ATV

Author: G.O.

  • HRW: Mohimi i ujit në Gazë nga Izraeli, akt gjenocidi

    HRW: Mohimi i ujit në Gazë nga Izraeli, akt gjenocidi

    Organizata për të drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW) ka thënë të enjten se Izraeli i ka vrarë mijëra palestinezë në Rripin e Gazës duke ua mohuar ujin e pastër.

    Kjo, shtoi HRW-ja, përbën akte gjenocidi dhe shfarosjeje.

    “Kjo politikë, e sjellë si pjesë e vrasjes masive të civilëve palestinezë në Gazë, nënkupton se autoritetet izraelite kanë kryer krim kundër njerëzimit, shfarosje, gjë që po vazhdon. Kjo politikë përbën edhe ‘vepër gjenocidi’ sipas Konventës së Gjenocidit nga viti 1948”, tha HRW-ja në një raport.

    Izraeli i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për gjenocid, duke thënë se e respekton ligjin ndërkombëtar dhe se ka të drejtë ta mbrojë veten, pas sulmit që Hamasi e kreu në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, i cili e nxiti luftën në Gazë.

    Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Në një reagim në X, Ministria e Jashtme e Izraelit shkroi: “E vërteta është e kundërta e gënjeshtrave të HRW-së”.

    “Që nga fillimi i luftës, Izraeli e ka lehtësuar rrjedhën e vazhdueshme të ujit dhe ndihmave humanitare në Gazë, pavarësisht se është përballur me sulme të vazhdueshme nga organizata terroriste e Hamasit”, thuhet në reagimin e Izraelit.

    Edhe pse në raport u përshkrua mohimi i ujit për civilët si akt gjenocidi, në të theksohet se gjithashtu nevojitet përcaktimi i qëllimit të zyrtarëve izraelitë për ta provuar krimin e gjenocidit kundër tyre. Raporti citoi deklaratat e disa zyrtarëve të lartë të Izraelit, për të cilët tha se sugjeruan se “duan t’i shkatërrojnë palestinezë”, që nënkupton se mohimi i ujit “mund të përbëjë krim gjenocidi”.

    “Ne kemi gjetur se Qeveria e Izraelit po i vret qëllimshëm palestinezët në Gazë duke ua mohuar ujin që iu nevojitet për të mbijetuar”, tha drejtoresha e HRW-së për Lindjen e Mesme, Lama Fakih.

    Izraeli u përgjigj duke thënë se është siguruar që infrastruktura e ujit të jetë funksionale. AI tha se partnerët ndërkombëtar kanë dërguar cisterna uji përmes pikëkalimeve izraelite, përfshirë edhe në javën e fundit, dhe se Izraeli e ka lehtësuar futjen e më shumë se 1.2 milion tonë furnizimesh në Gazë.

    Human Rights Watch është grupi i dytë i madh për të drejtat e njeriut që brenda një muaji e përdor fjalën gjenocid për t’i përshkuar veprimet e Izraelit në Gazë, pasi Amnesty International tha në një raport se Izraeli po kryen gjenocid.

    Konventa e Gjenocidit e vitit 1948, e miratuar pas vrasjes masive të hebrenjve gjatë Holokaustit nazist, e përkufizon krimin e gjenocidit si “akte të kryera me qëllim për ta shkatërruar, në tërësi ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”.

    Raporti prej 184 faqesh i Human Rights Watch tha se Qeveria izraelite ndaloi furnizimin me ujë në Gazë, ndërpreu energjinë elektrike dhe kufizoi furnizimin me karburant, gjë që bëri që ujësjellësit dhe kanalizimet në Gazë të mos mund të përdoreshin.

    Si pasojë, palestinezët në Gazë kishin qasje në vetëm disa litra ujë në ditë në shumë zona, shumë më pak se pragu prej 15 litrave që nevojiten për mbijetesë, tha grupi.

    Lufta e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

    Ushtria izraelite ka thënë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë.

    Lufta filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë./REL

  • Arrestohet një person, i largoi nga banesa dy familjarët e tij

    Arrestohet një person, i largoi nga banesa dy familjarët e tij

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë për dhunë në familje.

    Sipas policisë, ai dyshohet se ka larguar nga banesa dy familjarët e tij. Policia këtë rast e ka cilësuar dhunë në familje.

    “Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje i kishte larguar nga banesa dy viktimat, një femër dhe një mashkull kosovar”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës.

    Më tej thuhet se i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje.

  • Sot mbahet seanca e marrëveshjes së fajësisë nga Haxhi Shala

    Sot mbahet seanca e marrëveshjes së fajësisë nga Haxhi Shala

    Haxhi Shala ka pranuar fajësinë, me marrëveshjen e arritur për caktim të dënimit 3-vjeçar.

    Seanca për marrëveshjen e pranimit të fajësisë do të mbahet sot, me fillim nga ora 13:00.

    Më pas, Dhomat e Specializuara do të mbajnë konferencë për media.

    Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Haxhi Shala, në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ishin dakorduar për caktimin e dënimit prej 3 vjet burgim për Shalën.

    Ajo ka theksuar se ZPS-ja dhe Shala ishin dakorduar që përveç kësaj, ZPS-ja të propozojë që të akuzuarit t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    “Ju keni rënë dakord për caktimin e një dënimi prej 3 vitesh burgim dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë- në të thuhet që në shkëmbim të fajit nga ju ZPS-ja do t’i rekomandojë trupit gjykues një burgim prej tre vitesh burg dhe i rekomandon që zotit Shala t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim të DhSK-së”, ka thënë gjykatësja.

    Në pajtim me marrëveshjen e pranimit të fajësisë, Mappie Veldt-Foglia ka deklaruar se ZPS-ja pajtohet që të tërheq pikën 1 të aktakuzës. Këtë gjë e konfirmoi edhe Shala.

    Shala u njoftua që në rast që aprovohet kjo marrëveshje për pranimin e fajësisë, atij i hiqet e drejta për apelim të vendimeve. Pra, Shala nuk do të ketë mundësi që ta tërheq pranimin e fajit apo të kërkojë ndryshimin e vendimit të dënimit.

    Shala ka theksuar se i ka kuptuar dhe pajtohet me atë që jam marrë vesh me avokatin dhe avokati me Prokurorinë.

    “Në qoftë se vendimi është mbi tri vite unë do ta apeloj dhe në qoftë se është tri vite e poshtë, jo”, ka thënë Shala.

  • Kosova po i kontrollon në kufi mandarinat nga Shqipëria pas dyshimeve me pesticide të rrezikshme

    Kosova po i kontrollon në kufi mandarinat nga Shqipëria pas dyshimeve me pesticide të rrezikshme

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës është duke e monitoruar situatën e njoftimeve të dërguara nga RASFF për vendet e tjera, për mandarinat me origjinë nga Shqipëria, pasi kanë rezultuar me mbetje të pesticideve të rrezikshme Chlorpyrifos dhe Phosmet.

    AUV thotë se nga mbrëmë ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë.

    “Të gjitha kontingjentet apo ngarkesat me ketë produkte, përveç kontrollit inspektues të detajuar, merren mostra nga secila për testim laboratorik në me qëllim testimi/përcaktimi te nivelit te mbetjeve në pesticide përfshihet ( lloji parametri i dyshuar për testim ( MRL) në Chlorpyrifos dhe phosmet). Ngarkesat qëndrojnë në Pike Kontrollet Kufitare deri në rezultat te analizave laboratorike”, thuhet në njoftim.

    Përderisa Kosova nuk është e përfshirë në lajmërimet e RASFF, AUV thotë se masën e vendosur e bëjnë me qëllim të eliminimit të dyshimeve të ngritura.

    “Synim kryesor të punës tonë, qe buron edhe nga mandati ligjorë kemi mbrojtjen e shëndetit të qytetareve konsumator. Deri me tani nuk ka pasur asnjë element dyshues mbi ketë produkte. Jemi në kontakt me autoritete shqiptare në shkëmbim të informacioneve mbi secilën risi qe ndodh në gjetjet eventuale në produkte. Mbrojtja e konsumatorëve bëhet pa dallim”, thuhet më tej.

  • Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident trafiku me qëllim të përftimit të sigurimit

    Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident trafiku me qëllim të përftimit të sigurimit

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit G.B., për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i sigurimit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar me datën 08 Dhjetor 2024, rreth orës 14:15, në Ferizaj, rr. “Rexhep Bislimi”, saktësisht tek rrethrrotullimi, i pandehuri G.B., me qëllim të arkëtimit të parave dhe benefiteve të sigurimit nga siguruesi, e dëmton pasurinë e siguruar dhe pastaj e lajmëron rrejshëm dëmtimin, në atë mënyrë që qëllimisht shkakton aksident trafiku duke drejtuar veturën të llojit Golf VII dhe në kohë të caktuar rrit shpejtësinë e lëvizjes dhe me anën e majtë të veturës e godet veturën e të dëmtuarës I.T., cila ishte duke lëvizur në rrethrrotullim, ndërsa pësojnë lëndime edhe dy pasagjerët në veturën e të dyshuarit, me çka ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i sigurimit” nga neni 326 paragrafi 1 të KPRK-së.

    I pandehuri që nga data 17 Dhjetor 2024, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.

  • Izraeli kryen sulme ajrore ndaj rebelëve Huthi në Jemen

    Izraeli kryen sulme ajrore ndaj rebelëve Huthi në Jemen

    Ushtria izraelite i ka bombarduar kryeqytetin e Jemenit dhe një qytet port të enjten në mëngjes, duke i vrarë të paktën nëntë njerëz, thanë zyrtarët.

    Paraprakisht, rebelët Huthi e kishin sulmuar Izraelin me raketa.

    Sulmet e së enjtes rrezikojnë përshkallëzimin e konfliktit me rebelët e mbështetur nga Irani, sulmet e të cilëve në korridorin e Detit të Kuq kanë ndikuar ndjeshëm në transportin global.

    Kanali satelitor al-Masirah, i kontrolluar nga rebelët Huthi, raportoi se disa nga sulmet kishin si objektiv stacionet e energjisë në kryeqytet, si dhe terminalin e naftës Ras Isa në Detin e Kuq. Kanali, duke cituar e korrespondentin e tij në qytetin port Hodeida, raportoi se të paktën shtatë njerëz u vranë në portin e afërt të Salifit, ndërsa dy të tjerë u vrarë në terminalin e naftës Ras Isa.

    Gjithashtu u raportua për të plagosur në portin e Hodeidas.

    Ushtria izraelite nuk dha hollësi për objektivat e goditura dhe as për dëmet e shkaktuara nga bombardimet e saj

    “Objektivat e goditura nga [forcat ushtarake izraelite] përdoreshin nga forcat e Huthit për qëllime ushtarake”, tha ushtria izraelite në një komunikatë.

    “Sulmet dëmtojnë regjimin terrorist të Huthit, duke parandaluar që ai të shfrytëzojë objektivat për qëllime ushtarake dhe terroriste, përfshirë kontrabandën e armëve iraniane në rajon”, tha ushtria izraelite.

    Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se sulmet goditën infrastrukturën energjetike dhe të portit, që ai pretendoi se rebelët “po e përdornin në mënyra që kontribuon efektivisht në veprimet e tyre ushtarake”.

    “Izraeli nuk do të hezitojë të veprojë për t’i mbrojtur veten dhe qytetarët e tij nga sulmet e Huthit”, tha Hagari, raporton REL.

    Edhe forcat amerikane i kanë bombarduar objektivat e rebelëve Huthi për gati një vit, për shkak të sulmeve që rebelët po i kryejnë ndaj anijeve tregtare në korridorin e Detit të Kuq.

    Të hënën, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane tha se godi “një objekt kryesor komande dhe kontrolli” të operuar nga rebelët Huthi në Sana.

  • Osmani pas samitit: Llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe

    Osmani pas samitit: Llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe

    Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor u takuan sot në Bruksel në një samit ku, përmes një deklarate përfundimtare, u pajtuan për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe ku vendeve të rajonit iu kërkua t’i zgjidhin mospajtimet.

    Aty nga Kosova ishte presidentja Vjosa Osmani, e cila sot tha se “Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbetet një platformë e rëndësishme për rajonin tonë.

    Njoftimi i plotë i Osmanit:

    Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbetet një platformë e rëndësishme për rajonin tonë. Andaj, në biseda me liderë të institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së, theksova se:

    * E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për ne mbetet një angazhim i çdoditshëm;

    * Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat janë të padrejta dhe joevropiane;

    * Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe;

    * Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha ky është vullnet i popullit tonë.

  • Publikohen fotografitë e para të Donnarummas me qepje në fytyrë pas incidentit të tmerrshëm me lojtarin e Monacos

    Publikohen fotografitë e para të Donnarummas me qepje në fytyrë pas incidentit të tmerrshëm me lojtarin e Monacos

    Portieri i Paris Saint-Germain, Gianluigi Donnarumma ka ndarë fotografinë e parë me fytyrën e ‘qepur’ pas goditjes me këpucë sportive që pranoi nga Wilfried Singo të mërkurën mbrëma.

    Donnarumma ishte i pafat në ndeshjen e PSG-së ndaj Monacos të fituar në fund nga kryeqytetasit me rezultat 2-4.

    Italiani u detyrua ta lëshoj fushën në minutën e 22-të të ndeshjes pasi pësoi një dëmtim të tmerrshëm në fytyrë.

    Ishte mbrojtësi i Monacos, Singo, i cili pasi nuk arriti ta ndalë veten gjatë një aksioni e goditi me ‘thumba’ në fytyrë Donnarumman, i cili nuk mundi të vazhdonte dhe u largua menjëherë.

    Më pas në internet u shfaqën foto të portierit italian, ku tregohej se si dukej fytyra e tij pas incidentit me Singon.

    Siç mund ta shihni në fotografi, qepjet e rregullta nuk ishin të mjaftueshme – mjekët duhej të përdornin një ‘stapler’ mjekësor me kapëse metalike. /Telegrafi/

  • Lansohet sot platforma për raportimin e korrupsionit

    Lansohet sot platforma për raportimin e korrupsionit

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) bën sot lansimin e platformës për raportimin e korrupsionit.

    Kjo platformë moderne synon të fuqizojë qytetarët dhe institucionet në luftën kundër korrupsionit, duke ofruar një mekanizëm të shpejtë, të sigurt dhe konfidencial për raportimin e rasteve.

    “Ngjarja shënon një hap të rëndësishëm për avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë. Kjo platformë është zhvilluar me përkrahjen e UNDP Kosovë dhe UNDP Seul Policy Center, bazuar në konceptin inovativ të “Clean Portal” të Koresë së Jugut, duke u adaptuar sipas nevojave specifike të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohet një burrë në Malishevë, dyshohet për dhunimin e një gruaje

    Arrestohet një burrë në Malishevë, dyshohet për dhunimin e një gruaje

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë për dhunimin e një gruaje në Malishevë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Malishevë / 18.12.2024 – 12:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka dhunuar viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në komunikatë.