ATV

Author: K.B.

  • Haradinaj: Në garën e ardhshme nacionale po hyn edhe njëri ndër bashkëluftëtarët e mi, Blerim Bajramaj-Leci

    Haradinaj: Në garën e ardhshme nacionale po hyn edhe njëri ndër bashkëluftëtarët e mi, Blerim Bajramaj-Leci

    Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka bërë të ditur se bashkëluftëtari i tij, Blerim Bajramaj-Leci, do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

    Haradinaj kujtoi kontributin e Bajramajt gjatë luftës në Kosovë, ku u plagos rëndë por vazhdoi të qëndronte në vijën e frontit për 18 muaj në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”.

    Ai theksoi se Bajramaj mori pjesë edhe në luftimet në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, ku u dallua për mbrojtjen e popullatës shqiptare. Pas përfundimit të luftërave, Bajramaj ka shërbyer për 25 vite në mbështetje të Ramush Haradinajt.

    Haradinaj tha se Blerim Bajramaj hyn në këtë garë politike me përvojë dhe besim se do të ndihmojë në forcimin e faktorit shqiptar në rrugën euroatlantike.

  • Pse makina juaj harxhon më shumë karburant në dimër sesa në verë?

    Pse makina juaj harxhon më shumë karburant në dimër sesa në verë?

    Mesatarisht, në një temperaturë prej minus shtatë gradë, një makinë konsumon deri në 12 përqind më shumë karburant sesa në pranverë ose verë në 25 gradë.

    Të ngasësh distanca të shkurtra në dimër nuk është ekonomike sepse atëherë makina konsumon më shumë karburant – motori nuk arrin të ngrohet. Mesatarisht, në një temperaturë prej minus shtatë gradë, një makinë konsumon deri në 12 përqind më shumë sesa në pjesën më të ngrohtë të vitit.

    Ka disa arsye për këtë: motorit i duhet kohë për të arritur temperaturën optimale në të cilën funksionon më me efikasitet. Moti i ftohtë ul presionin e gomave, gjë që mund të rrisë rezistencën e rrotullimit dhe konsumin e karburantit (prandaj kontrolloni presionin e gomave periodikisht).

    Ajri i ftohtë i jashtëm është më i dendur se ajri i ngrohtë, kështu që rezistenca ndaj ngasjes dhe konsumi i karburantit rriten.

    Në kushtet kur ka borë dhe akull në rrugë, ka më shumë rrëshqitje të rrotave lëvizëse, gjë që rrit edhe konsumin. Ngasja më e ngadaltë deri në 60 kilometra në orë gjithashtu ka një efekt negativ në konsumin e karburantit.

    Parkimi në zona më të ngrohta, siç janë garazhet, mund të ndihmojë. Gjithashtu, kur ta ndizni makinën, filloni të ngisni sa më shpejt të jetë e mundur, sepse motori do të ngrohet më shpejt.

    Mos i përdorni funksionet e zhbllokimit të xhamave dhe ngrohjes së sediljeve për më gjatë seç është e nevojshme.

  • I fejuari tentoi ta vriste/ QKUK-ja jep detaje mbi gjendjen shëndetësore të viktimës nga Fushë-Kosova

    I fejuari tentoi ta vriste/ QKUK-ja jep detaje mbi gjendjen shëndetësore të viktimës nga Fushë-Kosova

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Fushë Kosovë, ku një person ka tentuar ta vriste të fejuarën e tij.

    Sipas raportit të policisë, viktima është dërguar në QKUK dhe i është nënshtruar operimit për shkak të gjendjes kritike të saj.

    Drejtori i Qendrës Emergjente, Naser Syla ka dhënë detaje.

    Ai tha se viktima është në gjendje stabile dhe tani është duke u trajtuar në Mjekim Intensiv Qendror.

    “Pacienti në Mjekim Intensiv Qendror ndodhet në gjendje stabile. Mbrëmë është trajtuar në Qendren Emergjente, ku ekipet kujdestare të Anestezionit dhe Kirurgjisë Abdominale kanë kryer intervenimin në sallat operative. Pas trajtimit fillestar, ai është dërguar në MIQ për kujdes dhe trajtim të mëtejshëm.” deklaroi Syla.

  • Ekspertët paralajmërojnë: Tharja e rrobave brenda dhomës sjell pasoja serioze për shëndetin

    Ekspertët paralajmërojnë: Tharja e rrobave brenda dhomës sjell pasoja serioze për shëndetin

    Tharja e rrobave brenda dhomës është një praktikë e zakonshme për shumë familje, sidomos gjatë dimrit, por ekspertët paralajmërojnë se kjo sjell një sërë efektesh anësore që shpesh nënvlerësohen.

    Sipas specialistëve, rrobat e lagura rrisin lagështinë e ajrit deri në 30%, duke krijuar kushte ideale për zhvillimin e mykut dhe baktereve. Kjo mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen, alergji, kollë të vazhdueshme dhe acarim të sinuseve, veçanërisht te fëmijët dhe personat me astmë.

    Gjithashtu, lagështia e tepërt dëmton muret dhe mobiliet, duke shkaktuar njolla, aroma të pakëndshme dhe krijimin e sporeve të mykut që përhapen në gjithë shtëpinë.

    Ekspertët rekomandojnë tharjen e rrobave në ambiente të jashtme, përdorimin e tharëseve elektrike ose ajrosjen e shpeshtë të dhomës nëse tharja brenda është e paevitueshme.

    Tharja e rrobave në dhomë mund të duket praktike, por pasojat afatgjata për shëndetin dhe ambientin e shtëpisë janë të konsiderueshme.

  • Politikani afrikan Adolf Hitler ndryshon emrin

    Politikani afrikan Adolf Hitler ndryshon emrin

    Një politikan namibian, i njohur më parë si Adolf Hitler Uunona, ka ndryshuar emrin e tij, duke hequr fjalën “Hitler” nga dokumentet zyrtare.

    “Emri im nuk është Adolf Hitler, unë jam Adolf Uunona. Kam parë njerëz që më quajnë Adolf Hitler më parë dhe përpiqen të më lidhin me dikë që as nuk e njoh”, tha ai.

    Uunona, një politikan vendas në Ompundja në rajonin Oshani në veri të vendit, ka tërhequr tashmë vëmendjen ndërkombëtare për shkak të emrit të tij.

    Ai tha se ishte distancuar qartë nga ideologjia naziste dhe se babai i tij e kishte zgjedhur emrin e tij pa e kuptuar rëndësinë historike.

    Uunona kandidoi përsëri në zgjedhjet e pjesshme të Oshanës dhe e mbajti vendin e tij në zonën e tij të vogël zgjedhore veriore, pavarësisht emrit të diskutueshëm.

    Ai fitoi zgjedhjet e mëparshme me një shumicë të konsiderueshme votash.

    Votuesit në rajon thanë se emri i tij nuk është i rëndësishëm dhe se e gjykojnë atë nga rezultatet e tij.

  • S`ka as nesër autobusë në kryeqytet, grevistët presin alokimin e mjeteve

    S`ka as nesër autobusë në kryeqytet, grevistët presin alokimin e mjeteve

    Autobusët e kryeqytetit, nuk do t’i kthehen punës as nesër. Greva e punëtorëve të Trafiku Urban do të vazhdojë nga ora 10.00.

    Kështu ka konfirmuar për Radio Kosovën, kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, duke thënë se greva do të vazhdojë deri në momentin që Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin që ka ndaj operatorëve publikë dhe atyre privat.

    Duke filluar nga ora 10.00 e mëngjesit deri në orën 12.00, Trafiku Urban do të bllokojë rrugët nga Qeveria e Kosovës deri te Komuna e Prishtinës, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave dhe mos alokimin e borxhit nga Komuna e Prishtinës. Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, duke folur për Radio Kosovën tha se sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban, janë dy kërkesat bazike të kësaj greve.

    “Nesër fillon greva në orën 10.00 deri në orën 12.00, me autobus do të dalim për bartjen e punëtorëve tanë deri të objekti i Komunës. Greva do të vazhdojë deri në momentin e alokimit të mjeteve në xhirollogarinë e Trafikut Urban. Vendimi që është marr të premten, ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave dhe atje e kemi premtimin që në momentin e verifikimit ato të alokohen në Komunën e Prishtinës dhe më pas komuna do të bëjë shpërndarjen sipas obligimeve që detyrohet. Nëse nuk alohohen, greva vazhdon në ditët me radhë, varësisht nga kushtet që do të kemi”, tha ai.

    Gashi ka shprehur keqardhjen për vështirësitë që janë shkaktuar nga pezullimi i transportit publik, por ka thënë se në momentin që mjetet alokohen, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.

    “Ky vendim ka mundur të merret edhe muaj më parë, por pse ka ndodh kështu, e dinë ata vet. Sigurisht kanë pritë protestë me bë. Është njollë e keqe me prit protestë për ta marr një vendim. Shpresojmë shumë që të mos vjen në këtë gjendje më, qyteti i Prishtinës”, shtoi ai.

    Zyrtarë të Trafikut Urban kanë theksuar se të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin e transportit.

    Greva e Trafikut Urban ka nisur nga e hëna, duke u pezulluar të gjitha linjat. 3 milionë e 220 mijë euro janë borxhet që Komuna ia ka Trafikut Urban, ndërsa 1 milion e 600 mijë euro, Trafiku Urban ua ka borxh furnitorëve për derivate, tha krye-sindikalisti, Ilmi Gashi.

  • Mes shumë të pranishmëve, varroset Shpat Kasapi në vendlindje

    Mes shumë të pranishmëve, varroset Shpat Kasapi në vendlindje

    Sot është varrosur këngëtari i njohur shqiptar, Shpat Kasapi, artisti që rrëmbeu zemrat e publikut me hitet e tij ndër vite.

    Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor, në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak në Itali.

    Në paraditen e sotme, u zhvillua edhe një ceremoni përkujtimore në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku një numër i madh miqsh, bashkëpunëtorësh, familjarësh dhe figurash publike u mblodhën për t’i dhënë nderimin e fundit artistit.

    Pas homazheve, Shpat Kasapi u varros në varrezat e qytetit të Tetovës.

  • Qyteti i vogël ku pothuajse e gjithë popullsia jeton në një ndërtesë

    Qyteti i vogël ku pothuajse e gjithë popullsia jeton në një ndërtesë

    Një grua jeton në një qytet aq të vogël të Alaskës saqë 75% e banorëve jetojnë të gjithë në një ndërtesë.

    Jamie Loan, 36 vjeç, u zhvendos në Whittier së bashku me bashkëshortin e saj Kyle, 37 vjeç, shtatë vjet më parë, pasi bleu një apartament buzë ujit.

    Shumica e vendasve aty banojnë në ndërtesën 14-katëshe të qytetit.

    Jamie, e cila ka lindur në Florida, por është zhvendosur në Alaska në moshën katërvjeçare, shpjegon se dimrat në Whittier mund të përjetojnë temperatura që bien në -20 gradë Celsius.

    “Vendosëm të transferoheshim në Whittier sepse ishte një vend i mirë midis zonës bregdetare. Plus, shtëpitë janë mjaft të lira dhe ne arritëm të blinim një apartament buzë ujit me çmimin e një veture të përdorur.”

    Jamie ka hedhur poshtë mitin e përhapur se të gjithë në Whittier jetojnë në të njëjtën ndërtesë.

    Në realitet, 75% e popullsisë së qytetit jeton në Begich Towers Condominium (BTI), një strukturë 14-katëshe e ndërtuar fillimisht për të akomoduar ushtrinë amerikane në vitin 1957.

  • Përdorimi i telefonave inteligjentë para moshës 13 vjeç, ndikon në strukturën e trurit

    Përdorimi i telefonave inteligjentë para moshës 13 vjeç, ndikon në strukturën e trurit

    Asambleja e Përgjithshme e Pediatrisë në Itali ka ngritur alarmin se përdorimi i tepërt dhe i hershëm i pajisjeve smart midis moshave 3 dhe 5 vjeç ndryshon strukturën e trurit, duke shkaktuar probleme me zhvillimin dhe kujtesën.

    Marrëdhënia e fëmijëve të vegjël me botën digjitale, telefonat inteligjentë, tabletët është më shumë se një magjepsje, është pothuajse një varësi që çon në një “qetësim emocional” kur të rriturit u japin të vegjëlve të tyre një pajisje për t’i mbajtur të qetë.

    Kjo mund të shkaktojë dëme të papritura jo vetëm në peshë, shikim e aftësi sociale, por edhe në strukturën e trurit, që ndryshon te përdoruesit e zellshëm të teknologjisë.

    Në vitet 2018 e 2019, Shoqata Italiane e Pediatrisë pati paralajmëruar mbi rrezikun e përdorimit të pajisjeve smart nga fëmijët para moshës 2 vjeç, duke i kufizuar në më pak se një orë në ditë midis moshave 2 dhe 5 vjeç e në më pak se dy orë pas 5 vjeçëve, por nën mbikëqyrjen e të rriturve.

    Tani e trajton sërish çështjen e fëmijëve digjitalë, me tone alarmi.

    Asambleja e Përgjithshme e Pediatrisë 2025 paraqiti shqetësimin në Senat.

    Çdo orë e kaluar para një ekrani rrit rreziqet fizike dhe mendore. Gjysmë ore më shumë në ditë se mesatarja prej 15 minutash mund të dyfishojë rrezikun e vonesës gjuhësore te fëmijët nën 2 vjeç dhe çdo orë shtesë zvogëlon gjumin me rreth 15 minuta te ata midis 3 dhe 5 vjeç. Më shumë se 50 minuta më shumë në ditë shoqërohet me një rrezik më të lartë të hipertensionit pediatrik. Madje edhe midis moshës 3 e 6 vjeç, kjo shoqërohet me një rrezik më të lartë për të qenë mbipeshë.

    Si e ndryshon teknologjia digjitale trurin?

    Gjatë viteve të para të jetës, truri i fëmijëve zhvillohet përmes përvojave të botës reale, lojës, marrëdhënieve e gjuhës. Përdorimi i hershëm dhe i zgjatur i pajisjeve digjitale mund të ndërhyjë në këto procese, duke ndryshuar vëmendjen e mekanizmat e vetërregullimit.

    Studimet neuroimazherike të fëmijëve 3 deri në 5 vjeç që kaluan shumë kohë në pajisjet digjitale treguan ndryshime në zonat e trurit që lidhen me vëmendjen dhe të kuptuarit.

    Në mënyrë specifike, korteksi cerebral tregoi më pak trashësi në zonat që lidhen me gjuhën, vëmendjen e kujtesën dhe për këtë arsye, një zhvillim më pak të pjekur të këtyre të këtyre funksioneve.

    Nëse një fëmijë ka vështirësi në gjuhë ose matematikë, një ndryshim në strukturën e trurit nuk është i dukshëm, por mund të ndikojë në kujtesë apo shkrim-lexim.

    Shëndeti i syve

    Përdorimi i zgjatur i pajisjeve dëmton shëndetin vizual të fëmijëve dhe adoleshentëve. Studimet konfirmojnë cënueshmëri më të madhe të syve, tendosje të tyre, si dhe rrezikun e strabizmit akomodues te fëmijët e vegjël. Ekspozimi i zgjatur mund të zvogëlojë frekuencën e pulsimit të syve, duke nxitur tharjen dhe acarimin e syve. Kjo gjithashtu rrit rrezikun e miopisë dhe tendosjes së syve.

    Varësitë digjitale

    Ka varësi dhe një rritje në përdorimin problematik të teknologjisë: pajisjet përdoren si një mjet për të qetësuar të qarat ose për të shpërqendruar e mbajtur të vegjëlit të qetë në një restorant. Të gjitha këto mund të rrisin varësinë nga stimulimi digjital.

    Sipas studimeve, përdorimi problematik është më i madh kur telefonat inteligjentë lejohen para moshës 13 vjeç. Faktorët e rrezikut përfshijnë ekspozimin e hershëm, kohën e tepërt në internet, mungesën e rregullave, izolimin dhe vështirësitë emocionale.

    Faktorët mbrojtës kanë të bëjnë me praninë prindërore, dialogun, rregullat e përbashkëta dhe aktivitetet.

  • Limaj kujton 20-vjetorin e lirimit nga Haga: Trishtuese që edhe sot testohet lufta jonë çlirimtare

    Limaj kujton 20-vjetorin e lirimit nga Haga: Trishtuese që edhe sot testohet lufta jonë çlirimtare

    Më 30 nëntor 2005, Gjykata e Hagës e shpalli të pafajshëm ish-luftëtarin e UÇK-së, Fatmir Limaj-Çeliku, lidhur me akuzat për krime lufte.

    Sot, në 20-vjetorin e atij vendimi, Limaj ka reaguar me një postim të gjatë në Facebook.

    Ai shkroi se aktgjykimi lirues i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës e vërtetoi edhe një herë drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Sot bëhen 20 vjet nga aktgjykimi lirues i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila foli qartë: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, e pastër dhe në mbrojtje të një populli që luftoi për të jetuar i lirë.

    Gjykimi ndaj meje dhe dy bashkëluftëtarëve të mi, Isakut dhe Haredinit, fatkeqësisht doli të jetë aktakuza e parë gjyqësore në Hagë kundër pjesëtarëve të UÇK-së”, shkroi Limaj.

    Ai u shpreh i zhgënjyer që edhe sot, pas dy dekadash, lufta çlirimtare vazhdon të vihet në pikëpyetje në Hagë, ndërsa bashkëluftëtarët e tjerë po përballen me procese të reja.

    “Ballafaqimi ynë gjyqësor në Hagë ishte i gjatë dhe sfidues. Në atë kohë Kosova nuk ishte shtet dhe ne ishim pa asnjë përkujdesje institucionale, pa mbrojtje të organizuar, ashtu siç do të duhej ta kishim në një proces të tillë gjyqësor.

    Edhe ne si individë, edhe e vërteta e luftës sonë çlirimtare, për herë të parë po sfidoheshin në nivelet e drejtësisë ndërkombëtare në Hagë.

    Në gjithë këtë proces e kishim të vërtetën e UÇK-së dhe mbështetjen e popullit.

    Është trishtuese që edhe sot, pas 20 viteve, lufta jonë çlirimtare vazhdon të testohet e sfidohet po në Hagë, në gjykimin e bashkëluftëtarëve tanë.

    Akuzat, shpifjet dhe fabrikimet kundër UÇK-së nuk kanë të ndalur edhe pas 20 viteve”, u shpreh ish-komandanti i UÇK-së.

    Limaj u shpreh njëherësh kritik ndaj institucioneve të Kosovës, duke thënë se shteti po bën shumë pak për mbrojtjen e historisë dhe së vërtetës mbi të cilën është ndërtuar.

    “Po ashtu, është trishtuese kur sheh tani që Kosova, edhe pse është shtet, po bën fare pak në mbrojtje të historisë dhe së vërtetës së vet, mbi të cilën është ndërtuar ky shtet.

    Përjetësisht krenar me luftën tonë çlirimtare; ajo nuk mund të njolloset; ajo është e pastër si loti.

    Rroftë UÇK-ja!

    Lavdi dëshmorëve të kombit!”, shkroi ish-komandant Çeliku.