ATV

Author: K.B.

  • KRU Prishtina njofton për intervenime në rrjet, mundësi për ndërprerje të ujit në disa zona

    KRU Prishtina njofton për intervenime në rrjet, mundësi për ndërprerje të ujit në disa zona

    KRU Prishtina ka njoftuar se sot ekipet e mirëmbajtjes do të kryejnë punime në disa lokacione të kryeqytetit.

    Intervenimet do të zhvillohen në këto rrugë:

    Rr. “Gani Demolli”
    Rr. “Dëshmorët e Marevcit”
    Rr. “Gjon Sereqi”
    Rr. “Bekim Fehmiu”
    Rr. “Ernest Zariqi”
    Rr. “Nexhmi Llumnica”
    Rr. “Ismajl Qemajli”
    Rr. “Faik Ukë Hoxha”

    Nga kompania theksojnë se gjatë kohës së punimeve në këto zona mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm.

    KRU Prishtina kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve deri në përfundimin e këtyre intervenimeve.

  • Ambasadori gjerman bën homazhe te varri i Rugovës, nderon kontributin e tij për rezistencë paqësore dhe pa dhunë

    Ambasadori gjerman bën homazhe te varri i Rugovës, nderon kontributin e tij për rezistencë paqësore dhe pa dhunë

    Ambasadori Gjerman në Prishtinë, Rainer Rudolph gjatë ditës së sotme ka vizituar varrin e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

    Përmes një njoftimi, ambasada ka bërë të ditur se ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, ka vizituar varrin e presidentit të ndjerë Rugova, ku ka vendosur një kurorë me lule në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij në shtet formimin e Kosovës.

    Rudolph e ka quajtur Rugovën avokues për qëndrim paqësor dhe zgjidhje jo të dhunshme të konfliktit.

    “Duke nderuar trashëgiminë e Presidentit Ibrahim Rugova, avokues për rezistencë paqësore dhe zgjidhje jo të dhunshme të konflikteve”, ka shkruar ai.

  • Parashikimi i Dardan Sejdiut për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Parashikimi i Dardan Sejdiut për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Analisti politik Dardan Sejdiu, deklaroi se nuk sheh ndonjë ndryshim sa i përket rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit.

    Sejdiu parashikon se qytetarët do të vendosin njëjtë.

    Ai këtë sjellje e shpjegoi në formë të sjelljes komerciale.

    “Ti i ke ble një palë farmerka, ai në dyqan të ka thënë shumë mirë po të rrin. Te shpija të ka kallxu dikush që ta thotë të vërtetën, kqyr se nuk jonë duke të ndejtë mirë, por ty të vjen inat dhe vesh edhe mban, e mban inat… derisa të bindesh dhe vet që përnjëmend nuk janë duke të ndejtë mirë”, deklaroi ai në Klan Kosova.

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, ndër të tjera deklaroi se në mesin tonë ende mbizotëron ideja “Ne dhe ata”.

  • Ndahet nga jeta ish-zyrtari policor nga Prizreni

    Ndahet nga jeta ish-zyrtari policor nga Prizreni

    Është ndarë nga jeta ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Nijazi Sadikaj nga Poslishti i Prizrenit.

    Lajmin të ditur e kanë bërë familja e tij, përmes një përmes njoftimi mortor në rrjete sociale.

    Sadikaj ka ushtruar detyrën e policit përveç në Prizren, edhe në komunën e Dragashit.

  • Arrestohen dy persona në Prishtinë, sulmuan policët pasi u shqiptuan gjobë në trafik

    Arrestohen dy persona në Prishtinë, sulmuan policët pasi u shqiptuan gjobë në trafik

    Dy persona janë arrestuar dje në Prishtinë. Ata dyshohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë.

    Siç njofton Policia e Kosovës, të dyshuarit sulmuan fizikisht zyrtarët policor të cilët u kishin shqiptuar një gjobë trafiku.

    Që të dy janë dërguar në mbajtje.

    Rr. Bajram Bahtiri, Prishtinë / 03.12.2025 – 12:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që kishin sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë, të cilët i kishin shqiptuar një gjobë trafiku të dyshuarve. Zyrtarët policor kanë refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Këmbësori goditet nga vetura në Prizren, dërgohet në QKUK

    Këmbësori goditet nga vetura në Prizren, dërgohet në QKUK

    Një këmbësor është goditur nga një veturë të mërkurën në Prizren, duke pësuar lëndime trupore me ç’rast është dërguar për trajtim në QKUK.

    Sipas Policisë së Kosovës, shoferi i automjetit dyshohet se e ka goditur këmbësorin si pasojë e pakujdesisë gjatë ngasjes.

    Policia ka arrestuar shoferin, ndërsa me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje deri në kompletimin e procedurave hetimore.

    “Është arrestuar vozitësi mashkull kosovar pasi që dyshohet se me veturë nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Kamenicë: Varri dëmtohet nga persona të panjohur, policia jep detaje

    Kamenicë: Varri dëmtohet nga persona të panjohur, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në Kamenicë, të mërkurën rreth orës 20:50, është raportuar një rast i dëmtimit të një varri nga persona të panjohur.

    Sipas policisë, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

    “DËMTIM I VARREZAVE APO KUFOMAVE

    Kamenicë / 03.12.2025 – 20:50. Është raportuar se është dëmtuar një varr nga persona të panjohur. Njësitë përkatëse janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Kroacia është ndër gjashtë vendet që i japin më shumë ndihmë Ukrainës

    Kroacia është ndër gjashtë vendet që i japin më shumë ndihmë Ukrainës

    Kroacia është ndër gjashtë vendet që i kanë dhënë Ukrainës ndihmën më të madhe në raport me prodhimin e tyre të brendshëm bruto, tha Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Frano Matoshiq.

    “Ne kemi theksuar faktin se deri më tani i kemi dhuruar Ukrainës 14 pako ndihme ushtarake dypalëshe dhe tashmë po përgatisim paketën e 15-të”, tha Matoshiq, i cili përfaqësoi Kroacinë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

    Duke parë çdo formë ndihme, humanitare, ushtarake, energjetike etj., Kroacia është ndër gjashtë vendet që kanë dhënë më shumë në raport me PBB-në e saj, specifikoi Matoshiq.

    Ai përmendi gjithashtu ndihmën për të plagosurit dhe personat me aftësi të kufizuara të ushtrisë ukrainase dhe çminimin, ku Kroacia po përdor përvojën e saj nga Lufta Atdhetare. Temat kryesore të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s ishin Ukraina dhe forcimi i aftësive mbrojtëse të Aleancës.

    Matoshiq tha se Kroacia do të ndajë 3 përqind të PBB-së së saj për pajisje ushtarake deri në vitin 2030. Ai tha se të gjithë pjesëmarrësit në takim mbështetën përpjekjet për të siguruar një paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, duke respektuar kufijtë dhe sovranitetin e saj.

    Kur u pyet nëse përfaqësuesi i SHBA-së mbështeti gjithashtu Ukrainën brenda kufijve të saj, Matoshiq tha se të gjithë ata që morën pjesë në diskutim folën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. “Ukraina është një shtet i njohur brenda kufijve të saj dhe ajo që ne si Kroaci theksojmë gjithmonë është se kjo thjesht nuk duhet të vihet në dyshim, është ligji ndërkombëtar që nuk duhet të shkelet”, tha ai, sipas Hina.

    Kur u pyet për të komentuar mungesën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio nga ky takim, i cili u zëvendësua nga zëvendësi i tij Christopher Landau, Matošić tha se kjo ishte një nga çështjet që u ngritën në lidhje me unitetin e NATO-s.

    “Megjithatë, nuk mund të harrohet fakti që Rubio ka detyrime të tjera, e dini, kriza e Lindjes së Mesme po zgjidhet, çështja e Venezuelës dhe çështje të tjera. Ka kriza të shumta në të cilat vendosin Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

    Matoshiq tha se Rusia si agresore nuk duhet të shpërblehet dhe se sanksionet kundër saj duhet të vazhdojnë. “Ukrainasit me të vërtetë e meritojnë ndihmën tonë në këtë moment të vështirë, ata në fakt po mbrojnë kufijtë e BE-së dhe NATO-s dhe në këtë kuptim ata kanë nevojë për ndihmën tonë, të cilën ne duhet ta ofrojmë”, tha ai.

    Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s u diskutua edhe për Ballkanin Perëndimor.

    “Në fjalimet e tyre, ministrat nga shumë vende shfrytëzuan rastin për të folur për Ballkanin Perëndimor, një rajon shumë i ndjeshëm që ka nevojë për vëmendje të veçantë. Të gjithë ata vunë në dukje cenueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe ekspozimin e tij ndaj ndikimeve dashakeqe ruse”, tha ai

    Ai tha se në fjalimin e tij foli për dy media ruse, Russia Today dhe Sputnik, të cilat veprojnë në mënyrë aktive në Serbi dhe të cilat janë nën sanksione të Bashkimit Evropian.

    Ai tha gjithashtu se disa ditë më parë një shoqëri e ngushtë historike themeloi degën e saj në Beograd dhe se folësi kryesor ishte Sergey Naryshkin, një bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit dhe kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse.

    Ndikimi dashakeq i Rusisë mund të shihet sot në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuptim, shpreha pritjen që Ballkani Perëndimor do të diskutohet më shpesh në NATO, që dokumentet të përgatiten për takimin ministror në pranverën e vitit të ardhshëm dhe për samitin që do të mbahet në Turqi, tha Matoshiq.

  • Skenderaj, Fushë Kosova e Obiliqi sot mbajnë seancën inauguruese

    Skenderaj, Fushë Kosova e Obiliqi sot mbajnë seancën inauguruese

    Pas përfundimit të procesit zgjedhor, me raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtur më 12 tetor dhe balotazhin më 9 nëntor, sot pritet të zhvillohen seancat inauguruese të kuvendeve komunale në disa komuna të vendit.

    Në Skenderaj, gjatë ditës do të mbahet seanca inauguruese e Kuvendit Komunal, ku anëtarët e sapozgjedhur do të marrin mandatet dhe do të nisë zyrtarisht konstituimi i legjislaturës së re lokale.

    Edhe në Fushë-Kosovë është paralajmëruar mbajtja e mbledhjes inauguruese në sallën e Kuvendit Komunal, ku kuvendarët pritet të bëjnë betimin dhe të nisin formalisht punën në përbërjen e re të kuvendit.

    Po ashtu, Obiliqi do të zhvillojë sot seancën inauguruese në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, ku anëtarët e kuvendit komunal do të konstituohen në përputhje me procedurat ligjore.

  • 113-vjet nga fillimi i punës së Qeverisë së parë shqiptare

    113-vjet nga fillimi i punës së Qeverisë së parë shqiptare

    Në vitin 1912, pikërisht më 4 dhjetor, Qeveria e parë shqiptare filloi punën nën kryesinë e Ismail Qemalit.

    Qeveria do të qëndronte në Vlorë deri në janar 1914, megjithëse me autoritet praktikisht vetëm brenda qytetit.

    Po më 4 dhjetor, Vlora u godit me artileri nga flota greke që kishte bllokuar portin. Trupat greke gjithashtu pushtuan ishullin e Sazanit, duke kontrolluar hyrjen në portin e Vlorës dhe këputën kabllon e komunikimit Shqipëri-Itali, e vetmja lidhje e vendit me botën e jashtme.

    Grekët gjithashtu tentuan të merrnin Sarandën.