ATV

Author: G.O.

  • Gjykata e Tiranës lë në burg Noizyn dhe Dj Crax, vendos ekstradimin drejt Kosovës

    Gjykata e Tiranës lë në burg Noizyn dhe Dj Crax, vendos ekstradimin drejt Kosovës

    Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest në burg” për reperin Noizy dhe Dj Crax.

    Mediat në Shqipëri raportojnë se seanca u shqyrtua me dyer të mbyllura nga gjyqtarja Marinela Osmani.

    Gjykata thekson se një kopje e këtij vendimi t’i komunikohet Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa kundër vendimit mund të ankimohet në Apel.

    Reperi iu famshëm shqiptar Noizy dhe Dj Crax kanë rënë në pranga në Shëngjin, ndërsa është ende në kërkim Stresi, pas një sherri në një nga klubet e Pejës mes tyre dhe personazhit të famshëm në TikTok, Medi Iseni.

    Noizy akuzohet se së bashku me 7 persona të tjerë dhunoi brutalisht Muhamet Isenin, bashkë me mikun e tij Bekim Hardergjonajn orët e para të mëngjesit të 2 gushtit.

    Reperi përmes një postimi në Instagram e konsideroi të padrejtë urdhër arrestin e lëshuar ndaj tij nga Policia e Kosovës.

    Ndërsa përsa i përket sherrit të ndodhur në klub, Noizy mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj Medit, madje sipas tij, ai nuk e ka prekur fare me dorë.

    Reperi shpjegon se kur hyrë në mbrapaskenë, ku ndodhej Medi së bashku me tre shokët e tij, pa se ata po rriheshin nga disa djem të tjerë, ku disa prej tyre nuk i njihte. Menjëherë pas kësaj situate të krijuar, Noizy është larguar menjëherë nga sigurimi.

    Ndër të tjera reperi i njohur dhe mjaft i dashur për publikun sqaroi se e gjitha ndodhi kur ai ishte në punë dhe Medi i ra në qafë. Nëse do i jepej mundësia të rikthente prapë atë moment, Noizy shpjegon se nuk do e prekte me dorë, por do i thoshte “turp të të vijë se je 40 vjeç babë me fëmjë”.

    Edhe Bajraktari reagoi në lidhje me ngjarjen, duke theksuar se nuk është kriminel që policia ta shpallë në kërkim, dhe as nuk i fshihet drejtësisë.

    “Por kjo që po ndodh është shumë e padrejtë, ndaj meje dhe ndaj shokut tim. Vij nga një familje dëshmorësh, fisnike dhe me traditë SHQIPETARE dhe ndihem i turpëruar për gjithë këtë ngjarje. Uroj që organet e drejtësisë të bëjnë punën e duhur dhe nuk dyshoj që çdo gjë do vij në vendin e vet”, tha ai mes të tjerash.

    Artisti i njohur shqiptar, Stresi, u shpall po ashtu në kërkim nga Policia e Kosovës pas sherrit në Pejë, ku u përfshi Noizy dhe Medi Iseni.

    Ai nuk është arrestuar ende, ndërsa Noizy dhe DJ i tij, Crax, u arrestuan në mesnatë në një klub në Shëngjin.

    Edhe pse në kërkim nga policia e Kosovës, Stresi ka bërë një video në rrjete sociale, me anë të së cilës i drejtohet ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

    “Ju lëshoni urdhërarrest me ardh me na arrestuar neve në Shqipëri, 500 forca policore kanë qenë te shtëpia ime. A jeni normal ju? Ti e nderuar ministre je e re, nuk di asgjë për të kaluarën time, pa u zbardh kjo çështje harroni që mund të më afroni ju mua”, ka thënë Sresi.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka nënshkruar kërkesën drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë për ekstradimin e Noizyt drejt Kosovës.

    Ministrja Haxhiu nënshkruan kërkesën për ekstradimin e Noizyt, Stresit dhe Dj Crax

  • “Kosova t’i kthehet angazhimit të ngushtë me SHBA-në”, ambasada amerikane shpërndan deklaratën e Miller

    “Kosova t’i kthehet angazhimit të ngushtë me SHBA-në”, ambasada amerikane shpërndan deklaratën e Miller

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Kosova me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.

    Ai këtë deklaratë e bëri në një konferencë për media kur u pyet rreth aksionit për mbylljen e degëve të Postës serbe në veri të Kosovës.

    Deklaratën e tij e ka shpërndarë Ambasada Amerikane në Prishtinë ku ka vënë theksin te thirrja e SHBA-së që Kosova t’i kthehet angazhimit konstruktiv me SHBA-në dhe partnerët tjerë të saj.

    “Ajo që ne do ta inkurajonim Qeverinë e Kosovës të bëjë është që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe ne e kemi bërë të qartë këtë – siç po e bëj të qartë publikisht, ne ia kemi bërë të qartë këtë privatisht edhe qeverisë”, ka thënë Miller.

    Miller tha se “nuk do të spekuloj për veprime në të ardhmen”, por përsëriti se SHBA është e shqetësuar nga “vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës”.

    “Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar Kosovën të krijojë. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e tyre të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, që është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderë të njëpasnjëshëm të Kosovës për masat që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën ju keni rënë dakord”, ka thënë ai.

    Komentet e Miller erdhën edhe pas një deklarata që lëshoi ambasada e SHBA-së pas aksionit të Policisë së Kosovës që mbylli nëntë degë të Postës së Serbisë në veri të vendit. Autoritetet e Kosovës thanë se ato nuk kishin licencë për punë.

    Ambasada kishte thënë se këto veprime e vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe të ushtarëve të KFOR-it.

  • Veprimet e fundit në veri nga Qeveria, BE-ja paralajmëron masa të reja ndaj Kosovës

    Veprimet e fundit në veri nga Qeveria, BE-ja paralajmëron masa të reja ndaj Kosovës

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se pas veprimeve të fundit nga Qeveria e Kosovës, mund të shtohen masa të reja ndaj Kosovës.

    Ai tha se masat paraprake u vendosë për shkak të shumë hapave që çuan drejt përshkallëzimit, ndërsa tani ato mund të shtohen.

    “Masat u vendosën vjet për faktin se shumëçka po ndodhte që çonte në përshkallëzim dhe në vend të hapave që çonin drejt depërshkallëzimit janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim nga ata njerëz. Ne e kemi thënë atëherë se këto masa mund të zgjaten apo të hiqen pavarësisht zhvillimeve të situatës. Pra, çfarë do të bëjmë? Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse akterët evropianë pajtohen se ato duhet të shtohen”, ka thënë ai në konferencën e së enjtes.

    Stano ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me ndërkombëtarët.

    “Ua kemi bërë të qartë qëndrimin tonë Kosovës, në shumë nivele, në shumë mënyra dhe përmes shumë partnerëve. Nuk është vetëm BE-ja, të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë Qeverisë në Prishtinë që të mos angazhohet në këto seri hapash të pakoordinuar, negativ dhe të njëanshëm. Shpresojmë se më në fund do ta dëgjojnë mesazhin dhe do të na ndalojnë të marrim në konsideratë se çfarë masa do të konsiderojmë të marrim nëse situata nuk ndryshon”, ka thënë Stano.

  • Përkundër thirrjeve nga ndërkombëtarët, Qeveria Kurti nis testimin e Urës së Ibrit me kamionë

    Përkundër thirrjeve nga ndërkombëtarët, Qeveria Kurti nis testimin e Urës së Ibrit me kamionë

    Përkundër thirrjeve nga ndërkombëtarët që ura mbi lumin Ibër të mos hapet në këto momente, autoritetet e Kosovës kanë nisur testimin e urës me kamionë.

    Të pranishëm në vend të ngjarjes janë edhe forca të policisë dhe KFOR-it.

    Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.

    Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në korrik bëri të ditur synimin për hapjen e urës.

    Ndryshe, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

     

  • Policia arreston edhe politikanin Stefan Vellkoviq

    Policia arreston edhe politikanin Stefan Vellkoviq

    Sot para se të fillonte mbledhja për diskutimin për hapjen e urës mbi lumin Ibër, është arrestuar Alleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe.

    Bashkë me të është dërguar në mbajtje edhe bashkëpartiaku i tij, Stefan Vellkoviq.

    Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka treguar se arsyeja e arrestimit ishte pengimi i punëtorëve të komunës të cilët ishin duke lyer nën urë.

    Policia arreston politikanin serb Arsenijeviq për “pengim të punëtorëve të komunës së Mitrovicës së Veriut”

  • Krasniqi para serbëve në veri: Është absurde që Ura e Ibrit të mbahet e mbyllur

    Krasniqi para serbëve në veri: Është absurde që Ura e Ibrit të mbahet e mbyllur

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka rishprehur edhe njëherë qëndrimin e qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit.

    Në takimin konsultativ me qytetarët e komuniteti serb në veri të Mitrovicës, i cili po mbahet në objektin komunal, ministri Krasniqi ka thënë se është absurde që ura të vazhdojë të mbahet e mbyllur.

    Ai ka thënë se hapja e urës nuk është kundër askujt.

    “Konsideroj se jo vetëm që nuk ka arsye, po tashmë është absurde vazhdimi i mbajtjes së urës mbyllur. Sipas vet natyrës së urave, edhe kjo urë do duhet të jetë në shërbim të të gjithëve dhe hapja e saj nuk është dhe nuk do të jetë kundër askujt”, ka thënë Krasniqi.

    “Jemi të bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë, përkundrazi, e sforcon atë”, ka thënë ai.

    Në takimin konsultativ po marrin pjesë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq dhe zëvendëskomandati i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

  • Plagosen dy persona në Viti nga të shtënat me armë zjarri, arrestohet një i dyshuar

    Plagosen dy persona në Viti nga të shtënat me armë zjarri, arrestohet një i dyshuar

    Dy persona kanë mbetur të plagosur sot në komunën e Vitisë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

    ”Stacioni Policor në Viti ka pranuar informacion se në Fshatin e Ri, komuna e Vitisë ka të shtëna me armë zjarri si pasojë e të cilave janë plagosur dy persona”, njoftoi Osmani.

    Ai tha se për këtë rast është arrestuar një person i dyshuar, derisa në vendngjarje janë konfiskuar dy armë zjarri.

    ”Njësitet policore relevante me urgjencë i janë përgjigjur rastit dhe nga hetimet e para mësohet se dy persona meshkuj kosovarë si pasojë e këtyre të shtënave janë plagosur. Të njëjtit pas marrjes së ndihmës së parë qendra e mjekësisë familjare në Pozheran janë transferuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit ku aktualisht po trajtohen”, shtoi tutje ai.

  • Tërmet me magnitudë 6.9 ballë në Japoni, paralajmërim për cunami

    Tërmet me magnitudë 6.9 ballë në Japoni, paralajmërim për cunami

    Japonia është në alarm, pasi autoritetet kanë dhënë paralajmërim për cunami pas tërmetit 6.9 Rihter që goditi vendin.

    Në veçanti, autoritetet vlerësojnë se një cunami prej një metër pritet të prekë jugun e Japonisë.

    Tërmeti ndodhi më pak se 20 milje larg bregut të Miyazaki, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.

  • Policia arreston politikanin serb Arsenijeviq për “pengim të punëtorëve të komunës së Mitrovicës së Veriut”

    Policia arreston politikanin serb Arsenijeviq për “pengim të punëtorëve të komunës së Mitrovicës së Veriut”

    Alleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe është arrestuar në veri të Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Sipas Elshanit, Arsenijeviq ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore.

    Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer.

    Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

    Në debat do të marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në të për “shprehur shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

    Qeveria e Kosovës synon të hapë urën mbi lumin Ibër për trafik, pavarësisht se një gjë e tillë po kundërshtohet nga bashkësia ndërkombëtare.

  • Shfaqet virusi i ri vdekjeprurës që po alarmon globin – OBSh organizon takimin urgjent

    Shfaqet virusi i ri vdekjeprurës që po alarmon globin – OBSh organizon takimin urgjent

    Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, thirri të mërkurën një takim “urgjent” të ekspertëve ndërkombëtarë mes rasteve në rritje të variantit më vdekjeprurës të virusit Mpox në vendet afrikane.

    Sipas raporteve, ky variant shumë virulent i virusit Mpox mund të infektojë më shumë individë në më pak kohë, duke e bërë atë një shqetësim global për ekspertët e OBSH-së.

    Duke pasur parasysh situatën aktuale në vendet afrikane, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha: Në dritën e përhapjes së Mpox jashtë DRC dhe potencialit për përhapje të mëtejshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë Afrikës, unë kam vendosur të mbledh një komitet urgjence, sipas Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit për të më këshilluar nëse shpërthimi përfaqëson një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”.

    Çfarë është virusi Mpox?

    Virusi Mpox, i njohur gjithashtu si lija e majmunit, është një sëmundje virale që shkakton vlime të dhimbshme të lëkurës, përveç temperaturës, dhimbjes së kokës dhe dhimbjeve të muskujve. Virusi përhapet nga një individ në tjetrin përmes kontaktit të ngushtë dhe lëkurë me lëkurë. Mund të transmetohet edhe nëpërmjet pikave të infektuara të frymëmarrjes gjatë teshtitjes dhe kollitjes.

    Mpox është sjellë nga virusi mpox, i cili i përket gjinisë Orthopoxvirus, njëlloj si virusi i lisë. Virusi është zoonoz, që do të thotë se përhapet nga kafshët te njerëzit. Ai përhapet kryesisht përmes kontaktit me kafshët dhe primatët e infektuar, në Afrikë. Për më tepër, kontakti i ngushtë me individë të infektuar ose materiale të kontaminuara mund të rezultojë në transmetim nga njeriu te njeriu.

    Cila është periudha e inkubacionit të këtij virusi? Virusi Mpox është një sëmundje ngjitëse që mund të zgjasë nga 2 deri në 4 javë. Megjithatë, simptomat fillojnë të shfaqen brenda 24-48 orëve pas infektimit.

    Përhapja aktuale e Mpox në Republikën Demokratike të Kongos ka parë tashmë rreth 27,000 raste dhe ka marrë më shumë se 1,100 jetë, shumica prej tyre fëmijë, që nga fillimi i vitit 2023.