ATV

Author: K.B.

  • 32 lokacione të gërmuara gjatë vitit, Hoti: Procesi mbetet i bllokuar nga Serbia

    32 lokacione të gërmuara gjatë vitit, Hoti: Procesi mbetet i bllokuar nga Serbia

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka deklaruar për IndeksOnline se viti që po e lëmë pas ka qenë i vështirë për çështjen e personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovë, por me zhvillime të rëndësishme në aspektin institucional dhe operacional.

    “Viti që po e përmbyllim ka qenë një vit i vështirë, por me zhvillime të rëndësishme në aspektin institucional dhe operacional”, ka thënë Hoti, duke shtuar se ndonëse nuk është arritur zgjidhja e pritur, është shënuar përparim në intensifikimin e aktiviteteve kërkimore dhe analizën e të dhënave arkivore.

    Sipas tij, gjatë këtij viti janë realizuar gërmime vlerësuese dhe zhvarrime në rreth 32 lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërsa një progres i rëndësishëm është shënuar edhe në fushën e identifikimit përmes ADN-së.

    “Janë pranuar mbi 50 raporte të ADN-së, rezultate këto që janë duke iu prezantuar familjeve”, ka theksuar Hoti, duke nënvizuar rëndësinë e këtij procesi për familjet e personave të zhdukur.

    Ai ka bërë të ditur se Komisioni ka rikthyer në agjendë edhe disa lokacione në territorin e Serbisë, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së bashkëpunimit nga pala serbe.

    “Lokacione si Kozhle apo Shtaval mbesin pjesë e agjendës edhe për vitin 2026, pasi për ne mbesin raste të hapura, pavarësisht që Serbia ka ndërprerë gërmimet në Kozhle”, ka deklaruar Hoti.

    Duke folur për bashkëpunimin ndërinstitucional, Hoti ka vlerësuar se koordinimi me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë ka qenë i vazhdueshëm dhe konstruktiv.

    “Bashkëpunimi në aspektin e veprimeve në terren dhe adresimit të informatave ka qenë kyç, ndërsa partnerët ndërkombëtarë mbeten thelbësorë për trajtimin e një çështjeje që tejkalon kufijtë shtetërorë”, ka shtuar ai.

    Megjithatë, Hoti ka qenë kritik ndaj Serbisë, duke theksuar se progresi në bashkëpunim ka qenë pothuajse inekzistent.

    “Fatkeqësisht, progresi në bashkëpunimin me Serbinë ka qenë i kufizuar, për të mos thënë nuk ka pasur fare progres”, ka deklaruar ai, duke shtuar se arkivat shtetërore dhe ushtarake serbe mbeten çelësi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    Sipas Hotit, pengesat kryesore vazhdojnë të jenë mungesa e qasjes në arkiva dhe mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar obligimet ndërkombëtare.

    “Pa qasje në arkiva, procesi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur bëhet gjithnjë e më i vështirë, sidomos me kalimin e kohës”, ka theksuar ai.

    Duke folur për rolin e institucioneve të Kosovës, Hoti ka vlerësuar se kjo çështje po trajtohet si prioritet shtetëror.

    “Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë trajtuar këtë çështje si prioritet, përfshirë edhe adresimin e saj në dialogun me Serbinë”, ka thënë ai.

    Në fund, Hoti ka theksuar se gjetja dhe identifikimi i personave të pagjetur nuk është e mjaftueshme pa drejtësi.

    “Gjetja dhe identifikimi është një e drejtë themelore e familjeve, por pa drejtësi nuk mund të ketë mbyllje të plotë të këtij kapitulli të dhimbshëm”, ka deklaruar ai.

    Sa i përket vitit të ardhshëm, Hoti ka bërë të ditur se prioritet do të mbetet intensifikimi i kërkimeve në terren dhe rritja e presionit diplomatik ndaj Serbisë.

    “Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përkrahja e vazhdueshme për familjet e personave të zhdukur mbeten objektivat kyçe për vitin e ardhshëm”, ka përfunduar Hoti.

  • Vulin: SHBA-të po i bëjnë Venezuelës atë që NATO i bëri Jugosllavisë në vitin 1999

    Vulin: SHBA-të po i bëjnë Venezuelës atë që NATO i bëri Jugosllavisë në vitin 1999

    Ish-ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se ajo që blloku i NATO-s, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri në vitin 1999 ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë, po përsëritet sot në Venezuelë. Këtë deklaratë Vulin e ka bërë për agjencinë ruse TASS, duke kritikuar ashpër veprimet e SHBA-së.

    Sipas tij, bombardimi i një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara dhe “rrëmbimi i presidentit të tij” përbën një paralajmërim serioz për shtetet jo-bërthamore. Vulin ka theksuar se mesazhi që po dërgohet është se këto shtete ose duhet të armatosen në atë masë sa të bëhen një objektiv shumë i kushtueshëm për sulm, ose të heqin dorë nga politika e tyre e pavarur.

    “Bombardimi i një vendi anëtar të OKB-së dhe rrëmbimi i presidentit të tij është një paralajmërim i qartë për të gjithë ata që nuk kanë armë bërthamore”, ka thënë Vulin, citojnë mediat serbe.

    Ai ka shtuar se Rusia duhet të këmbëngulë në përpjekjet për vendosjen e një rendi të ri të sigurisë globale. Në të kundërtën, sipas tij, do të krijohet një “koalicion frike”, i udhëhequr nga Perëndimi, ku do të përfshihen shtete që kanë frikë se mund të pësojnë fatin e Jugosllavisë apo Venezuelës.

    Vulin vlerëson se këto vende, nga frika, do të jenë të gatshme të binden pa kushte, madje edhe të përfshihen në konflikte të mundshme kundër Rusisë ose Kinës.

  • Kosova ekstradon në Turqi të arrestuarin për “shfrytëzim seksual të fëmijës”

    Kosova ekstradon në Turqi të arrestuarin për “shfrytëzim seksual të fëmijës”

    Kosova e ka ekstraduar të hënën në Turqi një shtetas turk që ishte nën kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Turqia nën dyshimin për veprat penale “shfrytëzim seksual i fëmijës” dhe “privim i lirisë së fëmijës”, të sanksionuara sipas kodit penal të shtetit turk.

    I dyshuari ishte arrestuar nga njësitet e Policisë së Kosovës dhe është ekstraduar falë bashkëpunimit me institucionet turke.

    “Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më datë 05.01.2026 ka bërë ekstradimin nga Kosova në Turqi të një shtetasi turk. I dyshuari ishte arrestuar nga njësitet e Policisë së Kosovës pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Turqisë nën dyshimin e përfshirjes në vepra penale si: “Shfrytëzimi seksual i fëmijës’’ dhe ‘’Privimi i lirisë së fëmijës’’, të sanksionuar sipas kodit penal të shtetit turk”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës.

    Policia ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me shtete e organizata ndërkombëtare me qëllim të ndalimit të aktiviteteve kriminale.

  • Vërshohet qyteti dhe disa fshatra, Komuna e Malishevës apelon qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme

    Vërshohet qyteti dhe disa fshatra, Komuna e Malishevës apelon qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme

    Komuna e Malishevës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë territorin e komunës.

    Sipas njoftimit të Shtabit Emergjent për Menaxhimin e Situatave Emergjente, niveli i lumenjve dhe përroskave është rritur ndjeshëm, duke shkaktuar bllokim të disa rrugëve dhe vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

    “Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në apelin e Shtabit Emergjent.

    Nga Komuna e Malishevës bëhet e ditur se të gjitha ekipet emergjente janë angazhuar në terren dhe po punojnë me intensitet të lartë për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e rreziqeve të mundshme për qytetarët.

    Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të raportojnë çdo situatë të rrezikshme tek shërbimet emergjente.

  • Pas reshjeve të dendura, Komuna e Drenasit apelon qytetarët për kujdes të shtuar

    Pas reshjeve të dendura, Komuna e Drenasit apelon qytetarët për kujdes të shtuar

    Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, pas reshjeve të dendura të shiut që kanë shkaktuar vërshime në disa segmente rrugore dhe zona të ndryshme të komunës.

    Sipas njoftimit zyrtar të komunës, rrugë dhe zona si Drenas–Grabovc, Çiktova e Vjetër, Qendra Zejtare në Drenas dhe qendra e Komoranit janë ndër më të prekurat nga vërshimet e shkaktuara nga sasia e madhe e reshjeve.

    “Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, shumë segmente rrugore në Komunën e Drenasit janë vërshuar dhe kërkojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit të automjeteve dhe lëvizjes së këmbësorëve”, thuhet në njoftimin e Komunës.

    Nga autoritetet komunale bëhet e ditur se janë raportuar edhe zona të tjera të komunës të prekura nga vërshimet, ndërsa qytetarëve u kërkohet bashkëpunim për menaxhimin e situatës.

    Komuna ka rikujtuar se ndërhyrjet në rrjedhat natyrore të ujit përbëjnë rrezik serioz për pronën publike dhe private. “Qytetarët janë paralajmëruar vazhdimisht që të mos prekin rrjedhat natyrore të ujit përmes ndërtimeve, mbulimit të kanaleve apo hedhjes së mbeturinave, pasi këto veprime rrisin rrezikun nga vërshimet”, theksohet më tej.

    Po ashtu, Komuna e Drenasit ka paralajmëruar se ndaj ndërhyrjeve të paligjshme që kanë bllokuar rrjedhat natyrore të ujit, do të ndërmerren masa për lirimin e tyre, si dhe veprime ligjore ndaj personave përgjegjës.

    “Ftojmë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin daljet e panevojshme, të përdorin rrugë dhe zona alternative aty ku është e mundur dhe të shmangin zonat e prekura nga vërshimet deri në përmirësimin e situatës”, përfundon apeli i Komunës së Drenasit.

  • Vërshime në disa zona të Skenderajt, Lushtaku thotë se ekipet emergjente janë në terren

    Vërshime në disa zona të Skenderajt, Lushtaku thotë se ekipet emergjente janë në terren

    Reshjet e dendura të shiut gjatë natës së mbrëmshme, të cilat kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke krijuar vështirësi për një numër familjesh.

    Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ekipet emergjente janë angazhuar që nga orët e para të mëngjesit për të monitoruar dhe menaxhuar situatën në terren.

    “Reshjet e natës së mbrëmshme, të cilat po vazhdojnë edhe sot, kanë sjellë vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh”, ka deklaruar Lushtaku.

    Ai ka shtuar se njësitë e zjarrfikësve janë në terren që nga mesnata dhe po e përcjellin situatën me kujdes të shtuar.

    “Ekipet emergjente të zjarrfikësve që nga mesnata janë të angazhuara në terren dhe po përcjellin situatën me kujdes të shtuar”, ka theksuar kryetari i Skenderajt.

    Sipas tij, Komuna e Skenderajt është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha ekipet e emergjencave, për të qenë pranë qytetarëve dhe për të përballuar situatën e krijuar.

    “Në bashkëpunim me të gjitha ekipet e emergjencave në kuadër të komunës, do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për t’u përballur së bashku me këtë situatë”, ka përfunduar Lushtaku.

  • Ujërat pushtojnë Kosovën, IHMK del me njoftim: Reshjet pritet të vazhdojnë

    Ujërat pushtojnë Kosovën, IHMK del me njoftim: Reshjet pritet të vazhdojnë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale.

    Si rezultat, IHMK thotë se disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre.

    “Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftim.

    Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore (Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës), paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit.

  • Kaq po presin mërgimtarët për të dalë nga Kosova

    Kaq po presin mërgimtarët për të dalë nga Kosova

    Mërgimtarët po presin afro 1 orë për të dalë nga Kosova në drejtim të vendeve ku ata jetojnë dhe veprojnë.

    Bazuar në të dhënat e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, 40 minuta vijojnë pritjet në Merdarë.

    Ndërkohë, pikat tjera kufitare nuk regjistrojnë fluks të madh të pritjeve.

  • Kryeministrja daneze i reagon Trumpit: Nëse SHBA sulmon Grenlandën, NATO do të pushojë së ekzistuari

    Kryeministrja daneze i reagon Trumpit: Nëse SHBA sulmon Grenlandën, NATO do të pushojë së ekzistuari

    Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja ka nevojë për Grenlandën “shumë urgjentisht”, duke ringjallur frikën në ishullin kryesisht autonom që mbetet pjesë e mbretërisë daneze.

    Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, reagoi të hënën kundër thirrjeve të Trump për aneksimin e territorit arktik, ndërsa kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, paralajmëroi se çdo sulm amerikan ndaj një aleati të NATO-s do të ishte fundi i aleancës ushtarake dhe i “sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore”.

    Një pushtim i mundshëm i Grenlandës nga SHBA do të thoshte fundi i NATO-s, paralajmëroi kryeministrja daneze Mette Frederiksen, raportoi Politico.

    Në një intervistë me TV 2, Frederiksen theksoi se Trump duhet të merret “seriozisht kur thotë se dëshiron Grenlandën”.

    “Por dua gjithashtu ta bëj të qartë se nëse SHBA-të vendosin të sulmojnë ushtarakisht një anëtar tjetër të NATO-s, atëherë gjithçka ndalet – përfshirë NATO-n, dhe për këtë arsye siguria që është vendosur që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, shtoi Frederiksen.

    Trump ka kohë që po bën presion që ishulli i pasur me minerale t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara. Edhe pse Grenlanda është kryesisht autonome, ajo është pjesë e Danimarkës dhe për këtë arsye i përket aleancës ushtarake të NATO-s, të cilën Trump e quan një “domosdoshmëri strategjike” dhe refuzon të përjashtojë përdorimin e forcës ose shtrëngimit ekonomik.

    “Ne kemi nevojë për Grenlandën për shkak të situatës së sigurisë kombëtare”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One të dielën. “Do të merremi me Grenlandën pas rreth dy muajsh. Le të flasim për Grenlandën pas 20 ditësh”, shtoi ai, duke mos dhënë më shumë informacion se çfarë duhet të ndodhë atëherë.

    Deklaratat e fundit të Trump vijnë pasi SHBA-të nisën sulme ajrore ndaj Venezuelës dhe arrestuan udhëheqësin e saj Nicolás Maduro.

  • Gjendje e rënduar nga vërshimet edhe në Ratkoc të Rahovecit – pamje

    Gjendje e rënduar nga vërshimet edhe në Ratkoc të Rahovecit – pamje

    Si shkak i reshjeve të shiut të vazhdueshme gjendje e rënduar e vërshimeve është në disa komuna të Kosovës.

    Gjendje tejet e rëndë raportohet të jetë edhe në rajonin e Dukagjinit.

    Kurse në fshatin Ratkoc të Rahovecit shumë familje veçse kanë pësuar dëme të mëdha, si shkak i ujërave të mbledhura në oborre e në shtëpi.

    Pamjet nga ky fshat tregojnë se situata vazhdon të jetë tejet kritike.