ATV

Author: K.B.

  • Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet

    Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet

    Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar, shkaku i vërshimeve në vend.

    Nagavci ka deklaruar se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

    “Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar”, ka shkruar Nagavci.

    Ajo ka deklaruar se MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur.

    “Për këtë arsye, procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ministria falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor”, thuhet në postim.

  • KQZ: Sot pritet të përmbyllet numërimi i votave kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara

    KQZ: Sot pritet të përmbyllet numërimi i votave kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se sot pritet të përfundojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara.

    “Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025. Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Deri më tani (e martë, 6 janar 2026, ora 16:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht.”

    Ai tha se kanë qenë 9900 votues të regjistruar për të votuar me kusht dhe 2860 votues me aftësi të kufizuara.

    “Sipas të dhënave, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.”

    Ai tha se në platformën e KQZ-së për rezultate ka filluar të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, sipas dinamikës së numërimit të fletëvotimeve.

  • Arrestohen në Aeroportin e Tiranës gjashtë kinezë dhe një bjelloruse

    Arrestohen në Aeroportin e Tiranës gjashtë kinezë dhe një bjelloruse

    Kontrollet e policisë kufitare në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë, në PKK – Rinas, kanë çuar në goditjen e 6 rasteve të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 1 rasti kontrabande.

    Si rezultat i verifikimeve, u arrestuan në flagrancë 6 shtetas kinezë, të dyshuar për përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Në pranga ranë M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe G. H., 43 vjeçe. Ata akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”.

    Gjatë kontrollit, këta shtetas paraqitën pasaporta të Hong-Kongut, për të cilat shërbimet e policisë kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara. Nga ekzaminimi laboratorik u konfirmua se dokumentet ishin false, duke çuar në sekuestrimin e 6 pasaportave.

    Ndërkohë, një tjetër rast u evidentua në hyrje të vendit. Shtetasja A. W., 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, u ndalua për kontroll të thelluar për shkak të dyshimeve mbi qëllimin e udhëtimit. Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve iu gjetën dhe sekuestruan mallra për qëllime estetike, si botox dhe fillera, për të cilat kërkohen kushte të posaçme transporti dhe licencë e veçantë posedimi dhe përdorimi, dokumente që ajo nuk i dispononte.

    Në vijim, shtetasja bjelloruse u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

  • Numërohen 90% e votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

    Numërohen 90% e votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

    Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave me kusht të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Derisa janë numëruar 90% e votave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 50.31% apo 3 mijë e 997 vota, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.20% apo 1605 vota.

    E treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.51% apo 835 vota.

    Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga votat me kusht ka marrë 5.855 apo 465 vota.

    Bazuar nw dinamiken e numërimit të votave që po ndodh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, sonte pritet që të përfundoj edhe numërimi i votave me kusht.

  • Samiti i “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris, Rama pritet nga Macron në Pallatin Élysée

    Samiti i “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris, Rama pritet nga Macron në Pallatin Élysée

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée, pak para nisjes së samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.

    Bashkë me liderë të tjerë të evropianë dhe përfaqësues nga SHBA, Rama do të jetë i pranishëm në diskutimet që do të mbahet ditën e sotme në Paris.

    Në samitin do të marrin pjesë i dërguar special amerikan, Steve Witkoff dhe këshilltari i Trump, Jared Kushner.

    Udhëheqësit e 35 shteteve do diskutojnë mbi garancinë e sigurisë për Ukrainën dhe Kievi është entuziast për të siguruar angazhime konkrete në rast se Rusia sulmon sërish.

  • Sveçla lajmërohet nga Malisheva: Situata është stabile, ekipet po ia dalin me sukses

    Sveçla lajmërohet nga Malisheva: Situata është stabile, ekipet po ia dalin me sukses

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video nga Mirusha e Malishevës.

    Ai tha se gjendja është stabile.

    “Momentalisht gjendemi në fshatin Mirushë të Malishevës, ku po bëjmë inspektimin lidhur me situatën pas vërshimeve këtu por edhe gjithandej Republikës së Kosovës. Situata është stabile e përkundër vështirësive ekipet e ngarkuara për të menaxhuar situatën po ia dalin me sukses”, tha ai.

    Sveçla shkroi se institucionet janë të angazhuara në të gjitha zonat e prekura, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe ofrimit të ndihmës së nevojshme për qytetarët.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për çdo rast nevoje.”

    Sveçla ka publikuar edhe numrat emergjentë:

    112 – Qendra e thirrjeve emergjente;

    192 – Policia e Kosovës;

    193 – Zjarrfikësit;

    194 – Ndihma e shpejtë.

  • Bora dhe akulli shkaktojnë probleme në Holandë, anulohen fluturimet

    Bora dhe akulli shkaktojnë probleme në Holandë, anulohen fluturimet

    Bora dhe akulli ende po shkaktojnë probleme me trafikun në Holanda, duke rezultuar në ndërprerjen e të gjitha shërbimeve të trenave dhe anulimin e qindra fluturimeve.

    Kompania hekurudhore holandeze NS tha se asnjë shërbim treni nuk mund të operojë, për shkak të problemeve të shkaktuara nga bora dhe temperaturat nën zero.

    Mediat e huaja shkruajnë se në aeroportin Skipole të Amsterdamit, linja ajrore KLM anuloi të paktën 300 fluturime që do të zhvilloheshin sot, në shenjë të problemeve të mëdha të shkaktuara nga moti dimëror në një nga qendrat kryesore të transportit të Evropës për të pestën ditë radhazi.

  • Reshjet e dendura shkaktojnë turbullura, “Hidroregjioni Jugor” del me njoftim

    Reshjet e dendura shkaktojnë turbullura, “Hidroregjioni Jugor” del me njoftim

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor SHA” ka bërë me dije se, për shkak të reshjeve të dendura atmosferike, burimet kryesore që furnizojnë me ujë qytetin e Prizrenit kanë filluar të turbullohen.

    Me këtë rast, ekziston mundësia e rritjes se mëtejshme të turbullirës, për shkak të reshjeve të pandërprera.

    “Për këtë arsye, ju bëjmë apel që të bëni rezervim të ujit të pijshëm, pasi në raste të caktuara mund të jemi të detyruar të bëjmë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, me qëllim që të ruajmë sigurinë dhe cilësinë e tij për konsum” deklaron KRU-ja.

    Nga kjo kompani pohojnë se ekipet teknike janë në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen.

    Ky është njoftimi i plotë:

    Të nderuar konsumatorë,

    Ju njoftojmë se për shkak të reshjeve të dendura atmosferike, burimet kryesore që furnizojnë qytetin e Prizrenit kanë filluar të turbullohen dhe ekziston mundësia e rritjes së mëtejshme të turbullirës në orët dhe ditët në vijim.

    Për këtë arsye, ju bëjmë apel që të bëni rezervim të ujit të pijshëm, pasi në raste të caktuara mund të jemi të detyruar të bëjmë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, me qëllim që të ruajmë sigurinë dhe cilësinë e tij për konsum.

    Ekipet teknike janë duke monitoruar gjendjen në mënyrë të vazhdueshme dhe po punojnë për stabilizimin e burimeve dhe normalizimin e situatës sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj dhe ju lusim që:

    Të mos e përdorni ujin për pije deri në njoftimin e radhës

    Të rezervoni sasi të mjaftueshme uji për nevoja bazike familjare, sepse do të ketë ndërprerje herë pas here.

    Të prisni njoftimet tona të radhës për informacione shtesë.

    Faleminderit për mirëkuptimin tuaj!

  • Cilët janë deputetët e LDK-së që nuk u rizgjodhën

    Cilët janë deputetët e LDK-së që nuk u rizgjodhën

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar tashmë listat e kandidatëve që kanë fituar ulëse në Parlamentin e Kosovës. Sipas këtyre rezultateve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 14 ulëse, raporton Reporteri.net.

    Megjithatë, disa emra të njohur të partisë nuk arritën të rikthehen në Kuvend. Ndër ta është edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar në legjislaturën e tetë, Arben Gashi, i cili mbetet jashtë strukturës së re parlamentare.

    Po ashtu, deputetë të tjerë që nuk arritën të zgjidhen në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë: Krenar Xhaferi, Ekrem Hyseni, Fadil Hadërgjonaj, Alban Zogaj, Serbeze Mucaj Kabashi, Paris Guri dhe Arjeta Abazi.

    Kjo tregon se edhe pse LDK ka arritur të sigurojë një numër të konsiderueshëm ulësesh, shumë figura të njohura të partisë nuk do të jenë pjesë e Kuvendit të ardhshëm.

    Ulëse në Parlamentin e Kosovës për legjislaturën e dhjetë nga LDK kanë fituar: Lumir Abdixhiku – 86,683 vota, Hykmete Bajrami – 55,711 vota, Ukë Rugova – 48,289 vota, Avdullah Hoti – 43,413 vota, Doarsa Kica Xhelili – 43,030 vota, Kujtim Shala – 39,986 vota, Anton Quni – 31,032 vota, Armend Zemaj – 28,016 vota, Lutfi Haziri – 26,005 vota, Jehona Lushaku Sadriu – 20,938 vota, Janina Ymeri – 19,950 vota, Besian Mustafa – 18,951 vota, Adelina Thaqi Meta – 17,728 vota, Ermal Sadiku.

    LDK në këto zgjedhje ka shënuar rënie, duke marrë vetëm 13.31% tç votave ose 123 mijë e 706 vota.

  • Përditësohen të dhënat – Bie fluksi i mërgimtarëve, jo më shumë se 30 minuta pritje për të dalë nga Kosova

    Përditësohen të dhënat – Bie fluksi i mërgimtarëve, jo më shumë se 30 minuta pritje për të dalë nga Kosova

    30 minuta po zgjasin më së shumti pritjet e qytetarëve për të dalë nga Kosova.

    Kjo situatë është tek pika kufitar Dheu i Bardhë. Ndërkaq në pikat e tjera, pritjet s’janë më shumë se 15 minuta.

    Sa i përket hyrjeve në Kosovë, edhe aty pritjet janë të pakta, jo më shumë se pesë minuta.