ATV

Author: K.B.

  • Belinda Balluku del para drejtësisë, SPAK ngre aktakuzë për tenderin e famshëm të Llogarasë

    Belinda Balluku del para drejtësisë, SPAK ngre aktakuzë për tenderin e famshëm të Llogarasë

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministres së Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

    Sipas njoftimit zyrtar, Balluku dyshohet për veprën penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, në cilësinë e saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

    SPAK bëri të ditur se Balluku është njoftuar për akuzën më 31 tetor, ndërsa hetimet kanë të bëjnë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, konkretisht për seksionin rrugor Orikum-Himarë.

    Kjo procedurë ishte zhvilluar më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, sqaroi SPAK.

    Zëvendëskryeministrja ishte njoftuar për hetimet më 21 tetor, ndërsa ishte ftuar që të paraqitej para SPAK-ut më 31 tetor në orën 15:00.

    Pas daljes nga ndërtesa e SPAK-ut, Balluku u ndal shkurt para mediave, duke deklaruar:

    “Si qytetare e Republikës dhe si një zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplot se do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha mbi parimet e drejtësisë të pandryshueshme, tek e cila besoj.”

    Ajo nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

    Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u pyet për rastin e Ballukut, por zgjodhi të mos komentojë, duke thënë:

    “Nuk kam asnjë koment për asnjë rast… deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykatat popullore, politike dhe mediat që i shërbejnë politikës.”

    SPAK, që u krijua në dhjetor të vitit 2019, ka hetuar disa ish-zyrtarë të lartë, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Meta ndodhet në paraburgim, ndërsa Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të kaluar.

  • FFK-ja e ndëshkon Genc Nuzën, suspendohet me katër ndeshje

    FFK-ja e ndëshkon Genc Nuzën, suspendohet me katër ndeshje

    Një prej gjyqtarëve më të njohur dhe më të vlerësuar në futbollin kosovar, Genc Nuza, është përballur me një dënim të rëndë nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

    Sipas raportimeve, Nuza është suspenduar për katër ndeshje pas akuzave për fyerje ndaj drejtuesve të klubit të Gjilanit, gjatë ndeshjes Gjilani – Dukagjini.

    Por situata nuk ndalet me kaq. Gjyqtari Nuza ka qenë gjithashtu viktimë e fyerjeve dhe kërcënimeve personale e familjare, të cilat dyshohet se kanë ardhur nga kryetari i klubit të Gjilanit, Fatlum Pireva. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe Komisioni i Garave i FFK-së, që tashmë ka hapur procedurë disiplinore ndaj tij.

    “Kryetarit të SC ‘Gjilani’, Fatlum Pireva. Motivi: I vendosur në tribunën zyrtar gjatë gjithë pjesës së dytë fyen dhe ofendon në baza personale dhe familjare si dhe kërcënon gjyqtarin kryesor dhe gjyqtarin e katërt. I njëjti pas përfundimit të ndeshjes zbret në korridorin e stadiumit, kërcënon, fyen dhe ofendon gjyqtarët e ndeshjes. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes Gjilani–Dukagjini”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

    Ndëshkimet nuk ndalën me kaq – i klubit, Mirand Avdiu, dhe përfaqësuesi për siguri, Adonis Maloku, po ashtu kanë marrë dënime nga Komisioni Disiplinor dhe Etikës i FFK-së për ofendime ndaj gjyqtarëve.

    “Sekretari i FC ‘Gjilani’, Mirand Avdiu… dënohet me 2 (dy) ndeshje mos ushtrim të detyrës zyrtare… Përfaqësuesi për siguri, Adonis Maloku, po ashtu dënohet me 2 (dy) ndeshje mos ushtrim të detyrës zyrtare…”, thuhet në vendimin e FFK-së.

    Ndërkohë, edhe vetë klubi i Gjilanit është gjobitur me 1200 euro, për lëshime gjatë organizimit të ndeshjes kundër Malishevës, dhe është paralajmëruar me suspendim të terrenit.

    “SC ‘Gjilani’. Nuk ndërmerr masa për evitimin e personave të paautorizuar që ofendojnë dhe kërcënojnë zyrtarët e ndeshjes… Dënohet me 1200 euro dhe i tërhiqet Vërejtja e Fundit para suspendimit të terrenit”, thuhet në njoftim.

  • Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano ndërron jetë pas një arresti kardiak në banesë

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano ndërron jetë pas një arresti kardiak në banesë

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas më shumë se tre javësh betejë në një spital privat në Tiranë, ku ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Sipas burimeve mjekësore, Nano kishte pësuar vdekje klinike (arrest kardiocirkulator) në banesën e tij dhe që prej asaj kohe mbahej nën kujdes të vazhdueshëm nga mjekët, por pa mundur të rikthehej në gjendje të qëndrueshme.

    Fatos Nano mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të tranzicionit demokratik pas viteve ’90. Ai themeloi Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe e udhëhoqi drejt shndërrimit në një forcë të fuqishme politike që do të qeveriste vendin për vite me radhë.

    Gjatë periudhave të tij në krye të qeverisë — në vitet 1991, 1997–1998 dhe 2002–2005 — Nano u përball me sfida të mëdha politike dhe ekonomike, duke u kujtuar për përpjekjet për stabilizimin e vendit dhe afrimin e Shqipërisë me standardet europiane.

    Për kontributin e tij, ai është vlerësuar shpesh si arkitekti i modernizimit të së majtës shqiptare, një politikan që la gjurmë në jetën publike dhe në kulturën politike të vendit.

    Pas tërheqjes nga politika aktive, Nano qëndroi në prapaskenë, duke dhënë deklarata herë pas here për zhvillimet politike, por duke ruajtur gjithmonë ndikimin e tij në opinionin publik.

    Fatos Nano lindi më 16 shtator 1952 në Tiranë, ku u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Me ikjen e tij, mbyllet një kapitull i rëndësishëm i historisë moderne shqiptare.

  • Deklarohet presidentja pas takimit me liderët e partive: Do t’i presë deri më 5 nëntor

    Deklarohet presidentja pas takimit me liderët e partive: Do t’i presë deri më 5 nëntor

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të sotëm me partitë politike, ka bërë të ditur se nga diskutimet është parë se ekzistojnë qëndrime të ndryshme për krijimin e shumicës parlamentare.

    Sipas Osmanit, disa parti kanë theksuar se nuk ka mundësi të krijohet shumicë për formimin e qeverisë, ndërsa të tjerat kanë kërkuar që të ketë edhe një takim tjetër për të shqyrtuar mundësinë e propozimit të një mandatari të ri.

    Presidentja ka nënvizuar se do të presë deri më 5 nëntor, datë kur skadon afati kushtetues për caktimin e mandatarit të dytë, për të parë nëse do të ketë ndonjë lëvizje nga partitë politike.

    “Besoj i keni dëgjuar partitë për qëndrimet e tyre. Disa kishin që s’mund të krijojnë shumicë, kishte qëndrime që dëshirojnë të takohemi sërish për të parë mundësinë e propozimit të një mandatari të ri. Sipas Kushtetutës ne i kemi dhjetë ditë, afati s’kadon deri më 5 nëntor. Deri me atë datë do të kontaktoj me kryetarë të partive. Do të jem në komunikim me ta, dhe kushdo që ka gatishmëri për takim për të parë nëse ka mundësi për caktim të një mandatari të tjetër, i pres në takim,” ka deklaruar Osmani.

  • Krasniqi pas takimit me Osmanin: Askush nuk mund të bëjë shumicën parlamentare

    Krasniqi pas takimit me Osmanin: Askush nuk mund të bëjë shumicën parlamentare

    Memli Krasniqi pas takimit me Vjosa Osmanin: Zgjedhjet e reja parlamentare duket se janë të pashmangshme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se asnjë parti nuk ka mundësi të formojë një shumicë të re parlamentare me legjislaturën aktuale.

    “Diskutuam mundësitë e mandatit të ardhshëm, dhe ajo që u bë e qartë është se askush nuk mund të krijojë shumicën e re parlamentare bazuar në përbërjen aktuale të Kuvendit,” tha Krasniqi.

    Ai shtoi se rruga e vetme përpara është shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare. Krasniqi gjithashtu theksoi se ka kërkuar që ato të organizohen sa më shpejt, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet tani duket se janë të pashmangshme.

  • Abdixhiku pas takimit me Osmanin:  S’ka shumicë për qeveri të re, zgjedhjet janë e vetmja rrugë

    Abdixhiku pas takimit me Osmanin: S’ka shumicë për qeveri të re, zgjedhjet janë e vetmja rrugë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit që zhvilloi sot me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me situatën e krijuar pas zhvillimeve të fundit politike.

    Abdixhiku theksoi se nga ky takim u konfirmua ajo që LDK-ja kishte paralajmëruar prej kohësh se pas rezultatit të 9 shkurtit, në Kosovë nuk ekziston një shumicë parlamentare që mund të formojë qeverinë e re.

    “Në këtë takim u dëshmua ajo që kemi thënë gjithmonë: në Kosovë nuk ka shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re”, deklaroi ai për media.

    Sipas tij, qëndrimi i 52 përfaqësuesve të partive politike ka qenë i qartë në këtë drejtim.

    Ai bëri të ditur se gjatë diskutimeve me presidenten Osmani është përmendur disa herë ideja për krijimin e një “qeverie tranzicioni”, por siç tha ai, një qeveri e tillë nuk është e mundur në rrethanat aktuale.

    “Sa më shpejt që të organizohen zgjedhjet, aq më shumë i shmangim krizat e mundshme politike,” u shpreh Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së shtoi gjithashtu se tashmë mbetet në dorën e presidentes që deri të mërkurën të përcaktojë nëse ekziston apo jo shumica parlamentare për krijimin e qeverisë së re.

  • Behgjet Pacolli në Prokurorinë e Tiranës për aeroportin e Vlorës flet pas katër orësh dëshmi

    Behgjet Pacolli në Prokurorinë e Tiranës për aeroportin e Vlorës flet pas katër orësh dëshmi

    Biznesmeni dhe politikani i njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli, është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me hetimet që po zhvillohen për projektin e aeroportit të Vlorës.

    Pacolli ka qëndruar për rreth katër orë në ambientet e prokurorisë, ku është marrë në pyetje në lidhje me mosmarrëveshjet mes aksionarëve të përfshirë në projektin e aeroportit.

    Në prononcimin e tij për gazetarët pas daljes nga Prokuroria, Pacolli tha se është paraqitur për të dhënë dëshminë si person i informuar, duke theksuar se “aeroporti i Vlorës do të bëhet”.

    “Unë isha këtu për të dhënë dëshmi lidhur me përgjigjen penale që ne kemi parashtruar. Si person i informuar, më është dukur e drejtë të tregoj kronologjinë e çështjeve. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne i jemi përgjigjur atij kallëzimi. Gjithashtu, isha këtu për kallëzimin që vëllai im ka bërë ndaj disa personave që ju e dini ndaj kujt, dhe unë erdha për të plotësuar informacionet për këtë çështje,” deklaroi Pacolli.

    I pyetur nëse ka pasur takime me kryeministrin Edi Rama në lidhje me këtë çështje, Pacolli mohoi çdo përfshirje të qeverisë shqiptare.

    “Këtu nuk ka të bëjë asgjë qeveria. Është e padrejtë të përmendet dikush nga qeveria. Unë e kam lënë gjithçka në duart e drejtësisë dhe besoj shumë në vendimet gjyqësore. Do të veproj vetëm sipas vendimeve të drejtësisë,”  tha ai.

    Projekti i aeroportit të Vlorës, një ndër investimet strategjike më të mëdha në jug të Shqipërisë, është përfshirë kohët e fundit në debat për shkak të mosmarrëveshjeve ligjore mes aksionarëve dhe kompanive të përfshira.

  • “Smart City, I like this guy”, Bekë Berisha mbështet publikisht Përparim Ramën

    “Smart City, I like this guy”, Bekë Berisha mbështet publikisht Përparim Ramën

    Në prag të balotazhit për zgjedhjet lokale në Prishtinë, skena politike po sjell lëvizje të papritura. Bekë Berisha nga AAK, i cili në raundin e parë garoi kundër kandidatëve të tjerë, tashmë ka dalë publikisht me një video duke i dhënë mbështetje Përparim Ramës nga LDK.

    Në videon që po qarkullon në rrjete sociale, Berisha shihet duke u takuar me Ramën dhe duke i përsëritur atij sloganin e njohur të fushatës “Smart City”.

    “Smart City, I like this guy,” dëgjohet Berisha duke i thënë Ramës me një ton miqësor, ndërsa Rama ia kthen: “Faleminderit Beko, i grahim përpara.”

    Ky gjest i Berishës shihet si një sinjal politik me peshë, duke qenë se mbështetja e tij mund të ndikojë në garën e balotazhit ndërmjet Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (Vetëvendosje).

  • Rron Gjinovci: Rritja e pagave s’është blerje votash, është mungesë logjike ta mendosh ashtu

    Rron Gjinovci: Rritja e pagave s’është blerje votash, është mungesë logjike ta mendosh ashtu

    Aktivisti i njohur Rron Gjinovci ka reaguar pas komenteve që e kanë cilësuar rritjen e pagave, pensioneve dhe shtesave nga Qeveria si “blerje votash”.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjinovci ka kundërshtuar këtë narrativë, duke e quajtur “shkurtpamësi dhe mungesë logjike”.

    “Rritja e pagave, pensioneve dhe shtesave nuk është blerje votash. Me e cilësu si të tillë është shkurtpamësi dhe mungesë logjike”, ka shkruar ai.

    Në argumentimin e tij, Gjinovci thekson se “blerja” nënkupton një marrëveshje mes dy palëve, ku njëra jep para dhe tjetra ofron diçka në këmbim, gjë që sipas tij nuk ekziston në këtë rast.

    “Qeveria ndan para, por qytetarët nuk kanë asnjë detyrim që t’i japin diçka në këmbim. Këto rritje i përfitojnë të gjithë, pa dallim bindjesh politike”,  ka sqaruar aktivisti.

    Sipas tij, edhe konceptualisht nuk qëndron ideja e “blerjes së votave”, pasi mjetet që ndahen janë nga taksat e vetë qytetarëve.

    “Këto para nuk janë të qeverisë, por të atyre që i marrin. Në fakt, qeveria po i shpërndan fondet që i ka mbledhur nga vetë qytetarët”, ka shtuar ai.

    Në përfundim, Gjinovci ironizon me ata që e shohin rritjen e pagave si strategji elektorale, duke u thënë se nëse “oferta e tyre politike sfidohet kaq lehtë, atëherë duhet ta rishikojnë programin”.

    “Nëse qytetarët blehen kaq lehtë, atëherë problemi nuk është te qeveria, por te oferta jote si opozitë. Rishikoje programin,” ka përfunduar ai.

  • Princi William dhe Princesha Kate fitojnë gjyqin me revistën franceze

    Princi William dhe Princesha Kate fitojnë gjyqin me revistën franceze

    Princi William dhe Princesha Catherine kanë dalë fitues në një çështje gjyqësore ndaj revistës franceze Paris Match, pasi kjo e fundit publikoi pa leje fotografi paparaci të çiftit dhe fëmijëve të tyre gjatë një pushimi privat në Alpet franceze.

    Sipas një komunikate nga Pallati Kensington, çifti mbretëror ndërmori veprime ligjore menjëherë pas publikimit të fotove në prill, ku ata shfaqeshin së bashku me fëmijët, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis duke kaluar momente familjare në dëborë dhe duke u relaksuar në ballkonin e chalet-it të tyre.

    Gjykata franceze vendosi në favor të çiftit, duke theksuar se botimi i Paris Match “cenonte të drejtën e respektit ndaj jetës private dhe imazhit” të Familjes Mbretërore. Revista, e cila është në pronësi të grupit luksoz LVMH, u urdhërua të publikojë zyrtarisht vendimin gjyqësor dhe të mbulojë shpenzimet ligjore të Princit dhe Princeshës së Uellsit.

    Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Pallatit Kensington theksoi se ky vendim “rikonfirmon të drejtën e Familjes Mbretërore për privatësi, pavarësisht detyrave të tyre publike”. Ai shtoi se William dhe Catherine “mbeten të vendosur të mbrojnë fëmijët e tyre nga çdo ndërhyrje në jetën personale” dhe nuk do të hezitojnë të ndërmarrin masa të ngjashme në të ardhmen.

    Ky është rasti i dytë që çifti mbretëror fiton kundër mediave franceze. Kujtojmë se në vitin 2017, ata morën dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh pasi revista Closer publikoi fotografi topless të Princeshës Catherine gjatë pushimeve në Provence në vitin 2012, një rast që gjithashtu u cilësua si shkelje e rëndë e privatësisë.