ATV

Author: K.B.

  • Nesër varroset vëllai i Lutfi Hazirit, i cili vdiq pas një sëmundje të rëndë

    Nesër varroset vëllai i Lutfi Hazirit, i cili vdiq pas një sëmundje të rëndë

    Vëllai i Lutfi Hazirit, Bedriu, do të varroset të enjten me fillim nga ora 14:00 në varrezat e qytetit në Gjilan.

    Kështu ka bërë të ditur vet Lutfi Haziri, i cili po ashtu njoftoi se familja pranon ngushëllime të premten, të shtunën dhe të dielën, nga ora 10:00 – 16:00.

    “Ju falënderojmë shumë që e keni ndarë dhimbjen me ne, në këto ditë të rënda!”, ka shkruar ai.

    Bedri Haziri vdiq të martën në spitalin universitar të Zurichut në Zvicër, pas një sëmundje të rëndë

  • Haradinaj për “Sarajevo Safari”: Nëse Serbia dënohet për gjenocid, për ne është fitore

    Haradinaj për “Sarajevo Safari”: Nëse Serbia dënohet për gjenocid, për ne është fitore

    Ish-nënkryetari i OVL – UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka komentuar detajet e reja që janë publikuar nga gazeta gjermane Frankfurter Sonntagszeitung (FAS) rreth fenomenit “Sarajevo Safari”, ku përmendet edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Haradinaj tha se nëse Serbia dënohet si shtet për gjenocid, kjo do të ishte fitore për vendin tonë.

    Sipas tij, pavarësisht mundësisë së dënimit, mendësia e serbëve nuk ndryshon.

    “Nëse Serbia dënohet për gjenocidin në Kosovë, për ne do të jetë fitore. Mendësia e serbëve nuk ndryshon, se ata qysh në djep mësohen me qenë njerëz okupues, me pushtu e sidomos në urrejtje. Por, politikat ndryshojnë nëse Serbia dënohet për gjenocidin” – tha Haradinaj.

  • Astronauti rus përjashtohet nga misioni hapësinor për shkak të dyshimeve për spiunazh

    Astronauti rus përjashtohet nga misioni hapësinor për shkak të dyshimeve për spiunazh

    Astronauti rus Oleg Artemyev është larguar nga ekuipazhi kryesor i misionit Crew-12 të SpaceX në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas akuzave se ai ka fotografuar teknologji të klasifikuar në shkelje të rregulloreve të kontrollit të eksportit të SHBA-së.

    Vendin e tij e ka zënë kolegu i tij i Roscosmos, Andrei Fedyaev, raportoi The Insider më 2 dhjetor, siç citohet nga United24 Media.

    Sipas burimeve, Artemyev u largua nga trajnimi në objektin e SpaceX në Hawthorne, Kaliforni, javën e kaluar. Ai dyshohet se ka bërë fotografi të motorëve të raketave dhe materialeve të tjera të brendshme me telefonin e tij dhe i ka marrë ato jashtë vendit. Të njëjtat burime pohojnë se NASA nuk donte që incidenti të bëhej publik për të shmangur polemikat.

    Nga ana tjetër, agjencia hapësinore ruse Roscosmos ofroi një shpjegim të ndryshëm. Në një deklaratë zyrtare, ata deklaruan se zëvendësimi ndodhi “në lidhje me transferimin e [Artemyev] në një punë tjetër”, pa përmendur shkeljet e supozuara të rregulloreve të SHBA-së.

    Faqja e internetit e Qendrës së Trajnimit të Astronautëve Gagarin tani e liston Andrei Fedyaev si anëtar të ekuipazhit kryesor të misionit Crew-12. Misioni Crew-12, i cili po kryhet në kuadër të programit Commercial Crew të NASA-s dhe një marrëveshjeje për shkëmbim hapësinor me Roscosmos, është planifikuar të niset në anijen kozmike Crew Dragon më 15 shkurt 2026.

    Oleg Artemyev, 54 vjeç, është një astronaut me përvojë me tre fluturime hapësinore dhe një total prej 560 ditësh në orbitë. Ai ka qenë gjithashtu deputet në Dumën e Qytetit të Moskës si anëtar i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar që nga viti 2019.

    As SpaceX dhe as NASA nuk kanë komentuar ende publikisht mbi hetimin. Shkelja e Rregulloreve Ndërkombëtare të Trafikut të Armëve të SHBA-së (ITAR), të cilat rregullojnë në mënyrë strikte eksportin dhe aksesin në teknologjitë e ndjeshme hapësinore dhe të mbrojtjes të SHBA-së, mund të ketë pasoja serioze ligjore dhe diplomatike.

  • Can Yaman, protagonisti kryesor i serialit “Sandokan”: Jam shqiptar, nëna ime është me origjinë nga Kosova

    Can Yaman, protagonisti kryesor i serialit “Sandokan”: Jam shqiptar, nëna ime është me origjinë nga Kosova

    Can Yaman, aktori i dashur për publikun dhe protagonisti kryesor i serialit “Sandokan”, ka zbuluar në një intervistë për mediat italiane se ka origjinë shqiptare.

    Yaman theksoi se nëna e tij është me origjinë nga Kosova, ndërsa babai i përket diasporës shqiptare që ka mbërritur herët në Turqi.

    “Jam rritur në Suadiye, një lagje rezidenciale në pjesën aziatike të qytetit, me fusha futbolli e basketbolli për djemtë. Është një zonë e banuar nga emigrantë të gjeneratës së dytë e të tretë, si gjyshërit e mi me origjinë kosovare e shqiptare, që kishin ardhur në Turqi gjatë luftës. Ata mes tyre flisnin shqip”, u shpreh ai.

    I pyetur nëse di të flasë shqip, aktori tha se jo.

    “Jo! Babai ka lindur në Turqi dhe unë jam rritur si një djalë tipik i Stambollit, edhe pse mes njerëzve nga kudo. Nuk na habisin kulturat e ndryshme, ato janë pjesë e historisë së Perandorisë Osmane. Turqia ka shumë migrantë dhe vendndodhja jonë mes Lindjes, Europës dhe Afrikës së Veriut ndikon shumë në këtë. Si i rritur, mund të zgjedhësh vetë nëse do të jesh më perëndimor apo më lindor”, deklaroi ai.

  • Lista Serbe ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme për media

    Lista Serbe ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme për media

    Lista Serbe ka reaguar me rastin e mos verifikimit të saj nga ana e KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ajo tani ka të drejtë ankese, ashtu siç ka bërë edhe në ciklet e mëparshme zgjedhore – si në zgjedhjet e fundit lokale, ashtu edhe në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt të këtij viti.

    Ata kanë paralajmëruar se sot në orën 15:00, në hapësirat e partisë së tyre, do të mbajnë një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën, siç kanë thënë, do të flasin “për vendimin joligjor për t’ua penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor”.

  • Krasniqi i VV-së u përgjigjet ambasadorëve që kritikuan moscertifikimin e Listës Serbe

    Krasniqi i VV-së u përgjigjet ambasadorëve që kritikuan moscertifikimin e Listës Serbe

    Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka reaguar pas deklaratave të ambasadorëve të cilët shprehën shqetësim për moscertifikim e Listës Serbe,

    Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi thekson se shqetësimi i vërtetë duhet të jetë “ngulfatja e ushtrimit të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetit serb nga ana e Listës Serbe”, e cila sipas tij, përveç pjesëmarrjes në veprime kriminale dhe sulme kundër rendit kushtetues, kontrollon financat që vijnë nga Beogradi dhe i përdor për qëllime të dyshimta.

    Ai gjithashtu kritikoi heshtjen e ambasadorëve lidhur me bllokimin që opozita me Listën Serbe po i bën të drejtës demokratike të mërgatës për të votuar, duke e konsideruar këtë një pengesë serioze për procesin zgjedhor.

    “Të dashur ambasadorë. Shqetësimi i vërtetë do të duhej të ishte ngulfatja e ushtrimit të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetetit serb nga ana e Listës Serbe, e cila përveç faktit që është pjesëmarrëse direkte në sulmet dhe veprimet kriminale dhe terroriste kundër rendit kushtetues, ajo gjithashtu kontrollon dhe menaxhon me financat e Vuçiqit në Kosovë duke shantazhuar qytetarët serb në Kosovë dhe duke i përdorur ato mjete për financimin e kriminelëve që kanë sulmuar përveç policisë së Republikës së Kosovës edhe vet pjesëtarët e KFOR, pra bashkëkombasit tuaj.

    Krasniqi ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të vëzhgojë nga afër këto zhvillime dhe të reagojë ndaj çdo shkeljeje të të drejtave demokratike dhe ndikimit të jashtëm në zgjedhjet e Kosovës.

  • Vitaminat që ju duhen për flokë të shëndetshëm

    Vitaminat që ju duhen për flokë të shëndetshëm

    Flokët janë një aspekt shumë i rëndësishëm i bukurisë së jashtme të një gruaje dhe një burri.

    Flokët kanë tendencën të japin vetëbesim ose ta minimizojnë atë.

    Përveç ushqimeve të nevojshme e të shëndetshme, njerëzit që kanë probleme me flokët duhet të kujdesen që të marrin vitaminat që mundësojnë flokë të dendur.

    Vitamina H

    Vitamina H ose siç njihet ndryshe biotina është pjesë e grupit të vitaminave B.

    Kjo vitaminë përdoret gjerësisht tek produktet kozmetike.

    Mungesa e saj shkakton rënie të flokët.

    Atë e gjeni te vezët dhe arrorët.

    Vitamina A

    Vitamina A gjendet me shumicë tek vezët e të brendshmet e viçit dhe lopës por edhe tek shumë fruta dhe perime.

    Kjo vitaminë është e dobishme për rritjen e flokut, mirëmbajtjen e tij por edhe për shëndetin e syve.

    Hekuri

    Hekuri garanton furnizimin e qelizave me oksigjen dhe ndihmon në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut.

    Ai është i domosdoshëm për rritjen e një floku të dendur e të fortë.

    Multivitaminat

    Nëse keni probleme me flokët mund të merrni edhe multivitamina që përmbajnë vitaminat B6, vitaminat C, E, H, folat, biotinë, zink, magnez dhe sulfur.

    Suplementë të tillë ndihmojnë në rritjen e flokut të dendur.

    Kura natyrale për rritjen e flokut

    Ekspertët rekomandojnë përdorimin e vajrave esencialë si lavanda, jojoba, trumza, rozmarina, e të tjerë.

    Këto vajra mund të përdoren për masazhin e rrënjëve të flokut në mënyrë të rregullt duke mundësuar kështu qarkullimin më të mirë të gjakut.

    Veza është një produkt tjetër që mund të aplikohet në lëkurë dhe të pasurojë flokun me ushqyes të nevojshëm.

    Mielli i tërshërës mund të përdoret si një zbutës për flokë të brishtë dhe i bën ato më të fortë.

    Ekspertët gjithashtu këshillojnë shmangien e solucioneve pastruese që përmbajnë substanca kimike që dëmtojnë flokët.

  • Kurti nuk komenton kritikat e SHBA-së për moscertifikim të Listës Serbe

    Kurti nuk komenton kritikat e SHBA-së për moscertifikim të Listës Serbe

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës Amerikane në Kosovë karshi Lëvizjes Vetëvendosje pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Pas pjesëmarrjes së tij në konferencës së 10-të të Mjedrës në Kosovë të organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, kur u pyet nga gazetarët për kritikat karshi vendimit të partisë që ai udhëheqë për moscertifikimit të Listës Serbe, Kurti nuk foli para mediave.

    Gjatë ditës së sotme, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar ashpër pas moscerifikimit të Listës Serbe nga anëtarët e KQZ-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e SHBA thotë se përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse.

    Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së përfshirë rinisjen e dialogut strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.

    “Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.

    Për moscertifikim të Listës Serbe ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph i cili tha se procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë.

    Kujtojmë se dje në votimin ndaras për certifikimin e subjekteve politike, Lista Serbe nuk u certifikua nga anëtarët e KQZ-së ku mori 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

  • KQZ mblidhet sot, në rend dite certifikimi i Nismës

    KQZ mblidhet sot, në rend dite certifikimi i Nismës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot nga ora 14:00.

    Në rend dite është certifikimi i Nismës Socialdemokrate.

    Kjo parti ka aplikuar për t’u certifikuar, mirëpo nuk e ka pasur listën e nënshkrimeve.

    “Në mesin e subjekteve politike që kanë aplikuar është dhe NISMA SOCIALDEMOKRATE – NISMA. Sipas njoftimit nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ky subjekt politik i ka përmbushur të gjitha kriteret tjera, përveç listës së nënshkrimeve. Pas plotësimit të listës së nënshkrimeve, subjekti politik do t’i nënshtrohet certifikimit nga KQZ. Subjektit politik, i është dhënë afat për plotësim të listës së nënshkrimeve deri 3 dhjetor 2025, në orën 12:00.”

  • Kërkohet shkarkimi i Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit nga KQZ-ja

    Kërkohet shkarkimi i Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit nga KQZ-ja

    Albert Krasniqi nga organizata Democracy Plus ka kërkuar shkarkimin e dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pas reagimeve të fundit nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës lidhur me mos certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Krasniqi ka thënë se dy anëtarët e LVV-së në KQZ meritojnë të shkarkohen nga pozita e tyre, pas veprimeve të fundit.

    Sipas Krasniqit, dy anëtarët e VV-së në KQZ kanë shfaqur sjellje dhe mosnjohje elementare të ligjeve, duke synuar dëmtimin e procesit zgjedhor.

    “Mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor”, ka shkruar Krasniqi.

    “Anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm. Ligji parasheh se mandati i një anëtari mund të ndërpritet kur sjelljet apo veprimet e tij e dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit. Një vendim i tillë merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së.

    Dy anëtarët e emëruar nga LVV kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor. Çdo njëra prej këtyre mjafton për t’i shkarkuar nga detyra – dhe rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Ndërsa anëtarët tjerë duhet të tregojnë më shumë guxim dhe t’i qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm”, thuhet në postimin e Krasniqit