ATV

Author: K.B.

  • PDK thërret konferencë për media

    PDK thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur konferencë për media sot.

    Sipas njoftimit konferenca do të mbahet në ora 14:00 në selinë e PDK-së.

    Njoftimi:

    Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Vendi: Selia Qendrore e PDK-së

    Koha: 14:00

  • 80 persona të arrestuar për 24-orë, Policia njofton se ka shqiptuar mbi 2 mijë e 200 gjoba trafiku

    80 persona të arrestuar për 24-orë, Policia njofton se ka shqiptuar mbi 2 mijë e 200 gjoba trafiku

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit janë shqiptuar mbi 2 mijë e 200 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj kohe, janë raportuar të kenë ndodhur mbi 50 aksidente.

    Aty shtohet edhe se janë arrestuar 80 persona, nga të cilët 15 janë dërguar në mbajtje.

  • “Do të vrasësh veten, do prekësh fundin”, Ogren Balluku rrëfen: Neda më dhunonte përpara fëmijëve

    “Do të vrasësh veten, do prekësh fundin”, Ogren Balluku rrëfen: Neda më dhunonte përpara fëmijëve

    Ndarja e bujshme e moderatores Neda Balluku nga bashkëshorti i saj, Ogren Balluku, vëllai i zv/kryeministres Belinda Balluku, vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike, teksa dalin në dritë detaje të reja nga përplasja mes tyre, e cila ka përfunduar në dyert e drejtësisë.

    Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Balluku, për shkak të dhunës së pretenduar nga bashkëshorti i saj. Vendimi erdhi pas kallëzimit të paraqitur nga moderatorja, e cila kërkoi mbrojtje ligjore për veten.

    Vetëm pak ditë më pas, ishte vetë Ogren Balluku ai që iu drejtua gjykatës me një kërkesë për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, duke pretenduar se ishte subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale, psikologjike dhe herë pas here edhe fizike nga bashkëshortja.

    Në dëshminë e dhënë para Gjykatës së Tiranës, Ogren Balluku deklaroi se është ofenduar rëndë me fjalë si “ordiner, kafshë, kriminel dhe hajdut”, ndërsa shtoi se është kërcënuar edhe me shprehje të rënda si “Do të bëj të vrasësh veten, do prekësh fundin, mos gjetsh varr”.

    Ai pohoi gjithashtu se ndihet i përndjekur dhe i survejuar, duke pretenduar se Neda Balluku ka hapur kamerat e supermarketeve për të ndjekur lëvizjet e tij dhe të fëmijëve, si edhe ka paraqitur prova në gjykatë që, sipas tij, dëshmojnë përgjimin e banesës së tij.

    Në dëshminë e depozituar, Ogren Balluku shprehet:

    “Kam pasur shqetësime të vazhdueshme nga bashkëshortja ime Neda Balluku dhe do të kërkoj të pajisem me urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për vete dhe djalin tim. Jam i dhunuar verbalisht me fjalët më të ulëta që mund t’i thuhen një njeriu si ordiner, hajdut, kriminel, kafshë. Më kërcënon verbalisht me fjalët do të bëj të vrasësh veten, do prekësh fundin, mos gjetsh varr. Unë dhe dy djemtë e mi jemi të përgjuar në shtëpinë tonë. Ditën e premte, më datë 16.01.2026, të dy djemtë janë përballur me dhunë psikologjike në ambientet e shkollës Viktor Hygo”.

    Megjithatë, pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e saj, duke mos pranuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj Neda Ballukut.

    Nga ana tjetër, Neda Balluku ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se ish bashkëshorti e pengon në mënyrë të paligjshme të takojë fëmijët, e nxjerr nga banesa dhe e ofendon në sy të tyre, duke i manipuluar kundër saj.

    Në dëshminë e saj para gjykatës, ajo ka deklaruar:

    “Kam për të deklaruar se për datën 20.01.2026 unë me shtetasin Ogren jam takuar vetëm në sallën e gjyqit. Nuk e kam kërcënuar apo dhunuar fizikisht apo psikologjikisht këtë shtetas. Kam shkuar në shkollë për të takuar fëmijët sipas vendimit të gjykatës, por nuk jam lejuar. Ai ofendon, shan dhe denigron mua në sy të fëmijëve. Kam bërë disa kallëzime dhe kam marrë urdhër mbrojtjeje sepse nuk më lejonte të takoja vajzën sipas vendimit të gjykatës”.

    Sipas saj, kërkesa e Ogren Ballukut për urdhër mbrojtjeje është bërë si kundërpeshë ndaj vendimit të mëparshëm të marrë në favor të saj dhe si tentativë për të penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me takimin me fëmijët.

  • Çfarë kërkoi Salih Mustafa nga Gjykata e Hagës në kohën sa e kishte babanë ende gjallë?

    Çfarë kërkoi Salih Mustafa nga Gjykata e Hagës në kohën sa e kishte babanë ende gjallë?

    Babai i Salih Mustafës ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit 2025. Por, para kësaj, Mustafa- i cili është dënuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, kishte kërkuar lirimin e përkohshëm nga kjo Gjykatë, por nuk iu aprovua.

    Në parashtrimin e tij, të dorëzuar përmes mbrojtjes, Mustafa specifikoi se gjendja e babait tij ishte përkeqësuar deri në atë masë sa nuk mund t’i mbijetonte sëmundjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Gjendja shëndetësore e babait të Mustafës është jashtëzakonisht e rëndë dhe kritike. [REDAKTUAR]. Një raport mjekësor, së bashku me përkthimin e tij zyrtar, gjendet në Aneksin 1 të këtij dokumenti. [REDAKTUAR] e babait të Mustafës dhe po e monitoron gjendjen. Të gjitha perspektivat që babai i Mustafës të mbijetojë në këtë fazë janë shumë të zymta”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.

    Mustafa kishte kërkuar që t’iu mundesohet që ta vizitojë babanë e tij dhe siç kishte specifikuar mbrojtja e tij, se është e rëndësishme që të veprohet shpejt në mënyrë që klienti i tij të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të prindit të tij sa ende ai ishte gjallë.

    “Mustafa kërkon të lirohet përkohësisht me qëllim që të vizitojë babain e tij [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR].Është e rëndësishme të veprohet shpejt në mënyrë që – në rast se babai ndërron jetë – Mustafa të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të babait të tij, sa ai është ende gjallë. Për arsye humanitare, Mbrojtja kërkon lirimin e përkohshëm të Mustafës, dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes të dorëzuar më 21 dhjetor 2025.

    Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.

    Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

    Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

    Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

    “Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

    Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

    Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

    Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Serish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.

    Kronologjinë e rastit ndaj Salih Mustafës, mund ta lexoni KËTU. Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

  • Çfarë dihet deri tani për iPhone 18

    Çfarë dihet deri tani për iPhone 18

    Prezantimet e iPhone nga Apple janë gjithmonë një çështje e rëndësishme dhe viti 2026 nuk do të jetë ndryshe.

    Por këtë vit, gjërat mund të duken paksa të pazakonta.

    Po, thashethemet sugjerojnë se iPhone 18 bazë mund të mos vijë me pjesën tjetër të linjës në shtator të këtij viti.

    Në vend të kësaj, mund ta shohim të lansohet në pranverën e vitit 2027, duke ia lënë lansimin në vjeshtë iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe iPhone-it të palosshëm të shumëpritur.

    Dhe kjo na jep muaj të tërë spekulimesh dhe rrjedhjesh informacioni për të diskutuar, por prapëseprapë, ja çfarë dihet deri më tani për modelin e ardhshëm standard.

    iPhone 18 bazë mund të ketë një RAM të shtuar, me thashethemet që flasin për 12 GB – më shumë nga 8 GB e iPhone 17 dhe që është e barabartë me modelet Pro.

    Kjo memorie shtesë mund të bëjë një ndryshim të vërtetë, veçanërisht pasi Apple sjell më shumë funksione të mundësuara nga Al dhe Siri-n e përmirësuar.

    Me 12 GB RAM, iPhone-i standard duhet të përballojë shumë detyra njëkohësisht pa mundim, duke i mbajtur aplikacionet dhe veçoritë e Apple Intelligence të funksionojnë pa probleme.

    iPhone 18 bazë mund të debutojë gjithashtu me modemin C2 të Apple , një pasardhës i C1 të cilin mund ta gjeni brenda iPhone 16e.

    Ky çip 5G i gjeneratës së ardhshme mund të zvogëlojë varësinë e Apple nga Qualcomm.

    iPhone 18 pritet gjithashtu të marrë një përmirësim të madh të performancës falë çipit A20. I ndërtuar në një proces 2 nm, A20 mund të jetë rreth 15% më i shpejtë se A19 në iPhone 17, ndërsa përdor afërsisht 30% më pak energji .

    Transistorët më të vegjël nënkuptojnë që telefoni funksionon më ftohtë dhe më me efikasitet, gjë që ndihmon me jetëgjatësinë e baterisë dhe parandalon mbinxehjen gjatë përdorimit.

    Ndër tjera, pritet të ketë kontrolle më inteligjente të kamerës dhe një iOS të ri.

    Edhe pse flitet se Apple mund të mos lansojë të gjithë linjën bashkë, asgjë nuk është konfirmuar ende.

  • Për herë të parë në histori: Roboti ukrainas me inteligjencë artificiale kap tre ushtarë rusë

    Për herë të parë në histori: Roboti ukrainas me inteligjencë artificiale kap tre ushtarë rusë

    Në vijën e frontit, ushtarët rusë nuk iu dorëzuan trupave ukrainase, por një automjeti luftarak autonom. Sistemi robotik ukrainas i zbulimit dhe goditjes tokësore Droid TW-7.62, i bazuar në platformën NUMO, kapi tre ushtarë rusë.

    Ky është rasti i parë i dokumentuar i ushtarëve rusë të kapur nga një robot luftarak autonom tokësor pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të këmbësorisë.

    Videoja u publikua nga DevDroid, prodhuesi i sistemit, duke treguar realitetin e ri të luftës moderne.

    Roboti i detyron rusët të dorëzohen pa këmbësori

    Videoja tregon agresorët rusë që i afrohen platformës robotike një nga një, duke hequr pajisjet e tyre dhe duke u shtrirë në tokë pranë sistemit, duke ndjekur plotësisht urdhrat pa kontakt të drejtpërdrejtë me ushtarët ukrainas.

    DevDroid theksoi rëndësinë simbolike të ngjarjes.

    “Kështu duket lufta moderne. Robotët janë në vijën e frontit. Njerëzit janë të sigurt”, tha kompania.

    Droid TW-7.62: Mitraloz, IA dhe Synim Autonom

    Droid TW-7.62 është një sistem robotik zbulimi dhe sulmi i përshtatur për mitralozin KT-7.62 (PKT). Është i pajisur me një kompjuter balistik që lejon saktësi të lartë dhe synim efektiv.

    Karakteristika kryesore e sistemit është inteligjenca artificiale, e cila i lejon atij të:

    zbulojë në mënyrë autonome objektivat

    kyçë objektivat

    gjurmojë objektet në kohë reale

    Kjo zvogëlon ndjeshëm ngarkesën e punës së operatorit dhe rrit mbijetesën luftarake të njësive.

    Platforma NUMO dhe e ardhmja e robotëve luftarakë tokësor ukrainas

    Sistemi është ndërtuar mbi platformën modulare NUMO, e cila mund të përshtatet për misione të ndryshme luftarake. Droid TW-7.62 mund të operojë në kushte komplekse, duke përfshirë terren të vështirë, dhe mund të integrohet me sensorë shtesë si shikimi i natës, kamerat termike të imazhit dhe sistemet për operim në kushte të dukshmërisë së reduktuar.

    Forcat ukrainase tashmë kanë përvojë pozitive me sisteme të ngjashme. Më parë, Droid TW 12.7, i përdorur nga Brigada e 3-të Sulmuese e Veçantë, zëvendësoi plotësisht pozicionin e këmbësorisë dhe e mbajti atë për një muaj e gjysmë.

    Forcat ruse nuk arritën të depërtonin në mbrojtje nën zjarrin e vazhdueshëm nga sistemi autonom, gjë që është një nga provat e para të efektivitetit të robotëve të luftimit tokësor në kushte reale luftimi.

  • Vrasja e Liridona Ademajt: Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla dërgohen në sallë e gjyqit

    Vrasja e Liridona Ademajt: Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla dërgohen në sallë e gjyqit

    Të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava janë dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten në masa të rrepta sigurie, raporton Ekonomia Online.

    Kjo është seanca e para për këtë vit (2026), që i prin ciklit të seancave të mëparshme, e që në atë të fundit u paraqitën video-incizime që, sipas prokurorisë, tregojnë takimet dhe lëvizjet e të akuzuarve para ngjarjes.

    Mes pamjeve të prezantuara ishin edhe momente nga darka e fundit e Liridonës me familjen, si dhe lëvizje që ndërlidhen me të akuzuarin Granit Plava.

    Sipas aktakuzës, vrasja dyshohet të ketë qenë e planifikuar nga ish-bashkëshorti i saj Naim Murseli.

    Për krimin e kryer në sy të fëmijëve, në veturën me të cilën po lëviznin, Prokuroria pati thënë se ekzistonte marrëveshja që krimi të kryhej nga Granit Plava në këmbim të 30 mijë eurove, ndërsa arma dyshohet se ishte siguruar nga Naim Murseli përmes Kushtrim Kokallës.

    Gjatë procesit gjyqësor, organi i akuzës ka paraqitur prova materiale dhe pamje filmike nga momentet para dhe gjatë ngjarjes, të cilat janë përfshirë në dosjen e rastit.

  • Vazhdon e mbyllur për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Vazhdon e mbyllur për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca e së enjtes në rastin ku Bedri Shabani bashkë me Muharrem Qerimin akuzohen për spiunazh, pritet të vazhdojë e mbyllur.

    Në këtë rast, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri konfirmuan se seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e ekspertëve, dhe se derisa të përfundojë dëgjimi i tyre, do të jetë e mbyllur për publikun.

    Të mërkurën, me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Bedri Shabani, avokatit Besnik Berisha, seanca është mbyllur për publikun për arsye se do të deklaroheshin ekspertët lidhur me gjetjet e ekspertizës psikiatrike për të akuzuarin Shabani.

    “Me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të Bedri Shabanit, mbrojtjes së informatave, se ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahet me askënd pa pëlqimin e tij, propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të mbahet e mbyllur për publikun”, tha Berisha, e që ky propozim më pas iu aprovua nga trupi gjykues.

    Ndryshe, seanca e planifikuar për 20 nëntor 2025, ishte anuluar pasi ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin Bedri Shabani.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.

    Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

    Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.

  • 27-vjet nga deklarata historike e Grupit të Kontaktit në Londër

    27-vjet nga deklarata historike e Grupit të Kontaktit në Londër

    Masakra e Reçakut përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

    Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një Konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

    Më 29 janar 1999 Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror St.James, doli me Deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e panegociueshme, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

    Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

    Fryma e Deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehet në librin e tij Paskal Milo.

    Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë. Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

    Si arsyetim këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

    Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës.

    Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

    Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

    “Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

    Kurse Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte “…rishikuar planifikimin ushtarak për mundësitë që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja”.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

    Në bazë të kapitullit VII të Kartës së OKB-së, keqësimi i gjendjes në Kosovë u cilësua si ‘’rrezik për paqe dhe siguri në rajon. Edhe ministri i Jashtëm rus Ivanov, votoi pro Rezolutës 1199, çka nënkupton një tërheqje nga pozicioni i saj i fortë në mbështetje të Beogradit.

    Para opinionit publik, si justifikim rusët do të theksojnë se kjo rezolutë do të shërbejë si impuls për dialog të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Kosovës.

  • Komuna e Prishtinës ndërhyn për krizën e mbeturinave, nis bashkëpunimi me “Pastrimin” Rajonal

    Komuna e Prishtinës ndërhyn për krizën e mbeturinave, nis bashkëpunimi me “Pastrimin” Rajonal

    Ndërmarrja Komunale “Pastrimi” po përballet prej kohësh me vështirësi në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë, për shkak të mungesës së kapaciteteve të plota teknike dhe operative. Për këtë arsye, KRM “Pastrimi” Sh.A. i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesë për mbështetje institucionale.

    Pas pranimit të kërkesës, Komuna e Prishtinës ka reaguar menjëherë duke ofruar ndihmën e nevojshme dhe ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale “Pastrimi”, ku janë përcaktuar ndihma konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

    Në bazë të kësaj marrëveshjeje, ka nisur sot angazhimi i Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” në terren për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte (ndërtimore) dhe mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në territorin e kryeqytetit.

    Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ky bashkëpunim synon rritjen e kapaciteteve operative në terren, ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më efikase, si dhe përmirësimin e pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës.

    “Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve operative në terren, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më efikase dhe në funksion të përmirësimit të pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës”, ka shkruar Rama.