ATV

Author: K.B.

  • Del nga shtrati lumi Vjosa, përmbyten tre banesa

    Del nga shtrati lumi Vjosa, përmbyten tre banesa

    Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e tregut të gjësë së gjallë, poshtë urës së Mifolit.

    Niveli i lumit ka arritur në 7.10 metra, çka ka bërë që tre banesa pranë urës së Mifolit të jenë të përmbytura.

    Ndërkohë, Shtabi i Emergjencave Civile është në gatishmëri por ka njoftuar dhe banorët e zonës, pasi sipas parashikimeve meteorologjike, në zonën e Përmetit dhe të Gjirokastrës, Memaliaj, pritet të ketë reshje të dendura shiu, të cilat mund të rrisin edhe më tej prurjet e Vjosës.

  • VV preferon 28 dhjetorin si datën më të përshtatshme për zgjedhje

    VV preferon 28 dhjetorin si datën më të përshtatshme për zgjedhje

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka deklaruar se ndër datat e përmendura si opsione për zgjedhjet e reja, 28 dhjetori është më e përshtatshmja për subjektin e tij politik.

    Thaçi ka theksuar se Vetëvendosje është e gatshme të shkojë në zgjedhje “kurdoherë”, pavarësisht datës që do të vendoset.

    “Që të dy opsionet për ne janë në rregull, mirëpo 28 dhjetori sigurisht që është datë më e mirë për zgjedhje. Por, pavarësisht kësaj, ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi deklaruar vazhdimisht se jemi të gatshëm kurdo herë për zgjedhje. Na vjen keq që nuk u arrit të krijohet qeveria, sepse kishim një opozitë që qëndroi stoike në bllokadën e shtetit, prandaj këtë përgjegjësi do ta bartin para qytetarëve ata që e bllokuan krijimin e institucioneve”, ka thënë Thaçi.

    I pyetur nëse Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndjen përgjegjësi që vendi po shkon përsëri në zgjedhje, Thaçi është shprehur se subjekti ka treguar gatishmëri dhe kompromis gjatë gjithë procesit.

    “Që nga fillimi kemi bërë kompromise, sepse kemi ofruar opsione të ndryshme, qoftë me tërheqjen e Albulena Haxhiut apo me Albin Kurtin. Ne në vazhdimësi kemi bërë përpjekje që të ecim tutje dhe të krijojmë institucionet tona. Mirëpo u formua një bllok i opozitës, dhe sot në Kuvend u pa qartë votimi i tyre, pra kundër”, ka shtuar ai.

  • Studim tronditës: Një në pesë fëmijë në Zvicër është i keqtrajtuar psikologjikisht

    Studim tronditës: Një në pesë fëmijë në Zvicër është i keqtrajtuar psikologjikisht

    Një studim i organizatës Child Protection Switzerland tregon se dhuna ndaj fëmijëve mbetet një problem i madh në Zvicër. Afërsisht një në shtatë fëmijë rrihet rregullisht, ndërsa një në pesë keqtrajtohet psikologjikisht. Tendenca është në rritje.

    Pothuajse një në pesë fëmijë ndëshkohet me shuplakë në prapanicë, ndërsa një në dhjetë fëmijë goditet në fytyrë ose tërhiqet nga flokët.

    Sipas studimit, dhuna fizike dhe psikologjike mbetet e përhapur në shumë familje zvicerane, transmeton albinfo.ch.

    Dhuna psikologjike

    Keqtrajtimi psikologjik shpesh shfaqet përmes kërcënimeve ose tërheqjes së dashurisë. Një në pesë prindër kërcënon të braktisë fëmijën e tyre, dhe 15% pranojnë se e bëjnë fëmijën të ndihet i padashur. Këto sjellje, shpesh të minimizuara, lënë shenja të qëndrueshme në zhvillimin emocional të fëmijës.

    Rritja e dhunës

    Pothuajse një në pesë fëmijë ndëshkohet me shuplakë, dhe një në dhjetë fëmijë goditet ose tërhiqet nga flokët. Rreth 30% e prindërve pranojnë se kanë përdorur fjalë të rënda ose kanë bërtitur ndaj fëmijës së tyre. Edhe pse ka pasur një përmirësim në vitet 2000, tendenca ka filluar të rritet sërish për disa vite.

    Nevoja për ndërhyrje dhe mbrojtje

    Autorët e studimit bëjnë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për parandalimin e dhunës dhe promovimin e prindërimit pa dhunë. Ata theksojnë se një mjedis familjar i sigurt është thelbësor për mirëqenien dhe shëndetin mendor të fëmijëve, transmeton albinfo.ch.

    Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijës festohet më 20 nëntor. Zvicra ratifikoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës pothuajse 30 vjet më parë, më 24 shkurt 1997. Konventa specifikon të drejtat e njeriut për të gjitha aspektet e jetës së fëmijëve dhe të rinjve deri në moshën 18 vjeç.

    Manon Schick, drejtoreshë për fëmijët dhe të rinjtë në kantonin e Vaudit, paralajmëroi gjithashtu për rreziqe të tjera për fëmijët, duke përfshirë përhapjen e cyberbullying-ut dhe rritjen e kontaktit të fëmijëve me krimin online, përfshirë sulmuesit seksualë. “Sapo fëmijët bëhen pronarë të një smartfoni, ata nuk mund të mbrohen më nga ky lloj kontakti,” paralajmëroi ajo.

  • Sot mbahet seanca e radhës ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Sot mbahet seanca e radhës ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Sot do mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

    Seanca e fundit ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh, ishte shtyrë për sot, me arsyetimin se njëri nga të akuzuarit kishte probleme shëndetësore.

    Të dyshuarit ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar, ndërsa prokuroria ka theksuar se ekziston dyshimi i bazuar se secili prej tyre ka kryer veprën penale të spiunazhit, sipas nenit 124 të KPRK-së.

    Përveç kësaj, Muharrem Qerimi po akuzohet edhe për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”

    Prokurori ka kërkuar nga gjykata që të dyshuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen, duke kërkuar gjithashtu vazhdimin e masës së paraburgimit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Sipas informacioneve të lëshuara nga Prokuroria Speciale, Shabani dhe Qerimi mblodhën informata që do t’i shërbenin Ministrisë së Brendshme serbe, për ta ndërtuar një narrativ të rremë për një rrjet të trafikimit të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës.

    Qerimi në bazë të aktakuzës i ka dërguar zyrtarit të Ministrisë së Brendshme, Sërgjan Rosiq edhe të dhëna të klasifikuara që lidheshin me veprimtarinë e Prokurorisë Speciale.

    Ndërkohë i akuzuari Bedri Shabani, në bazë të pretendimeve të prokurorisë, përveç Rosiqit, pati kontakt edhe me një zyrtar tjetër, Bogolub Janiçeviq, që kishte rol udhëheqës në masakrën e Reçakut.

  • Kanye West do të arrestohet nëse flet ose këndon për nazizmin në një koncert të ardhshëm

    Kanye West do të arrestohet nëse flet ose këndon për nazizmin në një koncert të ardhshëm

    Reperi kontrovers Kanye West është paralajmëruar se policia do ta arrestojë nëse përmend nazistët gjatë koncertit të tij të ardhshëm në Sao Paulo.

    Edhe pse reperi kohët e fundit shprehu keqardhje të thellë për komentet e tij antisemite, autoritetet e Sao Paulos nuk do të rrezikojnë kur Kanye West të performojë në pistën e hipodromit Interlagos më 29 nëntor.

    Duke folur për koncertin e ardhshëm, kryebashkiaku i Sao Paulos, Ricardo Nunes, tha se kushdo që flet për nazizmin ose ndonjë regjim fashist do të arrestohet në koncert.

    “Askush që promovon nazizmin nuk do të luajë ose këndojë asnjë tekst kënge në pajisjet publike që i përkasin qeverisë së qytetit. Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që askush që promovon nazizmin të mos ketë aktivitete këtu në Sao Paulo”, tha ai.

    Organizatorët Guilherme Cavalcante dhe Jean Fabrício Ramos gjithashtu do të përballen me arrestim nëse klienti i tyre i paparashikueshëm thyen rregullin.

    Këshilltari Cris Monteiro paraqiti gjithashtu një ankesë në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit të Sao Paulos në lidhje me këngën “Heil Hitler”.

    Kjo e shtyu prokuroren Ana Beatriz Pereira de Souza Frontini të lëshonte një urdhër që ndalonte shfaqjen e çdo malli nazist ose të lidhur me svastikën në koncertin e West.

  • Tre fëmijë dorëzojnë në polici dokumente dhe 614 euro të gjetura në Ferizaj

    Tre fëmijë dorëzojnë në polici dokumente dhe 614 euro të gjetura në Ferizaj

    Sot rreth orës 12:30, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari N. Tërziu, i cili ka sjellë një portofol të gjetur nga fëmijët R.T (12), A.T. (11) dhe D.T. (11), nxënës të një shkolle në Ferizaj.

    Brenda në portofolin e gjetur nga fëmijët në rrugë kishte dokumente personale dhe 614 euro. Pas verifikimeve, policia ka identifikuar pronaren B.M. nga Ferizaj, e cila është paraqitur në stacion dhe ka konfirmuar se dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Ato i janë kthyer me procesverbal zyrtar.

    Pronarja ka shprehur mirënjohje dhe falënderim ndaj tre fëmijëve dhe familjes së tyre për gjestin e ndershëm, si dhe ndaj Policisë së Ferizajt për profesionalizmin dhe bashkëpunimin.

    Drejtoria rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon fëmijët R.T., A.T. dhe D.T. për veprimin e tyre human, edukativ dhe shembullor, që pasqyron vlera të larta morale, familjare dhe qytetare.

  • Osmani nesër mbledh partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Osmani nesër mbledh partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani nesër do t’i takojë përfaqësuesit e partive politike.

    Sipas burimeve të Atvlive.tv, takimi është thirrur për nesër në orën 10:30.

    Ndërsa bëhet e ditur se presidentja këtë takim me përfaqëusues të partive politike do ta mbajë me qëllim që të caktohet data e zgjedhjeve.

    Ndryshe takimi i presidentës Osmani me përfaqësuesit e partive politike vjen pas zhvillimeve të fundit, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e qeverisë Glauk Konjufca, nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme.

  • A është zgjimi në 05:00 çelësi i suksesit? Eksperimenti 30-ditor zbulon të vërtetën

    A është zgjimi në 05:00 çelësi i suksesit? Eksperimenti 30-ditor zbulon të vërtetën

    “ Rutinë miliarderësh”, “çelësi i produktivitetit”, “mënyra më e mirë për të marrë kontrollin e jetës”. Këto janë etiketat e famshme që rrjetet sociale i vendosin zgjimit të hershëm në 05:00 të mëngjesit. Por sa e vërtetë është kjo? Për ta testuar, një autore vendosi ta praktikojë për 30 ditë rresht.

    Dita 1 – 7: Zgjimi ishte i vështirë. Trupi ndihej i lodhur nga ndryshimi i menjëhershëm i ritmit. Megjithatë, orët e hershme ishin të qeta, perfekte për një fillim të ngadaltë, reflektim dhe pak aktivitet fizik.

    Dita 8 – 14: Filluan përmirësimet e para. Produktiviteti gjatë paradites u rrit, ndërsa dita dukej më e organizuar. Autores iu shtua koha e lirë që më parë mungonte.

    Dita 15 – 25: Sfidat nisën të shfaqeshin. Rreth orës 15:00 lodhja ishte e pashmangshme. Për të kompensuar, u desh një gjumë i rregullt në orën 22:00, gjë që kufizonte jetën sociale dhe kohën në darkë me familjen.

    Dita 26 – 30: Rutina u stabilizua. Tani zgjimi nuk ishte më i vështirë dhe efektet pozitive filluan të mbizotëronin: përqendrim më i fortë, humor më i qëndrueshëm, dhe ndjesia e kontrollit mbi ditën.

    Zgjimi herët funksionon, por vetëm nëse përshtatet me ritmin biologjik. Nuk është recetë universale. Është thjesht një mjet që disa e duan, të tjerë jo. Magjia nuk është tek ora 05:00, por tek disiplinimi i rutinës personale.

  • Shtetet që ekzistuan më shkurt, një prej tyre zgjati vetëm tetë sekonda

    Shtetet që ekzistuan më shkurt, një prej tyre zgjati vetëm tetë sekonda

    A keni menduar ndonjëherë se cilat kombe kanë zgjatur më pak?

    Republika e Kuvajtit – 24 ditë

    Çfarë ndodhi: Sadam Huseini krijoi një qeveri kukull që e shpalli Kuvajtin provincë të Irakut.

    Pse ishte i shkurtër: Plani për të aneksuar Kuvajtin dështoi dhe qeveria e sapoformuar e shpalli Kuvajtin shtet të pavarur .

    Njohja: Kjo qeveri nuk u njoh nga vendet e tjera dhe situata ishte një prelud i Luftës së Gjirit, raporton N1 Sarajevë .

    Republika Federale Demokratike Ruse – më pak se një ditë, sipas disave vetëm gjashtë orë

    Çfarë ndodhi: Asambleja Kushtetuese Gjithë-Ruse e shpalli veten organ qeverisës më 19 janar 1918.

    Pse ishte jetëshkurtër: Komiteti Ekzekutiv Qendror e shpërndau Asamblenë më vonë atë ditë, duke i dhënë fund republikës.

    Pavarësia e Katalonjës – tetë sekonda

    Kombi që zgjati vetëm tetë sekonda ishte Shteti i Pavarur i Katalonjës në vitin 2017.

    Pas referendumit, udhëheqësi katalanas Carles Puigdemont shpalli pavarësinë, por menjëherë e ndërpreu deklaratën për të bërë thirrje për dialog me Spanjën.

    Kjo pauzë dhe ndërhyrja e shpejtë e Spanjës rezultuan në pezullimin pothuajse të menjëhershëm të shpalljes de facto dhe të pavarësisë së saj.

    Deklarata: Më 10 tetor 2017, Presidenti Katalan Carles Puigdemont nënshkroi një dokument që shpallte pavarësinë nga Spanja.

    Duke folur pas nënshkrimit, Puigdemont tha:

    “Unë pranoj mandatin e popullit për ta bërë Katalonjën një shtet të pavarur në formën e një republike.”

    Megjithatë, ai ndaloi vetëm disa sekonda më vonë, duke deklaruar se do t’i “kërkonte Parlamentit të pezullonte efektet e deklaratës së pavarësisë në mënyrë që të mund të fillonim një dialog në javët e ardhshme”.

    Rezultati: Pauza tetësekondëshe i dha fund ekzistencës së shkurtër, de facto, të një shteti të pavarur, dhe Katalonja mbetet pjesë e Spanjës.

    Shembuj të tjerë të kombeve shumë jetëshkurtra – Ukraina Karpate: Shpalli pavarësinë në mars të vitit 1939, por u pushtua nga Hungaria të nesërmen, gjë që zgjati rreth një ditë.

    Republika e Krimesë: Shpalli pavarësinë në mars të vitit 2014, por pas një referendumi dhe aneksimi nga Rusia, u shpërbë zyrtarisht të nesërmen, gjë që zgjati rreth 24 orë.

  • Seriali zvicerano-shqiptar nominohet për çmimin prestigjioz në Londër

    Seriali zvicerano-shqiptar nominohet për çmimin prestigjioz në Londër

    Seriali komik i Televizionit Zviceran (SRF) me bazë në Bazel, “Te Berberi – Wächst ja wieder”, është nominuar për çmimin prestigjioz britanik Rose d’Or. Ndërkohë, producenti Florim Brajshori veçse po punon me televizionin zviceran për sezonin e dytë.

    Më 1 dhjetor, në King’s Place në Londër do të ndahen çmimet Rose d’Or për prodhimet më të mira ndërkombëtare televizive.

    “Te Berberi – Wächst ja wieder” është i nominuar në kategorinë “Multiplatform Series”. Seriali u prodhua nga kompania “Shoki Filmproduktion” në Bazel dhe është seriali i parë zvicerano-shqiptar i SRF-së.

    Premiera u dha në YouTube në dhjetor 2024, ndërsa transmetimi televiziv u bë në mars 2025.

    Producenti Florim Brajshori, i lindur në Kosovë, luan edhe një prej roleve kryesore, Dautin dhe e përfaqëson shtetin zviceran në këtë festival.

    Çmimet Rose d’Or çdo vit vlerësojnë prodhimet më të spikatura të televizioneve ndërkombëtare, dhe kjo është hera e parë pas tre vitesh që një prodhim zviceran nominohet.

    Seriali fokusohet te një sallon flokësh në Bazel, ku Dauti, një shqiptar i Kosovës, ka investuar të gjitha kursimet. Ai punëson ish-bashkëshorten si menaxhere me shpresën për t’u ribashkuar me familjen dhe djalin e tij, Xonin. Por personaliteti i tij i sinqertë, por kokëfortë, i shoqëruar nga miku i tij kaotik, Rocki, e kthen ëndrrën romantike në një makth të vazhdueshëm.

    Me aktorin e humorit nga Kosova, Vedat Bajrami, në rolin e Rockit, si dhe me mysafirë të njohur si kampioni zviceran i mundjes Christian Stucki dhe futbollisti Edon Zhegrova, seriali komik i Televizionit Zviceran (SRF) sjell një kombinim unik humori, emocioni dhe diversiteti kulturor.

    “‘Te Berberi’ ka përmbushur pritjet tona”, thotë Baptiste Planche, Shefi i Fiksionit në SRF. “Seriali është pritur shumë pozitivisht brenda komunitetit, pra tek audienca jonë kryesore”.

    Aktualisht, SRF dhe “Shoki Filmproduktion” po zhvillojnë idetë për sezonin e dytë, por ende asgjë nuk është finalizuar.