ATV

Author: K.B.

  • Kina ekzekuton ish menaxherin e lartë që u dënua për marrje ryshfeti

    Kina ekzekuton ish menaxherin e lartë që u dënua për marrje ryshfeti

    Bai Tianhui, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë së menaxhimit të aseteve financiare China Huarong International Holdings Ltd., u ekzekutua në Kinë pasi u dënua për pranim ryshfeti me vlerë 156 milionë dollarë.

    Ekzekutimi u krye në komunën Tianjin të Kinës veriore pas miratimit nga Gjykata Supreme e Popullit, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve Xinhua.

    Vendimi i dhënë në maj 2024 e dënoi Bain me vdekje, urdhëroi konfiskimin e pasurive të tij personale dhe urdhëroi që të gjitha fitimet e tij të fituara në mënyrë të paligjshme të ktheheshin në thesarin e shtetit.

    Bai apeloi vendimin, por Gjykata e Lartë Popullore e Tianjinit e hodhi poshtë apelin e tij në shkurt të këtij viti.

    Pas një shqyrtimi, Gjykata e Lartë Popullore zbuloi se Bai abuzoi me pozicionin e tij midis viteve 2014 dhe 2018 për të marrë në mënyrë të paligjshme ryshfete me një total prej 1.108 miliardë juanësh (pothuajse 157 milionë dollarë).

    Gjykata Supreme Popullore vendosi që krimet e Bait ishin veçanërisht të rënda dhe miratoi vendimin e Gjykatës së Lartë Popullore të Tianjin-it që konfirmonte dënimin me vdekje.

    Bait iu lejua të takonte të afërmit e tij para ekzekutimit.

  • ​Auditori identifikon mangësi në procesin e ndërtimit të një objekti në SHSKUK

    ​Auditori identifikon mangësi në procesin e ndërtimit të një objekti në SHSKUK

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të pajtueshmërisë “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për periudhën 2018 – qershor 2025.

    Sipas njoftimit, auditimi ka vlerësuar pajtueshmërinë e procesit të ndërtimit të objektit me rregullat dhe kërkesat ligjore që nga procesi i buxhetimit dhe planifikimit, procedurat e tenderimit deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

    “Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në procesin e buxhetimit, tenderimit dhe menaxhimit të fondeve. Auditimi vë në pah mospërputhje në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit për klinikat Hemato-Onkologji dhe Nefrologji, qasje të dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhje në mes të dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, si dhe mangësi në procesin e vlerësimit të ofertës gjatë procesit të tenderimit dhe në procesin e menaxhimit të shpenzimeve”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se mangësitë e evidentuara nga auditimi reflektojnë nevojën për qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve. Kjo do të mundësojë rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit në menaxhimin e fondeve publike.

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë pesë rekomandime për të përmirësuar dhe siguruar mbarëvajtjen e proceseve nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i tyre

    Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë “Ndërtimi i Objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e gjeni këtu.

  • Gjykata lëshon urdhërarrest për dy mërgimtarët që kërcënuan Xhemajl Rexhën

    Gjykata lëshon urdhërarrest për dy mërgimtarët që kërcënuan Xhemajl Rexhën

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për dy mërgimtarët që kërcënuankryetarin e AGK-së, Xhemajl Rexhën.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 tetor 2025, në pikën e parë akuzohet Fitim Selmani. Aty thuhet se më 4 korrik 2025, i dëmtuari Xhemajl Rexha, ka lajmëruar në Polici se pas deklarimeve të tij publike lidhur me lirinë e mediave në Kosovë, në periudhën kohore maj-qershor 2025, në një publikim në “Gazeta Alfa” në rrjetin social Facebook, kishte pranuar komente kërcënuese me thirrje për vrasje.

    “Qeta njerëz me pas kush mi vra ish ish qliru Kosova, ky eshte kurd qe ka msu shqipen kqyrja likuren zez si derrit magjup i kurdistanit”, kështu sipas aktakuzës ishte shprehur i pandehuri Fitim Selmani nga profili i tij, në komente në rrjetin social në Facebook, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Rexha.

    Me këtë, Selmani akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.

  • A e dini se pse gatimi me gaz konsiderohet i pashëndetshëm?

    A e dini se pse gatimi me gaz konsiderohet i pashëndetshëm?

    Ae dini se gatimi me gaz mund ta bëjë ajrin brenda shtëpisë tuaj deri në pesë herë më të ndotur? Ky është rezultati më i fundit i një studimi të ndërrmarrë nga një grup kërkimor i Institutit “Rocky Mountain”. Gatimi me gaz çliron shumë emetime të dioksidit të azotit dhe monoksidit të karbonit në shtëpi, të cilët janë tejet të rrezikshëm për më të vegjlit. Ky hulumtim vërtetoi se fëmijët që jetojnë në shtëpi ku përdoren soba me gaz kanë 42% më shumë gjasa të vuajnë nga astma.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë i konsideron pajisjet me gaz si një nga faktorët kryesorë në ekspozimin e përgjithshëm të njerëzve ndaj dioksidit të azotit. Emetimi i dioksidit të azotit mund të jetë gjithashtu përgjegjës për përkeqësimin e sëmundjes të tillë si sëmundja kronike obstruktive pulmonare, si dhe të jetë i lidhur me problemet e zemrës, diabetin apo edhe kancerin.

    Ndërkaq, një studim i ri zbulon nivele alarmante të kimikateve në produktet me drithëra në mbarë Evropën. Sipas Pesticide Action Network Europe, sasia e kimikatit toksik TFA në drithërat e mëngjesit rezulton mesatarisht 100 herë më e lartë se ajo në ujin e rubinetit. TFA formohet pasi pesticidet me PFAS shpërbëhen në tokë dhe është i lidhur me rreziqe për fertilitetin, zhvillimin e fetusit dhe funksionet e tiroides dhe mëlçisë.

    Analiza e 65 produkteve nga 16 vende gjeti ndotje në 81.5 për qind të mostrave. Produktet me grurë rezultuan më të prekurat. Nivelet më të larta u identifikuan në drithërat irlandeze, të ndjekura nga buka e thekur belge dhe ajo gjermane. Shkencëtarët po bëjnë thirrje për ndalimin e shitjes së proshutës dhe bacon-it në supermarket, pasi kimikatet e përdorura në prodhimin e tyre janë lidhur me më shumë se 50,000 raste të kancerit të zorrës së trashë.

  • Meta vjen me lajme aspak të mira!

    Meta vjen me lajme aspak të mira!

    eta, kompania mëmë e Facebook, ka njoftuar se do të reduktojë me rreth 30% buxhetin për zhvillimin e Metaverse dhe pajisjeve të realitetit virtual dhe të shtuar (VR/AR) për vitin 2026. Ky vendim prek veçanërisht divizionin Reality Labs, që prodhon pajisjet “Quest” dhe platformën virtuale Horizon Worlds. Shkaku kryesor i këtij ndryshimi, sipas kompanisë, është reagimi i dobët i tregut ndaj produkteve të Metaverse.

    Që nga viti 2020, Reality Labs ka regjistruar humbje disa miliarda dollarë, duke bërë të nevojshme një ristrukturim strategjik. Në vend të kësaj, Meta synon të përqendrohet më shumë në zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI) dhe pajisjeve të mençura të vlefshme, fusha që kompania e sheh si më premtuese për të ardhmen. Pas njoftimit, aksionet e Meta u rritën mbi 4 për qind, duke treguar mirëpritjen pozitive të investitorëve ndaj këtij ndryshimi strategjik.

    Në eventin Meta Connect këtë muaj, CEO Mark Zuckerberg prezantoi Meta Ray-Ban Display; syzet më të reja inteligjente të kompanisë, këtë herë me një ekran. Këto syze nuk janë AR i vërtetë, Meta po punon shumë për këtë por kompania thuhet se ka një surprizë tjetër për ne para syzeve të vërteta AR. Mark Gurman, një ekspert i industrisë, ndau mendimet e tij mbi Ray-Ban Display, duke thënë se kjo ishte hera e parë që ai pa potencialin e këtyre pajisjeve, shkruajnë mediat e huaja.

    Gurman zbuloi gjithashtu se i ishte thënë se Meta po punon në një palë tjetër syze inteligjente, këtë herë me dy ekrane. Çuditërisht, këto syze të reja nuk do të jenë as AR, por ato do të dalin në të njëjtin vit që Meta planifikon të lançojë versionin për konsumatorin të syzeve inteligjente Orion AR. Meta ka të ngjarë të ofrojë një alternativë më të lirë. Në këtë mënyrë, kompania ende mund t’i bindë konsumatorët të provojnë syzet inteligjente dhe potencialisht t’i sigurojë ata si klientë afatgjatë nëse u pëlqen ajo që shohin.

  • Nxehtësia ekstreme ndikon te të nxënit te fëmijët e vegjël

    Nxehtësia ekstreme ndikon te të nxënit te fëmijët e vegjël

    Studime gjithnjë e më të shumta po tregojnë se rritja e temperaturave si pasojë e ndryshimeve klimatike po ndikon në shëndetin e njeriut. Një studim i fundit, i botuar në Journal of Child Psychology and Psychiatry, analizon ndikimin e nxehtësisë ekstreme në zhvillimin e fëmijëve të vegjël dhe gjen se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj temperaturave të larta lidhet me probleme në të nxënë.

    Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se nxehtësia ndikon negativisht në shëndetin fizik, mendor dhe në aftësitë e të mësuarit. Një studim i vitit 2021 tregoi se nxehtësia e tepruar pengon arritjet në testet standarde të fëmijëve dhe adoleshentëve. Po ashtu, temperaturat mbi 32°C janë lidhur me rënie të funksioneve njohëse edhe te të rriturit. Ndryshimet klimatike ndikojnë edhe në bujqësi dhe sigurinë ushqimore, duke përkeqësuar ushqyerjen e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre.

    Për të kuptuar më mirë ndikimin e nxehtësisë në vitet e para të jetës, studiuesit analizuan të dhëna për 19,607 fëmijë 3–4 vjeç nga Gjeorgjia, Gambia, Madagaskari, Malavi, Sierra Leone dhe Palestina për periudhën 2017–2020. Të dhënat për zhvillimin e fëmijëve u lidhën me të dhëna të detajuara të temperaturës.

    Rezultatet treguan se fëmijët e ekspozuar ndaj temperaturave mesatare mbi 32°C kishin më pak gjasa të ishin në nivel të mirë zhvillimi në lexim dhe matematikë. Ndikimi ishte më i fortë te fëmijët nga familje të varfra, në zona urbane dhe tek ata pa akses në ujë të pastër dhe kanalizime.

    Sipas autorëve, nxehtësia ndikon përmes dehidratimit, stresit, çrregullimeve të gjumit, dëmtimit të qelizave nervore dhe uljes së aktivitetit fizik.

    Studimi thekson nevojën urgjente për politika dhe masa mbrojtëse për fëmijët në një botë gjithnjë e më të nxehtë.

  • Trump do t’i detyrojë të gjithë turistët e huaj të japin pesë vjet histori të rrjeteve sociale para se të hyjnë në SHBA

    Trump do t’i detyrojë të gjithë turistët e huaj të japin pesë vjet histori të rrjeteve sociale para se të hyjnë në SHBA

    Administrata Trump do t’u kërkojë turistëve të huaj të dorëzojnë pesë vitet e fundit të historisë së tyre në mediat sociale për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

    Ky veprim drastik ishte përpjekja e fundit e presidentit Donald Trump për të shqyrtuar ata që hyjnë në vend, pasi javën e kaluar u njoftua një ngrirje e imigracionit nga 19 vende.

    Njoftimi “i detyrueshëm” u botua nga Doganat dhe Mbrojtja Kufitare të martën në Regjistrin Federal, transmeton Telegrafi.

    Të dhënat e mediave sociale do të kërkohen për çdo person që hyn në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania që nuk kërkojnë viza për udhëtim.

    Kjo vjen pas një njoftimi të qershorit nga Departamenti i Shtetit, që urdhëroi udhëtarët të bënin publike profilet e tyre në mediat sociale.

    Njerëzve që hyjnë në SHBA do t’u kërkohet gjithashtu të japin adresat e email-it, numrat e telefonit dhe informacionin mbi anëtarët e familjes së tyre për të arritur një kalim të sigurt.

    Njoftimi tha se publiku amerikan do të ketë 60 ditë për të dhënë komente.

    Me Kupën e Botës dhe Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara në 2026 dhe 2028, përkatësisht, do të ketë qindra mijëra udhëtarë të huaj që do të hyjnë në vend.

  • Festat e fundvitit/ Presidenca ndan 4600 euro për dekorim

    Festat e fundvitit/ Presidenca ndan 4600 euro për dekorim

    Presidenca e Republikës së Kosovës ka ndarë 4600 euro e 1 cent, për dekorim për fundvit.

    Kontrata e kategorizuar si “Shërbime” iu dha kompanisë “Selmans Network”.

    Në ftesën tenderuese, çmimi i parashikuar i kontratës ishte 5 mijë euro.

    Por, vlera më e lartë e tenderëve të pranuar ishte 4600 euro.

    Kontrata u nënshkrua dje, teksa pritet të hyjë në fuqi së shpejti.

    Ajo nuk mund të nënkontraktohet teksa kohëzgjatja e saj është 3 muaj.

  • Seanca në Apel: Shiti armën me të cilën u vra Liridon Ademaj, Tom Dodaj kërkon ulje të dënimit

    Seanca në Apel: Shiti armën me të cilën u vra Liridon Ademaj, Tom Dodaj kërkon ulje të dënimit

    Sot në Gjykatën e Apelit, është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Tom Dodaj, i cili akuzohet për shitjen e armës me të cilën u vra Liridon Ademaj, e për të cilin u dënua me pesë vjet burgim.

    Dodaj ngarkohet me vepren penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

    Ai e kishte pranuar fajësinë mbi këtë vepër, mirëpo nuk po pajtohet me lartësinë e dënimit.

    Lidhur me këtë ka folur avokati Agron Kuçi.

    “Ne kemi kërkuar ulje të lartësisë së dënimit. Dënimi prej pesë vitesh është goxha i lartë, marrë parasysh se klienti im, e ka pranuar fajësinë, dhe ka bashkëpunuar edhe me polici e prokurori”, deklaroi ai për Klankosova.tv.

    “Mendoj se ai edhe është viktimë në këtë rast dhe se nuk e ka ditur se për çfarë po bëhet fjalë”, deklaroi ai.

    “E kemi bo ankimimin dhe tani po presim. Besoj që kjo punë do të shkojë diku nja 2 a 3 muaj do të marrë kohë”, theksoi avokati për Klankosova.tv

    Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

    Tom Dodaj është dënuar me 5 vjet burgim, nga shkalla e parë në janar të këtij viti.

    Por, ankesa u kundërshtua sot nga Leutrim Syla, avokat i palës mbrojtëse i cili ka kërkuar që dënimi të mbetet në fuqi.

  • Hajdari tha se s’ka pranuar thirrje, Gjykata: Ia kemi dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës

    Hajdari tha se s’ka pranuar thirrje, Gjykata: Ia kemi dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës

    Ka dështuar nisja e gjykimit në rastin e rezervave shtetërore pasi e akuzuara Rozeta Hajdari nuk ka shkuar atje. Përmes një postimi në Facebook, ministrja në detyrë ka thënë se nuk ka pranuar thirrje për seancë nga Gjykata.

    “Për seancën e sotme gjyqësore, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore!’’, ka shkruar ajo.

    Mirëpo nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë për Express se e kanë dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës.

    “Po Gjykata e ka dërgu ftesën me 19 nëntor përmes postës. Por, gjykata nuk e ka pranuar fletëkthimin nga posta se e pandehura Rozeta Hajdari e ka pranuar ftesën”, tha Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatë.