ATV

Author: K.B.

  • Rezarti publikon pamje nga varrimi i Shpat Kasapit: ‘Mbi 3 mijë njerëz për ty o vllai im

    Rezarti publikon pamje nga varrimi i Shpat Kasapit: ‘Mbi 3 mijë njerëz për ty o vllai im

    Aktori i njohur Rezart Veleshnja ka ndarë një video emocionale të krijuar si homazh artistik për këngëtarin Shpat Kasapi, duke shprehur mirënjohje, respekt dhe vlerësim për figurën e tij.

    Në videon simbolike, që përshkruan skena mbështetjeje dhe dashurie, Veleshnja ka shkruar:

    “Mbi 3 mijë njerëz për ty o vllai im Shpat. Kaq zemër të mirë kishe.”

    Mesazhi preku ndjekësit e tij, të cilët po e ndjejnë dhimbjen dhe përshkrimin e fortë emocional.

  • Edhe 7 orë afat: Këto janë 13 partitë dhe 2 koalicionet që aplikuan deri tani për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Edhe 7 orë afat: Këto janë 13 partitë dhe 2 koalicionet që aplikuan deri tani për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Sot në ora 23:59, përfundojnë afatet për aplikim të subjekteve politike për certifikim, deklarimin e koalicioneve dhe njoftimin për mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Sipas njoftimit të KQZ, deri në orën 16:00, 15 subjekte politike kanë dorëzuar formularët për certifikim.

    Deri tani janë regjistruar edhe dy koalicione zgjedhore:
    – PAI – PDAK – LPB
    – Koalicija VAKAT

    Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve vazhdon deri më 7 dhjetor 2025, përmes platformës së KQZ-së.

    Njoftimi i plotë;

    Sot (e diel, 30 nëntor 2025, në ora 23:59) përfundojnë afatet e periudhave të ndryshme për subjektet politike lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Këto afate janë si në vijim:
    -Afati për subjektet politike për aplikim për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje;
    -Afati për partitë politike për deklarim të koalicioneve; dhe
    -Afati për partitë politike për njoftim të mospjesëmarrjes në zgjedhje.

    Afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, 24 nëntor – 30 nëntor 2025:

    Deri më tani (e diel, 30 nëntor 2025, ora 16:00) 15 subjekte politike kanë plotësuar formularin e certikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili është i ngjashëm me formularin e proceseve të kaluara zgjedhore.

    SUBJEKTET POLITIKE APLIKUESE

    Koalicionet:

    1. Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”; dhe
    2. Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV);

    Partitë politike:
    3. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK;
    4. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK:
    5. Kosovaki Nevi Romani Partia;
    6. JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;
    7. Za Slobodu Pravdu i Opstanak;
    8. KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI;
    9. PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;
    10. PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;
    11. SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;
    12. SRPSKA LISTA;
    13. INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS;
    14. FJALA;
    15. NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS.

    Afati për partitë politike për deklarim të koalicioneve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhje, 24 nëntor – 30 nëntor 2025:

    Deri më tani (e diel, 30 nëntor 2025, ora 16:00), KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e dy koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim:
    1. Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”; dhe
    2. Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV);

    Po ashu, më 30 nëntor përfundon afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

    Afati për dorëzimin e listës së kandidatëve të subjekteve politike, 24 nëntor – 7 dhjetor:

    Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) që aplikojnë për certifikim, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

  • Vuçiq: Nga e marta, rafineria e NIS-it nuk do të funksionojë më

    Vuçiq: Nga e marta, rafineria e NIS-it nuk do të funksionojë më

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi më 30 nëntor se nga e marta rafineria e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) në Pançevë nuk do të funksionojë më dhe se Serbia do të duhet të “gjejë mënyra të ndryshme për të menaxhuar” situatën, raporton Beta.

    Vuçiq u tha qytetarëve se duhet të jenë të qetë, sepse shteti do të ketë “mjaft zgjidhje dhe mjaft para”.

    Ai paralajmëroi se sot do të përpiqet të zhvillojë bisedime shtesë me amerikanët, por se nuk beson që ata do ta ndryshojnë vendimin. Vuçiq tha tashmë nuk pret që do të marrë licencë nga SHBA-ja dhe se rafineria duhet të mbyllet të martën.

    Gjithashtu, ai tha se nesër ka një takim të rëndësishëm në të cilin duhet të adresohen këto probleme dhe se Serbinë e pret “një betejë e vështirë”.

    Vuçiq tha për TV Informer se “nuk e kupton logjikën dhe taktikën” e SHBA-së lidhur me NIS-in, as pse kësaj kompanie nuk i zgjatet leja e punës, megjithëse shteti serb ka dhënë garanci se deri në afatin e vendosur nga SHBA-ja do të ndryshohet pronësia në atë kompani, e cila është nën sanksionet amerikane për shkak të pronësisë ruse.

    Serbia më herët kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të miratojnë licencën e punës për NIS-in, ndërkohë që po zhvillohen negociatat për ndryshimin e pronësisë në këtë ndërmarrje që është nën sanksionet e SHBA-së.

    Ai theksoi se i kanë transmetuar SHBA-së se i respektojnë sanksionet e tyre dhe se kanë kuptuar se është e nevojshme të ndryshohet pronësia në NIS, si dhe se kjo do të ndodhë brenda 50 ditësh, dhe se shteti serb jep garanci që kjo do të ndodhë pas skadimit të atij afati.

    Vuçiq u shpreh se nga SHBA-ja u ka thënë që sanksionet i kanë paralajmëruar që para tetë-nëntë muajsh.

    Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor dhe janë pjesë e një përpjekjeje të administratës amerikane për të penguar Rusinë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë. Këto sanksione ishin shtyrë më parë tetë herë.

    Vuçiq përsëriti se Serbia nuk është pronarja kryesore e kompanisë dhe se ajo nuk mund të vendosë në emër të rusëve se çfarë do të bëjë me të.

    Ai kujtoi se Serbia kishte vetëm të drejtën e përparësisë për blerje si aksionere minoritare e NIS-it dhe se e ka hequr dorë nga kjo e drejtë për t’u lënë rusëve mundësinë që ta bëjnë “sipas dëshirës së tyre”, sepse kjo është “e drejtë” kur dikush duhet të shesë nën presion, dhe sanksionet janë vendosur nga jashtë.

    NIS është kryesisht në pronësinë e kompanive ruse, ndërsa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve, dhe pjesa tjetër është në duart e hisedarëve më të vegjël.

    Vuçiq tha se është pothuajse i sigurt se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk i di detajet, por se ato i dinë shumë zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe se kjo dukshëm është politika që ata mbështesin.

    Udhëheqësi serb tha se kishte përpjekur dhe ishte i sigurt se amerikanët do të merrnin një vendim pozitiv pas Ditës së Falënderimeve, e cila ishte të enjten, por kjo nuk ndodhi, dhe tani nuk e pret më këtë.

    “Tani duhet të përgatitemi dhe të bëjmë punën tonë, për të siguruar vendin. Këtu do të na tërheqin të gjithë dhe do të kërkojnë që të jemi në kampin e tyre, askush nuk do të na lejojë të jemi neutralë dhe të merremi me punët tona”, tha Vuçiq.

    Ai shtoi se te rusët “nuk ka shumë nxitim – për ta më e rëndësishme është që pronësia e tyre të qëndrojë sa më gjatë të jetë e mundur” dhe shtoi se Serbia është në “një situatë shumë të vështirë”, por se do ta “zgjidhë problemin”.

    Ai përmendi gjithashtu se Serbia ka një marrëveshje për gaz me Rusinë deri më 1 janar dhe se do të përpiqet të diskutojë edhe një herë për zgjatjen e saj me rusët, “dhe nëse kjo nuk bëhet, do të shkojmë te të tjerët”.

    “Ne do të luftojmë dhe do të përpiqemi të ruajmë aty ku mund marrëdhënie miqësore, dhe aty ku mundet, marrëdhënie partneriteti”, theksoi ai.

    Prej dekadash, Serbia varet nga gazi rus nga i cili siguron më shumë se 80 për qind të nevojave të saj energjetike, por shteti nuk ka një kontratë afatgjatë me Rusinë për furnizim me gaz për këtë energjent, dhe nuk ka një kontratë afatgjatë me Rusinë për furnizimin me gaz.

  • Arrestohet në Tropojë një person që po sillte drogë e municion luftarak në Kosovë

    Arrestohet në Tropojë një person që po sillte drogë e municion luftarak në Kosovë

    Policia e Shqipërisë ka kapur ndrogë, tritol dhe municion tjetër në Pukë dhe e ka arrestuar një 29-vjeçar.

    Siç njoftoi Policia, L.P. e transportoi drogën eksplozivin dhe municionin luftarak drejt Tropojës me anë të një varke. Dërgesa, sipas Policisë, kishte destinacion Kosovën.

    “Finalizohet operacioni policor i koduar “Varkëtari”. Transportoi me varkë drejt Tropojës drogë, eksploziv dhe municion luftarak, me qëllim që ta trafikonte drejt Kosovës; vihet në pranga 29-vjeçari nga Puka. Sekuestrohen 1.2 kilogramë lëndë narkotike kanabis, 405 gram tritol, 51 kapsolla detonatore, 5 m fitil zjarrpërcjellës, municion luftarak, si dhe një sasi lekësh. Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas do të transportonte drejt Kosovës një sasi lëndë narkotike dhe lëndë eksplozive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Varkëtari””, thuhet në njoftim.

    Policia thotë se 29-vjeçari u arrestua “në flagrancë”.

    “Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Dushaj, duke lëvizur me automjetin tip “Volkswagen”, në të cilin kishte fshehur në brendësi të bagazhit lëndën narkotike, eksplozivin dhe municionin luftarak, të cilat dyshohet se i kishte transportuar me varkë nëpërmjet liqenit, nga fshati Apripë, Pukë, deri në Tropojë, ku kishte parkuar automjetin me qëllim shmangien e kontrollit të Policisë”, thuhet në njoftim.

    Policia shqiptare thotë se “në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me homologët e Kosovës vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personit që do t’i blinte në Kosovë”.

    “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në fund të njoftimit

  • Vdekja e Shpat Kasapit, e hëna ditë zie në Tetovë

    Vdekja e Shpat Kasapit, e hëna ditë zie në Tetovë

    Për shkak të vdekjes së artistit, Shpat Kasapi, Komuna e Tetovës ka vendosur që dita e nesërme të jetë ditë zie në gjithë territorin e saj, informon Telegrafi Maqedoni.

    Njoftimi ka ardhur nga Komuna e Tetovës ku theksohet se këngëtari Shpat Kasapi dha një kontribut të veçantë për zhvillimin e kulturës dhe muzikës.

    Njoftimi i plotë:

    “Nesër (e hënë), 01.12.2025, për shkak të vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi, Komuna e Tetovës do të shpall ditë zie në gjithë territorin e saj! Shpat Kasapi dha një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës dhe muzikës në Komunën e Tetovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në skenën muzikore shqiptare!Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë artdashësve!”

    Kujtojmë se Shpat Kasapi u varros sot në varrezat e qytetit të Tetovës, pasi ndërroi jetë nga një sulm në zemër në moshën 40 vjeçare.

  • Murati: Opozita, duke e bllokuar shtetin, mendoi t’ia lërë fajin Kurtit

    Murati: Opozita, duke e bllokuar shtetin, mendoi t’ia lërë fajin Kurtit

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuram Murati i është rikthyer sërish akuzave për partitë e deritashme opozitare, për siç ka thënë ai, mosvotimin e buxhetit të Republikës, marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e tri komunave e atë për RTK-në.

    Derisa përmendi miliardat që nuk morën dritën jeshile sa ishte ende Kuvendi i Kosovës me mandat, ai ka thënë se opozitarët nuk i votuan ato, jo sepse pati kundërshtim në përmbajtje, por, siç thotë ai, për t’i mbetur faji Albin Kurtit.

    Postimi i tij i plotë:

    Opozita refuzoi t’i votonte:

    👉 4 miliardë euro buxhet për 2026

    👉 1 miliardë euro marrëveshje ndërkombëtare

    👉 Buxhetin e tri komunave për 2025

    👉 Buxhetin pë RTK-në

    Nuk i votuan, jo se kishin ndonjë kundërshtim me përmbajtjen, por sepse menduan që duke e bllokuar shtetin e duke i lënë qytetarët pa paga, faji do t’i mbetej Albin Kurtit.

    Qytetarët do ta mbajnë mend këtë veprim destruktiv të partive opozitare dhe do t’ua tregojnë vendin me votë me 28 dhjetor.

  • Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora

    Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se strukturat e Aleancës në diasporë janë të mobilizuara për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se në Lörrach të rajonit Baden-Württemberg, në një takim me strukturat e AAK-së në këtë nëndegë, ku i pranishëm ishte edhe shefi i Shtabit Zgjedhor, Bekë Berisha, u konfirmua kandidatura e Nezir Gashit për deputet.

    Haradinaj ka bërë thirrje që diaspora të vijë më 28 dhjetor dhe të votojë.

    “Nezir Gashi, nga Qupeva e Klinës, vëlla i dëshmorit Hazir Gashi, përfaqëson më së miri angazhimin, besnikërinë dhe përkushtimin e diasporës sonë. Ai është një aktivist i palodhur i Aleancës dhe i kauzës shqiptare në mërgatë”.

    “Kjo është dëshmi se Aleanca e sheh diasporën si forcë të pazëvendësueshme të Kosovës dhe të proceseve tona shtetformuese. Më 28 dhjetor, vëllezër e motra nga mërgata, ju presim në atdhe që të festojmë bashkë”, tha Haradinaj.

  • Fatmir Spahiu: Pamjet e ceremonisë mortore të Shpatit na kujtojnë se sa e shpejt është kjo jetë

    Fatmir Spahiu: Pamjet e ceremonisë mortore të Shpatit na kujtojnë se sa e shpejt është kjo jetë

    Sot (e diel) i është dhënë lamtumira e fundit këngëtarit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi.

    Ai ndërroi jetë të mërkurën nga një sulm në zemër, derisa ndodhej me familjen në Itali.

    Në pamjet e varrimit u panë të pranishëm figura të shumta të artit e muzikës, miq e familjarë.

    Në lidhje me këtë u bë një reagim edhe nga aktori i njohur nga Gjilani, Fatmir Spahiu.

    Më poshtë postimi i plotë (pa ndërhyrje):

    “Pamjet e cermonise mortore te Shpat Kasapit na kujtojne se sa e shpejte eshte kjo jete dhe sa te parendesishme jane do derte te vogla ditore.

    Nuk e kam njofte personalisht, nje here e kam taku ne nje fluturim.

    Me eshte duke djale super i kendeshem, i qeshun! Kenga e tij “Valle Kosovare” do te kendohet e vallezohet gjate ne ndeja e gezime shqiptare.

    Qofte i Parajses”.

  • Holandë, 18-vjeçarja vritet nga vëllezërit dhe hudhet në moçal – urdhrin e dha babai

    Holandë, 18-vjeçarja vritet nga vëllezërit dhe hudhet në moçal – urdhrin e dha babai

    Dy vëllezër sirianë janë në gjyq në Holandë të akuzuar për vrasjen e motrës së tyre adoleshente për shkak të “sjelljes së saj”.

    Mohamed Al Najjar, 23 vjeç, dhe vëllai i tij Muhanad, 25 vjeç, dyshohet se e kanë lidhur dhe e kanë hedhur në një moçal 18-vjeçaren Ryan Al Najjar, pasi zbuluan se ajo kishte të dashur, gjë që ata pretendojnë se i solli “turp” familjes.

    Babai i tyre, Khaled, akuzohet se ka urdhëruar vrasjen dhe thuhet se është arratisur në Siri .

    Trupi i Ryan u gjet i zhytur në një kënetë gjashtë ditë pasi ajo u zhduk nga shtëpia e familjes, shkruan the Telegraph.

    Zbulimi u bë nga një kalimtar më 28 maj në Lelystad, në verilindje të Amsterdamit.

    ADN-ja që i përkiste babait të saj u gjet nën thonjtë e Ryan nga hetuesit, duke sugjeruar se ajo kishte luftuar për jetën përpara se të vdiste.

    Bëhet e ditur se babai i saj do të gjykohet në mungesë.

    Ndërkohë, vëllezërit deklarojnë pafajësinë e tyre dhe pretendojnë se babai i tyre e vrau Ryanin i vetëm.

    Është raportuar se Khaled u shkroi dy email-e mediave holandeze duke thënë se djemtë e tij ishin të pafajshëm dhe se ai ishte plotësisht përgjegjës, por prokurorët e kanë hedhur poshtë pretendimin.

    Ndryshe, përpara vdekjes së saj, Ryan ishte monitoruar nga policia por kjo mori fund pak para vrasjes së saj.

  • “Kjo nuk është lamtumirë”- fjalimi prekës i Big Mamës për Shpat Kasapin: Miku im, ti s’ke vdekur

    “Kjo nuk është lamtumirë”- fjalimi prekës i Big Mamës për Shpat Kasapin: Miku im, ti s’ke vdekur

    Me zërin që i dridhej dhe lotët që nuk i pushonin, këngëtarja Big Mama ka mbajtur një fjalim lamtumire në ceremoninë mortore për Shpat Kasapin, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 40-vjeçare.

    Në mesazhin e saj, artistja nga Tetova tha se “Shpat Kasapi nuk ka vdekur”, pasi ajo që ka lënë pas do të jetojë përgjithmonë.

    “Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”, tha Big Mama mes lotësh.

    Ajo kujtoi edhe fillimet e jetës artistike me Shpat Kasapin, që kur ishin fëmijë. “Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk qenë vetëm, skenë, ka qenë vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë, si artistë. Kemi ndarë ëndrra, frikë dhe gëzim. Këtu kemi rritur, talentin, shpresat dhe miqësinë tonë. Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk ka qenë thjesht skenë, por vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë”, deklaroi Big Mama.

    Më tej ajo u shpreh: “Sot nuk kam fjalë për ta përshkruar boshllëkun që na ka lënë. Na ike shumë herët, shumë padrejtësisht, por kujtimi i tij do të rrojë në zemrat tona në cdo melodi që ai këndoi, në cdo buzëqeshje që na dhuroi dhe në cdo skenë, emri i tij do të përmendet gjithmonë. Shpat, miku im, kemi nisur bashkë prej këtu dhe sot prej këtu po të them lamtumirë. Do të na mungosh në cdo hap, në çdo moment e kujtim. Por ti nuk ke vdekur kurrë, zëri yt, shpirti yt, e gjithë dashuria që ke lënë pas do të jetojë përgjithmonë. Sot nga kjo skenë ku nisëm si fëmijë, po të lëshoj me lot, por të mbaj me shpirt. Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”.

    Këngëtari Shpat Kasapi u përcoll me duartrokitje nga Pallati i Kulturës në Tetovë, ndërsa arkivoli me trupin e pa jete ishte i mbuluar me flamurin shqiptar.