ATV

Author: G.O.

  • Dita e 17-të në spital, gjendja e Papës mbetet e qëndrueshme

    Dita e 17-të në spital, gjendja e Papës mbetet e qëndrueshme

    Papa Françesku e kaloi të dielën me qetësi pas një krize dhe përkeqësimit të frymëmarrjes në fillim të javës dhe gjendja e tij po stabilizohet, sipas Vatikanit.

    Vatikani lëshoi një deklaratë për gjendjen e 88-vjeçarit, i cili është shtruar në spitalin Gemelli në Romë prej 17 ditësh, pasi kishte marrë bronkit të rëndë në mes të shkurtit, dhe u diagnostikua me pneumoni të dyfishtë – me të dyja mushkëritë e prekura.

    “Gjendja klinike e Atit të Shenjtë edhe sot ka mbetur stabile. Papa nuk ka kërkuar ventilim mekanik jo-invaziv, por vetëm oksigjen shtesë me rrjedhje të lartë. Ai nuk ka temperaturë”, thuhet në njoftim, raporton AA, përcjellë KosovaPress.

    Drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni konfirmoi se Papa priti për një vizitë, Kardinalin Sekretarin e Shtetit Pietro Parolin dhe zëvendësuesin për Çështjet e Përgjithshme të Sekretariatit të Shtetit, kryepeshkopin Edgar Pena Parra.

    Jorge Mario Bergoglio u zgjodh pasardhës i Papa Benediktit XVI në moshën 76-vjeçare më 13 mars 2013 dhe mori emrin Françesku.

    Papa është shtruar në spital që prej 14 shkurtit dhe po trajtohet për pneumoni të dyfishtë.

    Vatikani njoftoi më 18 shkurt se Papa zhvilloi pneumoni të dyfishtë dhe gjendja e tij klinike ishte e komplikuar.

    Një deklaratë e 21 shkurtit tha se mjekët treguan se jeta e Françeskut nuk ishte në rrezik të menjëhershëm, megjithëse ai nuk ishte plotësisht jashtë rrezikut.

    Një ditë më vonë, gjendja e tij u tha se ishte kritike pasi ai pësoi një “krizë të zgjatur të frymëmarrjes të ngjashme me astmën”, përcjellë KosovaPress.

    Më 24 shkurt, Vatikani tha se megjithëse shëndeti i Papa Françesku mbeti kritik, u vu re një përmirësim i lehtë dhe më 25 shkurt, e përshkroi situatën si kritike, por të qëndrueshme.

    Më 26 dhe 27 shkurt, Vatikani raportoi se gjendja e Papa Françesku ishte përmirësuar

    Në një deklaratë të premten vonë, Vatikani tha se Papa Françesku iu nënshtrua bronko-aspirimit për shkak të një krize bronkospazme dhe se ventilimi mekanik jo-invaziv u nis për të siguruar shkëmbimin e gazit – marrjen e duhur të oksigjenit dhe heqjen adekuate të dioksidit të karbonit – dhe trajtimi mori një përgjigje pozitive.

    Prej të shtunës, Papa Françesku ka qenë stabil, përcjellë KosovaPress.

    Papa Françesku, i cili ka përdorur një karrige me rrota vitet e fundit për shkak të dhimbjes në gju, u trajtua në spital dy herë në vitin 2023 – një herë për një problem të frymëmarrjes që shkaktonte gulçim, që ka të ngjarë të lidhej me bronkitin, dhe një herë tjetër për një operacion abdominal.

  • Betohet kancelari i ri i Austrisë, kush është 65-vjeçari

    Betohet kancelari i ri i Austrisë, kush është 65-vjeçari

    Christian Stocker është betuar këtë të hënë si kancelari i ri i Austrisë, duke udhëhequr një qeveri koalicioni trepartiak pas një ngërçi politik pesëmujor që pasoi zgjedhjet e vitit të kaluar, të fituara nga partia e ekstremit të djathtë, Freedom Party.

    Koalicioni i ri qeverisës do të përbëhet nga Partia Popullore e Qendrës së Djathtë (ÖVP), Social Demokratët (SPÖ), dhe partia liberale Neos.

    Në ceremoninë e betimit, presidenti austriak Alexander Van der Bellen e përshëndeti me një shaka formimin e qeverisë, duke thënë “Gjërat e mira vijnë për ata që presin”.

    Stocker, një avokat pa përvojë të mëparshme në ekzekutiv, tani udhëheq qeverinë e parë trepartiake të Austrisë që nga fundi i viteve 1940. Ai është kancelari i tretë i ÖVP-së që merr detyrën për herë të parë pa udhëhequr partinë gjatë fushatës zgjedhore.

    Stocker është një politikan austriak, anëtar i Partisë Popullore (ÖVP). Ai ka shërbyer si anëtar i Këshillit Kombëtar nga viti 2019 deri në emërimin e tij si kancelar dhe ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Popullore nga 21 janari deri më 22 shtator 2022. Më 5 janar 2025, ai u zgjodh kryetar i parkohshëm i Partisë Popullore, pas dorëheqjes së kancelarit Karl Nehammer.

    Marrëveshja e koalicionit u ra dakord javën e kaluar dhe pengesa përfundimtare u zhbllokua të dielën, kur u miratua nga asambleja e përgjithshme e partisë liberale Neos.

    Edhe pse tri partitë kanë arritur një marrëveshje për një program qeveritar prej 200 faqesh, ato do të duhet të hartojnë shumë politika të tjera gjatë mandatit, duke krijuar mundësinë për tensione brenda aleancës.

    “A do të jetë e lehtë? Jo. A kanë përfunduar negociatat? Jo,” tha Beate Meinl-Resinger, kreu i Neos, në një takim partie të dielën.

    Partia e Lirisë (FPÖ) do të bëjë presion vazhdimisht dhe ka filluar këtë që nga e hëna.

    “E vetmja gjë që bashkon këtë koalicion humbës, është etja për pushtet,” tha FPÖ në X, duke iu referuar koalicionit trepalësh.

  • Arrest shtëpiak ndaj dhjetë të dyshuarve për bixhoz në Suharekë

    Arrest shtëpiak ndaj dhjetë të dyshuarve për bixhoz në Suharekë

    Gjykata Themelore në Prizren-Dega në Suharekë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë të dyshuarve për bixhoz të paligjshëm.

    Ndaj tyre, u caktua masa e arrestit shtëpiak.

    Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se vendimi është marrë të dielën.

    “Me datë 02.03.2025, Gjykata Themelore – Dega në Suharekë, ka marrë Aktvendim, është REFUZUAR kërkesa e Prokurorisë së Shtetit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 të pandehurve, dhe ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak, e cila mund të zgjasë deri më datë 01.04.2025, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri L.R., ka kryer veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm nga neni 294 par. 2 të KP-së, kurse të pandehurit P.B., B.Q.,m F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh., për veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, në bashkëkryerje, nga neni 294 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së”, thuhet në përgjigjen e Lekajt.

    Ai shtoi se gjyqtari i procedurës paraprake, pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës, dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve, ka arritur në përfundim se kërkesa e Prokurori të Shtetit është e pabazuar, duke e konsideruar si masë të rëndë për sigurimin e prezencës së të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale, ndërsa ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

    Dhjetë të dyshuarit ishin ndaluar më 1 mars nën dyshimin për veprën penale “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    “Sipas kërkesës, medatë 28.02.2025, rreth orës 23:00 minuta, në Suharekë, në kafiterinë “R.G.Z”, i pandehuri L.R., (pronar i lokalit), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizon dhe merr pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë, lokalin e përdorë për lojëra të fatit, ku me rastin e lokalizimit të vendit nga zyrtarët policor kur të njëjtit tentojnë të hyjnë në lokal, dera e lokalit ishte e mbyllur me çelës nga brenda, dhe ishte me pak ndriçim, e pas tentimit të zyrtarëve për ta hapur derën, aty i pandehuri L.R., e hap derën, ku gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë brenda në lokal në tavolinat ku kanë qenë ulur të pandehurit e lartëcekur janë hasur në total dyqind e tetë (208) letra, nëntëdhjetë e gjashtë (96) kartela me mbishkrimin AliExpress me barcode, të cilat dyshohet se janë kartela për lojërat e fatit online”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

    Bëhet e ditur se nga të pandehurit janë sekuestruar në total 15 mijë e 260 euro dhe 1 mijë e 200 franga zvicerane. Gjithashtu, thuhet se tek i pandehuri Reshati– pronari i lokalit të lartcekur janë gjetur letra në sasi prej 3 mijë e 326 copë, të cilat janë përdorur për lojë bixhozi natën kritike. /BetimipërDrejtësi

  • Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

    Të shtëna armësh pas gjykimit për vrasjen e Besar Nimanit, plagosen familjarët e njërit prej të pandehurve

    Të shtëna armesh thuhet se janë dëgjuar jashtë sallës së gjyqit rajonal në Gjermani, ku po vazhdon një gjyq i profilit të lartë për vrasjen fatale të boksierit shqiptar Besar Nimani.

    Policia ka thënë se një ‘operacion i madh’ është duke u zhvilluar jashtë gjykatës së Bielefeldit, ku po mbahet gjyqi për boksierin e vrarë, Besar Nimani.

    Nimani u qëllua për vdekje teksa po darkonte në një kafene të jashtme në Gjermani pranverën e kaluar. Një nga vrasësit e tij është ende në arrati.

    Mediumi Neue Westfälische ka raportuar se babai dhe vëllai i të pandehurit, u qëlluan të dy jashtë gjykatës, por policia nuk e ka konfirmuar këtë lajm ende.

    Në anën tjetër, gazeta BILD raportoi se ‘disa’ anëtarë të familjes së të pandehurit u qëlluan për vdekje.

    Thuhet se të shtënat u dëgjuan sot (e mërkurë) rreth orës 13:30, menjëherë pas përfundimit të gjykimit të ditës.

    Një dëshmitar tha për Bild se dikush bërtiti “Dikush po qëllon jashtë!”.

    Ndryshe, sot u mbajt gjyqi për Huseyin Akkurt, i cili akuzohet në lidhje me vrasjen e boksierit Besar Nimani. /Telegrafi/

  • Drenica shkakton befasi, mposht Ferizajn dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

    Drenica shkakton befasi, mposht Ferizajn dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

    Drenica është përkujdesur për befasi, pasi ka mposhtur Ferizajn me rezultat 1-0 për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

    Vendasit kaluan në epërsi vetëm pas 12 minutave lojë, kur Mohamed Fofana shënoi me kokë pas asistimit perfekt të Kreshnik Ukës.

    Mysafirët patën rast me Betim Haxhimusën, por goditja e tij u bllokua.

    Kësisoj 45 minutat e para u mbyllën me epërsinë minimale të vendasve 1-0.

    Ferizaj në pjesën e dytë u hodh e gjitha në sulm për të gjetur golin e barazimit.

    Por fillimisht Drenica mbeti me 10 futbollistë në fushë, kur mesfushorin Auron Hamiti mori brenda dy minutave dy të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

    Ferizaj krijoi disa raste, por pa arritur të gjenin golin e barazimit.

    Deri në fund gola më nuk pati dhe Drenica arriti të shkaktoj befasinë e madhe duke eliminuar Ferizajn dhe duke kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. /Telegrafi/

  • Berisha – Ramës: Të garantoj se pas datës 11 maj do të ekstradohesh në SHBA për t’u gjykuar

    Berisha – Ramës: Të garantoj se pas datës 11 maj do të ekstradohesh në SHBA për t’u gjykuar

    Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të partisë ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama duke i thënë “se në rast se ia lejon vetes të rrethojë institucionet, do i rrethohet Surreli”.

    Gjithashtu Berisha u zotua duke i thënë Ramës “të garantoj se pas datës 11 maj do të ekstradohesh në SHBA për tu rigjykuar me McGonigal”.

    Ish-kryeministri tha se qëllimet e PD janë të qarta; zero toleranca ndaj krimit dhe korrupsionit dhe një program i shkëlqyer për shqiptarët.

    “Këta janë të marrë fund. Këta mos kujtojnë kurrë se mund të kryejnë qoftë edhe veprimin më të vogël në mbështetje të opozitës. E kundërta është. E paralajmëroj Edi Ramën, se në rast se ia lejon vetes të rrethojë institucionet, do i rrethohet Surreli. Nuk mund të ketë akte triumf të Escobar. Uroj që mos të ndryshoj mendje se do ta gjejë Surrelin të rrethuar. Po të përpiqesh ti ta shndërrosh grupin parlamentar në rifuxhio të hajdutëve.

    E tregoi sot veten me seancën që dëgjoi. Imagjinoni ju, hajdutët më të mëdhenj të bëhen gjykatës. Ishte seanca më tragji-komike në histori. Këto janë qëllimet tona. Zero toleranca ndaj krimit dhe korrupsionit dhe një program i shkëlqyer për shqiptarët. Edi Rama të garantoj se pas datës 11 maj do të ekstradohesh në SHBA për tu rigjykuar me McGonigal. Ky është gjykimi ynë, përndryshe mund të gjykohesh edhe në Shqipëri para 11 majit”, tha Berisha.

  • Millorad Dodik dënohet me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës politike

    Millorad Dodik dënohet me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës politike

    Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit, për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

    Ky është dënimi i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, është liruar nga të gjitha akuzat.

    Në pritje të vendimit, në Banjallukë është mbajtur një protestë si shenjë mbështetjeje për Dodikun.

    Disa janë parë duke mbajtur mbishkrime “Dënimi i presidentit, sulm ndaj Republikës Sërpska” dhe “Sërpska është krenaria jonë, presidenti mbrojtësi ynë”.

    Vetë Dodiku është parë duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska në Banjallukë, i cili ka mbajtur seancë pak para shpalljes së aktgjykimit.

    Më herët ai kishte thënë se nuk do të paraqitet në shpalljen e aktgjykimit para Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë.

    Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

    Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.

    Në fjalën përfundimtare, më 19 shkurt, Prokuroria e Bosnjës kërkoi nga Gjykata të shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim për Dodikun dhe t’i ndalojë veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Po të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Llukiqin.

    Dodik, në fjalën e tij përfundimtare, tha se “të gjithë bashkë duhet të luftojmë që Bosnje-Hercegovina të mos jetë më një protektorat, por të rikthejë sovranitetin e saj”, duke përsëritur pretendimet e vjetra se Schmidt nuk ka legjitimitet, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç ka ndodhur me përfaqësuesit e mëparshëm të Lartë./REL

  • Real Madrid në mungesë të tre yjeve sonte në gjysmëfinale të Copa del Rey

    Real Madrid në mungesë të tre yjeve sonte në gjysmëfinale të Copa del Rey

    Real Madridi nuk do të mundë të llogarisë në tre yje sonte në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Copa del Rey.

    “Los Blancos” do të përballen me Real Sociedadin në Kupën e Mbretit, ndërsa trajneri Carlo Ancelotti ka vendosur t’i pushojë tre lojtarë për shkak të orarit të ngjeshur që i pret madrilenët.

    Kylian Mbappe s’do të jetë në dispozicion të “mbretërve” pasi nuk stërviti dje për shkak të dhimbjeve me dhëmbin, të cilin e hoqi më pas..

    Krahas sulmuesit francez, trajneri Ancelotti vendosi t’i pushojë edhe portierin Thibaut Courtois dhe mesfushorin Federico Valverde.

    Madrilenët janë përballur me lëndime të shumta në këtë sezon, ndërsa trajneri italian është munduar të bëjë improvizime duke i lëvizur lojtarët nga njëra në tjetrën pozitë.

    Sidoqoftë, Reali synon të nxjerr rezultat të favorshëm sonte para ndeshjes së kthimit, të cilën do ta zhvillojë në shtëpi në muajin prill.

  • Ambasada e Francës: Veprimet në veri dëmtojnë përpjekjet për normalizim

    Ambasada e Francës: Veprimet në veri dëmtojnë përpjekjet për normalizim

    Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se veprimet e Qeverisë në veri të vendit për mbylljen e Qendrave serbe për Punë Sociale i dëmtojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne konsiderojmë se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe pajtohemi plotësisht me deklaratat e një zëdhënësi të BE-së të cituar më poshtë: ‘’Mbyllja e strukturave ekzistuese që ofrojnë shërbime themelore sociale për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera, pa një marrëveshje alternative të dakorduar paraprakisht, ndikon negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtyre komuniteteve dhe dëmton drejtpërdrejt përpjekjet për normalizim. Këto çështje duhet të adresohen përmes negociatave ndërmjet palëve. Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, është i gatshëm të lehtësojë diskutimet”.

    Po ashtu, Ambasada e Francës në Kosovë tha se Misioni i EULEX-it është në pritje të detajeve për të verifikuar faktet në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës.

    “Kemi marrë parasysh se Policia e Kosovës ka kryer operacione të reja kundër strukturave të mbështetura nga Serbia në veri të Kosovës. Misioni ynë, EULEX, është duke monitoruar situatën në terren në përputhje me mandatin e tij. Ne jemi në pritje të detajeve të mëtejshme për të verifikuar faktet. Siç u tha më parë, statusi i këtyre strukturave dhe shërbimet që ato ofrojnë pritet të zgjidhet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Asnjë kujdes shëndetësor, institucion arsimor, apo strukturë tjetër që ofron shërbime sociale bazë të mbështetur nga Serbia nuk duhet të mbyllet”.

  • BE-ja shpreh shqetësim rreth ndërhyrjes në organizatat e shoqërisë civile në Serbi

    BE-ja shpreh shqetësim rreth ndërhyrjes në organizatat e shoqërisë civile në Serbi

    Bashkimi Evropian është duke i ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh zhvillimet rreth ndërhyrjeve të autoriteteve në Serbi ndaj disa organizatave të shoqërisë civile.

    Kështu ka thënë të mërkurën një zëdhënës i Bashkimit Evropian, duke u përgjigjur në pyetjet rreth veprimeve të fundit të Policisë në Serbi e cila ka ndërmarr operacione në zyrat e disa organizatave të shoqërisë civile.

    “Shoqëria civile luan një rol vital në zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe pluraliste dhe ajo duhet të veprojë në mënyrë të lirë dhe pa presion. Këto janë vlera të cilat jo vetëm se janë në themel të Bashkimit Evropian, por janë edhe të domosdoshme për të ardhmen e secilit vend kandidat që dëshiron të anëtarësohet në BE”, ka thënë ky zëdhënës.

    Më 25 shkurt, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka njoftuar se ka hapur një rast në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga disa organizata joqeveritare në Serbi.

    Prokuroria ka konfirmuar po atë ditë se Policia e Serbisë ka nisur “të mbledhë informata” për punën e katër OJQ-ve: Qendrës për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), Iniciativave Qytetare, Qendrës për Politika Praktike, dhe Fondacionit Trag.

    CRTA dhe Iniciativat Qytetare kanë konfirmuar se Policia ka bastisur zyrat e tyre në mëngjesin e 25 shkurtit.

    Aksioni i autoriteteve serbe erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kufizoi punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të tij, më 24 janar, para një auditimi të agjencisë, e cila u themelua më 1961, me qëllim koordinimin më të mirë të ndarjes së ndihmave amerikane jashtë vendit.

    Që prej kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID-in “organizatë kriminale”.

    “Siç kemi thënë edhe në paketën e fundit të zgjerimit, nga Serbia pritet që të sigurojë një ambient të përshtatshëm për veprimin e shoqërisë civile. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë për së afërmi zhvillimet në Serbi” thuhet në këtë prononcim të zëdhënësit të Komisionit Evropian, raporton REL.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i ndihmojë Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) në hetimet e saj rreth financimit të OJQ-ve serbe nga USAID-i dhe nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).

    “Pa dyshim se ne do të bashkëpunojmë ngushtë me FBI-në për këtë çështje”, ka thënë Vuçiq për televizionin Happy, duke shtuar se FBI do të marrë çfarëdo informate që ka nevojë nga Serbia.