ATV

Author: G.O.

  • Sot rinisin seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot rinisin seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dalin përpara trupit gjykues sot, në kuadër të rastit “Thaçi dhe të tjerët”, pas një pushimi dimëror tre javor të Gjykatës Speciale.

    Seancat do të vijojnë sipas orarit të rregullt, nga e hëna deri të enjten, duke nisur nga ora 09:00.

    Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur të pranojnë me shkrim dëshmitë e dy dëshmitarëve.

    Ky vendim, i marrë më 6 janar, lejon mbrojtjen që t’i marrë në pyetje dëshmitarët përkatës.

  • Vazhdon lufta me zjarret në Los Angeles, rritet numri i viktimave

    Vazhdon lufta me zjarret në Los Angeles, rritet numri i viktimave

    Zjarrfikësit po bëjnë përpjekje t’i frenojnë zjarret në Los Angeles, që vazhdojnë të shkrumbojnë zona për të shtatën ditë me radhë.

    Autoritetet evidentuan së paku 24 njerëz të vdekur si pasojë e zjarreve, ndërsa 16 të tjerë janë të zhdukur.

    Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se kjo mund të jetë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e SHBA-së, pasi ka shkatërruar mijëra shtëpi dhe ka detyruar mbi 100.000 njerëz të evakuohen.

    Sipas zyrtarëve, mbi 12.300 struktura janë dëmtuar ose shkatërruar.

    Situatën pritet ta përkeqësojnë edhe erërat me shpejtësi 80 deri në 112 kilometra në orë, të cilat, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, nisën të dielën mbrëma dhe do të zgjasin deri të mërkurën.

    Zyrtarët paralajmëruan të gjithë popullsinë e Qarkut, prej afro 10 milionë banorësh – se mund të urdhërohet të evakuohet nga flakët dhe tymi toksik.

  • DnV bën thirrje për një fushatë të rregullt zgjedhore dhe mosshfrytëzim të resurseve publike për qëllime elektorale

    DnV bën thirrje për një fushatë të rregullt zgjedhore dhe mosshfrytëzim të resurseve publike për qëllime elektorale

    Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka bërë thirrje për një fushatë të rregullt zgjedhore, garë të barabartë, liri të shprehjes, transparencë, dhe mosshfrytëzim të resurseve publike për qëllime elektorale, raporton Ekonomia Online.

    Në emër të DnV-së kanë folur Ismet Kryeziu, Mexhide Demolli Nimani dhe Rezarta Delibashzade Krasniqi.

    Gara e barabartë zgjedhore

    Në konferencë është bërë thirrje që kandidatët dhe partitë duhet të kenë mundësi reale për të konkurruar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Po ashtu, është thënë se nuk duhet të ketë pengesa artificiale për regjistrimin e kandidatëve apo partive.

    Specifikisht, DnV vlerësoi që ky standard u vu në pikëpyetje gjatë rastit të moscertifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja.

    Ky vendim, i marrë në kundërshtim me rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, e cila kishte konstatuar se subjekti i përmbushte kriteret e nevojshme, nxiti kritika për ndërhyrje të mundshme politike në një proces që duhet të udhëhiqet nga profesionalizmi dhe ligji. Vendimi i mëvonshëm i PZAP-së, por dhe ai i Gjykatës Supreme për certifikimin e këtij subjekti jo vetëm që korrigjoi një gabim procedural, por tregoi gjithashtu mungesën e profesionalizmit në vendimmarrjen e KQZ-së.

    Shfrytëzimi i resurseve publike për qëllime elektorale

    Përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale u tha se mbetet një çështje kritike gjatë periudhave zgjedhore. Aktualisht, janë vërejtur disa raste që ngrejnë shqetësime mbi integritetin e garës zgjedhore dhe barazinë midis subjekteve politike.
    Në këtë drejtim, vendimi i 22 dhjetorit i qeverisë për të shpërndarë nga 100 euro për rreth 700,000 qytetarë, përfshirë 400 mijë fëmijë dhe 300 mijë kategori tjera sociale (pensionistët, dhe skemat tjera sociale), si dhuratë për festat e fundvitit – që ka prekur pothuajse secilën familje – ka ngjallur diskutime nëse një masë e tillë mund të ketë ndikuar tek elektorati në prag të zgjedhjeve. Po ashtu, ceremonia e ndarjes së “kartelave” të punës për 220 të punësuar në KEK, ku kryeministri Albin Kurti mori pjesë personalisht për t’i dorëzuar, përbën një veprim që mund të interpretohet si përdorim i burimeve shtetërore për qëllime partiake.
    Për më tepër, në nivelet komunale dhe qendrore, janë raportuar gjithashtu raste të prerjeve të shiritave dhe promovimeve të projekteve të përfunduara, si ajo e kandidatit të PDK në Mitrovicë, kandidatit të LDK në Lipjan, të cilat duket se janë planifikuar qëllimisht për t’u zhvilluar pranë periudhës së fushatës. Këto veprime krijojnë një perceptim të përpjekjeve për të ndikuar votuesit përmes burimeve publike dhe vendosin në pikëpyetje barazinë e garës elektorale.

    Liria e fjalës dhe grumbullimit

    Duke folur rreth fillimit të fushatës zgjedhore që do të fillojë të shtunën, është kërkuar po ashtu që kandidatët, partitë dhe qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre dhe të organizojnë takime politike pa pengesa. Gjithashtu, duhet të sigurohet që nuk ka kërcënime, dhunë apo frikësim ndaj kandidatëve, vullnetarëve apo votuesve.

    „Një nga standardet kyçe për një proces zgjedhor demokratik është garantimi i lirisë së fjalës dhe të drejtës për mbledhje të lirë. Kjo përfshin lirinë e kandidatëve, partive dhe qytetarëve për të shprehur mendimet e tyre dhe për të organizuar takime politike pa pengesa apo ndërhyrje. Gjithashtu, është e rëndësishme që të mos ketë kërcënime, dhunë apo frikësim ndaj kandidatëve, vullnetarëve apo votuesve“. Për më tepër, u tha se shumica e partive politike kanë publikuar platformat e tyre politike në kohë dhe kanë bazuar aktivitetet e tyre kryesisht në aspekte programore. Megjithatë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është përjashtimi i vetëm në mesin e partive të mëdha parlamentare, pasi nuk e ka bërë ende publike platformën e saj politike, edhe sot, kur jemi një ditë përpara nisjes zyrtare të fushatës.

    Liria e shprehjes dhe informimit

    Garantimi që media ka mundësi të barabarta për të mbuluar të gjitha partitë dhe kandidatët pa ndërhyrje apo censurë, si dhe vlerësimi i hapësirës që u jepet partive në media dhe shmangia e mbulimit të njëanshëm, ka qenë mesazhi i radhës që është përvcjellë nga DnV.

    Sipas DnV-së, duhet po ashtu të sigurohet liria e qytetarëve për të marrë informacion të paanshëm dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre pa frikë nga represioni.

    Sipas përfaqësuesve të DnV-së, liria e shprehjes dhe garantimi i qasjes së barabartë në informim janë thelbësore për një proces zgjedhor demokratik. Në këtë drejtim, mediat kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke i dhënë një dinamikë dhe gjallëri aktiviteteve politike gjatë fushatës zgjedhore.

    „Mediat kryesore, veçanërisht televizionet dhe portalet online, kanë ofruar transmetime në prime time të debatesh analitike, përballjeve mes kandidatëve dhe intervistave me liderë politikë. Kjo ka krijuar një hapësirë të gjerë për informim dhe pjesëmarrje. Gjithashtu, disa media private kanë publikuar kalendarë për transmetimin falas të spoteve zgjedhore të partive, duke përmbushur detyrimet e tyre ligjore dhe duke kontribuar në një qasje të barabartë për të gjithë akterët politikë”, është potencuar në konferencë.

    Një aspekt tjetër që u theksua gjatë konferencës ishte mungesa e deritanishme e debateve të drejtpërdrejta midis konkurrentëve politikë, veçanërisht mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Ky element mund të konsiderohet si një vakum në spektrin e përballjeve publike, që ndikon në pasqyrimin e plotë të pikëpamjeve politike për qytetarët.

    Po ashtu, sa i përket financimit të fushatës, u tha se e njëjta po karakterizohet nga shpenzime të konsiderueshme në aktivitete vizuale dhe logjistike, duke përfshirë përgatitjen e sallave, skenave, banerëve, zërimit dhe ndriçimit për takime publike. Këto elemente kërkojnë një mbështetje të fortë financiare, duke reflektuar një angazhim të madh të partive në organizimin e aktiviteteve.

    Një tjetër aspekt i rëndësishëm i shpenzimeve është angazhimi në marketingun digjital. Partitë po investojnë ndjeshëm në videografika, infografika dhe postime në rrjetet sociale për të rritur praninë e tyre online dhe për të arritur një audiencë më të gjerë. Sponsorizimet në Facebook dhe Instagram kanë shënuar një rritje të madhe dhe duket se janë një pjesë integrale e strategjisë së komunikimit të partive. Bazuar në sponsorizimet e dukshme deri tani, LDK kryeson në këtë drejtim, ndjekur nga PDK, AAK, dhe VV në vendin e katërt. Megjithatë, në javën e fundit, VV ka nisur një fushatë të fuqishme sponsorizimi, duke shënuar një ndryshim të dukshëm në angazhimin e saj financiar në rrjetet sociale.

    Gjatë konferencës për media është folur edhe për përfshirjen e grupeve të margjinalizuara, ku është bërë thirrje për promovim të një fushate gjithpërfshirëse, me pjesëmarrjen e grave, të rinjve dhe grupeve të tjera të margjinalizuara si kandidatë dhe votues.

    Po ashtu, në konferencë është përmendur edhe nevoja për një financim transparent të fushatës dhe i bazuar në rregullat e sanksionuara me ligj, si dhe është këruar që raportimi financiar duhet të bëhet publik dhe të jetë i çasshëm për publikun. Në këtë kontekst, DnV ka paraqitur edhe disa të dhëna të partive politike në lidhje me shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

    Përdorimi i gjihës së drejtë dhe jo diskriminuese, neutraliteti institucional, qartësia dhe informimi i vyuesve, si dhe përdorimi dhe keqpërdorimi i burimeve publike, kanë qenë temat tjera të diskutuara në konferencë.

    Ndërkohë, gjatë konferencës është folur edhe për një platformë të re të KDI-së për promovimin dhe kultivimin e një diskursi të shëndoshë shoqëror.

    “KDI në bashkëpunim me institutin Politools nga Zvicra ka dizajnuar një mjet të ri digjital, të quajtur SmartVote Kosova i cili në fakt është një pyetësor online, që përmban rreth 25 pyetje që janë me shumë interes për qytetarët e vendit. Qëllimi kryesor i platformës SmartVote është që në prag të zgjedhjeve të promovohet dhe kultivohet një diskurs i shëndoshë shoqëror, që bazohet në ofertat programore të subjekteve politike në garë dhe në prioritetet e qytetarëve”, është njoftuar në konferencë.
    Sipas tyre, përmes SmartVote Kosova, qytetarët e Kosovës, për herë të parë do të kenë mundësi që para ditës së zgjedhjeve të kuptojnë se me cilat parti politike i kanë qëndrimet më të përafërta.

    Në përfundim, DnV prezantoi një varg rekomandimesh për një fushatë të lirë, transparente që mundëson garë të barabartë zgjedhore, duke i bërë thirrje institucioneve, partive dhe qytetarëve të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

  • Zhegrova mungon edhe sonte tek Lille

    Zhegrova mungon edhe sonte tek Lille

    Skuadra e Lille do të luajë sonte ndaj Auxerre në Ligue 1, por pa prezencën e Edon Zhegrovës.

    Ndeshja do të zhvillohet nga ora 21:05, ndërsa ylli i Kombëtares së Kosovës mungon për shkak të një lëndimi, i cili e ka mbajtur jashtë fushës së lojës.

    Trajneri Bruno Genesio konfirmoi mungesën e Zhegrovës gjatë një konference të djeshme, duke theksuar se ai ka rifilluar stërvitjen, por i duhet më shumë kohë për t’u rikthyer plotësisht.

  • Këto janë të gjitha vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë

    Këto janë të gjitha vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje, ku janë marrë pesë vendime.

    Në mesin e tyre është edhe ai për rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës për 20 për qind.

    “Aprovuar rritjen e përfitimeve dhe pensioneve duke përditësuar tabelën në Shtojcën 1. të Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre. Me këtë vendim edhe zyrtarisht aprovohet rritja për 20% e pensioneve mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarët e UÇK-së, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile”, thuhet në vendim.

    Në këtë mbledhje është emëruar Avni Kastrati si Drejtor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si dhe Lyra Osmani në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm.

    Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të ZKM-së:

    Përditësuar Listën Shtetërore Strategjike për Mallra me Përdorim të Dyfishtë, për mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike ose për arsye të drejtave të njeriut;

    Aprovuar rritjen e përfitimeve dhe pensioneve duke përditësuar tabelën në Shtojcën 1. të Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre. Me këtë vendim edhe zyrtarisht aprovohet rritja për 20% e pensioneve mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarët e UÇK-së, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile;

    Emëruar znj. Lyra Osmani në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit;

    Emëruar z. Avni Kastrati në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në kuadër të Zyrës së Kryeministrit;

    Aprovuar Raportin për Vlerësimin Ex – Post të Ligjit Nr. 04/L-184 për Administrimin e Punës në Zyrë. Vlerësimi i Ligjit për Administrimin e Punës në Zyre është bërë me kërkesën e Ministrisë përgjegjëse për administratën publike, asaj të Punëve të Brendshme. Të gjeturat tregojnë që ligji në fjalë nuk gjen zbatim të plotë dhe që ka mungesë të kapaciteteve që sigurojnë një gjë të tillë. Me adresimin e të gjeturave do ndërmerren hapat e nevojshëm për të siguruar cilësinë e ligjit dhe zbatimin e plotë të tij.

  • ​Ndalohen dy persona për tentim-grabitje në një market të Gjilanit

    ​Ndalohen dy persona për tentim-grabitje në një market të Gjilanit

    Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar L.G. dhe M.D., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale grabitje në tentativë.

    L.G. dhe M.D. më 8 janar 2025, në rrugën ‘’Metush Krasniqi’’, në Gjilan, kanë hyrë në një market, ku fillimisht njëri ka kërkuar pije alkoolike, ndërsa tjetri ka shkuar tek arka e marketit, ku me përdorimin e forcës, duke përdor një thikë ka tentuar të hapë arkën, por nuk ka arritur pasi ankuesja H.D. ka bërtitur dhe nga depo kishte dalë menaxheri, ku pastaj të njëjtit ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

    Prokurori i rastit brenda afatit ligjor ndaj dy të dyshuarve do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan.

  • Ç’është dialogu strategjik që pritet të finalizohet me marrëveshje mes Kosovës dhe SHBA-së?

    Ç’është dialogu strategjik që pritet të finalizohet me marrëveshje mes Kosovës dhe SHBA-së?

    Kosova dhe Shtetet e Bashkuara së shpejti do të finalizojnë një marrëveshje për “dialogun strategjik”.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se me kërkesën e saj në vitin 2021, SHBA-ja ka konfirmuar se së shpejti do ta finalizojë këtë dialog me Kosovën.

    Lajmin ia ka sjellë zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, i cili po viziton Kosovën.

    Çfarë nënkupton kjo?

    Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

    Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik etj.

    Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin etj.

    SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.

    Dialog strategjik edhe me Kosovën, edhe me Serbinë

    Dialogu strategjik me Kosovën dhe Serbinë është përmendur gjithashtu në një deklaratë për shtyp të senatores amerikane, Jeanne Shaheen, në prill të vitit 2024.

    Në atë kohë, Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit të SHBA-së miratoi një projektligj të propozuar nga senatorja demokrate Shaheen dhe senatori republikan, Roger Wicker, që synonte rritjen e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe u dërgua në Senat për shqyrtim.

    Projektligji përmend gjithashtu nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kur të jetë bërë përparim i mjaftueshëm, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë nismat për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet.

    “Këta hapa të propozuar përfshijnë nisjen e dialogut strategjik dypalësh me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështetjen e nismave konkrete në fushën e tregtisë dhe investimeve”, thuhet në deklaratën për shtyp të senatores Jeanne Shaheen.

    Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington DC, dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, dr. Karen Donfried.

    Në atë kohë, të dyja vendet theksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe riafirmuan angazhimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor përmes nismave politike, ekonomike dhe të sigurisë.

    Në takim ata nënvizuan gjithashtu rëndësinë strategjike të zhvillimit të aftësive të avancuara të mbrojtjes, zhvillimit të stërvitjeve dhe aktiviteteve të trajnimit dypalësh për të përmirësuar ndërveprimin dhe gatishmërinë.

    Për më tepër, ata riafirmuan angazhimin për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë energjetike në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe ndanë angazhimin për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dypalësh.

  • Lista Serbe e akuzon KQZ-në se po ia mohon të drejtën për vëzhgim e kontroll në ditën e zgjedhjeve

    Lista Serbe e akuzon KQZ-në se po ia mohon të drejtën për vëzhgim e kontroll në ditën e zgjedhjeve

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka shprehur pakënaqësi për përbërjen e komisioneve zgjedhore për numërimin e votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në vendvotime dhe në qendrat e numërimit të votave.

    Ajo e ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se e ka dëmtuar atë, pasi në shumë komuna, Lista Serbe nuk ka anëtarë të vet për të “kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.

    Zyrtari i kësaj partie, Igor Simiq, tha në një konferencë për media se partia e Nenad Rashiqit, Paria Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, është “favorizuar” dhe se, në disa raste, ka më shumë anëtarë në komisionet zgjedhore, edhe pse, sipas tij, në zgjedhjet e vitit 2021 kjo parti mori dukshëm më pak vota.

    Si shembull për pretendimet e tij, Simiq e mori komunën e Istogut, ku në zgjedhjet e vitit 2021 Lista Serbe mori 259 vota, por nuk ka asnjë kryesues apo anëtar në komisionin zgjedhor, në qendrën komunale të numërimit të votave ose në vendet për votimin me kusht.

    Simiq theksoi se Lista Serbe, edhe pse parlamentare, ka më pak anëtarë në komisionet zgjedhore, madje edhe në komunat me shumicë serbe.

    “Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Lista Serbe si parti parlamentare ka 18 përfaqësues në vendvotime, përfshirë vetëm tre kryesues nga gjithsej 24 vendvotime dhe 15 anëtarë. Si rrjedhojë, mund të llogaritni vetë – në gjashtë vende ne nuk kemi përfaqësuesit tanë, që do të thotë se në gjashtë klasa me potencialisht 6.000 votues, nuk kemi kontroll mbi procesin zgjedhor, pasi nuk kemi anëtarë të cilët mund ta mbikëqyrin procesin”, tha Simiq.

    Ai gjithashtu theksoi përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje, duke deklaruar se kjo parti është “mburoja e mbrojtjes së interesave të serbëve dhe Serbisë në Kosovë”.

  • Rikthehet në detyrat policore rreshteri Idriz Gashi, vërtetohet se nuk mori pjesë në tubimin e PDK-së

    Rikthehet në detyrat policore rreshteri Idriz Gashi, vërtetohet se nuk mori pjesë në tubimin e PDK-së

    Hetuesi i krimeve ekonomike, Idriz Gashi, është rikthyer në detyrën e tij pasi është konfirmuar se nuk ka marrë pjesë në tubim elektoral, ka njoftuar avokati i tij, Arianit Koci.

    Gashi ishte në mesin e tre zyrtarëve policorë të suspenduar më 8 janar pasi dyshoheshin se morën pjesë në tubime parazgjedhore të partive politike.

    “Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka marrë pjesë në asnjë tubim elektoral. Si rezultat, siç kam parashikuar, rreshteri Gashi rikthehet në detyrat e tij policore”, ka shkruar në Facebook avokati Koci.

    Inspektorati Policor u ka bërë thirrje pjesëtarëve të Policisë që të qëndrojnë larg aktiviteteve politike.

  • Zjarret masive në Los Angeles, Bebe Rexha me maskë tregon gjendjen: Ajri është i tmerrshëm, sikur po jetojmë brenda një oxhaku

    Zjarret masive në Los Angeles, Bebe Rexha me maskë tregon gjendjen: Ajri është i tmerrshëm, sikur po jetojmë brenda një oxhaku

    Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram gjendjen alarmante në Los Angeles pas zjarreve masive që kanë përfshirë zonën. Përmes një postimi në InstaStory, ajo ka përshkruar kushtet e vështira të ajrit në qytet.

    “Ajri i LA sot: I trashë sa të pritet me thikë dhe mban erë sikur jetojmë brenda një oxhaku,” shkroi 35-vjeçarja, duke e shoqëruar mesazhin me një fotografi ku shfaqej me maskë, një masë e domosdoshme për t’u mbrojtur nga ndotja e ajrit.

    Artistja gjithashtu iu drejtua shqetësimeve të ndjekësve për gjendjen e saj dhe të shtëpisë së saj në Los Angeles, duke treguar se është dashur të përballojë disa vështirësi gjatë natës.

    “Mbrëmë më duhej të flija në ndonjë  divan. Shpresoj që të gjithë të jenë mirë. Unë jam mirë. Faleminderit që u interesuat për mua”, shkroi ajo në një tjetër postim.