ATV

Author: K.B.

  • Sot zhvillohet ushtrimi në shkallë të gjerë me Policinë e Kosovës, Ambasada Amerikane del me paralajmërim

    Sot zhvillohet ushtrimi në shkallë të gjerë me Policinë e Kosovës, Ambasada Amerikane del me paralajmërim

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka rikujtuar për ushtrimin e sotëm që do të ndodh sot bashkë me Policinë e Kosovës.

    Ky ushtrim do të zhvillohet në shkallë të gjerë dhe ndërlidhet me përgjigje ndaj krizave të mundshme.

    Gjatë ditës së sotit do të mund të vërehet prani e shtuar e forcave policore në lokacione të ndryshme dhe atyre të sigurisë tek ambasada amerikane.

  • Nesër protesta në Shkup: OVL-UÇK pret 20 mijë pjesëmarrës

    Nesër protesta në Shkup: OVL-UÇK pret 20 mijë pjesëmarrës

    Një ditë para protestës së paralajmëruar për 13 dhjetor në Shkup, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka rritur mobilizimin brenda dhe jashtë Kosovës, duke paralajmëruar një pjesëmarrje të gjerë qytetare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

    Kjo protestë vjen pas disa tubimeve të zhvilluara më herët në Prishtinë, Tiranë dhe qytete të tjera, të cilat kanë synuar të ngrenë zërin kundër, sipas veteranëve, një procesi të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se interesimi për protestën e Shkupit është shumë i madh, sidomos nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga ata të Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se pritet një pjesëmarrje prej rreth 20 mijë protestuesve nga të dy vendet.

    ‘’Interesimi është shumë madh nga qytetarët e Kosovës e sidomos nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ne presim numër të madh të protestuesve , presim të jenë 20.000 protestues nga të dy shtetet Kosova e Maqedonia e Veriut mirëpo interesim më i madh vjen nga Kosova’’, tha Gucati për FrontOnline.

    Sipas Gucatit, OVL-UÇK ka marrë mbështetje nga të gjitha partitë politike në të dy shtetet, ndërsa në protestë pritet të jenë të pranishëm edhe kryetarë komunash, veçanërisht nga Kosova.

    Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike që ta mbështesin këtë tubim dhe të kontribuojnë në mobilizimin qytetar për, siç thotë ai, mbrojtjen e vlerave çlirimtare.

    ‘’ Kemi marrë mbështetja nga të gjitha partitë politike edhe në Kosovë edhe ne Maqedoni dhe do të ketë pjesëmarrje edhe nga kryetarë komunash të dy shteteve e sidomos nga Kosova .I bëj thirrje partive politike që të mbështesin protestën dhe të bëjnë thirrje për këtë protestë për çlirimtaret’’, përfundoi kreu i OVL-UCK.

    Pas deklaratës të Gucatit, është deklaruar edhe një përfaqësues politik në Maqedoninë e Veriut. Ai koalicioni VLEN, i cili ka dhënë qëndrimin e tij lidhur me protestën e 13 dhjetorit dhe përdorimin e çështjes së UÇK-së në diskursin politik.

    Ibrahimi nga koalicioni VLEN: E mbështesim çdo tubim për UÇK-në dhe bëjmë thirrje që UÇK-ja të mos keqpërdoret nga politikanët

    Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN në një prononcim për FrontOnline është deklaruar rreth protestës së 13 dhjetorit në Shkup, duke thënë se UÇK-ja është një vlerë e popullit shqiptar dhe se të gjithë shqiptarët ndihen krenarë për të. Ai vlerëson se asnjë subjekt politik nuk ka të drejtë ta përdorë këtë vlerë për interesa elektorale.

    ‘’ UÇK-ja është vlerë e popullit shqiptar dhe ne të gjithë mburremi me të. Rrjedhimisht, nuk lejohet që asnjë subjekt politik të abuzojë me të për qëllime të ulëta elektorale’’, tha Ibrahimi për FrontOnline.

    Sipas Ibrahimit , Ali Ahmeti po e përdor UÇK-në si mjetin e fundit për të rikuperuar reputacionin e humbur politik.

    ‘’Ali Ahmeti sot po e përdor UÇK-në si armën e fundit për reputacionin e humbur politik’’, tha Ibrahimi.

    Ibrahimi thotë se UÇK-ja nuk mund të shërbejë si mburojë për politikanë që gjatë gjithë këtyre viteve janë thirrur në sakrificën e dëshmorëve, por nuk kanë bërë asgjë konkrete për familjet e tyre, për veteranët apo invalidët e luftës.

    ‘’ Por, UÇK-ja nuk është anije që i bart politikanët e dështuar, të cilët kanë qëndruar në pushtet për 20 e më shumë vjet duke u thirrur në gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, ndërsa pushtetin e kanë shfrytëzuar jo për kauzën e dëshmorëve’’, tha Ibrahimi nga koalicioni VLEN.

    Ibrahimi përmend gjithashtu se partia që po tenton ta paraqesë protestën si veprim patriotik ka mbështetur më herët Ligjin për branitellët maqedonas dhe nuk është kujtuar kurrë për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

    Sipas tij, kjo parti nuk ka ndërmarrë asnjë hap të tillë sa ka qenë në pushtet, ndërsa tani , kur nuk ka më kauzë politike po përpiqet t’i përdorë ata për përfitime.

    ‘’ Partia që abuzon me protestën në Shkup nuk ka bërë asnjë gjë të vetme për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, ndërkohë që e ka votuar Ligjin për branitellët maqedonas. Përveç kësaj, sa ka qenë në pushtet (deri më 2024) nuk është kujtuar kurrë për mbrojtjen e të burgosurve në Hagë, ndërsa nuk janë burgosur dje, dhe vetëm tash, kur nuk ka më kauzë tjetër politike, dëshiron t’i përdorë ata për qëllime politike’’, deklaroi Ibrahimi.

    Në fund Ibrahimi thotë se VLEN mbështet çdo tubim që synon mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, por kundërshton fuqishëm çdo tentativë për keqpërdorim të saj për qëllime politike. Ai rikujton se UÇK-ja është pronë e popullit shqiptar dhe partitë nuk duhet ta përdorin atë si mjet elektoral.

    ‘’Andaj, ne e mbështesim çdo tubim për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, por jemi kundër atyre që e keqpërdorin UÇK-në për qëllime politike. UÇK-ja është pronë e popullit dhe partitë nuk guxojnë të abuzojnë me të ’’, përfundoi Ibrahimi.

  • I rrëzohet kërkesa Haxhi Shalës për modifikim të dënimit

    I rrëzohet kërkesa Haxhi Shalës për modifikim të dënimit

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi më 11 dhjetor 2025 se dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

    Kështu u tha në një njoftim të Dhomave të Specializuara, ku u specifikua se për të marrë këtë vendim, Kryetarja u konsultua me gjykatësit e paneleve që kanë shqiptuar dënimin, siç parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

    “Kryetarja vuri në dukje konkretisht se z. Shala nuk kishte shprehur keqardhje dhe deklaroi se do ta shqyrtonte modifikimin e mundshëm të dënimit të z. Shala pas dy muajsh”, u tha në njoftimin e DhSK.

    Procedurat lidhur me uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimeve, siç parashihet me Ligj, janë procedura individuale.

    Kur një person i dënuar i ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai i plotëson kriteret për shqyrtimin e uljes, modifikimit apo ndryshimit të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet apo ndryshohet.

  • E trishtë: Nipi vdes pas operacionit në lukth në Turqi, ndërron jetë edhe gjyshja në të njëjtën ditë

    E trishtë: Nipi vdes pas operacionit në lukth në Turqi, ndërron jetë edhe gjyshja në të njëjtën ditë

    Një vdekje mjafton për të sjellë një gjendje të rënduar emocionale në çdo familje, por gjithçka bëhet edhe më e vështirë kur, në të njëjtën ditë, një familje humb dy persona të dashur.

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në fshatin Duraj të Kaçanikut, ku brenda të njëjtës ditë kanë ndërruar jetë gjyshja dhe nipi i saj.

    Shpend Nexhmedin Zenuni, i riu nga Duraj, ka humbur jetën pas komplikimeve shëndetësore, të cilat, sipas burimeve familjare, dyshohet se lidhen me një ndërhyrje kirurgjikale në lukth, të kryer rreth dy javë më parë në Turqi për trajtimin e mbipeshës. Pas operacionit, atij dyshohet t’i jetë shfaqur një infeksion në zonën e ndërhyrjes, gjë që besohet të ketë çuar në përkeqësimin e gjendjes së tij deri në vdekje.

    Tragjedia është thelluar edhe më shumë pasi, në të njëjtën ditë, ka ndërruar jetë edhe gjyshja e Shpendit, Mirije Prushi-Zenuni, nëna e babait të tij, duke sjellë dy humbje të mëdha për familjen Zenuni.

    Varrimi i tyre do të bëhet sot në orën 14:00, në fshatin Duraj të Kaçanikut.

  • Kosova nis pranimin e migrantëve të deportuar nga ShBA-ja

    Kosova nis pranimin e migrantëve të deportuar nga ShBA-ja

    Kosova ka filluar të pranojë migrantë të caktuar për deportim nga Shtetet e Bashkuara sipas një marrëveshjeje të arritur me administratën e Presidentit Donald Trump, tha të enjten kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Në një intervistë për “Kanal10”, Kurti konfirmoi se një ose dy migrantë kanë mbërritur tashmë, duke vënë në dukje se Kosova po pranon njerëz “që Shtetet e Bashkuara nuk i duan në territorin e saj”.

    Marrëveshja, e finalizuar në qershor, i lejon Kosovës të pranojë deri në 50 migrantë për një periudhë njëvjeçare, sipas qeverisë.

    Duke nënshkruar marrëveshjen, Kosova donte të shprehte “mirënjohjen e përjetshme” për mbështetjen e ShBA-së që kur u nda nga Serbia në vitin 2008, tha qeveria në qershor, shkruan “TrtWorld”.

  • Policët amerikanë falënderojnë shqiptarin për befasinë që u bëri

    Policët amerikanë falënderojnë shqiptarin për befasinë që u bëri

    Shqiptarët prej vitesh jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po ndërtojnë jetën dhe bizneset e tyre me sukses.

    Ndër ta është edhe Mergim Lala nga Ferizaj, i cili prej më shumë se katër dekadash jeton dhe vepron në Houston të Texasit.

    Ai drejton me sukses biznesin familjar të picerisë “Brother’s Pizza”, një emër i vlerësuar lart nga komuniteti amerikan, por edhe nga forcat policore të zonës.

    Shefi i policisë së qarkut Harris, Mark Herman ka falënderuar pronarin shqiptar të picerisë “Brothers Pizz” për befasinë që u ka bërë policëve të stacionit të katërt.

    “Sot, Mike nga Brothers Pizza vizitoi Stacionin e Patrullës Holzwarth të Konstablit Mark Herman, duke sjellë pica të shijshme për zëvendësit tanë. Gjatë vizitës, ai i falënderoi personalisht për punën e jashtëzakonshme që ata kryejnë çdo ditë në shërbim të komunitetit. Ky gjest mirënjohjeje dhe mbështetjeje vlerësohet thellësisht nga i gjithë stafi”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

    Ndryshe, piceria kohë pas kohe i shpërblen pjesëtarët e tjerë që shërbejnë në dobi të komunitetit, të tillë, si zjarrfikësit.

  • Mot i vranët e me diell

    Mot i vranët e me diell

    Sot moti në vend parashikohet të jetë kryesisht i vranët, por me intervale të shkurtra me diell gjatë ditës.

    Temperaturat minimale, sipas Institutit Hidrometerologjik, do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 7 deri në 9 gradë Celsius.

    Njëherësh, era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit, duke krijuar kushte të qëndrueshme atmosferike.

  • Shtyhet afati për aplikim në skemën e granteve për energji të pastër

    Shtyhet afati për aplikim në skemën e granteve për energji të pastër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka njoftuar zgjatjen e afatit të aplikimit në thirrjen publike për përkrahjen financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në skemën e granteve për energji të pastër, të shpallur më 10 tetor 2025.

    Sipas njoftimit, afati i ri për aplikim është deri më 31 janar 2026, ndërsa procedura e aplikimit kryhet përmes platformës e-Kosova, të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

    Aplikimet mund të bëhen për:

    Masën 1 në platformë: ekosova.rks-gov.net/699
    Masën 2 në platformë: ekosova.rks-gov.net/714
    Masën 3 në platformë: ekosova.rks-gov.net/702
    MINT dhe KIESA thonë se shtyrja e afatit synon t’u japë më shumë kohë ndërmarrjeve që të përgatisin dokumentacionin dhe të përfitojnë nga mbështetja për investime në energji të pastër.

  • Ambasada e SHBA-së: Kërkohen hapa konkret nga Kurti për uljen e tensioneve

    Ambasada e SHBA-së: Kërkohen hapa konkret nga Kurti për uljen e tensioneve

    SHBA-të nuk pritet të fillojnë dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën të cilin e kishin pezulluar në shtator të këtij viti për shkak të veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë Kurti.

    Në një përgjigje të Ambasadës së SHBA-së për RTV21 thuhet se SHBA kërkon hapa konkretë nga Kryeministri kujdestar Kurti për të uljen e tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin e përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik.

    ‘’Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë së përkohshme, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkret nga kryeministri kujdestar Kurti për të uljen e tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë së përkohshme. Nuk kemi asgjë tjetër për të njoftuar në këtë pikë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së.

  • Zgjidhet kreu i ri i SPAK, Klodjan Braho shpallet fitues me 7 vota

    Zgjidhet kreu i ri i SPAK, Klodjan Braho shpallet fitues me 7 vota

    Klodjan Braho është kreu i ri i SPAK.

    Ai u zgjodh me 7 vota, ndërkohë Adnan Xholi mori 3 vota, 1 votë mori Elvin Gokaj ndërsa Doloreza Musabelli nuk mori asnjë votë.

    Braho do të jetë pasuesi i Altin Dumanit.