ATV

Author: K.B.

  • Gati 900 plus, Arian Tahirit iu shtuan më së shumti vota gjatë rinumërimit

    Gati 900 plus, Arian Tahirit iu shtuan më së shumti vota gjatë rinumërimit

    Rinumërimi në gjithë vendin po nxjerrë në pah manipulimet në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Shumë kandidatë po humbin vota, si rezultat i verifikimit të secilit vendvotim, ndërsa të tjerëve po iu shtohen votat që dyshohet se iu ‘zhdukën’.

    Kandidati që deri më tash ka marrë më së shumti vota plus është Arian Tahiri i PDK-së, raporton Klankosova.tv

    Tahirit deri më tash kur janë rinumëruar mbi 50% e vendvotimeve, i janë shtuar 873 vota.

    Ndërsa kandidati, të cilit i janë hequr numër i madh votash është Fetah Paçarizi i kësaj partie.

    Për gjithë skandalin me manipulime votash, vet lideri i këtij subjekti politik, Bedri Hamza, në ‘Rubikon’ në Klan Kosova, u tregua goxha i ashpër me bashkëpartiakët e tij dhe theksoi se nëse faktohet vjedhja e votave brenda partisë, si akt moral, kandidatët për deputetë nuk duhet ta pranojnë mandatin.

    “Ti mundesh me i pasë 50 mijë vota, 100 mijë vota, por nëse të janë shtuar votat, konstatohet edhe faktohet se ti je pjesë e saj, nuk mund të thuash ti se unë edhe pa këto vota bëhem deputet”, deklaroi Hamza në Klan Kosova.

  • Avokati i komisioneres së arrestuar të VV-së: Klientja më tha se ka nënshkruar dokument pa e ditur çka po nënshkruan

    Avokati i komisioneres së arrestuar të VV-së: Klientja më tha se ka nënshkruar dokument pa e ditur çka po nënshkruan

    Avokati Gent Gjini, që ka kliente një nga të arrestuarat në cilësinë e komisioneres së partisë Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, thotë se klientja e tij ‘ka nënshkruar dokument të cilin nuk e ka kuptuar’.

    “Klientja ka thënë se gjatë intervistimit, ajo thekson që unë kam nënshkruar dokument por nuk e kam ditë se cka po nënshkruaj” – tha avokati Gjini në një lidhje të drejtpëdrejtë me televizionin 7.

    “Ajo kur është kthyer procesi i fletëvotimeve, ka parë që deri aty procesi ka vijuar i rregullt, nuk ka pasë dyshim që dikush ka intereferuar, por ne e kemi parë tek pas dy javësh që ka vjedhje industrial të votave.

    Kjo komisionerja e partisë së Vetëvendosjes, ka rënë pre e dallavereve, është e pafajshme” – ka thënë avokati.

  • Rinumërohen 50% të votave, në këtë link i gjeni rezultatet

    Rinumërohen 50% të votave, në këtë link i gjeni rezultatet

    Procesi i numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNE) është përmbyllur plotësisht në 19 komuna, ku tashmë janë përditësuar mbi 50% e vendvotimeve në gjithë vendin.

    Për pjesën tjetër po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas vendimit të KQZ-së.

    Në këtë LINK mund t’i gjeni rezultatet që tashmë janë procesuar.

    Kujtojmë se vendi shkoi në rinumërim të tërësishëm pas dallavereve gjatë numërimit, për çka sot pati edhe aksion në Prizren, ku u arrestuan mbi 100 zyrtarë komisionerë.

  • Emilja Rexhepi reagon pas arrestimit të një komisionieri të NDS-së: Po sulmohem politikisht

    Emilja Rexhepi reagon pas arrestimit të një komisionieri të NDS-së: Po sulmohem politikisht

    Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Prizren është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

    Në mesin e shumë të arrestuarve dhe të dyshuarve, është edhe një komisionier i partisë boshnjake NDS. për këtë, ka reaguar Emilija Rexhepi.

    Ajo ka thënë se sulmet orkestrale ndaj saj në media janë të qëllimshme.

    “Prej qindra personave të dyshuar e të arrestuar, në media sot po lakohet me titull që është arrestuar një komisioner i imi. Ky është sulm i qëllimshëm për të më dëmtuar mua. Përgjegjësia është individuale dhe secili person mbanë përgjegjësi për veprimet e tij. Avokatët duhet me respektu etikën e punës dhe nuk duhet të më targetojnë mua në media. E turpshme se si krejt mediat kanë humbur profesionalizmin dhe kanë vendosur foton time në ballinat e tyre. Pse nuk publikohen lajmet për arrestimin e komisionerëve të PDK-së ku vjedhja e votave kap shifrën me mijëra sosh” ka thënë Emilija Rexhepi për Indeksonline.

  • Gjykata e Strasburgut pranon ta shqyrtojë ankesën e Pjetër Shalës

    Gjykata e Strasburgut pranon ta shqyrtojë ankesën e Pjetër Shalës

    Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar pranimin e padisë me numër 35860/25, të iniciuar nga Shala kundër Austrisë dhe 26 shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

    Sipas njoftimit zyrtar të Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, padia është regjistruar më 14 nëntor 2025, ndërsa Gjykata ka pranuar edhe korrespondencën shtesë të datës 11 dhjetor 2025.

    Në letër thuhet se Gjykata do ta trajtojë rastin sa më shpejt që të jetë e mundur, bazuar në informacionet dhe dokumentet e dorëzuara. Procedurat do të zhvillohen kryesisht në formë të shkruar dhe paraqitja fizike e palëve do të kërkohet vetëm nëse Gjykata e vlerëson të nevojshme.

    Po ashtu, palët janë obliguar që ta njoftojnë Gjykatën për çdo ndryshim të adresës ose e-mailit, si dhe për çdo zhvillim të rëndësishëm që lidhet me këtë çështje. Gjykata paralajmëron se mosreagimi ndaj kërkesave eventuale për informata shtesë mund të çojë në largimin e çështjes nga lista e rasteve në shqyrtim.

    Vendimet dhe njoftimet e mëtejme lidhur me këtë rast do t’u komunikohen palëve në kohën e duhur.

    Dokumenti është shprëndarë nga Nasim Haradinaj.

  • Takimi në Bruksel, Sorensen: Një hap drejt sqarimit të fatit të të zhdukurve

    Takimi në Bruksel, Sorensen: Një hap drejt sqarimit të fatit të të zhdukurve

    Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, konfirmoi se gjatë ditës së djeshme është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, në përputhje me deklaratën e arritur mes liderëve në maj të vitit 2023.

    “Objektivi i Komisionit të Përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, të sigurojë mbyllje për familjet e tyre dhe të nxisë pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”, deklaroi Sorensen.

    Komisioni do të mbështesë përpjekjet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i cili udhëhiqet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Roli i tij përfshin lehtësimin e aktivitetit të palëve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shqyrtimin e progresit.

    Sipas dakordimit, çdo palë – Lehtësuesi i BE-së, Kosova, Serbia apo Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq – mund t’i referojë Komisionit çështje që lidhen me zbatimin ose interpretimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë rishikimin e Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme të Grupit të Punës.

    “BE-ja i kushton shumë vëmendje faktit që Komisioni i Përbashkët do të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe në ndihmën për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur shumë gjatë për përgjigje”, shtoi Sorensen.

    Takimi i 22 janarit në nivel kryenegociatorësh është vazhdimësi e ujdisë së arritur në dhjetor të vitit 2024 për Termat e Referencës të Komisionit. Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq përfaqësojnë Kosovën dhe Serbinë, ndërsa në takimet e ardhshme, sipas paralajmërimeve, Kosovën pritet ta përfaqësojë Andin Hoti.

  • Ekipi i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë dërgohet në shkollën ku Specialja ligjëroi para nxënësve

    Ekipi i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë dërgohet në shkollën ku Specialja ligjëroi para nxënësve

    Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, bëri të ditur se Drejtoria tashmë ka dërguar një ekip në shkollë për të mbledhur informacione dhe për të shqyrtuar dokumentacionin lidhur me organizimin e aktivitetit që Gjykata Speciale ka mbajtur në gjimnazin “Xhevdet Dodaj” në Prishtinë, raporton EO.

    “Informata që kemi marrë dje nga drejtori i shkollës veç se i kemi nda me media dje gjatë pasdites. Sot që po flasim tash me ju veç se kemi një ekip të Drejtorisë së Arsimit që ka shkuar në shkollë dhe aktualisht është duke marrë informata të plota, duke parë dokumentacionin dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me një aktivitet të tillë pa lejen dhe njoftimin e drejtorisë. Në bazë të procesverbalit që do të nxirret sot apo më së largu të hënën konform procedurave dhe ligjeve”, tha ai.

    Edhe kryetar i Këshillit të Prindërve, Nexhmi Hoxha, tha se janë kundër që ligjerata të tilla të mbahne ne shkolla.

    “Një diçka që e cenon integritetin e fëmijëve tanë ne jemi kundër, besoj që është dashur me qenë në koordinim me drejtorin e arsimit, por edhe i njoftuar edhe këshilli drejtues i shkollës që mendoj që e kanë marrë këtë vendim. Ne kërkojmë nga Drejtoria e Arsimit, nga drejtorët që organizata të tilla, të cilat vijnë me ligjëruar me forma të ndryshme, ligjërime të ndryshme, të kenë kujdes edhe drejtorët, edhe Drejtoria e Arsimit të kenë kujdes se çka po i ofrojnë fëmijëve tanë”, tha ai.

  • Dhëndri i Trumpit zbuloi masterplanin për rindërtimin e Gazës, çka përfshin?

    Dhëndri i Trumpit zbuloi masterplanin për rindërtimin e Gazës, çka përfshin?

    “Ne kemi një plan të përgjithshëm… Nuk ka Plan B”, tha dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, duke zbuluar vizionin e tij për Gazën e pasluftës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

    Nëse dështon, tha ai, faji do të ishte i lehtë për t’u hedhur. “Nëse Hamasi nuk demilitarizohet, kjo do të jetë ajo që i pengon njerëzit e Gazës të arrijnë aspiratat e tyre”, tha ai të enjten.

    Prezantimi i tij u zhvillua pas nënshkrimit të kartës për “Bordin e Paqes” të Trump, që përfaqëson fazën tjetër në planin e armëpushimit prej 20 pikash të rënë dakord midis Izraelit dhe Hamasit.

    Ja pikat kryesore në prezantimin e tij:

    Një zonë “turizmi bregdetar” do të shtrihej përgjatë bregdetit – mjaftueshëm e gjatë për deri në 180 rrokaqiej, shumë prej të cilëve me shumë gjasa do të caktoheshin si hotele.

    Një port u tregua në skajin jugperëndimor të Gazës, përgjatë kufirit me Egjiptin, dhe menjëherë në brendësi të portit, harta tregonte zonimin për një aeroport.

    Në “Rafah të Ri”, do të ndërtohen më shumë se 100,000 njësi banimi të përhershme, së bashku me mbi 200 shkolla dhe më shumë se 75 objekte mjekësore, tha ai. Ai shprehu shpresën se ndërtimi do të përfundojë brenda dy deri në tre vjetësh. Puna për heqjen e rrënojave ka filluar tashmë, tha ai.

    Një “Gaza e Re” do të jetë një qendër industrie, me qëllim arritjen e 100% punësimit të plotë, tha Kushner. Imazhet e gjeneruara nga kompjuteri sugjerojnë një metropol që ka një ngjashmëri të fortë me qytetet e Gjirit Persik si Doha dhe Dubai, me akomodime të shkëlqyera buzë ujit dhe vendndodhje zyrash.

    Qeveritë do të japin kontributet e para, tha Kushner, me njoftimet fillestare që do të vijnë në një konferencë në Uashington në dy javët e ardhshme. Ai gjithashtu i bëri thirrje sektorit privat të paraqitet, duke premtuar “mundësi të mahnitshme investimi”.

  • Si ndikojnë të ftohtit dhe kushtet atmosferike në venat dhe cilat simptoma kërkojnë reagim urgjent

    Si ndikojnë të ftohtit dhe kushtet atmosferike në venat dhe cilat simptoma kërkojnë reagim urgjent

    Lehtësimi dimëror shpesh i mashtron pacientët që ta shtyjnë trajtimin, ndërsa disa simptoma tregojnë qartë se është koha të reagoni menjëherë

    Shumë persona me vena të zgjeruara pikërisht gjatë dimrit ndjejnë lehtësim, sepse këmbët u ënjten më pak, dhimbjet janë më të lehta dhe shqetësimet e përditshme duket sikur tërhiqen. Në këtë periudhë shpesh krijohet përshtypja se problemi nuk është më aq serioz, ndaj vendimi për trajtim shtyhet. Megjithatë, me ardhjen e ditëve më të ngrohta simptomat rikthehen, shpesh edhe më të theksuara se më parë: ënjtjet janë më të mëdha, dhimbjet më intensive dhe komplikimet më të shpeshta. A do të thotë kjo se gjendja përkeqësohet pashmangshëm nga viti në vit? Sa ndikon realisht stina në ecurinë e sëmundjes dhe a paraqet vera pengesë për trajtim?

    Simptomat mund të jenë më pak të theksuara dhe pacientët shpesh mendojnë se nuk kanë më problem ose e shtyjnë trajtimin me justifikime të ndryshme. Gjatë verës ndodh zgjerimi i enëve të gjakut dhe atëherë shqetësimet janë më të forta. Në dimër, enët e gjakut tkurren, ndaj enjtjet, dhimbjet dhe shqetësimet janë më të lehta, prandaj krijohet përshtypja se gjendja është përmirësuar. Në verë, enët zgjerohen, ënjtjet rriten dhe komplikimet janë më të shpeshta, prandaj është e pritshme që problemet me venat të dyfishohen gjatë muajve të verës. Ky mekanizëm përputhet edhe me shpjegimet fiziologjike të përshkruara nga American College of Phlebology, sipas të cilave temperatura e lartë ndikon drejtpërdrejt në zgjerimin venoz dhe përkeqësimin e simptomave, transmeton Telegrafi.

    Edhe të ftohtit ekstrem mund të shkaktojë probleme te disa pacientë. Është interesante se një pjesë e tyre raportojnë shqetësime më të forta pikërisht gjatë muajve të dimrit.

    Për këtë dukuri nuk ekziston një shpjegim i qartë shkencor, por është shumë e rëndësishme të dëgjohet pacienti. Mjekësia është e bazuar në prova, por nuk është një shkencë plotësisht ekzakte. Nuk mund të “ndryshojmë” një pjesë të trupit për ta zgjidhur problemin menjëherë, prandaj duhet t’i kushtojmë vëmendje simptomave që përshkruan pacienti. Edhe World Health Organization thekson se menaxhimi i sëmundjeve kronike kërkon qasje individuale dhe vlerësim të vazhdueshëm të simptomave.

    Sezoni ndikon edhe në vendimin e pacientëve për t’u operuar. Më shumë ndërhyrje realizohen gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës, ndërsa më rrallë gjatë verës. Arsyeja është e thjeshtë: njerëzit planifikojnë pushimet vjetore dhe nuk duan të prishin ritmin e përditshëm.

    Qëllimi i operacioneve me laser dhe procedurave minimalisht invazive është që të përshtaten me jetën e përditshme. Operacioni i venave nuk është ndërhyrje urgjente dhe shpesh shtyhet për arsye praktike, jo për shkak të miteve se “nuk duhet bërë gjatë verës”. Nëse dëshironi të shkoni me pushime, por trajtimin duhet ta planifikoni. Nuk duhet t’u nënshtrohemi miteve, por të udhëhiqemi nga nevojat reale shëndetësore.

    Simptomat që nuk duhen shtyrë
    Edhe pse shumë pacientë jetojnë me vite me simptomat e venave të zgjeruara dhe janë mësuar me shqetësimin e përditshëm, ekzistojnë situata që nuk duhet të injorohen.

    Shqetësimet e lehta nuk janë urgjente, por dhimbja e fortë, skuqja, fortësia e venës dhe enjtja kërkojnë reagim të shpejtë. Kur shfaqen ndryshime në lëkurë ose ënjtje të theksuara, bëhet fjalë për një fazë të avancuar të sëmundjes dhe trajtimi nuk duhet të shtyhet. Koha më e mirë për operacion është sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, ndodh që pacientët edhe me plagë venoze të thonë se do të shkojnë në pushime dhe do të paraqiten pas kthimit. Kjo është zgjedhja e tyre, por nga ana mjekësore nuk rekomandohet.

    Si duket ndërhyrja?
    Nëse ekzistojnë sëmundje shoqëruese të lidhura me venat, kryhen konsultime shtesë dhe përcaktohen masat terapeutike.

    Rrallëherë ekzistojnë kundërindikacione për ndërhyrje, pasi ajo kryhet nën anestezi lokale. Numri i pacientëve që nuk e tolerojnë është shumë i vogël. Nëse mund të toleroni trajtimin te dentisti, mundeni edhe këtu. Mosha e pacientëve tanë varion nga 14 deri në 91 vjeç.

    Operacioni me laser i venave është një metodë minimalisht invazive që zgjat rreth 40 minuta deri në një orë për të dyja këmbët. Rikuperimi është i shpejtë dhe kthimi në aktivitetet e përditshme po ashtu. Kërkesa e vetme është që pacienti të ecë sa më shumë pas ndërhyrjes.

    Këshilla kryesore për pacientët është të mos i zgjidhin problemet vetë, por të kërkojnë ndihmë profesionale. Nëse rekomandohet operacioni me laser, nuk duhet të shtyhet gjatë dhe nuk duhet të ketë frikë. Ky nuk është një operacion që shpëton jetën, por një ndërhyrje që e përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës. Po aq e rëndësishme është edhe ndryshimi i zakoneve të këqija, sepse kjo ndihmon jo vetëm shëndetin e venave, por shëndetin e përgjithshëm.

  • Qyteti më i ftohtë në botë: Shtëpitë nuk kanë tualete, por kanë nga tre dyer – ja si jetohet në -71°C

    Qyteti më i ftohtë në botë: Shtëpitë nuk kanë tualete, por kanë nga tre dyer – ja si jetohet në -71°C

    Në Jakutsk, ajri të djeg si akulli, vetura nuk guxon të fiket natën dhe toka nuk shkrin kurrë. Megjithatë, mbi 350 mijë njerëz jetojnë aty çdo ditë

    Kur te ne temperaturat zbresin nën zero, shumëkush mezi del nga shtëpia. Por këto ditë duken pothuajse pranverore krahasuar me atë që përjetojnë banorët e Jakutskut, qytetit më të ftohtë në botë. Ky qytet rus, që ndodhet rreth 450 kilometra në jug të Rrethit Arktik, përjeton rregullisht temperatura prej -45°C, ndërsa mesatarja e janarit shkon rreth -50°C. Rekordi absolut i të ftohtit, -71°C, është matur në fshatin Ojmjakon, i cili konsiderohet vendi i banuar më i ftohtë në planet.

    Në këtë klimë ekstreme, ajri është aq i ftohtë sa të mpin lëkurën brenda pak minutash. Frymëmarrja bëhet e dhimbshme, qerpikët ngrijnë, ndërsa metali të “djeg” po ta prekësh me dorë të zhveshur. Ngrirjet janë rrezik i përditshëm dhe njerëzit dalin nga shtëpia vetëm të mbështjellë me disa shtresa rrobash speciale. Edhe pështyma ngrin para se të prekë tokën.

    Jakutsku është ndërtuar mbi permafrost, tokë që nuk shkrin kurrë, as në verë. Për këtë arsye, ndërtesat nuk ndërtohen drejtpërdrejt mbi tokë, por mbi shtylla, që nxehtësia e tyre të mos e shkrijë dhe destabilizojë bazamentin. Tubat e ujit dhe kanalizimit janë të izoluar në mënyrë ekstreme ose vendosen mbi tokë. Në disa zona, sidomos në fshatra si Ojmjakoni, nuk ka fare kanalizim, sepse tubat do të ngrinin, prandaj tualetet ndodhen jashtë shtëpisë edhe kur jashtë është -50°C.

    Për të mos lejuar që ajri polar të hyjë drejtpërdrejt brenda, shumë shtëpi dhe ndërtesa kanë dy ose edhe tre dyer njëra pas tjetrës, si një zonë tampon që ruan nxehtësinë. Shkallët e jashtme shpesh mbulohen me goma ose tapete, sepse gjithçka është vazhdimisht e ngrirë dhe rrëshqitëse.

    Edhe makinat këtu ‘jetojnë’ ndryshe. Ata që nuk kanë garazhe të ngrohura, i lënë motorët ndezur gjithë natën, sepse në të kundërt, në mëngjes nuk do të mund t’i ndezin më. Nafta dhe vaji i motorit ngurtësohen nga të ftohtit. Edhe telefonat dhe kamerat ngrijnë dhe fiken pas pak minutash jashtë.

    Në tregje, peshqit shiten të ngrirë, të drejtë si shkopinj druri. Prerja bëhet me sëpatë ose sharrë, jo me thikë. Ushqimi ruhet natyrshëm në të ftohtë, pa frigorifer. Paradoksi është se gjatë verës, kur temperaturat mund të ngjiten edhe mbi 30°C, qyteti përballet me shumë mushkonja, sepse ndodhet pranë lumit Lena ka shumë ujëra të ndenjura edhe pse toka poshtë mbetet gjithmonë e ngrirë.

    Jakutsku ka rreth 355 mijë banorë, të cilët merren kryesisht me blegtori, peshkim dhe industri minerare. Në reportazhe, shumë prej tyre thonë se trupi dhe mendja thjesht mësohen me këtë klimë. “Për ne, kjo është normale”, thonë. Fëmijët zakonisht shkojnë në shkollë edhe në -40°C; mësimi anulohet vetëm kur temperatura bie nën -50°C.

    Në këtë qytet, syzet mund të ngjiten në fytyrë po t’i prekësh me dorë të zhveshur, metali të djeg nga të ftohtit njësoj si zjarri, ndërsa në varreza hapja e një varri është pothuajse e pamundur, sepse toka është e fortë si betoni.

    Jakutsku nuk është thjesht qyteti më i ftohtë në botë. Ai është dëshmi e jashtëzakonshme se deri ku mund të shkojë përshtatja e njeriut dhe se edhe në kushtet më ekstreme të planetit, jeta gjen mënyrën për të vazhduar.