ATV

Author: G.O.

  • Kurti sërish refuzon të përgjigjet për ftesën nga Prokuroria Speciale

    Kurti sërish refuzon të përgjigjet për ftesën nga Prokuroria Speciale

    Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar edhe sot të tregojë nëse do t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshminë e tij.

    Pas përfundimit të aktivitetit ku u publikuan rezultatet e para të regjistrimit të popullsisë ngjarje në të cilën fjalim mbajti edhe kryeministri Kurti, ai zgjodhi të mos deklarohej jashtë kur gazetarët insistuan të kishin një përgjigje për këtë çështje.

    Edhe gjatë ditës së djeshme, Kurti ka refuzuar të deklarohet në lidhje me ftesën për intervistim lidhur me skandalin e rezervave shtetërore, në cilësinë e dëshmitarit, që ka marrë nga Prokuroria Speciale dhe mospërgjigjen ndaj saj.

    Kryeministri Kurti mori thirrjen për intervistim si dëshmitar nga Prokuroria Speciale të enjten e 12 dhjetorit, ndërsa nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale.

  • AKB: Mbi 1 mijë e 500 biznese u mbyllën këtë vit në Kosovë

    AKB: Mbi 1 mijë e 500 biznese u mbyllën këtë vit në Kosovë

    Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë një studim të Trendit të ndërmarrësisë për vitin 2024 të hapjes dhe mbylljes së bizneseve në Kosovë në periudhën 01 janar-15 dhjetor 2024

    Sipas këtij studimi janë hapur rreth 11 mijë e 500 biznese të reja por janë mbyllur mbi 1500 biznese aktive që ishin ndër vite.

    Arsyet e mbylljes ishin të ndryshme: Humbja e fuqisë konkurruese, kreditë dhe shërbimet bankare të shtrenjta, konkurrenca jo e drejtë, mos qasje në tenderë publike, tatimet dhe dënime të larta, pengesa në marrje të lejeve dhe licencave të punës në ndërtimtari, mos mbështetje nga qeveria qendrore dhe lokale, burokraci dhe korrupsioni në grante.

    Agim Shahini kryetar i AKB-ës thotë se ky trend vazhdon të jetë i njëjtë që nga viti 2021 i hapjes dhe mbylljes së bizneseve në Kosovë.

    “Kosovarët kanë iniciativa për të hapur biznese por jo të gjithë kanë suksese, qeveria duhet ti mbështet më shumë këto iniciativa dhe të fal ndëshkime e gjoba të cilat janë të lartë Kosovë”.

  • Të shtëna me armë në lagjen ‘Mati 1’ në Prishtinë, arrestohet një person

    Të shtëna me armë në lagjen ‘Mati 1’ në Prishtinë, arrestohet një person

    Të shtëna me armë janë dëgjuar para rreth 1 ore në lagjen Mati 1 në Prishtinë, konkretisht në afërsi të furrës Hasi.

    Një person po dyshohet se ka shkrepur armën rreth 10 herë, për motive akoma të panjohura.

    Bazuar në informacionet e para, nuk ka persona të lënduar, teksa Policia tashmë ndodhet në vendin e ngjarjes.

    Si rezultat i intervenimit të Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar për procedurat e tjera.Në vendin e ngjarjes ndodhen njësitë përkatëse që po kryejnë ekzaminimet e nevojshme, raporton Gazeta Sinjali.

  • Putin thotë se Rusia është afër “qëllimit parësor” në Ukrainë

    Putin thotë se Rusia është afër “qëllimit parësor” në Ukrainë

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Moska është afër qëllimin të vet parësor në luftën kundër Ukrainës, si dhe i sfidoi Shtetet e Bashkuara për një “duel” raketor, me përfshirjen e raketës së re hipersonike balistike të Rusisë, Oreshnik.

    Duke folur në një konferencë vjetor, të cilën e përdor kryesisht për të treguar kontroll mbi gati çdo aspekt të sferës politike dhe ekonomike të Rusisë, Putini u mburr për ekonominë e vendit, duke e fshehur ndikimin e sanksioneve të fuqishme që Perëndimi i vendosi ndaj Kremlinit pas pushtimit të Ukrainës, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Sesioni i kontrolluar rreptë pyetje-përgjigje më 19 dhjetor, i cili transmetohet drejtpërdrejt nga kanalet e televizioneve shtetërore në gjithë vendin, është përqendruar në vitet e fundit në çështje të brendshme.

    Putin, në pushtet për gati një çerek shekulli, tha se forcat ruse po përparojnë përgjatë vijës së frontit në Ukrainë dhe se janë në rrugë për t’i arritur qëllimet e tyre parësore.

    Ai nuk shpjegoi çfarë nënkuptoi më këtë, por në të kaluarën ka thënë se paqja do të jetë e mundur pas “denazifikimin, çmilitarizimin dhe statusin neutral” të Ukrainës.

    Rusia pretendon rrejshëm se Ukraina udhëhiqet nga “nacionalistët radikalë” dh grupet neo-naziste.

    Megjithatë, Putini e pranoi gjithashtu se nuk mund të thoshte se kur Rusia do ta rimarrë kontrollin e plotë të rajonit perëndimor të Kurskut, ku Ukraina nisi një ofensivë të papritur në gusht dhe ende mban nën kontroll pjesë të territorit.

    “Ne do t’i dëbojmë ata patjetër. Patjetër. Nuk mund të jetë ndryshe. Por, sa i përket një date të saktë, më vjen keq, nuk mund ta them tani”, tha Putin.

    Rusia ka lëvizur drejt autoritarizmit që nga ardhja e Putinit në pushtet.

    Por, që nga zgjedhjet e vitit 2018, ky trend është përforcuar edhe më shumë. Opozita, që veçse ishte e margjinalizuar, është shtypur plotësisht.

    Më herët këtë vit, Aleksei Navalny, kritiku më i shquar i Putinit, vdiq në një burg në Siberi.

    Ndërkohë, gjatë konferencës Putin foli me ton sfidues për çështjen e armëve, duke sugjeruar që Moska dhe Uashingtoni t’i zgjedhin objektivat që do të mbroheshin nga sistemet mbrojtëse amerikane dhe më pas t’i lejojnë raketat Oreshnik të lëshohen në drejtim të tyre.

    “Ne jemi gati për një eksperiment të tillë”, tha Putin.

    Rusia e përdori raketën balistike të quajtur Oreshnik kundër Ukrainës më 21 nëntor, në një sulm që kishte si objektiv qytetin e Dnipros.

    Putini tha asokohe se ajo ishte përgjigje ndaj përdorimit të raketave balistike amerikane, ATACMS, dhe raketave britanike, Storm Shadow, nga Ukraina për herë të parë, për ta goditur territorin rus me lejen e Perëndimit.

    Analistët kanë shprehur skepticizëm lidhur me raketat Oreshnik, duke thënë se lëshimi i raketës së re me rreze të mesme veprimi ishte po aq një mesazh politik sa edhe shfaqje e forcës ushtarake./REL

  • Krasniqi priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier

    Krasniqi priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeffrey Hovenier, raporton Ekonomia Online.

    “Pata nderin të pres në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë – mikun tonë të çmuar, Jeffrey Hovenier. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ambasadorit Hovenier i shpreha mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në procese dhe situata sfiduese për Kosovën. Me këtë rast, ia dhurova fotografinë tonë të përbashkët nga takimi ikonik i vitit 2010, si pjesë e delegacioneve të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe nënpresidentit Joe Biden”, shkruan Krasniqi.

    Ai tha se po ashtu, ia ka dhuruar dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës për ta falënderuar për angazhimin e tij të palodhur në avancimin e interesave të përbashkëta mes shteteve tona.

    “Ishte kënaqësi të bashkëpunojmë në këtë rrugëtim. Suksese të mëtejme miku ynë! Kastrati shtoi se është diskutuar me ekspertët ndërkombëtarë për vlerësimin e popullsisë në këtë pjesë të Kosovës, dhe ata kanë ofruar një vlerësim më të saktë për komunitetin serb. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, janë përdorur kritere të standardizuara për vlerësimin e numrit të popullsisë, si intervistat dhe llogaritjet e tjera”, ka thënë Krasniqi.

  • Serbia refuzon vizitën e ministrit Çeku në Preshevë

    Serbia refuzon vizitën e ministrit Çeku në Preshevë

    Beogradi ka refuzuar kërkesën e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku për vizitë në Preshevë.

    Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani njofton se ky është një akt tjetër izolimi ndaj shqiptarëve të Preshevës.

    “Refuzimi i minutës së fundit – Akt tjetër izolimi ndaj shqiptarëve të Preshevës Sot, në orën 12:30, ishte planifikuar vizita e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, z. Hajrulla Çeku, në Komunën e Preshevës. Pavarësisht kërkesës së bërë sipas protokolleve të Marrëveshjes së Brukselit, Zyra Ndërlidhëse në Beograd njoftoi refuzimin vetëm një orë para vizitës, duke shkelur afatin 48-orësh për përgjigje. Ky veprim është dëshmi e tentativave të vazhdueshme për të izoluar shqiptarët e Preshevës”, ka shkruar Sinani.

    Shqiptarët e Preshevës meritojnë trajtim të barabartë dhe respekt për të drejtat e tyre, ashtu si të gjithë qytetarët tjerë në rajon, thotë tutje ajo.

  • Damian Lillard bëhet basketbollisti i parë në histori që nënshkruan një kontratë të përjetshme me Adidasin

    Damian Lillard bëhet basketbollisti i parë në histori që nënshkruan një kontratë të përjetshme me Adidasin

    Ylli i Milwaukee Bucks, Damian Lillard u bë basketbollisti i parë në histori që nënshkroi një kontratë të përjetshme me kompaninë e njohur të veshmbathjeve Adidas.

    Lillard nënshkroi kontratën e tij të parë me Adidas para sezonit të tij të parë në NBA në vitin 2012, dhe në 2014 ai zgjati kontratën e tij dhe nënshkroi një angazhim dhjetëvjeçar me vlerë 100 milionë dollarë.

    Duke qenë se kontrata e tij është gati të skadojë, Adidas i bëri atij një ofertë të re që ai nuk mund ta refuzonte – një kontratë të përjetshme.

    Kështu Lillard u bë lojtari i katërt aktiv që kishte një kontratë të përjetshme me një prodhues pajisjesh sportive.

    E ndërsa nuk është bërë e ditur se sa para do të marrë Lillard për një kontratë të përjetshme, dihet se sa fitojnë tre të tjerët.

    LeBron James ka një kontratë me Nike me vlerë një miliard dollarë, Kevin Durant paguhet 300 milionë nga Nike, ndërsa kontrata e Steph Curry me Under Armour “peshon” 75 milionë dollarë. /Telegrafi/

  • Zelensky thotë se e ka diskutuar me Macronin idenë e trupave franceze në Ukrainë

    Zelensky thotë se e ka diskutuar me Macronin idenë e trupave franceze në Ukrainë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ka pasur një diskutim të ri me homologun francez, Emmanuel Macron, lidhur me propozimin e tij për të vendosur trupa në Ukrainë si një mjet për të ndihmuar në arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

    “Ne ndajmë një vizion të përbashkët, garancitë e besueshme janë thelbësore për një paqe që mund të arrihet vërtet”, ka thënë presidenti i Ukrainës, i cili ishte në Bruksel të mërkurën për takime me shefin e NATO-s dhe liderët evropianë, raporton The Guardian.

    Ndërkaq, zyra e Macronit ka thënë se Franca e ka bërë “prioritetin absolut” të saj mbështetjen e përforcuar për Ukrainën dhe do të vazhdojë t’i japë Ukrainës “mjetet për të mbrojtur veten dhe për të bërë që lufta e agresionit të Rusisë të dështojë”.

  • ASK: 93.49 për qind e popullsisë në Kosovë i përkasin besimit islam

    ASK: 93.49 për qind e popullsisë në Kosovë i përkasin besimit islam

    Në Kosovë, 93.49 për qind e popullsisë është deklaruar se i përkasin besimit islam.

    Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, në prezantimin e rezultateve përfundimtare të popullsisë.

    Struktura fetare e Kosovës dominohet nga besimi islam, ndërsa grupet ortodokse dhe katolike përfaqësojnë grupet më të mëdha të minoriteteve fetare.

    93.49 për qind e popullsisë i përket besimit islam, 2.31 për qind atij ortodoks, 1.75 për qind katolikë, të tjerë 1.75 për qind, asnjë besim 0.50 për qind dhe pa përgjigje 1.50 për qind.

    Gjatë prezantimit të këtyre të dhënave, u njoftua se në Kosovë jetojnë 1 milion e 585 mijë e 566 banorë rezidentë.

    Këto të dhëna paraqesin vetëm popullsinë rezidente në Kosovë, pasi që procesi i regjistrimit të diasporës ende vazhdon.

    Deri më tani janë regjistruar rreth 550 mijë persona nga diaspora.

  • Arrestohen tre të dyshuar për tentim vrasje në Gjakovë

    Arrestohen tre të dyshuar për tentim vrasje në Gjakovë

    Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar edhe tre të dyshuar për tentim vrasjen e ndodhur më 15 dhjetor në Gjakovë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se dy prej të dyshuarve u dërguan në mbajtje, ndërsa i treti u lirua në procedurë të rregullt.

    “Gjakovë / 15.12.2024 – 21:15. Lidhur me rastin, më 18.12.2024 janë arrestuar edhe tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.