ATV

Author: K.B.

  • Rusia bllokon Snapchat, së bashku me Roblox dhe FaceTime

    Rusia bllokon Snapchat, së bashku me Roblox dhe FaceTime

    Mbikëqyrësi shtetëror i komunikimeve të Rusisë ka intensifikuar fushatën e tij kundër platformave të mesazheve të huaja, duke bllokuar Snapchat të enjten vetëm disa orë pasi kufizoi qasjen në shërbimin FaceTime të Apple.

    Roskomnadzor tha se Snapchat po përdorej “për të organizuar dhe kryer aktivitete terroriste në vend” dhe për të lehtësuar mashtrimet dhe krime të tjera, sipas një deklarate të publikuar nga media shtetërore.

    Aplikacioni i famshëm për mesazhet e tij me foto dhe video që zhduken kishte 7.6 milionë përdorues në Rusi në vitin 2022.

    Rregullatori lëshoi një shpjegim të ngjashëm më herët gjatë ditës kur njoftoi kufizime në thirrjet zanore dhe video në FaceTime të Apple, një nga mjetet e fundit të mëdha të thirrjeve video ende gjerësisht të arritshme në Rusi pas kufizimeve në WhatsApp dhe Telegram.

    Lëvizjet vijnë ndërsa Roskomnadzor rrit presionin mbi WhatsApp, mesazherin më të përdorur gjerësisht në vend me gati 100 milionë përdorues.

    Mbikëqyrësi paralajmëroi javën e kaluar se një bllokim i plotë ishte i mundur, duke akuzuar shërbimin në pronësi të Meta për dështim në përmbushjen e ligjeve të Rusisë për lokalizimin e të dhënave dhe për atë që e quajti shkelje të përsëritura ligjore të lidhura me aktivitetin e dyshuar terrorist.

    Kufizimet e FaceTime dhe Snapchat erdhën një ditë pasi Roskomnadzor bllokoi qasjen në platformën e lojërave Roblox në pronësi të SHBA-së, duke e akuzuar atë për shpërndarje materialesh ekstremiste, promovimin e “propagandës LGBT” dhe “ndikimin negativ në zhvillimin shpirtëror dhe moral të fëmijëve”.

    Roblox ishte loja më e shkarkuar mobile në Rusi në vitin 2023.

  • Spanja, Holanda, Irlanda e Sllovenia tërhiqen nga Eurovisioni pas pjesëmarrjes së Izraelit

    Spanja, Holanda, Irlanda e Sllovenia tërhiqen nga Eurovisioni pas pjesëmarrjes së Izraelit

    Izraelit do t’i lejohet pjesëmarrja në edicionin e vitit të ardhshëm të garës së famshme muzikore, Eurovision, e cila tërheq miliona shikues në mbarë globin, pasi organizatorët vendosën që të mos organizonin votim për pjesëmarrjen e këtij vendi, sipas Unionit të Transmetuesve Evropianë (EBU).

    Organizatorët e garës u takuan të enjten për ta diskutuar pjesëmarrjen e Izraelit, në kohën e thirrjeve që ky shtet të përjashtohej për shkak të luftës në Gaza dhe kërcënimeve të disa vendeve me bojkot, raporton televizioni CNN.

    Takimi u mbajt në selinë qendrore të EBU-së në Gjenevë. EBU-ja përfaqëson transmetues publikë nga 56 shtete që e organizojnë shoun. Në takim u diskutuan rregullat e reja të paraqitura muajin e kaluar që të kufizoheshin qeveritë dhe palët e treta nga ndikimi joproporcional në votim.

    Në bisedime, anëtarët e EBU-së “mbështetën një grup të ndryshimeve të shënjestruara ndaj rregullave të Eurovisionit, të dizajnuara për t’i përforcuar besimin, transparencën dhe neutralitetin e ngjarjes” – thuhet në një deklaratë të grupit.

    Në ndërkohë, gazeta “The Times of Israel” raporton se transmetuesit publikë të Holandës, Spanjës, Irlandës dhe Sllovenisë kanë konfirmuar se do të tërhiqen nga Eurovisioni i vitit të ardhshëm si protestë kundër përfshirjes së Izraelit.

    Raportohet se Islanda është duke e shqyrtuar vendimin për të marrë pjesë apo jo.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot, mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me riga shiu.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të variojnë nga 1-4 gradë celsius, ndërsa ato maksimale ndërmjet 8-11 gradë celsius.

    Era do ë fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit, thuhet në raportin e parashikimit të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

  • Vrau gruan një ditë më parë, gjendet i plagosur rëndë 50-vjeçari shqiptar në Itali, dyshohet se tentoi vetëvrasjen

    Vrau gruan një ditë më parë, gjendet i plagosur rëndë 50-vjeçari shqiptar në Itali, dyshohet se tentoi vetëvrasjen

    Nazif Muslija, 50-vjeçari shqiptar i cili vrau gruan e tij, Sadjide Muslija në Ankona të Italisë, është gjetur i plagosur rëndë, dhe sipas autoriteteve dyshohet për një tentativë vetëvrasje.

    Mësohet se Muslija kishte tentuar të vetëvritej, por u gjet rreth orës 16:30 nga një gjuetar, i cili i ofroi ndihmë dhe dha alarmin. Zyra e Prokurorit të Ankonës ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij dhe do të kryejë autopsi mbi trupin e gruas.

    Pas një dite hetimesh, karabinierët e Seksionit të Hetimeve Mjekësore u kthyen në shtëpinë ku gruaja u gjet e vrarë me goditje të forta në kokë dhe gjoks për të kërkuar gjurmë dhe objektin që dyshohet se u përdor në vrasje.

    Sipas mediave italiane, viktima u gjet dje, në shtëpinë me shenja të dhunës brutale në kafkë. Nazif Muslija, i cili më parë ishte raportuar për dhunë në familje dhe ishte arrestuar në prill për sulm ndaj gruas së tij me një sëpatë, thuhet se është larguar me një makinë Smart dhe telefoni i tij celular nuk ka qenë i arritshëm që nga mëngjesi i djeshëm.

  • Sami Lushtaku nuk pendohet për komentet ndaj Adriana Matoshit, eskalon me gjuhën: Unë i them Albinit, lidhi këto kudra

    Sami Lushtaku nuk pendohet për komentet ndaj Adriana Matoshit, eskalon me gjuhën: Unë i them Albinit, lidhi këto kudra

    Sami Lushtaku nuk ka treguar pendesë për fjalët e përdorura ndaj deputetes së VV-së, Adriana Matoshi, të cilën e kishte cilësuar gjatë ditës si “niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike”.

    Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të shumta, me thirrje që ai të distancohet nga gjuha e përdorur.

    Megjithatë, Lushtaku duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

    Në një intervistë në emisionin Debat Plus, ai u shpreh se nuk ndihet fajtor dhe përdori gjuhë edhe më të ashpër:

    “Jo unë valla, hiç nuk e kam ndërru. Ju u dasht me kritiku ata (Adriana Matoshin) kur ka ka thanë u kallëshin Lushtaket. Nëse dikush e ka futur këtë gjuhë të urrejtjes, është pikërisht VV, nuk jemi ne. Asnjëherë nuk e kam sharë dikënd. Secili që del dhe e përmend emrin tim pa fakte dhe argumente ka me iu kthyer. Nuk ka mundësi që një deputete me fy, me njollos me emrin tim, në lagjen e Lushtakeve…”

    Ai shtoi se deputetet nuk kanë të drejtë të ofendojnë.

    “Nuk i lejohet një deputete ta fyejë lagjen e vendin prej nga vij unë… Prandaj unë i them Albinit: lidhi këto kudra dhe boll ka qenë”, tha ai.

  • Mickoski distancohet nga protesta për çlirimtarët në Shkup, OLV-UÇK thërret konferencë

    Mickoski distancohet nga protesta për çlirimtarët në Shkup, OLV-UÇK thërret konferencë

    Protesta e radhës në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë, raportohet se do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup, lajm këtë të cilin e ka bërë të ditur Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    E në lidhje me këtë ka reaguar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke thënë se nuk e mbështet këtë marsh.

    “Me këtë protestë po mundohen të mobliziohen para Kongresit të partisë. Me këtë ata vetëm po e vërtetojnë se do ta kenë shumë të vështirë që në të ardhmen të gjejnë partner të koalicionit. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur që as VLEN nuk do ta mbështesë”, u shpreh ai.

    Pas kësaj, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur konferencë për media nesër në ora 10:00.

  • AKU bllokon 51 tonë misër, ishte importuar nga Serbia

    AKU bllokon 51 tonë misër, ishte importuar nga Serbia

    Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri ka sekuestruar 51 tonë misër për bagëti i importuar nga Serbia.

    Analizat e para të kryera kanë rezultuar me prani të Aflatoksinës B1 tek misri.

    Aflatoksina B1 përmes kafshës kalon në organizmin e njeriut, kryesisht përmes qumështit dhe prania e saj në sasi të mëdha sjell probleme të rënda shëndetësore tek njeriu.

    Aktualisht AKU asgjësoi 25 ton misër për bagëtitë të kontaminuar, analizat e rikonfirmimit të të cilit treguan prani të Aflatoksinës. Ndërkohë ngarkesa tjetër prej 25 tonë është sekuestruar deri në përgjigjen rikonfirmuese të analizave. AKU thekson se nuk do të tolerohet asgjë që mund të rrezikojë shëndetin e konsumatorit.

  • Lumbardhi i Big Brother përsëri në listën e LDK-së për deputet

    Lumbardhi i Big Brother përsëri në listën e LDK-së për deputet

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, Lumbardh Salihu ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e tij për deputet, duke ndarë me ndjekësit një foto me mbishkrimin: “It’s official. Kandidat për Deputet”.

    Ky njoftim vjen në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Kjo shënon përpjekjen e tij të dytë për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës brenda këtij viti.

    Fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP Kosova kishte debutuar në skenën politike në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke garuar nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

  • Britania dhe Norvegjia formojnë aleancën detare për të sulmuar nëndetëset ruse

    Britania dhe Norvegjia formojnë aleancën detare për të sulmuar nëndetëset ruse

    Britania e Madhe dhe Norvegjia kanë nënshkruar një pakt mbrojtjeje që do të operojnë një flotë të përbashkët për të gjuajtur nëndetëset ruse në Atlantikun e Veriut.

    Marrëveshja synon të mbrojë kabllot nënujore, të cilat zyrtarët britanikë thonë se janë gjithnjë e më shumë nën kërcënim nga Moska, me një rritje prej 30% të anijeve ruse të pikasura në ujërat britanike gjatë dy viteve të fundit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, MoD.

    Sipas marrëveshjes, flotat detare të dy vendeve anëtare të NATO-s do të operojnë një flotë fregatash britanike të tipit Type-26.

    Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti marrëveshjen “historike”, duke thënë se ajo forcon aftësinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur infrastrukturën e saj kritike.

    Ndërkohë, njoftimi vjen ndërsa Sir Keir do të mirëpres homologun e tij norvegjez, Jonas Store, në RAF Lossiemouth në Skocinë veriore.

    Sipas raportimeve, të dy udhëheqësit do të dëgjojnë nga ekipet e patrullave detare që kanë ndjekur anijet ruse, përfshirë anijen spiune Yantar, e cila u akuzua së fundmi se kishte drejtuar lazerë për të penguar pilotët e RAF-it.

    Marrëveshja Lunna House, e emërtuar sipas bazës në Ishujt Shetland të përdorur nga rezistenca norvegjeze gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbështetet nga një marrëveshje britaniko-norvegjeze prej 10 miliardë paundësh për anije luftarake, e nënshkruar në shtator.

    Të paktën 13 anije kundër-nëndetëse nga Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia, pesë prej tyre norvegjeze, do të operojnë së bashku në Evropën veriore.

    Anijet luftarake do të monitorojnë lëvizjet e marinës ruse në ujërat midis Grenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke mbrojtur kabllot dhe tubacionet nëntokësore të rëndësishme për komunikimet, energjinë elektrike dhe rrjetet e gazit në Britani.

    Marrëveshja shtrihet gjithashtu në zhvillimin e lojërave ushtarake të përbashkëta dhe përdorimin e torpedove britanike Sting Ray. Royal Marines do të trajnohen gjithashtu në Norvegji për të luftuar në kushte nën zero.

  • Dyshime për tentim atentat ndaj Zelenskyyt, dronë ushtarak ndoqën aeroplanin e tij drejt Dublinit

    Dyshime për tentim atentat ndaj Zelenskyyt, dronë ushtarak ndoqën aeroplanin e tij drejt Dublinit

    Katër dronë ushtarakë kanë fluturuar në drejtim të aeroplanit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy kur po i afrohej Dublinit në Republikën e Irlandës.

    Këta dronë kanë shkelur zonën e fluturimeve dhe ia kanë mësyrë aeroplanit të Zelenskyyt para se të aterronte në Aeroportin e Dublinit.

    Fluturimi u realizua para kohës në orën 11, por dronët kanë qenë në drejtim të shtegut të cilin e përdori aeroplani i Zelenskyyt, po të mbërrinte me kohë, ka raportuar “The Journal”.

    Katër dronë të mëdhenj pastaj kanë fluturuar mbi anijet ushtarake të Irlandës që ishin angazhuar në fshehtësi të plotë para vizitës së Zelenskyyt në Irlandë.

    Burimet kanë thënë se dronët janë larguar në verilindje të Dublinit dhe kanë fluturuar më shumë se 2 orë. Nuk dihet se nga janë lansuar këta dronë.

    Burimet kanë thënë se dronët kanë pasur për qëllim të pengojnë shkuarjen e Zelenskyyt në Dublin sepse kishin dritat e ndezura.

    Dronët ishin ushtarakë dhe rasti mund të klasifikohet si akt hibrid lufte.

    Rusia është akuzuar për këta dronë që i ka lëshuar nga tankerët e naftës me qëllim që të kryejnë sulme ndaj aeroporteve të Evropës dhe infrastrukturës ushtarake.