ATV

Author: K.B.

  • Trump fton Osmanin në Bordin e Paqes – Rama: Gjest domethënës për Kosovën dhe marrëdhëniet me SHBA-në

    Trump fton Osmanin në Bordin e Paqes – Rama: Gjest domethënës për Kosovën dhe marrëdhëniet me SHBA-në

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën e marrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.

    Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Rama e cilëson këtë ftesë si një gjest tejet domethënës ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar.

    “Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që gjithashtu jep një sinjal të rëndësishëm për sigurinë dhe përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë,” shkruan Rama.

    Kryeministri shprehet se kjo ftesë lidhet edhe me respektin personal ndaj Presidentes Osmani dhe me rolin e saj në arenën ndërkombëtare, duke shpresuar që spektri politik në Kosovë ta vlerësojë këtë zhvillim si një dorë të shtrirë nga SHBA-ja.

    “Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkruan Rama.

    Presidentja Osmani ftohet nga Trump që ta përfaqësojë Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën

     

  • Abdixhiku bashkë me LDK-në bëjnë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës

    Abdixhiku bashkë me LDK-në bëjnë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i shoqëruar edhe nga ekipa por edhe djali i ish-Presidentit Ibrahim Rugova ka vendosur kurora lulesh tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova për ta nderuar në përvjetorin e 20 të vdekjes së tij.

    Ai nga aty tha se Ibrahim Rugova mbete shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, dhe si i tillë e obligon që të sillen me dinjitet, maturi dhe përkushtim për atdheun.

    “Sot në 20-vjetorin e largimit të atit themeltar të Republikës së Kosovës, e vendit tonë, shtetit tonë nderojmë Ibrahim Rugovën. Njeriun i cili jo vetëm realizoi një ëndërr historike të popullit të Kosovës për liri, pavarësi, demokraci por krijoi një projekt madhor, më të madhin të madhin ndër shqiptarëve të Kosovës. Në këtë 20 vjetor Rugovën jo veç që e nderojmë por edhe e kujtojmë dhe nën kujtimet e tij dhe ëndrrën e tij punojmë vazhdimisht që vendit tonë, Kosovës sonë t’i japim të ardhmen e merituar një të ardhme të lirë, me një shtet të fuqishëm në familjen euroatlantike. Ibrahim Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, dhe si i tillë na obligon edhe sot të sillemi me dinjitet, maturi dhe përkushtim për atdheun tonë”, tha ai.

  • Vajza e Trump-it, Ivanka në Shqipëri – Viziton Vlorën për investimet e planifikuara atje

    Vajza e Trump-it, Ivanka në Shqipëri – Viziton Vlorën për investimet e planifikuara atje

    Ivanka Trump ka mbërritur paraditen e kësaj të mërkure në Vlorë.

    Vajza e presidentit Donald Trump sapo ka mbërritur në qytetin bregdetar dhe është shoqëruar me forca të shumta policie.

    Ivanka Trump ka ardhur rreth orës 10:00 dhe aktualisht ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë, në një nga hotelet e zonës. /tch

  • Mbi 2 mijë e 400 gjoba, Policia njofton për 50 aksidente trafiku

    Mbi 2 mijë e 400 gjoba, Policia njofton për 50 aksidente trafiku

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka shqiptuar mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku gjatë 24 orëve të fundit.

    Në raportin e PK’së, shtohet edhe se, gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 50 aksidente trafiku.

    Po ashtu, është bërë e ditur se janë arrestuar 11 persona, ku 10 janë dërguar në mbajtje.

  • Procesi i rinumërimit përmbyllet plotësisht në 7 komuna

    Procesi i rinumërimit përmbyllet plotësisht në 7 komuna

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Siç bëri të ditur, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një prononcim për Klankosova.tv, ky proces është përmbyllur plotësisht në shtatë komuna.

    “Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 21 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 834 nga 2,557 vendvotime. Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna”, tha ai.

  • Ndërron jetë gazetarja Qefsere Nishevci

    Ndërron jetë gazetarja Qefsere Nishevci

    Ka ndërruar jetë gazetarja kosovare Qefsere Nishevci, një emër i njohur i gazetarisë në Kosovë, e cila me përkushtim dhe profesionalizëm kontribuoi në zhvillimin e këtij profesioni për dekada me radhë.

    Nishevci i përkiste brezit të gazetarëve që lanë gjurmë të rëndësishme në informimin dhe edukimin e opinionit publik.

    Ajo ishte e diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ndërsa karrierën gazetareske e kishte nisur në vitin 1982 si gazetare në të përditshmen “Zëri i Rinisë”.

    Gjatë angazhimit të saj profesional, ajo u shqua për seriozitet, etikë dhe përkushtim ndaj profesionit, duke ndikuar edhe në formimin e brezave të rinj të gazetarëve.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e saj, duke vlerësuar kontributin e Nishevcit në gazetarinë kosovare.

  • Çka është Bordi i Paqes për Gazën në të cilin u ftua Kosova?

    Çka është Bordi i Paqes për Gazën në të cilin u ftua Kosova?

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka ftuar përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës në Bordin e Paqes për Gazën, duke përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

    Lideri amerikan ka formuar një trup këshillues për Gazën, i njohur më mirë si Bordi i Paqes, si pjesë e fazës së dytë të armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të grupit të Hamasit.

    Ky bord përfshin liderë botërorë që japin këshilla dhe ndihmojnë në negociata, por nuk ka fuqi ekzekutive ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

    Synimi është të mbështesë paqen dhe stabilitetin në rajon përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, transmeton Telegrafi.

    Pra, në thelb është një iniciativë diplomatike e Trumpit, e projektuar si bord këshillues me ndikim në negociata dhe armëpushime, duke përfshirë liderë nga vende të ndryshme për të ndihmuar në stabilizimin e rajonit.

    Megjithatë jo të gjitha vendet e kanë mirëpritur iniciativën e presidentit amerikan.

    Në mesin e atyre që kanë refuzuar të jenë pjesë e kësaj iniciative është Franca, ku këtë e ka konfirmuar presidenti Emmanuel Macron.

    Gjithashtu mediat kanë bërë të ditur se kryeministri britanik, Keir Starmer do ta refuzojë ftesën e Trumpit.

    Theksojmë se Kosovën do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani ndërsa Shqipërinë, kryeministri Edi Rama.

    Në këtë fazë, Trump pritet të njoftojë përbërjen e plotë të Bordit dhe detaje të tjera gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

    Bordi i Paqes

    Shtëpia e Bardhë thotë se ky organ do të përqendrohet në çështje të tilla si “ndërtimi i kapaciteteve qeverisëse, marrëdhëniet rajonale, rindërtimi, tërheqja e investimeve, financimi në shkallë të gjerë dhe mobilizimi i kapitalit”.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kryetar

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio

    Steve Witkoff, negociatori special i Trump

    Jared Kushner, dhëndri i Trump

    Tony Blair, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar

    Marc Rowan, miliarder financier amerikan

    Ajay Banga, president i Bankës Botërore

    Robert Gabriel, ndihmës besnik i Trump në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

    Komiteti Kombëtar për administrimin e Gazës

    Ky organ, i përbërë nga teknokratë, do të “mbikëqyrë restaurimin e shërbimeve publike kryesore, rindërtimin e institucioneve civile dhe stabilizimin e jetës së përditshme në Gaza”.

    Ali Shaath, ish-zëvendësministër i Autoritetit Palestinez (kreu i komitetit)

    Bordi ekzekutiv i Gazës

    Ky entitet ka për qëllim të “mbështesë qeverisjen efektive” dhe të ofrojë shërbime për popullin e Gazës.

    Steve Witkoff

    Jared Kushner

    Tony Blair

    Marc Rowan

    Nickolay Mladenov, diplomat bullgar

    Sigrid Kaag, koordinatore humanitare e OKB-së për Gazën

    Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan

    Ali Al-Thawadi, diplomat nga Katari

    Gjenerali Hassan Rashad, drejtor i agjencisë së inteligjencës së Egjiptit

    Reem Al-Hashimy, ministër i Emirateve

    Yakir Gabay, miliarder izraelit

    Ali Al-Thawadi, diplomat nga Katari

    Gjenerali Hassan Rashad, drejtor i agjencisë së inteligjencës së Egjiptit

    Reem Al-Hashimy, ministër i Emirateve

    Yakir Gabay, miliarder izraelit

    Udhëheqësit që thanë se ishin ftuar të bashkoheshin

    Presidenti argjentinas Javier Milei

    Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva

    Kryeministri kanadez Mark Carney

    Presidenti qipriot Nikos Christodoulides

    Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi

    Kryeministri hungarez Viktor Orban

    Kryeministri indian Narendra Modi

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni

    Mbreti jordanez Abdullah II

    Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif

    Presidenti paraguaian Santiago Pena

    Presidenti rumun Nicusor Dan

    Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. /Telegrafi/

  • Haradinaj kujton Rugovën: Kultivoi miqësinë e përjetshme me Amerikën

    Haradinaj kujton Rugovën: Kultivoi miqësinë e përjetshme me Amerikën

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar presidentin Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes.

    Ai shkruan në Facebook se Rugova i kushtoi rëndësi forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përjetshme me Amerikën.

    “Me Presidentin Dr. Ibrahim Rugova pata nderin të bashkëpunoj në ditët e para të lirisë, në një periudhë vendimtare dhe jashtëzakonisht të ndjeshme të shtetndërtimit”.

    “Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme. Me vizionin e tij shtetformues, ai i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përjetshme me Amerikën, veprime këto që i paraprinë pavarësisë dhe që vazhdojnë të mbeten themel i vizionit tonë si shtet”, shkruan Haradinaj.

  • Kompania e vetme automobilistike në botë me vlerë mbi 1 trilion paund – më e pasur se Ferrari dhe Mercedes së bashku

    Kompania e vetme automobilistike në botë me vlerë mbi 1 trilion paund – më e pasur se Ferrari dhe Mercedes së bashku

    Është i vetmi prodhues automjetesh në botë që ka kapërcyer pragun e 1 trilion dollarëve në vlerë tregu, ndërsa kapitalizimi i tij vazhdon të rritet me ritme të shpejta.

    Teksa disa kompani automobilistike po përballen me vështirësi për t’iu përshtatur kërkesës në ndryshim, të tjera po rriten më shpejt nga sa pritej. Çmimet e makinave të reja janë rritur, drejtuesit po i mbajnë automjetet e tyre për më gjatë dhe shumë marka po rikthehen te modelet hibride, pasi shitjet e makinave elektrike janë ngadalësuar.

    Megjithatë, një prodhues ka arritur të shkëputet dukshëm nga tregu global, duke e çuar vlerën e tij në nivele më të larta se Ferrari dhe Mercedes-Benz të marra së bashku. Gjatë vitit të fundit, industria është ndikuar nga rritja e kostove, tarifat e reja tregtare dhe heqja graduale e subvencioneve federale për automjetet elektrike në SHBA. Si pasojë, disa kompani humbën miliarda dollarë, ndërsa të tjera u përshtatën shpejt dhe panë rritje të ndjeshme të vlerës së tyre.

    Sipas një raporti të ri financiar nga US News, kompania automobilistike më e vlefshme në botë është tashmë Tesla.

    Raporti thekson se Tesla vlerësohet rreth 1.4 trilion dollarë (afërsisht 1.1 trilion paund), duke u bërë prodhuesi i vetëm i makinave në botë me një vlerë kaq të lartë dhe duke lënë shumë pas rivalët e saj.

    Për krahasim, Ferrari vlerësohet rreth 68.6 miliardë dollarë, ndërsa Mercedes-Benz rreth 66.1 miliardë dollarë. Edhe së bashku, ato nuk i afrohen kapitalizimit të tregut të Tesla-s.

    Tesla u themelua në vitin 2003 nga inxhinierët Martin Eberhard dhe Marc Tarpenning. Elon Musk iu bashkua kompanisë një vit më vonë, pasi drejtoi raundin e parë të madh të financimit, dhe u bë drejtor ekzekutiv në vitin 2008. Sot, ai zotëron një pjesë të konsiderueshme të aksioneve dhe mbetet figura më e njohur publike e kompanisë.

    Fillimisht, Tesla prodhoi vetëm një makinë sportive – Roadster. Më vonë, ajo u zgjerua me modele për tregun masiv si Model S, Model 3, Model X dhe Model Y.

    Me kalimin e viteve, kompania hyri edhe në sektorë të tjerë, përfshirë ruajtjen e energjisë, bateritë në shkallë të gjerë, panelet diellore dhe sistemet e avancuara softuerike. Ky kombinim e ka ndihmuar Teslën të shndërrohet në aktorin dominues të tregut global të automjeteve elektrike.

    Sipas US News, vlera e Tesla-s u rrit me mbi 300 miliardë dollarë brenda vetëm tre muajsh, pasi ndryshimet në tarifa favorizuan automjetet e prodhuara në SHBA. Aksionet e kompanisë janë rritur rreth 70 për qind gjatë vitit të fundit.

    Investitorët miratuan gjithashtu një paketë të re shpërblimi 10-vjeçare për Elon Musk, e cila mund të arrijë deri në 1 trilion dollarë, nëse kompania përmbush objektivat afatgjata, përfshirë një kapitalizim tregu prej 8.5 trilion dollarësh dhe prodhimin vjetor të 20 milionë automjeteve.

    Ndërkohë, pjesa tjetër e industrisë po lëviz në një drejtim tjetër: prodhuesit po shkurtojnë kostot, po zgjerojnë gamën e makinave hibride dhe po thjeshtojnë dizajnin e brendshëm të automjeteve. Shumë konsumatorë po zgjedhin makina të përdorura ose po shtyjnë blerjet, pasi modelet e reja janë bërë gjithnjë e më të shtrenjta.

    10 kompanitë automobilistike më të vlefshme në botë (US News, 2025)

    Tesla – 1.4 trilion $

    Toyota – 259.7 miliardë $

    Xiaomi – 135.2 miliardë $

    BYD – 126.1 miliardë $

    General Motors – 69.7 miliardë $

    Ferrari – 68.6 miliardë $

    Mercedes-Benz – 66.1 miliardë $

    BMW – 63.3 miliardë $

    Volkswagen – 58.9 miliardë $

    Maruti Suzuki – 56.5 miliardë $

  • Vjosa Osmani dhe Fane Rugova vendosin lule te varri i presidentit historik

    Vjosa Osmani dhe Fane Rugova vendosin lule te varri i presidentit historik

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe të varri i ish-presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

    Homazhet u bënë në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

    Kurorën me lule mbi varrin e Rugovës e vendosën Osmani dhe bashkëshortja e të ndjerit, Fana.

    Të pranishëm ishin edhe fëmijët e Ibrahimit: Uka dhe Teuta, bashkë me kabinetin e Presidencës.

    Homazhe bënë edhe ambasadorë dhe të ngarkuar me punë në Ambasadat e huaja në Kosovë.