ATV

Author: K.B.

  • Mbahet sot samiti i parë ndërqeveritar mes Italisë dhe Shqipërisë në Romë

    Mbahet sot samiti i parë ndërqeveritar mes Italisë dhe Shqipërisë në Romë

    Italia dhe Shqipëria zhvillojnë sot në Romë një samit të përbashkët ndërqeveritar, që pritet të shënojë një hap të ri në marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve. Pala italiane ka theksuar se ky samit synon të ndërtojë një bashkëpunim më të strukturuar dhe afatgjatë me Tiranën, duke planifikuar një qasje më të gjerë dhe më strategjike në raportet dypalëshe.

    Marrëveshja kryesore që pritet të nënshkruhet është konceptuar për të krijuar një kuadër të qëndrueshëm dhe të rregullt bashkëpunimi, që përfshin fusha të gjera: nga ekonomia dhe infrastruktura, te mbrojtja, siguria, energjia dhe mjedisi, deri te inovacioni, shëndetësia dhe trajnimi profesional.

    Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të përbashkët që Italia dhe Shqipëria po marrin në rajon — si një qendër kyçe për lidhjen e energjisë dhe infrastrukturës me Evropën. Ndër projektet prioritare që do të diskutohen është Korridori VIII Evropian, i cili do të lidhë Detin Adriatik me Detin e Zi, duke e bërë Shqipërinë një nyje të rëndësishme në rrjetin energjetik dhe transportues të kontinentit.

    Sipas mediave italiane, marrëveshjet teknike që do të firmosen do të fokusohen në rritjen e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes, energjisë dhe shëndetësisë, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve për mbrojtjen civile, mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, luftën kundër trafikut të drogës dhe bashkëpunimin në projektimin dhe trajnimin e muzeve.

    Italia mbetet partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë, me një vëllim tregtar që tejkalon 3 miliardë euro dhe një pjesë tregu prej 20%.

    Ndërkohë, Protokolli Itali–Shqipëri po shihet si një model inovativ për menaxhimin e çështjeve të migracionit, duke tërhequr interes gjithnjë e më të madh nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së.

  • Miratohet komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve, PDK votoi kundër

    Miratohet komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve, PDK votoi kundër

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin për krijimin e komisionit rreth procesit zgjedhor të 9 nëntorit në Mitrovicë të Jugut.

    Ishin vetëm dy anëtarët e PDK-së në KQZ që votuan kundër krijimit të komisionit, derisa 9 vota ishin pro miratimit të formimit të tij.

    Në këtë komunë, të hënën ishte ndërprerë numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit, nën dyshimin për manipulim dhe keqpërdorim të votave.

    Derisa sot, në mbledhjen e KQZ-së, kryetari i këtij komisionit, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se PZAP ka kërkuar përgjigje për fletëvotimet specifike, që sipas kompanisë CETIS, që shtypi fletëvotimet për zgjedhjet lokale në Kosovë, kishte pasur gabime në shtyp.

    Sipas Radoniqit, KQZ mund të ia japë këto përgjigje PZAP-së, vetëm nëse hapen kutitë në Mitrovicë, për çka dhe u votua komisioni.

  • Reagojnë prindërit e Memli Krasniqit pas dorëheqjes së tij nga posti i kryetarit të PDK-së

    Reagojnë prindërit e Memli Krasniqit pas dorëheqjes së tij nga posti i kryetarit të PDK-së

    Profesori dhe shkrimtari i njohur, Milazim Krasniqi, babai i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dorëheqjes së të birit nga drejtimi i partisë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka ndarë dy fotografi – njërën nga fëmijëria e Memlit dhe një tjetër të tanishme, ku shfaqen së bashku.

    Reagimi i profesorit vjen pak orë pasi Memli Krasniqi njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të PDK-së, duke e cilësuar si një hap reflektimi dhe përgjegjësie për t’i hapur rrugë një fryme të re brenda partisë.

    Në imazhin e fundit, babë e bir shihen të përqafuar, në një moment familjar që ka ngjallur reagime të shumta dhe komente mbështetëse në rrjete sociale.

  • Dorëheqja e Memli Krasniqit, vjen reagimi i Ramiz Lladrovcit

    Dorëheqja e Memli Krasniqit, vjen reagimi i Ramiz Lladrovcit

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas dorëheqjes së Memli Krasniqit si kryetar i PDK-së. Lladrovci ka përshëndetur këtë vendim, duke e konsideruar të pritshëm, dhe ka paralajmëruar se kryetari i ardhshëm i partisë do të jetë Bedri Hamza, shkruan Reporteri.net.

    “Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi, do përshëndetet, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza”, ka shkruar Lladrovci.

    Ai ka shtuar se të qenit lider i PDK-së është një përgjegjësi e madhe. “Të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit. Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës! Të jesh lider i Partisë Demokratike të Kosovës do të thotë të jesh shtetformues e shtetndërtues, gjithëpërfshirës e përbashkues, trim dhe i drejtë, largpamës e vizionar, burrështetas dhe lider në fjalë e vepra. Suksese të mëtejme parti e liderëve tanë të luftës dhe paqes, suksese PDK!”.

  • Bedri Hamza Ud i kryetarit të PDK-së

    Bedri Hamza Ud i kryetarit të PDK-së

    Bedri Hamza nga sot është UD i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Periskopi.

    Këtë e ka konfirmuar Memli Krasniqi përmes një konference për medie pasi konfirmoi dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të PDK.

    Krasniqi kishte marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës në qershor të vitit 2021.

    Dorëheqja e Krasniqit vie në një moment shumë të rëndësishëm politik në mbarë vendin.

    Vendimi për dorëheqjen e tij erdhi pas diskutimeve të bëra në kuadër të kryesisë së partisë.

  • Çfarë po ndodh në Bresje? Policia nis hetimet pas raportimeve për shpërthim në shkollë

    Çfarë po ndodh në Bresje? Policia nis hetimet pas raportimeve për shpërthim në shkollë

    Një situatë e pazakontë ka ndodhur sot në një shkollë në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, pas një njoftimi për një shpërthim të mundshëm, që ka alarmuar autoritetet.

    Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë pas pranimit të informatës, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke ndërmarrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për mediat se ekipi policor është aktiv në terren.

    “Rreth orës 14:30 është pranuar një informatë për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në një shkollë në Bresje të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë ajo.

    Sipas të dhënave të para, nuk raportohet për persona të lënduar, por hetimet janë në zhvillim.

  • Memli Krasniqi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së

    Memli Krasniqi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së

    Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Krasniqi jep dorëheqje nga drejtimi i PDK-së, pas zhvillimeve të fundit dhe diskutimeve me bashkëpunëtorët në parti.

    Krasniqi largohet nga ky post drejtues në PDK, pas një mandati prej 5 vitesh.

    Krasniqi kishte marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës në qershor të vitit 2021.

    Dorëheqja e Krasniqit vie në një moment shumë të rëndësishëm politik në mbarë vendin.

    Pas ndryshimeve të shumta anembanë vendit në kuadrin politik, Krasniqi vendosi që të jap dorëheqje nga një prej partive më të rëndësishme politike në Kosovë.

    Vendimi për dorëheqjen e tij erdhi pas diskutimeve të bëra në kuadër të kryesisë së partisë.

  • Ushtari i FSK-së akuzohet për përdhunim në Angli, BBC zbulon detajet e rastit

    Ushtari i FSK-së akuzohet për përdhunim në Angli, BBC zbulon detajet e rastit

    Një ushtar nga Kosova, i cili ndihmonte në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për sulm seksual në Britani.

    Sipas raportimit të BBC, bëhet fjalë për Bali Hoxhën, 28 vjeç, me shërbim në kampin Tofts Camp në Thetford, Norfolk, i cili është akuzuar për përdhunim dhe dy raste të sulmit seksual ndaj një gruaje.

    Në aktakuzë thuhet se ngjarja e dyshuar ka ndodhur më 17 shtator, rreth orës 23:30, në një shtigje midis rrugës “Prince of Wales” dhe parkut “Riverside Retail Park”.

    Aktualisht, Hoxha ndodhet në paraburgim, pasi Gjykata e Kurorës në Norwich ka vendosur ta mbajë aty deri në gjykimin e caktuar për 7 prill të vitit të ardhshëm, proces që pritet të zgjasë pesë ditë.

    Gjatë seancës, gjykatës iu bë e ditur se tre dëshmitarë do të kenë nevojë për përkthyes, ndërsa ka të ngjarë që ata të jenë të dislokuar në Kosovë në kohën e gjykimit.

    Sipas gjykatës, Ushtria e Kosovës do t’i lirojë për të marrë pjesë në seancë.

  • Përfundon numërimi i votave në Mitrovicë

    Përfundon numërimi i votave në Mitrovicë

    Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës.

    Procesi është zhvilluar gjatë ditës nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe dy hetuesve policorë të caktuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas vendimit për rifillimin e numërimit të ndërprerë të hënën për shkak të dyshimeve për manipulim me fletëvotime.

    Procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime.

    Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

    Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime.

    PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik.

    Shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve të tilla, ndërkohë e ka kërkuar shoqëria civile. Eugen Cakolli, është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se fletëvotimet të cilat nuk përputhen me kodin e vendvotimit ku është votuar duhet të shpallen të pavlefshme.

    Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje.
    Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.

  • “Kurti fuqizon partneritetin Kosovë–Turqi: TİKA premton projekte që prekin jetën e qytetarëve”

    “Kurti fuqizon partneritetin Kosovë–Turqi: TİKA premton projekte që prekin jetën e qytetarëve”

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren. Tema kryesore e bisedës ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe projektet zhvillimore që TİKA po mbështet në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Të dy palët vlerësuan rezultatet konkrete në arsim, shëndetësi, zhvillim rural, bujqësi dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke theksuar rëndësinë e tyre për përmirësimin e shërbimeve publike dhe fuqizimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.

    Kryeministri Kurti theksoi se Kosova çmon partneritetin me Turqinë dhe kontributin e TİKA-s në projekte që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.

    Nga ana e tij, Abdullah Eren konfirmoi përkushtimin e TİKA-s për të vazhduar dhe zgjeruar programet mbështetëse, duke punuar ngushtë me institucionet qendrore dhe komunale për projekte të shpejta, të qëndrueshme dhe me ndikim të matshëm.

    U dakordua gjithashtu krijimi i një koordinimi më të afërt mes ekipeve, me fokus tek investimet në infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore, mbështetja e ndërmarrjeve rurale dhe projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.