ATV

Author: K.B.

  • Bajrami: Rezultati i 28 dhjetorit mësim për secilin prej nesh – dorëzimi i LDK’së s’është opsion

    Bajrami: Rezultati i 28 dhjetorit mësim për secilin prej nesh – dorëzimi i LDK’së s’është opsion

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka falenderuar qytetarët që e kanë votuar më 28 dhjetor, duke ia siguruar kështu mandatin e shtatë si deputete e Kuvendit të Kosovës.

    Bajrami ka thënë se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, në të cilat kjo parti pësoi debakël duke rënë në 13%, dorëzimi nuk është opsion, shkruan Reporteri.net.

    Ajo ka shtuar se rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi, mësim dhe reflektim secilin.

    “Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie. E kam shkruar dhe po e përsëris edhe një herë: së bashku nuk do të ndalemi, LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”, ka shkruar Bajrami.

    Tutje, Bajrami ka thënë se votat janë përgjegjësi e madhe.

    “Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur: kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi, aq sa kam pasur hapësirë dhe kapacitet. Por lufta nuk ka mbaruar. Sot, më shumë se kurrë, propaganda, korrupsioni dhe përpjekjet për rrënimin e demokracisë po sulmojnë themelet e shtetit tonë. Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë. Do të punoj çdo ditë për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta na çliron, na bashkon dhe na çon përpara”, ka shkruar Bajrami.

  • Dardan Sejdiu paralajmëron skenar të ri nga Albin Kurti

    Dardan Sejdiu paralajmëron skenar të ri nga Albin Kurti

    Opinionisti Dardan Sejdiu, ka deklaruar në Rubikon se Albin Kurti, do sërish zgjedhje në muajin prill.

    Ai tha se synimi i tij është që duke luajtur viktimën, të marrë edhe më shumë deputetë se sa që ka marrë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Kurti do të mundohet, edhe në intervistë tha i kam 60 vota por nuk i kam 80, i tha edhe Presidentes aktuale që nuk mund të të zgjedhi nëse nuk të votojnë partitë opozitare. Unë pres që të ketë zgjedhje në prill prapë dhe pres që beteja me qenë duke i fajësuar partitë opozitare shqiptare se pse nuk e votuan Vjosën Presidente”, thotë Sejdiu.

    Ai ka deklaruar se këtë skenar, Kurti e paralajmëroi në intervistën e tij të fundit dhënë Kosova Pressit.

    “E dyta është me vazhdu tutje këtë pozicionimit ku prej pushtetit e luan viktimën dhe kjo duket se po funksionon.

    Pra, ky është skenari, Kurti e thotë këtë në intervistë, po ashtu edhe Albulena Haxhiu e thotë në intervistën e saj”, thotë ai.

  • Nga sa vota morën liderët e partive

    Nga sa vota morën liderët e partive

    KQZ tashmë ka përfunduar 100 për qind të numërimit të votave, të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka 57 ulëse. PDK është e dyta me 22 ulëse, LDK e treta me 15 ulëse dhe AAK e katërta me 6 ulëse.

    Por nga sa vota arritën të siguronin liderët e partive politike shqiptare.Lideri i VV-së, Albin Kurti mori 404 mijë e 23 vota, duke hyrë në histori si politikani më i votuar në historinë zgjedhore të Kosovës.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza mori 161 mijë e 931 vota. Njëshi i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk arriti të prek 100 mijë vota. Ai siguroi 88 mijë e 445 vota.Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj pati 43 mijë e 997 vota.Ndërsa, Fatmir Limaj i Nismës mori 12 mijë e 546 vota dhe nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re.

  • Vdes gjyqtari që kishte në dorë rastin e Netanyahut për korrupsion

    Vdes gjyqtari që kishte në dorë rastin e Netanyahut për korrupsion

    Kryetari i Gjykatës së Qarkut të Beershebas, Izrael, gjyqtari Benny Sagi, ka vdekur pasi një automjet u përplas me motoçikletën e tij.

    Sipas policisë, një automjet që po ecte jashtë rrugës doli në autostradë dhe goditi motoçikletën e Sagit.

    Mjekët dhe ndihmësit mjekësorë që mbërritën në vendngjarje e përshkruan aksidentin si “tronditës”.

    Ata thanë se e gjetën Sagin të shtrirë në rrugë me lëndime të shumta dhe pa shenja jetësore, dhe e shpallën të vdekur në vendngjarje.

    Policia ka hapur një hetim për aksidentin, me oficerë policie dhe hetues të aksidenteve rrugore që po shqyrtojnë rrethanat e aksidentit.

    Ndryshe, Sagi u emërua president i përkohshëm i Gjykatës së Qarkut të Beershebas në qershor 2024 dhe e mori këtë pozicion në mënyrë të përhershme në prill 2025.

    Ai ka lindur në vitin 1971, ka kryer shërbimin ushtarak nga viti 1989 deri në vitin 1993 dhe, pasi përfundoi studimet në drejtësi, shërbeu në Zyrën Qendrore të Qarkut të Prokurorit të Shtetit nga viti 2001 deri në vitin 2007.

    Emërimi i parë gjyqësor i Sagit ishte në Gjykatën e Magjistraturës së Tel Avivit në vitin 2007.

    Ai u bë lektor i drejtësisë në disa kolegje, përpara se të emërohej zëvendëspresident i Gjykatës së Magjistraturës së Tel Avivit në vitin 2013 dhe më pas gjyqtar në Gjykatën e Qarkut të Tel Avivit në vitin 2015.

    Presidenti Isaac Herzog tha se ishte “i tronditur dhe i dhembur nga vdekja tragjike” e Sagit, të cilën e përshkroi si një figurë shumë të dashur.

    “Sistemi gjyqësor humbi sot një nga bijtë dhe udhëheqësit e tij më të mirë”, tha ai.

    Sagi ishte i njohur për rolin e tij kyç në çështjet e korrupsionit, duke përfshirë hetimin ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu në skandalin e nëndetëseve.

  • AUV izolon 15 kg djath mozzarella të importuar nga Italia

    AUV izolon 15 kg djath mozzarella të importuar nga Italia

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar se izolimi i produktit djath Mozzarella Bufalo në peshë prej 15 kilogram, i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, i dyshuar për praninë e mundshme të aflatoksinës M1.

    AUV ka njoftuar se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit të këtij produkti.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin se, në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe të palës përkatëse, dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, është realizuar izolimi i produktit djath Mozzarella Bufalo në peshë prej 15 kilogram, i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, i dyshuar për praninë e mundshme të aflatoksinës M1. Ky produkt është prodhuar nga kompania Caseificio Coop. “La Contadina” në Itali dhe importuar nga Premio SHPK, Sllatinë e Madhe dhe së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit të këtij produkti.

    Ky veprim ndërmerret me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe për të siguruar respektimin e standardeve të cilësisë ushqimore.

    Edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po ballafaqohet me një mungesë të inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor. AUV-ja vazhdon të zbatojë masa parandaluese dhe kontrolluese për të garantuar që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt, të shëndetshëm”, thuhet në njoftim.

  • Moti i rënduar detyron SWISS Air Lines të anulojë dhjetëra fluturime

    Moti i rënduar detyron SWISS Air Lines të anulojë dhjetëra fluturime

    Swiss International Air Lines ka anuluar 57 fluturime që nga fillimi i vitit për shkak të kushteve të motit. Kompania parashikon edhe anulime të tjera gjatë ditëve të ardhshme për shkak të situatës aktuale meteorologjike në Evropë.

    Një total prej rreth 7,430 pasagjerësh është prekur nga këto anulime deri të enjten, sipas një deklarate të filiales së Lufthansa. Fluturimet më të shpeshta të anulluara ishin ato për Amsterdamin – 42 fluturime janë anuluar që nga fillimi i vitit.

    Nga e enjtja deri të shtunën, SWISS ka njoftuar anulimin e 21 fluturimeve të tjera për Amsterdam, Berlin, Frankfurt dhe Luksemburg. Rreth 1,390 udhëtarë janë prekur nga këto ndryshime.

    Kompania gjithashtu parashikon se do të jenë të nevojshme anulime të tjera gjatë ditëve në vijim.

    Ende nuk ishte e qartë se cilat aeroporte dhe fluturime specifike do të preken: “Jemi në kontakt të ngushtë me MeteoSwiss dhe po shqyrtojmë me kujdes çdo ditë dhe çdo destinacion,” njoftoi kompania. Për shkak të “ngarkesës së shtuar të punës”, punonjës shtesë janë në gatishmëri.

    Megjithatë, situata meteorologjike ndryshon shpejt, prandaj anulimet me njoftim të shkurtër janë herë pas here të pashmangshme. “Nëse një anulim është i pashmangshëm, përpiqemi ta bëjmë sa më herët që të minimizojmë shqetësimin për pasagjerët tanë.”/Albinfo.ch/

  • 75 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    75 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 22 aksidente me të lënduar dhe 53 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1763 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 51 persona, prej të cilëve 45 i ka dërguar në mbajtje dhe një në vuajtje të dënimit.

  • Zbulohen mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

    Zbulohen mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

    Ekipet policore, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe njësitet e tjera kompetente, kanë hasur në mbetje eshtërore në territorin e komunës së Gjakovës.

    Në raportin e policisë së Kosovës thuhet se dyshohet se mbetjet eshtërore i përkasin së paku një individi, i cili figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, në periudhën 1998–1999.

    Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja dhe janë dërguar për ekzaminime të mëtutjeshme mjeko-ligjore, me qëllim të identifikimit të viktimës.

    “Gjakovë / 1998-1999. Ekipet policore në koordinim me IML-në dhe njesitet tjera kompetente kanë hasur në mbetje eshtërore, të cilat dyshohet se i përkasin së paku një individi-personi, që figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999. Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML për ekzaminime të mëtutjeshme mjeko-ligjore”, thuhet në raportin e policisë.

  • Një grua nga Graçanica dyshohet se mori 100 euro false nga bankomati

    Një grua nga Graçanica dyshohet se mori 100 euro false nga bankomati

    Një grua nga Kosova ka raportuar në Policinë e Kosovës se ka hasur në një kartëmonedhë të dyshuar të falsifikuar në vlerë prej 100 eurosh.

    Sipas njoftimit zyrtar, kartëmonedha është marrë më 8 janar 2026 nga një bankomat, por ankuesja dyshon se nuk është autentike. Autoritetet kanë sekuestruar kartëmonedhën për ekzaminime të mëtejshme.

    “Graqanicë / 04.01.2026 – 16:40. Ankuesja femer kosovare më 08.01.2026 ka raportuar se, në bankomat ka hasur në një kartëmonedhë në vlerë 100 € e cila është vendosur me datën e cekur dhe dyshohet të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa lidhur me rastin është informuar edhe prokurori”, thuhet në raport

  • A ndihmon vërtet supa e pulës me ftohjen?

    A ndihmon vërtet supa e pulës me ftohjen?

    Supa e pulës ka qenë një vakt ngushëllues për breza dhe zgjedhja e parë për këdo që lufton me një ftohje ose grip.

    Në shumë kultura, konsiderohet si ilaç tradicional, por lind pyetja – a ekziston një bazë shkencore që konfirmon se një tas me supë të ngrohtë na ndihmon vërtet të shërohemi nga infeksionet e frymëmarrjes , raporton Index.hr.

    Prova shkencore premtuese

    Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, u krye një rishikim sistematik i provave shkencore mbi rolin e supës në trajtimin e infeksioneve akute të frymëmarrjes, siç janë ftohja , gripi dhe COVID-19.Edhe pse hulumtimi është ende në fazat e hershme, rezultatet janë premtuese. Nga më shumë se 10,000 të dhëna të analizuara, u përzgjodhën katër studime relevante me një total prej 342 pjesëmarrësish.

    Njëri prej tyre tregoi se subjektet që hëngrën supë u shëruan deri në dy ditë e gjysmë më shpejt se ata që nuk hëngrën. Simptoma të tilla si hundë të bllokuara, dhimbje fyti dhe lodhje ishin dukshëm më të lehta.

    Disa pjesëmarrës kishin nivele më të ulëta të shënuesve të lidhur me inflamacionin, substanca në gjak që rriten ndërsa sistemi imunitar lufton infeksionin. Në veçanti, proteinat IL-6 dhe TNF-α, të cilat nxisin proceset inflamatore, ishin më të ulëta tek njerëzit që konsumuan supën.Kjo tregon faktin se supa mund të moderojë një përgjigje imunitare tepër aktive, duke i bërë simptomat më pak të rënda dhe rikuperimin më të këndshëm. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se studimet nuk kanë hetuar se si konsumi i supës ndikon në jetën e përditshme, siç është nëse zvogëlon numrin e ditëve të pushimit nga spitali apo mundësinë e shtrimit në spital, gjë që mbetet një pyetje kyçe për kërkime të ardhshme.

    Pse funksionon supa?

    Ekzistojnë disa shpjegime të mundshme pse supa ndihmon. Nxehtësia dhe lëngjet e hidratojnë trupin dhe mund të ndihmojnë në hollimin e mukusit dhe lehtësimin e dhimbjeve të fytit. Përveç kësaj, supat shpesh janë të pasura me lëndë ushqyese, dhe përbërës si hudhra, qepa, xhenxhefili dhe zarzavatet me gjethe janë të njohura për vetitë e tyre anti-inflamatore dhe antimikrobike që forcojnë imunitetin.

    Më shumë sesa thjesht një vakt

    Efekti i supës nuk është vetëm fizik. Ekziston gjithashtu një aspekt i fortë kulturor dhe psikologjik, ku ushqimi bëhet pjesë e kujdesit për veten. Në shumë familje, përgatitja e supës për një anëtar të sëmurë nuk është vetëm ushqim, por edhe simbol i kujdesit, sigurisë dhe rutinës së vendosur.

    Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se prindërit shpesh i drejtohen kurave tradicionale si supa si një linjë e parë mbrojtjeje, shumë kohë përpara se të kërkojnë këshilla mjekësore. Kjo pasqyron rëndësinë e trajtimeve të njohura nga ana kulturore që konsiderohen të sigurta dhe të besueshme sepse janë pjesë e edukimit dhe normave shoqërore.

    Një zgjidhje e thjeshtë dhe efektive

    Supa e pulës është e lehtë për t’u përgatitur, e përballueshme dhe përgjithësisht e sigurt, dhe njihet gjithashtu si një ilaç shtëpiak ngushëllues. Megjithatë, shqyrtimi i studimeve nxori në pah nevojën për kërkime të mëtejshme. Studimet e ardhshme mund të shqyrtojnë recetat standarde për të përcaktuar nëse kombinime të caktuara përbërësish funksionojnë më mirë se të tjerët – për shembull, a ka supa e pulës të njëjtin efekt si supa me perime?

    Është gjithashtu e rëndësishme të matni rezultate specifike, të tilla si shpejtësia e kthimit në punë ose shkollë, si dhe nivelet e përgjithshme të energjisë dhe cilësia e gjumit gjatë sëmundjes. Edhe pse supa nuk zëvendëson ilaçet, me pushim të mjaftueshëm, lëngje dhe, nëse është e nevojshme, paracetamol, mund të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të lehtësuar simptomat dhe për t’u rikuperuar më shpejt.