele premium që do të pozicionoheshin mbi versionet Ultra dhe Hermès, por edhe me një model më të përballueshëm se Apple Watch SE.

    Gurman shtoi se Apple ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar se si do ta rifreskojë gjeneratën e ardhshme të orëve inteligjente. Megjithatë, ai kishte raportuar më herët se ridizajnimi i pritshëm mund të vijë pas një ose dy vitesh.

    Edhe pse nuk bëhet fjalë për një ndryshim aq të madh sa një ridizajnim i plotë, Gurman ka thënë se Apple planifikon të rikthejë opsionin e kasës qeramike për Apple Watch në vitin 2026 ose 2027, së bashku me ngjyra të reja të orës, rripa të rinj dhe përmirësime në funksionet e shëndetit dhe fitnesit.

    Pavarësisht se si do të duket Apple Watch i ardhshëm, Gurman parashikon se gjenerata e re e orës inteligjente do ta integrojë më mirë versionin e rinovuar të Sirit.

  • 128 aksidente dhe 2301 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

    128 aksidente dhe 2301 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 41 aksidente me të lënduar dhe 87 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2301 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 22 persona, 15 i ka dërguar në mbajtje.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, policia jep detaje

    Gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.

    Të njëjtat, shton policia, janë raportuar të kenë ndodhur në Graçanicë, Prishtinë, Lipjan, Istog e Skenderaj.

    Raporti:

    DHUNË NË FAMILJE

    Graçanicë 10.08.2026 – 23:45. Viktima femër kosovare ka lajmëruar se i dyshuari mashkull kosovar deri sa ishte në gjendje të dehur ka hyrë në tarracën e banesës së saj dhe me shishe qelqi ka thyer dritaren e tarracës si dhe ka dëmtuar automjetin e saj. Është arrestuar i dyshuari dhe pas matjes me alkootest ka rezultuar 1.39 promil. Me vendim të prokurorit, pas këndelljes i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 05.08.2026 – 12:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Prishtinë 11.08.2026 – 15:30. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Lipjan 11.08.2026-21:00. Viktima femër kosovare ka njoftuar se në vazhdimësi ka dhunë psiqike nga i dyshuari mashkull kosovar. Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    Istog 11.08.2026-10:00.Viktima femër kosovare ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    Skenderaj 11.08.2026-21:00. Viktima femër kosovare ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima nuk ka pranuar që të dërgohet ne tretman mjekësorë. I dyshuari gjendet në kërkim të policisë. Viktimës iu është caktuar urdhër mbrojtës.

  • Albina Kelmendi bëhet nënë për herë të parë – zbulon emrin e djalit

    Albina Kelmendi bëhet nënë për herë të parë – zbulon emrin e djalit

    Këngëtarja Albina Kelmendi është bërë nënë për herë të parë, duke përjetuar një nga momentet më të veçanta në jetën e saj. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Valon Vataj, janë bërë prindër të një djali.

    Lajmin e gëzueshëm Albina e ka ndarë me ndjekësit e saj përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur emocionet dhe mirënjohjen për bekimin e ardhjes në jetë të djalit të tyre.

    “Faleminderit Zotit që na bekoi me një djalë.

    Lusim Zotin që të rritet me shëndet, me gjitha të mirat, të bëhet fëmijë i mbarë dhe të na bëjë gjithmonë krenarë.

    Mirë se erdhe në jetën tonë, !”, ka shkruar Albina në Facebook.

  • The Weeknd ndryshon mendje për emrin artistik, ja si do të quhet

    The Weeknd ndryshon mendje për emrin artistik, ja si do të quhet

    The Weeknd ka hequr dorë nga ideja për të lënë pas emrin artistik me të cilin është bërë i famshëm në mbarë botën. Këngëtari kanadez, emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye, kishte lënë më herët të hapur mundësinë që të vazhdonte karrierën me emrin e tij, por tashmë duket se ka ndryshuar mendje, bën të ditur Entertainment Weekly.

    Gjatë koncertit të tij në Stokholm, më 8 gusht, në kuadër të turneut “After Hours Til Dawn”, 36-vjeçari foli për këtë vendim para fansave.

    “Provova pak të përfundoja rrugëtimin tim si The Weeknd dhe nuk më pëlqen mënyra se si ndihem”, tha ai, sipas një videoje të publikuar nga një fans, Më pas shtoi: “Do të jem gjithmonë këtu me ju”.

    Deklarata e fundit vjen disa vite pasi këngëtari kishte nisur të mendonte publikisht për një ndryshim të rëndësishëm në karrierë. Në vitin 2022, gjatë një bisede online me fansat, The Weeknd kishte thënë se po mendonte të ndryshonte emrin artistik në “Abel”, duke marrë si shembull Kanye West, i cili kishte ndryshuar emrin e tij në Ye.

    “Ndihem sikur në këtë pikë duhet ta ndryshoj emrin tim artistik në ABEL”, ishte shprehur ai në atë kohë. Madje, këngëtari kishte lënë të kuptohej se mund ta ndryshonte ligjërisht emrin, duke e mbajtur vetëm “Abel”, pa mbiemër, siç kanë bërë artistë të njohur si Madonna, Cher dhe Prince.

    Në maj të vitit 2023, The Weeknd e kishte çuar edhe më tej këtë ide, duke deklaruar se albumi i ardhshëm mund të ishte i fundit i tij si The Weeknd.

    “Albumi me të cilin po punoj tani është ndoshta dalja ime e fundit e madhe si The Weeknd”, kishte thënë ai për W Magazine.

    Megjithatë, duket se artisti nuk është ende gati t’i japë fund epokës së The Weeknd. Për momentin, ai do të vazhdojë të performojë dhe të krijojë muzikë me emrin që e shndërroi në një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës në botë.

  • Ramadani: Vetëvendosje po e lë Kosovën të ekspozuar ndaj rreziqeve të sigurisë

    Ramadani: Vetëvendosje po e lë Kosovën të ekspozuar ndaj rreziqeve të sigurisë

    Deputeti dhe nënkryetari i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me ditën e pestë të bllokadës së Kuvendit, duke e cilësuar si të papërgjegjshme situatën e krijuar.

    Ramadani ka thënë se, si deputet dhe si njeri që shërbimin ndaj sigurisë kombëtare e ka prioritet, nuk mund ta tolerojë këtë gjendje.

    Ai ka theksuar se sfidat gjeopolitike dhe kërcënimet në rajon kërkojnë një Kuvend funksional, i cili buxheton dhe mbështet sektorin e sigurisë, siguron koordinim me NATO-n dhe merr vendime të qarta qeverisëse e parlamentare.

    Sipas Ramadanit, duke ikur nga seancat, Vetëvendosje po e lë Kosovën të ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë.

    “Siguria duhet të na bashkojë të gjithëve!”, ka përfunduar Ramadani.

  • VV e përsërit qëndrimin: Seanca do të thirret kur të arrihet marrëveshja për presidentin

    VV e përsërit qëndrimin: Seanca do të thirret kur të arrihet marrëveshja për presidentin

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit do të thirret në momentin kur të arrihet marrëveshje politike për presidentin.

    Rrustemi, në një intervistë për KosovaPress, është shprehur se afati prej 48 orësh për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive është i përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit, por, sipas tij, thelbi i krizës aktuale nuk lidhet me këtë afat, por me mungesën e dakordimit politik për presidentin.

    “Na duhet kohë për të arritur marrëveshje për presidentin. Për sa kohë nuk ksemi dakordim për presidentin, konstituimi i legjislaturës është hap drejt zgjedhjeve të parakohshme, të panevojshme, për bindjen tonë. Jo drejt dakordimit apo zgjidhjes së çështjes kryesore që e preokupon Kosovën prej fillimit të këtij viti. Insistimi i opozitës që të konstituohet Kuvendi e, në anën tjetër, kur thonë se nuk marrin pjesë në seancën ku zgjidhet presidenti, është në fakt thirrje për zgjedhje të parakohshme. Ne nuk besojmë se Kosova ka nevojë për zgjedhje. Në anën tjetër, ky afati prej 48-orësh është afat i përcaktuar në rregullore, por thelbi i krizës është dakordimi për presidentin”, tha ai.

    Ai ka theksuar gjithashtu se nuk ka shkelje kushtetuese për sa i përket afatit 30-ditor, duke iu referuar interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit moskonstituimi përfundimtar i Kuvendit brenda 30 ditësh nuk prodhon automatikisht pasoja në kuptimin e shpërndarjes së Kuvendit.

    Rrustemi ka thënë se edhe pjesëmarrja e ish-opozitës në seancën e javës së kaluar dëshmon, sipas tij, se nuk ka pasur pengesë kushtetuese për mbajtjen e saj.

    Ai iu bëri thirrje partive të tjera parlamentare që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse kanë paqartësi kushtetuese për këtë proces.

    “Opozita po e përdor kushtetutën dhe po thirret në kushtetutë për të pamundësuar krijimin e institucioneve. Ky pozicion është pak absurd, sepse kushtetuta nuk ekziston për të penguar krijimin e institucioneve, përkundrazi, është një mundësi dhe mjet në funksion të krijimit të institucioneve. Cila është alternativa e kritikës së opozitës? Shkuarja në zgjedhje? Kjo nuk është alternativë. Kushtetuta thotë se brenda 30 ditëve të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve duhet të thirret seanca konstituive. Ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar që i jep një kuptim tjetër lloj kësaj dispozite, por, në anën tjetër, të gjithë e dimë se edhe moskonstituimi përfundimtar brenda 30 ditëve të Kuvendit nuk prodhon pasoja në kuptimin e shpërndarjes së Kuvendit… Vetë pjesëmarrja e deputetëve të opozitës në seancën e së shtunës është konfirmim apo bindje e vetë atyre që nuk ka shkelje kushtetuese; në të kundërtën, nuk do të vinin në seancë. Por edhe vetë thirrja e tyre që të mbahet seanca çdo 48 orë është konfirmim se nuk ka pengesa kushtetuese për konstituim të Kuvendit”, shtoi ai.

    Rrustemi mohoi se po zvarritet procesi i konstituimit të Kuvendit në mënyrë që zgjedhjet e reja të mbahen në dhjetor, duke thënë se qëllimi i Vetëvendosjes është arritja e një marrëveshjeje për presidentin dhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme.

    “Ne nuk po e zvarrisim për këtë arsye. Ne thjesht po kërkojmë marrëveshje për presidentin dhe po insistojmë se Kosova s’ka nevojë për zgjedhje, por për president. Vetëm ata që i mendojnë zgjedhjet si alternativë kanë kritika dhe arsyetime të tilla. Ne nuk duam zgjedhje, por dakordim për një president konsensual”, theksoi ai.

    Megjithatë, deputeti i LVV-së paralajmëroi se shumë shpejt kryetari i partisë, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do t’iu dërgojë ftesa të reja për takim liderëve të partive të ish-opozitës.

    “Do të ketë ftesa dhe do të ketë edhe takime, padyshim. Ne nuk do të lodhemi asnjëherë së dialoguari me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të dobishme që i korrespondon situatës aktuale dhe që shmang zgjedhjet e parakohshme”, theksoi Rrustemi.

    Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të. Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja, ndërkohë që deputetët pritet të rikthehen sërish në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, në një proces që është kusht për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.