ATV

Author: K.B.

  • Vëllai e raporton të zhdukur motrën, thotë se erdhi në Prishtinë me autobus nga një shtet tjetër dhe i ka humbur lidhjet

    Vëllai e raporton të zhdukur motrën, thotë se erdhi në Prishtinë me autobus nga një shtet tjetër dhe i ka humbur lidhjet

    Një burrë e ka raportuar të zhdukur motrën e tij pasi thotë se ajo ka ardhur me autobus nga një shtet tjetër dhe pasi ka zbritur në Prishtinë i kanë humbur kontaktet.

    “PERSON I ZHDUKUR- Stacioni i Autobusëve, Prishtinë/ 27.11.2025. Me 29.11.2025 ankuesi m/k, ka raportuar se motra e tij viktima f/k, ka ardhur me autobus nga një shtet tjetër dhe ka zbritur në Prishtinë. Nga ai moment i kanë humbur lidhjet me viktimën dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti në procedurë hetimore.”

  • Mahmuti për vdekjen e Shpat Kasapit: Turpi i mbuloftë udhëheqësit e Tetovës, për Toshe Proeskin u shpallën tri ditë zie

    Mahmuti për vdekjen e Shpat Kasapit: Turpi i mbuloftë udhëheqësit e Tetovës, për Toshe Proeskin u shpallën tri ditë zie

    Veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare, Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kritikuar udhëheqësit politikë shqiptarë të Tevocës që nuk respektuan zyrtarisht dhimbjen dhe pikëllimin e shqiptarëve për vdekjen e këngëtarit Shpat Kasami.

    Duke bërë një krahasim me trajtimin që iu bë pas vdekjes këngëtarit maqedonas Todor Proeskit, Mahmuti tha se për këngëtarin më të popullarizuar shqiptar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut s’u bë asgjë.

    “TETOVË! TURPI T’I MBULOFTË UDHËHEQËSIT POLITIKË! Më 16 tetor të vitit 2007 vdiq aksidentalisht këngëtari maqedonas Todor Proeski, i njohur si Toshe Proeski. Në shenjë pikëllimi, Qeveria e atëhershme e Maqedonisë (VMRO–PDSH) shpallën 17 tetorin zi kombëtare, ndërkaq qyteti i lindjes së tij, Krusheva, shpalli tri ditë zie! Më 26 nëntor 2025, vdiq nga arresti kardiak Shpat Kasapi, këngëtari më i popullarizuar shqiptar i viseve shqiptare nën Maqedoni”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “Meqenëse Shpat Kasapi vdiq në Itali dhe transferimi i kufomës mori kohë katër ditë për ta sjellë në vendlindje, udhëheqësit e pushtetit qendror dhe lokal kishin në dispozicion katër ditë që të respektonin zyrtarisht dhembjen dhe pikëllimin e shqiptarëve. Për turp, si pushteti i nivelit qendror ashtu edhe ai i pushteti lokal, injoruan tërësisht dhembjen dhe pikëllimin tonë!”, shtoi ai.

    Mahmuti tha se, “sidoqoftë, për familjarët është një lehtësim i madh kur shohim që qindra mijëra mesazhe ngushëllimi na kanë ardhur nga të katër anët e globit për të ndarë me ne dhembjen e madhe”.

    “Shpat Kasapi ishte një YLL, drita e së cilit do të vazhdojë të shihet edhe gjatë shekujve në vijim”, shkroi ai.

  • MPJD: Arrestohet dhe lirohet ish-polici i Kosovës, Nexhat Pireva, në pikën kufitare me Serbinë

    MPJD: Arrestohet dhe lirohet ish-polici i Kosovës, Nexhat Pireva, në pikën kufitare me Serbinë

    Ish pjesëtari i Policisë së Kosovës, Nexhat Pireva, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Sipas njoftimit, Pireva, shtetas i Republikës së Kosovës nga Kamenica dhe pjesëtar i policisë për rreth 14 vite, po udhëtonte drejt Bujanocit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët.

    “Gjatë kalimit kufitar, z. Pireva është ndaluar nga autoritetet serbe dhe është marrë në pyetje për afro katër orë,” konfirmoi MPJD. Pas procedurave, ai është liruar dhe “aktualisht ndodhet në liri”.

    Në deklaratë, ministria dënoi ashpër veprimet e Serbisë. “Praktika të tilla përbëjnë keqtrajtim të shtetasve të Republikës së Kosovës dhe bien ndesh me marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve,” thuhet në komunikatë.

    MPJD u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë “deri në një njoftim të radhës”, me arsyetimin se një masë e tillë është e nevojshme “për të garantuar sigurinë e tyre”.

  • Sot mbyllet afati për koalicionet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Sot mbyllet afati për koalicionet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Sot skadon afati ligjor për partitë politike të regjistruara që të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) marrëveshjet për koalicionet zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

    Sipas KQZ-së, deri më tani janë regjistruar dy koalicione, të formuara nga partitë e komuniteteve jo-shumicë, ndërsa subjektet e mëdha politike shqiptare nuk kanë paraqitur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi.

    “Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e dy koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim: ‘PAI-PDAK-LPB’, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB); dhe Koalicioni VAKAT, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV)”, ka bërë të ditur KQZ-ja.

    KQZ ka rikujtuar se një koalicion mund të përbëhet nga të paktën dy parti politike, ndërsa pas certifikimit, asnjë parti nuk mund të tërhiqet deri në certifikimin përfundimtar të rezultatit zgjedhor.

    Po ashtu, një parti që është pjesë e një koalicioni nuk mund të paraqitet në një koalicion tjetër, as të garojë e vetme në të njëjtat zgjedhje.

  • Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt drejt fundit – epilogu pritet në dhjetor

    Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt drejt fundit – epilogu pritet në dhjetor

    Sot janë bërë dy vjet nga vrasja e Liridona Ademajt në një fshat të Prishtinës. Ajo u vra më 29 nëntor të vitit 2023, derisa bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshortin Naim Murseli po ktheheshin në shtëpi, pasi kishin ngrënë darkë në një restorant. Për këtë rast është akoma duke u zhvilluar gjykimi, ku në mesin të akuzuarve për vrasjen është edhe vet Murseli.

    Në përvjetorin e dytë të vrasjes, familja e Liridona Ademajt është në pritje të drejtësisë.Kanë kaluar dy vjet qëkur Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    Për vrasjen e saj po gjykohet bashkëshorti Naim Murseli, i cili akuzohet se e ka planifikuar vrasjen e saj me qëllim hakmarrjeje e përfitim financiar, konkretisht, nga një sigurim jetësor në Suedi që arrinte vlerën rreth 260 mijë eurosh.

    Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet të ketë planifikuar vrasjen me Kushtrim Kokallën, i akuzuar se ka njoftuar Murselin me dorasin Granit Plava, duke iu premtuar të dyve 30 mijë euro.

    E ky përvjetor i dytë i vrasjes së Ademajt e gjen familjen e saj ende duke pritur drejtësinë.

    “Këto 2 vite nuk kanë qenë të lehta për ne si familje. Nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin që ti nuk je më në mesin tonë. Na ka marrë malli shumë për praninë tënde; asgjë nuk është më e njëjtë. Vitet po ecin shpejt dhe ne ende po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty, motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Leonard Ademaj – vëllai i Liridona Ademajt.

    Rasti në gjykatë monitorohet në vazhdimësi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, nga i cili thonë se rasti mund të marrë epilog në dhjetor.

    “Kemi disa seanca gjatë dhjetorit dhe normalisht, sipas planit, mund të kemi edhe epilogun e rastit por gjithmonë duke pasur parasysh, gjithmonë prej mbrojtjes së të akuzuarve se a do deklarohen apo mbrohen në heshtje. Mund të kemi edhe datën më të saktë të përfundimit të gjykimit në këtë rast. Pa përfundu kjo fazë, nuk mund ta dimë saktë epilogun dhe kohën kur përfundon”, ka thënë Flamur Kabashi – hulumtues në IKD për Tv Dukagjini.

    Sipas Kabashit, ka një element konkret që e ka karakterizuar rastin.

    “Gjatë gjykimit deri më tash, mund të themi se është karakterizu me dëgjimin e dëshmitarëve dhe leximin e provave konkretisht me dëgjimin e dëshmitarëve, konkretisht, baba i të akuzuarit. Normalisht këto prova do vlerësohen nga ana e gjykatës në ndërlidhshmëri mes vete duke sqarua se çka kanë provu. Duhet me pas parasysh që gjatë gjykimit një rol jashtëzakonisht aktiv në marrjen në pyetje e ka pas i akuzuari ku ka parashtru pyetje në drejtim të dëshmitarëve që është e drejtë e garantuar me legjislacionin tonë në fuqi në krahasim me rastet e tjera kur të akuzuarit shumicën e rasteve, pyetjet për ta i bëjnë mbrojtësit”, ka shtuar Kabashi.

    Sipas ekspertit mjeko-ligjor që dha dëshmi në gjykatë, e ndjera ishte vrarë nga një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.

    Nga viti 2010 deri në mars të vitit 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra.

  • Edicioni i 6-të i Art Without Limit International Film Festival vjen në Prishtinë

    Edicioni i 6-të i Art Without Limit International Film Festival vjen në Prishtinë

    Edicioni i 6-të i Art Without Limit International Film Festival do të zhvillohet nga 1 deri më 3 dhjetor 2025 në Kino Armata. Ky festival ndërkombëtar sjell një program të pasur me filma nga e gjithë bota, duke përfshirë projeksione të veçanta për fëmijë, panele diskutimi dhe programe speciale si “Women Empowerment” dhe “XR – Interaction Without Limits”.

    Gjatë tre ditëve të festivalit do të shfaqen 50 filma të përzgjedhur nga profesionistë të industrisë së filmit, ndërsa në mesin e mysafirëve janë edhe figura të njohura, përfshirë producentin danez Kim Magnuson, katër herë fitues të çmimit OSCAR për filma të shkurtër. Festivalit i bashkohen artistë, regjisorë dhe audienca e gjerë, duke ofruar një hapësirë për kulturë, dialog dhe inovacion në kinematografi.

    Ky edicion premton të sjellë për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar një eksperiencë unike, duke treguar fuqinë e artit pa kufij dhe duke nxitur bashkëpunime ndërkombëtare në industrinë e filmit.

  • Milot Rashica drejt largimit nga Besiktas, kërkohet nga rivali në Superligën turke

    Milot Rashica drejt largimit nga Besiktas, kërkohet nga rivali në Superligën turke

    Sulmuesi Milot Rashica është afër të largohet nga Besiktas shkaku i minutazhës së ulët.

    Ylli kosovar raportohet se do të mbetet në Superligën e Turqisë, me skuadrën e Trabzonsporit që ka shprehur interesim.

    Sipas mediave turke, Rashica është një ndër lojtarët që Besiktasi ia ka treguar “derën” qysh në janar, ndërsa pritet të shesë disa nga lojtarët e huaj që mori këto dy vite.

    Rashica ndërkohë pëlqehet shumë te Trabzonspor, skuadër kjo që në verë e huazoi Ernest Muçin po ashtu nga Besiktasi. Klubi po konsideron të tentojë një huazim të ngjashëm me opsion blerje në fundin e sezonit.

  • A shkakton pudra plakje të parakohshme të lëkurës? Dermatologu jep këshillat kyçe

    A shkakton pudra plakje të parakohshme të lëkurës? Dermatologu jep këshillat kyçe

    Aplikimi i përditshëm i pudrës nuk e plak lëkurën, por disa zakone të gabuara mund të lënë pasoja

    Pudra është pjesë e pandashme e rutinës së përditshme për shumë gra, fsheh papërsosmëritë, njëson ngjyrën e lëkurës dhe jep një pamje të lëmuar. Por pyetja që shtrohet gjithnjë e më shpesh është: a mund që përdorimi i përditshëm i pudrës të përshpejtojë shfaqjen e rrudhave dhe plakjen e lëkurës?

    Dermatologu Pravin Banodkar shpjegon se pudra vetë nuk e përshpejton plakjen, ndërsa çelësi është në zgjedhjen e formulës së duhur, mënyrën e aplikimit dhe kujdesin ndaj lëkurës pas heqjes së grimit.

    A mund ta dëmtojë pudra lëkurën?

    Miti se grimi, sidomos pudra nxit plakjen, vjen nga koha kur produktet ishin të rënda, të yndyrshme dhe me përbërës komedogjenë (që bllokojnë poret). Formula të tilla dikur shkaktonin probleme të shumta të lëkurës.

    Sot situata ka ndryshuar plotësisht.

    Pudrat moderne janë të pasuruara me acid hialuronik, antioksidantë, madje edhe SPF, i cili është mbrojtja më e rëndësishme kundër plakjes së parakohshme të shkaktuar nga rrezet UV.

    Zakonet që mund të përshpejtojnë plakjen

    Dermatologu paralajmëron se problemi nuk është pudra, por zakonet e gabuara:

    1. Fjetja me grim

    Gjatë ditës, në lëkurë grumbullohen djersa, sebum-i dhe ndotjet. Nëse pudra mbetet në fytyrë gjatë natës, këto papastërti bllokohen në pore, duke shkaktuar inflamacion dhe dëmtim të kolagjenit e elastinës.

    2. Zgjedhja e gabuar e formulës

    Lëkura e yndyrshme përkeqësohet nga pudrat e rënda me vaj.
    Lëkura e thatë duket më e rrudhur me formula tepër mat.
    3. Nevoja për SPF

    Edhe nëse pudra ka SPF, sasia e përdorur nuk mjafton. Kremi me mbrojtje (minimalisht SPF 30) duhet të vendoset para pudrës.

    Si të përdoret pudra pa e dëmtuar lëkurën

    • Pastrimi i dyfishtë çdo mbrëmje – fillimisht me vaj/ujë micelar, pastaj me një xhel të butë.
    • Zgjedhja e formulave moderne – përdorni pudra jo-komedogjene të pasuruara me acid hialuronik, peptide ose antioksidantë.
    • SPF çdo ditë – gjithmonë nën pudër.
    • Pushim për lëkurën – gjatë fundjavës ose ditëve të qeta përdorni kremra me ngjyrë ose lëreni lëkurën të marrë frymë.

    Përfundimi i dermatologut

    “Sjelljet e gabuara, jo pudra, e dëmtojnë lëkurën. Me përzgjedhjen e duhur të produktit, pastrim të rregullt dhe mbrojtje nga dielli, pudra mund të jetë pjesë e sigurt e rutinës së bukurisë, pa frikë se përshpejton rrudhat apo prish tenin”, përfundon dr. Pravin Banodkar.

  • Radiatorët do të ngrohin më shumë nëse evitoni këtë problem

    Radiatorët do të ngrohin më shumë nëse evitoni këtë problem

    Nuk ka gjë më të bezdisshme kur radiatorët nuk ngrohin sa duhet, ndonëse temperatura është maksimale.

    Radiatorët ndonjëherë ngrohen më ngadalë nëse nuk pastrohen rregullisht, sepse pluhuri grumbullohet gjatë vitit dhe mund të bllokojë pjesët e brendshme.

    Pluhuri vepron si izolim brenda radiatorit, duke e bërë më të vështirë që të shpërndajë ngrohtësinë në dhomë, dhe kështu konsumon më shumë energji, që mund të rrisë faturat e energjisë.

    Të heqësh pluhurin nga radiatorët mund të duket e komplikuar, por ekspertët e Designer Radiator Showroom thonë se mund të bëhet thjesht me një tharëse flokësh dhe për vetëm disa minuta.

    “Një mënyrë shumë e lehtë për të hequr pluhurin nga pjesa e brendshme dhe pjesa e pasme e radiatorit është ta frysh me tharëse flokësh. Thjesht drejto tharësen në gropat e sipërme të radiatorit dhe lëre të punojë në nivelin më të lartë”, sugjerojnë ekspertët.

    “Pluhuri do të dalë shpejt nga radiatorit dhe mund të mblidhet në një peshqir ose mbulesë”.

    Përdorimi i tharëses është një nga mënyrat më të thjeshta për të pastruar radiatorin, sepse ajri i fortë nxjerr pluhurin nga pjesët e vështira për t’u arritur dhe ndihmon të shkëputet pluhuri i ngjitshëm që ka qëndruar brenda.

    Pas kësaj, mjafton ta pastroni dyshemenë me një fshesë elektrike për të pastruar pluhurin e mbetur.

    Kjo është një punë e lehtë që zgjat rreth 10 minuta, por do të ndihmojë radiatorin të ngrohë shtëpinë më shpejt dhe gjithashtu mund të kursejë energji.

  • Pija të cilën kardiologët rekomandojnë ta pini çdo ditë

    Pija të cilën kardiologët rekomandojnë ta pini çdo ditë

    Kur bëhet fjalë për dietën dhe shëndetin e zemrës, ndoshta tashmë e dini çfarë duhet të keni parasysh.

    Ndiqni një dietë të bazuar kryesisht në perime dhe ushqime bimore. Hani ushqime të pasura me yndyrna të pangopura, si peshk, arra dhe vaj ulliri.

    Mos konsumoni çdo ditë mish të yndyrshëm dhe gjithashtu shmangni ushqimet e pasura me kripë.

    Sa i përket pijeve, gjithashtu mund ta dini se cilat janë më të dëmshmet për zemrën, pijet e gazuara, përfshirë dietike dhe alkooli.

    Të dini se çfarë ushqimesh dhe pije ndihmojnë zemrën dhe (cilat e dëmtojnë) është thelbësore për shëndetin kardiovaskular.

    Edhe nëse mendoni se jeni të informuar për një dietë të shëndetshme për zemrën, ka një pije që shpesh harrohet, por që mjekët kardiologë rekomandojnë të konsumohet çdo ditë: çaji jeshil.

    Pse çaji jeshil është i mirë për zemrën?

    Përmban antioksidantë që mbrojnë qelizat

    Çaji jeshil është i pasur me antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi i shkaktuar nga radikalet e lira. Radikalet e lira shkaktojnë inflamacion, një nga faktorët kryesorë të sëmundjeve të zemrës.

    Ul presionin e gjakut

    Antioksidantët në çajin jeshil ndihmojnë enët e gjakut të relaksohen dhe të zgjerohen, duke përmirësuar qarkullimin dhe ulur presionin e gjakut, veçanërisht tek personat me hipertension.

    Rrit metabolizmin dhe ndihmon në menaxhimin e peshës

    Çaji jeshil mund të përshpejtojë metabolizmin, duke ndihmuar humbjen e peshës. Kjo është e rëndësishme sepse mbipesha është një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës. Për më tepër, çaji jeshil nuk ka kalori.