ATV

Author: K.B.

  • Qeveria britanike planifikon rregulla të reja për drejtimin e automjeteve për personat mbi 70 vjeç

    Qeveria britanike planifikon rregulla të reja për drejtimin e automjeteve për personat mbi 70 vjeç

    Qeveria britanike thuhet se po konsideron testet e detyrueshme të shikimit për shoferët mbi 70 vjeç si pjesë e masave të reja për sigurinë rrugore.

    Testet për shoferët e moshuar mund të jenë gjithashtu pjesë e strategjisë më të gjerë për të reduktuar aksidentet dhe viktimat pa kufizuar pavarësinë e tyre.

    Plani i qeverisë, që do të publikohet të mërkurën, synon të ulë vdekjet dhe lëndimet serioze në rrugë me 65% deri në vitin 2035, dhe me 70% për fëmijët nën 16 vjeç.

    Në vitin 2024, rreth 24% e shoferëve të vrarë në aksidente ishin mbi 70 vjeç, ndërsa kjo grupmoshë përbënte 12% të të gjitha viktimave të aksidenteve.

    Ministrja e transportit, Lilian Greenwood, tha se drejtimi i makinës është i rëndësishëm për mirëqenien dhe pavarësinë e të moshuarve, por siguria e të gjithëve në rrugë është prioritet.

    Strategjia mund të përfshijë gjithashtu penalizime më të rënda për shoferët që nuk mbajnë rripin e sigurimit ose nuk kanë sigurim automjeti, me gjoba që mund të arrijnë deri në £600 (rreth 702 €).

  • Vjen reagimi i Zagrebit zyrtar pasi Vuçiq përmendi sërish “aleancën ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë”

    Vjen reagimi i Zagrebit zyrtar pasi Vuçiq përmendi sërish “aleancën ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë”

    Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviq, ka bërë një reagim, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq akuzoi vendin e tij një ditë më parë se po udhëheq një aleancë ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë kundër Serbisë.

    Siç kujtojnë mediat kroate, të hënën, Vuçiq akuzoi Kroacinë se po punon së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë “për shkatërrimin e tij dhe se kjo përfaqëson një kërcënim ushtarak”.

    Vuçiq tha se duhet të jetë e qartë për të gjithë se kjo “nuk është një aleancë kundër Austrisë”, kështu që ai “ka detyrimin t’ua shpjegojë këtë serbëve”.

    “Në Beograd, ne e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb”, ka pretenduar Vuçiq, duke njoftuar “forcimin e aftësive ushtarake të Serbisë”.

    Dhe duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me deklaratat e Vuçiqit, zëvendëspresidenti kroat bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në fqinjësi.

    “ Kroacia ka rrugën e vet, ajo rrugë është e qartë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare – e bën në mënyrë transparente. Sa i përket marrëdhënieve në këtë rajon dhe në fqinjësi, në këtë ditë mund t’ju them vetëm se, megjithëse festojmë Krishtlindjet sipas kalendarëve të ndryshëm, mendoj se mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit janë diçka që duhet ta kemi të përbashkët”, ka thënë Bozhinoviq pasi mori pjesë në pritjen tradicionale ceremoniale të organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV) me rastin e festimit të Krishtlindjeve Ortodokse.

    Siç vënë në pah mediat kroate, ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një deklaratë mbi forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje në mars të vitit të kaluar.

    Deklarata, e cila është e hapur edhe për vendet e tjera, thekson rëndësinë e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.

    Dokumenti promovon aftësitë mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, duke forcuar ndërveprimin përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, duke luftuar kërcënimet hibride dhe duke mbështetur plotësisht integrimin euroatlantik, tha në atë kohë Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

  • Rruga Graboc i Epërm – Drenas e pakalueshme për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica

    Rruga Graboc i Epërm – Drenas e pakalueshme për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica

    Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët për situatën e vështirë në rrugën që lidh fshatin Graboc i Epërm me Drenasin, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica në segmentin rrugor Guri i Plakës.

    “Rruga është e pakalueshme dhe qarkullimi është i rrezikuar”, thuhet në njoftimin e komunës, ku qytetarët ftohen të përdorin rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes.

    Institucionet përkatëse janë në terren dhe po e monitorojnë situatën, duke ndërmarrë të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll rrezikun për qytetarët.

    “Luten qytetarët të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes”, theksohet në njoftim.

    Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në këtë situatë.

  • Këta janë deputetët e PDK-së nga legjislatura e kaluar që mbetën jashtë Kuvendit në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Këta janë deputetët e PDK-së nga legjislatura e kaluar që mbetën jashtë Kuvendit në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga përditësimin i fundit i bërë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, del se Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 23 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Nga legjislatura e kaluar, Abelard Tahiri është një nga kandidatët që nuk arriti të siguronte votat e mjaftueshme për deputet. Një emër tjetër është edhe ai i Eliza Hoxhës, e cila ka marrë 14,178 vota.

    Me vetëm 18 mijë e 602 vota, as kandidati Rashit Qalaj nuk do të jetë deputet në legjislaturën e re.

    Në këtë legjislaturë të dhjetë, kësaj partie i janë shtuar deputetë të rinj, Arian Tahiri, Arben Mustafa, Eman Rrahmani, Xhavit Haliti e Besa Kabashi-Ramaj.

    Votat me kusht ishin ato që bënë ndryshimin te kjo parti. Deputeti tashmë, Bekim Haxhiu ishte i fundit në listën e kësaj partie që arriti të siguronte ulëse në Kuvend.

    Partia Demokratike e Kosovës nga zgjedhjet e 28 dhjetorit ka dalë të jetë e dyta, aktualisht me 20.43% apo 189,632 vota.

  • Shembet një pjesë e rrugës në Veterrnik të Prishtinës, Fushtica paralajmëron rast penal për kompaninë ndërtuese

    Shembet një pjesë e rrugës në Veterrnik të Prishtinës, Fushtica paralajmëron rast penal për kompaninë ndërtuese

    Një pjesë e rrugës në Veterrnik të Prishtinës është shembur, fillimisht duke u menduar se shkaku ishte reshjet e dendura që kanë kapluar Kosovën.

    Telegrafi ka kontaktuar me Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, i cili ka dhënë detaje mbi situatën.

    “Shembja e dheut nuk ka ndodhur në rrugën kryesore, por në një rrugë dytësore. Na duhet të hapet edhe rast penal për shkak të rrezikimit të sigurisë publike”, tha Fushtica për Telegrafin.

    Ai shtoi se shkaku është një operator privat që po kryen punime në atë zonë dhe nuk ka respektuar rregulloren.

    “Inspektorët ia kanë ndërprerë realisht punën. Dje e kemi ndërprerë, e kemi mbyllë atë vendpunishte, i kemi vendosur shiritat”, tha ai.

    “Inspektorët e ndërtimit do të marrin masa konform ligjit, domethënë do të pasojë dënimi për palën, në këtë rast për ndërtuesin”, shtoi Fushtica.

    Drejtori për Siguri dhe Emergjenca paralajmëroi se, nëse vërtetohet se kompania nuk ka përmbushur kriteret, mund t’i revokohet edhe leja.

    “Tutje, do të vazhdojmë edhe me procedura tjera. Nëse vërtetohet që nuk i ka përmbushur kushtet e ndërtimit, atëherë mund edhe t’i revokohet leja”, deklaroi ai.

    Fushtica theksoi gjithashtu: “Është duke u ndërtuar një objekt banesor dhe aty ka pasur rrëshqitje të dheut, në gropën punuese”.

  • Situata pas reshjeve në Mitrovicë, Peci: Do të marrim të gjitha masat për sigurinë e qytetarëve

    Situata pas reshjeve në Mitrovicë, Peci: Do të marrim të gjitha masat për sigurinë e qytetarëve

    Pas reshjeve të dendura të shiut, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka qenë në terren për të vlerësuar gjendjen aktuale së bashku me zyrtarë nga Drejtoria për Menaxhimin e Emergjencave.

    “Ne si komunë do të jemi pranë qytetarëve dhe me gjithë mekanizmin në dispozicion. Pas vlerësimit të situatës nga terreni, po marrim të gjitha masat e nevojshme për intervenim”, tha Peci në një postim në Facebook.

    Ai theksoi se në të ardhmen, çdo projekt i investuar nga Komuna do të planifikohet në mënyrë adekuate për të minimizuar në maksimum rreziqet e tilla potenciale.

    “Qytetarët të jenë të qetë, gjendja është nën kontroll dhe drejt përmirësimit”, shtoi kryetari i Mitrovicës.

    Komuna e Mitrovicës paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të ndërhyjë në kohë reale për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe të pronave.

  • Vazhdojnë reshjet e shiut, disa komuna pa ujë e rrymë – shumë familje evakuohen

    Vazhdojnë reshjet e shiut, disa komuna pa ujë e rrymë – shumë familje evakuohen

    Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës. Disa komuna kanë mbetur pa ujë të pijes e po ashtu edhe pa rrymë. Shumë familje janë evakuuar.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga datat 3-5 janar, në pjesën perëndimore të Kosovës, janë regjistruar reshje të konsiderueshme të shiut, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rritjen e niveleve dhe prurjeve të ujit.

    Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se janë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar vërshimet nga reshjet e shiut. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se janë në terren dhe po ndërhyjnë për të përmirësuar kushtet e qarkullimit.

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të rritjes së turbullueshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Kjo ndërmarrje ka thënë se është e detyruar ta ndërpresë ujin dhe se masa merret me qëllim të garantimit të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes.

    “Ekipet tona teknike janë në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen. Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbulleshmërisë dhe krijimit të kushteve të sigurta për distribuim”, thuhet në njoftimin e të martës në mëngjes.

    Nga ndalja e furnizimit me ujë janë prekur Fushë-Kosova, Drenasi, Obiliqi dhe një pjesë e lagjes “Kalabria” në Prishtinë, ka bërë të ditur Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”. Pritet që me reduktime të furnizimit të preken edhe zona të tjera në kryeqytet.

    KEDS ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV.

    Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët, pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve përgjatë lumit Drenica. Shumë familja janë evakuuar.

    Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Disa familje janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë në zona të prekura.

    Edhe në Gjakovë në disa zona, niveli i ujit ka arritur deri te dritaret e shtëpive, ndërsa në disa raste ka depërtuar edhe brenda tyre. Disa familje janë evakuuar edhe atje. Evakuuimi u bë nga zjarrfikësit e Gjakovës.

  • Ky është burgu “ferr” në SHBA ku po qëndron Nicolás Maduro, ka strehuar edhe VIP-a të njohur

    Ky është burgu “ferr” në SHBA ku po qëndron Nicolás Maduro, ka strehuar edhe VIP-a të njohur

    Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është transferuar në Metropolitan Detention Center në Brooklyn, Nju Jork, një qendër paraburgimi federale që është përshkruar nga ish- të burgosurit, avokatët dhe vetë gjykatës si një vend me kushte shumë të vështira, dhunë të përhapur dhe mungesë stafi.

    Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores po mbahen aty ndërsa përgatiten të dalin para gjykatës për akuza të rënda që lidhen me konspiracion për narkotrafik dhe terrorizëm me narkotikë

    Kujtojmë se ata u kapën në Venezuelë gjatë një operacioni të forcat e SHBA-së dhe u transferuan në Nju Jork për t’u përballur me drejtësinë amerikane.

    Burgu federal në Brooklyn ka një reputacion të keq për shkak të kushteve të vështira. Aty janë strehuar edhe figura të tjera të profilit të lartë si Sean “Diddy”.

    Maduro ka mohuar akuzat dhe është paraqitur në gjykatë në Nju Jork duke u deklaruar i pafajshëm, ndërsa rasti pritet të zhvillohet në ditët në vijim.

  • Situatë e rëndë në Drenas, Lladrovci: Komuna jonë po përjeton vërshime për t’u mbajtur mend

    Situatë e rëndë në Drenas, Lladrovci: Komuna jonë po përjeton vërshime për t’u mbajtur mend

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se ajo komunë po përjeton vërshime për t’u mbajtur mend.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Lladrovci thekson se nga mëngjesi, niveli i ujit është rritur vazhdimisht, me ç’rast, ka vërshuar dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.

    “Rrugët janë ndërprerë për qarkullim në drejtim të Komoranit, te Trafoja dhe te ura e Bucollëve, vështirësi po paraqiten edhe te ura e Shtrubullovës. Dalja në magjistrale po bëhet me rrugë alternative”.

    Ai deklaron se qindra hektarë tokë janë të vërshuara, derisa rryma është ndërprerë për shkak se po rrezikohet trafoja kryesore e komunës.

    “Priten vështirësi edhe për furnizimin me ujë. Falënderoj Presidentën, Osmani-Sadriu për gatishmërinë e përkrahjes, ministrat në detyrë të linjës, z. Elbert Krasniqi dhe z. Hysen Durmishi, AME-në, qytetarët për solidaritetin për ndihmën me mjete personale, zyrtarët e komunës dhe institucionet tjera që janë të angazhuara për tejkalimin e gjendjes. Falënderoj të gjithë ata që më telefonuan dhe me mesazhe po shfaqin brengosje për qytetarët dhe pronën e vërshuar në komunën e Drenasit. Mbesim të angazhuar me të gjitha mundësitë për të qenë në nivel të detyrës. Ftoj qytetarët për kujdes të shtuar dhe të respektojnë ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa rrugë”, shkruan ai.

  • Duda Balje siguron ulëse në Kuvendin e Kosovës

    Duda Balje siguron ulëse në Kuvendin e Kosovës

    Duda Balje ka arritur të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo u konfirmua nga rezultatet e fundit të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Sipas KQZ-së, Balje është zgjedhur deputete për këtë legjislaturë në Parlament.