ATV

Author: G.O.

  • ​Sot përfundon numërimi i votave për deputetë në Prishtinë

    ​Sot përfundon numërimi i votave për deputetë në Prishtinë

    Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.

    Ky proces në sallën “1 Tetori” në kryeqytet, pritet të përfundojë sot. Ndërkohë që janë bërë dhjetë ditë prej kur ka nisur procesi i numërimit të votave në ketë qendër komunale.

    Pas numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në QNR do të nis numërimi i votave me kusht, të diasporës dhe atyre me nevoja të veçanta.

    Nga 258 kuti të votimit të rregullta, 13 janë në proces të numërimit, gjashtë janë të papërfunduara edhe shtatë tjera janë në proces të numërimit.

    Këto informacione i ka bërë të ditura kryesuesja e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtinë, Fatmire Bajrami. Sipas saj, gjithçka po vijon sipas procedurave të miratuara nga KQZ dhe se nuk ka parregullsi dhe shpërputhje nga vendvotimet nga ekipet në QKN.

  • Hasani në takim me Berset kërkon anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Hasani në takim me Berset kërkon anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka mirëpritur në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, me të cilin ka biseduar mbi integrimin e Shqipërisë, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, mbështetjen ndaj Ukrainës dhe anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Në lidhje me këtë të fundit, Hasani ka nënvizuar se anëtarësimi duhet të ndodhë sa më shpejt, ndërsa garantoi mbështetjen e Shqipërisë në këtë proces.

    “I lumtur të mirëprisja sot Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, një vizitë veçanërisht simbolike pasi viti 2025 përkon edhe me 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

    Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e saj për Ukrainën.

    Gjithashtu gjeta rastin t’i nënvizoj Berset se anëtarësimi mëse i merituar i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj saj, duke e parë si një pikë kyçe për stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Hasani.rtsh

  • Hidhet shorti i Ligës së Kampionëve, ka ballafaqime të zjarrta

    Hidhet shorti i Ligës së Kampionëve, ka ballafaqime të zjarrta

    Në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

    Si zakonisht kjo garë edhe në këtë fazë do të sjellë duele të jashtëzakonshme.

    Këto janë ballafaqimet:

    Borussia Dortmubnd-Lille

    Real Madrid-Atletico Madrid

    Bayern Mynih-Bayer Leverkusen

    Arsenal vs PSV Eindhoven

    Inter vs Feynoord

    PSG-Liverpool

    Barcelona-Benfika

    Club Brugge-Aston Villa

  • Policia parandalon një rast të kontrabandës në Han të Elezit

    Policia parandalon një rast të kontrabandës në Han të Elezit

    Njësitë patrulluese të Policisë Kufitare nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare, Hani i Elezit, kanë parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Sipas njoftimit të policisë bëhet e ditur se rreth orës 03:20 të mëngjesit, njësitë patrulluese kanë arritur të lokalizojnë dhe ndalojnë tri automjete në fshatin Seqishtë, Han i Elezit, me të cilat po kryhej kontrabanda e mallrave.

    “Gjatë kontrollit, në këto automjete janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme komerciale, përfshirë veshmbathje, bizhuteri, aksesorë, mjete pune dhe shumë artikuj të tjerë, të cilët dyshohet se po kontrabandoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.

    Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar tre persona të dyshuar: M.B., 23 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut, A.N., 32 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe I.L., 19 vjeç, shtetas i Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa mallrat e kontrabanduara dhe automjetet janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor në Han të Elezit.

    “Policia Kufitare vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke siguruar një kufi të sigurt dhe të kontrolluar”, thuhet në njoftim.

  • Ministri Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Tajvan

    Ministri Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Tajvan

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po merr pjesë në Forumin e Sigurisë të zhvilluar në Taipei të Tajvanit.

    Maqedonci mori pjesë në panelin e titulluar “Partneriteti = Demokracia”.

    “Së bashku me Dr. Tamara Wittes, Presidente e ‘National Democratic Institute’, si dhe Jack McCain nga ‘McCain Institute’, bashkëbiseduam për mjedisin global të sigurisë, kërcënimet ndaj vlerave demokratike dhe rrugën përpara në fuqizimin e partneritetit ndërmjet vendeve demokratike të botës.

    Para audiencës, në Taipei prezantova për progresin Republikës së Kosovës në ndërtimin e një demokracie funksionale, ndërsa theksova faktin që ky progres është rezultat i partneritetit të shtetit tonë me vendet e botës demokratike, që na kanë dhënë përkrahje”, shkruan Maqedonci.

    Ai theksoi se ruajta e vlerave demokratike përballë ngritjes së regjimeve autokratike nëpër botë, e ka të domosdoshme kultivimin e partneritet dhe aleancave mes shteteve që besojnë te demokracia dhe gjithë çfarë përfaqësojnë shoqërinë demokratike. /Telegrafi/

  • Sulmi ndaj prokurorit Buzhala, Prokuroria kërkon paraburgim për dyshuarin

    Sulmi ndaj prokurorit Buzhala, Prokuroria kërkon paraburgim për dyshuarin

    Gjatë ditës së djeshme është sulmuar fizikisht prokurori në Prokurorinë Themeloren në Pejë, Ramiz Buzhala.

    Për rastin, Prokuroria Themelore në Pejë është duke përpiluar kërkesën për caktim të masës së paraburgimit për të dyshuarin, i cili që gjatë marrjes në pyetje në prokurorin e shtetit, ka fyer dhe kërcënuar prokurorin Buzhala.

    “Është duke u përpiluar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit që ka kanosur dje gjatë punës zyrtare prokurorin e shtetit”, ka thënë Shkodran Nikçi për Insajderin.

    Rasti është raportuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti gjatë marrjes në pyetje në prokurorin e shtetit, ka fyer dhe kërcënuar prokurorin dhe bashkëpunëtorin e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”, bënte me dija Policia.

    Ky sulm është dënuar nga KPK dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

  • Mbyllen katër Qendra serbe për punë sociale në veri, dyshohet se “shkelën vullnetin e votuesve”

    Mbyllen katër Qendra serbe për punë sociale në veri, dyshohet se “shkelën vullnetin e votuesve”

    Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion ku i ka mbyllur objektet e Qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb. Kjo ka ardhur për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

    Policia ka thënë përmes një njoftimi se është duke kontrolluar objektet e kësaj Qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – pasi ka dyshime për “veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se është duke u zhvilluar një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.

    “Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, ka thënë Elshani.

    Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

    Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

  • Komandanti i KFOR-it: Jemi në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja

    Komandanti i KFOR-it: Jemi në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja

    Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka pritur në vizitë shefin e Komandës së Përbashkët Operative Zvicerane, gjenerallejtënant Laurent Michaud, në selinë e KFOR-it, në Camp Film City në Prishtinë.

    KFOR bëri të ditur se vizita ishte një mundësi për të prezantuar veprimtaritë e misionit të tij, dhe përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë.

    “Vizita ishte mundësia për të prezantuar veprimtaritë e KFOR-it nën mandatin e tij të OKB-së dhe përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet  në njoftimin e KFOR-it.

    Gjeneralmajor Barduani gjithashtu uroi gjeneralin Michaud për kontributet e gjata të CHE në KFOR dhe në stabilitetin rajonal.

  • Trendafilova miraton modifikimin e dënimit të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit, mundësohet lirimi i tyre më 21 shkurt

    Trendafilova miraton modifikimin e dënimit të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit, mundësohet lirimi i tyre më 21 shkurt

    Më 19 shkurt, Kryetarja e Dhomave të Specializuara (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi modifikimin e dënimeve të Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari dhe mundësoi lirimin e tyre më 21 shkurt 2025, me kushtet e përcaktuara në vendimet përkatëse, raporton Ekonomia Online.

    Nga DHSK njoftohet se këto kushte do të mbeten në fuqi deri në përfundim të dënimeve të dhëna nga Trupi Gjykues, domethënë për pjesën e mbetur të dënimit me dy vjet që iu shqiptua secilit prej tyre.

    “Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e Trupit Gjykues që shqiptoi dënimin, sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) si dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

    Kryetarja konstatoi se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Januzi dhe z. Bahtijari u shpallën fajtorë janë padyshim të rënda, duke pasur parasysh pasojat që ka frikësimi i dëshmitarëve për administrimin e drejtësisë, ekzistonin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tyre”, thuhet në njoftim.

    Vendimet e Kryetares, që janë vendimi i tretë dhe i katërt mbi uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimeve, mund t’i gjeni këtu në faqen e internetit të DHSK-së (Januzi; Bahtijari).

    Po ashtu bëhet e ditur se procedura në lidhje me uljen, modifikimin dhe ndryshimin e dënimit sipas nenit 51(2) të Ligjit, është procedurë më vete. Kur personi i dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtën që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet.

  • Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat padit Kuvendin e Kosovës dhe kompaninë “Schalberger”

    Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat padit Kuvendin e Kosovës dhe kompaninë “Schalberger”

    Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka dorëzuar padinë ndaj Kuvendit të Kosovës dhe kompanisë “Schalberger”, raporton Ekonomia Online.

    Padia është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi disa punëtore teknike të Kuvendit të Kosovës u larguan nga puna disa muaj më parë.

    “Ne sot sapo dorëzuam padinë ndaj Kuvendit të Kosovës dhe kompanisë ‘Schalberger’. Ju e dini se për 79 ditë ne kemi qenë në grevë dhe realisht e kemi shtyrë në funksion Inspektoratin e Punës i cili ka vlerësuar se greva jonë ka qenë gjithçka në rregull dhe e ligjshme. Kërkesat tona kanë qenë të ligjshme dhe legjitime dhe pas kësaj IP i ka propozuar kompanisë ‘Schalberger’ që brenda tre ditësh t’i paguajë të gjitha obligimet që i kanë ndaj punëtorëve gjatë kohës së grevës dhe të kthehen në vendet e tyre të punës. Nuk kemi asnjë njoftim nga kompania se si do të veprojë dhe normalisht se sot e dorëzuam padinë dhe sipas njohësve të fushës, lënda jonë do të jetë në favor tonin”, u shpreh Azemi, teksa tregoi edhe për dëmin që kompania “Schalberger” u ka shkaktuar dëme punëtorëve.

    Azemi tha se punëtoret duhet të paguhen për sa kohë qëndrojnë jashtë procesit të punës.

    “Ne konsiderojmë se përgjatë gjithë kësaj kohe sa do të qëndrojnë jashtë procesit të punës, këto duhet të kenë një pagesë afër 400 euro, e tani mund të themi se vetëm në tre muajt e fundit janë tre pagesa, janë 1200 euro për secilin person”, deklaroi Azemi.