ATV

Author: G.O.

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur të premten në rrugën “Nazim Gafurri”, të premten.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare, është gjetur pa shenja jete nga familjarët. Njësit relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

  • Gazi amerikan, OEAK: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

    Gazi amerikan, OEAK: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një komunikate për media thekson se po përcjellë me vëmendje deklaratat e fundit publike të anëtarëve të Kabinetit të Qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikës energjetike të vendit.

    Oda Amerikane shpreh besimin se prioritetet e paraqitura nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e varësisë nga importet e rrjedhimisht fuqizimin e sigurisë së furnizimit.

    “Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike të prodhuar në vendet fqinje. Pyetja strategjike është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj”, thuhet në reagim.

    Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të jetë prioritet kombëtar.

    Tutje thuhet se është argumentuar se importimi i energjisë elektrike përmes infrastrukturës ekzistuese transmetuese është zgjidhje më praktike dhe më pak e kushtueshme sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë.

    “Megjithatë, vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm mbi bazën e kostos fillestare të infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese brenda vendit.

    Çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët. Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj. Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thuhet në komunikatë.OEAK thekson se kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse shumë shtete evropiane kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën për LNG, përfshirë LNG-në amerikane.

    “Përtej aspektit ekonomik, këto vendime janë udhëhequr nga objektiva strategjike për diversifikimin e burimeve të furnizimit, zvogëlimin e varësisë nga një numër i kufizuar furnizuesish dhe forcimin e sigurisë kombëtare. Në realitetin e ri gjeopolitik, energjia nuk trajtohet më vetëm si mall tregtar, por si komponentë kyçe e politikës së sigurisë dhe i partneriteteve strategjike. Prandaj, Kosova nuk guxon të mbetet jashtë këtij transformimi.

    Pikërisht për këtë arsye, Oda Amerikane beson fuqishëm se rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit duhet të mbetet ndër objektivat kryesore strategjike të Kosovës”.

    Oda amerikane thekson më tej se në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane paraqet rrugën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

    “Ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është identifikuar, përmes studimeve të mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror.

    Kapacitetet gjeneruese me bazë LNG janë ndër teknologjitë komercialisht të gatshme që mund të ndërtohen brenda një periudhe prej vetëm dy deri në tre vitesh. Për më tepër, projekte të tilla kanë mundësi dukshëm më të mëdha të financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa ndërtimi i kapaciteteve të reja me bazë qymyri. Po aq e rëndësishme është të kuptohet se LNG-ja nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Përkundrazi, ajo është teknologjia që mundëson integrimin e një sasie shumë më të madhe të energjisë nga era dhe dielli, duke siguruar fleksibilitetin e nevojshëm për funksionimin e një sistemi modern elektroenergjetik”.

    Sipas OEAK-ut, në anën tjetër, gazifikimi i qymyrit mund të konsiderohet si pjesë e diskutimeve për sigurinë afatgjatë energjetike të vendit, por ai nuk mund të adresojë nevojat urgjente të Kosovës për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Një projekt i tillë kërkon kohë dukshëm më të gjatë për realizim, ndërsa mundësia e sigurimit të financimit mbetet e pasigurt, duke pasur parasysh politikat ndërkombëtare për dekarbonizim.

    “Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konsideron se Kosova duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë: të zhvillojë sa më shpejt kapacitetet e reja gjeneruese me bazë LNG për të adresuar nevojat afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimin e opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve të saj vendore.

    Politikat energjetike nuk duhet të maten vetëm me koston fillestare të investimit, por me aftësinë e tyre për të garantuar furnizim të sigurt, çmime të parashikueshme dhe prodhim vendor të energjisë elektrike. Përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do t’i mundësonte vendit ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në afatin më të shkurtër të mundshëm, do të rriste ndjeshëm sigurinë energjetike, do të forconte konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe do ta thellonte më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Duke u bazuar në atë që u tha më sipër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ripërsërit qëndrimin e saj se në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende evropiane po e shohin LNG-në amerikane si një investim strategjik në sigurinë e tyre energjetike dhe kombëtare, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”. /Telegrafi/

     

  • Zhduket një vajzë në Prishtinë

    Zhduket një vajzë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të zhdukjes në Prishtinë.

    Policia në raportin 24-orësh bën të ditur se rasti po hetohet.

    “Rr. Ismet Krasniqi, Prishtinë 16.06.2026 – NN. Një mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vendndodhjen e saj”, thuhet në raport. /Telegrafi/

     

  • Grabiten tri shtetase të Kolumbisë në Prishtinë, iu merren katër telefona dhe 300 euro

    Grabiten tri shtetase të Kolumbisë në Prishtinë, iu merren katër telefona dhe 300 euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të grabitjes në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Agim Ramadani”, më 17 qershor, në ora 22:00.

    “Më 26.06.2026 tri viktimat femra shtetase të Kolumbisë, kanë raportuar se gjashtë persona të dyshuar meshkuj i kishin përcjell viktimat deri tek banesa e tyre dhe të njëjtit i kishin futur viktimat në një dhomë dhe nën kërcënimin e thikës u kanë grabitur 4 telefona dhe 300 euro”, thuhet në raport.

    Të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur, ndërkaq rasti po hetohet. /Telegrafi/

     

  • Deponuan para të falsifikuara në bankomat, Policia heton rastin në Prishtinë

    Deponuan para të falsifikuara në bankomat, Policia heton rastin në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një zyrtar i një banke ka raportuar se persona të panjohur kanë deponuar në bankomatin e bankës monedha dhe kartëmonedha në vlerë 664 euro të cilat dyshohet që janë të falsifikuara.

    Rasti ka ndodhur në Fushë Kosovë.

    “Rr. Nënë Terezë, Fushë Kosovë 10.02.2026 – 23.06.2026. Ankuesi mashkull kosovar zyrtar në një bankë, ka raportuar se persona të panjohur kanë deponuar në bankomatin e bankës monedha dhe kartëmonedha në vlerë 664 euro të cilat dyshohet që janë të falsifikuara”, bëhet e ditur në raport.

    Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

  • Horoskopi sot, çfarë parashikojnë yjet për ju?

    Horoskopi sot, çfarë parashikojnë yjet për ju?

    Dashi: Sot do të ndiheni plot energji dhe do të merrni iniciativa që mund t’ju sjellin rezultate pozitive. Në punë mund të merrni një lajm të mirë ose një vlerësim të papritur. Në dashuri, tregohuni më të hapur me ndjenjat tuaja. Kujdes me shpenzimet e panevojshme.

    Demi: Kjo ditë ju fton të veproni me qetësi dhe durim. Një bisedë e rëndësishme mund të sqarojë një keqkuptim të vjetër. Financat do të jenë të qëndrueshme nëse shmangni rreziqet. Në mbrëmje do të gjeni kohë për t’u çlodhur.

    Binjakët: Komunikimi do të jetë pika juaj më e fortë gjatë kësaj dite. Mund të krijoni kontakte të reja që do t’ju vlejnë në të ardhmen. Në dashuri priten emocione të bukura. Shëndeti paraqitet i mirë, por mos neglizhoni pushimin.

    Gaforrja: Intuita do t’ju ndihmojë të merrni vendimet e duhura. Në familje mbizotëron një atmosferë e qetë dhe pozitive. Në punë mund të merrni një përgjegjësi të re. Kujdesuni pak më shumë për veten.

    Luani: Do të jeni në qendër të vëmendjes dhe do të fitoni lehtësisht besimin e të tjerëve. Një mundësi interesante profesionale mund të shfaqet papritur. Në dashuri shmangni debatet për çështje të vogla. Mbrëmja premton momente të këndshme.

    Virgjëresha: Organizimi do t’ju ndihmojë të përfundoni çdo detyrë me sukses. Mos u shqetësoni për vonesa të vogla, pasi gjithçka do të ecë sipas planit. Në aspektin sentimental kërkohet më shumë mirëkuptim. Kujdesuni për ushqimin dhe pushimin.

    Peshorja: Dita favorizon marrëveshjet dhe bashkëpunimet e reja. Mund të merrni një lajm që do t’ju gëzojë. Në dashuri është momenti i duhur për të folur hapur. Financat do të përmirësohen gradualisht.

    Akrepi: Vendosmëria juaj do t’ju ndihmojë të kapërceni çdo pengesë. Dikush mund t’ju kërkojë ndihmë ose këshillë. Në çift do të rikthehet qetësia pas disa tensioneve. Mos lini pas dore aktivitetin fizik.

    Shigjetari: Do të ndiheni optimistë dhe të gatshëm për sfida të reja. Një udhëtim ose një plan i ri mund të marrë formë. Në punë priten zhvillime pozitive. Në dashuri tregoni më shumë durim.

    Bricjapi: Përkushtimi juaj do të shpërblehet me rezultate konkrete. Mund të zgjidhni një çështje që ju ka shqetësuar prej kohësh. Në familje do të ndiheni të mbështetur. Kujdes me lodhjen në orët e mbrëmjes.

    Ujori: Kreativiteti do t’ju ndihmojë të gjeni zgjidhje të zgjuara. Një takim i papritur mund të sjellë një mundësi interesante. Në dashuri mos kini frikë të bëni hapin e parë. Financat kërkojnë pak më shumë kujdes.

    Peshqit: Dita do të jetë e mbushur me emocione dhe momente të bukura. Besoni më shumë tek aftësitë tuaja dhe mos hezitoni të shfrytëzoni mundësitë që ju vijnë. Në punë priten lajme inkurajuese. Mbrëmja është ideale për relaks dhe kohë me njerëzit e dashur.

  • MINT njofton për çmimet e derivateve sot

    MINT njofton për çmimet e derivateve sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit zyrtar, nafta është caktuar me çmim maksimal prej 1.37 euro për litër, benzina 1.34 euro për litër, ndërsa gazi 0.67 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në njoftimin e radhës, respektivisht deri ditën e nesërme.

  • Tentoi të përplaste me veturë vjehrrën, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë

    Tentoi të përplaste me veturë vjehrrën, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë

    Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë nënën e bashkëjetueses së tij duke e goditur me automjet.

    Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:05 të së shtunës, në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë. I riu, i identifikuar me inicialet C. B., banues në Tiranë, dyshohet se fillimisht ka shkuar për të marrë bashkëjetuesen e tij, por në atë moment kanë dalë familjarët e saj. Për motive që lidhen me konfliktet familjare, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e saj, K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Lezhës dhe operacionit të koduar “Reagimi”, i dyshuari është lokalizuar, kapur dhe arrestuar.

    E dëmtuara është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor.

    Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur në ngjarje si provë materiale, ndërsa ndaj 28-vjeçarit rëndon akuza për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë.

    Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë për veprime të mëtejshme.

  • Hoxha takohet me Konjufcën, diskutohet ‘koordinimi i ngushtë’ për integrimin në BE

    Hoxha takohet me Konjufcën, diskutohet ‘koordinimi i ngushtë’ për integrimin në BE

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut në Kroaci.

    Hoxha ka bërë të ditur për takimin përmes një postimi në platformën “X”, ku tha se me Konjufcën kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Kosovë dhe rajon, si dhe për dinamikat evropiane me interes të përbashkët.

    Ai theksoi se, ndërsa Kosova ndodhet në proces të analizimit të rezultateve zgjedhore dhe formimit të institucioneve të reja, Shqipëria ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, kjo kërkon koordinim dhe shkëmbim të vazhdueshëm idesh ndërmjet dy vendeve.

    “Shkëmbimi i ideve, analizave dhe qasjeve, si dhe koordinimi i ngushtë me synim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, mbeten çelësi për avancimin e interesave tona reciproke e të përbashkëta”, ka shkruar Hoxha.

    Ai shtoi se veprimi i përbashkët dhe vizioni i qartë për të ardhmen do të ndihmojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimit të Kosovës, si dhe perspektivën euroatlantike të rajonit.

  • Më 20 korrik mbahet seancë ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

    Më 20 korrik mbahet seancë ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar ndaj 21 personave të akuzuar për Masakrën e Reçakut, të cilët ndër të tjera ngarkohen me veprën penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile.

    Gjykimi në mungesë do të zhvillohet ndaj të pandehurve: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsmam Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiçeviç, Milan Lekiq, Radomir Miliq, Dragan Djorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momçilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujinoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiçijeviq.

    Në një komunikatë për media bëhet e ditur se, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi të njëjtit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

    “Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftim.

    Tutje, është bërë e ditur se seanca do të mbahet më 20 korrik në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Sipas aktakuzës, në periudhën 1998–1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

    “Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘Pishat’, ‘Gështenjat’ dhe ‘Çesta’. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

    Hetimet e prokurorisë kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.