ATV

Author: K.B.

  • LDK paralajmëron zgjedhje në fund të dhjetorit: Data 28 nuk është e mirë

    LDK paralajmëron zgjedhje në fund të dhjetorit: Data 28 nuk është e mirë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, në një konferencë për media tha se grupi parlamentar i LDK-së nuk do të votojë për asnjë lloj qeverie dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

    Zogaj theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt nga ana e mandatari të dytë për formimin e Qeverisë.
    “Nuk kemi informacion që është kontaktuar dikush prej anëtarëve të grupit tonë për formimin e Qeverisë. Po shohim qasje të njëjtë me mandatarin e parë, ai nuk ka pasur interes me i kriju institucionet, njëjtë po sillet edhe mandatari i dytë”, tha ai.

    Sipas tij, procesi politik po zvarritet pa arsye dhe do të përfundojë me një “shou politik”.
    “Do të shkojmë deri në ditën e fundit, do të ketë shou politik, s’do të ketë vota dhe pastaj do ta caktojmë datën e zgjedhjeve”, u shpreh Zogaj.

    Deputeti i LDK-së shtoi se afatet zgjedhore janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë dhe se zgjedhjet pritet të mbahen në fund të dhjetorit.
    “Afatet zgjedhore janë afate kushtetuese. Ato e përcaktojnë edhe datën e zgjedhjeve që me gjasë del të jetë fundi i dhjetorit”, tha ai.

    Megjithatë, Zogaj theksoi se data e 28 dhjetorit nuk është e përshtatshme për shkak të festave të fundvitit.
    “Data e 28 dhjetorit s’është datë e mirë për zgjedhje, sepse janë festat e fundvitit. E kemi të vështirë me i organizua zgjedhjet. Nuk është datë ideale, por nëse afatet kushtetuese e kërkojnë, LDK është e gatshme për zgjedhje”, deklaroi ai.

    Zogaj gjithashtu u shpreh i kënaqur me rezultatin e LDK-së në zgjedhjet lokale:
    “Ne jemi të lumtur me rezultatin zgjedhor, na qet parti fituese në shumë aspekte. Kemi fituar Prishtinën”, tha ai.

    Në fund, Zogaj shtoi se zgjidhja e vetme për ngërçin politik në të cilin ndodhet vendi janë zgjedhjet.
    “Zgjidhja e vetme e këtij ngërçi politik që na ka futur LVV janë zgjedhjet, dhe ajo sa më parë të jetë e mundur”, përfundoi Zogaj.

  • Kosova renditet si vendi me nivelin më të ulët të krimit në Ballkan

    Kosova renditet si vendi me nivelin më të ulët të krimit në Ballkan

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e të Gjitha Formave të Krimit të Organizuar Transnacional, më 10 nëntor është publikuar raporti “Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025”, i cili e rendit Kosovën si vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Ky indeks, i publikuar nga organizata Global Initiative Against Transnational Organized Crime, mat përhapjen e krimit të organizuar dhe rezistencën e shteteve ndaj tij, duke vlerësuar fusha si trafiku i drogës, i qenieve njerëzore dhe krimi kibernetik, si dhe aftësinë institucionale për t’i luftuar këto forma të krimit përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Sipas rezultateve për vitin 2025, Kosova vlerësohet me mesatare prej 4.85 pikësh në një shkallë nga 1 deri në 10, duke zënë vendin e parë në rajon për nivelin më të ulët të krimit dhe numrin më të vogël të viktimave në aksidentet fatale.

    Policia e Kosovës thekson se kontribut kyç në këtë arritje kanë dhënë lidershipi dhe zyrtarët e saj, përmes planeve zhvillimore strategjike dhe objektivave të qarta në luftimin e të gjitha formave të krimit, që kanë prodhuar rezultate të qëndrueshme ndër vite.

  • Balotazhi përfundoi, këta kandidatë po përgatiten të betohen si deputetë të Kuvendit

    Balotazhi përfundoi, këta kandidatë po përgatiten të betohen si deputetë të Kuvendit

    Kosova, që nga fillimi i këtij viti, ka kaluar një vit plot zgjedhje: në muajin shkurt u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në tetor zgjedhjet lokale, ndërsa më 9 nëntor u zhvillua balotazhi në 18 komuna. Edhe në fund të këtij viti, pritet që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

    Në balotazhin e 9 nëntorit, sipas rezultateve të KQZ-së, të cilat ende nuk janë certifikuar, në komunën e Mitrovicës së Jugut u shpall fitues Faton Peci, ndërsa në Obiliq fitues doli Halil Thaçi. Të dy janë aktualisht deputetë të Kuvendit.

    Sipas renditjes, pas Pecit dhe Thaçit, në ulësen e Kuvendit pritet të vijë Vigan Qorrolli, i cili sipas listës së publikuar nga KQZ ka marrë 16,631 vota.

    I dyti kandidat i VV-së, që pritet të betohet, është Taulant Kelmendi me 16,424 vota. Kelmendi humbi zgjedhjet për kryetar të komunës, ku mori 12,478 vota ose 38.87%.

    Ndryshe, në rast se Kelmendi dhe Qorrolli bëhen deputetë të Kuvendit, ulëset e tyre në parlament mund të jenë të përkohshme, pasi fundi i vitit pritet të sjellë zgjedhje të jashtëzakonshme.

  • AAK: Në asnjë rrethanë nuk kemi votë për Glauk Konjufcën

    AAK: Në asnjë rrethanë nuk kemi votë për Glauk Konjufcën

    Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka përjashtuar çdo mundësi që deputetët e partisë së tij të votonin Glauk Konjufcën për kryeministër.

    Brahimaj tha se propozimi i Glauk Konjufcës për mandatar është një skenar i Albin Kurtit për të zvarritur krijimin e institucioneve:

    “Propozimi i Glauk Konjufcës për mandatar është mashtrimi i radhës i Albin Kurtit për blerje kohe. Në asnjë rrethanë Glauk Konjufca nuk është i interesuar që të marrë as 57 vota e lëre më 61 vota. Kështu që Kurti nuk është person që e duron që një kolegë të marrë vota më shumë se ai. Kështu që kjo është vetëm për blerje kohe dhe mashtrim për të vazhduar me zhvatjen e institucioneve pa llogaridhënie dhe pa një Parlament. AAK-ja në asnjë rrethanë nuk ka votë për Konjufcën dhe ashtu siç janë deklaruar edhe partitë tjera nuk kanë gatishmëri për të votuar Konjufcën. Të gjithë janë deklaruar pas takimit me presidenten se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet,” tha Brahimaj.

  • Nga Merjemi në Maria: Teologia heq shaminë dhe rrëfen krizën e besimit

    Nga Merjemi në Maria: Teologia heq shaminë dhe rrëfen krizën e besimit

    Në kulmin e karrierës së saj publike, Merjemi u përfshi në përplasje të hapura me imamë të tjerë, mes tyre edhe me Ahmed Kalanë. Ajo kritikonte përsëritjen mekanike të predikimeve, mungesën e thellësisë dhe shpesh i kundërvihej atyre që përpiqeshin ta “disiplinonin” si grua.

    Një video që u bë virale, ajo deklaronte: “Një grua e la burrin se ishte më pak i bukur se shokët e tij.”

    Deklaratë që u keqinterpretua dhe u mor si provokim, duke e kthyer shpejt në objekt talljeje dhe sulmesh. Pasuan akuza se kishte përfituar para nga besimtarët, se kishte blerë shtëpi me to, apo se kishte dalë nga rregulli fetar. Merjemi mohoi çdo gjë, por vala e mllefit publik ishte më e madhe se çdo fjalë mbrojtëse. Kur vendosi të largohej nga rrjetet sociale, ajo tha se e bënte për paqe, për të mos u bërë shkak për përçarje. Megjithatë, as atëherë nuk gjeti qetësi:

    “Mendoja se Islami ishte feja e paqes, por për mua rezultoi feja e dhunës dhe e luftës karshi meje si individ.”

    Pas tërheqjes, Merjemi përjetoi një vit të mbushur me kriza identiteti dhe emocionale të rënda, përfshirë depresion, vetmi dhe pyetje të dhimbshme që shumë besimtarë mund t’i kenë menduar, por pak kanë guxim t’i thonë:

    “Kam menduar se Zoti më do, kam menduar se jam në shërbim të Tij, por pse Zoti nuk më mbrojti nga gjithë kjo dhimbje? Pse Zoti më la të shkatërrohem?”

    Këto pyetje nuk janë blasfemike për psikikën e një individi, por thellësisht njerëzore. Ajo përshkruan veten si dikush që ka bërë gjithçka “siç duhet”: është falur më shumë se kushdo, ka bërë dhikr, ka edukuar fëmijët e saj në besim, dhe megjithatë Zoti nuk e ka mbrojtur. Ky është momenti ku ndodh ajo që psikologjia moderne e quan “traumë fetare”, përplasja midis besimit të mësuar dhe përvojës së jetuar.

    Merjemi nuk ka braktisur Zotin, por përkufizimin e Zotit që i dhanë njerëzit:

    “Jam duke e kërkuar rrugën për tek Zoti njëjtë siç e ka kërkuar Ibrahimi alejhi selam, duke e gjetur vetë, pa e mësuar nga askush dhe nga asgjë.”

    Rrëfimi i saj është një reflektim i fortë mbi hipokrizinë e komuniteteve fetare dhe lidhjen e ngushtë midis besimit, identitetit dhe pritshmërive shoqërore. Historia e Marias tregon se ndonjëherë, devotshmëria dhe ritualet nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur individin nga dhimbja dhe padrejtësia.

    Në fund, ajo nuk ka humbur besimin në Zot, por kërkon një Zot që nuk të braktis, një përvojë të drejtpërdrejtë dhe autentike, larg ndërhyrjes së njerëzve dhe rregullave të tyre.

  • NASA anulon misionin për në hapësirë për shkak të një “stuhie diellore” që po i afrohet Tokës

    NASA anulon misionin për në hapësirë për shkak të një “stuhie diellore” që po i afrohet Tokës

    NASA ka vendosur të anulojë misionin hapësinor të planifikuar, për shkak të dyshimeve se një stuhi diellore e fuqishme po i afrohet Tokës. Sipas studimeve, kjo stuhi pritet të jetë ndër më të fuqishmet e 20 viteve të fundit dhe mund të shkaktojë probleme në sistemin GPS të anijes hapësinore, si dhe në sistemet e komunikimit.

    Sky News raporton, duke iu referuar Shërbimit Gjeologjik Britanik (BGS), se stuhi diellore tashmë ka filluar të ndikojë në komunikime dhe navigim satelitor.

    Kompania Blue Origin e Jeff Bezos-it kishte planifikuar të lëshonte sot raketën New Glenn, e cila do të transportonte dy anije hapësinore “ESCAPADE” të NASA-s drejt Marsit. Shtyrjen e misionit e konfirmoi vetë Blue Origin në X, duke deklaruar: “New Glenn është gati për lëshim. Megjithatë, për shkak të aktivitetit diellor veçanërisht të lartë dhe ndikimeve të mundshme në anijen ESCAPADE, NASA shtyn lëshimin derisa të përmirësohen kushtet në hapësirë.”

    NASA shpjegon se një stuhi diellore përbëhet nga shpërthime të grimcave, energjisë dhe fushave magnetike që hidhen nga Dielli dhe mund të shqetësojnë fushën magnetike të Tokës.

  • Turqia pezullon përkohësisht fluturimet e aeroplanëve C-130 pas rrëzimit që i mori jetën 20 anëtarëve të bordit

    Turqia pezullon përkohësisht fluturimet e aeroplanëve C-130 pas rrëzimit që i mori jetën 20 anëtarëve të bordit

    Turqia ka pezulluar përkohësisht fluturimet e të gjithë aeroplanëve të saj ushtarakë C-130 si masë paraprake, tha ministria e Mbrojtjes të enjten, pas një rrëzimi në Gjeorgji që mori jetën e të gjithë 20 personelit ushtarak në bord.

    Aeroplani i mallrave po fluturonte nga Azerbajxhani për në Turqi kur u rrëzua në komunën Sighnaghi të Gjeorgjisë, pranë kufirit me Azerbajxhanin, të martën. Shkaku i rrëzimit është ende duke u hetuar.

    Personeli ushtarak ishte pjesë e një njësie përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe riparimin e aeroplanëve turq F-16, që kishin fluturuar për në Azerbajxhan për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores në vend.

    Ministria e Mbrojtjes tha se fluturimet e C-130 u pezulluan përkohësisht për t’i lejuar aeroplanit t’i nënshtrohej inspektimeve të hollësishme teknike.

    Vetëm ata që kalojnë me sukses kontrollet do të lejohen të rifillojnë fluturimin, tha ministria në një deklaratë.

    Aeroplanët ushtarakë të mallrave C-130 Hercules të prodhuar në SHBA, përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të Turqisë për transportimin e personelit dhe trajtimin e operacioneve logjistike.

    Ankaraja dërgoi një ekip hetimor aksidentesh për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

    Ministria tha se regjistruesi i të dhënave të fluturimit dhe regjistruesi i të dhënave të zërit në kabinën e pilotit të aeroplanit, u dërguan në Turqi dhe po shqyrtohen.

    Aeroplani u ble nga Arabia Saudite në vitin 2012 dhe u shtua në inventarin e Forcave Ajrore të Turqisë në vitin 2014 pas mirëmbajtjes.

    Më vonë iu nënshtrua modernizimit dhe kishte qenë në përdorim që nga viti 2022.

    Mirëmbajtja e tij më e fundit e planifikuar u përfundua më 12 tetor, tha ministria.

    Mbetjet e aeroplanit u shpërndanë në vende të shumta dhe mbetjet e viktimës së 20-të u gjetën të enjten.

    Funeralet do të mbahen pasi mbetjet të kthehen në Turqi dhe të përfundojnë autopsitë.

  • Pamje ekskluzive, Mercedes GLB i ri çmend fansat me interierin e tij luksoz

    Pamje ekskluzive, Mercedes GLB i ri çmend fansat me interierin e tij luksoz

    Para premierës së gjeneratës së re të modelit GLB, e cila është planifikuar për 8 dhjetor, nga Stuttgarti kanë mbërritur disa foto që zbulojnë se si duket brendësia e njërit prej modeleve më praktike të Mercedesit.

    Gjashtë vjet pas prezantimit të gjeneratës së parë të modelit GLB, i cili mund të shihet si pasardhësi i modelit GLK, Stuttgart është gati të prezantojë gjeneratën e dytë të njërit prej modeleve më praktikë të fshehur pas yllit me tre cepa.

    Mercedes nuk hoqi dorë nga rreshti i tretë i vendeve, kështu që blerësit e GLB-së së re, nëse dëshirojnë një konfigurim të tillë, do të mund të mbështeten përsëri në shtatë vende, gjë që nuk është një ofertë e zakonshme në kategorinë në të cilën vendoset GLB.

    Fotot e publikuara nuk zbulojnë asnjë detaj mbi karrocerinë, por ato zbulojnë një interier të ri, në të cilin shfaqen tre ekrane të mëdha me rezolucion të lartë. Mercedes nuk harroi të theksojë se ekrani para pasagjerit është pjesë e pajisjeve opsionale.

    Gjithashtu, mund të shihet një çati panoramike e zbukuruar me yje të shumtë të ndriçuar. Pajisjet opsionale përfshijnë gjithashtu dy vende të veçanta në rreshtin e tretë, pasi GLB do të dorëzohet si standard me pesë vende, dhe me vendet e palosshme në rreshtin e dytë, hapësira e bagazhit rritet ndjeshëm.

    Mercedes ende nuk i ka zbuluar specifikimet teknike, por GLB e re pritet të fuqizohet nga opsionet elektrike dhe konvencionale (SUS) të ofruara së bashku me CLA-në e re.

    Nuk ka kuti ingranazhesh manuale, por është shumë më e rëndësishme që transmisioni përmes të dy boshteve (4Matic) të mbetet në histori.

  • U fjalosen gjatë orarit të punës, IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Prizren

    U fjalosen gjatë orarit të punës, IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Prizren

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policor në Prizren.

    Kjo pasi, sipas IPK-së të dyshuarit janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin gjatë orarit të punës.

    “Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me një incident të ndodhur në Prizren e ku ishin përfshirë dy zyrtarë policorë. Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se zyrtarët policorë janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri tjetrin që dyshohet të ketë ardhur pas një fjalosje gjatë orarit të punës. Pas këtyre veprimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Prizren”, njoftoi IPK.

    IPK thotë se sjelljet e këtilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e profesionalizmit që kërkohen nga një zyrtar policor.

  • Rama dhe Meloni firmosin marrëveshje historike, Shqipëria hyn në një fazë të re me Italinë

    Rama dhe Meloni firmosin marrëveshje historike, Shqipëria hyn në një fazë të re me Italinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ai dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, kanë finalizuar shkëmbimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Italisë mbi bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve.

    Ky zhvillim shënon mbledhjen e parë të përbashkët ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Italisë, një hap që Rama e cilëson si historik në marrëdhëniet dypalëshe.

    “Romë – Shkëmbimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë mbi bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen e zgjuar”, ka shkruar Rama.

    Ky format bashkëpunimi ndërqeveritar (G2G) shihet si një risi që do të thellojë partneritetin strategjik midis Tiranës dhe Romës në disa sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e të dy vendeve.