ATV

Author: G.O.

  • Krasniqi: Nëntë garuesit e Kosovës kanë potencial për medalje në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

    Krasniqi: Nëntë garuesit e Kosovës kanë potencial për medalje në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

    Përfaqësuesja e Kosovës do të marrë pjesë me nëntë garues në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, që nis nesër (e premte) në kryeqytetin francez. Për pjesëmarrjen e sportistëve kosovar ka folur për Ekonomia Online, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.

    Krasniqi ka thënë se për herë të parë Kosova po merr pjesë në olimpiadë edhe në sportin e boksit. Nga nëntë garues, pesë janë nga xhudo, një nga boksi, dy të notit dhe një prej atletikës.

    “Në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, përfaqësohet me nëntë garues nga Kosova, ku gjashtë prej tyre janë në normat olimpike pesë janë prej xhudos dhe një është prej boksit, kur flasim për boksin është për herë të parë në histori që Kosova po merr edhe një normë nga një sport tjetër, sepse jemi mësuar deri më tash vetëm me xhudo. Mirëpo kemi edhe dy me ftesë të universalitetit që janë dy prej notit dhe një prej atletikës. Kështu që të gjithë ekipi është prej nëntë garuesish. Presim prej të gjithave ata që kanë norma olimpike të gjithë janë potencial për medalje, nuk mund të anashkalojmë asnjërin prej garuesve vetëm varet edhe fati sportivë në momente të caktuara. Për të marrë normat olimpike është një sfidë e madhe përballet gjatë katër viteve nëpër Kampionate Evropiane Botërore, duhet të jesh në rang listën top 10-shen botërore, kështu që është një sfidë dhe atë sportit që marrin normën olimpikë janë të gjithë potencial për marrjen e medaljes”, ka thënë Krasniqi.

    Krasniqi ka pritshmëri të mëdha për sportistët kosovarë, ndërsa veçon xhudisten Dristria Krasniqi.

    “Padyshim që pres nga xhudo, e sidomos nga Distria (Krasniqi) e cila është në nivelin më të lartë të listës së bashku me Laurën, Akili edhe Blin Kuka, kështu që besoj që po shkojmë me pak garues por me kualitet shumë të lartë. Ne si Komitet Olimpikë kemi bërë punën tonë gjatë kësaj periudhe katër vjeçare duke mbështetur sportistët tanë me bursa olimpike me kampe stërvitore e me të gjitha punët që janë të nevojshme për të gjithë garuesit. Përgatitjet i kanë kryer në mënyrën më të mirë të mundshme, të gjithë janë me shëndet të mirë dhe besoj që edhe me pak fat do të kemi medalje edhe në Paris”, shtoi ai.

    Ndryshe hapja solemne e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, do mbahet më 26 korrik dhe mbaron më 11 gusht.

    Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të kenë 3,800 orë sport të drejtpërdrejtë dhe do të dhurohen 329 medalje ari në 32 sporte gjatë 18 ditëve të garave, të cilat do të mbahen në Paris dhe në pjesë të tjera të Francës.

  • Çfarë ndodh me trupin tuaj kur ndaloni së ngrëni sheqer?

    Çfarë ndodh me trupin tuaj kur ndaloni së ngrëni sheqer?

    Nuk është e thjeshtë të ndalosh së ngrëni gjëra të ëmbla, por të reduktosh sasinë e sheqerit sjellë përfitime të mëdha në shëndet.

    Sheqeri shkakton shumë rrudha në trupin e njeriut, ndaj ekspertët këshillojnë se po të reduktoni sasinë e sheqerit, mund të dukeni 10 vjet më të rinj.

    Do të jeni më të lumtur
    Mund të mendoni se një ëmbëlsirë mund t’ju bëjë të lumtur. Por ekspertët e thonë të kundërtën. Patjetër që ditët e para do ta keni të vështirë pasi trupi është mësuar me sheqer, por më vonë do të ndjeheni të lumtur.

    Më pak kile
    Mesatarisht ne konsumojmë 22 lugë sheqer në ditë, që është e barabartë me 350 kalori. Nëse ju konsumoni më pak, kjo përkthehet në më pak kile për trupin tuaj.

    Më pak shanse për shfaqjen e diabetit
    Nëse hani ushqime të kontrolluara me më pak sheqer, patjetër që do të keni shumë më pak mundësi të prekeni nga sëmundja e diabetit.

    Do të jetoni më gjatë
    Presioni i lartë i gjakut është një faktor i madh rreziku për sëmundjet e zemrës, siç është diabeti dhe obeziteti, të cilat janë të lidhura me konsumin e sheqerit të tepërt. Sheqeri gjithashtu rrit yndyrat që përbëjnë rrezik për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.

  • Franca kryen operacion të madh kundër spiunazhit kibernetik

    Franca kryen operacion të madh kundër spiunazhit kibernetik

    Autoritetet në Francë kanë nisur një operacion të madh për të pastruar kompjuterët e infektuar nga një program i spiunazhit kibernetik që ka prekur miliona përdorues në mbarë botën.

    “Në prag të Olimpiadës, ky operacion tregon se lojtarë të ndryshëm në Francë dhe jashtë vendit janë të mobilizuar që të luftojnë të gjitha format e krimit kibernetik”, tha kryeprokurorja e Parisit, Laure Beccuau, përmes një deklarate më 25 korrik.

    Ajo tha se hetuesit po shënjestrojnë një rrjet të ‘bot’-ëve , që dyshohet se kanë infektuar kompjuterët me një virus. Po ashtu ky rrjet besohet se po vjedh të dhëna nga përdoruesit, “veçanërisht për qëllime spiunazhi”.

    Beccuau tha se analistët dhe hetuesit kanë arritur të marrin nën kontroll serverin që ka nën kontroll miliona kompjuterë të infektuar me virus.

    Autoritetet franceze e kanë nisur këtë operacion më 18 korrik dhe i njëjti pritet të zgjasë disa muaj. Sipas njoftimit, deri më tani autoritetet kanë arritur të ndihmojnë viktima në disa shtete evropiane.

    Në njoftimin e kryeprokurores së Parisit nuk u përmend ndonjë kërcënim specifik ndaj Lojërave Olimpike që do të mbahen në Paris. Por, ndaras, agjencia për siguri kibernetike në Francë tha javën e kaluar se sulmet kibernetike do të jenë “të pashmangshme” gjatë Olimpiadës, e cila nis të premten./REL

  • Clinton: Harris mund ta mposhtë Trumpin pavarësisht seksizmit dhe standardeve të dyfishta

    Clinton: Harris mund ta mposhtë Trumpin pavarësisht seksizmit dhe standardeve të dyfishta

    Hillary Clinton, ish-kandidatja presidenciale e demokratëve dhe kandidatja e parë grua e vendit nga një parti e madhe, ka thënë se beson se Kamala Harris mund ta mposhtë Donald Trumpin pavarësisht “seksizmit dhe standardeve të dyfishta të politikës amerikane”.

    Clinton, në një shkrim për New York Times, tha: “Unë di një ose dy gjëra rreth asaj se sa e vështirë mund të jetë për kandidatet e forta gra të luftojnë kundër seksizmit dhe standardeve të dyfishta të politikës amerikane. Më kanë quajtur shtrigë, “grua e keqe” dhe shumë më keq. Si kandidate, ndonjëherë i shmangesha të flisja për të bërë histori. Nuk isha e sigurt se votuesit ishin gati për këtë”.

    Ish-sekretarja amerikane e Shtetit tha se është “e emocionuar” për Harris, për të cilën ajo tha se përfaqëson “një fillim të ri” për politikën amerikane dhe që ofron një “vizion shpresëdhënës, unifikues”.
    “Ajo është e talentuar, me përvojë dhe e gatshme të jetë presidente”, shkroi Clinton.

    “Harris do të përballet me sfida unike shtesë si gruaja e parë me ngjyrë dhe aziatike e Jugut që do të jetë në krye të një partie të madhe. Kjo është e vërtetë, por ne nuk duhet të kemi frikë. Është kurth të besosh se përparimi është i pamundur”.

  • iPhone i parë i palosshëm i Apple mund të mbërrijë në vitin 2026

    iPhone i parë i palosshëm i Apple mund të mbërrijë në vitin 2026

    Apple vazhdon të punojë në një iPhone të palosshëm, i cili mund të arrijë që në vitin 2026, sipas një raporti nga The Information.

    Në shkurt, The Information raportoi se Apple ishte në fazat e hershme të zhvillimit të dy prototipeve të palosshme të iPhone.

    Por tani, duket se Apple mund të jetë vendosur në një dizajn, pasi The Information thotë se pajisja ka një pseudonim të brendshëm, V68, që tregon “ideja ka kaluar përtej fazës konceptuale” dhe tani është “në zhvillim me furnitorët”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Apple thuhet se është ende duke punuar “për të rrafshuar rrudhat” që shfaqen kur telefoni shpaloset dhe po përpiqet gjithashtu ta bëjë pajisjen më të hollë.

    Kjo vërteton raportin e së martës nga DigiTimes, i cili zbulon detaje të ngjashme në lidhje me planet e telefonit të palosshëm të Apple.

    Thashethemet e fundit sugjerojnë se Apple po punon gjithashtu për një pajisje të palosshme të ngjashme me MacBook që mund të fillojë të shpërndahet në vitin 2026. /Telegrafi/

  • Disa gabime të zakonshme që bëni kur pastroni dhëmbët

    Disa gabime të zakonshme që bëni kur pastroni dhëmbët

    Ruajtja e higjienës orale është thelbësore për një buzëqeshje të shëndetshme dhe mirëqenien e përgjithshme.

    Nuk është e pazakontë që njerëzit të bëjnë gabime kur pastrojnë dhëmbët. Ndonëse mund të keni qëllime të mira, disa praktika mund të jenë më të dëmshme sesa të dobishme për ju.

    Në mënyrë ideale ju mund të lani dhëmbët dy herë në ditë për dy minuta çdo herë, në mëngjes dhe para gjumit.

    Por, cilat janë gabimet që duhet të shmangni kur pastroni dhëmbët?

    Pastrimi i dhëmbëve në mënyrë agresive

    Larja e dhëmbëve shumë agresive mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve, veçanërisht nëse përdorni një furçë dhëmbësh me qime të forta. Larja me forcë të tepërt mund të çojë në erozion të smaltit, i cili është i pakthyeshëm. Erozioni i smaltit mund të shkaktojë probleme të tilla si ndjeshmëria e dhëmbëve, çngjyrosja e dhëmbëve dhe një rrezik më i lartë i prishjeve.

    Larja agresive gjithashtu mund të irritojë indin e mishrave të dhëmbëve, duke çuar në mishra të skuqura, të irrituara dhe të fryra.

    Ndërsa është e rëndësishme të lani dhëmbët, është po aq e rëndësishme të përdorni një furçë dhëmbësh me qime të buta dhe të ushtroni presion të butë. Ju nuk keni nevojë të bëheni të ashpër për të hequr pllakën dhe për të mbajtur dhëmbët tuaj të pastër, prandaj jini të butë.

    Larja e dhëmbëve menjëherë pas ngrënies

    Larja e dhëmbëve menjëherë pas ngrënies mund të duket si mënyra më e mirë për të ruajtur higjienën orale, por në fakt mund të dëmtojë dhëmbët tuaj.

    Smalti juaj i dhëmbëve është poroz dhe mund të bëhet më i butë pasi të hani ushqime ose të konsumoni pije caktuara.

    Shoqata Amerikane e Stomatologjisë (ADA) këshillon të prisni 30-60 minuta pas një vakti përpara se të pastroni dhëmbët.

    Mos ndërrimi i shpeshtë i brushës

    Është esenciale të ndërroni brushën çdo disa muaj.

    Kur përdorni furçën tuaj të dhëmbëve, qimet mund të ‘konsumohen’, kështu pastrimi do të jetë më pak efektiv dhe që mund të ndikojë në dëmtimin e smaltit të dhëmbëve ose tek indi i mishrave të dhëmbëve.

    Synoni të ndërroni brushën çdo tre muaj dhe mbani një shtesë, kur vjen koha për ta ndërruar.

    Nëse vëreni se fijet e brushës janë shpupuritur pak më herët se tre muaj, mund të keni përdorur forcë më shumë se që duhet.

    Nuk po e pastroni gjuhën

    Shumë njerëz nuk e kuptojnë se sa shumë baktere ka në gjuhën e tyre. Ka 20 miliardë mikrobe në gjuhë, dhe megjithëse jo të gjithë janë të dëmshëm, disa mund të shkaktojnë prishje të dhëmbëve dhe sëmundje të mishrave të dhëmbëve.

    Mos larja e gjuhës kur lani dhëmbët mund të çojë në erë të keqe dhe madje të ndikojë në ndjenjën tuaj të shijes.

    Disa njerëz zgjedhin të përdorin një kruajtëse të gjuhës, i cili është një mjet i veçantë i krijuar për të hequr bakteret nga gjuha, por kjo nuk është rreptësishtë e nevojshme.

    Përdorimi i furçës së dhëmbëve është zakonisht i mjaftueshëm për të mbajtur gjuhën tuaj të pastër. /Telegrafi/

  • Sa zgjat helmimi nga ushqimi dhe si ta tejkaloni atë?

    Sa zgjat helmimi nga ushqimi dhe si ta tejkaloni atë?

    Nëse keni ngërçe në stomak, diarre, ethe ose vjellje disa orë pasi keni ngrënë diçka, shanset janë që jeni helmuar nga ushqimi.

    Helmimi nga ushqimi ndodh kur hani ushqim ose pini ujë që është i kontaminuar me baktere, parazitë, viruse ose toksina.

    Shumica e rasteve të helmimit nga ushqimi janë për shkak të baktereve të zakonshme, të tilla si Staphylococcus ose E. coli.

    Bakteret mund të hyjnë në ushqimin tuaj në mënyra të ndryshme.

    Helmimi nga ushqimi mund të ndodh gjithashtu kur njerëzit gatuajnë ushqimin pa i larë duart siç duhet, kur ushqimi përgatitet duke përdorur enë gatimi të papastra, kur ushqimet e ndjeshme lihen jashtë frigoriferit për një kohë të gjatë dhe kur njerëzit hanë ushqime të papërpunuara si peshku ose mish dhe vezë të papjekura.

    Uji jo i filtruar gjithashtu mund të shkaktojë helmim nga ushqimi.

    Sa zgjat helmimi nga ushqimi?

    Zakonisht do të shëroheni nga llojet më të zakonshme të helmimit nga ushqimi brenda 12 ose 48 orëve.

    Gjatë kësaj kohe duhet të siguroheni që trupi i juaj të marrë lëngje të mjaftueshme në mënyrë që të mos dehidratoheni.

    Mos hani ushqime të forta derisa të kalojë diarreja dhe shmangni produktet e qumështit.

    Pini çdo lëng (përveç qumështit dhe pijeve me kafeinë) për të zëvendësuar lëngjet në trupin tuaj.

    Nëse keni ngrënë toksina nga kërpudhat ose butakët, kërkoni menjëherë kujdes mjekësor. Mjeku i dhomës së urgjencës më pas do t’ju zbrazë stomakun dhe do të largojë toksinën. /Telegrafi/

  • ‘Le të jetojë Gaza’, Netanyahu përballet me protesta në Washington

    ‘Le të jetojë Gaza’, Netanyahu përballet me protesta në Washington

    Vizita e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Washington ka shkaktuar një stuhi protestash në kryeqytetin e SHBA-së.

    Disa nga demonstruesit kanë dënuar Izraelin, por të tjerë kanë shprehur mbështetje ndërsa i kanë bërë presion Netanyahut për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të sjellë në shtëpi pengjet që ende mbahen nga Hamasi, shkruan AP.

    Netanyahu mbërriti në Uashington të hënën për një vizitë që përfshin takime me presidentin Joe Biden dhe një fjalim të mërkurën përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit.

    Dhjetëra protestues u mblodhën jashtë hotelit të tij të hënën në mbrëmje, dhe të martën pasdite, qindra demonstrues organizuan një protestë.

    Organizuar nga Zëri Hebraik për Paqe, protestuesit të veshur me bluza të kuqe që shkruanin “Jo në emrin tonë” dhe duke shpalosur pankarta e duke brohoritur “Le të jetojë Gaza!”.

    Pas rreth gjysmë ore duartrokitje dhe brohoritje, oficerët nga Policia e Kapitolit të SHBA-së lëshuan disa paralajmërime, më pas filluan të arrestonin protestuesit.

    “Unë jam vajza e të mbijetuarve të Holokaustit dhe e di se si duket një Holokaust,” tha Jane Hirschmann, një vendase nga Saugerties, Nju Jork, e cila shkoi në protestë së bashku me dy vajzat e saj – të dyja të arrestuara. “Kur themi “Kurrë më”, nënkuptojmë kurrë për askënd”.

    Demonstruesit e përqendruan zemërimin e tyre në administratën Biden, duke kërkuar që presidenti të ndalojë menjëherë të gjitha dërgesat e armëve në Izrael.

    “Ne nuk po përqendrohemi te Netanyahu. Ai është vetëm një simptomë”, tha Hirschmann.

    “Por si mundet (Biden) të bëjë thirrje për një armëpushim kur ai u dërgon bomba dhe aeroplanë?”.

  • Nagavci për furnizimin me tekstet shkollore: Po vazhdon puna, së shpejti do të dalim me konferencë

    Nagavci për furnizimin me tekstet shkollore: Po vazhdon puna, së shpejti do të dalim me konferencë

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është duke u punuar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore dhe se pritet që së shpejti të mbahet një konferencë e veçantë për media për këtë çështje e ku do të jepen më tepër informata, raporton Ekonomia Online.

    Nagavci ka thënë se puna për furnizim është nisur, ku janë finalizuar listat e teksteve të miratuara dhe se ato janë ndarë me drejtoritë e arsimit.

    “Të njëjtat janë dorëzuar te MASHTI. Kemi pranuar tashmë edhe prej shtëpive botuese të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve. Puna po vazhdon. Besoj se për procesin e furnizimit me tekste shkollore, shumë shpejt do të kemi konferencë të veçantë, ku do të ndajmë të gjitha të dhënat”, ka thënë Nagavci në konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.

    Ajo ka folur edhe për Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës të cilit nuk i janë akredituar katër programe, shkaku i problemeve me infrastrukturë.

    Nagavci ka thënë se janë të ditura tashmë problemet me infrastrukturë në Fakultetin e Bujqësisë.

    Ajo ka thënë se ndonëse janë realizuar pagesat fakulteti nuk është ndërtuar asnjëherë dhe ka probleme serioze. Ajo ka thënë se Universiteti i Prishtinës e ka dërguar lëndën në prokurori, pasi ka pretendime për abuzime me kontratën për ndërtim.

    “Përveç që është keqpërdorur buxheti i shtetit, është rrezikuar edhe akreditimi i programeve të reja. Bashkë me rektorin Qerimi jemi mobilizuar të gjejmë zgjidhje të mos dështojnë këto programe. UP ka sjellë kërkesë, janë identifikuar hapësirat ku mund të realizohet zhvillimi i ligjëratave deri te finalizimi i ndërtimit të Fakultetit. Është në mandatin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të trajtojë kërkesën”, ka thënë Nagavci, ndërsa ka shtuar se UP ka ofruar hapësira për një periudhë njëvjeçare.

    Sa i përket përfshirjes së lëndës së kodimit në shkolla, Nagavci ka thënë se ka filluar të implementohet nëpër disa shkolla në komuna të ndryshme, ku po zgjidhet si lëndë zgjedhore.

    Nagavci ka pasur edhe kërkesë për DKA-të që çdo kërkesë të bëhet nëpërmjet rrugëve zyrtare.

    “Deklarata se e kemi njoftuar dikë në Ministri, po i referohem çështjes së teksteve, mund të mbesin të parealizuara për shkak të komunikimit jo të duhur formal”, u shpreh Nagavci.

  • Jep dorëheqje senatori Menendez pasi u dënua për korrupsion

    Jep dorëheqje senatori Menendez pasi u dënua për korrupsion

    Senatori amerikan, Bob Menendez, dha dorëheqje nga pozita, pasi u dënua për korrupsion.

    Menendez tha në një letër se dita e tij e fundit si senator i SHBA-së do të jetë 20 gushti.

    Senatori demokrat nga Nju Xhërsi tha se planifikon ta apelojë aktgjykimin dhe se nuk do që Senati “të përfshihet në një proces të gjatë që do ta dëmtonte punën e tij të rëndësishme”.

    Guvernatori i Nju Xhërsit, Phil Murphy, gjithashtu demokrat, do të emërojë tani një zëvendësues për Menendezin, i cili ka shërbyer si senator që nga viti 2006.

    Ai ka qenë edhe kryetar i Komitetit me ndikim për Marrëdhënie me Jashtë, por ka hequr dorë nga ky post, pasi është akuzuar për korrupsion, vitin e kaluar.

    Menendez, 70 vjeç, u shpall fajtor më 16 korrik për të 16 akuzat penale me të cilat ngarkohej, përfshirë pengimin e drejtësisë, mashtrimin dhe zhvatjen.

    Vendimi u mor nga një juri në gjykatën federale në Manhatan, pas një gjyqi 9-javor.

    Në të njëjtin rast u dënuan edhe dy të bashkëpandehur.