ATV

Author: K.B.

  • Pas kritikave, mbyllet profili i Instagram-it të North West

    Pas kritikave, mbyllet profili i Instagram-it të North West

    Profili në Instagram i North West është zhdukur në mënyrë misterioze, më pak se tre javë pasi u hap për herë të parë.

    Page Six konfirmoi se profili i saj në rrjetet sociale nuk ishte më i disponueshëm ose mund të jetë hequr, kur u kërkua në Instagram. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse llogaria u mbyll nga vetë North apo nga prindërit e saj, ose nëse u hoq nga vetë platforma e Instagramit.

    Më 20 dhjetor, ajo u shfaq për herë të parë në Instagram me një faqe të krijuar nën emrin e saj. Në biografinë e llogarisë thuhej se ajo “menaxhohej nga prindërit”.

    North është përballur vazhdimisht me kritika për faktin se duket më e rritur se mosha e saj, për shkak të stilit të paraqitjes, piercing-ëve të diskutueshëm (përfshirë një në urën e hundës dhe një në gisht) si dhe tatuazheve të rreme.

    Para se llogaria e saj në Instagram të fshihej, North publikoi një video ku sinkronizonte buzët me një audio të një ylli të reality show-ve, duke thënë: “Pse po qan? Sa vjeç je? Mblidhe veten.”

    Ajo e shoqëroi videon me mbishkrimin: “Kjo është për të gjithë ata që janë të zemëruar për një piercing në gisht.”

  • Çahet rruga që çon në fshatin Polluzhë, fshati rrezikon të bllokohet totalisht

    Çahet rruga që çon në fshatin Polluzhë, fshati rrezikon të bllokohet totalisht

    Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë nisur mbrëmë, në disa zona të Kosovës janë regjistruar vërshime dhe dëme në infrastrukturë.

    Situata më e rënduar paraqitet në rrugën që çon drejt fshatit Polluzhë, ku një pjesë e rrugës është çarë dhe është dëmtuar rëndë, duke rrezikuar bllokimin e plotë të fshatit.

    Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, uji ka dalë nga shtrati, ka gërryer tokën nën rrugë dhe ka dëmtuar tubacionet, ndërsa qarkullimi është bërë i rrezikshëm për banorët.

  • Raportohet se familja kosovare me tre fëmijë janë bllokuar në makinë nga përmbytjet në Shqipëri

    Raportohet se familja kosovare me tre fëmijë janë bllokuar në makinë nga përmbytjet në Shqipëri

    Një familje nga Kosova së bashku me tre fëmijët raportohet se kanë mbetur të bllokuar në makinë nga përmbytjet në Shqipëri.

    Sipas Top Channel, ata janë nisur nga Ndroqi, ndërkohë që rruga është e pakalueshme.

    Sikurse shihet në pamje, automjeti ka mbetur i bllokuar, ndërsa po ndërhyhet.

    Në rrugë ka prezencë të madhe të ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

  • Ish-deputetja emërohet drejtoreshë në Prizren

    Ish-deputetja emërohet drejtoreshë në Prizren

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nisur sot ciklin e emërimeve për qeverisjen lokale.

    Në kuadër të këtyre emërimeve, Islam Ukaj është emëruar Drejtor i Shërbimeve Publike, ndërsa ish-deputetja Luljeta Veselaj Gutaj është emëruar Drejtoreshë e Arsimit dhe Shkencës në Komunën e Prizrenit.

    Totaj ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të vazhdojë kompletimi i ekzekutivit me emërime të tjera, duke theksuar se qeverisja lokale do të vazhdojë të jetë në shërbim të interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve.

  • Raportimi i mediumit zviceran, këshilltari i Bislimit: Nuk ka pasur asnjë takim me Gjuriqin në Zvicër

    Raportimi i mediumit zviceran, këshilltari i Bislimit: Nuk ka pasur asnjë takim me Gjuriqin në Zvicër

    Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se ky i fundit nuk ka pasur asnjë takim me Marko Gjuriqin në Zvicër.

    Reagimi i tij vjen pasi gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” – NZZ, ka publikuar sot një artikull në të cilin raportohet se shteti zviceran ka organizuar takime joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas raportimit, në këto takime ka marrë pjesë zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator, Besnik Bislimi, dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.

    Kadiu në reagimin e tij ka shkruar se krahas BE-së, edhe Zvicra organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    Ai ka konfirmuar se në një nga këto takime ka qenë pjesëmarrëse edhe kryenegociatori Bislimi, por aty nuk ka qenë prezent Gjuriqi, e për rrjedhojë nuk ka pasur as takime mes tyre.

    “Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj.

    Por këto takime nuk janë “të fshehta”. Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka patur takime “të fshehta”, e aq më pak me Marko Gjuriq. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriq. Pra Zëvendëskryeministri Bislimi, nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, ka shkruar Kadiu.

  • Rashiq: Kam siguruar një mandat në Kuvend, i gatshëm ta votoj “Kurti 3”

    Rashiq: Kam siguruar një mandat në Kuvend, i gatshëm ta votoj “Kurti 3”

    Kryetari i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka konfirmuar se sipas rezultateve të deritanishme ka fituar një ulëse në Kuvend.

    Me këtë rast, Rashiq u shpreh se do ta votojë Qeverinë “Kurti 3”, por paraprakisht ka kërkuar një takim me Kurtin, në të cilin do t’i sqarohen disa çështje.

    “Besoj se kemi siguruar një mandat, pasi diferenca e votave është e madhe dhe nuk jemi në rrezik sa i përket mandatit. Një mandat, por i vlefshëm. Unë kam përvoja të mira sa i përket bashkëpunimit me zotin Kurti. Ende nuk kemi biseduar për ndonjë lloj bashkëpunimi, por jam i sigurt se në ditët në vijim do të takohemi dhe do të bisedojmë. Jam i gatshëm për bashkëpunim, por normalisht ka detaje sa i përket përmirësimit të performancës. Nuk e shoh pengesën për vazhdimin e bashkëpunimit. Kushte nuk kemi për ta votuar Qeverinë Kurti 3, por ka kërkesa për korrigjime teknike për një drejtim më të mirë në interes të qytetarëve serbë. Vetë Kushtetuta thotë se një ministri duhet të udhëhiqet nga një ministër serb dhe të gjitha rrethanat po na drejtojnë drejt bashkëpunimit. Nuk e shoh pengesën në këtë moment që të vazhdojmë të bashkëpunojmë.” – tha ai për Rtv21.

    Rashiq e ka lënë të hapur mundësinë e rizgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit, por fillimisht tha se është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të sqarojë nëse posti i nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb i takon Listës Serbe, si shumicë në parlament, apo nëse ky post mund t’i takojë atij.

  • Faturat e larta të energjisë elektrike, bëhet thirrje për protestë masive

    Faturat e larta të energjisë elektrike, bëhet thirrje për protestë masive

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se çmimet e faturave janë edhe më të larta se vitin e kaluar. Në komunikatë përmenden gjithashtu çmimet e larta që kanë ndodhur gjatë vitit 2025, për çka u është bërë thirrje qytetarëve për protesta masive dhe bllokim të zyrave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), KESCO-s, por edhe operatorëve privatë.

    KMDLNj ka shprehur shqetësimin se me ngritjen e çmimit të faturave të ujit do të paguhet shumë më shtrenjtë edhe për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë.

    Përkundër gjendjes së rënduar ekonomike në vitin që shkoi, edhe ky vit nuk po sjell lajme të mira për qytetarët. Faturat e ujit, që nga janari i vitit 2026, do të jenë më të larta deri në 40 për qind krahasuar me vitin paraprak. ZRrE ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit për energjinë e shpenzuar, që nënkupton fatura më të larta për energjinë elektrike, në kohën kur këto fatura janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare, ndërkohë që në masë të madhe po i ngufasin edhe bizneset, një numër jo i vogël i të cilave janë buzë falimentimit.

    Si pasojë e moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në mafien energjetike. Prandaj, KMDLNj ka kërkuar që të hetohet ky institucion, i cili pamëshirshëm po e dëmton buxhetin e familjeve kosovare.

    KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe i rrymës do të prodhojë efekte zinxhirore dhe, për pasojë, qytetarët do të paguajnë fatura shumë më të larta për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë, si dhe për shërbime. Nëse faturat për ujë dhe mbeturina, edhe me rritje, janë të përballueshme, faturat e rrymës janë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe për bizneset”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

    KMDLNj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kundërshtojnë shtrenjtimet që po i varfërojnë edhe më shumë dhe të protestojnë duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. Po ashtu, ka pasur thirrje edhe për opozitën.

    “KMDLNj i thërret qytetarët e Kosovës që t’i kundërshtojnë këto shtrenjtimе, të cilat po i varfërojnë gjithnjë e më shumë, duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. KMDLNj fton pozitën dhe opozitën që të mbrojnë interesin e qytetarëve e jo interesat e mafies energjetike. ZRrE dhe qeveria duhet t’i sqarojnë qytetarët se sa është shkalla e inkasimit në veri të Kosovës dhe pse çmimi i rrymës atje është më i lirë se në pjesët e tjera të Kosovës. Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, atëherë spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet. Shtrenjtimi i paralajmëruar, i cili është në shpërputhje të madhe me mundësitë e shumicës së ekonomive familjare dhe bizneseve, në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentimin e bizneseve”, përfundon komunikata.

  • Lladrovci: 20 familje janë evakuuar si pasojë e reshjeve

    Lladrovci: 20 familje janë evakuuar si pasojë e reshjeve

    Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime të shumta në komunën e Drenasit.

    Kreu i kësaj komune, Ramiz Lladrovci tha se deri më tani si pasojë e reshjeve, janë evakuuar 20 familje.

    “Pas reshjeve të shumta të shiut, sigurisht që në tërë territorin e Drenasit kemi probleme me vërshimet. Në gatishmëri i kemi njësitë e zjarrfikësve, shërbimet publike të komunës por edhe qytetarë që po na ndihmojnë për t’i evakuuar njerëzit nga një vend në tjetrin”, tha Lladrovci për klankosova

    “Deri më tani, zjarrfikësit i kanë larguar 20 familje”, tha ai.

  • Dyshime për shpëlarje parash, policia konfiskon 59 mijë euro në Leposaviq

    Dyshime për shpëlarje parash, policia konfiskon 59 mijë euro në Leposaviq

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në veturën e një personi janë gjetur 59 mijë e 55 euro të padeklaruara.

    Sipas raportit 24 orësh, me vendim të prokurorit paratë janë konfiskuar.

    I dyshuari është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi:

    SHPËRLARJE PARASHË

    Leposaviq / 05.01.2026 – 20:00. Gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit mashkull kosovar i janë gjetur një shumë parashë të padeklaruara në vlerë rreth 59,055.00€. Me vendim të prokurorit i janë sekuestruar paratë derisa të dëshmohet origjina e tyre, po ashtu i janë sekuestruar: çertifikata e biznesit, nga ARBK, çertifikata e biznesit nga ATK dhe Z. raporti ditor fiskalë, te cilat si dëshmi do të analizohen. I dyshuari është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt.

  • Pas rrëshqitjes së gurëve, lirohet rruga për qarkullim të trenit në linjën Pejë-Prishtinë

    Pas rrëshqitjes së gurëve, lirohet rruga për qarkullim të trenit në linjën Pejë-Prishtinë

    Është lëshuar për qarkullim rruga Pejë-Prishtinë-Pejë me tren, pas bllokimit të saj nga rrëshqitja e gurëve të hënën.

    Ndërmarrja “Trainkos” ka njoftuar se qarkullimi do të vazhdojë sipas orarit të lëvizjes së trenave.

    “Ju njoftojmë se treni Pejë – Prishtinë – Pejë duke filluar nga sot do të vazhdoj qarkullimin sipas Orarit të Lëvizjes së trenave. Treni niset nga Peja në orën 12:10”, thuhet në njoftim.