ATV

Author: K.B.

  • Kosova në epërsi të dyfishtë, sllovenët shënojnë autogol

    Kosova në epërsi të dyfishtë, sllovenët shënojnë autogol

    Kombëtarja e Kosovës ka dalur në epërsi të dyfishtë në kryeqytetin slloven, Lubjanë.

    “Dardanët” e Franco Fodës po fitojnë 2-0.

    Është Karnicnik që ka shënuar autogol, në minutën e 63-të.

    Kosova momentalisht ka dhjetë pikë të tubuara, teksa me këtë rezultat e siguron vendin e dytë dhe play-offin e Botërorit.

  • Gallapeni detyron Stojanoviqin të ndëshkohet me të kuq

    Gallapeni detyron Stojanoviqin të ndëshkohet me të kuq

    53′ Petar Stojanoviq është ndëshkuar me karton të kuq te Sllovenia. Ai mori të dytin të verdhë në minutën e 53-të.

    46′ Ka filluar pjesa e dytë mes Sllovenisë dhe Kosovës.

    45′ Kosova shkon në pushim mes pjesëve me avantazh 0-1 ndaj Sllovenisë.

    26′ Dy goditje të Kosovës, por njëra bllokohet nga mbrojtësi e tjetra pritet nga Jan Oblak.

    16′ Dy rivënie nga këndi për Kosovën, por nuk ka gol. Dardanët po e kërkojnë të dytin.

    6′ Kosova po avancon. Mërgim Vojvoda gjen Fisnik Asllanin dhe ky i fundit mposht portierin Jan Oblak.

  • Mediat ruse zbulojnë: Putini lidhje sekrete me konkurrenten e konkursit të bukurisë

    Mediat ruse zbulojnë: Putini lidhje sekrete me konkurrenten e konkursit të bukurisë

    Media investigative ruse “Proekt” ka publikuar një raport të ri që përmban pretendime mbi jetën private të presidentit rus Vladimir Putin. Sipas medias, Putin, i cili në atë kohë ishte 58 vjeç, dyshohet se ka pasur një marrëdhënie me Alisa Kharceva, një pjesëmarrëse në një kalendar të përgatitur nga lëvizja rinore “Nashi”, ndërsa ajo ishte ende një nxënëse e shkollës së mesme. Kremlini nuk ka komentuar mbi këto pretendime dhe asnjë prej tyre nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

    Sipas Proekt, Kharceva u përfshi në një kalendar festiv të përgatitur për ditëlindjen e Putinit, ku ajo paraqitej me pseudonimin “Zonjusha Prill”. Burime të paidentifikuara të cituara nga media pretendojnë se pas publikimit të kalendarit, një bashkëpunëtor i Putinit – ose sipas disa zërave brenda Nashit, vetë kryeministri i atëhershëm – e ka kontaktuar të renë, duke e ftuar në rezidencën zyrtare verore në Novo-Ogaryovo.

    Raporti pretendon se vizitat e saj në rezidencë ndodhnin dy herë në muaj dhe se ato organizoheshin gjatë periudhave kur partnerja e supozuar e Putinit, Alina Kabaeva, ishte jashtë Moskës. Pretendimet nuk janë mbështetur nga dokumente zyrtare dhe Proekt nuk ka publikuar prova të drejtpërdrejta të tyre. Kharceva u shfaq më pas në televizione ruse duke folur për kalendarin dhe, sipas Proekt, u promovua deri në finalen e konkursit “Miss Rusia”, i cili transmetohej në një kanal televiziv të kontrolluar nga shteti. Media sugjeron se kjo përparësi lidhej me afërsinë e supozuar me Putinin, megjithëse as organizatorët e konkursit dhe as Kremlini nuk kanë dhënë komente.

    Raporti shton se figura të lartë të Nashit janë përpjekur të përdorin kontaktet e saj të supozuara për të fituar influencë politike, por pa sukses. Më vonë, vizitat e Kharceva-s dyshohet se kanë pushuar, ndërsa Proekt pretendon se ajo ka marrë mbështetje për hyrje në MGIMO dhe për blerjen e një apartamenti në Moskë – pretendime që ajo i ka mohuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke deklaruar se zotëron një hipotekë.

    Sipas informacionit të publikuar, sot Kharceva është bashkëpronare e një zinxhiri studiosh luksoze solariumi. Raporti i Proekt vjen në një periudhë kur gjithnjë e më shumë vëmendje po i kushtohet jetës private të presidentit rus, i cili vetë ka deklaruar se nuk lejon ndërhyrje në çështjet e tij personale dhe i ka quajtur “fantazi erotike” përpjekjet për të spekuluar mbi to. As Kremlini, as Kharceva nuk kanë komentuar publikisht mbi akuzat e reja.

  • Tre zakone për t’u mbrojtur nga ftohjet dhe gripi gjatë dimrit

    Tre zakone për t’u mbrojtur nga ftohjet dhe gripi gjatë dimrit

    Kur moti ftohet, rritet rreziku i ftohjeve, viruseve dhe gripit. Për shumë njerëz, virozat duken të pashmangshme – veçanërisht për ata që punojnë në ambiente me rrezik të lartë ose kujdesen për fëmijë të vegjël pa shumë kujdes për higjienën.

    Megjithatë, një mjeke e ndihmës së parë ka treguar se është e mundur të qëndrosh i shëndetshëm edhe në këto kushte.

    Ella, aktive në TikTok, ka ndarë tre mënyra që përdor për të mbrojtur veten dhe familjen nga ftohjet gjatë vjeshtës dhe dimrit.

    Këshilla e parë: Hapni dritaret çdo ditë për 5-10 minuta.

    Sipas Ellas, ajrosja e shtëpisë është një hap i thjeshtë, por shumë i rëndësishëm për shëndetin.

    “Duhet të ajrosni shtëpinë. Hapni dritaret dhe lini të dalë ajri i ndenjur. Mjaftojnë pak minuta në mëngjes. Viruset e ftohjes dhe gripit qëndrojnë në ajër – ndaj lini të dalin jashtë dhe fusni ajër të pastër. Ajri i freskët është i shkëlqyer”, këshillon ekspertja.

    Këshilla e dytë: Lani duart.

    Ajo thekson se kujdesi ndaj higjienës personale, sidomos larja e duarve, është mënyra më e thjeshtë për të shmangur sëmundjet.

    “Nuk duhet ta them, por disa nuk i lani duart. Shkoni në tualet, nuk i lani, prekni gjithçka dhe pastaj fusni duart në gojë. Mënyra më e thjeshtë për të mos u sëmurë është të lani duart”, pohon ajo.

    Këshilla e tretë: Ushqehuni mirë.

    Ella nënvizon se ushqimi i shëndetshëm ndihmon ndjeshëm në forcimin e sistemit imunitar.

    “Rreth 70% e sistemit imunitar vjen nga zorra. Duhet të ushqeni bakteret e mira, të merrni vitamina dhe minerale që ta forconi imunitetin. Prandaj sistemi im është gjithmonë në formë”, shpjegon ekspertja.

  • Pse kanceri i tiroides po rritet me ritme alarmante në botë?

    Pse kanceri i tiroides po rritet me ritme alarmante në botë?

    Shkalla e kancerit të tiroides po rritet në disa pjesë të botës dhe më shpejt se format e tjera të kancerit. Pse?

    Shkalla e kancerit të tiroides po rritet me një shpejtësi më të madhe në SHBA sesa çdo kancer tjetër. Por çfarë fshihet pas kësaj epidemie misterioze?

    Gjëndra tiroide ndodhet në bazën e qafës, pak poshtë mollës së Adamit. Detyra e saj është të çlirojë hormone që rregullojnë rrahjet e zemrës, presionin e gjakut, temperaturën e trupit dhe peshën. Kanceri i tiroides ndodh kur qelizat brenda gjëndrës tiroide fillojnë të rriten dhe të ndahen në mënyrë të pakontrollueshme, duke formuar një tumor. Këto qeliza anormale mund të pushtojnë indet përreth dhe potencialisht të përhapen në pjesë të tjera të trupit.

    Edhe pse shumica e rasteve të kancerit të tiroides janë të shërueshme, ekspertët e shëndetit janë të shqetësuar nga shpejtësia me të cilën po rriten shkallët e sëmundjes. Sipas bazës së të dhënave të Mbikëqyrjes, Epidemiologjisë dhe Rezultateve Përfundimtare (SEER) – një sistem raportimi i kancerit në Shtetet e Bashkuara – incidenca e kancerit të tiroides në SHBA është më shumë se trefishuar midis viteve 1980 dhe 2016, duke u rritur nga 2.39 në 7.54 për 100,000 tek burrat dhe 6.15 në 21.28 për 100,000 tek gratë.

    “Kanceri i tiroides mbetet një nga të paktat kancere që ka qenë në rritje me kalimin e kohës, pavarësisht përparimeve në mjekësi”, thotë Sanziana Roman, kirurge endokrine në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko (UCSF).

    Pra, çfarë fshihet pas kësaj rritjeje të rasteve?

    Është e njohur prej kohësh se ekspozimi ndaj sasive të mëdha të rrezatimit jonizues në fëmijëri mund të shkaktojë kancer të tiroides. Në vitet pas aksidentit bërthamor të Çernobilit në vitin 1986, shkalla e sëmundjes u rrit ndjeshëm tek fëmijët në Bjellorusi, Ukrainë dhe Rusi. Një studim zbuloi se midis të mbijetuarve të bombës atomike japoneze, rreth 36% e rasteve të kancerit të tiroides që nga viti 1958 mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj rrezatimit në fëmijëri.

    Megjithatë, nuk pati fatkeqësi bërthamore në SHBA në vitet ’80 apo ’90, apo gjetkë, që mund të shpjegonin një rritje të tillë. Në fillim ekspertët u habitën, megjithatë më në fund u paraqit një shpjegim – a mund të “fajësohej” një diagnozë më e mirë?

    Në vitet 1980, mjekët filluan të përdorin për herë të parë ultrasonografinë e tiroides , një teknikë imazherie që përdor valët zanore për të krijuar imazhe të gjëndrës tiroide. Kjo u lejoi mjekëve të dallonin kancere shumë të vogla të tiroides që më parë do të kishin qenë të pazbulueshme.

  • Përfundon pjesa e parë, Kosova në epërsi ndaj Sllovenisë

    Përfundon pjesa e parë, Kosova në epërsi ndaj Sllovenisë

    Kombëtarja e Kosovës është në epërsi pas pjesës së parë.

    “Dardanët” e drejtuar nga Franco Foda po fitojnë 1-0 ndaj Sllovenisë në “Stozice Stadion”.

    Është Fisnik Asllani që ka shënuar golin e vetëm në 45-minutëshin e parë.

    Asllani shënoi në minutën e shtatë, pas një kontrolle të hatashme të topit dhe një goditjeje precize në këndin e djathtë të Jan Oblakut.

    Momentalisht, Kosova ka dhjetë pikë të tubuara, ndërkohë Zvicra që po barazon pas pjesës së parë me Suedinë, ka 11 pikë.

    Kjo do të thotë që në ndeshjen e së martës do të kemi një “mini-finale” në Prishtinë, për një kualifikim direkt në Botëror.

  • Kryediplomati gjerman viziton Ballkanin: Çfarë pritet nga ndalesa e tij në Kosovë?

    Kryediplomati gjerman viziton Ballkanin: Çfarë pritet nga ndalesa e tij në Kosovë?

    Kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul të dielën (16.11.2025) zbret në Sarajevë për fillimin e vizitës së tij katërditore në rajon, ai hyn në një ekuilibër të brishtë. Rajonin e njeh mirë – për vite me radhë ai ka drejtuar Grupin e Ballkanit Perëndimor të CDU/CSU në Bundestag.

    Kësaj radhe Wadephul nuk udhëton si politikan specialist, por si drejtues i një ministrie, kursi i së cilës ndaj vendeve të këtij rajoni perceptohet gjithnjë e më i paqartë.

    Nga Podgorica, ku të hënën (17.11.2025) nisin bisedimet politike, vjen një kërkesë me kortezi, por e drejtpërdrejtë për orientim. Në një aktivitet të DGAP në Berlin më 13 nëntor, ministrja e Integrimit të Malit të Zi, Biljana Papovic, tha për DW se shpreson për “më shumë angazhim nga Berlini dhe më shumë qartësi se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i qeverisë gjermane”.

    Për Podgoricën, drejtimi energjik i Gjermanisë mbetet thelbësor – jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por për gjithë dinamikën e procesit të zgjerimit në BE.

    Një sinjal i rëndësishëm politik

    Në Tiranë, roli i Gjermanisë shihet ende pozitivisht. Por analistja politike Alba Cela nga AIIS paralajmëron, se mbështetja e Berlinit “nuk është aspak e vetëkuptueshme”. Barometri i fundit i BE-së tregon se vetëm 49 për qind e gjermanëve mbështesin zgjerimin. Prandaj, vizita e Wadephul për Tiranën është një sinjal politik me peshë.

    Mbështetja për BE-në në Shqipëri është ndër më të lartat në rajon: mbi 80 për qind e qytetarëve janë pro anëtarësimit. Megjithatë, eksperti i DGAP-it, Milan Nic, kujton se Shqipëria “ndodhet ende në fillimin e një rruge të vështirë”. Vendi nuk ka mbyllur ende asnjë kapitull negociues dhe, sipas tij, sfidat më të mëdha do të shfaqen në fushat themelore: çështjet e pronësisë, rregullimi dhe mjedisi. “Aty fillon dhembja e vërtetë”, thotë Nic. Po ashtu, lufta kundër korrupsionit mbetet një temë e përhershme.

    Serbia: ndalesa më delikate

    Pika më e ndjeshme e turit është Beogradi. Mbështetja për BE-në në Serbi është rreth 38 për qind, ndërsa ndikimi i Rusisë mbetet i fortë. CDU ka lidhje të ngushta politike me partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq – por Serbia është vendi më i dobët në raportin e progresit të Komisionit.

    Deputeti i Bundestagut Boris Mijatovic (Bündnis 90/Die Grünen), i cili gjendet njëkohësisht në Ballkan së bashku me kolegun e tij Anton Hofreiter, kujton zgjedhjet e vitit 2023 në Serbi. OSBE dokumentoi manipulime dhe parregullsi – Mijatovic pret që Wadephul ta ngrejë këtë çështje në Beograd.

    Ai paralajmëron edhe për një boshllëk të ri gjeopolitik: tërheqja e USAID-it nga programet e medias dhe demokracisë “krijon një problem të madh”, sepse liron më shumë hapësirë për ndikim rus.

    Po me Kosovën dhe Bosnjën?

    Kosova, shteti më i ri i Evropës, para tre vjetësh paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE. Sot vendi ndodhet në krizë politike: tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare nuk ka ende qeveri funksionale, dhe zgjedhjet e reja duken të pashmangshme. Politologia Njomza Arifi shpreson që vizita e Wadephul “të japë një sinjal ndaj krizës dhe t’i nxisë përgjegjësit të gjejnë një zgjidhje”.

    Në Sarajevë, ministri gjerman do të takohet me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinësdhe Përfaqësuesin e Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Bosnja paraqiti kërkesën për anëtarësim në dhjetor 2022.

    Mos harroni Maqedoninë e Veriut

    Mijatovic thekson, se Maqedonia e Veriut nuk duhet lënë në hije. Vendi ndryshoi emrin në vitin 2019 për të zgjidhur konfliktin me Greqinë dhe bëri reforma thelbësore. Megjithatë tani kërkohet sërish ndryshim kushtetues për të futur pakicën bullgare. Pasiguria është e madhe. “Ne e kemi ndryshuar emrin… por çfarë vjen pas kësaj?”, pyet ai. Kjo pyetje përmbledh humbjen e besimit ndaj procesit të zgjerimit.

    Shkupi është kandidat që nga viti 2005. Në 2022 nisi negociatat, por që prej atëherë ka pak lëvizje. Në kryeqytet Wadephul do të takohet me homologun e tij Timco Mucunski.

    Shpejtim apo frenim?

    Pritjet ndaj Wadephul janë të qarta: Berlini duhet të pozicionohet. Paraardhësja e tij, Annalena Baerbock, e kishte shpallur integrimin e Ballkanit Perëndimor si një nga tri prioritetet kryesore. Sot, thotë Mijatovic, dëgjohen “herë tre, herë pesë prioritete – dhe ndonjëherë Ballkani Perëndimor nuk është aty”.

    Edhe heqja e postit të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor shihet si sinjal negativ. Ky post së fundit mbahej nga Manuel Sarrazin. Qeveria aktuale e hoqi pozicionin për të ulur numrin e të dërguarve të posaçëm.

    Sipas ekspertit Nic, përgjigjja më e qartë për kursin e qeverisë gjermane do të shfaqet vetëm më vonë: “Në vitin 2026 do të shihet nëse Gjermania do ta përshpejtojë zgjerimin – apo nëse ai do të mbetet sërish viktimë e prioriteteve që konkurrojnë mes tyre.”

  • Njoftim nga Policia: Pajisjet dimërore janë detyrim ligjor deri më 15 mars

    Njoftim nga Policia: Pajisjet dimërore janë detyrim ligjor deri më 15 mars

    Të gjitha mjetet në qarkullim rrugor në Kosovë duhet t’i kenë të vendosura pajisjet dimërore, sipas rregullores në fuqi dhe që mbetet valide deri më 15 mars.

    Policia e Kosovës ka apeluar që shoferët të përgatisin automjetet për kushtet e ftohta, duke theksuar se pajisjet dimërore janë detyrim ligjor dhe domosdoshmëri për sigurinë në rrugë.

    Autoritetet kërkojnë që të gjithë shoferët të ndërrojnë gomat e automjeteve me ato dimërore, të kontrollojnë presionin e ajrit sipas rekomandimeve të prodhuesve dhe të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve të motit, të cilat këtë periudhë mund të jenë të shpeshta dhe të papritura.

    Policia gjithashtu rikujton se respektimi i këtyre masave jo vetëm që ul rrezikun e aksidenteve, por edhe shmang masat ndëshkuese për drejtuesit e automjeteve që nuk përmbushin obligimin për pajisje dimërore.

  • Shqiptarët nesër protestojnë në Strasburg për ish-krerët e UÇK-së

    Shqiptarët nesër protestojnë në Strasburg për ish-krerët e UÇK-së

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojë më 16 nëntor në Strasbourg, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Protesta do të mbahet në shenjë kundërshtimi ndaj padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha sot se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se janë bërë koordinime me këshillin organizativ në Evropë dhe me mërgatën shqiptare.

    Kjo është protesta e radhës pas asaj që u mbajt muajin e kaluar në Tiranë.

    Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën shumë shqiptarë nga e gjithë bota.

    Më 4 dhe 5 nëntor u mbushën pesë vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, po shkon drejt përfundimit.

    Ish gjenerali amerikan, Wesley Clark do të jetë i fundit nga dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit që do të dëshmojë në Hagë javën tjetër.

    Deri tani, në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, Diplomati Christopher Hill dhe ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee.

  • Bie numri i lindjeve në Kosovë, rritet numri i divorceve

    Bie numri i lindjeve në Kosovë, rritet numri i divorceve

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare në baza mujore për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet për muajin shtator 2025.

    Në muajin shtator të këtij viti janë regjistruar 2510 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 1311 janë meshkuj dhe 1199 janë femra.

    Në muajin shtator 2025 kishte rënie të numrit të lindjeve rreth 0.2%, krahasuar me muajin gusht 2025, deklaron ASK-ja.

    Nga ana tjetër gjatë shtatorit janë regjistruar gjithsej 909 raste të vdekjeve, brenda dhe jashtë Kosovës, që krahasuar me muajin gusht, janë më pak për 0.6%.

    Në muajin shtator 2025 janë regjistruar gjithsej 1234 kurorëzime, brenda dhe jashtë Kosovës.

    Por, krahasuar me muajin gusht të këtij viti, në muajin shtator ka rënie të numrit të kurorëzimeve me rreth 37.4%.

    Në muajin shtator 2025 janë regjistruar 133 raste të shkurorëzimeve në Kosovë. Krahasuar me muajin gusht 2025 ka rritje të numrit të shkurorëzimeve për 37.1%.