ATV

Author: K.B.

  • 6.5 milionë u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe vizitat familjare në vitin 2025

    6.5 milionë u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe vizitat familjare në vitin 2025

    Për mbrojtjen e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nga buxheti i Republikës së Kosovës janë shpenzuar 6 milionë e 277 mijë e 500 euro gjatë vitit 2025. Ndërsa në total, për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MD) lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara për vitin 2025.

    Shuma më e madhe është shpenzuar nga mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për secilën nga mbrojtjet e tyre, janë shpenzuar nga 1 milion e 320 mijë euro në rastin për krime lufte. Ndërsa, 17 mijë e 500 euro të tjera, janë shpenzuar për Hashim Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Për mbrojtjen e Salih Mustafës dhe atë të Pjetër Shalës, janë shpenzuar nga 480 mijë euro.

    Kurse, për Bashkim Smakan janë shpenzuar 10 mijë euro, për të bashkë të akuzuarin e tij, Fadil Fazliun janë shpenzuar 7 mijë euro. Ndërsa, për Ismet Bahtijarin janë shpenzuar 3 mijë euro.

    Të dhënat në fjalë janë ofruar nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Divizioni për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Por, nga kjo Ministri nuk kanë ofruar të dhëna nëse dhe sa kanë shpenzuar avokatët për Haxhi Shalën, Sabit Januzin, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

    Për vizitat familjare u shpenzuan mbi 237 mijë euro

    Sipas të dhënave nga MD-ja, nga buxheti i Republikës së Kosovës për vizitat familjare të të akuzuarve në Hagë janë shpenzuar gjithsej 237 mijë e 567 euro e 69 centë. Këtu përfshihen biletat e aeroplanit dhe ushqimi.

    Nga të dhënat, Hashim Thaçi del se nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. Ndërsa, për vizitat familjare të Jakup Krasniqit janë shpenzuar gjithsej 34 mijë e 771 euro e 40 centë, për ato të Rexhep Selimit janë shpenzuar 32 mijë e 39 euro e 29 centë.

    Po ashtu, Isni Kilaj ka shpenzuar 29 mijë e 457 euro e 23 centë, për Haxhi Shalën u shpenzuan 28 mijë e 912 euro e 60 centë, për Bashkim Smakajn 26 mijë e 969 euro e 6 centë.

    Në anën tjetër, Kadri Veseli për vizita familjare ka shpenzuar 22 mijë e 563 euro e 28 centë. Kurse, Salih Mustafa për të njëjtën kategori ka shpenzuar 17 mijë e 361 euro e 68 centë, Pjetër Shala 8 mijë e 365 euro e 72 centë, si dhe Ismet Bahtijari 3 mijë e 925 euro e 87 centë.

    Ndryshe, në përgjigjen e MD-së thuhet se buxheti që është ndarë për vitin 2025, për Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë DhSK-së, është 8 milionë e 50 mijë euro.

    Në total, nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.

    Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

    Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

    Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

    Ndryshe, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë trajtuar tri raste për krime lufte. Rasti më i madh në këtë Gjykatë është ai i ish-krerëve të UÇK-së me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Në këtë rast, Prokuroria gjatë 2025-ës ka përfunduar me paraqitjen e provave, periudhë gjatë së cilës dëshmuan 125 dëshmitarë në sallën e gjyqit. Pas tyre dëshmuan dy të mbrojtësit të viktimave, si dhe shtatë të tjerë të mbrojtjes së Hashim Thaçit.

    Rrjedhimisht, mbrojtja ka përfunduar zyrtarisht paraqitjen e provave më 2 dhjetor 2025. Ndërsa, mbyllja e paraqitjes së të gjitha provave në këtë rast, është bërë më 18 dhjetor 2025. Është vendosur që dosjet përfundimtare në këtë çështje të dorëzohen në janar 2026. Ndërsa, deklaratat përmbyllëse do të mbahen në shkurt.

    Në anën tjetër, aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ndërsa, më 6 prill 2023, u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

    Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte. Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

    “Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024, me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

    Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

    Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

    Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Sërish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.

    Ndërsa, rasti i fundit për krime lufte është ai i Pjetër Shalës, të cilit më 14 korrik 2025, Gjykata e Apelit e DhSK-së, ia ka ulur dënimin nga 18 vjet kur ishte dënuar në shkallë të parë në 13 vjet burgim. Ndërsa, më 14 tetor 2025, Shala kishte dorëzuar ankesë në Supreme kundër vendimit të Apelit. Përmes saj, kërkonte rrëzimin e vendimit mbi dënimin për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, si dhe që çështja të kthehet në rigjykim.

    Po ashtu, në këtë gjykatë kanë qenë edhe tri raste kundër administrimit të drejtësisë që nga fillimi i punës së saj e deri më tani.

    Në vitin 2024, Hashim Thaçit i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me të njëjtin rast, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, një ditë më pas, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së. Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në rastin tjetër, me 4 shkurt 2025, Haxhi Shala është dënuar me 3 vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim. Ky vendim është marrë pasi të akuzuarit ende pa filluar gjykimi kishin arrit marrëveshje për pranim të fajësisë, e cila u pranua nga trupi gjykues në ditën që u shpall aktgjykimi dënues.

    Si rrjedhojë, ishte aprovuar edhe marrëveshja për zhdëmtimet, e cila do të ekzekutohej më së largu deri më 19 shkurt 2025. Pra, Shala obligohej të paguajë 400 euro dhe Januzi 100 euro për viktimën, ndërsa Bahtijari nuk obligohej të bëjë pagesa. Viktimës i janë kryer këto pagesa brenda afatit kohor që u ishte caktuar të akuzuarve.

    Ndërsa, rasti tjetër ka të bëjë me Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin të cilët po ashtu kanë qenë të dënuar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

  • BE detyron heqjen e qeseve të ketchup-it dhe majonezës nga restorantet dhe fast food-et

    BE detyron heqjen e qeseve të ketchup-it dhe majonezës nga restorantet dhe fast food-et

    Në një moment të caktuar, pikat e ushqimit të shpejtë (fast food), restorantet, hotelet dhe baret filluan të pajisen me enë të përshtatshme për erëza njëpërdorimshe, të cilat shpejt u futën në ushqimet e gatshme të supermarketeve, shkruan money.it.

    Për pronarët e restoranteve dhe shitësit me pakicë, ishte një proces i vështirë për t’u mësuar, por në të njëjtën kohë, inovacioni u mirëprit, duke rezultuar si i përshtatshëm dhe i dobishëm.

    Tani, po bëhen përgatitjet për procesin e kundërt, pasi do të jetë e detyrueshme të hiqen qeset e ketchupit, majonezës, kripës dhe vajit nga restorantet duke filluar nga gushti i vitit 2026.

    Bashkimi Evropian e ka vendosur këtë si pjesë të një programi të gjerë për të zvogëluar mbetjet plastike, i cili kërkon ndryshimin e zakoneve aktualisht të paqëndrueshme.

    Këto janë objektiva thelbësore për mbrojtjen e mjedisit, por pavarësisht kësaj, afati kohor i vendosur nga Brukseli është mjaft i gjatë.

    Nevojiten masa progresive për të zvogëluar gradualisht plastikën në qarkullim pa ndikuar tepër në ekonomi. Ndalimi i përdorimit të paketimeve të caktuara, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe mikpritjes, mund të shkaktojë përçarje të konsiderueshme dhe për këtë arsye të gjitha interesat e përfshira duhet të jenë të balancuara.

    Sidoqoftë, pavarësisht mungesës së afateve të rrepta, Rregullorja (BE) 2025/40, e njohur si Rregullorja e Paketimit dhe Mbeturinave të Paketimit (PPWR), ka tërhequr kritika të ashpra.

    Qeskat për erëza do të hiqen gradualisht duke filluar nga gushti 2026 kur paketimet plastike njëpërdorimëshe në sektorin e hotelerisë dhe mikpritjes duhet të thonë ‘’lamtumirë’’.

    Erëzat si salcat, vaji dhe kripa do të duhet të shërbehen në enë të ndryshme dhe të qëndrueshme, ashtu si edhe reçelet, sheqeri dhe gjalpi.

    Ndryshimi ndikon jo vetëm në ushqim, por në të gjitha produktet që ofrohen normalisht në paketime plastike njëpërdorimëshe, duke përfshirë produktet e higjienës personale.

    *Fotografia në lajm ilustruese

  • Ish-kryeministri i Koresë së Jugut dënohet me 23 vjet burgim për rolin që pati në ligjin ushtarak

    Ish-kryeministri i Koresë së Jugut dënohet me 23 vjet burgim për rolin që pati në ligjin ushtarak

    Një gjykatë e Koresë së Jugut e dënoi ish-kryeministrin Han Duck-soo me 23 vjet burg të mërkurën, për akuza që përfshinin kryengritje, të lidhura me shpalljen e ligjit ushtarak nga ish-presidenti Yoon Suk Yeol në dhjetor 2024.

    Han, 76 vjeç, është zyrtari i parë i kabinetit që ka marrë një vendim gjykate për akuza penale të lidhura drejtpërdrejt me ligjin ushtarak, çka sipas ekspertëve ligjorë mund të shërbejë si një tregues për gjyqe të tjera, shkruan Reuters.

    Gjykata Qendrore e Distriktit të Seulit e shpalli Han fajtor, duke thënë se ai kishte qenë vendimtar në krijimin e pamjes së jashtme të një mbledhjeje kabineti që mundësoi shpalljen e ligjit ushtarak, një veprim që gjyqtari e përshkroi si një “kryengritje nga lart-poshtë”.

    Gjyqtari shtoi se Han kishte diskutuar gjithashtu plane për të bllokuar funksionimin e institucioneve kryesore, si parlamenti, si pjesë e kryengritjes.

    “I pandehuri ishte një kryeministër të cilit i ishte dhënë në mënyrë indirekte legjitimitet dhe përgjegjësi demokratike… Megjithatë, i pandehuri zgjodhi të mbyllte sytë… dhe të merrte pjesë si anëtar i kryengritjes së 3 dhjetorit”, tha gjyqtari.

    “Si rezultat, Koreja e Jugut ishte në rrezik të kthehej në të kaluarën e errët kur të drejtat themelore dhe rendi liberal demokratik i popullit u shkelën, duke i penguar ata potencialisht të shpëtonin nga … diktatura për një kohë të gjatë”.

    Gjykata e shpalli Hanin fajtor për “përfshirje në veprimin kryesor të kryengritjes”, si dhe për akuzat e lidhura me dëshmi të rreme dhe falsifikim të një dokumenti zyrtar.

    “Do ta ndjek me përulësi vendimin e gjyqtarit”, tha Han pas vendimit.

    Ai kishte mohuar shkeljet për të gjitha akuzat përveç dëshmisë së rreme, duke thënë në nëntor se, ndërsa i vinte keq që nuk mundi ta ndalonte Yoon të shpallte gjendjen ushtarake, ai “nuk pranoi kurrë për të dhe as nuk u përpoq të ndihmonte”.

    Në një rast të pazakontë në procedurat gjyqësore të Koresë së Jugut, dënimi me 23 vjet tejkaloi një dënim prej 15 vjetësh të kërkuar nga prokurorët në nëntor.

    Han u ndalua nga gjykata menjëherë pas shpalljes së vendimit, i cili mund të apelohet. Avokati i Han tha se çështja do të dërgohet në Gjykatën Supreme.

  • Kurti takohet me kryeministrin e Luksemburgut, i përmend synimin për anëtarësim në BE, KiE dhe NATO

    Kurti takohet me kryeministrin e Luksemburgut, i përmend synimin për anëtarësim në BE, KiE dhe NATO

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, është takuar me Kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden.

    Në njoftimin e ZKM-së thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohjen ndaj Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme ndaj shtetit tonë në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

    “Në vijim, theksoi progresin demokratik dhe ekonomik të vendit dhe synimet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO, gjersa falënderoi Luksemburgun për mbështetjen ndaj Kosovës në këto procese.

    U bisedua edhe mbi fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale, thellimin e bashkëpunimit përfshirë në arsim dhe investime dhe rritjes së lidhjeve kulturore mes shteteve dhe popujve tanë.” – përfundon njoftimi.

  • Pse bien flokët pikërisht në pjesën e përparme të kokës? Ja çfarë thonë studimet

    Pse bien flokët pikërisht në pjesën e përparme të kokës? Ja çfarë thonë studimet

    Hormonet, gjenetika dhe ndjeshmëria e veçantë e skalpit ballor luajnë rol kyç në këtë proces

    Rënia e flokëve është një shqetësim i shpeshtë si te meshkujt ashtu edhe te gratë, por ajo që bie më shumë në sy është fakti se te shumë persona flokët fillojnë të rrallohen pikërisht në pjesën e përparme të kokës, përgjatë vijës së ballit. Studimet shkencore tregojnë se kjo nuk ndodh rastësisht, por si rezultat i një kombinimi faktorësh biologjikë dhe hormonalë.

    Hormonet dhe roli i DHT-së

    Sipas American Academy of Dermatology, shkaku kryesor i rënies së flokëve në pjesën e përparme është ndjeshmëria e folikulave ndaj dihidrotestosteronit (DHT), një derivat i testosteronit. Ky hormon shkurton ciklin e rritjes së flokut, zvogëlon gradualisht folikulën dhe çon në prodhimin e flokëve gjithnjë e më të hollë, derisa rritja ndalon plotësisht. Ky proces njihet si alopecia androgjenetike, forma më e zakonshme e rënies së flokëve.

    Pse preket më shumë zona ballore?

    Studime të publikuara në Journal of Investigative Dermatology tregojnë se zona e përparme dhe ajo e sipërme e kokës kanë densitet më të lartë receptorësh për androgjenë dhe ndjeshmëri gjenetike më të madhe ndaj DHT-së. Në të kundërt, pjesa e pasme e kokës zakonisht ruan flokët, sepse folikulat aty janë më rezistente, fakt që shfrytëzohet edhe në transplantet e flokëve, transmeton Telegrafi.

    Qarkullimi i gjakut dhe inflamacioni i heshtur

    Sipas British Journal of Dermatology, në zonën ballore shpesh vërehet qarkullim më i dobët mikrovaskular dhe prani e inflamacionit kronik të lehtë. Këta faktorë përkeqësojnë furnizimin e folikulës me oksigjen dhe lëndë ushqyese, duke e përshpejtuar rënien e flokëve.

    Stresi – një përshpejtues i nënvlerësuar

    Hulumtimet tregojnë se kortizoli, hormoni i stresit, ndikon drejtpërdrejt në ciklin e rritjes së flokëve. Zona ballore, për shkak të ndjeshmërisë së saj hormonale, reagon më shpejt ndaj stresit kronik, duke e bërë rënien e flokëve më të dukshme pikërisht aty.

    Faktorë shtesë, veçanërisht te gratë

    Sipas Endocrine Reviews, te gratë rënia e flokëve në pjesën e përparme shpesh lidhet edhe me çrregullime të tiroides, sindromën e vezoreve policistike (PCOS), mungesë hekuri dhe ferritine, mungesë të vitaminës D, si dhe ndryshime hormonale pas lindjes ose gjatë menopauzës. Në këto raste, rënia mund të jetë më difuze, por zakonisht fillon nga vija e ballit.

    Çfarë ndihmon vërtet dhe çfarë është mit?

    Ekspertët theksojnë se rënia e flokëve në pjesën e përparme nuk është vetëm çështje estetike, por një proces biologjik që kërkon qasje të bazuar në prova shkencore.

    Çfarë funksionon realisht

    Diagnostikimi i hershëm dermatologjik
    Trajtimet e provuara klinikisht, si minoksidili topikal, sipas rekomandimit mjekësor
    Balancimi hormonal në rastet me çrregullime të dokumentuara
    Korrigjimi i mungesave ushqyese (hekuri, ferritina, vitamina D)
    Menaxhimi i stresit kronik dhe përmirësimi i stilit të jetesës
    Çfarë nuk ka bazë shkencore

    Vajrat apo preparatet “mrekulli” që premtojnë ndalje të plotë të rënies hormonale
    Shampot që pretendojnë rigjenerim të folikulave të vdekura
    Masazhet që supozohet se neutralizojnë efektin e DHT-së
    Suplementet e përdorura pa analiza paraprake dhe pa indikacion mjekësor
    Ekspertët sqarojnë se asnjë trajtim kozmetik nuk mund ta ndalë plotësisht rënien hormonale të flokëve, por ndërhyrja e hershme dhe e saktë mund ta ngadalësojë ndjeshëm procesin dhe të ruajë flokët ekzistues.

    Shënim editorial

    Ky artikull ka karakter informues dhe nuk zëvendëson këshillën mjekësore. Për vlerësim dhe trajtim të personalizuar, rekomandohet konsultë me dermatolog ose mjek specialist.

  • Noam Bettan përfaqëson Izraelin në Eurovision 2026

    Noam Bettan përfaqëson Izraelin në Eurovision 2026

    Noam Bettan do të përfaqësojë Izraelin në edicionin e 70-të të Festivalit të Këngës në Eurovision, i cili do të mbahet në Vjenë këtë maj.

    Ai fitoi konkursin “HaKokhav HaBa”.

    I njëjti e filloi karrierën e tij muzikore gjatë shërbimit të detyrueshëm ushtarak në IDF dhe tërhoqi vëmendjen e publikut vendas në vitin 2018 pasi fitoi vendin e tretë në konkursin “Aviv”.

    Në vitin 2024, publikoi këngën “Pokeach Einayim”, teksti i së cilës u shkrua nga komandanti i IDF-së, Yaron Oree Shay, i cili u vra në një sulm të Hamasit më 7 tetor 2023.

    Artisti deklaroi se ishte shumë krenar, falënderoi audiencën dhe tha se kishte pasur shumë ulje-ngritje në këtë udhëtim.

    “Mesazhi im për Evropën është të përgatitet. Do të sjellim një këngë lavdërimi, do të sjellim gjithçka që kemi. Do të sjellim dritë dhe dashuri dhe do të bashkohemi”, theksoi ndër tjerash.

    Siç dihet, Islanda, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja u tërhoqën nga Festivali i Këngës në Eurovision sepse Izraelit iu lejua të konkurronte.

    Gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 12 maj në Wiener Stadthalle.

    Gjysmëfinalja e dytë është planifikuar për 14 maj. Finalja e këtij konkursi muzikor do të mbahet më 16 maj.

  • Rinumërimi: Kurti dhe Konjufca kryesojnë me vota të hequra në Ferizaj

    Rinumërimi: Kurti dhe Konjufca kryesojnë me vota të hequra në Ferizaj

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna.

    Në Ferizaj, rezulton se numrin më të madh të votave të humbura e ka Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, me një diferencë prej 55 votash më pak.

    Pas tij renditen:

    Glauk Konjufca me 23 vota më pak,

    Fitim Haziri me 13 vota më pak,

    Albulena Haxhiu me 12 vota më pak,

    Artane Rizvanolli me 11 vota më pak,

    Arbërie Nagavci me 11 vota më pak,

    Fatmire Kollçaku me 11 vota më pak.

    Ky është rezultati nga rinumërimi i 98,68% të vendvotimeve.

    Po vazhdon rinumërimi në nivel vendi. KQZ ka procesuar 856 kuti nga 2,557 sosh apo 33,48 për qind të votave të rinumëruara në platformën elektronike të tyre.

  • Agron Shehaj dënohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

    Agron Shehaj dënohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

    Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për veprën penale të fyerjes.

    Sipas vendimit të gjykatës, Shehaj është shpallur fajtor dhe është detyruar të paguajë një gjobë prej 3 milionë lekësh të vjetra e cila përfshin shpenzimet e procesit gjyqësor.

    Gjykata dha pafajësi për akuzën e shpifjes.

    Çështja nisi pas një padie të depozituar nga Adriatik Lapaj, i cili e akuzoi Shehajn për shpifje, lidhur me deklarata publike ku pretendoheshin lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.

    Në deklaratat e tij, Agron Shehaj kishte akuzuar Lapajn se kishte përfituar 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK, pasi dyshohej se përdorej për pastrimin e parave të një grupi kriminal të njohur si “Çopjat”.

    Nga ana e tij, Adriatik Lapaj i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë shumë parash dhe se shumat e përmendura lidhen me detyrime të pretenduara për shërbime ligjore si avokat ndaj kompanisë në fjalë.

    Gjykata, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi dënimin e Shehajt për fyerje, duke mbyllur kështu procesin gjyqësor në shkallën e parë.

  • KEK: Rikthehet njësia A3, po operojmë me 5 njësi gjeneruese- garantohet qëndrueshmëria e sistemit elektroenergjetik

    KEK: Rikthehet njësia A3, po operojmë me 5 njësi gjeneruese- garantohet qëndrueshmëria e sistemit elektroenergjetik

    Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka rikthyer operimin në pesë njësi gjeneruese, pas rikthimit të njësisë A3.

    “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se Njësia A3 ka përfunduar me sukses të gjitha sanimet dhe ndërhyrjet teknike pas ndaljes së përkohshme. Njësia është startuar me sukses dhe sinkronizuar me rrjetin rreth orës 06:47, duke respektuar të gjitha standardet operacionale dhe parametrat e sigurisë.”

    Sipas KEK’ut kështu garantohen vazhdimësia e prodhimit, stabilitetit dhe qëndrueshmëria e plotë e sistemit elektroenergjetik.

    “Me rifillimin e operimit të A3, KEK sh.a. rikthen operimin me pesë (5) njësi gjeneruese aktive: A3, A4, A5, B1 dhe B2, për aq kohë sa lejojnë parametrat operacionalë, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e plotë të sistemit elektroenergjetik. Ky rezultat tregon aftësinë profesionale të ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të nevojshme në kohë optimale.”

    “KEK sh.a. falënderon stafin teknik dhe punonjësit për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm, të cilat sigurojnë funksionimin e besueshëm të sistemit dhe prodhimin e sigurt me energji elektrike për qytetarët. Korporata mbetet e përkushtuar ndaj prodhimit të vazhdueshëm të energjisë, stabilitetit të sistemit dhe besueshmërisë së plotë të rrjetit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.”

  • Përfundon rinumërimi në Skënderaj, këta janë kandidatët që iu hoqën votat

    Përfundon rinumërimi në Skënderaj, këta janë kandidatët që iu hoqën votat

    Për shkak të parregullësive në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në QNR po rinumërohen edhe një herë të gjitha kutitë e votimit.

    Në 72 vendvotimet e komunës së Skenderajt është kryer procesi i rinumërimit 100%.

    Kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakut, Bedri Hamzës, Sala Jasharit, Shahin Dervishajt e disa të tjerave iu janë hequr votat, raporton Insajderi.

    Më poshtë e gjeni listën e plotë të kandidatëve që tanimë kanë vota minus:

    Bedri Hamza -29

    Sala Jashari -36

    Arian Tahiri -10

    Mërgim Lushtaku -94

    Jakup Nura -32

    Xhevahir Geci -14

    Ganimete Musliu -20

    Ilir Murtezaj -25

    Vlora Çitaku -9

    Shahin Dervishaj -42

    Ariana Musliu Shoshi -30

    Uran Ismaili -11

    Artan Behrami -5

    Isak Neziri -9

    Gëzim Qerimi -8

    Besa Kabashi Ramas -2

    Enver Hoxhaj -22

    Musli Gucati -1

    Fadil Demaku -3

    Hajdar Beqa -3

    Rrahman Rama -4

    Nait Hasani -4

    Xhavit Haliti -16

    Idriz Vehapi -5

    Elmi Reçica -5

    Selver Xhelili -2