ATV

Author: K.B.

  • Zgjedhjet për kryetar të Mamushës, Krasnic dhe Morina me mesazhe të kundërta për të ardhmen e komunës

    Zgjedhjet për kryetar të Mamushës, Krasnic dhe Morina me mesazhe të kundërta për të ardhmen e komunës

    Në ditën e pestë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Mamushës, kryetari aktual i kësaj komune, kandidat edhe për një mandat 4 vjecar, Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka ndarë pamje të punimeve infrastrukturore në lagjet Pasha e Demirci.

    “Si Komunë e Mamushës, kemi filluar punën për asfaltimin e rrugëve kryesore. Synimi ynë është të realizojmë projekte me cilësi të lartë që të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ne vazhdojmë të punojmë në çdo lagje dhe çdo rrugë, me qëllim që Mamusha të bëhet një qytet më i jetueshëm,” u shpreh Krasniq.

    Ai shtoi se prioritet i tij mbetet zhvillimi i qëndrueshëm i komunës përmes investimeve në infrastrukturë, shërbime publike dhe mirëqenie sociale.

    Nga ana tjetër, kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshim dhe për një fillim të ri për Mamushën.

    “Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje partie, por të një populli që ngrihet përsëri. Qëllimi ynë nuk është pushteti, por e ardhmja e Mamushës. Çdo votë më 9 nëntor do të jetë themeli i një të ardhmeje që do ta ndërtojmë bashkë”, deklaroi Morina.

    Ai po ashtu tha se në qendër të programit të tij qëndron zhvillimi ekonomik, mbështetja për bujqësinë dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje.

  • Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s, dëshmitari i fundit në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë

    Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s, dëshmitari i fundit në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë

    Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit në procesin gjyqësor në Hagë. Kjo është bërë e ditur në konferencën e përjavshme për media nga zyrtarët e Gjykatës Speciale, të cilët thanë se mbrojtja e Thaçit ka thirrur gjithsej katër dëshmitarë deri më tani dhe synon të thërrasë edhe tre të tjerë, përfshirë gjeneralin Clark.

    “Mbrojtja e Thaçit ka thirrur katër dëshmitarë deri më sot, dhe sipas parashtrimeve publike aktuale, synon të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë në kuadër të paraqitjes së provave të saj”, thanë zëdhënësit e Speciales.

    Më 4 nëntor, Trupi Gjykues miratoi kërkesat e mbrojtjes për të organizuar dëshminë e Clarkut, e cila mund të fillojë pasditen e 18 nëntorit dhe pritet të vazhdojë më 19 nëntor, me një ditë shtesë të rezervuar më 21 nëntor për të përfunduar dëshminë.

    Dokumentet e publikuara tregojnë se Clark ka marrë miratimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në Hagë.

    Sipas mbrojtjes, dëshmia e gjeneralit amerikan do të përfshijë temat e mëposhtme: drejtimi i përpjekjeve të NATO-s për zbatuar Marrëveshjen Holbrooke-Millosheviq nga tetori 1998, zbatimin e Rezolutës 1199 të KS të OKB-së, kryerjen e fushatës ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit për të nënshkruar marrëveshjet e Rambujesë, vendosjen e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarake Teknike dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, si dhe mbikëqyrjen e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së.

    Mbrojtja shpreson që dëshmia e Clarkut të përfundojë brenda dy ditësh, por ka kërkuar një ditë shtesë në rast nevoje, për t’i dhënë të gjitha palëve një mundësi të drejtë për të finalizuar dëshminë.

  • Si të ndërtojmë një markë të fuqishme, 5 mësime nga Victoria Beckham!

    Si të ndërtojmë një markë të fuqishme, 5 mësime nga Victoria Beckham!

    Netflix ka zbuluar detaje të reja për dokumentarin e shumëpërfolur mbi jetën dhe karrierën e Victoria Beckham. Filmi do të publikohet më 9 tetor, pothuajse dy vite pas suksesit të madh të dokumentarit për bashkëshortin e saj, David Beckham. Pas triumfit të serisë për Davidin në vitin 2023, Netflix njoftoi se do të sillte edhe historinë e Victoria-s. Në një intervistë për Bloomberg, stilistja tregoi se ishte pikërisht bashkëshorti i saj ai që e nxiti të pranonte këtë projekt.

    Dokumentari tre‑serësh i Victoria Beckham ndjek rrugëtimin e saj nga anëtare e grupit pop Spice Girls deri te krijuese mode dhe biznesmene në industrinë e modës dhe bukurisë, duke ofruar mësime të vlefshme për këdo që synon të ndërtojë një markë të qëndrueshme. Victoria tregon se kalimi i saj nga muzika te modë u shoqërua me skepticizëm – “bota qeshi” kur ajo u përpoq të hynte në industrinë e modës. Por ajo nuk u limitua nga paragjykimet; përkundrazi, vazhdoi të zhvillohej me qëllim dhe vizion të qartë.
    Mësimi: Rikrijimi funksionon kur është planifikuar, jo thjesht reaktiv. Evolucioni yt duhet të forcojë markën, jo ta komplikojë atë.

    Marka Victoria Beckham ka ndërtuar një identitet minimalist, elegant dhe të rafinuar, duke mos ndjekur çdo trend thjesht për të qenë “in”. Ajo qëndroi besnike konceptit të saj derisa audienca e kuptoi dhe e ndoqi.

    Mësimi: Markat që nuk janë të qëndrueshme në imazhin dhe mesazhin e tyre kanë vështirësi të rriten. Çdo produkt, çdo postim, çdo fushatë duhet të jetë në linjë me identitetin tënd.

    Victoria nuk shet vetëm rroba; ajo shet një vizion, një përvojë. Marka e saj e modës, marka e bukurisë dhe kanalet e saj sociale jetojnë brenda të njëjtit univers koheziv: të sofistikuar, të qëndrueshëm dhe frymëzues. Një markë nuk është vetëm logoja apo artikulli që shitet – është çdo kontakt që audienca ka me ty: nga produkti te përballja në rrjete sociale, te ambienti i shitjes, te identiteti vizual.

    Në dokumentar, Victoria rrëfen se është ndjerë shpesh e keqkuptuar dhe e pranon këtë. Kjo ndjeshmëri e bëri që të evoluojë nga një “personazh me stil” në një “vizionare me fuqi” në vetvete.
    Mësimi: Kur ndan evolucionin tënd me ndershmëri dhe vetëdije, e bën markën më prekshme dhe audienca fillon ta mbështesë rritjen tënde. Fokusohu në ndërtimin e një marke që njerëzit e besojnë, jo vetëm që e shohin për pak kohë. Trendet mund të prodhojnë shitje, por marka është ajo që bën që njerëzit të kthehen.

  • Rundi i dytë i zgjedhjeve, KQZ: Mijëra votues të rinj në listë

    Rundi i dytë i zgjedhjeve, KQZ: Mijëra votues të rinj në listë

    Në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, të drejtë vote do ta kenë edhe 1,690 të rinj që kanë mbushur 18 vjet pas ditës së zgjedhjeve të raundit të parë dhe deri më 9 nëntor.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se do të përdoret e njëjta listë votuese si në rundin e parë, me disa përditësime të rëndësishme.

    “Në rundin e dytë të zgjedhjeve, do të përdoret e njëjta listë votuese e cila është përdorur në rundin e parë, me disa përditësime. Konkretisht, kjo listë është plotësuar me emrat e 1,690 të rinjve që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor kanë të drejtë të votojnë për herë të parë. Po ashtu, nga lista janë larguar rreth 1,150 persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë nga fillim shtatori deri në javën e fundit të tetorit”, tha Elezi.

    Ai ka sqaruar gjithashtu se në këtë proces nuk përfshihen lëvizjet e brendshme të qytetarëve ndërmjet komunave, gjë që do të thotë se ata që janë zhvendosur pas rundit të parë nuk mund të votojnë në komunën e re.

    “Lëvizjet e brendshme të qytetarëve ndërmjet komunave nuk përfshihen në këtë proces zgjedhor. Kjo do të thotë se qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në një tjetër pas rundit të parë nuk do të mund të votojnë në komunën ku janë zhvendosur, por vetëm në atë ku kanë qenë të regjistruar në listën votuese të rundit të parë dhe nëse komuna e tyre është pjesë e balotazhit”, shtoi Elezi.

    Rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.
    Zgjedhjet do të zhvillohen në 525 qendra votimi me gjithsej 1,648 vendvotime, përfshirë 20 vendvotime për votim me kusht.

  • Policia e Kosovës dhe KFOR-i me ushtrim të përbashkët në veri

    Policia e Kosovës dhe KFOR-i me ushtrim të përbashkët në veri

    Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in, kanë realizuar sot një ushtrim të emëruar “ALAMO”, i cili u realizua në pjesën veriore të vendit.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se qëllimi i këtij ushtrimi ishte koordinimi, komunikimi dhe bashkëpunimi mes njësive policore dhe KFOR-it, për të siguruar një reagim të shpejtë dhe profesional ndaj çdo situate, ku kërkohet ofrimi i një ambienti të sigurt.

    Pjesëmarrës të këtij ushtrimi nga Policia ishin njësitet relevante speciale të Policisë.

    “Në këtë ushtrim është testuar koha e reagimit, pajisjet dhe komunikimi. Janë zbatuar taktika të reagimit me njësitet relevante policore. Ushtrimi ka përfunduar me sukses rreth orës 11:30. Policia e Kosovës dhe KFOR-i mbesin të përkushtuar, të angazhuar në ruajtjen e sigurisë për gjithë qytetarët e vendit”, u tha në njoftimin e PK-së.

  • “Pusho e qetë në parajsë”, fjalët e babait të studentes që vdiq në Tetovë

    “Pusho e qetë në parajsë”, fjalët e babait të studentes që vdiq në Tetovë

    Babai i studentes 25-vjeçare, Daorsa Spahija nga Gjakova e cila u gjet e vdekur të mërkurën mbrëma në Tetovë ka reaguar me një postim në rrjetin social Facebook.

    Ai ka ndarë një fotografi të së bijës e shkruan: “Pusho e qetë në Parajsë, dritë e syve të mi”.

    25-vjeçarja do të varroset të premten në varrezat e qytetit të Gjakovës me fillim nga ora 14:00.

  • Gjermania mbyll shoqatën islamike pasi bënte thirrje për kaIifat

    Gjermania mbyll shoqatën islamike pasi bënte thirrje për kaIifat

    Gjermania ka ndërmarrë një veprim të ashpër ndaj ekstremizmit fetar. Ministria e Brendshme gjermane njoftoi të mërkurën se ka mbyllur një shoqatë myslimane, duke e akuzuar për veprimtari kundërkushtetuese, përfshirë thirrje për krijimin e një kalifati.

    Policia gjermane bastisi shtatë ndërtesa në qytetin verior të Hamburgut, ku shoqata “Muslim Interaktiv” kishte selinë e saj.

    “Ne nuk do të lejojmë që organizata, si Muslim Interaktiv, ta minojnë shoqërinë tonë të lirë me urrejtjen e tyre… dhe ta sulmojnë vendin tonë nga brenda”, tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt.

    Kjo shoqatë kishte rënë në qendër të kritikave që në prill të vitit 2024, gjatë një proteste në Hamburg, ku mbi 1.200 persona dolën në rrugë duke dënuar politikat gjoja islamofobe të Gjermanisë. Në protestë u panë pankarta me mbishkrimin “Kalifati është zgjidhja”, që shkaktuan tronditje dhe debat të ashpër në mbarë vendin.

    Shoqata akuzohet gjithashtu për mohim të të drejtave të grave dhe nxitje të urrejtjes ndaj Izraelit. Ministria njoftoi se ajo do të shpërbëhet plotësisht dhe pasuria e saj do të konfiskohet.

    Autoritetet e Hamburgut bënë të ditur se “Muslim Interaktiv”, e themeluar në vitin 2020, ishte kryesisht aktive në rrjete sociale, ku kritikonte politikanët dhe shoqërinë për mospranimin e “të gjithë komunitetit mysliman”.

    Ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, përshëndeti mbylljen e shoqatës, duke theksuar se autoritetet “eliminuan një grup islamist të rrezikshëm dhe shumë aktiv”.

    Po ashtu, policia zhvilloi bastisje edhe në Berlin dhe në landin Hese, në kuadër të hetimeve ndaj dy organizatave të tjera: Generation Islam dhe Realitaet Islam.

    Gjermania ka ndaluar edhe më parë organizata të ngjashme, si Ansaar, e cila në vitin 2021 u akuzua për financim të terrorizmit islamist nën petkun e bamirësisë.

  • Pas 10 vitesh mister, gjykata jep vendimin për djalin që pretendonte se Jay-Z ishte babai i tij

    Pas 10 vitesh mister, gjykata jep vendimin për djalin që pretendonte se Jay-Z ishte babai i tij

    Pas më shumë se një dekade pretendimesh dhe përfoljesh publike, gjykata e Kalifornisë i ka dhënë fund përfundimisht çështjes që e lidhte reperin e njohur Jay-Z me Rymir Satterthwaite, i cili prej vitesh pohonte se artisti ishte babai i tij biologjik.

    Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, gjyqtari ka pranuar kërkesën e avokatëve të Jay-Z për të mbyllur çështjen me paragjykim – një vendim që i ndalon Satterthwaite, 30 vjeç, të padisë sërish për të njëjtën çështje apo të kërkojë një test ADN-je për të provuar atësinë e reperit, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter.

    Rymir kishte deklaruar se Jay-Z kishte pasur një lidhje me nënën e tij, Wanda Satterthwaite, në fillim të viteve ’90 dhe se ai ishte fryt i asaj marrëdhënieje. Reperi i njohur e ka mohuar vazhdimisht këtë pretendim ndër vite.

    Nëna e Rymirit, e ndjerë në vitin 2016, kishte tentuar vite më parë të ngrinte padi në Nju Xhersi, por gjykata e hodhi poshtë për shkak të juridiksionit të gabuar. Çështja u riaktivizua në vitin 2014 nga kujdestarja ligjore e Rymirit, Lillie Coley, e cila paraqiti sërish dokumentet.

    Në maj të vitit 2023, Rymir kërkoi me urdhër gjykate që Jay-Z të detyrohej të bënte testin e ADN-së, duke theksuar për Daily Mail:

    “Kjo nuk do të përfundojë derisa të bëhet drejtësi. Nuk do të ndalem së luftuari derisa ta fitoj, dhe do ta fitoj, sepse ligji është në anën tonë.”

    Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë – në korrik të po atij viti – ai publikoi një video në Instagram ku deklaronte:

    “E kam tërhequr çështjen time. Po bëhen shumë gjëra pas dyerve të mbyllura. Nuk e kam ndalur luftën. Thjesht duhet të mendojmë si në shah, jo si në dam.”

    Nga ana tjetër, avokatët e reperit 55-vjeçar e kanë quajtur këtë rast si një “ngacmim të përsëritur ligjor”, duke theksuar:

    “Këto pretendime të fabrikuara janë shqyrtuar dhe rrëzuar nga disa gjykata të ndryshme ndër vite. Kjo është thjesht vazhdimi i një fushate që ka zgjatur dekada.”

  • Shqipëri–Kosovë: Kalim kufitar pa kontrolle deri më 28 shkurt 2026

    Shqipëri–Kosovë: Kalim kufitar pa kontrolle deri më 28 shkurt 2026

    Nga 1 nëntori 2025, qytetarët që udhëtojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës kalojnë kufirin pa kontrolle dokumentesh.

    Pas përfundimit të periudhës njëmujore të kontrolleve gjatë tetorit, prej pesë ditësh në të gjitha pikat kufitare mes dy vendeve është rikthyer procedura e kalimit të lehtësuar për automjetet me targa shqiptare dhe kosovare.

    Kjo masë është pjesë e marrëveshjes së përbashkët ndërqeveritare mes Tiranës dhe Prishtinës, e cila do të mbetet në fuqi deri më 28 shkurt 2026.

    Sipas marrëveshjes, periudha e lehtësuar zbatohet për gjithsej nëntë muaj gjatë vitit, të ndarë në dy faza: nga 1 maji deri më 30 shtator (sezoni turistik veror) dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt (periudha dimërore). Këto periudha janë cilësuar si më të ngarkuarat për hyrje-daljet në kufi, sidomos gjatë verës dhe festave të fundvitit.

    Praktika e kalimit të lehtësuar nisi të zbatohej verën e kaluar dhe përfshin jo vetëm heqjen e kontrolleve kufitare, por edhe patrulla të përbashkëta të policisë rrugore, që mbikëqyrin rrugët drejt zonave bregdetare.

    Fillimisht, marrëveshja vlente vetëm për pikën kufitare Morinë–Vërmicë, por pas kërkesave të qytetarëve dhe shtimit të fluksit të qarkullimit, ajo u zgjerua edhe në Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec, Borje dhe Orgjost.

    Gjithashtu, përgjatë brezit kufitar janë hapur 22 vendkalime të lehtësuara për banorët e fshatrave që ndodhen brenda një rrezeje 30 kilometrash në të dy anët e kufirit.

    Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës ka përfshirë edhe përmirësimin e infrastrukturës. Qeveria e Kosovës ka ndërtuar rrugët Kërstec, Pakisht, Zapod dhe Gorozhup–Pogaj, si dhe disa projekte të tjera lidhëse në zonat kufitare.

    Vetëm këtë vit, sipas të dhënave të policisë kufitare, mbi 5.5 milion shtetas janë regjistruar në hyrje dhe dalje të Shqipërisë në pikat e përbashkëta kufitare, me Morinën që mban peshën kryesore të trafikut.

  • Lajm i mirë për studentët, 50% më lirë biletat e trenit

    Lajm i mirë për studentët, 50% më lirë biletat e trenit

    Kompania e Hekurudhave Trainkos Sh.A. ka njoftuar se studentët në Kosovë mund të përfitojnë zbritje prej 50% në udhëtimet me tren, me kusht që të dëshmojnë statusin e tyre aktiv si studentë.

    Sipas njoftimit zyrtar, për të përfituar nga kjo lehtësi, studentët duhet të posedojnë ID kartelën e fakultetit për vitin akademik aktual ose, në mungesë të saj, fletëpagesën e semestrit për vitin përkatës.

    Ndërkohë, absolventët që janë të liruar nga pagesat duhet të kenë vërtetim nga fakulteti që dëshmon statusin e tyre për vitin akademik në vijim.

    Në rastet kur studentët nuk posedojnë ID kartelë, ata mund të paraqesin vërtetim zyrtar nga fakulteti, që konfirmon se janë aktivë në studime.

    Nga kompania është bërë e ditur se këto kritere janë vendosur për të garantuar transparencë dhe verifikim të saktë të përfituesve, duke parandaluar abuzimet me lehtësitë e ofruara.

    “Falënderojmë studentët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre,” thuhet në njoftimin e Departamentit të Transportit të Udhëtarëve të Trainkos Sh.A.

    Ky vendim, sipas Trainkos, synon të lehtësojë udhëtimet e studentëve drejt qyteteve të ndryshme të Kosovës, si pjesë e përpjekjeve për të promovuar transportin publik më të qasshëm dhe të qëndrueshëm.