ATV

Author: K.B.

  • Motra e Dua Lipës debuton në filmin britanik ‘A Gangster’s Life’ si kriminele

    Motra e Dua Lipës debuton në filmin britanik ‘A Gangster’s Life’ si kriminele

    Aktorja dhe modelja 24-vjeçare, e cila është motra e yllit të pop-it, Dua Lipa, do të luajë së bashku me Jonny Weldon nga filmi One Day dhe Tony Cook nga Dune: Part Two në filmin emocionues britanik kriminal A Gangster’s Life.

    Për debutimin e saj në ekranin e madh në janar, Rina do të interpretojë Scarlett, një personazh që jeton në një botë të rrezikshme plot me mafiozë të çmendur, vrasje dhe tradhti, raporton FemaleFirst.

    Rina do të ndjekë hapat e motrës së saj të famshme, këngëtares dhe aktorës Dua Lipa, në A Gangster’s Life, ku drejtori dhe kameramani i shpërblyer, Zak Fenning, do të bëjë debutimin e tij regjisorial.

    Filmi i ardhshëm i bën homazhe klasikëve të mëdhenj të filmave gangsterë, duke përfshirë Lock, Stock and Two Smoking Barrels dhe The Gentlemen të Guy Ritchie.

    Në film do të jenë gjithashtu Tomi May, Christina Gkioka, Bradley Turner dhe Sasha Latoya, ndërsa premierë digjitale në Mbretërinë e Bashkuar pritet më 19 janar, nga Miracle Media.

    Filmi tregon historinë e mashtruesve të nivelit të ulët, Ant (Cook) dhe Dick (Weldon), të cilët përplasen me mafiozin mizor londinez, Emery (May).

    Pas këtij përplasjeje që ndryshon jetën e tyre, dy mashtruesit rekrutohen me ngurrim në botën e errët dhe të rrezikshme kriminale të Emery-t.

    Personazhi i Rina-s, Scarlett, është një nga anëtarët e pa mëshirshëm të skuadrës së Emery-t, që përdorin Ant dhe Dick si pjata në aktivitetet e tyre kriminale.

    Megjithatë, dyshja detyrohet të ikë në Greqi kur një nga anëtarët e mafies humbet jetën.

    Familja Lipa nuk është e panjohur për rolet filmike, pasi Dua më parë ka luajtur si Mermaid Barbie në Barbie të Greta Gerwig në 2023.

    Vitin e kaluar, Dua u transformua në personazhin e rrezikshëm të spiunazhit, LaGrange, në filmin Argylle të Matthew Vaughn, i cili gjithashtu solli në ekran Henry Cavill, Bryce Dallas Howard, Sam Rockwell dhe Bryan Cranston.

    Filmi A Gangster’s Life do të jetë në formë digjitale më 19 janar nga Miracle Media.

  • “Kërkonte bashkëpunime, s’ia kthenin mesazhet”, flet halla e Shpatit Kasapti

    “Kërkonte bashkëpunime, s’ia kthenin mesazhet”, flet halla e Shpatit Kasapti

    E ftuar në televizionin Alsat, halla e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka folur për herë të parë pas humbjes së tij.

    Ajo ndau me publikun kujtimet e saj për karrierën e shkëlqyer muzikore të nipit, për pasionin dhe suksesin që ai arriti në skenën shqiptare.

    Ajo shprehu me dhimbje të thellë, se Shpati kishte kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje nga kolegët e tij kohët e fundit të karrierës, por kjo nuk kishte ndodhur.

    “Ajo që më dhemb më shumë është se Shpati kërkoi, kërkoi bashkëpunime e ndoshta as mesazhet nuk ia kanë lexuar! Pse nuk i duam kurrë kur kemi njëri-tjetrin? Kjo është e dhimbshme”, shprehet mes tjerash halla e Shpatit.

    Kjo deklaratë prekëse shënoi një moment emocional në intervistë, duke ngritur pikëpyetje rreth marrëdhënieve brenda komunitetit artistik.

    Ajo zgjodhi të mos përmendte emra, por theksoi mungesën e mbështetjes, një temë që duket se i ka lënë një plagë të thellë familjes Kasapi.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by CLASS MAGAZINE (@revistaclass_)

  • Vuçiq: Do t’i propozoj Von der Leyenit që i gjithë Ballkani Perëndimor të hyjë së bashku në BE

    Vuçiq: Do t’i propozoj Von der Leyenit që i gjithë Ballkani Perëndimor të hyjë së bashku në BE

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se nesër do të ketë një takim të rëndësishëm me drejtuesit e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, në Bruksel, dhe ka shtuar se do t’u propozojë që i gjithë Ballkani Perëndimor të pranohet së bashku në BE.

    “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në tërësi në BE është ideja më e mirë. Nëse dikush mbetet jashtë, çfarë do të bëni me ato vende? Dhe e di që të gjithë flasin për harmonizimin, por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e rajonit, por për të ardhmen e Evropës. Që të na pranojnë të gjithëve së bashku, pa përjashtim, të gjithë do të ndihen më mirë, si shqiptarët ashtu edhe boshnjakët… Dëgjoj vetëm reagime pozitive për këtë ide dhe këtë do t’ia them Antonio Costas dhe Ursula von der Leyen”, ka thënë Vuçiqi në Forumin Beltalks – Bisedimet Ekonomike të Beogradit.

    Vuçiqi ka thënë se Serbia “tashmë ka bërë shumë gjëra”, por se “duhet të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së”.

    Ai ka thënë se nesër ka një “takim të madh dhe të rëndësishëm” me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po organizon një darkë ku presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe ai do të jenë mysafirët e saj.

  • Disa zona të Prishtinës mund të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    Disa zona të Prishtinës mund të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    KRU “Prishtina” njofton konsumatorët se gjatë ditës së sotme ekipet e mirëmbajtjes do të kryejnë punime teknike në disa lokacione të rëndësishme të rrjetit të ujësjellësit.

    Punimet do të zhvillohen në: Rrugën Bahri Kuqi, Hyzri Talla, Bislim Makolli, Faik Ukë Hoxha, Vahit Mustafa, Shyt Marevci, si dhe në Lagjen Taslixhe.

    Gjatë kohës së intervenimeve, qytetarët në këto zona mund të përjetojnë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë ose ulje të presionit të tij.

    KRU “Prishtina” kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe siguron se punimet kryhen me qëllim të përmirësimit të shërbimeve dhe garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me ujë.

  • Osmani ngushëllon për vdekjen e boksierit Nazif Gashi

    Osmani ngushëllon për vdekjen e boksierit Nazif Gashi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjarët e boksierit, Nazif Gashit për vdekjen e tij.

    Osmani ka thënë se Nazif Gashi ka qenë një prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas.

    Derisa, ajo ka shtuar se kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë.

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit, njërit prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas. Si boksier i klubit “Prishtina”, u bë simbol i guximit, disiplinës dhe përkushtimit. Fitoret dhe paraqitjet e tij na bënë krenar dhe e shndërruan Prishtinën në njërin prej klubeve më të suksesshme të kohës. Kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, Federatës së Boksit të Kosovës dhe gjithë komunitetit sportiv! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Nazif Gashin!”, ka ngushëlluar presidentja.

  • Dështon seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, Rozeta Hajdari nuk u paraqit në gjykatë

    Dështon seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, Rozeta Hajdari nuk u paraqit në gjykatë

    Në mungesë të kushteve ligjore, u anulua seanca e shqyrtimit fillestar për rezervat shtetërore.

    Në seancë mungoi kryefjala e këtij rasti, ministrja në detyrë i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, shkruan IndeksOnline.

    Sipas trupit gjykues, ftesa është dërguar përmes postës, por nuk ka konfirmim nga ana e saj se është pranuar, edhe pse gjykata konsideron se procedura është kryer sipas rregullit.

    Në sallë ishte prezent avokati i saj, Florent Latifaj, i cili e përfaqëson ministren në detyrë.

    Irfan Lipovica ka qenë i pranishëm në seancë.

    I akuzuari Hafiz Gara ka munguar fizikisht, por në gjykatë ka prezantuar përfaqësuesja e tij, Nazim Mehmeti.

    Edhe i akuzuari tjetër, Rivdan Muharremi po ashtu mungoi.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën më 11 nëntor ndaj Hajdarit, Lipovicës, Garës dhe Muharremit.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”

    Ridvan Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Seanca e radhës do të mbahet më 13 janar, në orën 09:30.

  • Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë deklaratë kundër dhunës me bazë gjinore

    Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë deklaratë kundër dhunës me bazë gjinore

    Në përmbyllje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Ambasada britanike në Prishtinë ka mbledhur së bashku udhëheqësit kryesorë fetarë të Kosovës për të nënshkruar Deklaratë të Përbashkët për Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dinjitetin Njerëzor – një akt i vlerësuar si historik.

    Sipas njoftimit të ambasadës britanike, nën drejtimin e ambasadorit Jonathan Hargreaves, përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, komuniteti hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore u bashkuan në të njëjtën tavolinë për të sinjalizuar një qëndrim të qartë dhe të unifikuar: dhuna nuk ka vend në fe, familje apo shoqëri.

    Mbretëria e Bashkuar, e cila pozicionohet si kampione globale në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, theksoi se promovimi i barazisë dhe dinjitetit njerëzor është shtylla e paqes dhe prosperitetit.

    Ambasadori Hargreaves nënvizoi se në Kosovë këto vlera luajnë rol kyç në forcimin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit.

    Gjatë 16 ditëve të aktivizmit, siç thotë njoftimi, ambasada vendosi të punojë ngushtë me liderët fetarë, duke theksuar ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në formimin e normave dhe vlerave brenda komuniteteve.

    “Deklarata e nënshkruar përfaqëson një zotim të shkruar dhe një premtim publik për mbrojtjen e më të cenueshmëve dhe sfidimin e praktikave të dëmshme. Ajo dërgon një mesazh shprese se komunitetet fetare në Kosovë janë të bashkuara në thënien ‘mjaft’ ndaj dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim.

  • Ndërron jetë Nazif Gashi, legjenda e boksit kosovar

    Ndërron jetë Nazif Gashi, legjenda e boksit kosovar

    Ka vdekur Nazif Gashi, njëri prej emrave më të mëdhenj të historisë së sportit të Kosovës.

    Gashi, 74-vjeçar, ka pasur një karrierë të pasur si boksier. Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës, e cila për shumë vjet dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.

    Për vdekjen e Gashit kanë njoftuar familjarë të tij.

    Në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Gashi dhe boksierët e tjerë të Prishtinës kishin bërë krenarë gjithë Kosovën me paraqitjet e tyre.

  • 62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 19 aksidente me të lënduar dhe 42 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1833 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 18 persona, prej të cilëve 10 i ka dërguar në mbajtje.

  • Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

    Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot, për të dytën ditë me radhë po vazhdon vizitën dyditore në Kosovë.

    Presidenti Begaj, dëtën e parë të vizitës së tij në Kosovë, është pritur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e shumë personalitete të tjera.

    Sipas agjendës, presidenti Begaj do të marrë pjesë në përvjetorin e 50 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 9 dhe 10 dhjetor 2025, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës po angazhohet me kapacitetet e saj për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë kohës së vizitës.

    Për të siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes sipas itinerarit zyrtar dhe zhvillimin e aktiviteteve të parashikuara në agjendë, Policia e Kosovës do të realizojë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurtra kohore, në disa segmente rrugore.