ATV

Author: K.B.

  • Bashkimi Evropian i bën thirrje KPK-së të zbatojë plotësisht reformën

    Bashkimi Evropian i bën thirrje KPK-së të zbatojë plotësisht reformën

    Zyra e Bashkimit Evropian u ka bërë thirrje gjithë anëtarëve që sa bashku të zbatojnë reformën në Këshillin Prokurorial.

    Kjo është bërë në një takim që është zhvilluar me anëtarët e KPK-së.

    Nga kjo zyrë kanë thënë se sundimi i ligjit është “parakusht thelbësor i BE-së”.

    “Në një takim me Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja në Kosovë u bëri thirrje sot të gjithë anëtarëve të saj që të zbatojnë së bashku dhe plotësisht reformën e KPK-së, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve të tyre, të veprojnë me integritet dhe të ruajnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhet nga Zyra e BE-së.

    Ish-ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu ka akuzuar KPK për bllokim të reformës, duke e cilësuar si të kapur.

    Edhe shoqëria civile ka akuzuar disa anëtarë të KPK-së që me veprimet e tyre po bllokojnë procesin e reformës.

  • Mbrojtja e Thaçit dhe e Krasniqit s’kanë më prova e dëshmitarë, gjykimi drejt fundit

    Mbrojtja e Thaçit dhe e Krasniqit s’kanë më prova e dëshmitarë, gjykimi drejt fundit

    Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, tashmë janë në fazën e fundit.

    Edhe zyrtarisht, mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit e kanë njoftuar trupin gjykues në Speciale, se po i mbyllin çështjet e tyre. Pra, nuk ka më dëshmitarë e as prova.

    Në parashtresat e publikuara, të cilat i ka parë Nacionale specifikohet se më nuk ka asnjë dokument që do të paraqitet.

    “Në përputhje me urdhrin e trupit gjykues, mbrojtja e Z. Hashim Thaçi konfirmon me anë të kësaj se, në këtë fazë, nuk ka më dëshmitarë për t’u thirrur dhe asnjë material tjetër provues për t’u paraqitur si pjesë e çështjes së mbrojtjes. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, mbrojtja e mbyll çështjen e saj. Megjithatë, ky njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që mbrojtja mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para trupit hjykues”, thuhet në parashtresë.

    Ngjashëm, thuhet edhe në parashtresën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

    “Mbrojtja e Jakup Krasniqit nuk ka ndërmend të thërrasë më shumë dëshmitarë ose të paraqesë ndonjë material tjetër provues si pjesë të çështjes së saj. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores dhe urdhrin e trupit gjykues, mbrojtja e Krasniqit me anë të kësaj mbyll çështjen e saj. Ky Njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që mbrojtja e Krasniqit mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para trupit gjykues”, thuhet në parashtresë.

    Ky vendim vjen pas refuzimit të shtimit të Bislim Zyrapit në listën e dëshmitarëve.

    Në seancën e fundit, mbrojtja e krerëve të UÇK-së dhe prokuroria, kërkuan disa ndryshime në afatet që ishin dhënë paraprakisht nga gjyqtarët.

    Ato përfshinin afatet për dosjen përfundimtare, fjalën finale që do të afektonte edhe dhënien e vendimit.

    Prokuroria dhe mbrojtja kërkuan që të kenë kohë deri më 30 janar për dorëzimin e dosjeve përfundimtare, kurse 45 ditë pas kësaj, të jepen fjalët finale. Çka i bie deri në mesin e muajit mars, të jepen fjalët përfundimtare.

    Megjithatë, Gjykata Speciale nuk e aprovoi krejt kërkesën.

    Bazuar në vendimin e fundit, Gjykata Speciale ka vendosur që dosjet përfundimtare të dorëzohen deri më 19 janar. Kurse, fjalët finale të jepen prej 9 deri më 13 shkurt.

    Si rezultat, pas dhënies së fjalëve përfundimtare, gjyqtarët kanë kohë të paktën 3 muaj për dhënien e vendimit.

    Pra, vendimi në shkallën e parë për Thaçin e të tjerët pritet në fundin e muajit maj, ose më së largu deri në fillimin e qershorit.

  • Oficerët serbë bojkotuan një ceremoni të Forcave të Armatosura të Bosnjës – për shkak të përfaqësuesve nga Kosova

    Oficerët serbë bojkotuan një ceremoni të Forcave të Armatosura të Bosnjës – për shkak të përfaqësuesve nga Kosova

    Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës nga radhët e popullit serb nuk kanë marrë pjesë të martën në akademinë ceremoniale me rastin e 20-vjetorit të Ditës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila u mbajt në Shtëpinë e Forcave të Armatosura në Sarajevë.

    Dhe siç është konfirmuar për Klix.ba, përcjell Telegrafi, arsyeja e mungesës së tyre ishte prania e delegacioneve nga konferenca A-5, konkretisht përfaqësuesve të Kosovës.

    Sipas mediumit në fjalë, Shefi i Shtabit të Përbashkët Gojko Knezheviq, si dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Goganoviq, nuk morën pjesë në ceremoni.

    Në pjesën zyrtare të programit, ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez ka thënë se “20 vitet e ekzistencës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës përfaqësojnë shembullin më të mirë të reformave të suksesshme pas Dejtonit dhe provën se një shtet i përbashkët mund të funksionojë kur forcimi i institucioneve është një qëllim i përbashkët”.

    “Kjo është një histori për guximin, përgjegjësinë dhe besimin në një të ardhme të përbashkët”, ka thënë Helez, duke falënderuar selinë e NATO-s në Sarajevë, EUFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Ndërsa Denis Beçiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, iu drejtua të pranishmëve dhe theksoi se zhvillimi dy-dekadësh i Forcave të Armatosura ndërtoi besueshmërinë e tyre si brenda vendit ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.

  • Doganierët zbulojnë 900 copa mall të padeklaruar në një automjet në Vërmicë

    Doganierët zbulojnë 900 copa mall të padeklaruar në një automjet në Vërmicë

    Zyrtarët doganorë në pikën kufitare në Vërmicë gjatë kontrollit të një automjeti kanë zbuluar një sasi të konsiderueshëm mallrash të padeklaruar.

    Mallrat e padeklaruara sipas Doganës kanë qenë në pako të ndryshme, në bagazh dhe në ulëset e pasme të veturës.

    Sipas Doganës, mallrat kanë përfshirë çanta krahu për femra dhe panatolla për meshkuj, gjithësej 900 copa.

    “Mallrat përfshinin çanta krahu për femra dhe pantallona për meshkuj, rreth 900 copë gjithsej, për të cilat pala nuk kishte paraqitur faturë apo ndonjë dokument tjetër përcjellës. Ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas KDAK-së, ndërsa malli është ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse. Dogana e Kosovës vazhdon me përkushtim zbatimin e ligjit dhe kryerjen e kontrolleve në pikat kufitare, me qëllim të parandalimit të kontrabandës dhe mbrojtjes së interesave ekonomike të vendit”, thuhet në njoftimin e Doganës.

  • Babai e gjen të birin në Kroaci pas 40 vite kërkimesh

    Babai e gjen të birin në Kroaci pas 40 vite kërkimesh

    Pas gati 40 vitesh kërkimesh, Kryqi i Kuq kroat ka arritur të ribashkojë një baba dhe një bir të ndarë plotësisht nga luftërat në Liban dhe Kroaci. Ky është një rast emocional që ka prekur punonjësit e Shërbimit të Gjurmimit të Kryqit të Kuq Kroat, i cili filloi në fund të viteve 1980, njoftoi Kryqi i Kuq.

    Babai, atëherë një student i ri që kishte jetuar në Kroaci për njëfarë kohe, u kthye në vendlindjen e tij, Libanin, pak para se vendi të përfshihej në konflikt të armatosur. Djali dhe gruaja e tij mbetën në Kroaci, e cila më pas u përfshi në Luftën për Atdheun. Në fillim, ata arritën disi të ruanin kontaktin, por ndërsa kushtet e luftës u përkeqësuan, çdo komunikim u ndërpre plotësisht.

    Për vite me radhë, vetë babai u përpoq të gjente ndonjë informacion në lidhje me të birin, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion. Në një moment, ai madje udhëtoi për në Kroaci për ta gjetur atë, por për shkak të ndryshimit të adresës dhe kalimit të kohës, ai mbeti përsëri pa gjurmë. Megjithatë, shpresa nuk e la kurrë, njoftoi Kryqi i Kuq.

    Vetëm kur mësoi për Shërbimin e Gjurmimit të Kryqit të Kuq Kroat, ai nisi një kërkesë zyrtare. Stafi menjëherë filloi kërkimin dhe më pas erdhi lajmi që ai e kishte pritur për gati katër dekada. Shoqata e Qytetit të Kryqit të Kuq të Klanjecit konfirmoi se djali i tij ishte gjetur dhe donte të lidhej me të.

    Të nesërmen, babai u kthye në Kroaci. Ajo që pasoi ishte një takim dhe përqafim i shumëpritur dhe prekës pas pothuajse 40 vitesh ndarje. Sipas Kryqit të Kuq, të dy ishin dukshëm të prekur dhe të gëzuar që më në fund ishin në gjendje të vazhdonin ndërtimin e marrëdhënies që lufta ua kishte grabitur.

    “Do të jenë Krishtlindjet më të mira ndonjëherë”, tha djali, i cili tashmë po planifikon një udhëtim në Liban për të takuar familjen që e ka njohur vetëm nga historitë e gjithë jetës së tij. Pas takimit, babai e përfundoi me mirënjohje kërkesën e tij për kërkim, këtë herë me një rezultat që e kishte ëndërruar prej vitesh.

  • I shpallur në kërkim prej katër vitesh, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë

    I shpallur në kërkim prej katër vitesh, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë

    Një 26-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim prej katër vitesh është arrestuar sot nga policia. Ai është Besard Pashkaj, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Pashkaj akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

    Besard Pashkaj, 26 vjeç ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se është bashkëpuntor në ngjarjen e ndodhur më 24 korrik të vitit 2021. Ku pas një konflikti në rrugën “Todi Shkurti” në kryeqytet, Aldo Gjini plagosi Jetmir Marashin dhe Altin Gjokën.

    Në atë kohë Aldo (Iamandi) Gjini u shpall në kërkim dhe rezultoi të ishte një nga personat më të kërkuar në Europë me një dosje të gjatë kriminale. Ndërsa në kërkim u shpallën edhe Njazi Kulla dhe i arrestuari Besard Pashkaj, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë të autorit të ngjarjes.

  • Ish-shefi i CIA-s: Mund ta rrëzojmë Putinin me dy lëvizje

    Ish-shefi i CIA-s: Mund ta rrëzojmë Putinin me dy lëvizje

    Ish-drejtori i CIA-s dhe komandanti i forcave amerikane në Irak dhe Afganistan, gjenerali David Petraeus, beson se Perëndimi ka dy lëvizje kyçe në dispozicion për të detyruar Vladimir Putinin të përfundojë luftën në Ukrainë.

    Sipas tij, përdorimi i aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Kievin dhe shkatërrimi i ekonomisë ruse të luftës me sanksione shtesë do të thoshte thjesht se Moska thjesht nuk do të ishte në gjendje të vazhdonte agresionin e saj, shkruan gazeta italiane Corriere della Sera.

    E para është që Evropa të përdorë 200 deri në 250 miliardë dollarë rezerva të ngrira ruse si kolateral për lëshimin e obligacioneve dhe t’i drejtojë paratë që rezultojnë në Ukrainë. “Me sisteme armësh dhe municionesh që nuk mund t’i prodhojnë vetë, siç janë ato për mbrojtje kundër raketave balistike dhe sistemi Patriot, kjo mund të shërbejë gjithashtu për të dyfishuar prodhimin e dronëve nga 3.5 milionë në 7 milionë në vit. Dhe ata mund të kapërcejnë problemet e tyre financiare dhe ekonomike për dy deri në tre vjet”, thotë Petraeus.

    Hapi i dytë: ekonomia ruse është më e brishtë nga sa mendoni: fondi i mirëqenies kombëtare do të mbetet pa para vitin e ardhshëm, sepse është devijuar në industrinë ushtarake. Ne duhet të godasim ata që mbështesin ekonominë ruse të luftës, duke blerë naftë dhe gaz dhe çipa, motorë, magnete, shumica e të cilave vijnë nga Kina.

  • Panik në Rusi, qindra vetura Porsche “u ndalën papritur dhe nuk mund të lëviznin”

    Panik në Rusi, qindra vetura Porsche “u ndalën papritur dhe nuk mund të lëviznin”

    Qindra pronarë Porsche në Rusi u përballën me një surprizë të pakëndshme të hënën, 1 dhjetor, kur makinat e tyre “u ndalën papritur dhe nuk mund të lëviznin”.

    Problemi duket se lidhet me Sistemin e Ndjekjes së Automjeteve (VTS) të Porsche, i cili aktivizon automatikisht imobilizuesin e motorit nëse humbet sinjalin satelitor.

    Modelet e prekura datojnë që nga viti 2013, dhe defektet shfaqen papritur dhe në mënyrë të paparashikueshme.

    Pronaret raportojnë që disa makina fikeshin sapo niseshin, ndërsa të tjerët arritën t’i ndezin vetëm pas heqjes së baterisë për disa orë.

    Disa kanë provuar të çaktivizojnë sistemin e alarmit për të rikuperuar funksionimin e makinës.

    Përfaqësues të Porsche në Rusi dhe qendra globale nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare për këtë situatë.

    Spekulimet për një ndërhyrje të qëllimshme po qarkullojnë, por nuk ka prova konkrete.

    Ndërkohë, qendrat e shërbimit dhe serviset janë mbushur me makina të bllokuara, ndërsa pronarët presin një zgjidhje të sigurt.

  • Gjobë prej 280 mijë euro për dhjetë kompani sigurimesh, rritën çmimin e polisave për automjetet

    Gjobë prej 280 mijë euro për dhjetë kompani sigurimesh, rritën çmimin e polisave për automjetet

    Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka gjobitur dhjetë kompani sigurimesh me një gjobë totale prej 276.000 eurosh. Ata kanë bashkëpunuar mes vete dhe vitin e kaluar kanë rritur çmimin e regjistrimit të automjeteve, përmes rritjes së çmimit të polisës së sigurimit të detyrueshëm për automjetet. Kjo është polisa e detyrueshme që çdo pronar automjeti duhet ta paguajë gjatë regjistrimit.

    “Në procedurë është konstatuar se kompanitë e sigurimeve gjatë periudhës 01.03.2024 – 07.05.2024, kanë shkëmbyer informacione të ndjeshme, kanë koordinuar aktivitetet dhe në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër kanë marrë vendime identike ose të harmonizuara për rritjen e pjesës së premiumit për kryerjen e aktivitetit – e ashtuquajtura shtesë administrative”, thonë nga Komisioni.

    Sipas Komisionit, dhjetë kompanitë e sigurimeve kanë kryer formën më të rëndë të shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
    “Kjo lloj sjellje përbën kufizim të konkurrencës “qëllimisht”, pra formën më të rëndë të shkeljes sipas nenit 7 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Shkëmbimi i informacioneve dhe marrja e vendimeve të përbashkëta për çmimet zëvendëson politikën e pavarur të biznesit me veprim të koordinuar kolektiv në treg, gjë që është rreptësisht e ndaluar”, thonë nga Komisioni.

    Më parë, Komisioni ka konstatuar kartel edhe tek marketet. Për bashkim kartelist dhe marrëveshje çmimesh, katër zinxhirë të mëdhenj marketesh janë gjobitur me nga 50.000 euro secili, si dhe Lidhja e Odave Ekonomike me 18.000 euro. Të dy procedurat, si për marketet ashtu edhe për kompanitë e sigurimeve, Komisioni i ka nisur këtë pranverë.

  • VV ankohet në Supreme rreth vendimit të qendrave alternative të votimit

    VV ankohet në Supreme rreth vendimit të qendrave alternative të votimit

    Lëvizja VETËVENDOSJE!, është ankuar në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e cila ditë më parë ka miratuar ankesën e LDK-së kundër hapjes së qendrave alternative të votimit në diasporë.

    Sipas VV-së, për të pamundësuar shkeljen flagrante të ushtrimit të së drejtës së votës, e në qëllim të kthimit të ligjshmërisë, Lëvizja Vetëvendosje! kërkon nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës të Anulojë Vendimin e PZAP Nr, ZP.Anr.3/2025, të datës 1 dhjetor 2025 dhe të kthejë në fuqi Vendimin e KQZ të datës 26 nëntor 2025.

    “Me datën 26 nëntor 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë Vendimin mbi qendrat e votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe listën e qendrave të votimit (“Vendimi”)”, thuhet në ankesë.

    Sipas VV-së, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, parasheh votimin e shtetasve të Republikës së Kosovës jashtë vendit, konkretisht parasheh disa mënyra votimi për shtetasit e Kosovës jashtë vendit, si vijon: Votimi jashtë Kosovës organizohet nga KQZ-ja dhe votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit, në momentin e regjistrimit përmes platformës së KQZ-së: 3.1. fizikisht, në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja për adaptimin në qendra të votimit. Kjo mënyrë votimi nuk aplikohet në zgjedhje lokale; 3.2. duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës; 3.3. duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja përmes dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, shkruan në ankesë.

    Pra, në radhë të parë Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh votimin jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre.

    “Më tutje, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme definon përfaqësi diplomatike si: ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një diplomatike. Analogjia e qendrave të votimit brenda vendit vlen edhe për hapësirat e votimit jashtë vendit. Specifikat e qendrave të votimit duhet të vlerësohen e vendosen nga KQZ në raport me mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe në funksion të përmbushjes së përgjegjësisë së KQZ-së si institucion për administrimin e zgjedhjeve për të pjesëmarrje në zgjedhje të votuesve me të drejtë vote”, thuhet në ankesë.

    Duke shtuar se Ligji për Zgjedhje jo që nuk e ndalon, përkundrazi krijon bazë të mjaftueshme për KQZ-në për të krijuar hapësira që garantojnë qasje për votuesit.

    “Edhe standardet ndërkombëtare të etabluara në opinionet e Venecias, dhe dokumentet tjera si IDEA, e afirmojnë votimin fizikisht jashtë vendit në vendvotimet e hapura për këtë synim, sikurse edhe praktikat e vendeve të shumta me infrastrukturë ligjore të njashme konfirmojnë si legjitime e të zakonshme hapjen e vendvotimeve jashtë vendit.

    VV shkruan se, përderisa KQZ ka miratuar listën e vendvotimeve të propozuar nga MPJD për sa i përket përfaqësive diplomatike jashtë vendit sipas definicionit ligjor: përfaqësi diplomatike apo hapësira të tyre, “është plotësisht e palejueshme që PZAP të veprojë në kundërshtim të plotë me autorizimet ligjore dhe, përmes një keqinterpretimi ligjor, të kufizojë të drejtën elementare të votës së qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote”, thuhet në ankesë.