ATV

Author: K.B.

  • Dy zyrtarë akuzohen për keqpërdorim të milionave në projektin e lapidarëve

    Dy zyrtarë akuzohen për keqpërdorim të milionave në projektin e lapidarëve

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza lidhet me projektin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë të Suharekës.

    Sipas aktakuzës, nga data 20.10.2023 e në vazhdim, të pandehurit A.E. dhe L.G., duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshoj projektin dhe të realizoj punët që nuk kanë qenë në projekt duke ndryshuar projektin gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues, ndërsa e pandehura e dytë L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejte, i ka pranuar të gjitha këto shkelje të menaxherit të kontratës, me qëllim që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik duke konfirmuar me nënshkrimin e tyre të dhënat e pa vërteta për pagesën e vlerës prej 41.270.00 € si dhe për përfundim të punimeve të datës 22.12.2023 në vlerë prej 7.377.20 € edhe pse nuk është realizuar asnjë punim në ndërtimin e lapidarit në fshatin Studenqan, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

    Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, dhe ndaj personave zyrtar të shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, bëhet e ditur në njoftim.

  • Mediat urdhërohen që të largohen nga seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh

    Mediat urdhërohen që të largohen nga seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh

    Një zhvillim i papritur ka ndodhur sot gjatë seancës gjyqësore ndaj Bedri Shabanit, i akuzuar për spiunazh. Trupi gjykues ka kërkuar që të gjitha mediat të largohen nga salla, duke urdhëruar që brenda të qëndrojnë vetëm personat e domosdoshëm për procedurën.

    Gjatë seancës, Gjykata ka kontaktuar me Qendrën e Paraburgimit në Gjilan për të marrë informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit. Përmes një kërkese zyrtare me email, është kërkuar sqarim nga mjekët e qendrës, dhe sipas përgjigjes së marrë, Shabani më datë 11.11.2025 është paraqitur për konsultë te mjeku i burgut, ku i është rekomanduar terapi dhe konsultë te specialistët përkatës.

    Megjithatë, pasi përgjigjja u konsiderua e mangët, Gjykata ka kontaktuar sërish me njësinë përkatëse për të konfirmuar nëse Shabani është vizituar sot nga mjeku. Nga përgjigja e dytë ka rezultuar se i akuzuari është vizituar dhe se parametrat e tij shëndetësorë janë brenda vlerave normale.

    Gjykata ka kërkuar që kjo përgjigje të dërgohet me shkrim dhe aktualisht është në pritje për ta dokumentuar. Ndërkohë, trupi gjykues ka bërë të ditur se nuk do të publikohen shqetësimet e ngritura nga Shabani “për momentin”.

    Avokati i të akuzuarit, Besnik Berisha, ka kërkuar që mediat të largohen nga salla dhe që çështja të trajtohet pa publicitet. Nga ana tjetër, prokurori ka theksuar se “ne jemi juristë dhe nuk jemi mjekë, prandaj nuk ka nevojë që në këtë fazë të elaborohet çështja e diagnozës”, duke ia lënë vendimin në diskrecion të gjykatës.

    Pas konsultimeve, trupi gjykues ka marrë vendim për përjashtimin e mediave nga seanca, ndërsa çështja po vazhdon me publikun e kufizuar.

  • E mashtruar, e kërcënuar dhe e lënë pa rrugëdalje, zbulohen detaje tronditëse për vdekjen e Daorsa Spahijës, 24-vjeçares nga Gjakova

    E mashtruar, e kërcënuar dhe e lënë pa rrugëdalje, zbulohen detaje tronditëse për vdekjen e Daorsa Spahijës, 24-vjeçares nga Gjakova

    “Studente shembullore, njeri i dashur dhe e rritur në mirëqenie familjare”, kështu e përshkruan një mik i saj, Daorsa Spahijën, 24-vjeçaren që u gjet e vdekur javën e kaluar në Tetovë.

    Miku i saj, që në rrjetet sociale njihet si “Zhubi the goat”, ka publikuar një video me rrëfime prekëse nga jeta e të ndjerës, e cila – sipas tij – dyshohet se i dha fund jetës për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve nga i dashuri i saj 31-vjeçar.

    Sipas këtij rrëfimi, Daorsa nuk kishte qenë në dijeni se i dashuri i saj ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.

    “Hevzi Sejdiu, 31-vjeçar, njihet si kriminel në Maqedoni. Edhe pse kishte grua dhe tre fëmijë, ai u përfshi në jetën e Daorsës pa i treguar të vërtetën. E prezantoi madje edhe te familja e tij, deri në momentin kur u zbulua gjithçka. Hevzi Sejdiu u lirua disa muaj më parë për trafikun e dhjetëra armëve. Po të ishte në burg, sot Daorsa do të ishte gjallë”, – shprehet shoku i saj.

    Në rrëfimin e tij, miku i të ndjerës shton se Daorsa do të duhej të diplomonte më 13 nëntor, por nuk arriti ta bënte, sepse, sipas tij, “një kriminel e kishte mashtruar dhe e kishte shkatërruar psikologjikisht”.

    “Ai nuk tregoi që ka familje. E përfshiu në jetën e tij dhe kur u kuptua e vërteta, e kërcënoi, e shantazhoi dhe ia mori dokumentacionin. Ajo nuk kishte zgjidhje, as ku të shkonte. As policia nuk ishte opsion për të. Dy vite lidhje, dy vite vuajtje dhe gjendje e rënduar mendore”, – tha Zhubi.

    24-vjeçarja, bija e ish-ushtarit të UÇK-së Arbër Spahija, u varros më 7 nëntor në varrezat e qytetit të Gjakovës, duke lënë pas dhimbje të madhe në familje dhe miq.

    Lidhur me këtë rast që ka tronditur opinionin publik, Prokuroria Themelore në Tetovë ka njoftuar se janë intensifikuar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndonëse deri më tani, sipas tyre, “të dhënat e para nuk tregojnë për vepër penale”.

  • Ekspertët zbulojnë: Po e dëmtoni trupin tuaj duke përdorur deodorantin “gabim”

    Ekspertët zbulojnë: Po e dëmtoni trupin tuaj duke përdorur deodorantin “gabim”

    Era e keqe e trupit është një nga frikërat më të mëdha që kemi, por sipas ekspertëve, shpesh nuk është faji i deodorantit apo antidjersitit që përdorni, por mënyra e gabuar si e aplikoni atë.

    Ne djersitemi për një arsye specifike — djersa ndihmon në detoksifikim dhe në ruajtjen e temperaturës së trupit. Megjithatë, nëse përpiqeni ta ndaloni plotësisht këtë proces natyral, mund të dëmtoni mekanizmat e detoksifikimit të trupit tuaj.

    Edhe pse dushi i përditshëm është thelbësor për higjienën, studimet tregojnë se përdorimi i sapunëve dhe antidjersitësve të ashpër mund të shkaktojë efekt të kundërt, duke çuar në erë të keqe të trupit.

    Ekspertët rendisin disa nga gabimet më të zakonshme që bëjmë me deodorantin:

    Aplikimi i sasisë minimale
    Një lëvizje e shpejtë nuk mjafton. Duhet të aplikoni një shtresë të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë zonën e sqetullave dhe gjëndrat e djersës.

    Koha e gabuar e aplikimit
    Shumica e njerëzve e përdorin deodorantin në mëngjes, por ekspertët këshillojnë ta aplikoni në mbrëmje, kur prodhimi i djersës është më i ulët.

    Përdorimi i të njëjtit produkt për shumë kohë
    Nëse deodoranti juaj i preferuar ka humbur efektin, trupi mund të ketë zhvilluar rezistencë ndaj tij. Kjo mund të nxisë shtimin e mikrobeve dhe për pasojë, erën e keqe.

    Mungesa e eksfolimit
    Nëse depiloni sqetullat por nuk bëni eksfolim, qimet e rritura nën lëkurë mund të bllokojnë poret, duke mbledhur papastërti dhe bakterie që shkaktojnë erë.

    Ekspertët theksojnë se kujdesi i duhur personal dhe aplikimi korrekt i deodorantit janë çelësi për të shmangur erën e pakëndshme të trupit.

  • Apple prezanton iPhone Pocket, aksesorin që po bëhet hit në rrjet

    Apple prezanton iPhone Pocket, aksesorin që po bëhet hit në rrjet

    Apple dhe dizajneri japonez Issey Miyake kanë sjellë në treg një surprizë që po bën bujë në botën e teknologjisë – “iPhone Pocket”.
    Ky aksesor inovativ, i frymëzuar nga koncepti i “një cope tulle”, kombinon stilin ikonik të markës me funksionalitetin e përditshëm, duke e kthyer telefonin në një element mode më vete.

    iPhone Pocket ka një ndërtim unik prej rrjete 3D, i projektuar për t’iu përshtatur çdo përmase të iPhone dhe artikujve të vegjël të xhepit. I lindur nga ideja e krijimit të një “xhepi shtesë”, dizajni minimalist e mbledh plotësisht telefonin, duke u zgjeruar për të mbajtur objekte të tjera të përditshme.

    Kur shtrihet, pëlhura prej rrjete zbulon në mënyrë delikate përmbajtjen e saj, duke u lejuar përdoruesve të shohin ekranin e telefonit. iPhone Pocket mund të vishet në disa mënyra – në dorë, i lidhur me çantë, apo si “cross body”, ngjashëm me një çantë të vogël.

    Ai vjen në dy variante, me modelin me rrip të shkurtër të disponueshëm në tetë ngjyra (limon, mandarinë, vjollcë, rozë, pavone, safir, kanellë dhe të zezë), me çmim 149,95 dollarë.

    Ndërkohë, më shumë se një muaj pas prezantimit të serisë së re të iPhone 17, Apple ka arsye për të festuar.

    Sipas raportit të kompanisë analitike Counterpoint, shitjet e modeleve të reja kanë tejkaluar pritshmëritë, duke shënuar një rritje prej 14% krahasuar me serinë e mëparshme iPhone 16.

    Në vetëm 10 ditët e para të disponueshmërisë në Kinë dhe SHBA, kërkesa për iPhone 17 është rritur ndjeshëm, veçanërisht për modelet premium iPhone 17 Pro dhe 17 Pro Max, të cilat kanë regjistruar një rritje prej rreth 12% në shitje.

    Por surpriza më e madhe vjen nga iPhone 17 bazë, i cili është 31% më i kërkuar sesa paraardhësi i tij. Edhe iPhone Air po performon më mirë se iPhone 16 Plus, duke treguar se seria e re ka goditur në shenjë.

    Analistët e Counterpoint theksojnë një prirje interesante: shumë nga blerësit e rinj janë ata që kanë blerë iPhone për herë të fundit gjatë periudhës së COVID-19, duke treguar se cikli i përditësimeve po rifillon me fuqi.

  • Pas moshës 30 vjeç këto ushqime janë armiku juaj më i madh

    Pas moshës 30 vjeç këto ushqime janë armiku juaj më i madh

    Ushqimi i tepërt mund të shkaktojë sëmundje në çdo moshë, por pas të 30-tave, trupi ynë bëhet gjithnjë e më pak i aftë për të përballuar ushqime të pashëndetshme. Ekspertët paralajmërojnë se është koha të filloni të kujdeseni që tani për atë që hani, sepse disa produkte “të zakonshme” mund të jenë më të dëmshme sesa mendoni.

    Këto janë ushqimet që duhet t’i ndaloni menjëherë pas të 30-tave, sipas specialistëve të shëndetit:

    Kosi me fruta – Edhe pse duket si zgjidhje e shëndetshme dhe praktike, kosët me fruta që gjenden në supermarkete përmbajnë sasi alarmante sheqeri, shpesh më shumë se ajo që duhet konsumuar gjatë një dite të tërë.

    Soja – Një tjetër përbërës që shpesh promovohet si i shëndetshëm, por në fakt mund të jetë po aq i dëmshëm sa mishi që përpiqeni ta zëvendësoni. Sipas ekspertëve, soja mund të ndikojë në funksionin e tiroides dhe imiton estrogjenin në trup, ndaj nuk rekomandohet për fëmijët në rritje.

    Peshqit e kultivuar – Deri në 70% të peshkut që gjeni në treg vjen nga kultivimi. Ata ushqehen me antibiotikë dhe ushqime të ngjyrosura artificialisht, për t’i bërë të duken më të freskët dhe të shëndetshëm sesa janë në të vërtetë.

    Buka e bardhë – E preferuara e fëmijërisë, por armiku i shëndetit të rriturve. Përmbajtja e saj është pothuajse pa vlera ushqyese, pasi substancat që i japin ngjyrën e bardhë heqin vitaminat dhe mineralet që ndodhen natyrshëm në grurë.

    Mjekët këshillojnë që ndryshimi i zakoneve ushqimore pas të 30-tave është thelbësor për të shmangur sëmundje kronike dhe probleme metabolike.

  • Superylli botëror në pranga, Akon arrestohet në SHBA

    Superylli botëror në pranga, Akon arrestohet në SHBA

    Një nga emrat më të njohur të muzikës botërore, Akon, është vënë në pranga në Georgia (SHBA) pas një urdhër-arresti të lëshuar jashtë shtetit, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

    Sipas mediave amerikane, këngëtari 52-vjeçar, me emrin e vërtetë Aliaune Thiam, u ndalua nga Policia e Chamblee mëngjesin e 7 nëntorit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në Roswell, New Mexico.

    Të dhënat zyrtare tregojnë se ylli i hitit “Locked Up” u transferua menjëherë në burgun e Qarkut DeKalb, ku qëndroi rreth gjashtë orë pas hekurave, përpara se të lirohej.

    Një përfaqësues i Zyrës së Sherifit të Qarkut DeKalb konfirmoi për TMZ:

    “Akon u arrestua për një urdhër aktiv jashtë qarkut, por tashmë është liruar.”

    Në fotot nga momenti i ndalimit, artisti shihet me bluzë të zezë me kapuç dhe pa shumë shprehje në fytyrë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur arsyet e urdhër-arrestit. Hetimet në Roswell vazhdojnë, ndërkohë që përfaqësuesit e Akon nuk kanë dhënë ende asnjë koment zyrtar.

    Akon, i njohur për superhit-et “Lonely”, “Smack That” dhe “I Wanna Love You”, është pesë herë i nominuar për çmimin Grammy dhe ka bashkëpunuar me Eminem, Snoop Dogg dhe Lady Gaga.

    Vitet e fundit, artisti është fokusuar në projekte filantropike dhe zhvillim ekonomik në Afrikë, përmes iniciativës “Akon Lighting Africa”, që ka sjellë energji diellore në mijëra komunitete.

    Ai është gjithashtu themelues i projektit futuristik “Akon City” në Senegal – një qytet prej 4.7 miliardë paundësh, i quajtur nga mediat si “Wakanda e jetës reale”. Megjithëse ndërtimi ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2023, projekti aktualisht ka ngecur, dhe terreni mbetet ende i pazhvilluar.

  • Pas 10-vjetësh, Zayn Malik rikthehet në “One Direction”

    Pas 10-vjetësh, Zayn Malik rikthehet në “One Direction”

    Pas më shumë se dhjetë vitesh larg grupit që e bëri të famshëm në mbarë botën, Zayn Malik thuhet se është rikthyer te One Direction.

    Këngëtari ishte larguar nga grupi në vitin 2015 për të ndjekur karrierën e tij solo, periudhë gjatë së cilës marrëdhëniet mes tij dhe ish-anëtarëve – Harry Styles, Louis Tomlinson, Niall Horan dhe Liam Payne – ishin ftohur dukshëm.

    Por duket se gjërat kanë ndryshuar. Mediat britanike raportojnë se pas vdekjes së Liam-it vitin e kaluar, Zayn është “në kontakt” me pjesën tjetër të grupit dhe madje është rikthyer si drejtor biznesi në kompaninë e tyre “PPM Music Limited”.

    Burime pranë grupit kanë bërë të ditur se Zayn, i cili pritet të fillojë punën në Las Vegas në janar, po përgatit disa surpriza për fansat që tashmë janë në pritje të madhe për një ribashkim historik.

  • Tre persona të zhdukur në dy komuna të Kosovës brenda 24 orëve të fundit

    Tre persona të zhdukur në dy komuna të Kosovës brenda 24 orëve të fundit

    Dy raste të zhdukjeve janë evidentuar në raportin 24 orësh të policisë, me gjithsej tre persona për të cilët nuk dihet se ku janë.

    Rasti i parë është raportuar në Obiliq më 11 nëntor ku është zhdukur një burrë.

    “Obiliq 11.11.2025-17:20. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se viktima mashkull kosovar është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij”, thuhet në raportin e policisë.

    Policia njofton se në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti, për të cilin kane filluar të zhvillohen hetime.

    Ndërkaq, pasditen e së martës dy persona të tjerë janë raportuar të zhdukur në Kamenicë.

    “Kamenicë 11.11.2025-13:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy viktimat femra kosovare janë larguar nga shtëpia dhe nuk di asgjë për vendndodhjen e tyre”.

    Bëhet e ditur se edhe ky rast ka shkuar në procedurë hetimore.

  • Prangoset një grua për keqtrajtim të fëmijëve, njëri prej tyre kërkon ndihmë mjekësore

    Prangoset një grua për keqtrajtim të fëmijëve, njëri prej tyre kërkon ndihmë mjekësore

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Ferizajt, ku një grua është arrestuar nga policia nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

    Sipas raportit zyrtar, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 5 nëntor, ndërsa bëhet fjalë për më shumë se një fëmijë.

    “Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimave kosovarë,” ka bërë të ditur policia.

    Po ashtu, njëri nga fëmijët ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore.

    “Njëri nga viktimat ka pranuar tretman mjekësor, kurse me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje,” thuhet në njoftim.

    Hetimet për rastin janë në vazhdim.