ATV

Author: K.B.

  • Historike, për herë të parë një person me karrocë shkon në hapësirë

    Historike, për herë të parë një person me karrocë shkon në hapësirë

    Një moment historik për eksplorimin hapësinor dhe përfshirjen sociale është shënuar këtë fundjavë. Michaela “Michi” Benthaus, 33 vjeçe, inxhiniere gjermane e hapësirës dhe mekatronikës në Agjencinë Europiane të Hapësirës (ESA), është bërë personi i parë në botë që udhëton në hapësirë duke përdorur karrocë.

    Benthaus kaloi përtej Vijës Kármán, kufiri i njohur ndërkombëtarisht i hapësirës në lartësinë 100 kilometra mbi nivelin e detit, gjatë një fluturimi suborbital me kapsulën New Shepard të kompanisë Blue Origin. Ngritja u realizua nga baza e kompanisë në Van Horn, Teksas, në kuadër të misionit NS-37. Fluturimi, që zgjati rreth 10 minuta, i ofroi ekuipazhit disa minuta pa gravitet, ku Benthaus përjetoi pamjen unike të Tokës nga hapësira. Ajo e përshkroi eksperiencën si intensive dhe jashtëzakonisht emocionale, duke theksuar se momenti i ngritjes ishte më mbresëlënësi.

    Inxhinierja gjermane përdor karrocë që prej vitit 2018, pas një aksidenti me biçikletë që i shkaktoi dëmtim të palcës kurrizore. Ajo ka deklaruar se më parë nuk e kishte konsideruar kurrë hapësirën si një mundësi reale për persona me aftësi të kufizuara. Përmes këtij misioni, Benthaus synon të nxisë përmirësimin e aksesit në fluturimet hapësinore dhe po mbledh fonde për kërkime shkencore mbi dëmtimet e palcës kurrizore. Udhëtimi i saj konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një epoke më gjithëpërfshirëse të eksplorimit hapësinor.

  • 11 fëmijë në Kosovë me sëmundjen e rrallë, MSH tender për furnizim me terapi në vlerë mbi 5 milionë euro

    11 fëmijë në Kosovë me sëmundjen e rrallë, MSH tender për furnizim me terapi në vlerë mbi 5 milionë euro

    Aktualisht, 11 fëmijë në vend janë duke u trajtuar për Atrofinë Muskulare Spinale (SMA), një sëmundje e rëndë dhe e rrallë gjenetike.

    Për të garantuar vazhdimësinë e këtij trajtimi jetik, Ministria e Shëndetësisë ka inicuar një procedurë të re prokurimi për furnizimin me këtë medikament, shkruan IndeksOnline.

    Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, kontrata e paraparë me titullin “Furnizim me risdiplam 0.75 mg/ml, bari për sëmundje të rënda dhe të rralla nga LBE”, me një kohëzgjatje prej 24-muajsh.

    Vlera e parashikuar e kontratës kap shifrën 5,385,415.48.

    Ministria bën të ditur se ky aktivitet nuk ka qenë i përfshirë në planin e prokurimit për vitin 2025, por është iniciuar si nevojë emergjente, për shkak të shpenzimit të parakohshëm të kontratës ekzistuese.

    Gjatë vitit 2025, në Repartin e Neurologjisë Pediatrike – Klinika e Pediatrisë, janë trajtuar gjithsej 11 fëmijë me Risdiplam, ndonëse kontrata e mëparshme kishte parashikuar mbulimin e trajtimit për 10 pacientë.

    Shtimi i një pacienti të ri gjatë vitit ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e shpenzueshmërisë së kontratës, duke bërë të domosdoshëm inicimin e një procedure të re.

    Duke u bazuar në incidencën e SMA-së, e cila vlerësohet rreth 1 në 10,000 lindje të gjalla, si edhe në përvojën e viteve të kaluara, Klinika ka planifikuar trajtimin e edhe dy fëmijëve shtesë, duke e çuar numrin total të pacientëve në 12.

    Autoritetet shëndetësore theksojnë se, për shkak të natyrës kritike të terapisë dhe rëndësisë së saj për jetën dhe cilësinë e jetës së pacientëve, ky aktivitet i prokurimit është inicuar para kohe, me qëllim të shmangies së mungesave në furnizim dhe sigurimit të vazhdimësisë së trajtimit për fëmijët e prekur nga kjo sëmundje e rrallë.

  • Dyshimet për manipulim votash, Policia konfirmon operacionin në Prizren

    Dyshimet për manipulim votash, Policia konfirmon operacionin në Prizren

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

    “Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij”, tha zëdhënësja e Policisë së Kosovës, major Luljeta Mehmeti për rtk.

    Në kuadër të hetimeve, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim, ndërsa gjatë ditës pritet të ketë edhe persona të ndaluar.

    Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë

    Mbi 100 zyrtarë raportohet se janë ftuar për intervistim, dyshohen për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

    Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

    Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.

  • Thellohet humbja e Fetah Paçarizit, i hiqen edhe mbi 700 vota tjera

    Thellohet humbja e Fetah Paçarizit, i hiqen edhe mbi 700 vota tjera

    Qendra’ e manipulimeve me votat e 28 dhjetorit po del të jetë Prizreni. Kjo komunë është veçuar si rasti më ekstrem, që e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vendos për rinumërim total në gjithë vendin.

    Rasti që deri më tash ka pasur më së shumti mospërputhje është te kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi, të cilit i janë hequr edhe më shumë vota – ndërsa procesi i rinumërimit ka mbërritur në gati 50% në nivel vendi.

    Aktualisht, bazuar në të dhënat e KQZ-së, Paçarizi ka 6 mijë e 750 vota. Pra nga përditësimet e kaluara, kur kishte 6 mijë e 28 vota më pak, tashmë ky numër është rritur.

    Vet kandidati kishte reaguar pas këtyre zhvillimeve që kanë bërë bujë javët e fundit, duke e cilësuar situatën si serioze dhe shqetësuese. Ai kishte kërkuar rinumërim të plotë me arsyetimin se vetëm transparenca e plotë mund të qartësojë çfarë ka ndodhur dhe të rikthejë besimin e qytetarëve.

    “Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore,” kishte shkruar ai para disa ditësh, duke insistuar se çdo parregullsi duhet të sqarohet deri në fund dhe secili person përgjegjës duhet të përballet me ligjin.

  • Video e çuditshme, Kim Jong iu shkon njerëzve në vizitë brenda saunës

    Video e çuditshme, Kim Jong iu shkon njerëzve në vizitë brenda saunës

    Në Korenë e Veriut, Kim Jong-un po përpiqet të projektojë një imazh afiniteti me njerëzit, duke rezultuar në disa pamje të çuditshme propagandistike.

    Diktatori shihet i veshur plotësisht i ulur pranë banorëve në një vendpushim mirëqenieje të rinovuar rishtazi për punëtorët.

    Pamje si kjo janë pjesë e propagandës televizive dhe e kundërta e krej asaj që ndodh në realitet me punëtorët dhe popullin koreano-verior nga sistemi diktatorial.

  • Studimi: Njerëzit që shohin shumë filma kanë më shumë gjasa të jenë të vetmuar

    Studimi: Njerëzit që shohin shumë filma kanë më shumë gjasa të jenë të vetmuar

    Një studim i ri sugjeron se shikimi i tepërt i filmave dhe serialeve televizive mund të mos jetë gjithmonë një zakon i padëmshëm, por në disa raste lidhet ngushtë me ndjenjën e vetmisë dhe izolimit social.

    Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore PLOS One, personat që shfaqin shenja varësie nga shikimi pa pushim i serialeve kanë më shumë gjasa të ndihen të vetmuar, krahasuar me ata që shikojnë shumë televizor, por pa shenja varësie.

    Studiuesit Xiaofan Yue dhe Xin Cui nga Universiteti Huangshan në Kinë analizuan të dhënat e 551 të rriturve që shikonin të paktën 3.5 orë televizor në ditë dhe më shumë se katër episode në javë. Nga ta, mbi 60 për qind plotësonin kriteret për varësi, të cilat përfshinin obsesionin, rritjen e vazhdueshme të konsumit dhe ndikime negative në jetën personale, punë dhe marrëdhënie.

    Rezultatet treguan se vetëm tek personat e varur nga shikimi i tepërt u vu re një lidhje e fortë mes vetmisë dhe kësaj sjelljeje, duke sugjeruar se faktorë psikologjikë, si nevoja për arratisje nga realiteti apo përmirësim emocional, luajnë një rol kyç.

    Sipas studiuesve, njerëzit që ndihen të vetmuar mund t’i drejtohen filmave dhe serialeve si një mënyrë për të shmangur emocionet negative ose për të gjetur ngushëllim të përkohshëm.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se vetmia prek rreth 16 për qind të popullsisë globale dhe paralajmëron se izolimi social lidhet me rreziqe serioze shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2, depresionin dhe ankthin.

    Megjithatë, autorët theksojnë se studimi nuk provon një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë dhe se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar nëse ulja e vetmisë mund të ndihmojë në parandalimin e varësisë nga shikimi i tepërt i filmave.

  • Selvije merr leje qëndrim 3-vjeçar në Itali për trajtimin e djalit pas vdekjes së Shpat Kasapit

    Selvije merr leje qëndrim 3-vjeçar në Itali për trajtimin e djalit pas vdekjes së Shpat Kasapit

    Përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, Selvije Kasapi, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, ka ndarë me ndjekësit një arritje të rëndësishme për të ardhmen e djalit të tyre, Roelit.

    Selvija ka bërë të ditur se ka siguruar lejen e qëndrimit 3-vjeçare në shtetin italian. Ky dokumentacion, sipas saj, është një hap i madh për shëndetin dhe mirëqenien e djalit të vogël.

    “Për shëndetin dhe të ardhmen e Roelit. Faleminderit përzemërsisht që në kohë rekord na ndihmuat të sigurojmë leje qëndrimi 3-vjeçare në Itali dhe jo vetëm!” – ka shkruar Selvija, duke falënderuar personat që e asistuan në këtë proces.

    Në mesazhin e saj, Selvija nuk ka lënë pa përmendur Shpatin, duke u shprehur se ai do të ishte krenar për këtë arritje, por premton se do ta çojë përpara misionin për djalin e tyre.

    “Shpati do ishte shumë i lumtur sot, por ne do ja dërgojmë amanetin deri në fund,” mbyll postimin e saj Selvija, duke prekur zemrat e të gjithë ndjekësve.

  • Filharmonia e Kosovës sonte sjell koncertin e parë të vitit 2026 nën dirigjimin e Marco Crispo

    Filharmonia e Kosovës sonte sjell koncertin e parë të vitit 2026 nën dirigjimin e Marco Crispo

    Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, sonte prej orës 19:30, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, do të mbajë koncertin e parë për vitin 2026, me një program të veçantë.

    Nën dirigjimin e italianit Marco Crispo, koncerti sjell flautisten nga Franca Iris Daveiro si soliste, në një program që ndërthur ngjyrën impresioniste dhe identitetin e muzikës shqiptare.
    Programi:
    C. Ives — The Unanswered Question
    C. Debussy — Prélude à l’après-midi d’un faune
    J. Ibert — Koncert për flaut — Soliste: Iris Daverio
    F. Beqiri — Skënderbeu
    I. Stravinsky — Suita “Zogu i Zjarrit” (1919).

  • Veliaj padit presidencën e Republikës dhe prokurorin e SPAK-ut, Olsi Dado

    Veliaj padit presidencën e Republikës dhe prokurorin e SPAK-ut, Olsi Dado

    Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar sot në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë-padi ndaj institucionit të presidentit të Republikës së Shqipërisë (mandati 2007–2012) dhe prokurorit të posaçëm Ols Dado.

    Në padi kërkohet konstatimi i pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008 për emërimin e Olsi Dados si prokuror, në një kohë kur, sipas Veliajt, ligji nuk e lejonte këtë pa kryer më parë shkollën e magjistraturës, pasi ai ishte noter, raporton Euronewsalbania.

    Sipas padisë, emërimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit Olsi Dado nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit, për shkak të mungesës së arsimit përkatës në shkollën e magjistraturës.

    Veliaj kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe të ushtrimit, sipas tij të paligjshëm, të detyrës së prokurorit nga Olsi Dado.

    Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të ndërmarra ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi të cilësuar si “nul ab initio”, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, si dhe familjes dhe personit të tij.

    Sipas padisë, Olsi Dado i është propozuar presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama, ndërkohë që ai nuk plotësonte kushtet ligjore, pasi ishte vetëm noter dhe pa kryer shkollën e magjistraturës. Pavarësisht kësaj, presidenca e ka dekretuar emërimin e tij si prokuror.

  • Japonia shpërndan parlamentin, zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt

    Japonia shpërndan parlamentin, zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt

    Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka shpërndarë parlamentin të premten, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 8 shkurt.

    Vendimi u formalizua me leximin e një letre nga kryetari i parlamentit, ndërsa deputetët brohoritën me thirrjen tradicionale “banzai”. Me shpërndarjen e Dhomës së Ulët me 465 anëtarë, fushata zgjedhore 12-ditore do të nisë zyrtarisht të martën, raporton “Al Jazeera”.

    Takaichi, e zgjedhur në tetor si kryeministrja e parë grua në historinë e Japonisë, ka qenë në detyrë vetëm tre muaj, por gëzon mbështetje të lartë publike, rreth 70 për qind. Ajo synon të shfrytëzojë popullaritetin personal për të forcuar pozitën e partisë së saj në pushtet.

    Koalicioni qeverisës i Partisë Liberaldemokrate dhe Partisë së Inovacionit të Japonisë mban aktualisht një shumicë të ngushtë në Dhomën e Ulët.

    Sipas analistëve, megjithatë, mbetet e paqartë nëse popullariteti i kryeministres do të përkthehet në mbështetje për partinë. Çështjet kryesore të fushatës pritet të jenë inflacioni dhe rritja e çmimeve, si dhe siguria rajonale.

    Tensionet me Kinën janë rritur muajt e fundit, pasi Takaichi ka deklaruar se Japonia mund të përfshihet në rast të një veprimi ushtarak kinez ndaj Tajvanit, çka ka sjellë reagime të ashpra diplomatike dhe ekonomike nga Pekini.