ATV

Author: K.B.

  • Si identifikohen gjurmët e gishtërinjve nga skena e krimit?

    Si identifikohen gjurmët e gishtërinjve nga skena e krimit?

    Dy ekspertë e Divizionit të Daktiloskopisë nga Agjencia e Forenzikes, Flurim Sahitaj dhe Avni Dragobuzhda, e kanë kaluar me sukses testin ndërkombëtar profesional “Latent Print Processing”, duke treguar sukses maksimal ndër gati 100 shtete pjesëmarrëse. Aftësitë të cilat i dëshmojnë çdo ditë në shërbim të zbardhjes së krimeve në Kosovë, i sjellim në reportazhin në vazhdim.

    Armë, gëzhoja të plumbit, njolla të gjakut, e shenja të gishtërinjve, pista që hetuesit i ndjekin për ta zbardhur krimin.

    Megjithatë, pa ndihmën e ekspertëve nga Agjencia e Forenzikes, provat vështirë se mund t’i dalin në krah drejtësisë.

    Krim perfekt pa asnjë gjurmë nuk ka, dhe eksperti Flurim Sahitaj është gjithnjë i gatshëm që ta dëshmojë këtë konstatim të njohur në botën e krimit.

    Divizioni i Daktiloskopisë në Agjencia e Kosovës për Forenzikë është habitati i tij i punës.

    Puna nis në momentin që provat arrijnë në laborator, vendi i gjurmës lokalizohet, pastaj nis dokumentimi.

    “Pas vendosjes së provave dhe testit, e shohim e vendosim sasinë e ujit që është e nevojshme edhe e vendosim në këtë formën e aluminit e vendosim këtë enën e aluminit këtu, ku vendoset cianokrilati…”, ka deklaruar Flurim Sahitaj – Ekspert Forenzik për Daktiloskopi.

    I gjithë procesi zgjatë 45 minuta.

    ‘Së pari bëhet nxemja është me parametra e rregulluar nxehja e ajrit, pastaj nxehja e cianokliratit apo super ngjitësit, dhe në fund bëhet ajrosja…”, ka theksuar Sahitaj.

    Secila nga tri fazat e do kohën e saj, të paktën 15 minuta.

    Më pas, gjurmët procesohen, dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, të dhënat përcillen për në databazën kryesore.

    “…dhe si e tillë kjo mund të krahasohet me kryerësit e veprave penale të cilët janë të skenuar dhe të regjistruar në databazën e afisit që ne i themi databaza e gjurmëve të gishtërinjve…”, ka deklaruar ai.

    Flurim Sahitaj bashkë me ekspertin tjetër, Avni Dragobuzhdën, në mesin e gati 100 shteteve, me sukses të jashtëzakonshëm e kaluan testin prestigjioz ndërkombëtar në fushën e daktiloskopisë “Latent Print Processing”.

    Ekspertët e Agjencisë së Forenzikes i nxorën me 100% sukses, gjurmët e gishtërinjve nga plastika, qeramika e metali, mjete pa pore që nuk e thithin gjurmën, por tek të cilat gjurma e kryerësit të krimit mbetet nga gishtërinjtë që djersiten.

  • Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin që tentoi të vriste djalin e tij

    Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin që tentoi të vriste djalin e tij

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit D.B., i cili akuzohet për “vrasje të rëndë në tentativë” dhe “posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në njoftim thuhet se D.B. dyshohet se muaj më parë ka tentuar t’i marrë jetën djalit të tij. Ai u arrestua më 14 nëntor dhe, me vendim të prokurorit, ndodhet në mbajtje.

    Autoritetet po kërkojnë që ai të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim për shkak të rrezikut dhe natyrës së rëndë të veprës.

  • Vulosen rezultatet në 18 komuna: Kush dhe sa vota i fitoi?

    Vulosen rezultatet në 18 komuna: Kush dhe sa vota i fitoi?

    Në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tashmë janë publikuar votat me postë nga diaspora për 18 komunat që ishin në garë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

    Sipas këtyre të dhënave, Lidhja Demokratike e Kosovës me Bexhet Xheladinin në Dragash, ka marrë më së shumti vota nga diaspora për një kandidat.

    Xheladini, që është rikonfirmuar si kryetar i kësaj komune, ka marrë plot 873 vota nga diaspora.

    Në vend të dytë është sërish një kryetar i LDK-së: Ruzhdi Shehu i Junikut, ka siguruar gjithsej 573 vota.

    Vendin e tretë e ka zënë Alban Hyseni në Gjilan, me 535 vota, ndërsa i katërti dhe i pesti renditen Ardian Gjini i AAK-së në Gjakovë, me 396 vota, dhe Hajrulla Çeko nga Vetëvendosja në Prishtinë, me 395 vota.

    Në Suharekë, Bali Muharremaj ka marrë 383 vota, ndërsa Ardian Shala i LDK-së ka grumbulluar 311 vota.

    Në Prizren, Artan Abrashi i LVV-së ka siguruar 361 vota, ndërsa Agron Kuçi nga AAK në Junik ka marrë 355 vota. Faton Peci i VV-së në Mitrovicë ka grumbulluar 305 vota, ndërsa Zenun Elezaj i AAK-së në Klinë ka marrë 304 vota. Gazmend Muhaxheri i LDK-së në Pejë ka siguruar 303 vota, ndërsa Taulat Kelmendi i LVV-së në Pejë ka marrë 236 vota.

    Në Viti, Sokol Haliti ka marrë 234 vota, ndërsa Arbër Ismajli i LDK-së në Gjilan ka grumbulluar 208 vota.

    Në Kaçanik dhe Viti, dy kandidatë të LVV, Jeton Raka dhe Arsim Ademi, kanë marrë 276, respektivisht 317 vota.

    Shaban Shabani i PDK-së në Dragash ka siguruar 458 vota, ndërsa Shaqir Totaj në Prizren ka marrë 254 vota.

    Në Fushë-Kosovë dhe Obiliq, kandidatët e VV-së, që njëherësh edhe u shpallën kryetarë të rinj të këtyre komunave përkatëse, Halil Thaçi dhe Valon Prebreza, kanë marrë nga 70 vota, respektivisht 100.

    Ali Dula nga LVV në Rahovec ka marrë 260 vota.

    Ndërkohë, Xhafer Gashi i LDK-së në Obiliq ka marrë 20 vota nga Diaspora.

    Rezultatet e votave të diasporës nëpër parti

    Pas numërimit të votave nga diaspora, rezulton se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë numrin më të madh në këtë kategori, duke arritur një total prej 3,202 votash.

    Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me gjithsej 2,740 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e treta, duke grumbulluar 1,618 sosh.

    E Partia Demokratike e Kosovës është e fundit me 1,205 vota nga mërgata.

    Diaspora nëpër 18 komunat

    Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeko, ka marrë 70.16% të votave të mërgatës, duke grumbulluar gjithsej 395 vota, ndërsa kandidati i LDK-së, Përparim Rama, ka siguruar 29%, apo 168 vota.

    Derisa, te votat me kusht, Çeko mori 60.29%, ose gjithsej 82 vota, derisa Përparim Rama mblodhi 39.71%, apo 54 vota.

    E sipas rezultateve të përmbledhura, Rama ka fituar me 47,278 vota, apo 51,42%, në raport me Çekon me 44,665 vota apo 48,58%.

    Në Fushë-Kosovë, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, diaspora i ka dhënë 100 vota kryetarit të ri të Fushë-Kosovës Valon Prebrezës, apo 66,67%, kurse Besnik Osmanit të LDK-së, fiks përgjysmë më pak, pra 50 vota apo 33,33%.

    Sipas rezultateve të përmbledhura të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, Valon Prebreza është fitues i garës me 10,789 vota apo 55,12%, kurse Besnik Osmani ka 8,785 vota apo 44,88%.

    Në Obiliq, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka fituar 77.78% të votave nga diaspora, duke marrë gjithsej 70 vota nga 90-të, shkruan Klankosova.tv.

    Ndërsa, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Gashi, ka siguruar 22.22% të votave, ose 20 vota gjithsej. Sipas rezultateve të përmbledhura në faqen e KQZ-së, Thaçi ka siguruar 51,28% ose 6,529 vota, kurse Gashi 48,72% ose 6,202 vota.

    Në Suharekë, Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, kryetari i cili fitoi edhe mandatin e tretë në Suharekë, Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka arritur të marrë 383 vota apo 55.19% nga me postë.

    Ndërsa kundërkandidati i tij Ardian Shala nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ardian Shala ka marrë 311 vota apo 44.81%.

    Sa i përket rezultateve të përmbledhura Muharremaj ka siguruar në total 12,036 vota (55,34%), ndërsa, Shala 9,715 vota (44,66%)

    Në Mitrovicë, Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Faton Peci ka marrë 70.93% të votave, apo gjithsej 305 prej tyre, transmeton Klankosova.tv.

    Arian Tahiri nga ana tjetër ka grumbulluar 125 vota nga mërgata, apo 29.07%. Bazuar në rezultatet e përmbledhura të KQZ-së, Faton Peci ka fituar Mitrovicën me 18.235 vota, duke mposhtur kështu Arian Tahirin e PDK-së, i cili siguroi gjithsej 15.743 vota.

    Në Junik, Ruzhdi Shehu ka vulosur fitoren e tij në Junik, pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës, me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta.

    Në garën e 9 nëntorit, Shehu mposhti Agron Kuçin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, transmeton Klankosova.tv. Si në rezultatet preliminare, ashtu dhe diaspora vendosën që Shehu i LDK-së të ketë kryesinë e Junikut. Ai grumbulloi gjithsej 2037 vota, apo 57.38%, derisa kundërkandidati i tij plot 1513 vota.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve a numëruar 100% të votave të diasporës për Komunën e Gjakovës. Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka marrë 68% të votave, duke grumbulluar gjithsej 396 vota. Ndërsa kundërkandidati i tij, Ardian Gola, ka siguruar 31.25% të votave, ose 180 vota. Rezultati përmbledhës për këtë komunë: AAK 56.69% ose 17.627, dhe VV 43.31 ose 13, 467 .

    Në Viti, Sokol Haliti, kandidati i LDK-së për kryetar atje, ka arritur të mbajë epërsinë ndaj kundërkandiatit të tij nga LVV, Arsim Ademi, edhe pse ky i fundit mori më shumë vota nga diaspora. Nga rezultatet preliminare të KQZ-së, pas rundit të dytë, Haliti mbante një epërsi prej 199 votash ndaj Ademit. Bazuar në rezultatet e përmbledhura, Haliti ka siguruar 50,40% ose 8,622 vota. kurse Ademi 49,60% ose 8,486 vota.

    Në Prizren, bazuar në rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Artan Abrashi rrëmbeu 361 vota, apo 58.70%, duke lënë të dytin Shaqir Totajn, i cili grumbulloi 254 vota të diasporës, apo 41.30%, transmeton Klankosova.tv.

    Përmbledhja e votave për Prizren: PDK 53.42 ose 25, 523, ndaj VV-së 46.58 ose 22.252.

    Derisa, sipas të dhënave të shpallura në ueb-faqen e KQZ-së, nga balotazhi i mbajtur më 9 nëntor, kandidati i LDK-së për Pejën, Gazmend Muhaxheri, ka marrë 303 vota, ose 56.22% të votave të ardhura nga mërgata, kurse, ai i Lëvizjes Vetëvendosje siguroi 236 vota të diasporës ose 43,78%.

    Shifra e përmbledhur për këtë komunë është si në vijim: Gazmend Muhaxheri 61,09% (20,043 vota), Taulant Kelmendi 38,91% (12,766 vota).

    Në Gjilan, 535 mërgimtarë votuan për Alban Hysenine VV-së, derisa 208 prej tyre, sipas rezultateve të KQZ-së, votuan Arbër Ismajlin e LDK-së.

    VV-ja në Gjilan sipas rezultateve të përmbledhura fitoi: 61.25% ose 22.921, kurse LDK-ja, 38.75% ose 14.502.

  • Nora Istrefi sjell versionin e ri të hitit ‘Me Ritëm Do Vallëzoj’ të Eliza Hoxhës

    Nora Istrefi sjell versionin e ri të hitit ‘Me Ritëm Do Vallëzoj’ të Eliza Hoxhës

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Nora Istrefi, ka prezantuar projektin e saj më të ri muzikor, me titull “Me Ritëm Do Vallëzoj”, një këngë që premton të sjellë energji të lartë për publikun.

    Ky projekt përbën një rikrijim të njohur të këngës “Me Ritëm Do Të Vallzoj”, e vitit 2000 nga Eliza Hoxha, duke i dhënë asaj një frymë moderne dhe ritmike që i përshtatet stilit aktual të Nora Istrefit.

    Për realizimin e këtij projekti janë angazhuar disa nga emrat më të njohur të industrisë muzikore shqiptare.

    Muzika është punuar nga Eliza Hoxha, Enis Presheva dhe Claydee, ndërsa tekstin e këngës e kanë krijuar Memli Krasniqi dhe BimBimma.

    Videoklipi ka një dimension vizual atraktiv dhe plot energji.

    Me këtë këngë, Nora Istrefi synon të rikthejë atmosferën e muzikës ritmike të fillimviteve 2000, duke kombinuar elemente nostalgjike me tinguj modernë, të cilët pritet të bëjnë që publiku të vallëzojë dhe të shijojë ritmet e saj.

  • Nëna dhe dy fëmijë vdesin, babai intubohet, dyshohet se u helmuan pasi konsumuan midhje në Stamboll

    Nëna dhe dy fëmijë vdesin, babai intubohet, dyshohet se u helmuan pasi konsumuan midhje në Stamboll

    Familja Bocek, e cila kishte ngrënë midhje në Beşiktaş, Stamboll, dhe më pas qëndroi në një hotel në Fatih, u sëmur dhe u dërgua në spital.

    Para se nëna Çigdem dhe dy fëmijët të humbnin jetën, ndërsa babai Servet u intubua, janë publikuar pamje nga spitali ku ata morën ndihmë.

    Ngjarja ndodhi natën e kaluar në një hotel në Fatih, sipas mediave turke.

    Çifti, që kishte ardhur nga Gjermania për pushime, dhe fëmijët e tyre, 6-vjeçari Kadir dhe 3-vjeçarja Masal, u përkeqësuan gjatë natës dhe u dërguan menjëherë në spital.

    Pamjet tregojnë familjen duke mbërritur në spital me ankesa për marramendje dhe të vjella.

    Në to shihet babai duke folur në telefon, ndërsa nëna dhe fëmijët presin në zonën e pritjes.

  • Aktakuza për rezervat shtetërore, Hajdari: Siguria kombëtare ishte në rrezik

    Aktakuza për rezervat shtetërore, Hajdari: Siguria kombëtare ishte në rrezik

    Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndaj të cilës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për rastin e rezervave shtetërore, ka dalë sot në një konferencë për media për të sqaruar veprimet e ndërmarra gjatë menaxhimit të rezervave shtetërore.

    Hajdari ka theksuar se Prokuroria Speciale duhet të kishte marrë parasysh se tri herë procedurat e prokurimit për sigurimin e rezervave shtetërore kishin dështuar. Ajo ka theksuar rëndësinë e menjëhershme të sigurimit të rezervave, duke shtuar se shumë shtete kishin ndaluar eksportin.

    “Ishte jetike të siguroheshin rezervat shtetërore. Siguria kombëtare ishte në rrezik. Gjatë periudhës Shkurt-mars 2022, Ministria e Tregtisë s’ka mundur të realizojë asnjë ofertë me operatorë ekonomik, meqë shtetet tjera ndaluan eksportin. Si rezultat i 3 shpalljeve që rezultuan pa sukses për konsolidimin e rezervave dhe si rezultat i luftës në Ukrainë, si ministri miratuam kërkesën që të përjashtohen procedurat”, ka thënë Hajdari.

    Ministrja ka shtuar se shmangia nga procedurat lejohej edhe me ligj dhe ishte e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

    “Në kohë të luftës, ishte me rëndësi të mbronim sigurinë tonë kombëtare. Një procedurë e tillë ishte e paraparë dhe e lejuar me ligj”, ka përfunduar Hajdari.

  • Policia kërkon ndihmë për lokalizimin dhe arrestimin e këtyre 3 të rinjve nga Peja

    Policia kërkon ndihmë për lokalizimin dhe arrestimin e këtyre 3 të rinjve nga Peja

    Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përmes një komunikate për media ka kërkuar ndihmë në lokalizimin dhe gjetjen e tre të dyshuarve nga Peja.

    Policia në njoftim thotë se bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personave të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tyre, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.

    Personat e kërkuar janë:

    ISMET (Rexhep) KELMENDI i lindur me 09.09.2005 nё Pejё.

    VALTRIM ( Shefqet) KELMENDI i lindur me 28.02.2005 nё Pejё

    PREMTON (Megjid) BERISHA i lindur me 11.09.2005 nё Pejё

    Tё pandehurit janë tё kërkuar për veprat penale:

    Mbajtja nё pronёsi, kontroll apo posedim tё paautorizuar tё armёve

    Lëndim i lehtё trupor

    Kanosja

    Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:

    – 192 dhe 080019999 (pa pagesë)

    – 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë

    – E-mail adresa: [email protected]

  • Krasniqi thirrje për protestë në Strasburg më 16 nëntor: Të ngrihet zëri për drejtësi dhe dinjitet

    Krasniqi thirrje për protestë në Strasburg më 16 nëntor: Të ngrihet zëri për drejtësi dhe dinjitet

    Më 16 nëntor, në ora 13:00 në Strasburg do të mbahet protesta e radhës në mbështetje të UÇK-së.

    Mbështetje këtij organizimi i dha edhe ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se të dielën të gjitha rrugët çojnë në Strasburg, duke ju bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje.

    Postimi i plotë:

  • Nga 120 në 150 euro, Kurti njofton ekzekutimin e pensioneve

    Nga 120 në 150 euro, Kurti njofton ekzekutimin e pensioneve

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se sot janë ekzekutuar pensionet bazike dhe ato për personat me aftësi të kufizuara.

    Në një postim në Facebook, Kurti ka rikujtuar se qeveria e tij mori vendim për rritjen e pensioneve rreth dy javë më parë:

    “Nga ky muaj, pensioni minimal prej 120 euro bëhet 150 euro në muaj.”

    Ai shtoi: “Kurse sot me rritjen e paraparë janë ekzekutuar pensionet bazike dhe pensionet për personat me aftësi të kufizuara.”

    Sipas Kurtit, rritjen ekonomike dhe të buxhetit të shtetit po e rishpërndajmë me ata që kanë më së shumti nevojë.

  • Erëza Suka shkëlqen në “The Voice of Germany”, një hap afër gjysmëfinales

    Erëza Suka shkëlqen në “The Voice of Germany”, një hap afër gjysmëfinales

    Erëza Suka, vajza e ish-futbollistit të njohur të Ballkanit dhe Shkëndijës së Tetovës, Bekim Suka, po ngjitet me hapa të sigurt në skenën e muzikës gjermane. Me origjinë nga Suhareka, por e lindur e rritur në Perëndim, ajo po dëshmon talent të jashtëzakonshëm në spektaklin prestigjioz “The Voice of Germany”.

    Në paraqitjen e saj të fundit, Erëza bindi jurinë me interpretimin e fuqishëm dhe siguroi një vend vendimtar në garë. Sot, ajo përballet me një sfidë të re, e cila nëse e kalon me sukses, do ta dërgojë drejt gjysmëfinales së madhe.

    Në këtë fazë të garës mbeten vetëm 16 konkurrentë, përfshirë tetë këngëtarë të afirmuar me karrierë të konsoliduar, çka e bën garën edhe më të fortë.

    Mbështetja për Erëzën është rritur ndjeshëm, sidomos nga komuniteti shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporë, të cilët po e shohin atë si një përfaqësuese të denjë të talentit shqiptar në një prej skenave më të mëdha muzikore në Evropë.

    Sot në mbrëmje pritet performanca e saj vendimtare, që mund ta çojë një hap më afër finales së “The Voice of Germany”.