ATV

Author: K.B.

  • Pse amerikanët nuk i hanë vezët e gjeldetit

    Pse amerikanët nuk i hanë vezët e gjeldetit

    Ndërsa shumë amerikanë përgatiten të presin gjeldetin e Thanksgiving, disa mund të pyesin pse vezët e këtyre zogjve nuk shfaqen kurrë në tavolinat festive.

    Vezët e gjeldetit janë pothuajse të pazakonta në dyqane dhe në pjatat e festës. Shkaktarët lidhen me biologjinë, ekonominë dhe prakticitetin, thonë ekspertët.

    Ndryshe nga pulat, të cilat prodhojnë rregullisht një vezë çdo 24 orë, gjeldet japin vetëm një ose dy vezë në javë.

    Kimmon Williams nga National Turkey Federation tha për ModernFarmer:

    “Gjeldet kanë një cikël jetëgjatë dhe duhet të arrijnë rreth shtatë muaj për të filluar të japin vezë.”

    Pulave, nga ana tjetër, u mjafton të arrijnë rreth pesë muaj për të hedhur vezë.

    Rritja e gjeldetit është gjithashtu më e shtrenjtë, pasi ata kërkojnë më shumë ushqim dhe hapësira më të mëdha, duke rritur kostot e prodhimit. Kjo do të thotë se një vezë gjeldeti mund të kushtonte rreth 3 dollarë, ose 36 dollarë për një duzinë.

    Disa kuzhinierë e preferojnë vezën e gjeldetit për salcat, sepse të verdhat e saj janë më kremoze dhe më të pasura, por kjo nuk mjafton që ato të shfaqen në menu.

    Historia e vezëve të gjeldetit

    Gjeldet janë të lindur në Amerikën e Veriut, dhe ishin pjesë e dietës së shumë fisave indigjene. Pulat erdhën më vonë, vetëm në shekullin e 16.

    Fiset indigjene prezantuan gjeldet tek kolonistët evropianë në vitet 1600, dhe zogjtë e mëdhenj të egër u dukën të jashtëzakonshëm për europianët. Disa eksplorues spanjollë i morën me vete në Evropë, por u përhapën shpejt thashetheme se vezët mund të lidhen me sëmundje si lepra.

    Në Evropën mesjetare, sëmundjet shpesh konsideroheshin si ndëshkim hyjnor, ndaj ushqimet e reja nga vende të panjohura shiheshin me dyshim.

    Në SHBA, kolonistët i panë vezët si një luksi të veçantë. Në shekullin e 18-të, popullariteti i tyre u rrit aq shumë sa gjeldet filluan të domesticohen gjerësisht. Për shembull, në restorantin ikonë të New York-ut, Delmonico’s, vezët e gjeldetit shërbeheshin të skuqura, të ziera, në frittata apo omeleta.

    Por gjatë shekullit të 20-të, zhvillimi i fermerive industriale të pulave i bëri vezët e pulës më të përballueshme dhe më të disponueshme. Kështu, vezët e gjeldetit humbën popullaritetin dhe u bënë të rralla.

    Vezët e gjeldetit sot

    Sot, vezët e gjeldetit kërkohen kryesisht nga entuziastët e gatimit ose fermerët që përpiqen të plotësojnë kërkesën për Thanksgiving.

    Në tetor 2025, American Farm Bureau Federation paralajmëroi për një mungesë të mundshme gjeldetesh, pas infektimit të mbi 600,000 zogjve nga Influenza Aviare me Patogjenitet të Lartë (HPAI). Që nga viti 2022, rreth 18.7 milion gjeldet janë prekur nga kjo sëmundje, dhe vetëm gjatë 2025, 2.2 milion të tjerë janë infektuar.

    Departamenti Amerikan i Bujqësisë vlerëson se çmimi mesatar për një gjeldet të ngrirë është 1.32 dollarë për paund, një rritje prej 38 centësh krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar një rritje prej rreth 40% të çmimeve me shumicë gjatë një viti.

  • Edhe DailyMail shkruan për vdekjen tragjike të Shpat Kasapit

    Edhe DailyMail shkruan për vdekjen tragjike të Shpat Kasapit

    Vdekja e papritur e këngëtarit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi, ka kaluar kufijtë e rajonit dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

    Tabloidi britanik DailyMail i ka kushtuar një artikull të gjatë ngjarjes së rëndë, duke e përshkruar artistin si një figurë të dashur të skenës muzikore shqiptare dhe kosovare.

    Siç shkruan DailyMail, Kasapi ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare pas një ataku të papritur kardiak në Monza të Italisë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Selvije Jao, ndodheshin atje për të kërkuar këshilla mjekësore për djalin e tyre të vogël, Roel.

    Lajmi u konfirmua edhe nga Daily Star, ndërsa pikërisht Selvije ishte ajo që e ndau publikisht dhimbjen e humbjes së partnerit të jetës.

    Tabloidi britanik publikoi edhe pjesë nga postimi rrëqethës i Selvijes, e cila shkroi se Shpati “vdiq në krahët e saj”, duke rrëfyer se sa e afërt kishte qenë marrëdhënia e tyre dhe sa shumë kishin punuar për të ruajtur privatësinë e familjes.

    “Pse m’u thye zemra kështu, i dashur?”, ishte një nga pyetjet prekëse që ajo ndau me ndjekësit e saj në Instagram.

    Media britanike solli në vëmendje edhe reagimin e artisten shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, e cila ndau një video të Kasapit duke kënduar, shoqëruar me një emoji të pëllumbit të bardhë dhe flamurin shqiptar.

    DailyMail i kushtoi hapësirë edhe karrierës së Shpat Kasapit, duke e cilësuar atë si një artist me shumë hite që u bë i famshëm në fillim të viteve 2000 me këngë si Ajo më mungon, Valle Kosovare, Dashni pa limit dhe Aroma e saj.

    Ata theksuan se kënga e tij më e fundit, N’dahëm sot, ishte pranë një milioni shikimeve në YouTube, ndërsa në Spotify numëronte gati 340 mijë dëgjues mujorë.

    Në artikull u rikujtua edhe pjesëmarrja e tij në garën për Eurovision në vitin 2009, ku Kasapi konkurroi për të përfaqësuar Shqipërinë, por humbi ndaj Kejsi Tolës me këngën Carry Me in Your Dreams.

    DailyMail e mbylli raportimin duke e përshkruar Shpat Kasapin si një figurë të dashur, të respektuar dhe pjesë të pandashme të muzikës shqiptare – një humbje e cila la një boshllëk të madh tek familja, miqtë dhe publiku që e ka ndjekur për më shumë se dy dekada.

  • Rita Ora uron shqip për 28 nëntorin

    Rita Ora uron shqip për 28 nëntorin

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka uruar në gjuhën shqipe për Ditën e Flamurit, 28 nëntorin.

    Rita ndau edhe një fotografi të babait të saj, Besnikut, duke e shoqëruar me një mesazh të përzemërt dedikuar të gjithë shqiptarëve me rastin e festës së 28 Nëntorit.

  • Policia malazeze arreston mercenarin që luftoi për Rusinë kundër Ukrainës, kapin edhe një sasi armatimi

    Policia malazeze arreston mercenarin që luftoi për Rusinë kundër Ukrainës, kapin edhe një sasi armatimi

    Policia malazeze ka goditur një rrjet mercenarësh që kishin luftuar për Rusinë në Ukrainë.Sipas raporteve nga mediat lokale në Podgoricë, është arrestuar Danko Saviq, një shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës me banim të përhershëm në Mal të Zi, i cili kishte një milion e gjysmë euro në llogarinë e tij, të cilat, sipas policisë, i kishte fituar gjatë shërbimit në forcat ruse.

    Saviq u arrestua si pjesë e operacionit të koduar “Lugansk”. Gjatë kontrollit në banesën dhe ambientet e tjera që përdorte, policia sekuestronte 12.2 kilogramë eksplozivë. Operacioni ka përfshirë deri tani 12 persona dhe 13 kontrollime në lokacione në Danilovgrad, Nikshiq dhe Podgoricë.

    Policia njoftoi se janë sekuestruar gjithsej 24 armë zjarri, mbi 1000 fishekë, disa korniza, nëntë thika, shpata dhe bajoneta, si dhe uniforma, flamuj dhe shenja të tjera dalluese të grupeve kriminale dhe organizatave.

    Midis sendeve të konfiskuara ishin edhe jelekë antiplumb, helmeta, pajisje komunikimi, karta SIM dhe karta identiteti të “Vëllazërisë Kozake Malazeze”, shpesh me emra të ndryshëm.

    Sipas policisë, provat tregojnë se Saviq kishte shërbyer në strukturat ushtarake të huaja të Federatës Ruse në Luhansk nga fillimi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2025. Dyshohet se ai ishte motivuar kryesisht nga përfitimi financiar dhe gjatë kësaj periudhe fitoi 1.5 milion euro.

    “Provat materiale të mbledhura në periudhën e mëparshme tregojnë dyshime se Savić, në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka marrë pjesë në një formacion të armatosur të huaj të Federatës Ruse, përfshirë Luganskun, në luftën që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës në territorin ukrainas, në periudhën nga fillimi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2025, dhe se bazuar në pjesëmarrjen e tij në një luftë të huaj dhe në lidhje me kryerjen e kësaj vepre penale, ai ka fituar dhe poseduar në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash, nga të cilat 1.500.000 euro (një milion e pesëqind mijë euro) ishin në llogarinë rrjedhëse të këtij personi”, pohon policia.

  • Emaile të rreme në emër të institucioneve: Policia del me njoftim dhe thirrje për qytetarët

    Emaile të rreme në emër të institucioneve: Policia del me njoftim dhe thirrje për qytetarët

    Policia e Kosovës ka dalur me komunikatë për emailet e rreme që po shkojnë në adresë të qytetarëve.

    Policia ka theksuar se po i hetojnë ato.

    Komunikata:

    Njoftim zyrtar lidhur me qarkullimin e e-mailave të rreme/false

    Prishtinë, më 28 nëntor 2025

    Policia e Kosovës (PK), njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maile të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovs, andaj sqaron se:

    Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

    Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

    Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

  • Faqja nacionaliste serbe publikon pamje nga djegia e flamurit kombëtar në Mitrovicë

    Faqja nacionaliste serbe publikon pamje nga djegia e flamurit kombëtar në Mitrovicë

    Faqja nacionaliste serbe “Bunker” ka publikuar disa pamje nga Mitrovica ku shihet djegia e flamurit kombëtar.

    Nuk dihet se kush e ka bërë këtë veprim teksa as videot nuk kanë ndonjë mbishkrim.

    Kjo video u publikua më 28 nëntor, në ditën e 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

  • Në Garanë të Kërçovës përurohet shtatorja e Skënderbeut

    Në Garanë të Kërçovës përurohet shtatorja e Skënderbeut

    Në 28 nëntor, në fshatin Garanë, të Kërçovës, në Ditën e Flamurit Kombëtar, është përuruar shtatorja e Skënderbeut

    “Simbol i përjetshëm i lirisë, qëndresës dhe krenarisë sonë kombëtare. Ky moment i rëndësishëm vjen pikërisht në ditën kur zemrat tona rrahin më fort për kuq e zinë, duke na kujtuar rrugën e sakrificës që na solli deri këtu”, njofton kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

    Ai po ashtu njoftoi se u bënë homazhe edhe pranë monumentit të Nënës Shqiptare në Zajaz.

    “Gjatë ditës, u bënë edhe homazhe pranë monumentit të Nënës Shqiptare në Zajaz, një monument që mishëron përkushtimin, sakrificën dhe dashurinë e pakushtëzuar që ka mbajtur gjallë familjen dhe kombin ndër shekuj. Ky nderim i dyfishtë, për heroin dhe për nënën, na rikujton se liria dhe identiteti ynë janë trashëgimi e përbashkët e burrave dhe grave që dhanë gjithçka për të ardhmen tonë”, përfundon Ahmeti.

  • Nxiti ndarje dhe urrejtje me postime fyese për flamurin në Facebook, Gjykata në Tiranë dënon me dy vjet burg kosovarin

    Nxiti ndarje dhe urrejtje me postime fyese për flamurin në Facebook, Gjykata në Tiranë dënon me dy vjet burg kosovarin

    Postimet e flamurit kombëtar më kryqe apo simbole të tjera përmbi dhe me shënime të papërshtatshme në rrjetin social Facebook i ka kushtuar një dënim me 2 vite burg një 33-vjeçari nga Kosova.

    Dënimi ndaj të pandehurit Alban Bibaj është dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, në përfundim të një gjykimi të zhvilluar në mungesë të tij. Bibaj është shpallur fajtor për veprën penale të “thirrjes për urrejtje nacionale”.

    Sipas vendimit të gjykatës,33-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e Drejtorisë së Anti-terrorit në Policinë e Shtetit prej disa postimeve në llogarinë me emrin “Ubejdullah E. Subejla” në Facebook, pas tërmetit të nëntorit 2019. Në një nga postimet ai thoshte ndër të tjera se “Hoxhallarët dhe xhematlit që festojnë ditën e flamurit të fesë së demokracisë, nuk kanë lidhje me Teuhidini (njehsimi i Allahut)”. Sipas gjykatës, ai ka vijuar me postime të tjera me thënie të shkëputura nga hadithe fetare.

    Postimet ka shoqëruar me foto të flamurit kombëtar shqiptar, në të cilën kishte mbishkrimin “Kufr shirk”, që nënkupton mohues të Zotit dhe një kryq mbi flamur.

    Për llogari të hetimit, prokuroria e Tiranës ka bashkëpunuar me autoritetet kosovare të drejtësisë. I pyetur në Prokurorinë e Pejës, në prani të avokatit, për hetimi ndaj tij në Shqipëri, Alban Bibaj ka deklaruar se ka 15 vjet që praktikon fenë islame dhe asnjëherë nuk e ka mësuar nga ndonjë predikues i fesë dhe as nuk e ka lexuar në librat fetarë se duhet ta urrejë ndokënd apo të bëjë thirrje për urrejtje nacionale.

    Por sipas vlerësimit të gjyqtarit Edvan Veçani, postimet e të pandehurit përmbajnë elementë të qartë që cenojnë rendin dhe paqen publike përmes nxitjes së përçarjes mbi baza kombëtare e fetare.

    “Nëpërmjet përdorimit të gjuhës fyese ndaj simboleve kombëtare, si flamuri shqiptar, dhe deklarimeve se ‘nacionalizmi është kufr’ apo se ‘flamujt janë shpikje të zionistëve’, ai ka shprehur qëndrime që synojnë përbuzjen e vlerave kombëtare dhe krijimin e antagonizmit ndërmjet identitetit fetar dhe atij kombëtar. Përmbajtja e postimeve, e shoqëruar me imazhe fyese ndaj flamurit, përbën një akt publik komunikimi që objektivisht është i aftë të nxisë ndarje, urrejtje apo armiqësi ndërmjet qytetarëve mbi baza të përkatësisë kombëtare”, arsyetonte gjykata, raporton a2 CNN.

    Sipas gjykatës, qëllimi i të pandehurit nuk ka qenë vetëm shprehja e një opinioni fetar, por nxitje e përçarjes dhe kundërvënies mes qytetarëve në bazë të identitetit të tyre kombëtar. I pandehuri Bibaj është hetuar dhe gjykuar pamasës sigurie, ndërsa dënimi me 2 vite burg, sipas gjykatës, duhet të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

  • Parashikimi i motit për fundjavë, reshje shiu e bore

    Parashikimi i motit për fundjavë, reshje shiu e bore

    Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se të shtunën do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu të përziera me borë teksa në viset e larta të Kosovës do të ketë reshje bore.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga veriperëndimi e lehte deri mesatare.

    Ndërkaq, të dielën parashihet mot i vranët, me temperaturat minimale që do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius.

    Ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-4m/s.

  • Një pensioniste u josh nga një ‘Brad Pitt i rremë’, i pagoi pothuajse 100,000 dollarë dhe e priti në një dhomë hoteli për javë të tëra

    Një pensioniste u josh nga një ‘Brad Pitt i rremë’, i pagoi pothuajse 100,000 dollarë dhe e priti në një dhomë hoteli për javë të tëra

    Një pensioniste nga Zvicra ishte e bindur se ishte në një lidhje me Brad Pitt. Ajo i pagoi mashtruesit pothuajse 100,000 dollarë (86,300 euro). Madje udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara, ku kaloi tre javë vetëm në një dhomë hoteli duke pritur që të shfaqej një aktor i famshëm.

    Një grua që e identifikoi veten si Patricia tha se gjithçka filloi në maj të vitit 2024, kur ndoqi profilin e Brad Pitt në Instagram dhe mori një mesazh nga dikush që pretendonte të ishte menaxheri i tij. Personi e pyeti nëse do të pranonte të fliste drejtpërdrejt me aktorin, gjë për të cilën ajo pranoi.

    “Ne filluam të komunikonim normalisht, si dy njerëz që takohen në një mënyrë shumë të këndshme”, tha ajo. Ajo shtoi se ata vazhduan të korrespondonin dhe se ai përfundimisht i rrëfeu se e donte.

    “Ai më bëri shumë pyetje rreth asaj se si ndihesha, çfarë lloj gjërash më pëlqenin, si e shikoja jetën dhe pastaj një ditë më rrëfeu se ishte i dashuruar me mua”, tha ajo për Mise Au Point.

    Mashtruesi i kërkoi asaj të mos i tregonte askujt për lidhjen e tyre. Ai pretendoi se ajo duhej t’i paguante para që të takoheshin.

    “E dashur, menaxhmenti im po kërkon 50,000 dollarë (43,100 euro)”, shkroi ai, duke shtuar se ky ishte çmimi i zakonshëm për këdo që donte ta takonte. Ajo fillimisht e refuzoi këtë, por më vonë e bindi veten se mund të ishte i ligjshëm.

    “Mendova, ‘Ndoshta kështu funksionojnë gjërat…’ Nuk kisha pasur kurrë kontakt me aktorin më parë”, tha ajo. I dërgoi 30,000 dollarë (25,800 euro), pastaj 20,000 dollarë (17,200 euro).

    Kur Brad Pitt i vërtetë u shfaq në Festivalin e Filmit në Venecia, ajo shpresonte që ëndrra e saj më në fund do të realizohej. Ajo bëri gati valixhet dhe priti ftesën për t’u bashkuar me të. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Mashtruesi i dërgoi lule dhe një mesazh: “Të dua shumë zemër. Mezi pres të kaloj pjesën tjetër të jetës sime me ty Pitt”.

    Pas pagesave të para, u bë gjithnjë e më e vështirë për të që të hiqte dorë. Mashtruesi kërkoi 10,000 dollarë (8,600 euro) për shpenzime të supozuara mjekësore, pastaj edhe 10,000 dollarë (8,600 euro) të tjerë. Pas kësaj, ai sugjeroi që të takoheshin në SHBA.

    Ajo udhëtoi për në Los Angeles. Megjithatë, përfundoi duke kaluar tre javë vetëm në një hotel. Ajo i dërgoi atij edhe 20,000 dollarë (17,200 euro) të tjerë përpara se të kthehej në shtëpi.

    Kur u kthye në Zvicër, ajo hasi në një histori për një grua franceze që i kishte paguar një mashtruesi tjetër 830,000 dollarë (716,000 euro) sepse ishte e bindur se ai ishte Brad Pitt. Vetëm atëherë e kuptoi se ishte bërë vetë viktimë e mashtrimit. Ajo i raportoi gjithçka policisë. Ajo u tha atyre se i kishte paguar atij pothuajse 100,000 dollarë (86,300 euro) në total.

    “Është një turp i papërshkrueshëm. Kalova pothuajse një vit në një lidhje që nuk ekzistonte. Pyes veten: ‘Si mund të më kishin shfrytëzuar kaq shumë?’” tha ajo.