ATV

Author: K.B.

  • Irani arreston fituesen e Nobelit për Paqe, Narges Mohammadi

    Irani arreston fituesen e Nobelit për Paqe, Narges Mohammadi

    Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe më 2023 nga Irani, Narges Mohammadi është arrestuar së bashku me disa aktivistë të tjerë për të drejtat e njeriut. Ata u arrestuan gjatë një ceremonie përkujtimore në Mashhad, qytet në verilindje të Iranit.

    Sipas Fondacionit Narges Mohammadi, arrestimi ndodhi më 11 dhjetor, gjatë një ceremonie për shënimin e ditës së shtatë të vdekjes së Khosrow Alikordi, një avokat i njohur dhe avokues për të drejtat e njeriut.

    Një turmë e madhe mori pjesë në ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe aktivistë të shquar, ish të burgosur politikë dhe familjarë që kërkonin drejtësi për viktimat e dhunës shtetërore.

    Përmes një postimi në llogarinë e Mohammadit në X, u tha se ajo u “arrestua në mënyrë të dhunshme nga agjentët e sigurisë”. Bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani, që jeton në Francë, konfirmoi se “Narges Mohammadi, Sepideh Gholian dhe disa të tjerë” u arrestuan gjatë këtij tubimi.

    Përplasje me forcat e sigurisë
    Video që qarkulluan në rrjetet sociale treguan një pjesëmarrje të madhe, me protestues që brohorisnin parulla kritike ndaj Republikës Islamike. Në një video që është shpërndarë shumë, Mohammadi dhe aktivistja tjetër Sepideh Gholian u panë duke qëndruar mbi një makinë, duke udhëhequr turmën me brohoritje sikurse “Rroftë Irani!”.

    Pamjet e tjera treguan forcat e sigurisë duke u përplasur me pjesëmarrësit, me oficerët që sulmonin protestuesit ndërsa ata brohorisnin parulla kundër autoriteteve.

    Zyrtarët në Mashhad më vonë konfirmuan se disa aktivistë civilë ishin arrestuar. Sipas zyrtarëve, ndalimi i Mohammadit ishte i përkohshëm dhe ishte urdhëruar nga zyra e prokurorit për shkak të asaj që ata e përshkruanin si “parulla që shkelin normat”. Sipas zyrtarëve, ata janë vendosur “nën mbrojtje” dhe se arrestimet u kryen “për sigurinë e tyre”.

    Raportimet e mëhershme thanë se edhe disa figura të tjera të njohura, përfshirë Nasrin Sotoudeh, Aliyeh Motallebzadeh dhe Hasti Amiri, ishin të pranishme në këtë ceremoni.

    Narges Mohammadi, 53 vjeçe, ka kaluar pjesën më të madhe të dekadës së fundit pas grilave. Ajo po vuante një dënim prej 13 vjetësh e nëntë muajsh burgim para se të lirohej për arsye shëndetësore në fillim të dhjetorit të vitit 2024.

    Pas arrestimit të fundit, raportohet se ajo po merr trajtim mjekësor.

    Që nga lirimi më 2024, Mohammadi kishte rifilluar aktivitetin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, duke u takuar me aktivistë në të gjithë Iranin dhe duke marrë pjesë në diskutime ndërkombëtare, përfshirë konferenca virtuale me zyrtarë të huaj.

  • Tre të lënduar nga aksidenti i rëndë në Gllarevë të Klinës, Policia jep detaje

    Tre të lënduar nga aksidenti i rëndë në Gllarevë të Klinës, Policia jep detaje

    Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në Gllarevë të Klinës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Një aksident mes dy veturave ka ndodhur në Gllarevë. Si pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Gashi.

  • Zhduket një grua në Lëbushë të Deçanit, intervistohen pesë persona

    Zhduket një grua në Lëbushë të Deçanit, intervistohen pesë persona

    Është zhdukur një grua në fshatin Lëbushë të Deçanit, ku djali i saj ka raportuar se nëna ka dalur nga shtëpia më 2 dhjetor dhe nuk është kthyer më.

    Këtë për e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se janë intervistuar pesë persona.

    “Më 6 dhjetor rreth orës 10:40, ankuesi ka ardhur në stacionin policor të Deçanit dhe ka raportuar se e ëma kishte dalë nga shtëpia më 2 dhjetor rreth orës 09:00 dhe nuk është kthyer që atëherë, pa dhënë ndonjë informacion për vendndodhjen e saj”.

    “Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është regjistruar si një rast i personit të zhdukur, ndërsa hetimet dhe kërkimet vazhdojnë intensivisht. Deri më tani janë intervistuar pesë persona, por ende nuk është identifikuar lokacioni ku ndodhet ajo”, thuhet në konfirmim.

    Mediat lokale kanë raportuar se gruaja e cila është zhdukur 55 vjeçarja Pemlushe Sadrija.

  • Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papa Leo XIV

    Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papa Leo XIV

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh.

    Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, do të priten në audiencë nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik.

    Po ashtu, presidentja do të zhvillojë takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

    Gjatë vizitës në Vatikan, Osmani do të vizitojë edhe Bazilikën e Shën Pjetrit.

    “Në selinë e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë, ndërkaq, Presidentja Osmani do të organizojë një pritje të fundvitit me përfaqësues të Selisë së Shenjtë, përfaqësues diplomatik dhe personalitete të tjera. Gjatë kësaj vizite ajo do të realizojë edhe një sërë aktivitetesh të tjera me qëllim të thellimit të raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Selisë së Shenjtë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Faton Peci betohet si kryetar i Mitrovicës së Jugut

    Faton Peci betohet si kryetar i Mitrovicës së Jugut

    Faton Peci zyrtarisht është betuar si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut.

    Mbledhja inauguruese ka nisur në ora 12:00.

    Peci siguroi mandatin duke mposhtur kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahirin, në dy raundet e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe në balotazh më 9 nëntor.

  • Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, e planifikuar të mbahej sot, më 12 dhjetor 2025, në ora 09:30, është anuluar.

    Gjykata ka njoftuar se arsyeja e shtyrjes është pamundësia e pjesëmarrjes së gjyqtarit Alban Ajvazi, njëri nga anëtarët e trupit gjykues.

    Të tre të akuzuarit po gjykohen për vrasje të rëndë, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Gjykata ka caktuar datën e re të seancës: 22 dhjetor 2025, në ora 09:30.

    Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt. Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj, i cili pasi pranoi fajësinë, u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

    Në aktakuzë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava, me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës. Më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. Vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

  • Ruzhdi Shehu merr zyrtarisht mandatin e dytë si kryetar

    Ruzhdi Shehu merr zyrtarisht mandatin e dytë si kryetar

    Ruzhdi Shehu ka dhënë betimin për mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Junikut.

    Të premten, Shehu ka dhënë zyrtarisht betimin për të filluar mandatin e tij të dytë në krye të komunës

    Ceremonia u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, në praninë e një numri të madh të ftuarish, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të Junikut.

    Gjatë ceremonisë, krahas kryetarit, betimin e dhanë edhe anëtarët e rinj të Asamblesë Komunale, të cilët zyrtarizuan mandatin e tyre si përfaqësues të Kuvendit Komunal të Junikut.

    Në fjalimin e tij, kryetari Shehu theksoi përkushtimin ndaj qytetarëve dhe zhvillimit të komunës, ai u zotua se mandatin e dytë do ta udhëheq me nder, transparencë dhe llogaridhënie, gjithmonë në shërbim të interesit të qytetarëve.

    “Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për Junikun, duke ruajtur vlerat tona dhe duke sjellë zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, tha ndër të tjera kryetari Shehu.

  • Fillojnë punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos

    Fillojnë punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos

    Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka njoftuar se sot (e premte), 12 dhjetor, kanë filluar punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos.

    Pritjes si duket po i vjen fundi. Peja pritet të bëhet me ndërtimin e Qendrën Nacionale të xhudos, projekt i shumëpritur.

    Është vet trajneri i madh i xhudos, Driton Kuka, i cili ka njoftuar se investimi i përbashkët i MKRS-së dhe federatës së xhudos po jetësohet.

    Në postimin e tij në rrjetin social, Facebook, Kuka uroi që kjo qendër të gëzohet me shumë medalje e suksese të reja.

    Njoftimi i Driton Kukës

    Sot me mëngjes në pjesën më të bukur të qytetit tim bagerët filluan punën për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos!

    Investim i MKRS në marrëveshje me federatën tonë!

    Aty ku u ndërtuan 5 medaljet Olimpike prej tyre 3 të arta do bahet një qendër moderne për sportin e xhudos!

    E gëzofshim me shumë medalje e suksese të reja!

  • Qyteti ku mund të paguash pothuajse gjithçka me Bitcoin

    Qyteti ku mund të paguash pothuajse gjithçka me Bitcoin

    Në qytetin piktoresk të Luganos, në jug të Zvicrës, përdorimi i Bitcoin po kthehet në një praktikë të përditshme. Në një McDonald’s buzë liqenit, një klient pyet nëse mund të paguajë me Bitcoin dhe shitësi i afron një terminal të posaçëm për pagesa me kriptomonedhë. Pajisje të tilla janë shpërndarë falas nga bashkia për qindra biznese, duke e bërë kriptovalutën një alternativë reale ndaj frangut zviceran.

    Aktualisht rreth 350 dyqane, bare dhe restorante në Lugano pranojnë Bitcoin. Madje edhe shërbimet komunale, përfshirë pagesat për kujdesin parashkollor, mund të paguhen përmes kriptomonedhës. Disa përdorues thonë se pagesa me Bitcoin u jep ndjesinë e “lirimit nga sistemi financiar tradicional”, ndërsa të tjerë e shohin atë si thjesht një alternativë më të lirë, pasi komisionet për transaksionet zakonisht janë më të ulëta se ato të kartave bankare.

    Iniciativa “Plan B”, e nisur nga bashkia dhe kompania Tether në vitin 2022, synon ta shndërrojë Luganon në qendrën kryesore evropiane të Bitcoin. Drejtoresha e projektit, Mir Liponi, tregon se për 11 ditë ka jetuar vetëm me Bitcoin, duke vërtetuar se në qytet mund të mbulosh shumicën e nevojave bazë pa përdorur para tradicionale, edhe pse pagesat për transportin publik, karburantin dhe faturat e energjisë mbeten ende të pamundura.

    Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur. Disa banorë shprehin skepticizëm ndaj kriptovalutave, duke i lidhur ato me spekulime dhe rreziqe financiare. Ekspertët paralajmërojnë se luhatja e vlerës së Bitcoin mund të jetë i dëmshëm për tregtarët, të cilëve u rekomandohet konvertimi i menjëhershëm në monedha tradicionale.

    Pavarësisht debatit, kryebashkiaku Michele Foletti e vlerëson Bitcoin si një mundësi për inovacion dhe zhvillim ekonomik. Sipas tij, rreth 110 kompani të sektorit të kripto-teknologjisë janë vendosur tashmë në Lugano, duke e kthyer qytetin në një pikë të rëndësishme për industrinë e kriptomonedhave në Europë.

  • Miss Finlanda me origjinë nga Kosova e humb titullin, shkaktoi skandal me këtë foto

    Miss Finlanda me origjinë nga Kosova e humb titullin, shkaktoi skandal me këtë foto

    Sarah Dzafce, një vajzë e re me origjinë nga Kosova, e zgjedhur së fundmi si Miss Finlanda, e ka humbur “kurorën” e saj të bukurisë pas një akuze për racizëm.

    Dzafce u akuzua për racizëm pasi kishte publikuar një foto duke u tallur me aziatikët për shkak të llojit të tyre të syve.

    Në foton ku shfaqej kosovarja ishte vendosur përshkrimi “kiinalaisenkaa sýomäs”, që mund të përkthehet përafërsisht si “duke ngrënë me një kinez”.

    Dzafce kishte deklaruar se i kishte mbyllur sytë për shkak se kishe dhimbje të forta të kokës, teksa kishte kërkuar falje në rast se dikush ishte ndjerë i ofenduar me veprimet e saj.

    “Më vjen shumë keq për të gjithë ata që i kam ofenduar dhe lënduar me veprimet e mia në rrjetet sociale”, kishte thënë ajo.

    Megjithatë, organizata e konkursit të bukurisë Miss Finlanda njoftoi se nuk pranon racizëm apo diskriminim në asnjë formë.

    Ata gjithashtu kërkuan falje për këtë “incident” dhe shtuan se do t’ia hiqnin titullin bukuroshes me origjinë nga Kosova.

    Si rezultat i këtij vendimi, Tara Lehtonen, e cila u rendit e dyta në shtator, do të jetë Miss Finlanda e re.