ATV

Author: K.B.

  • ‘Trafiku Urban’ nga sot ndërpren qarkullimin e linjave, për shkak të situatës financiare

    ‘Trafiku Urban’ nga sot ndërpren qarkullimin e linjave, për shkak të situatës financiare

    Transporti publik në Prishtinë nga sot ka pezulluar shërbimet për shkak të problemeve të rënda financiare të shkaktuara nga bllokimi i mjeteve buxhetore.

    Por, ndërprerjen e operimit për këtë shkak e kanë njoftuar edhe disa nga linjat private.

    Lidhur me këtë dje, kryetari Përparim Rama, ka deklaruar se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.

    “Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për më shumë se një vit, kanë alokuar buxhetin që i duhet kryeqytetit, por buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati për shkelje të ligjit; jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga”, tha Rama gjatë konferencës për media.

    Situata e krijuar me transportin publik ka përpalusr mbrëmë liderin e LDK-së Lumir Abdixhiku dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

    Sipas Abdixhikut, partia në pushtet e mori mesazhin në zgjedhjet lokale për bllokadën e krijuar.

    “Prishtinën e bllokuan. Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg”, tha ai.

    Kurse Murati tha se fajtore për mosvotimin e buxhetit mbetet ish-opozita.

    “Por ju vendosët që betejën politike ta bëni në kurriz të qytetarëve duke mos e votuar buxhetin”, ka shkruar ai.

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik e ka publikuar parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme.

    Sipas IHMK-së, moti gjatë javës parashihet të jetë i ndryshueshëm, me intervale të shkurta me diell, i vranët dhe me shi.

    E hënë

    Moti i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat minimale: 0-3°C

    Temperaturat maksimale: 5-9°C

    Era: Kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-4m/s.

    E martë

    Mot kryesisht i vranët.
    Temperaturat minimale: 0-2C

    Temperaturat maksimale: 8-11°

    Era: nga jugperëndimi, me shpejtësi 1-5m/s

    E mërkurë

    Moti kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

    Temperaturat minimale: 3-5 °C

    Temperaturat maksimale: 10-13°C

    Era: kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

    E enjte

    Mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

    Temperaturat minimale: 1 deri 3°C

    Temperaturat maksimale: 4-6°C

    Era: nga veriperëndimi , 1-4 m/s

    E premte

    Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat vende-vende mund te sjellin riga lokale shiu.

    Temperaturat minimale: -1 deri 2°C

    Temperaturat maksimale: 4-6°C

    Era: e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

  • LDK sot mban mbledhjen e kryesisë, nominon kandidatin për kryeministër

    LDK sot mban mbledhjen e kryesisë, nominon kandidatin për kryeministër

    Lidhja Demokratike e Kosovës sot pritet të caktojë kandidatin për kryeministër për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Mbledhja e Kryesisë së LDK-së do të nisë nga ora 15:00.

    Si pikë e dytë e rendit të ditës është edhe nominimi i kandidatit të LDK-së për kryeministër.

  • RTK nga sot në grevë të përgjithshme

    RTK nga sot në grevë të përgjithshme

    Sindikalistët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë njoftuar se sot, nga ora 11:00 deri në ora 13:00, të gjithë sektorët e RTK-së do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

    Sindikata ka kërkuar që nëse kërkesat e saj nuk adresohen, greva mund të shoqërohet me bojkot të shumicës së emisioneve dhe lajmeve të RTK-së.

    Në një njoftim për media, Sindikata ka theksuar se gjatë kohës së grevës do të organizohen protesta dhe veprime të tjera si shenjë e kundërshtimit për situatën e vështirë që po kalojnë punonjësit.

    Sindikata ka ftuar mediat të jenë të pranishme në fillimin e grevës për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme.

    Kërkesat e Sindikatës janë dërguar një javë më parë dhe deri tani nuk ka pasur reagime nga Menaxhmenti i RTK-së.

    Sindikata gjithashtu ka kërkuar bojkotimin e fushatës zgjedhore dhe ngjarjeve me karakter politik, duke kërcënuar se nëse kërkesa e saj nuk miratohet, do ta marrin vendimin për bojkotin vetë

    “Gjatë kohës së grevës, krahas ndaljes së punës, do të organizohen protesta dhe do të ndërmerren veprime të tjera në ekran si shenjë e protestës për situatën e rëndë që po kalojnë kolegët dhe transmetuesit publik. Ftojmë mediet që të jenë të pranishme në fillimin e grevës së përgjithshme për të ndjekur nga afër zhvillimet. Ky veprim është ndërmarrë pas dërgimit të kërkesave tona dhe njoftimit të të gjithë akterëve përkatës 7 ditë më parë, në përputhje me ligjin për grevat. Edhe njëherë, bëjmë thirrje që Menaxhmenti të marrë vendim për bojkotimin e fushatës zgjedhore dhe ngjarjeve me karakter politik. Nëse kjo nuk ndodh, Sindikata do ta marrë këtë vendim vetë”, thuhet në njofitm.

  • Kandidati i Dodikut shpall fitoren në zgjedhjet në Republika Srpska

    Kandidati i Dodikut shpall fitoren në zgjedhjet në Republika Srpska

    Kandidati i SNSD-së, Sinisha Karan shpalli fitoren në zgjedhjet për president të entitetit Republika Srpska, duke iu referuar rezultateve paraprake të partisë.

    Sipas të dhënave të publikuara nga SNSD pas përpunimit të 95.61 përqind të qendrave të votimit, Karan kryeson me rreth 8,500 vota në krahasim me kundërshtarin e tij Branko Blanusha nga SDS.

    Megjithatë, bëhet fjalë për rezultatet e brendshme të partisë dhe jo për të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Karan u bë kandidati i SNSD-së pasi udhëheqësi dhe presidenti i RS-së, Milorad Dodik, u ndalua të kandidonte për poste dhe të mbante poste publike për shkelje të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

    Sinisha Karan, ish-ministër i Brendshëm, është aleat i ngushtë dhe zgjedhja personale e Dodikut, i cili mbetet kreu i partisë së tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).

    Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.

    Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska (RS) – një nga dy entitetet gjysmautonome të Bosnjës, përkrah federatës boshnjakokroate – nënkuptojnë se fituesi do të shërbejë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2026.

  • 5 ushqime që ju ndryshojnë humorin brenda ditës

    5 ushqime që ju ndryshojnë humorin brenda ditës

    Humori i keq është shumë i zakonshëm, veçanërisht në javët e fundit të vjeshtës. Me ditët që shkurtohen dhe rrezet e diellit pakësohen, është normale të ndiheni më të lodhur, të irrituar ose melankolik.

    Ndryshimet sezonale të fundvjeshtës mund të shkaktojnë shqetësime të ndryshme, duke përfshirë vështirësi në përqendrim, përgjumje gjatë ditës dhe rritje të dëshirës për ushqime, veçanërisht ato me sheqer.

    Arsyeja kryesore? Drita e pakësuar zvogëlon prodhimin e serotoninës, hormonit që të bën të ndihesh mirë, duke prishur ritmet natyrore të trupit dhe duke ndikuar në humorin dhe oreksin.

    Por ekzistojnë disa ushqime që ndihmojnë ta përballoni më së miri këtë situatë:

    Bajame për nervozizëm

    Bajamet janë një burim i mirë i triptofanit, një aminoacid thelbësor që stimulon prodhimin e serotoninës, hormonit të “lumturisë”. Bajamet gjithashtu përmbajnë sasi të mira seleni, fosfori, kalciumi dhe kaliumi, minerale që ndihmojnë në qetësimin e nervozizmit dhe tensionit.

    Vezë për të rivendosur humorin e mirë

    Ato janë një burim i mirë i zinkut dhe jodit, dy minerale që mbështesin trurin dhe ju ndihmojnë të ndiheni energjikë. Ato gjithashtu ofrojnë vitaminë J, e njohur edhe si kolina, një pararendës i acetilkolinës, një neurotransmetues që ndikon në cilësinë e gjumit, thelbësor për t’u ndjerë më vigjilentë dhe me humor më të mirë.

    Ato përmbajnë aminoacide esenciale që janë pararendës të dopaminës dhe norepinefrinës, dy hormone që ju ndihmojnë të ndiheni vitalë dhe vigjilentë.

    Salmon për përqendrim

    Salmoni ofron yndyrna “të mira” Omega 3 dhe Omega 6, të dobishme për funksionimin e sistemit nervor. Ai ndihmon në rritjen e niveleve të melatoninës, një hormon që rregullon ciklin gjumë-zgjim. Së fundmi, ai ofron zink dhe selen, të cilat janë të vlefshme për luftimin e stresit psikofizik.

    Banane për energji

    Bananet janë një suplement vërtet natyral. Ato janë të pasura me tirozinë, një aminoacid që nxit prodhimin e dopaminës, norepinefrinës dhe adrenalinës, tre hormone që ju ndihmojnë të ndiheni plot energji dhe plot vitalitet.

    Gjithashtu ofron triptofan dhe vitamina B, të cilat janë thelbësore për përmirësimin e humorit. Në veçanti, përmban vitamina B1 dhe B2, të cilat janë të dobishme për luftimin e lodhjes.

    Spinaq për stresin

    Spinaqi siguron acid folik, i cili ndihmon në menaxhimin e tensionit emocional për shkak të stresit dhe ankthit. Është gjithashtu i pasur me antioksidantë që veprojnë si substanca të vërteta “anti-ndryshk” për trurin.

  • Për çfarë kursejnë banorët e vendit më të shtrenjtë në Evropë, edhe pse çdo person i 7-të është milioner?

    Për çfarë kursejnë banorët e vendit më të shtrenjtë në Evropë, edhe pse çdo person i 7-të është milioner?

    Edhe pse është një vend me një standard jetese jashtëzakonisht të lartë, hulumtimet dhe anketat tregojnë se kursimi është një aspekt shumë i rëndësishëm në Zvicër.

    Zvicra është një nga vendet më të shtrenjta në Evropë, dhe në të njëjtën kohë shpallet më e mira në botë. Për më tepër, thuhet se çdo i 7-ti person atje është milioner.

    Por, kjo nuk do të thotë që zviceranët kanë liri të plotë financiare, por ndoshta flet më shumë për menaxhimin e mirë të parave të tyre.

    Konkretisht, anketa “Pulsi i Zvicrës” e Deloitte vitin e kaluar tërhoqi vëmendjen për faktin se inflacioni në rritje po lë gjurmë edhe në portofolet zvicerane, gjë që reflektohet në sjelljen e konsumatorëve.

    Restorantet janë të parat që “bien në baltë”

    Pothuajse 60% e të anketuarve po i ulin shpenzimet dhe po heqin dorë nga gjërat që nuk u nevojiten, me më shumë se gjysmën që hanë dhe pinë më pak jashtë – ndryshe nga serbët, të cilët kanë reputacionin se ulen në kafene edhe në ditët e tyre më të këqija dhe i lënë paratë e fundit në tavernë, plot 52% e zviceranëve po heqin dorë së pari nga shkuarja në restorante dhe dalja në klube e bare.

    Masa e dytë janë udhëtimet dhe pushimet – 40% e të anketuarve thonë se kanë ulur shpenzimet për pushime, udhëtime dhe kohë të lirë. Megjithatë, po aq prej tyre kanë ulur shpenzimet për blerjen e rrobave dhe gjërave të reja, shkruan Nova.rs.

    Në fund të fundit, njerëzit po përpiqen të kursejnë jo vetëm në “artikuj të mëdhenj” dhe luks, por edhe në ushqime të zakonshme. Më shumë se një e treta (34%) e të anketuarve në anketën e Deloitte thanë se kanë ulur shpenzimet e tyre për ushqim.

    Për të ulur kostot, 51% e tyre po i kushtojnë më shumë vëmendje ofertave dhe promocioneve speciale, 44% e të anketuarve po kalojnë në produkte më të lira dhe 37% po ndryshojnë furnizuesit (p.sh. dyqane ose marka) për të optimizuar shpenzimet.

    Më pak njerëz kursenin me vetëdije në arsim (10%), transport publik (14%) dhe telekomunikacion (16%), duke sugjeruar që njerëzit i konsiderojnë qartë këto fusha më të rëndësishme.

    Kursimi për shpenzime të papritura

    Megjithatë, zviceranët nuk kursejnë (vetëm) për të mbijetuar – 79% e zviceranëve besojnë se kursimi është i rëndësishëm, kryesisht për shpenzime të papritura, sipas një ankete të kryer këtë vit nga Baloise në bashkëpunim me institutin e kërkimit të tregut YouGov.

    Megjithatë, rezulton se vetëm 47% e të anketuarve thanë se kishin arritur të kursenin diçka në gjashtë muajt e fundit. Pjesëmarrësit ishin midis moshës 15 dhe 79 vjeç.

    Deri në 71% kursejnë për t’u përgatitur për shpenzime të paparashikuara, megjithatë, arsyet e kursimit ndryshojnë në faza të ndryshme të jetës, për shembull, shumë më tepër njerëz nën 30 vjeç (19%) kursejnë për shtëpinë e tyre sesa çdo grupmoshë tjetër.

    Sondazhi tregoi gjithashtu se më shumë se gjysma e popullsisë zvicerane është aktualisht e kënaqur me gjendjen e saj financiare, raporton Nova.rs. Arsyet kryesore janë të ardhura të mjaftueshme deri të mira (33%), rezervat ose asetet financiare (23%) dhe mungesa e shqetësimeve akute (20%). Megjithatë, kur pyeten për të ardhmen, mirëqenia financiare bie në 44%, duke reflektuar një shkallë të caktuar skepticizmi, dhe arsyet kryesore për këtë janë pasiguria në lidhje me sistemin e pensioneve (24%), pensioni i pamjaftueshëm (20%) dhe shqetësimi i përgjithshëm për të ardhmen (17%).

  • Shefi i ushtrisë izraelite shkarkon komandantët për dështimet në sulmin e 7 tetorit

    Shefi i ushtrisë izraelite shkarkon komandantët për dështimet në sulmin e 7 tetorit

    Shefi ushtarak i Izraelit të dielën shkarkoi disa personel të lartë ushtarakë dhe qortoi të tjerë për rolet e tyre në dështimet e 7 tetorit 2023, kur Hamasi nisi një sulm të papritur ndaj Izraelit.

    Një numri oficerësh u tha se do të liroheshin nga detyra rezervë dhe nuk do të shërbenin më në ushtri, tha ushtria në një deklaratë.

    Të tjerëve iu dhanë qortime zyrtare, ndërsa një u informua se shërbimi i tij do të përfundonte. Një tjetër paraqiti dorëheqjen.

    Ata që u informuan se do të liroheshin nga detyra rezervë përfshinin ish-krerë të drejtorisë së inteligjencës, drejtorisë së operacioneve dhe komandës jugore, e cila është përgjegjëse për Gazën.

    Gjeneralët kishin dhënë më parë dorëheqjen nga shërbimi aktiv, por mbetën në detyrë rezervë.

    Ushtria izraelite “dështoi në misionin e saj kryesor më 7 tetor – për të mbrojtur civilët e Shtetit të Izraelit”, tha shefi i shtabit ushtarak izraelit, Eyal Zamir, shkruajnë mediat e huaja.

    “Ky është një dështim i rëndë, i madh dhe sistemik, që lidhet me vendimet dhe sjelljen në prag të ngjarjes dhe gjatë saj. Mësimet e asaj dite janë të shumta dhe domethënëse, dhe ato duhet të shërbejnë si busulla jonë për të ardhmen drejt së cilës kam ndërmend të udhëheq [ushtrinë izraelite]”,

    Masat e fundit disiplinore vijnë ndërsa zyrtarët izraelitë përballen me presion publik në rritje për përgjegjësi për dështimet që çuan në sulm.

    Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu ende nuk ka hapur një hetim kombëtar për sulmin e 7 tetorit.

    Mijëra protestues u bashkuan me udhëheqësit e opozitës në Tel Aviv të shtunën në mbrëmje duke kërkuar një komision hetimor shtetëror.

    Sulmi i 7 tetorit nga Hamasi dhe fraksione të tjera palestineze vrau rreth 1,200 njerëz në Izrael dhe pa rreth 250 të marrë peng, sipas llogaritjeve izraelite.

    Sulmi shkaktoi fushatën tokësore dhe ajrore të Izraelit në Gaza, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të enklavës dhe ka vrarë më shumë se 69,000 njerëz, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

    Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të muajin e kaluar, si pjesë e fazës së parë të një plani për t’i dhënë fund luftës.

  • Sipas “Apple Music” këto janë këngët më të mira të vitit 2025

    Sipas “Apple Music” këto janë këngët më të mira të vitit 2025

    Po i afrohemi fundit të nëntorit, që do të thotë se Krishtlindjet janë shumë afër dhe, rrjedhimisht, fundi i vitit 2025. Në këtë kuptim, Apple Music ka krijuar një seri listash me më të mirat e vitit në muzikë, duke zgjedhur gjithashtu, sipas mendimit të saj, artistin më të mirë të vitit.

    Listat janë ndarë: Pop Hits, Today’s Hits, Superbloom, R&B Now, ALT CTRL, Viral Hits, Rap Life dhe Alpha. Të gjitha janë të disponueshme në skedën “E Re” në Apple Music. Midis tyre, spikasin në pop, ‘Abracadabra’, nga Lady Gaga; në hitet e sotme, ‘YUKON’ , nga Justin Bieber; në Superbloom, ‘Man I Need’, nga Olivia Dean; në R&B aktuale, ‘Safe (feat. Kehlani)’ , nga Cardi B; në ALT CTRL, ‘One Thing’, nga Lola Young; në hitet virale, ‘NOKIA’ , nga Drake; në Rap Life, ‘KICK OUT’ , nga Travis Scott; dhe në Alpha, ‘La perla’, nga Rosalia.

    Artisti i Vitit në Apple Music është Tyler, The Creator, një reper amerikan. Në fillim të vitit 2025, ai bëri turne në albumin e tij të ri ‘CHROMAKOPIA’, i cili ishte albumi i tij më i suksesshëm në Apple Music, si në transmetimet e ditës së parë ashtu edhe në ato të javës së parë.

    Në mes të turneut, ai publikoi një album tjetër të quajtur ‘DON’T TAP THE GLASS’, i cili arriti vendin e parë në listat e përgjithshme të platformës në më shumë se 55 vende në ditën e publikimit të tij.

    Ky çmim “Artisti i Vitit” është dhënë prej disa vitesh nga Apple Music, dhe nuk është thjesht një përmendje, pasi fituesit marrin një çmim fizik të një pllake silikoni të personalizuar Apple, të varur midis një flete qelqi të lëmuar dhe një trupi alumini të përpunuar dhe të anodizuar.

    Në vitin 2024 , çmimi i shkoi Billie Eilish, duke qenë interpretuesja e parë që e fitoi dy herë. Në vitin 2023, fituesja ishte Taylor Swift.

  • Pezullimi i transportit publik në Prishtinë, reagon edhe Shpend Ahmeti

    Pezullimi i transportit publik në Prishtinë, reagon edhe Shpend Ahmeti

    Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas paralajmërimeve se kryeqyteti të hënën do të mbetet pa transport publik. Ai e ka cilësuar situatën si “ditë të dhimbshme” për qytetarët.

    Ahmeti ka thënë se gjatë mandatit të tij Komuna kishte marrë Trafikun Urban me 1.5 milion euro borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara. Ai ka theksuar se procesi i rifunksionalizimit ishte zvarritur për shkak të procedurave qeveritare dhe votimit të garancionit të sovranitetit në Kuvend, pavarësisht se ishte siguruar një kredi prej 10 milionë eurosh nga BERZH-i.

    “Gjatë asaj kohe pëekundlr kundërshtimeve kam takuar vetëm Avdullah Hotin nja pesë herë. Kam kërkuar edhe nfa shefi i grupit parlamentar të VV që ti votonte marrëveshjet ndërkombëtare (asokohe vv rralë votonte propozimet e qeverisë) vetëm që të votoheshin edhe autobusët”, ka thënë Ahmeti.

    “Politika është kompromis. Posaçërisht kur është interesi qytetar në pyetje. Autobusat janë një, e ditëve në vijim shkollat do të mbesin pa rrymë, çerdhet pa bukë etj etj. Aman takonu qoftë edhe me ndërmjetësues sepse janë pika vitale të funksionimit. Çkado që keni nevojë janë të gatshëm të tjerët të ndihmojmë”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.

    “Postet vijnë e shkojnë. Zgjedhje do të ketë edhe të tjera. Por të këqijat ju mbesin në ndërgjegjje e në histori. Takonu!”.