ATV

Author: K.B.

  • Përmbyllet fushata në Mamushë, Krasniq e Morina kërkojnë besimin e qytetarëve për të ardhmen e komunës

    Përmbyllet fushata në Mamushë, Krasniq e Morina kërkojnë besimin e qytetarëve për të ardhmen e komunës

    Në Mamushë, sot është përmbyllur fushata gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, që do të mbahen të dielën, më 9 nëntor.
    Në ditën e fundit të fushatës, kryetari aktual, Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, i cili garon për një mandat të tretë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe ta vendosin së bashku të ardhmen e komunës.

    “Ejani nesër, le të shkojmë në votime me familjet dhe të dashurit tanë dhe të përcaktojmë së bashku të ardhmen tonë. Votoni 104 për një të nesërme më të mirë,” tha Krasniq, duke premtuar se programi i tij për mandatin e ardhshëm do të fokusohet në mbështetjen e bujqve, tregtarëve dhe artizanëve lokal.

    Krasniq kujtoi se tashmë është nisur një program mbështetës ekonomik, në kuadër të të cilit kanë aplikuar 248 bujq dhe mbi 200 tregtarë e artizanë.

    “Banorët e Mamushës na njohin mirë. Nëse premtojmë një projekt apo mbështetje, e realizojmë. Çdo projekt kërkon kohë e përgjegjësi, jo premtime të shpejta. Ne do ta përfundojmë këtë proces dhe do t’u dorëzojmë mbështetjen qytetarëve tanë,” deklaroi Krasniq.

    Ndërsa kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, në mbyllje të fushatës ka vënë theksin tek rinia. Ai tha se zgjedhjet e së dielës janë “një moment historik që do të përcaktojë të ardhmen e Mamushës”.

    “Është koha të kërkojmë kujdes për të ardhmen. Të rinjtë e Mamushës nuk duhet të jenë më spektatorë, por vendimmarrës. Një votë mund të ndryshojë fatin e një qyteti,” tha Morina, duke shtuar se vizioni i tij është që të rinjtë të marrin pjesë në qeverisje me idetë dhe projektet e tyre.

    Ai falënderoi gjithashtu bashkëqytetarët nga Turqia dhe Evropa, të cilët po kthehen në vendlindje për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Deklaratën e tij, Morina e shoqëroi me pamje të një autobusi me bashkatdhetarë që kishin ardhur nga jashtë vendit për raundin e dytë të zgjedhjeve.

  • “Kosova prodhon dronë luftarakë”, Kurti prezanton dronët që fluturojnë 5 km lartësi

    “Kosova prodhon dronë luftarakë”, Kurti prezanton dronët që fluturojnë 5 km lartësi

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Gjilanin ku ka parë nga afër prodhimin e dronëve ushtarakë dhe civilë “Made in Kosova”.

    Në një vizitë në fabrikën që po prodhon dronët “Skifteri” dhe dronin kamikaz “K1”, Kurti ka theksuar se Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit teknologjik e mbrojtës.

    “Made in Gjilan” përveçse natyrisht “Made in Kosova”. Droni kamikaz “K1”, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa “Skifteri” arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h”, ka shkruar Kurti pas vizitës.

    Në postimin e tij, ai ka theksuar se Kosova po shndërrohet në një vend prodhues edhe në fushën e mbrojtjes:

    “Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronët civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR.

    ‘Made in Gjilan’ përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h.

    Në mbrojtje e siguri kemi investuar duke blerë nga shtetet tona mike dhe partnere dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger. Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri.”

    Kjo vizitë, sipas Kurtit, shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, me qëllim që vendi të bëhet jo vetëm konsumues, por edhe prodhues i teknologjive moderne ushtarake.

  • Tre lloje të çokollatave të famshme Milka tërhiqen nga tregu

    Tre lloje të çokollatave të famshme Milka tërhiqen nga tregu

    Tre lloje të njohura të çokollatave Milka janë tërhequr urgjentisht nga raftet e dyqaneve Home Bargains pas dyshimeve se mund të shkaktojnë reaksione fatale alergjike, për shkak të etiketimit të gabuar.

    Dyqani britanik, i zotëruar nga TJ Morris, ka konfirmuar rikthimin e menjëhershëm të produkteve:

    Milka Hazelnut (90g)

    Milka Whole Nut (95g)

    Milka Oreo Brownie (100g)

    Sipas Agjencisë së Standardeve Ushqimore (FSA), këto çokollata paraqesin “rrezik të mundshëm shëndetësor” për këdo që vuan nga alergjitë ose intoleranca ndaj:

    qumështit

    lajthive

    sojës

    grurit / glutenit

    Në njoftimin zyrtar thuhet:

    “TJ Morris Ltd po tërheq Milka Hazelnut 90g, Milka Whole Nut 95g dhe Milka Oreo Brownie 100g të shitur nëpër dyqanet Home Bargains, pasi alergjenët nuk janë të deklaruar në gjuhën angleze. Kjo përbën një rrezik të mundshëm për këdo që ka alergji ose intolerancë ndaj arrave të pemëve (përfshirë lajthitë), qumështit, sojës ose grurit.”

    Rikthimi përfshin të gjitha datat e skadimit të këtyre produkteve.

    Ekspertët paralajmërojnë se alergjitë ndaj arrave mund të jenë vdekjeprurëse, duke shkaktuar anafilaksi – një reagim i rëndë ku sistemi imunitar çliron kimikate që mund të shkaktojnë shok, ndalim frymëmarrjeje dhe dëmtime të organeve vitale.

    Konsumatorët që kanë blerë këto çokollata dhe kanë ndonjë alergji ose intolerancë ndaj përbërësve të përmendur, këshillohen të mos i konsumojnë.
    Dyqani ka vendosur njoftime në të gjitha pikat e shitjes për të sqaruar arsyen e rikthimit dhe ka kërkuar falje publike për shqetësimin.

    Simptomat e mundshme përfshijnë:

    skuqje, kruarje dhe ënjtje të lëkurës

    të vjella, dhimbje barku dhe diarre

    në raste të rënda, anafilaksi (reagim i rrezikshëm për jetën)

  • Zhduket një person, kërkime intensive për një person të zhdukur në Gjilan

    Zhduket një person, kërkime intensive për një person të zhdukur në Gjilan

    Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar sot në fshatin Bresalc të Komunës së Gjilanit, pas raportimit për një person të zhdukur.

    Sipas njoftimit nga Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH), në terren janë angazhuar ekipet profesionale të saj, ndërsa përfshirë është edhe njësia e dronave, e cila po mbështet kërkimet nga ajri për të mbuluar sa më shumë zonë në mënyrë sa më efektive.

    “Operacioni po vazhdon me përkushtim të plotë, dhe ne falënderojmë të gjithë vullnetarët që po kontribuojnë në këtë mision human dhe profesional,” thuhet në njoftimin e SHKKSH-së.

    Operacioni po vijon, ndërsa autoritetet dhe vullnetarët mbeten në terren deri në gjetjen e personit të zhdukur.

  • Momenti kur shefi i “Miss Universe” shpërthen në lot, pasi e quajti Miss Meksikën “budallaqe” dhe kërkon falje publikisht

    Momenti kur shefi i “Miss Universe” shpërthen në lot, pasi e quajti Miss Meksikën “budallaqe” dhe kërkon falje publikisht

    Një ngjarje e pazakontë ka tronditur konkursin “Miss Universe”, pasi një grup konkurrentesh kanë bojkotuar një nga aktivitetet zyrtare në shenjë solidarizimi me Miss Meksikën. Bojkoti erdhi pas një përplasjeje të ashpër publike midis përfaqësueses meksikane Fátima dhe drejtuesit të konkursit, i cili e qortoi atë duke e akuzuar për “mungesë respekti”.

    Victoria Theilvig, fituesja daneze e edicionit të kaluar, u largua nga ceremonia e vendosjes së shamive në hotelin e delegateve në Bangkok, Tajlandë, pas kritikave të ashpra që drejtori Nawat Itthipong e drejtoi ndaj Fátimës para dhjetëra pjesëmarrëseve.

    Pamjet që po qarkullojnë online tregojnë momentin kur Nawat përpiqet të arsyetojë deklaratat e tij, duke thënë:

    “Jam njeri. Nuk kam dashur të bëj diçka të tillë.”

    Më pas, ai kërkoi falje publikisht për incidentin:

    “Nuk kam pasur qëllim të lëndoj askënd sepse i respektoj të gjithë. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo. Së pari, dua t’u kërkoj falje të gjitha konkurrenteve. Nëse dikush u ndje e prekur apo e pasigurt nga ajo që ndodhi, më vjen sinqerisht keq.”

    Faljet e tij erdhën vetëm një ditë pas përplasjes së bujshme me Miss Meksikën, gjatë një eventi paralajmërues të konkursit.

    Sipas raportimeve, drejtori e veçoi publikisht përfaqësuesen e Meksikës duke e kritikuar pse nuk kishte marrë pjesë në një xhirim me sponsorët:

    “Meksika, ku je? Kam dëgjuar që nuk do të mbështesësh asgjë që ka të bëjë me Tajlandën. A është e vërtetë?” – i tha ai, përpara se ta quante “budallaqe”.

    Situata u përshkallëzua kur ai e ndërpreu përsëri me ton të lartë, ndërsa Fátima iu përgjigj:

    “Kam një zë. Nuk po më respekton si grua.”

    Në pamjet e publikuara në Facebook-un zyrtar të Miss Universe Thailand, Nawat shihet teksa e urdhëron sigurinë ta largojë përfaqësuesen e Meksikës nga hoteli. Në atë moment, disa konkurrente të tjera u ngritën dhe u bashkuan me të në shenjë revolte.

    “Të poshtërosh një vajzë tjetër – kjo është më shumë se mungesë respekti. Kështu që po marr pallton time dhe po largohem”, deklaroi Victoria Theilvig, 21 vjeçe, e cila i printe grupit të vajzave që u larguan nga ceremonia.

    Pamjet nga incidenti janë bërë virale në rrjetet sociale, ku mijëra përdorues kanë përgëzuar qëndrimin e Victorias dhe Miss Meksikës, duke e quajtur “momentin më fuqizues në historinë e Miss Universe”.

  • Kurti paralajmëron skenar të ri: Qeveri e përkohshme deri në prill, ose zgjedhje në dhjetor

    Kurti paralajmëron skenar të ri: Qeveri e përkohshme deri në prill, ose zgjedhje në dhjetor

    Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga Gjakova ka lëshuar një mesazh të qartë për partitë opozitare, duke theksuar se është më e favorshme për shtetin që të votohet Glauk Konjufca për kryeministër, sesa të shkohet sërish në zgjedhje.

    Kurti ka kërkuar bashkëpunim nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma, duke theksuar se zgjedhja është në duart e tyre: “Meqenëse nuk i mora 61 votat e nevojshme, dhamë propozimin (Glauk Konjufcën mandatar për formimin e Qeverisë) pa vonesë, me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit, dhe opozita e ka në dorë ta zgjedh rrugën e mëtutjeshme, ose Kurti 2.5 drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose Konjufca 1 drejt zgjedhjeve në prill, cilado prej tyre për neve është e pranueshme, por le të bashkëpunojmë e të ecim përpara. Ne fituam zgjedhjet, por më shumë se zgjedhjet duam ta formojmë qeverinë, ne kemi 48 deputetë, dhe kemi më shumë deputetë se PDK e LDK bashkë”, ka deklaruar Kurti për TV Syri në Gjakovë.

    Sipas tij, Kosova do të përfitonte më shumë nëse Kuvendi do ta votonte Glauk Konjufcën për kryeministër, për të mundësuar një qeveri të përkohshme që do të miratonte buxhetin për vitin 2026.

    “Për Republikën e Kosovës është më e favorshme të votohet Glauk Konjufca, dhe ta kemi një qeveri që e voton buxhetin, buxhetin për RTK-në, buxhetin për Prishtinën, Gjilanin e Zubin Potokun, dhe të shkojmë në zgjedhje në prill, për shkak se me kaq vështirësi 61 numra, për zgjedhje apo rizgjedhje të presidentit i kemi vështirë t’i bëjmë 80 deputetë në sallë, prandaj më mirë është ta kemi një qeveri afatshkurtër deri në muajin prill, por këtë nuk e vendosim vet, këtë e ka në dorë opozita. Është një ofertë gjeneroze, sepse së pari u zëvendësua Albulena Haxhiu me Dimal Bashën, dhe tani unë me Glauk Konjufcën, vetë ne kemi lëvizuar, ndërsa kemi fiksim dhe bllokim dhe njëlloj refuzimi as të logjikshëm as racional nga ana e subjekteve opozitare”, ka theksuar ai.

  • E luta Kurtin si vëlla për 100 euro, s’na dha, tash premton pagë të 13-të!

    E luta Kurtin si vëlla për 100 euro, s’na dha, tash premton pagë të 13-të!

    Mosprocedimi i Ligjit për buxhetin e vitit 2026 mund të sjellë pasoja të mëdha për qindra mijëra qytetarë. Krahas afro 100 mijë të punësuarve në institucione publike, pa të ardhura mund të mbesin 210 mijë pensionistë, mbi 16 mijë përfitues të skemave sociale, 21 mijë persona me aftësi të kufizuara, 37 mijë veteranë dhe më shumë se 12 mijë familje të dëshmorëve e invalidëve të punës.

    Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Ekonomia Online, e ka quajtur situatën shqetësuese dhe stresuese për mësimdhënësit, duke ironizuar premtimin e qeverisë për pagën e 13-të.

    “Askush nuk ka pritur se do të ndodhë kështu që të kemi një zvarritje kaq të gjatë për krijimin e institucioneve që kanë dalë me votën e shkurtit. Ajo që mund të them për SBASHK është se kërkesat janë shtuar, por ne nuk kemi ku t’i adresojmë pasi që nuk kemi parlament, as më keq, nuk kemi qeveri dhe e keqja më e madhe se nuk ka kush ta votojë ligjin për pagat e vitit 2026… nëse për lojërat që i bën dikush në politikë na mbesin punëtorët pa paga në vitin e ardhshëm, kjo do të ishte problem i madh,” ka deklaruar Jasharaj.

    Sipas tij, mosmiratimi i buxhetit rrezikon të lërë pa paga mbi 84 mijë punëtorë të sektorit publik, përfshirë 30 mijë e më shumë nga arsimi.

    Nëse nuk gjendet një zgjidhje, Jasharaj e cilëson këtë si “goditje të rëndë për sektorin publik”.

    Ai e quajti “ironike” situatën me premtimin e pagës së 13-të, duke rikujtuar kërkesën e tij ndaj Kurtit për 100 euro shtesë për mësimdhënësit:

    “Del ironike ai premtimi për pagën e 13-të me ligjin e pagave të vitit 2026. Kurtin e kam lutur edhe si vëlla edhe si kryeministër të na japë ato 100 euro, e nuk na jepte, e si mund të presim tani që do të na japë një pagë të 13-të? Është një pagë shumë më e madhe se ai 100 që ia kërkonim ne. Të gjithë kemi mbetur me pikëpyetje. Urojmë që të mos na ndodhë që në vitin e ardhshëm punëtorët të mbesin pa paga…”

    Jasharaj paralajmëron se situata është në prag të krizës sociale, ndërsa kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe miratimin e buxhetit për të shmangur një kolaps financiar.

    “Sektori i arsimit që nga çerdhet deri në universitet e kalon shifrën prej 30 mijë të punësuar… Tërë këto familje i kanë këto pikëpyetje: çka nëse mbesin pa paga?… Nuk kemi as Ministri të Arsimit ngase zonja Nagavci është bërë deputete, as nuk kemi qeveri dhe kemi ngelur pa bërë dialog. Jemi plot strese e shqetësime. Kërkesat janë të shumta, por kanë mbetur pa u realizuar në mungesë të vullnetit, edhe kur ishte Qeveria Kurti, por edhe tani që është në detyrë,” ka shtuar ai.

  • Burri shkon për të marrë gruan dhe fëmijët, Prokuroria me detaje të reja për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

    Burri shkon për të marrë gruan dhe fëmijët, Prokuroria me detaje të reja për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet A.I., i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 6 nëntor në fshatin Golluboc të Komunës së Malishevës.

    Në kërkesën e paraqitur në Gjykatën Themelore të Gjakovës, Prokuroria thekson se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.I., në rrethana familjare, ka privuar nga jeta dy vëllezërit D.M. dhe N.M., të cilët janë vëllezërit e bashkëshortes së tij.

    Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:25, kur i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e familjes së bashkëshortes së tij për t’i marrë atë dhe fëmijët, të cilët ndodheshin atje për shkak të ceremonisë së varrimit të babait.

    Gjatë momentit të largimit, pas një fjalosjeje, i dyshuari ka shtënë disa herë me pistoletë të llojit TT, fillimisht ndaj D.M., e më pas ndaj N.M., duke i lënë të dy të vdekur në vend.

    Pas krimit, i pandehuri ka hedhur armën dhe është larguar nga vendngjarja, ndërsa viktimat janë dërguar në QKMF-në e Kijevës pa shenja jete.

    Prokuroria njofton se A.I. është arrestuar të nesërmen dhe se ndaj tij është ngritur dyshim i bazuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i të njëjtit Kod.

    Aktualisht, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa gjykata pritet të vendosë për kërkesën e paraburgimit.

  • Kurti shpërthen ndaj Vuçiçit: Serbia duhet sanksionuar nga BE dhe NATO

    Kurti shpërthen ndaj Vuçiçit: Serbia duhet sanksionuar nga BE dhe NATO

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas rrëmbimit dhe plagosjes së një qytetari serb me shtetësi kosovare në Leposaviq, rast që dyshohet të jetë kryer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.

    Në një deklaratë për media, Kurti ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se ka nisur përndjekjen e serbëve të integruar në institucionet e Kosovës, duke i quajtur veprimet e Serbisë si agresive dhe hegjemoniste.

    “Fqinji ynë verior, përveç se është agresor është edhe agresiv. Vazhdimisht bën sulme, kërcënime e provokime. Së fundmi është e qartë që Serbia është dorëzuar para Republikës së Kosovës dhe para shqiptarëve. Ajo tash i ka në shënjestër serbët të cilët janë integruar në Kosovë, që punojnë për të mirën e komunitetit serb, dhe të cilët nuk i kanë librezat e partisë së presidentit të Serbisë, Vuçiq atje,” deklaroi Kurti.

    Shefi në detyrë i qeverisë theksoi se Serbia është orientuar kah Kremlini, ndërsa Kosova kah vlerat perëndimore.

    “Kosova dhe Serbia janë dy shtete fqinje. Kosova është shtet demokratik, me paqe e siguri, me ligjshmëri dhe rend publik, ndërkaq Serbia është shtet autokratik, armiqësor, i orientuar kah veri-lindja, pra nga Kremlini, dhe gjithashtu me aspirata ekspansioniste e hegjemoniste në Ballkan. Ne jemi të orientuar kah Perëndimi, kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja,” shtoi ai.

    Nga veriu i Mitrovicës, Kurti kërkoi që Bashkimi Evropian dhe NATO të vendosin sanksione ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon.

    “Është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare, e posaçërisht Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, t’i bëjnë trysni Beogradit ta vendosin Serbinë nën sanksione, sepse ajo po i lufton serbët në Kosovë të cilët dëshirojnë të jetojnë në paqe e në liri, për të cilët jemi garant ne si qeveri e Republikës – meqenëse unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, por edhe i të tjerëve përfshirë serbët që janë rreth 4% të popullsisë në Kosovë,” deklaroi Kurti.

    Kryeministri në detyrë pati edhe një thirrje direkte për serbët në katër komunat veriore që të bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës.

    “Kushtetutshmëria, ligjshmëria, paqja e siguria, rendi publik do të jenë cep më cep Republikë sonë, tërë kohën për të gjithë, pa dallim për inat të askujt, por për të mirën publike e qytetare. Andaj edhe organet e Kosovës, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë social, do të jenë pranë gjithë qytetarëve, pa diskriminuar apo favorizuar askënd,” u shpreh Kurti për Tëvë1.

    Ndërkohë, rasti i rrëmbimit të Milan Vukasinoviqit më 1 nëntor në Leposaviq është duke u hetuar nga organet e rendit në Kosovë.

  • Brad Pitt padit Angelina Jolie për 35 milionë dollarë, çfarë fshihet pas luftës ligjore Jolie–Pitt?

    Brad Pitt padit Angelina Jolie për 35 milionë dollarë, çfarë fshihet pas luftës ligjore Jolie–Pitt?

    Angelina Jolie ka zbuluar se beteja e gjatë ligjore me ish-bashkëshortin Brad Pitt për kantinën e verës Château Miraval po e rrënon emocionalisht dhe fizikisht. Këtë e tregojnë emaile të saj të brendshme, të publikuara së fundmi si pjesë e dosjeve gjyqësore.

    Sipas dokumenteve të siguruara nga USA Today, në një email të majit 2021, ylli i filmit Maleficent i shkruante menaxherit të saj financiar:

    “Duhet t’i largoj të gjitha streset. Sinqerisht ndjej sikur po sëmurem nga meraku. Do të doja të flisnim për një mbështetje më të mirë. Dhe të mos vazhdojmë marrëdhënie që ti i sheh se më shkaktojnë stres.”

    Në të njëjtin email, ajo përmend edhe vëllain e saj, James Haven:

    “Situata financiare si ajo me Jamie, ku unë vetëm jap e jap dhe nuk marr as edhe një ‘faleminderit’… është thjesht e gabuar.”

    Në dokumente përfshihet edhe një email i nëntorit 2023, i dërguar nga avokatët e Jolie-t, të cilin ekipi ligjor i Pitt-it e ka paraqitur në gjykatë më 29 tetor, sipas People. Në të, ata i referohen një padie të supozuar prej 35 milionë dollarësh kundër aktores 50-vjeçare:

    “Natyrisht, barra e çdo procesi është rezultat i veprimeve të z. Pitt – ai po e padit znj. Jolie për 35 milionë dollarë dëmshpërblim. Si pasojë, ai duhet të përballojë kostot për të prodhuar dokumentet që do të tregojnë (ose jo) këto dëme.”

    Një tjetër email, i tetorit 2023, sipas tyre, konfirmon se Pitt po kërkon “dëmshpërblime të vazhdueshme për dëme të pretenduara ndaj operimit të Miraval-it.”

    Po në këtë korrespondencë, ekipi i Jolie-t i referohet edhe asaj që e përshkruan si:

    “Refuzimin e vazhdueshëm të Pitt-it për të dorëzuar dokumente mbi arsyet pse i duhej një NDA (marrëveshje mos-zbulimi) katërvjeçare që mbulon sjelljen e tij personale.”

    Sipas tyre, këto dokumente janë “në zemër të çështjes” dhe “duhet të dorëzohen.”

    Sipas USA Today, depozitimi i fundit prej 286 faqesh në gjykatën e Los Anxhelosit është pjesë e përpjekjes së avokatëve të Pitt-it për të marrë kopjet e email-eve të Jolie-t të lidhura me shitjen e aksioneve të saj në Miraval në vitin 2021.

    Ekipi i Angelina Jolie-t ka kërkuar sekret profesional avokat-klient dhe ka refuzuar t’i dorëzojë.

    Brad Pitt, 61 vjeç, e ka paditur ish-bashkëshorten në vitin 2022, duke pretenduar se ajo ka shitur pjesën e saj të kantinës në kundërshtim me një marrëveshje të supozuar mes tyre, që ndalonte shitjen pa miratimin e tjetrit.

    Jolie, nga ana tjetër, mohon ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë dhe e ka kundërpaditur Pitt-in, duke e akuzuar për një “luftë hakmarrëse” ndaj saj.

    Aktorja pretendon se Pitt refuzoi të blinte pjesën e saj në Miraval pasi ajo nuk pranoi të nënshkruante një NDA, që do t’ia ndalonte të fliste për një incident të rëndë të ndodhur në një fluturim privat në vitin 2016.