ATV

Author: G.O.

  • Osmani uron Veteranët e UÇK-së: 30 dhjetori, mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari

    Osmani uron Veteranët e UÇK-së: 30 dhjetori, mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar veteranët për Ditën e Veteranëve të UÇK-së.

    “Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar. Sot nderojmë dhe përulemi me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut”, ka shkruar Osmani.

    Ajo në urimin e saj thekson se kjo datë mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar Adem jashari.

    “30 dhjetori është një datë që mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij, të cilët më 30 dhjetor 1991 zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb. Kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt guximi që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtet. Atyre ju bashkuan me mijëra burra e gra, të cilët i dolën zot atdheut në kohët më të rënda, duke u shndërruar kështu në emblemë të shtetit tonë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së!”, ka thënë presidentja Osmani.

  • Aeroporti “Adem Jashari” regjistroi katër milionë pasagjerë

    Aeroporti “Adem Jashari” regjistroi katër milionë pasagjerë

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” sot i ka regjistruar katër milionë pasagjerë, përfshirë këtu shqiptarë e të huaj, nga brenda e jashtë vendit, që kanë udhëtuar nga dhe drejt Prishtinës.

    Aty sot i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi.

    Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria, Kurti citohet të ketë thënë se prej liberalizimit të vizave ka më shumë se dyfishim të pasagjerëve, 46% rritje të fluturimeve, si dhe janë shtuar 16 destinacione të reja e 16 operatorë të rinj.

    “Me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së aeroportit, kryeministri njoftoi se janë krijuar lehtësira të tjera për zhvillimin e transportit ajror, siç është zgjatja e pistës nga 2,500m në 3,040m, avancimi i sistemit të aterimit – Instrument Landing System (ILS), i cili ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e kapacitetit të aeroportit për pranimin e avionëve më të mëdhenj dhe më shumë fluturime, si dhe hapa e korridorit ajror përmes Shqipërisë që ka shkurtuar rrugën e fluturimit nga Republika e Kosovës për në Bashkim Evropian deri në 15 minuta”.

    “Ndërkaq, bazuar në marrëveshjen bilaterale me Zvicrën është arritur që për herë të parë të dizajnohet një operator ajror për transportin e udhëtarëve mes Kosovës dhe Zvicrës me kritere të caktuara nga shteti i Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

    Tutje, Kurti tha se gjeografikisht, Kosova gjendet mu në mes të Ballkanit Perëndimor, çka e bënë edhe qendër rajonale dhe pikë strategjike të udhëtimit, dhe se zhvillimi i Kosovës kalon edhe nëpërmjet vendosjes së vendit si urë lidhëse mes shteteve të rajonit, por edhe mes rajonit dhe Evropës Qendrore e perëndimit në përgjithësi.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

    Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M., G.P., dhe K.K., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 20.12.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve N.M., G.P., dhe K.K., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj për secilin, e cila masë iu llogaritet nga data 24.12.2024 deri më datë 23.02.2025”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

    Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

    Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

    Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D.

  • Legjenda turke, Arda Turan e pranon që ka prejardhje shqiptare

    Legjenda turke, Arda Turan e pranon që ka prejardhje shqiptare

    Ish-mesfushori i njohur turk, Ardan Turan ka zbuluar së fundmi se ai ka prejardhje shqiptare nga nëna, e cila është më saktë nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.

    Turan njihet si njëri nga futbollistët më të mëdhenj turk në histori, por ai është vetëm një i ardhur në Turqi.

    Është vet Turan, i cili së fundmi ka zbuluar në një intervistë se ka prejardhje shqiptare nga ana e nënës, teksa edhe babai i tij është ballkanas.

    “Njihet si lagjja e boshnjakëve, është një zonë ku ka më shumë emigrantë”, u përgjigj fillimisht Turan kur u pyet rreth jetës së tij në lagjen Bayrampasa të Stambollit.

    “Edhe familja ime është emigrante nga të dyja anët, edhe nga nëna edhe nga babai. Nëna është shqiptare nga Prishtina, baba ngjashëm është emigrantë nga Jugosllavia”, përfundoi Turan.


    Ndryshe, Turan gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube të mëdha si Galatasaray, Atletico Madrid, Barcelona dhe Istanbul Basaksehir.

    Ai gjithashtu ka luajtur për të gjitha ekipet e moshave të Turqisë, teksa për ekipin senior ka bërë mbi 100 paraqitje.

    Turan së fundmi ka nisur karrierën si trajner dhe momentalisht menaxhon ekipin e Eyupspor. /Telegrafi/

  • Cilat aplikacione u harxhojnë më së shumti baterinë e telefonit?

    Cilat aplikacione u harxhojnë më së shumti baterinë e telefonit?

    Ndër aplikacionet e shumta që ndikojnë në shkarkimin e shpejtë të baterisë në telefona, veçohen dy në veçanti.

    Analiza jonë PBC na jep një pasqyrë se cilat aplikacione të njohura konsumojnë më shumë bateri në telefonat inteligjentë dhe ndikimi i tyre është aq i madh sa mund të çojë në një shkurtim të përhershëm të jetëgjatësisë së baterisë.

    Analiza u bazua në supozimin se përdoruesi i telefonit Android ose iPhone u dha aplikacioneve qasje në të gjitha lejet e disponueshme që kërkohen gjatë instalimit të tyre të parë në telefon.

    Lejet e përmendura përfshijnë lidhjen Wi-Fi, statusin e telefonit, hapësirën e ruajtjes, gjurmimin e vendndodhjes, informacionin e telefonatave, kontakteve dhe mesazheve, si dhe lejet e kamerës dhe mikrofonit. Gjithashtu, një numër i madh aplikacionesh kërkojnë qasje në fotot, video skedarët dhe skedarët e tjerë të përdoruesit.

    Analiza zbuloi se aplikacionet që konsumojnë më shumë burime baterie në telefon janë Instagram dhe Fitbit. Aplikacionet e përmendura konsumojnë në mënyrë të barabartë baterinë e pajisjes dhe potencialisht mund të konsumojnë deri në 85% të baterisë edhe kur nuk përdoren në mënyrë aktive. Pas tyre, në listë janë Facebook, WhatsApp, LinkedIn dhe Tasker.

    Nga 20 aplikacionet në listën e atyre që konsumojnë më shumë baterinë e telefonit, shtatë prej tyre janë rrjete sociale të njohura që përdoren nga miliona njerëz çdo ditë. Këto janë Instagram, Facebook, X (Twitter), WhatsApp, Telegram, Facebook Messenger dhe LinkedIn.

    Ato ndiqen nga aplikacionet e takimeve, të cilat konsumojnë më shumë se 70 për qind të baterisë: Tinder, Grindr dhe Hinge. /Telegrafi/

  • Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet për 23 shkurt

    Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet për 23 shkurt

    Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka urdhëruar shpërndarjen e Parlamentit dhe ka caktuar zgjedhjet e reja për 23 shkurt.

    Zgjedhjet e reja do të mbahen pas rënies së koalicionit qeverisës të kancelarit, Olaf Scholz.

    Scholz nuk e mori votëbesimin më 16 dhjetor dhe aktualisht po udhëheq një Qeveri të pakicës, pasi koalicioni trepartiak i tij kolapsoi më 6 nëntor. Kjo ndodhi për shkak se Scholz shkarkoi ministrin e tij të Financave lidhur me mospajtimet se si të revitalizohet ekonomia e Gjermanisë.

    Steinmeier tha se e mori vendimin për zgjedhjet e reja për shkak se pas konsultimeve me udhëheqësit partiakë u bë e qartë se nuk ka marrëveshje mes partive politike të Gjermanisë për një Qeveri të re me përbërjen aktuale të Parlamentit.

    “Pikërisht në momente të vështira kërkohet stabilitet dhe një Qeveri e aftë që të marrë veprime dhe një shumicë e besueshme në Parlament”, tha ai.

    “Prandaj, jam i bindur se për të mirën e shtetit tonë, zgjedhjet e reja janë rruga e duhur”, shtoi presidenti gjerman.

    Pasi që Kushtetuta gjermane, e miratuar pas Luftës së Dytë Botërore, nuk lejon që Bundestagu të shpërndajë veten, ishte në dorën e Steinmeierit që të vendoste për një gjë të tillë dhe të shpallte zgjedhje të reja.

    Ai kishte 21 ditë afat për këtë vendim, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Pas shpërndarjes së Parlamentit, sipas ligjeve gjermane, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditësh.

    Paraprakisht, udhëheqësit e partive kryesore në Gjermani ishin pajtuar për datën 23 shkurt.

    Zgjedhjet në Gjermani do të mbahen shtatë muaj më herët seç ishin planifikuar fillimisht.

    Steinmeier paralajmëroi për ndërhyrje nga jashtë në votime, duke thënë se është “një rrezik për demokracinë, qoftë nëse është i fshehtë, siç ishte në rastin për zgjedhjet e fundit në Rumani, apo i hapur, ashtu siç po ndodh gjithnjë e më shumë në platformën X”.

    Gjykata Kushtetuese ka anuluar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, pasi u publikuan pretendime se Rusia kishte koordinuar një fushatë online për të promovuar një kandidat të krahut të djathtë, që fitoi rundin e parë.

    Fushata në Gjermani veçse ka nisur. Sipas sondazheve, partia e Scholzit është në garë të ngushtë me bllokun opozitar të udhëhequr Friedrich Merz. Ndërkaq, të Gjelbërit – partnerët aktualë qeverisës të Schozlit – po ashtu vlerësohen se do të jenë në garë për të marrë poste kyçe. Megjithatë, sondazhet sugjerojnë se Qeveria e re me gjasë do të udhëhiqet nga Merz si kancelar, në një koalicion me të paktën një parti tjetër./REL

  • Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?

    Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?

    Mungesa e gjumit të mjaftueshëm i “zbraz” aftësitë tuaj mendore dhe e vë në rrezik shëndetin tuaj fizik, si për shembull sistemin imunitar.

    Kur flini sistemi i juaj imunitar prodhon substanca mbrojtëse që luftojnë infeksionin, sikurse antitrupat dhe citokinat.

    Më pas, i përdor këto substanca për të luftuar ‘pushtuesit’ e huaj sikurse bakteret dhe viruset.

    Disa citokina ju ndihmojnë gjithashtu të flini, duke i dhënë sistemit tuaj imunitar më shumë efikasitet për të mbrojtur trupin tuaj kundër sëmundjeve.

    Mungesa e gjumit parandalon sistemin tuaj imunitar të krijojë forcat e tij. Nëse nuk flini mjaftueshëm, trupi juaj mund të mos jetë në gjendje të shmangë pushtuesit dhe gjithashtu mund t’ju duhet më shumë kohë për t’u shëruar nga sëmundja.

    Privimi afatgjatë i gjumit gjithashtu rrit rrezikun për sëmundje kronike, të tilla si diabeti mellitus dhe sëmundjet e zemrës. /Telegrafi/

     

  • “Çfarë ylli je”, fotografi Fadil Berisha ndan momentin emocionues nga takimi me Parashqevi Simakun

    “Çfarë ylli je”, fotografi Fadil Berisha ndan momentin emocionues nga takimi me Parashqevi Simakun

    Fotografi i njohur me famë botërore, Fadil Berisha, ka ndarë një moment të veçantë me artisten e njohur shqiptare Parashqevi Simaku gjatë një takimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ky takim, i mbushur me emocione dhe respekt të ndërsjellë, shënon një rikthim në kujtime dhe vlerësim për kontributet e tyre në art dhe kulturë.

    Berisha, i cili ka ndërtuar një karrierë të shkëlqyer në fushën e fotografisë në SHBA, e vlerësoi Simakun për rolin e saj si pionere e modernizmit në muzikën dhe artin shqiptar. “Është shumë bukur që shohësh të gjithë njerëzit që tregojnë dashuri për ty.

    Ti e di çfarë ylli je. Ishe e para që solli nga Shqipëria modernizmin në muzikë dhe art,” u shpreh Berisha, duke ndarë respektin e tij për figurën ikonike të këngëtares.

    Nga ana tjetër, Parashqevi Simaku vlerësoi arritjet e Fadil Berishës dhe e përmendi si një shembull frymëzimi për shqiptarët kudo në botë. Gjatë bisedës, ajo kujtoi dhe aktorin e famshëm me origjinë shqiptare, Jim Belushi, si dhe shprehu mirënjohjen e saj ndaj Elton Ilirjanit, të cilin e quajti “shpëtimtarin e saj”.

    Ky takim i rrallë mes dy ikonave shqiptare është një dëshmi e lidhjes së fortë që arti dhe kultura krijojnë mes njerëzve, pavarësisht largësisë dhe kohës. Fadil Berisha dhe Parashqevi Simaku vazhdojnë të frymëzojnë me kontributet e tyre dhe të tregojnë se rrënjët shqiptare mbeten gjithmonë burim krenarie dhe vlerash të përbashkëta. /Telegrafi/

  • Presidentja Osmani dekreton 24 prokurorë të rinj, gjysma prej tyre gra

    Presidentja Osmani dekreton 24 prokurorë të rinj, gjysma prej tyre gra

    Presidentja Vjosa Osmani me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dekreton njëzet e katër prokurorë të rinj.

    Prej njëzet e katër prokurorëve të dekretuar nga Osmani, pothuajse gjysma prej tyre gra.

    “Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, prokurorët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale. Presidentja Osmani ndër të tjera ka theksuar rëndësinë e integritetit, pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit të prokurorëve, si elemente thelbësore për një sistem që garanton drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje prokurorëve të rinj që të mos kenë kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit”, thuhet në njoftim.

  • Real Madridi po i kushton vëmendje qendërmbrojtësit 19-vjeçar që po shkëlqen në Ligën Premier

    Real Madridi po i kushton vëmendje qendërmbrojtësit 19-vjeçar që po shkëlqen në Ligën Premier

    Mbrojtësi i Bournemouth, Dean Huijsen thuhet se ka përfunduar në radarin dhe listën e dëshirave të gjigantit spanjoll, Real Madridit.

    Real Madridi nuk e ka prioritet ardhjen e një qendërmbrojtësi për vitin 2025, por ata po mbledhin një listë dëshirash për këtë pozicion.

    Los Blancos i kanë vënë sytë te një lojtar që shumë besojnë se do të jetë një reprezentues i ardhshëm i Spanjës.

    Sipas Diario AS, mbrojtësi i Bournemouth, Huijsen ka qenë mbresëlënës që nga ardhja e tij në Ligën Premier nga Juventusi dhe Real Madridi po i kushton vëmendje.

    Informacioni i tyre është se nga të gjithë kandidatët në listën e tyre të ngushtë, Huijsen është opsioni i preferuar aktualisht.

    19-vjeçari ka zhvilluar 12 ndeshje deri tani në Ligën Premier dhe ka shënuar dy gola, teksa çmimi i tij në treg vlerësohet të jetë rreth 20 milionë euro. /Telegrafi/