ATV

Author: K.B.

  • Gjermania forcon krahun lindor të NATO-s, dërgon trupa në Poloni

    Gjermania forcon krahun lindor të NATO-s, dërgon trupa në Poloni

    Gjermania do të dërgojë ushtarë për të ndihmuar Poloninë të sigurojë kufirin e saj lindor me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit.

    Dislokimi i ushtarëve, detyra e të cilëve do të jetë puna inxhinierike si hapja e llogoreve dhe ngritja e pengesave antitank, është me natyrë thjesht mbrojtëse dhe është planifikuar të fillojë në prill 2026, raporton DW .

    Ministria gjermane e Mbrojtjes konfirmoi se disa dhjetëra ushtarë gjermanë do t’i bashkohen operacionit polak “Mburoja Lindore” dhe misioni duhet të zgjasë deri në fund të vitit 2027.

    Zëdhënësi i ministrisë shpjegoi se detyra kryesore e trupave gjermane në Poloninë veriore dhe lindore do të jetë ndërtimi i pozicioneve, gërmimi i llogoreve, instalimi i telave me gjemba dhe pengesave antitank.

    Operacioni u nis në maj 2024 me qëllim forcimin e mbrojtjes kundër një sulmi të mundshëm ndaj Polonisë.

    Kjo vendosje nuk kërkon miratim parlamentar sepse nuk konsiderohet mision i huaj i armatosur sipas ligjit gjerman.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin do të vazhdojë avancimin e tij nëse Ukraina mposhtet.

    Merz argumentoi se lufta po zhvillohet për ripërcaktimin e kufijve evropianë dhe rivendosjen e ish-sferës së ndikimit sovjetik.

    Ai tha se ky veprim përbënte një kërcënim serioz ushtarak për vendet që dikur ishin pjesë e perandorisë, përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, si dhe shtete të tjera të ish-Traktit të Varshavës.

    Ai gjithashtu e paralajmëroi Evropën të përgatitej për një ndryshim të përhershëm në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

    “Dekadat e Pax Americana kanë mbaruar kryesisht për ne në Evropë, si dhe për ne në Gjermani. Nuk ekziston më siç e njihnim. Dhe nostalgjia nuk do ta ndryshojë këtë”, tha ai.

    Merz e krahasoi vlerësimin e tij se Evropa “nuk ishte më në paqe” me Rusinë me situatën në vitin 1938, kur Britania dhe Franca toleruan agresionin gjerman me shpresën se Hitleri do të ndalej.

    Paralajmërimet e tij shkojnë më tej se ato të ish-kancelares Angela Merkel, e cila paralajmëroi në vitin 2017 se Amerika e Trumpit po largohej nga Evropa.

  • Abdixhiku publikon fotografi nga tubimi në Zvicër: Të fala nga Mërgata e Lidhjes

    Abdixhiku publikon fotografi nga tubimi në Zvicër: Të fala nga Mërgata e Lidhjes

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka publikuar fotografi nga tubimi që LDK-ja e mbajti në Grenchen të Zvicrës.

    Sipër fotografive, ai shkroi: “Të fala nga Mërgata e Lidhjes.✌️“.

    Ata që ishin të pranishëm atje, i falënderoi.

    “Zvicër, Grenchen, ju faleminderit!”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.

  • Heroi i Sidneit, identifikohet burri që rrezikoi jetën për të çarmatosur sulmuesin

    Heroi i Sidneit, identifikohet burri që rrezikoi jetën për të çarmatosur sulmuesin

    Është zbuluar identiteti i burrit të guximshëm që çarmatosi një nga sulmuesit në Sidnei.

    Bëhet fjalë për një burrë 43-vjeçar me emrin Ahmed al Ahmed, i cili zotëron një dyqan frutash në Sutherland.

    Babai i dy fëmijëve u qëllua dy herë gjatë aktit, sipas të afërmit të tij që foli për 7News.

    “Ai është në spital dhe ne nuk e dimë saktësisht se çfarë po ndodh brenda”, tha një burrë me emrin Mustafa.

    Mediat australiane raportojnë se Ahmed al Ahmed u shtrua në spital për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    Mustafa tha se kushëriri i tij ndoshta shpëtoi jetë të panumërta kur u përball me sulmuesin.

    Ndryshe, të paktën 12 persona janë vrarë dhe 29 të tjerë janë plagosur në të shtënat masive në plazhin Bondi të Sidneit.

    Të shtënat thuhet se kishin për qëllim një ngjarje hebraike për Hanukkah, festivalin e dritave.

    Incidenti u karakterizua si sulm terrorist.

  • “Zoti është krijuesi”, Musk: Universi erdhi nga diçka

    “Zoti është krijuesi”, Musk: Universi erdhi nga diçka

    Elon Musk ka deklaruar se “Zoti është krijuesi” në një intervistë të re.

    Njeriu më i pasur në botë u intervistua këtë javë nga Katie Miller në podcastin e saj me të njëjtin emër.

    Gjatë diskutimit të gjerë – i cili preku ekzistencën e alienëve, kohën e tyre së bashku në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) të drejtuar më parë nga Musk dhe kolonizimin e Marsit – Miller e pyeti drejtorin ekzekutiv të Tesla-s për bindjet e tij shpirtërore.

    I pyetur nga Miller, “kë kërkoni më shumë”, Musk u përgjigj: “Krijuesin”.

    “Cili është qëndrimi yt ndaj Zotit?”, pyeti ajo më pas.

    “Zoti është krijuesi”, tha Musk.

    “Megjithatë, ti nuk beson në Zot, apo jo?”, këmbënguli Miller.

    “Epo, unë besoj se ky univers erdhi nga diçka. Njerëzit kanë etiketa të ndryshme për Zotin”, tha miliarderi.

  • Gjermania i vetmi vend në botë që nuk ka kufi shpejtësie në autostrada

    Gjermania i vetmi vend në botë që nuk ka kufi shpejtësie në autostrada

    Gjermania është i vetmi vend në botë që nuk ka kufi shpejtësie në autostradat e saj.

    Edhe pse nuk ka kufizim, shpejtësia e rekomanduar është 130 km/h.

    Shpejtësitë maksimale më të ulëta zakonisht gjenden në vende me infrastrukturë më të vjetër ose terren më të vështirë.

    Singapori dhe Tanzania janë vendet me kufizimet më të ulëta të shpejtësisë, respektivisht 90 km/h dhe 80 km/h.

    Në autostradat e rajonit, pra edhe në ato të Kosovës dhe Shqipërisë, shpejtësia maksimale e lejuar është 130 km/h, ndërsa vetëm Mali i Zi ka kufizim shpejtësie prej 100 km/h.

  • Pas një dekade ndërprerjeje, rinis funksionimi i naftësjellësit Selanik–Shkup

    Pas një dekade ndërprerjeje, rinis funksionimi i naftësjellësit Selanik–Shkup

    Pas më shumë se dhjetë vjetësh ndërprerjeje, naftësjellësi Selanik–Shkup po kthehet sërish në funksion, pasi në vitin 2013 kompania greke “Hellenic Petroleum”, sot HELLENiQ Energy, e nxori jashtë përdorimit duke e konsideruar jofitimprurës.

    Rinisja e transportit të derivateve të naftës drejt Maqedonisë së Veriut pritet të ndodhë deri në fund të vitit, tha kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.

    “Ne si shtet po i zbatojmë të gjitha hapat që ky naftësjellës, i cili për shumë vite ishte dëmtuar dhe konservuar, të vihet në funksion. Po vazhdojnë inspektimet, mendoj se tashmë kanë përfunduar, pritet të nisin provat e presionit. Në Qeveri ka kaluar edhe çmimorja, pres që këtë vit ky naftësjellës të vihet në funksion”, deklaroi Mickoski.

    Ndërtimi i naftësjellësit ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 1999 që qeveria e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm dhe udhëheqësi i VMRO-DPMNE-s, Lubço Georgievski, e nënshkroi me kompaninë greke “Hellenic Petroleum” për blerjen e rafinerisë së vetme të naftës në shtet, OKTA.

    Tani ky sistem tubacionesh do të quhet produktsjellës, pasi nga Selaniku në Shkup do të transportojë vetëm derivate të përpunuara të naftës, ndërsa përmes naftësjellësit zakonisht transportohet naftë e papërpunuar nga portet ose fushat naftëmbajtëse drejtpërdrejt në rafineri, ku më pas përpunohet.

    Gypat e naftësjellësit Selanik-Shkup janë të gjatë rreth 213 kilometra, me kapacitet për të transportuar 2.5 milionë tonë karburant në vit, nga terminalet e “Hellenic Petroleum” deri te rafineria OKTA në Shkup, ku karburanti disel do të depozitohet.

    Sipas marrëveshjes mes Qeverisë maqedonase dhe kompanisë greke, transporti i karburatit do të kushtojë 20 euro për ton, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Komisioni Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore.

    Kush do të përfitojë?

    Nëse produktsjellësi punon me kapacitet të plotë prej 2.5 milionë tonësh në vit, vlera totale e shërbimit do të arrinte rreth 50 milionë euro në vit.

    Të ardhurat do të ndahen mes Qeverisë së Maqedonisë, e cila përmes ndërmarrjes shtetërore “Naftovod” ka 20 për qind të aksioneve në kompaninë e përbashkët “Vardaks”, ku hisedari më i madh është “Hellenic Petroleum” me 80 për qind të aksioneve.

    Me njoftimet e Qeverisë maqedonase se po i përfundon procedurat e fundit, përmes këtij tubacioni do të mund të qarkullojë karburanti sapo Ministria e Transportit të lëshojë “lejen për përdorim”.

    Me këtë do të hyjë në fuqi edhe licenca që Komisioni Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore tashmë ia ka lëshuar “Vardaks”-it në vitin 2023, me vlefshmëri prej 35 vjetësh, përkatësisht deri në vitin 2058.

    “Kur operatori ‘Vardaks’ ta marrë lejen e përdorimit nga shteti, kjo licencë do të hyjë në fuqi”, tha për REL-in kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore, Marko Bislimovski.

    REL-i i është drejtuar Qeverisë maqedonase me pyetjen se cilat janë përfitimet e pritshme për sistemin energjetik dhe ekonomik të vendit nga ky tubacion, por deri në publikimin e këtij teksti, ekzekutivi në Shkup nuk është përgjigjur.

    Polemikë politike rreth tubacionit të naftës

    VMRO–Partia Popullore, e themeluar nga ish-kryeministri Georgievski pasi u largua nga VMRO-DPMNE-ja, pretendon se riaktivizimi aktual i naftësjellësit Selanik-Shkup ka për qëllim t’i ndihmojë Serbisë në krizën aktuale me naftë.

    Nga kjo parti thonë se janë të habitur nga shpejtësia me të cilën po finalizohet procesi dhe pyesin pse ata, që prej vitesh kundërshtonin projektin, tani heshtin.

    Partia e Lubço Georgievskit shtoi se argumentet për përfitimet nga naftësjellësi kanë qenë të vlefshme që para 25 vjetësh dhe akuzoi se vendi është lënë me vetëdije pa përfitime ekonomike dhe gjeostrategjike.

    Kryeministri Hristijan Mickoski tha se roli i Qeverisë është të sigurojë infrastrukturën dhe rregulloren, por jo të hyjë në operacione biznesi.

    “Ne si Qeveri nuk jemi shoqëri aksionare për të furnizuar Serbinë ose vende të tjera. Këtë e bëjnë kompani private që merren me biznes”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes nëse shteti do të përpiqet të përfitojë nga kriza e naftës në Serbi përmes eksportit të derivateve në këtë linjë.

    Transport më i lirë dhe më i sigurt

    Teorikisht, transporti i drejtpërdrejtë i derivateve të naftës nga Selaniku në Shkup përmes tubacionit do të duhej të sillte më shumë siguri dhe shmangie të rreziqeve që i shoqërojnë transportin me kamionë dhe cisterna.

    Sipas profesorit Dejan Trajkovski nga Fakulteti Teknik i Bitolës në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”, naftësjellësin riktheu në vëmendje edhe problemet me hekurudhën në vend dhe çmimin më të ulët të transportit përmes tubacioneve.

    “Në çdo rast, kjo është mënyra më e duhur e transportit, sidomos duke pasur parasysh se tashmë e kemi”, tha Trajkovski.

    Ndërtimi i naftësjellësit u përfundua në vitin 2002, por dhjetë vjet më vonë, në vitin 2013, në OKTA u ndal plotësisht përpunimi i naftës, me ç’rast rafineria përfundoi në falimentim dhe transporti i naftës nëpër tubacion u ndërpre.

    Arsyet, sipas “Hellenic Petroleum” në atë kohë, ishin se nuk ishte fitimprurëse dhe kishte pengesa përmes rregulloreve të shumta.

    Që nga shitja e OKTA-s në vitin 1999 nga Qeveria e atëhershme maqedonase, lindën mosmarrëveshje që përfunduan para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris.

    Me atë marrëveshje, të cilën një pjesë e opinionit të ekspertëve në Maqedoni të Veriut e vlerësuan si të dëmshëm për shtetin, OKTA iu shit kompanisë “Hellenic Petroleum” për 32 milionë euro, dhe marrëveshja ndër të tjera parashihte ndërtimin e naftësjellësit, si edhe detyrimin që për 20 vjet Maqedonia e Veriut të blinte të paktën 500.000 tonë naftë në vit nga Greqia.

    Procedurat e arbitrazhit

    Pasuan tre procese të ndara arbitrazhi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris, të lidhura me marrëveshjen për OKTA-n dhe naftësjellësin.

    I fundit ishte në dhjetor 2022, kur gjykata vendosi kundër Maqedonisë së Veriut dhe në favor të “Hellenic Petroleum”, ndërsa padia kishte të bënte me mosrespektimin e detyrimeve të marrëveshjes, duke detyruar shtetin të paguajë gjithsej 21.47 milionë euro dëmshpërblim, shumë që është përgjysmuar krahasuar me kërkesën fillestare së bashku me interesat, e cila arrinte në 42.6 milionë euro.

    Qeveria atëherë njoftoi se ekipi i angazhuar juridik nga Franca, zyra “Dechert”, kishte arritur të përgjysmonte shumën e kërkuar si dëmshpërblim.

    Më herët, në vitin 2019, Maqedonia e Veriut kërkonte mënyrë për të arritur marrëveshje me “Hellenic Petroleum” pas vendimit të atëhershëm të Gjykatës së Parisit prej 32 milionë dollarësh, që lidhej me moszbatimin e marrëveshjes për blerjen e mazutit.

    Vendimi i parë ishte në vitin 2007 dhe erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e vendit në vitin 2002 anuloi disa pjesë të marrëveshjes me “Hellenic Petroleum”, me të cilin kompania greke fitoi 52 milionë euro dëmshpërblim.

    Me riaktualizimin e rinisjes së tubacionit, Esad Rahiq, i cili gjatë Qeverisë së kaluar në vitin 2020 u bë drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Naftovod”, tha se pagesa e penaliteteve nga paditë është ndër arsyet kryesore që naftësjellësi duhej të kishte nisur punën shumë më herët.

    “Sa më shpejt të hapej dhe të fillonte të punonte, aq më shpejt do të shlyheshin penalitetet nga paditë”, tha ai.

    Rahiq shtoi se vendi ka për obligim ta hapë tubacionin, të cilin e quan investim strategjik prej rreth 100 milionë dollarësh, dhe tregoi se për këtë ka biseduar me dy ish–kryeministrat, Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski. Ai u kishte propozuar që sistemi të vihej në përdorim që atëherë, si edhe të vazhdohej ndërtimi për lidhje me Kosovën, por theksoi se propozime të tilla nuk janë realizuar.

  • Sali Berisha paralajmëron protesta masive: Më 22 dhjetor nisim betejën tonë

    Sali Berisha paralajmëron protesta masive: Më 22 dhjetor nisim betejën tonë

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar se PD do të nisë protestat masive në datën 22 dhjetor të këtij viti, për të kërkuar rrëzimin e qeverisë Rama.

    Komentet Berisha i bëri përmes një lidhjeje live në rrjetet sociale, ku tha se opozita do të kërkojë me çdo kusht qeveri teknike, pasi sipas tij, me Edi Ramën kryeministër, nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

    Po ashtu, Berisha hodhi akuza të rënda kundër kryeministrit Rama, për të cilin tha se përdori bandat në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

    Pjesë nga fjala e Berishës:

    Dje në mbledhjen e kryesisë së PD u vendos që ti drejtohemi qytetarëve për fillimin e protestave në datën 22 dhjetor, ku të bashkohen shqiptarë të të gjitha bindjeve, por që guxojnë të shprehin zërin e tyre kundër vjedhjes së parave dhe pasurive të taksëpaguesve shqiptarë dhe qytetarëve.

    Në Bullgari e përmbysën qeverinë. Nuk është e vërtetë që kryeministri kërkoi të bllokojë vendimin e gjykatës, por kryeministri duke marrë përgjegjësi për aktin korruptiv të ministrit të tij, dha dorëheqjen dhe e çoi vendin ne zgjedhje.

    Kurse Edi Rama i tmerruar sepse është direkt njeriu që ka ndarë paratë me Lubi Ballukun, i dha një goditje fatale luftës kundër korrupsionit.

    Qytetarë dhe qytetare, na përket ne të ngremë zërin tonë, na përket ne të mos pajtohemi kurrë me këtë situatë.

    Por unë këtu, para jush do të përsëris, do të shtrojë përsëri çështje.

    Ne faktuam me dokumente të pakundërshtueme, por dhe raporte ndërkombëtare më serioze se në Shqipëri u zhvilluar një farsë elektorale, se Edi Rama zgjedhje nuk zhvillon, se pushteti i tij qëndron mbi votën e grabitur, duke organizuar në periudhën e ndaluar me ligj, para votimeve 4533 përfshirë ditën e votimit me 7 mln euro, ‘Giro d’Italia’.

    Duke u dhënë dhuratë për votë 100 euro, 760 mijë pensionistëve.

    Duke arrestuar në vitin elektoral, dy liderët e partive kryesore opozitare dhe duke vendosur në proces penal pa asnjë fakt të ri, kryetarin e partisë së tretë.

    Duke mobilizuar të gjithë administratën e tij, si polici terrori vote. Duke punësuar përkohësisht dhe duke dhënë dhjetëra mijëra certifikata pronësie, leje legalizimi, ndërtimi.

    Edi Rama përdori të gjitha bandat të cilat futën në parlament, një për një 28 deputetë.

    Manipuloi në mënyrë monstruoze votën e diasporës.

    Pra dhunoi nen për nen parimet themelore të Kartës së Kopenhagënit të vitit 1990 për zgjedhjet. Kodin Zgjedhor, platformën e këshillit të Europës për zgjedhjet dhe kodin e Venecias.

    Të gjitha këto dëshmojnë përfundimisht se zgjedhjet me Edi Ramën janë iluzion. Nuk mund të ndodhin kurrë zgjedhje, përveç se farsë.

    Prandaj PD-ja ju bën thirrje ju demokrateve e demokratëve në radhë të parë, por dhe çdo qytetari që e konsideron votën e lirë, si zemrekun e demokracisë të nisim me 22 betejën tonë e cila do të ndërpritet vetëm me rrëzimin e këtij pushteti, krijimin e qeverisë teknike dhe votimin e lirë të shqiptarëve, në të cilat në mënyrë absolute, PD do të fitojë zgjedhjet.

    Si ka fituar kurrë zgjedhjet Edi Rama.

    Por kësaj here, njëlloj si në vitin 2001, ne arritëm tu vërtetojmë shqiptarëve dhe mbarë botës se ky i vodhi zgjedhjet, ky i dhunoi zgjedhjet.

    Ndaj na takon ne tani, beteja për votën tonë.

    Ndërkohë, shkurtimisht dua t’ju njoftoj se zgjodhi pa firmat e opozitës Avokatin e tij të Popullit, duke marrë edhe atë grimcë pushtet që kishte mbetur i ndarë.

    Unë e kam theksuar dhe theksoj se firmosja e kandidaturës së Endrit Shabanit ishte një gabim, akt i nxituar, i cili ndodhi në një periudhë kur u krijua një lloj koalicioni për kandidaturën e Bashkisë së Tiranës.

    Megjithatë, nuk është ajo firmë që bëri të mundur zgjedhjen e Endrit Shabanit, se ajo firmë u tërhoq po me firmë nga të gjithë ata që i kishin vendosur firmat. Pra, njëra anë është një nxitim dhe gabim për të cilin unë kam kërkuar dhe kërkoj prapë ndjesë, por ana tjetër është zgjedhja, nuk u bë nga firmat se firmat u tërhoqën.

    Ndaj dhe cilido që beson se ai u zgjodh nga firmat e Partisë Demokratike, mashtron veten. Ai u zgjodh nga Edi Rama pa firmat e Partisë Demokratike sepse ato firma u tërhoqën një për një po me firmë nga ata që kishin firmosur.

    Natyrisht me këtë Edi Rama tregoi se çdo lloj çdo lloj negociate, çdo lloj ideje për zgjedhje, reformë territoriale është iluzive dhe Partia Demokratike i përgjigjet atij në mënyrën më të merituar. Ne kemi vetëm një rrugë, protestën, protestën dhe vetëm protestën për largimin e tij nga pushteti.

  • Rusia ka humbur mbi 1 milion trupa që nga fillimi i luftës

    Rusia ka humbur mbi 1 milion trupa që nga fillimi i luftës

    Rusia ka humbur rreth 1,188,490 trupa në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022.

    Këtë e ka bërë të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

    Sipas raportit , Rusia ka humbur gjithashtu 11,410 tanke, 23,721 automjete të blinduara luftarake, 69,798 automjete dhe rezervuarë karburanti, 35,041 sisteme artilerie, 1,567 sisteme raketash me shumë lëshues, 1,259 sisteme mbrojtjeje ajrore, 432 aeroplanë, 347 helikopterë, 90,124 dronë, 28 anije dhe varka, dhe një nëndetëse.

    Ndryshe, së fundmi Ukraina ka hequr dorë nga ambicia e saj për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë si një kompromis për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, ka njoftuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

    Ky veprim shënon një ndryshim të madh për Ukrainën, e cila ka luftuar për t’u bashkuar me NATO-n si një mbrojtje kundër sulmeve ruse dhe e ka një aspiratë të tillë të përfshirë në kushtetutën e saj.

    Ai gjithashtu përmbush një nga qëllimet e luftës së Rusisë, megjithëse Kievi deri më tani ka qëndruar i vendosur kundër lëshimit të territorit ndaj Moskës.

  • Hamza premton 50% rritje për pensionet e kategorive të luftës

    Hamza premton 50% rritje për pensionet e kategorive të luftës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur sot një takim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarët e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, ku ka ritheksuar mirënjohjen e përjetshme për sakrificën e tyre dhe zotimet konkrete të PDK-së për mbrojtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe përkrahjen e kategorive të dala nga lufta.

    Hamza prezantoi zotime konkrete për veteranët dhe familjet e dëshmorëve, duke premtuar rritje prej 50% të mbështetjes financiare për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, si dhe rritje të pagave dhe pensioneve.

    Hamza e cilësoi 28 dhjetorin si një betejë politike për dinjitet dhe bëri thirrje për mobilizim qytetar.

    “Më 28 dhjetor: ose e mbrojmë UÇK-në, ose ajo mbetet nën mëshirën e atyre që votuan kundër veteranëve”, tha Hamza thuhet në komunikatën e PDK-së.

    Ai tha veterantët janë Kosova, mburoja e këtij shteti dhe arsyeja pse sot jemi të lirë.

    “Pa sakrificën tuaj nuk do të kishte Republikë të Kosovës”, tha Hamza.

  • “Panda”, krimi i kryer 27 vjet më parë nga Serbia për t’ua vënë fajin shqiptarëve

    “Panda”, krimi i kryer 27 vjet më parë nga Serbia për t’ua vënë fajin shqiptarëve

    Janë mbushur 27 vjet nga një skenar i tmerrshëm i cili u kurdis nga Serbia, prej të cilit u vranë gjashtë të rinj serbë.

    Kjo ngjarje e tmerrshme ndodhi më 14 dhjetor 1998, në një lokal në Pejë.

    Krejt qëllimi i këtij krimi makabër i kryer nga aparati shtetëror i Sllobodan Millosheviqit, ishte që faji t’i mbetej shqiptarëve.

    Viktima nga ky skenar i çmendur e ç’njerëzor mbetën: Ivan Radeviq (25), Ivan Obradoviq (14), Vukota Gvozdenoviq (16), Dragan Trifoviq (17), ndërsa nga plagët e marra në spital vdiqën Svetislav Ristiq (18) dhe Zoran Stanojeviq (17).

    Dy persona të panjohur kishin hyrë të armatosur dhe kishin shtënë me armë për të cilin faji u hodh mbi pesë të rinj shqiptarë të Pejës.

    Këta të fundit u dënuan për veprën penale të veprimtarisë armiqësore.

    Ata u liruan një muaj pas fillimit të vuajtjes së dënimit, me ndërhyrje të Kryqit të Kuq, por ata nuk iu shpëtuan torturave në burgjet e Serbisë.

    Mediumi “M portal” nga Mali i Zi pati raportuar se autorët e vrasjes në rastin “Panda” , kryen edhe masakrën në burgun e Dubravës. Pjesëmarrës në të dyja aktet kriminale përmenden emrat e Sinisha Petriqit që është drejtues i klanit “Zenica” dhe lideri i klanit “Shkalar”, Radomir “Boban” Baçoviq.

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pati deklaruar vite më herët se ky krim nuk është kryer nga shqiptarët sikurse ishte pretenduar me vite të tëra. Serbia ende vazhdon të fshehë krimin e kryer edhe 27 vjet më vonë.