ATV

Author: G.O.

  • Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma.

    Pas takimit, ajo është deklaruar përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se i është konfirmuar se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

    “Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zv.Sekretarin amerikan Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar ajo.

    Osmani ka potencuar se kjo është “një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”.

    “Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar presidentja e vendit.

  • Policia nis hetimet për dy raste të vdekjeve në rajonin e Prishtinës

    Policia nis hetimet për dy raste të vdekjeve në rajonin e Prishtinës

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona kanë ndërruar jetë dhe se rastet janë cilësuar si “Hetim i vdekjes”.

    Njëri rast ka ndodhur në Prishtinë, ndërsa tjetri në Podujevë.

    Sipas këtij raporti trupat e pajetë me urdhër të prokurorit janë dërguar në IML për obduksion.

    “Prishtinë / 09.01.2025-05:30. Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ndërsa turpi i pajetë i viktimës mashkull kosovar me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”.

    “Podujevë / 09.01.2025-12:30. Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar dhe më pas me urdhër të prokurorit kompetent trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë

  • Trump thotë se po organizojnë një takim me Putinin

    Trump thotë se po organizojnë një takim me Putinin

    Donald Trump ka thënë se po organizohet një takim mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve nuk dha asnjë afat kohor se kur mund të zhvillohet takimi.

    “Ai dëshiron të takohem dhe ne po e vendosim atë”, tha ai në një fjalim në Florida.

    Agjencia ruse e lajmeve Tass citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se SHBA-të nuk kanë kërkuar ende zyrtarisht një takim.

    Trump ka premtuar të negociojë një fund të luftës në Ukrainë menjëherë pasi të marrë detyrën më 20 janar dhe ka shprehur skepticizëm për mbështetjen ushtarake dhe financiare të SHBA-ve për Kievin.

    “Presidenti Putin dëshiron të takohet. Ai e ka thënë këtë edhe publikisht dhe ne duhet ta mbyllim atë luftë. Kjo është një rrëmujë e përgjakshme”, tha Trump, raporton euronews.al.

    Ai ka emëruar Keith Kellogg, një ish-këshilltar për sigurinë kombëtare dhe gjeneral-lejtnant në pension në ushtrinë amerikane, si të dërguar special në Ukrainë dhe Rusi për administratën e tij të dytë.

    Kellogg i prezantoi idetë e tij se si SHBA-të mund t’i jepnin fund luftës në një punim kërkimor të botuar nga Instituti politik Amerika e Para, një think tank pro-Trump, në prill të vitit të kaluar.

    Ai propozoi që Ukraina duhet të marrë ndihmë të mëtejshme nga SHBA-të vetëm nëse pranon të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Moskën.

    Gazeta sugjeroi gjithashtu, megjithatë, se nëse Moska refuzon të marrë pjesë, atëherë SHBA-të duhet të vazhdojnë ndihmën e tyre për Ukrainën.

    Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ai besonte se, me Trump si president, lufta do të “mbaronte më shpejt” sesa do të kishte përfunduar ndryshe.

    Ai tha se të dy kishin pasur një “shkëmbim konstruktiv” me telefon, megjithëse nuk tha nëse Trump kishte bërë ndonjë kërkesë në lidhje me bisedimet e mundshme me Rusinë.

  • Prokuroria e Prizrenit ngre aktakuzë ndaj dy personave për korrupsion

    Prokuroria e Prizrenit ngre aktakuzë ndaj dy personave për korrupsion

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.B., dhe Sh.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë që secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 par. 1 dhe par.2, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), raporton Ekonomia Online.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri I.B., nga data 03.10.2022 deri me datë 05.01.2023, në Prizren, në mënyrë të drejtëpërdrejt pranon premtimin për një përfitim për vete me pretendimin se ai është në gjendje të ushtroj ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pranon se do të ushtrojë ndikim të padrejtë tek bashkëshortja e tij, M.P., e cila ka qenë anëtare e Komisionit në konkursin e shpallur nga Komuna e Prizrenit – Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, të datës 03.10.2022, për vendin e punës sekretare në njërin prej gjimnazeve dhe në njërën prej shkollave fillore në Komunën e Prizrenit, në bazë të të cilit konkurs kishte aplikuar E.P.S., ku i dërgon pyetje nga testi me shkrim, gjithashtu i jep informacion për poentimin maksimal prej 100 pikësh, të dhënë nga bashkëshortja e tij M.P, si anëtare e komisionit, të gjitha këto dhe të tjera komunikime, rezultuan nga komunikimet që i ka zhvilluar i pandehuri, I.B., me të pandehurin Sh.P., në aplikacionet e rrjeteve sociale “Viber” dhe “Whats App”.

    “I pandehuri Sh.P., në mënyrë të drejtëpërdrejtë i premton përfitim personit tjetër – të pandehurit I.B., në atë mënyrë që ky i fundit të ushtroj ndikim të papërshtatshëm mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që i pandehuri Sh.P., të pandehurit I.B., i premton se do t’ia kryej një punë këtij të fundit, për ndikimin që do ta bëjë i pandehuri I.B., tek bashkëshortja e tij, M.P, si anëtare e komisionit.Ndërsa i pandehuri, I.B, ia dërgon në telefon të pandehurit Sh.P, kopjen e ftesës me të cilën është ftuar ai si i pandehur lidhur me një çështje penale që zhvillohej pranë Gjykatës Themelore në Prizren”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, sipas njoftimit i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Zëvendëssekretari amerikan mbërrin në Kosovë, pritet në takim nga presidentja

    Zëvendëssekretari amerikan mbërrin në Kosovë, pritet në takim nga presidentja

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Zëvendës Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma.

    Gjatë ditës së djeshme, Verma ka qëndruar në Shqipëri, në kuadër të vizitës së tij në tri shtete të Ballkanit, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

    Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate, ditë më parë, ka treguar se cila do të jetë agjenda e diskutimit në Kosovë.

    “Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, thuhet komunikatën e DASH-it.

  • Mali i Zi lëkundet nga tërmeti

    Mali i Zi lëkundet nga tërmeti

    Një tërmet i magnitudës 3,6 i shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e të premtes në Malin e Zi

    Sipas Qendrës Sizmologjike Europiane-Mesdhetare, epiqendra ka qenë 7 kilometra në veriperëndim të Budvës, 41 km larg Podgoricës.

    Thellësia e tërmetit, që ra saktësisht në orën 9:18, ishte 10 km.

  • Shkon në 10 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Angeles, një person i arrestuar për zjarrvënie

    Shkon në 10 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Angeles, një person i arrestuar për zjarrvënie

    Ka shkuar në të paktën dhjetë numri i të vdekurve nga zjarret në natyrë në Los Angeles, ka bërë të ditur ekzaminuesi mjekësor i qytetit të Kalifornisë, raporton BBC.

    Tani për tani janë pesë zjarre ende aktive në zonë: Palisades, Eaton, Kenneth, Hurst dhe Lidia.

    Një burrë është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie. Departamenti i Policisë i Los Angelesit thotë se beson që zjarri Kenneth, më i riu që ka shpërthyer, është nisur në mënyrë të qëllimshme.

    Kryetarja e Los Angleselit, Karen Bass, gjithashtu paralajmëroi për zero tolerancë ndaj plaçkitësve, pasi u raportua se të paktën 20 persona ishin arrestuar.

    Zjarrfikësit kanë thënë se zjarri Kenneth tashmë është frenuar për 35 për qind, ndërsa zjarri Palisades vetëm 6 për qind.

    Erëra më të fuqishme priten të premten dhe javën e ardhshme dhe një mot i tillë mund t’i prekë zjarret në distriktet e Los Angelesit dhe Venturas.

    Presidenti Joe Biden ka njoftuar se qeveria federale do ta mbulojë koston e plotë të masave për t’i “mbrojtur jetën dhe pronën” në jug të Kalifornisë për gjashtë muaj.

  • Rasti “Subvencionet 1”, 31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve

    Rasti “Subvencionet 1”, 31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve

    Aktgjykim dënues shpalli të enjten Gjykata e Prishtinës në rastin e keqpërdorimeve me subvencione në bujqësi.

    Prokuroria Speciale, në aktakuzën e parë i akuzonte 21 persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim me subvencione dhe falsifikim të dokumenteve.

    Sipas aktakuzës, vlera e ryshfetit që kanë përfituar personat zyrtarë është 316 mijë e 650 euro, shkruan ATV.

    Dënimin më të lartë prej 8 vjetësh dhe 50 mijë euro gjobë e shqiptoi, ndaj njërit nga të akuzuarit kryesor Luan Statovci.

    Atij dhe Sadat Shkodrës, i cili u dënua me gjashtë vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë, ua ka ndalur punën në administratë shtetërore në afat prej 10 vitesh.

    Ndërsa ndaj disa të tjerëve shqiptoi dënim me burgim, por që nuk do të ekzekutohet nëse ata brenda periudhës së caktuar nga gjykata nuk do të kryejnë asnjë vepër penale

    Për keqpërdorime me subvencione Prokuroria Speciale ka ngritur 6 aktakuza, pas hetimeve që ishin zhvilluar, e kishin rezultuar me arrestimin e shumë personave gjatë vitit 2021, dhe në fillim të vitit 2022.

  • Vendimi i BIK-ut, ndalon imamët e punëtorët e saj të merren me fushatë

    Vendimi i BIK-ut, ndalon imamët e punëtorët e saj të merren me fushatë

    Bashkësia Islame e Kosovës ka paralajmëruar imamët dhe punëtorët e saj lidhur me qëndrimet e tyre politike përgjatë fushatës elektorale.

    Në vendimin, siç është raportuar BIK-u tërheq vërejtjen e nëpunësve administrativë dhe fetarë që të shtojnë kujdesin karshi paraqitjeve mediale, si dhe qëndrimeve në rrjete sociale.

    BIK-u ndalon qëndrimin personal politik, pjesëmarrjen në fushatë zgjedhore, të qenit aktivist i ndonjë partie politike apo edhe kandidat për deputet.

    “Çdo veprim i tillë nga sa u përmend më lart, konsiderohet shkelje e Kushtetutës së BIK-ut, ligjeve dhe akteve tjera normative për çfarë edhe do sanksionohen”, thuhet në vendim.

  • Bolton: Administrata Trump duhet të gjejë një marrëveshje të përhershme dhe të pranueshme për Kosovën dhe Serbinë

    Bolton: Administrata Trump duhet të gjejë një marrëveshje të përhershme dhe të pranueshme për Kosovën dhe Serbinë

    Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton, që kishte punuar në Shtëpinë e Bardhë krah presidentit të atëhershëm Donald J. Trump, ka thënë e se është e vështirë të dihet nëse rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë prioritet në fillimet e Administratës Trump II.

    Megjithatë shton se ky rajon duhet të jetë në fokus të Shtëpisë së Bardhë për shkak se është i rëndësishëm për SHBA-në dhe për sigurinë e Evropës.

    Bolton ka thënë se është shumë e rëndësishme që administrata e re të jetë vërtet serioze për të gjetur mënyra drejt arritjes së një marrëveshje të përhershme, në të kundërtën të huajt që s’kanë interes për paqe dhe stabilitet në rajon do të ndërhyjnë, dhe ajo që aktualisht është e ndërlikuar mund të bëhet edhe më keq.

    “Mendoj se kjo varet pjesërisht nga kush do të marrë përgjegjësinë. Nëse është Grenell, për shkak të përfshirjes së tij të mëparshme, mendoj se ai do t’i japë prioritet. Pikëpamja ime ka qenë gjithmonë se, në fund të fundit, në mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë, çfarëdo që të jetë vendimi përfundimtar, ai duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Nuk do të ketë një zgjidhje të imponuar nga jashtë. Dhe nëse do të kishte, rreziku do të ishte shumë i madh që ajo të mos zgjaste”.

    “E di që shumë njerëz në rajon nuk e pëlqejnë fare idenë e shkëmbimit të territoreve. Ata thonë se, sapo të fillosh ta bësh këtë, s’do të kishte fund. Kjo do të sillte paqëndrueshmëri. Pikëpamja ime ka qenë se nuk po flasim për ndryshime kufijsh askund, përveçse kur palët që ndajnë kufirin bien dakord. Ideja që duhet të ketë një shkëmbim territoresh anon në favor të njërës palë, ideja që kurrë nuk mund të ketë një shkëmbim territoresh anon në favor të palës tjetër. Mendoj se ky është lloji i negociatave që një i huaj mund të ndihmojë për ta lehtësuar, mund të bëjë propozime kompromisi, por në të vërtetë është diçka që kërkon nivelet më të larta të Kosovës dhe Serbisë në një dhomë private për të parë nëse liderët mund ta zgjidhin. Dhe pastaj ata mund ta kalojnë përmes proceseve të tyre kushtetuese, në mënyrë që, nëse Parlamenti duhet ta miratojë, të ketë një shumicë për të”, tha Bolton për Express.

    “Nga përfshirja ime e kufizuar, liderët mund të kenë qenë afër një marrëveshjeje, por parlamentet e tyre, të paktën në rastin e Kosovës, nuk ishin gati të shkonin përpara. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme, dhe megjithëse është zhgënjyese, mendoj se ia vlen përpjekja për të parë nëse ka një mënyrë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Sepse të pranosh një zgjidhje tjetër të përkohshme thjesht hap mundësinë për më shumë konflikt”.

    “Dhe, në masën që ka pasiguri politike në Ballkanin Perëndimor, kjo pengon investimet ekonomike të huaja. E bën më të vështirë hyrjen në BE dhe NATO. Askush nuk e nënvlerëson vështirësinë e kësaj, por mendoj se përfitimi për të gjithë – Serbinë, Kosovën dhe rajonin në tërësi – tregon se ia vlen përpjekja, sado e vështirë të jetë”, tha Bolton.